NJERIU I SOTËM
Njeriu, kjo qenie e përkryer, e begatuar me një inteligjencë për ta pasur zili dhe një ndjeshmëri thuajse të paimagjinueshme, që mbart në vetvete gjenetikisht historinë e qenies që prej fillimit dhe deri sot. I shqetësuar, i qetë dhe produktiv, i veshur me ambicie, i ndikuar nga zhvillimet e kohës, i vetmuar dhe pa vetëvlerësim, i shoqërueshëm dhe plot virtyte, i përgatitur për sfida të mëdha, i përgjegjshëm, i ashpër, i poshtër, vrasës, shpëtimtar, profesionist…
Kush është njeriu i sotëm?! A e njohim më shumë veten sot? A dimë të marrim prej saj më të mirën e mundshme për sa kohë na është dhënë të jetojmë? A jemi më të mençur për të gjetur atë që na plotëson, na lumturon, por na bën njëkohësisht të dobishëm për zhvillimet shoqërore? Çfarë ndikon te ne për të qenë më të mirë apo më pak të tillë? Përse kërkojmë me çdo kusht të jemi të parët? Sa nevojë kemi për tjetrin? Çfarë është dashuria që mendojmë se ndiejmë për të? Çfarë përfaqëson për secilin nga ne liria, qytetaria, zhvillimi? Sa të ngjashëm e sa të ndryshëm na bën kultura jonë e të jetuarit e trashëguar nga të parët tanë? Mos ndoshta sot, kur presidentë dhe kryetarë shtetesh, kryetarë partish apo korporatash janë edhe gra, bota ku jetojmë është më e mirë, më e balancuar, më e emancipuar?
Pse njeriut i pëlqen të nisë luftëra prej të cilave mund të mbjellë veç vdekje e shkatërrim?! Përse i duhet ky demonstrim force?! Cila është shtysa e brendshme që e bën njeriun e sotëm të jetë agresor?!
Përse dy njerëz që mund të kenë lindur dhe identifikuar si binjakë, e të jenë edukuar në të njëjtin mjedis familjar dhe shoqëror, mund të manifestojnë tipare krejt të ndryshme të karakterit, krejt të kundërta ndonjëherë?
Njeriu dhe vetvetja, njeriu dhe qyteti, njeriu dhe natyra, njeriu dhe shoqëria, njeriu dhe inteligjenca artificiale që vetë ai e krijoi, njeriu i sotëm përballë trysnisë së kohës.
Këto dhe shumë pikëpyetje të tjera, që shkrimtarë të karrierës dhe shkrimtarë të rinj, i ngrejnë në veprat e tyre letrare dhe na bëjnë për çdo ditë të mendojmë e të reflektojmë, do të bëhen pjesë e aktiviteteve të Festivalit Letrar Ndërkombëtar të të Rinjve “Tirana Gate” 2024, për tri ditë radhazi 9, 10 dhe 11 tetor në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.
Të gjithë me një mision për të shkëmbyer kultura, përvoja, histori, ndjenja dhe marrëdhënie njerëzore në një hapësirë letrare ku kryefjalë do të jemi vetë Ne, Njeriu sot, përballë Vetes – përballë Botës; të gjithë bashkë për të dëshmuar se tashmë Shqipëria nëpërmjet letërsisë e ka zërin e vet europian.
Mirënjohje për të gjithë shkrimtarët, përkthyesit e moderatorët pjesëmarrës. Mirënjohje për të gjithë krijuesit që ndriçojnë rrugët tona me veprat e tyre. Ata janë udhëheqësit tanë në botën e imagjinatës, duke na çuar përmes fjalëve në dimensione të reja dhe duke na ndihmuar të zbulojmë thelbin e dashurisë për veten, leximin, librin dhe vetë jetën tonë.
Mirënjohje Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Bashkisë së Tiranës, Bashkimit Europian, Traduki-it, Institutit Gëte, Qendrës së Botimeve për Shqiptarët e Diasporës, Liceut artistik “Jordan Misja”, Ambasadës Gjermane dhe Ambasadës Greke, Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, RTSH-së dhe “ExLibris” për mbështetjen e përvitshme të kësaj nisme.
“Tirana Gate” sot është e hapur për të mirëpritur artistët e penës së Europës sonë të dashur!

LISTA E AUTORËVE, PËRKTHYESVE DHE GAZETARËVE PJESËMARRËS
1. Alban Tufa – Shqipëri
2. Amanda Michalopoulou – Greqi
3. Ana Kove – Shqipëri
4. Antonio Caiazza – Itali
5. Arta Marku – Shqipëri
6. Ben Andoni – Shqipëri
7. Blerina Rogova Gaxha – Kosovë
8. Brajan Sukaj – Shqipëri
9. Clemens Meyer – Gjermani
10. Dejan Atanacković – Serbi
11. Diana Culi – Shqipëri
12. Eleana Zhako – Belgjikë
13. Erina Çoku – Shqipëri
14. Eris Rusi – Shqipëri
15. Florian Gantner – Austri
16. Ivana Trajanoska – Maqedoni e Veriut
17. Ledia Dushi – Shqipëri
18. Liridon Mulaj – Shqipëri
19. Loreta Schillock – Gjermani
20. Luela Myftari – Shqipëri
21. Majlinda Rama – Shqipëri
22. Maklena Nika – Shqipëri
23. Manjola Nasi – Shqipëri
24. Mimoza Hysa – Shqipëri
25. Namik Dokle – Shqipëri
26. Odise Kote – Shqipëri
27. Petar Denchev – Bullgari
28. Rigels Halili – Poloni
29. Rita Petro – Shqipëri
30. Stefan Çapaliku – Shqipëri