FITORE JONUZI është një poete, autore e vëllimit poetik me titull EJANI!, botuar më 1999 nga SHB Camaj-Pipa, Shkodër, drejtuesi i së cilës, profesori i letërsisë në Universitetin që njihet me emrin e po këtij qyteti, Hasan Lekaj, qe një njeri i përkushtuar dhe shumë serioz në fushën e botimit. Ai e deshi shumë letërsinë, dhe dha shumë kontribut për të.
Poetja është lindur në qytetin e Shkodrës, në një familje me origjinë nga Malësia e Madhe, ku edhe është kthyer qysh në rininë e saj, (në Koplik) për të kaluar pjesën më të madhe të jetës.
Prindërit e saj qenë veteranë lufte. I ati Çun Jonuzi, qe intelektual me shumë emër në zonë, e më larg, por i lënë disi mënjanë për idetë e tij të konsideruara liberale, ose jo konform kohës. Vetë Fitorja ka punuar në arsim si mësuese, ndërsa pasioni i gjithëhershëm i saj, qe letërsia dhe në veçanti poezia.
Ndërsa e lexoj sot këtë libër, ku unë kam qenë edhe redaktor i tij, poezitë më vijnë të bukura dhe të freskëta, njësoj si dikur, vite e vite të shkuara.
Para kësaj poezie, gjendemi si para një dantelle për të cilën ne jemi të sigurt se ajo ka dalë nga duart e një gruaje, jo të një burri, por të një gruaje me shpirt të bukur.
Edhe unë e kam të vështirë të shquaj kohën se kur janë shkruar, a kur i kam lexuar për herë të parë, në takimet tona, pasi gjithçka është vetëm ndjesi, ndërsa ndjeshmërinë për gjendjen sociale apo për problematikat e ditës që trajtohen në media, e kishte të pakët. Çfarë është para ’90-ës a pas, është i njëjti shpirt. E tillë ishte. Ajo u rrit në një shtrat familjar të favorshëm për kohën, mirëpo qe karakteri që nuk përfitoi shumë prej tij. E gjitha është një poezi që vibron në funksion të së bukurës, të së mirës, të pasionit. Nuk është se pretendon të pushtojë realitetin me labirintet e tij. Në këtë kuptim është e afërt me të sotmen sa edhe me të shkuarën e largët të njeriut.
Përgjithësisht janë poezi për dashurinë: për dashurinë për të dashurin, por edhe për fëmijt e vet, për prindërit, për natyrën, për jetën. Janë plot befasi poetike, metafora dhe shkreptitje të befta. Fitorja qe një vajzë, dhe më pas grua e çiltër, e emancipuar, padyshim e pajisur me kulturë. Qe përpara vetë kohës që jetoi, e cila propagandonte emancipimin e femrës. Qe e afërt me femrat e sotme, në një kuptim, por duke ruajtur në komunitet një emër të bukur, të pastër dhe të nderuar. Dhe kjo pasqyrohet edhe në poezinë e saj të përkorë, të përmbajtur, të kujdesur, në të gjitha indet e saj plot jetë dhe pasion.
Në poezitë e saj ka edhe edhe trishtim dhe dhimbje, mbase edhe lotë, nga humbja a nga ndarja a nga mungesa a nga fati i padëshiruar. Jeta nuk ia kurseu edhe asaj këto, si shumëkujt. Por mund të vërejmë këtë gjë do thosha, mbase jo unike por gjithsesi të rrallë në fushën e poezisë: dhimbja e saj nuk kalon asnjëherë te urrejtja, as te mallkimi, madje as tek ironia. E gjitha shkon deri te keqardhja, dhe aty mbetet. Mbas saj, asgjë, veç hapësira kumbuese e vetë asaj. Prandaj duhet t’i besojmë kur shkruan për mirësinë njerëzore.
Këto janë poezi të endura hollë dhe bukur. Fjalët dhe vargu janë të mbushura poetikisht si frutat e pjekur në degë. Çdo gjë është e duhur dhe e mjaftueshme në vetvete, e rafinuar, e pastruar nga gjëra që na vrasin veshin, pasi poetja bëri zgjedhjen e vet nga ato çfarë jeta ofron për njeriun. Kjo është thjesht forca e rregullit që krahas lirisë, poeti ndien në vetvete. Vetë libri është i imët: gjithsej 60 faqe, ndonëse di që në të vërtet, pat shkruar shumë e shumë poezi. Por rrethanat e jetës ndikojnë në punën e shkrimtarit a poetit, por ndikojnë edhe në fatin e vetë produktit letrar të realizuar. Sot autorja nuk jeton. Është ndarë nga jeta më 31 janar 2020, duke lënë pas poezinë e saj, jo të shumtë në faqe, por cilësisht tërheqëse dhe të freskët, sikur vjen drejt nga burimi, jo e turbullt, e kulluar, dhe jo e sofistikuar por shpirtërore.. Safoja, poetja e famshme e lashtësisë sonë, thotë diku në vargjet e saj se “dikush më vonë do të na kujtojë”. Ne këtë gjë po bëjmë: po kujtojmë një poete.
Sokol Zekaj
PRINDËRVE
Kur s’ju shikoj për disa ditë
Humorin humb, fjala më mbet
Më duket se krejt mbetem bosh
S’e di jam tjetër a unë vetë
Shikoj në sytë e djemve mall
Si llavë për mua nëpër ditë…
S’ma shuan jo mallin për ju
As dashuria për dy bijt
Nëse në breza ka diçka
Që në shekuj skeptri i duhet vënë
Është pikërisht ky mall i ngrohtë
Për babë e nënë, kur vetë je nënë…
NORËS SË KELMENDIT
Me muaj rrethuar nga vdekja
Mes çallmash e xhybesh pa fund
Qëndresë bën Kelmendi e s’jepet
As shpata as topi s’e tund
Me lëvozhga pemësh ushqim
Një shpatë çdo vatër e ndezur
Në çadër me kryet në duar
Qëndroka pashai i zverdhur
Kërkon që luftën ta ndalë
Nga lufta të gjithë u lodhën
Por don një peng për fjalën
E peng dashka veç Norën
Çakçirët e bardhë si bora
Me gjarpinj ndër këmbë
Qëndrojnë krenarë malësorët
Me kokën e ngritur mbi tendë
Qëndron ajo përballë djalit
E veshur stolisur vegim
E ndezur nga ngjytrat e spektrit
Si ëndërr e vetë shpirtit tim
E niset e qetë në shatorre
Me kryet lart e sypishë
Karshi i rri Vuçe pashës
Të etur për të si një bishë
Allahu ma pru ndër ëndrra
Të bukurën e Dheut me fletë
Mos gjiri i malit u ça
Dhe erdhe ti, hyre vetë!
Ajo qëndron e nuk flet
Veç buza pikon hojeëmbël
Kundruell i rri Vuçe pashës
E bukur e largët si ëndërr
Përgjaku muzgu edhe malet
Afrohet ngadalë Vuçe pasha
Afrohet e mjekra si drizë
Kërkon të ngrohet te vasha
E Nora ngadalë e bindur
Se dora zemrën s’e tradhton
Nga gjoksi nxjerr thikën, jo zemrën
Dhe pashën pa frymë e lëshon
Nga gjiri i malit pat dalë
E krojet ajo i pastroi
Në gjirin e malit se ç’hyri
Në gjirin e kohës se ç’rroi
MOS MË PYESNI
Mos më pyesni ku kam lindur
Atdhe kam gjithësinë
Yllzuar nga mirësia e Njeriut
Mos më pyesni çfarë dua
I dua lulet të gjitha, si bletët
Ta nginj universin me mjalt lumturie
Mos më pyesni ku shkoj nëpër netë
Dëgjoni mikpritës
Në zemrat tuaja, trokitjet e mia
PËR VETE E TË GJITHË
Një kupë verë të zier në zemrën e diellit
Një kupë vesë të mbledhur
Në zemrën e luleve
Një jetë mes diellit e vesës së dlirë
Një dashuri vesë e diell…
TË ISHA ZOG KËNGËTAR
Të isha zog këngëtar…
Cili gjemb trëndafili do ma gjakoste këngën
Cili yll do shkëputej nga universi dehur lumturie
Cila frutë do piqej për të shuar etjen time
Cili gjuetar do më këpuste me saçmat e syve veç teje
Në cilën pemë do ulesha të pushoja veç mbi supet tua
Cili fllad veç teje do më sillte pranverën…
Të isha zog këngëtar!…
DËSHIRË
Të shtrihem në barin e njomë
Të lë mes blerimit mendimet
Të këndoj lehtë-lehtë
Të fluturoj tek retë…
Pra eja i dashuri im i thinjur
Mbi bar të kujtojmë rininë
Njeriu nuk mplaket nga mosha
Njeriu e mplak pleqërinë
TË KAM KËNDUAR
Të kam kënduar pa dhimbje
Ty, për çudi, duke fshehur dhimbjen
Kështu më paten thënë…
Tani që dua të shfrej
Dhimbjen s’e nxjerr dot me rrënjë
SA KOHË
Sa kohë kemi pa u parë
Sa vite numërojmë në ndarje
Mbi krye na ra borë e parë
Në zemër si breshëri hallet
Por vjen një çast mrekulli
Kur në zemër rëndohet kujtimi
Atëherë thërret si i marrë
Rininë, me zjarr përmallimi
DASHURIA
Askush s’të pa
Por kudo hape plagë
Askush s’të thirri
Por vajte e paftuar
Askush s’të shan
Ndonëse çdokënd ke munduar
Askush s’të vret
Megjithëse je vrastare
Askush s’të nget
Po s’lë njeri pa ngarë
Në s’je mbretëreshë
Ke skllave botën mbarë
SIKUR
Sikur mos ishim parë
Sikur mos ishim njohur
Sikur mos ishim dashur
Sikur mos ishim ftohur
Si bletë e dehur lulesh
U deha për së gjalli
Rrënqethej edhe deti
Dallgë puthjet për së pari
Të flas apo të hesht
Të rri apo të shkoj
Të pi verë lulëkuqesh
Që ty të të harroj
Rrënqethet edhe deti
Nga dhimbja që më ther
Dhe ai det i kaltër
Lotët i bëri perlë
Sikur mos ishim parë
Sikur mos ishim njohur
Mos kish rrebeshe puthjesh
Sikur mos ishim ftohur
PAS SHUMË VITESH
I
Pse të desha s’pata faj
Mituria nuk gjykohet
Ëndrrat sythe në shpërthim
Çdo qelizë klithte marrisht
Me mornica mbushur gjaku
Pse të desha s’pata faj
Moshë e bardhë, shpirtin hapur
II
Ikën sythet në shpërthim
Lulet gjithë seç u vyshkën
Toka posi varr i hapur
Priti gjethet edhe frutat
S’qeshë fajtore se të desha
Zotit lutje i dërgova
Që të ishe prapë i lumtur
S’jam fajtore në gabova
III
Bora flokët na mbuloi
Shtruar-shtruar dalngadalë
Ikën stinët grabitqare
Ti je plak e s’je më djalë
Ikën stinët gënjeshtare
Zjarri gjirin më s’e prek
Paska vetëm prush nën hi
Poshtë zemrës që më djeg
Vitet rrodhën, ikën shkuan
Po diçka mes nesh ka mbetë
Mbase mbeti si një ëndërr
Zjarri i moshës që s’u tret
ATË NATË
Atë natë të kërkoja ty
Të kërkoja gërryer malli
Të kërkoja të më çelje
Siç çel natyrën pranvera
Sa të kam kërkuar atë natë!
Sa të kam pritur, mos pyet kurrë
Ish ndezur yll’i mëngjesit
Lindja skuqte nga flakët e gjirit tim
Zbardhi një ditë
Që hapa agimin me mallin për ty
Dhe ndeza diellin për ty
DO TË TË RRËMBEJ
Gjaku rrjedh i valë
Posi llavë ndër dej
Më pikon në zemër
Do të të rrëmbej
Do të vij një natë
Bash si kusar
Do hap zemrën time
Do ta bëj ty varr
Varr do ta bëj zemrën
Të të nxërë të gjithin
Ja, afromi buzët
Të të thith shpirtin
Me të thithë të gjallë
S’di a nginjem dot
Kam me t’mbyllë në zemër
Burg ta kesh ngamot
Do çaj gjithë damarët
Ti dil trëndafil
Gjithë shkëlqim prej vesës
Unë të jem bilbil
E DUA JETËN
Si një kulpër rreth lisit u ngjita bri jetës
Agimi i bardhë paqe e mirësi m’u falte ditëve
Me dritë të ndritur yjore
Duke i shtrënguar krahun jetës
Përzija çastet e trishta
Thithja si verë këngët mahnitëse të miqve
Askush s’m’a vret dot agimin e dëshirave fluturake
Askush s’m’a ndal brerimin e ëndrrave
As nuk m’i shuan fjalët meteorë që digjen
As shpirtin ndezur nga shpresa
Askush nuk m’a vret magjepsjen bri jetës
NË PYLL
Pylli këndon
Këndon çdo ah nga rrënja te gjethi
Këndon lulja e vogël që stolis qilimin e pyllit
Lëngëzojnë manat e tokës
Lajthitë piqen në ajrin e pastër
Cicërojnë zogjtë në degë
Mua më cicëron zemra e mbushur me aromë
Në zemër më ra
Gjithë ky ajër i freskët, i njomë

