Më 1623, plot katërqind vjet më parë, filloi procesi i vërtetë që monumentalizon tekstet e Shekspirit dhe përjetëson dramaturgun, i cili kishte vdekur shtatë vjet më parë. Është fjala për të famshmen in folio, e quajtur ”Folio e Parë” (sepse u pasua nga të tjera). Dy aktorë, John Heminges dhe Henry Condell, që kishin luajtur në skenë me të, shpëtuan nga humbja e pakthyeshme dorëshkrimet e tetëmbëdhjetë pjesëve të shkruara me dorën e tij.
Jeta
William Shakespeare (1564-1616), është dramaturg, poet dhe aktor anglez. I mbiquajtur ”Bardi i pavdekshëm” ose thjesht ”Bardi”, ai shikohet si njëri ndër më të mëdhenjtë poetë dhe dramaturgë të gjuhës angleze. Vepra e tij e përkthyer thuajse në të gjitha gjuhët e botës përbëhet nga 39 pjesë teatri, 154 sonete dhe disa poema.
Shekspiri ishte i treti nga tetë fëmijët e një familjeje me gjendje të mirë ekonomike në Stratford dhe më i madhi nga djemtë që u mbijetoi sëmundjeve të fëmijërisë. Shumica e biografëve të Shekspirit mendojnë se ai me siguri u shkollua në King›s New School, edhe pse asnjë regjistër i kësaj kohe nuk ekziston. Kjo shkollë u hap në kohën e mbretërimit të Eduard VI më 1553 në Stratford, shumë afër shtëpisë së John Shakespeare-it, të atit të William-it. Shkollat angleze të asaj kohe mbase kishin cilësi të diskutueshme, por ato zbatonin të njëjtin program me dekret mbretëror, i cili mbështetej kryesisht në studimin intensiv të gramatikës latine klasike dhe të letërsisë latine.
Pas shkollimit, 18 vjeç ai martohet me Anne Hathaway 26 vjeçe dhe pati tre fëmijë, një vajzë që lindi në fillim dhe pas një viti e gysmë dy binjakë, një vajzë dhe një djalë, i cili vdiq kur kishte mbushur njëmbëdhjetë vjeç nga shkaqe të panjohura. Megjithatë pas lindjes së dy binjakëve, për disa vjet Shekspiri nuk u pa në teatrin londinez dhe pastaj u rishfaq si aktor dhe si autor. Një fermë që mbahet si shtëpi e familjes së saj në Shotery, është shndërruar në pikë turistike për fshatin edhe pse nuk ka siguri që është e familjes Hathaway. Kritika e sotme ka vënë në dukje, se biografët e Shekspirit ngaqë nuk zotëronin dokumente për vitet e mungesës së tij në teatër, kanë sajuar histori apokrife.
Nuk dihet data e saktë, por mendohet se Shekspiri e nisi karrierën si aktor dhe autor në Londër pranë trupës teatrale Lord Chamberlain’s Men, duke u bërë edhe aksioner i saj. E ndihmon Ana që trashëgon një pasuri të madhe nga familja e vet. Në atë trupë teatrale u luajtën disa drama dhe komedi të tij.
Pjesën më të madhe të veprës ai e shkroi midis viteve 1589 dhe 1613. Krijimet e para ishin sidomos komedi dhe drama historike dhe pas tyre ai iu përkushtua tragjedive si Hamleti, Otello, Mbreti Lir, Makbethi etj. Më 1599 themeloi teatrin e tij Globus, me të cilin u bashkuan shumë aktorë të trupës së mëparshme. Aty ai vuri në skenë dramat më të rëndësishme të tij dhe vazhdoi të luante vetë edhe role kryesore. Gjithsesi ai gjatë gjithë kohës që ishte në Londër, shkonte herë pas here në Stradford pranë familjes. Vitet e fundit të jetës shkroi kryesisht tragji-komedi duke bashkëpunuar edhe me dramaturgë të tjerë. Sa ishte gjallë, një numër i madh pjesësh teatrale të tij u botuan pa cilësi të mirë teknike. Më 1613 ai u kthye përfundimisht në Stratford dhe kaloi aty vitet e fundit të jetës. Disa dokumente vërtetojnë se më 1614 ai shihet sërish në Londër, por shkon te vajza e tij e madhe, Suzana. Shekspiri vdiq më 1616, në Stratford, 52 vjeç, një muaj pasi kishte bërë testamentin. Ai u varros në kishën La Sainte-Trinite të Stratfordit (Stratford-upon-Avon), dy ditë pas vdekjes. Mbi varrin e tij është shkruar një epitaf i përgatitur nga vetë Shekspiri. Ndërsa Ana vdiq në gusht 1623, pa e parë përmbledhjen e veprës dramatike të Shekspirit botuar në një vëllim të vetëm.
Botimi i veprës
Më 1623, plot katërqind vjet më parë, filloi procesi i vërtetë që monumentalizon tekstet e Shekspirit dhe përjetëson dramaturgun, i cili kishte vdekur shtatë vjet më parë. Eshtë fjala për të famshmen in folio, e quajtur ”Folio e Parë” (sepse u pasua nga të tjera). Dy aktorë, John Heminges dhe Henry Condell, që kishin luajtur në skenë me të, shpëtuan nga humbja e pakthyeshme dorëshkrimet e tetëmbëdhjetë pjesëve të shkruara me dorën e tij.Kur formuluan me botuesit titullin : Mr. William Shakespeare’s Comedies, Histoires and Tragedies, ata përjetësuan imazhin e autorit dramatik William Shakespeare. ”Folio e Parë” është një libër me rreth nëntëqind faqe, shtypur në A4, në dy kolona me shkrim të ngjeshur edhe për arsye të çmimit të shtrenjtë të letrës së blerë në kontinent. Botimi i librit u krye falë bashkëpunimit të tyre me një shoqëri shtypshkruesish dhe me tre librarë botues: William Blount si dhe William dhe Isac Jaggard, ati dhe biri. U desh më tepër se një vit e gjysmë që kjo punë të mbaronte; duke nisur nga fillimi i vitit 1622 deri në nëntor 1623, sepse botimi u ndërpre disa herë për arsye financiare. Të gjitha dramat u botuan me deklarimet paraprake ”sipas kopjeve origjinale dhe të sakta” që shpreh edhe shqetësimin për një tekst të denjë për përjetësinë duke u quajtur botim përfundimtar. Për të siguruar suksesin e librit, ata që morën përsipër botimin e tij, i cili ishte vërtet si një kantier i madh pune, nuk i lanë gjë rastësisë. Pra, parateksti: portreti i autorit në faqen e parë, që u kthye në ikonë; në faqen e majtë, bri portretit, një poemë e Ben Jonson-it me lëvdata, bashkëkohës i autorit, mik dhe rival i tij, dramaturg; fjalët: ”Lexues, kushtoji vëmendje librit të tij, jo portretit”; dy letra në vargje të Heminges-it dhe Condell-it si dhe nderimi edhe për mecenët besnikë të Shekspirit dhe pastaj tërë vepra e tij dramatike. Një ndërmarrje e tillë botimi ishte e panjohur deri atëherë. Madje një kopje e vitit 1623 u gjet së fundi më 2014 në fondet e bibliotekës Saint Omer, në Pas-de-Calais, përveç 200 e ca kopjeve që ruhen në British Library, të cilat nuk u shitën në atë kohë, nga 800 që u shtypën gjithsej.
Pra, më 1623 botohen plot tridhjetë e gjashtë pjesë teatrale të Shekspirit, nga të cilat gjysma e tyre pa dritën botimit për herë të parë. Pa këtë in-folio, tetëmbëdhjetë vepra dramaturgjike, mes të cilave: Makbethi, Jul Qesari, Nata e Mbretërve, Stuhia etj., mund të ishin zhdukur njëherë e përgjithmonë. Ky akt i dy miqve të tij i nxori ato nga harresa. Botimi mbetet edhe risi në fushën e botimit, jo vetëm ngaqë e vendos portretin e tij në faqen e parë dhe përuron kështu dramaturgun e madh, por e pajis veprën me disa vlerësime që janë si parathënie nga Ben Jonson-i që profetizon karakterin e përjetshëm të Shekspirit duke themeluar një vështrim të ri të veprës së tij për dyqind vjetët e ardhshëm, një vështrim kritik, i cili do të pasohet në shekujt XIX dhe XX me studime të shumta. Vepra e tij dramatike do të vazhdojë të vihet në skenë, do të përkthehet dhe ripërkthehet, do të përshtatet, rizbulohet dhe do të riintrepretohet në kontekste kulturore dhe politike të ndryshme.
Me gjithë monumentalizimin e veprës së Shekspirit që u bë pak kohë pas vdekjes së tij, kur kujtimet për të ishin të gjalla, me elemente konkrete dhe origjinale si: portreti i gdhendur, poemat e kushtimit me lëvdata, emrat e dy aktorëve, botuesve dhe mecenëve si dhe fjalët e adresuara ”për lexuesin e të gjitha shtresave”, që janë edhe hollësi të pakundërshtueshme, spekulimet që e shihnin Shekspirin si aktor, por jo si autor të veprës, vazhduan si të mos ekzistonte një vepër e materializuar në një botim historik.
Për shumë kohë sa ishte gjallë, Shekspiri ishte botuar krahas autorëve të tjerë. U bë përpjekje të botoheshin me emër duke përfshirë dy ose tri pjesë teatrale të tij, ndërmarrje e ndonjë botuesi qysh më 1597, por u ndërpre nga arsye të ndryshme që lidhen me rrethanat e kohës. Fillimisht veprat e ndryshme të Shekspirit janë botuar në pamflet, domethënë fletë të qepura. Kështu u botuan edhe sonetet. Këto botime të paformatuara si libër dhe të palidhura, ishin të kërcënuara të griseshin dhe të humbisnin.
Emri i Shekspirit si dramaturg, si në të gjitha botimet e kohës së tij nuk jepej, por vetëm titulli i pjesës, emri i trupës dhe vendi i shfaqjes. Më 1593 u botua në pamflet Venera dhe Adonisi, por pa emër. Për herë të parë emri i Shekspirit u shfaq më 1598 dhe nisi interesimi në rritje për veprën e tij. Botuesit përfshinë edhe pjesët teatrale që ishin botuar më parë pa emrin e tij. Por kishte edhe librari që nxirrnin ende libra të tij pa emër autori. Ndonjë bibliotekë si ajo Sir John Harrington, më 1598 përmblodhi në njëmbëdhjetë vëllime 135 pjesët teatrale të vëna në skenë në Londër, nga të cilat shtatëmbëdhjetë pjesë të Shekspirit ishin shpërndarë sipas tematikës, pa i dhënë ndonjë rëndësi atij si dramaturg.
Ndonjëherë ka ndodhur edhe e kundërta si më 1599, që në një antologji poetike poshtë titullit shkruhej ”Par W. Shakespeare”, në një kohë që ai kishte vetëm disa krijime si autor mes të tjerëve. Kjo dëshmon se emri i tij po fitonte një autoritet në rritje. Dëshmi e autoritetit në rritje të Shekspirit jepet më 1608 në botimin e pjesës Mbreti Lir, i vetmi i këtij lloji, ku shkruhet: ” Mr. William Shak-speare: HIS True Chronicle Historie of King Lear”.
Botimi in folio, i vitit 1623 bëri të mundur që për herë të parë të shihej i përmbledhur korpusi i veprave dramatike të Shekspirit me emrin e tij. I bazuar në dorëshkrimet origjinale, kjo ndërmarrje është dyfish e përkryer, sepse sjell në trajtën e pastër edhe veprat që kishin pasur pasaktësi në botimet e mëparshme.
Vepra e Shekspirit u ribotua në shekujt që erdhën duke pasur pamje të ndryshme, por në botimet më të mira është dhënë vepra origjinale dhe teksti i saj i saktë. Në shekullin XVIII, Edmond Malone është i pari botues që e shoqëron tekstin letrar me një jetëshkrim dhe me rendin kronologjik të pjesëve dramatike. Jeta e Shekspirit, e bazuar në dokumente origjinale të ruajtura në arkivat e Londrës e të Stratfordit, duhej t’u jepte fund mbledhjes dhe përpilimit të anektodave edhe nëpër botime. Alexander Pope më 1752 hapi rrugën e një botimi të veçantë duke nxjerrë në krye të botimit me thonjëza disa vargje ose disa skena nga më të bukurat e krijimtarisë së Shekspirit. Ky botim u ndoq nga botime të tjera të këtij lloji, si ai me përmbledhje të vërtetash universale në veprën shekspiriane, apo ai me shprehjet më të bukura të stilit, të moralit, apo botimi që jep një Shekspir filozof, moralist dhe poet, etj. Kjo jetë tekstore me pjesë të zgjedhura dëshmon veçanësinë absolute të gjenisë poetike të Shekspirit, të autoritetit të tij moral dhe të urtisë së tij filozofike.
Shekspiri dhe Europa
Teatri i Shekspirit ishte pararendës i idesë europiane, sepse trupa e tij qe e para që erdhi të luante në kontinent dhe kështu ky teatër mbase shqiptoi i pari idenë e një Europe të bashkuar në epokën moderne. Në vitin 1590 „bari ishte vërtet më i blertë për artistët që lanë Londrën për të ardhur në kontinent“, shkruan Richard Wilson[1] në një artikull të botuar në revistën Europë, prill 2023. Duke shkuar nga qyteti në qytet aktorët shëtitës të Shekspirit qenë Europianët e parë. Në tragjeditë e tij flitet për „kështjella që mbrojnë Europën“ për „shkaqe lufte“ dhe për ushtri që ecin dhe hapin varre në „një copë toke“ të braktisur. Në tragjedinë Hamleti, dy fuqi udhëtojnë në drejtime të kundërta. Hamletit i bën përshtypje demonstrimi i forcave ushtarake dhe pas ikjes së ushtarëve, ai mendon pasojat, prandaj mendimet e tij „do të jenë të përgjakura“. Takimi mes Hamletit dhe një ushtrie profesionale që udhëton drejt Polonisë është një moment qendror, në të cilin tragjedia e Shekspirit takon historinë e kohës së vet. Pjesa dramatike qe shkruar për një publik anglez që kishte filluar ta quante veten „ne Europianët e tjerë“, siç shkruante Francis Bacon[2]. Nuk është e habitshme që dramat e Shekspirit dhe tragjedia Hamleti në veçanti, kanë ushtruar trysni artistike për të formësuar vetëdijen kolektive të Europës më tepër se çdo vepër tjetër. Në këtë kohë dhe më pas, rreth viteve 1600, sipas studimeve të historisë europiane, fjala Europë filloi të zëvendësonte fjalën „Krishtërim“ dhe u bë termi që do të bashkonte një kontinent të tërë.
Portreti që u bën Shekspiri aktorëve, sipas historianit Peter Burke, një historian britanik i kulturës europiane në epokën moderne, frymëzohet nga kultura dhe mendësia popullore ; aktorët në të vërtetë nuk i ndalte kufiri politik. Madje, duke menduar se gjeografia në një pjesë dramatike si Hamleti është e gjerë : Danimarkë, Norvegji, Poloni, Gjermani, Angli, Francë, kjo gjë krijon imazhin se „tërë bota luan teatër“.
Tema zotëruese e tragjedisë Makbethi, në të cilën shkruhet se „koha e paqes universale po vjen“, që e hasim edhe te Antoni dhe Kleopatra, e shpie këtë optimizëm gjitheuropian në apogje, shkruan Richard Willson. Nuk është rastësi që këto drama kanë mundur të përputhen me qëllimet mbikombëtare si ato të dukës Silly në Francë që ia kishte transmetuar planet Henrit IV në mbështetje të një Europe, në të cilën „njësitë e mëdha territoriale do të pajiseshin me institucione federale“, ose ato për projektin e krijimit të një tregu „të përbashkët të lirë, me të drejta dhe taksa“.
Në Rrëfime dimri, lulet e bathrës „magjepsin“ erërat e marsit me bukurinë e tyre. Një studiues i Rilindjes Europiane i vendos veprat e Shekspirit në qendër të lëvizjes që synonte të afronte poetët dhe muziktarët e besimeve fetare të ndryshme për t’i nxitur të mësonin këtë lloj bukurie si një estetikë e re e pajtimit dhe lëshimeve të ndërsjella. Te Endërr e një nate vere, flitet për artistë që luajnë „të qetësojnë shpirtrat e shikuesve“. Por nuk harrohet të pasqyrohet aty as marrëzia kolektive. Aktorët e Shekspirit përshkojnë Europën që paraqiste simptomat e një histerie kolektive pas shfaqjeve të armiqësisë kundrejt të huajve dhe intolerancës së saj përballë pakicave, siç ndodhi me ndjekjen e çifutëve apo me të ashtuquajturin gjah të magjistricave në qytetet ku zbarkuan aktorët londinezë. Ata ishin bartës të një kumti, sipas të cilit “heretik është ai që përgatit turrën e druve“ (Rrëfime dimri). Kështu i shenjonin ata njerëzit që nuk kishin asnjë lloj respekti për idetë e kampit tjetër.
Hamleti bëhet tërheqës, sepse i jepte një besim pagan fatit dhe tregonte neveri përballë botës „së mërzitshme, të zbërdhulur, të dështuar e të shterpët“. Walter Benjamin shkruan : „Hamleti është i vetmi spektator i dramës […] ; megjithatë nuk është shfaqja e luajtur për të që e bën të shfrejë pasionin, por fati i tij dhe asgjë tjetër. Vetëm në këtë jetë prej princi, melankolia e tij mund të konsumohej duke gjetur vetveten. Pjesa tjetër është heshtje“[3]. Kritiku gjerman shton se ndërsa „Rilindja shqyrton botën, baroku shpëton bibliotekat“, ashtu si thotë Prospero i dramës Stuhia, mendimi i të cilit merr formën e një libri.
Tragjedia Hamleti ishte në përputhje me idetë e teatrit shekspirian. Kur Poloni vrapon për të lajmëruar ardhjen e aktorëve, skena e hapur në gjysmëhije ndriçohet menjëherë dhe në çastin që kështjella mbushet me zhurma dhe ngjyra, me shkëlqim dhe kostume farfuritëse të aktorëve, „harrohen tradhtitë dhe shpërdorimet ; në të vërtetë Hamleti i pret aktorët si „kronikanë të kohës“ si përhapës të kumteve të reja. Më 1626, teksa trupat ushtarake të Danimarkës marshonin drejt një beteje të përgjakshme në rrethinat e Hamburgut, u takuan rastësisht me trupën e aktorëve dhe ushtarët, si të thuash, u çarmatosën në sajë të asaj dhune simbolike që panë në skenë.
Në tragjedinë Makbethi dëgjohet klithma e habisë së Malkolmit përballë mënyrës së Reformimit, nga i cili vendi i tij „qan dhe pikon gjak“. Kjo temë shtjellohet gjerësisht në komedinë Shumë zhurmë për asgjë, kur autori përshkruan një natë paranojake, thuajse të çmendur, sepse vihet në gjendje arresti një individ që nuk ishte Reformuar sa duhej ; është koha e reformave fetare. Kjo komedi ngjitej në skenë krahas tragjedisë Romeo dhe Zhuljeta, në të cilënmallkohen ngjyrat politike qëpërçajnë : „Rëntë murtaja mbi të dyja shtëpitë tuaja“. Në Rrëfime dimri, ai e pajisi Boheminë me një vijë detare imagjinare, por ka dhënë edhe një ndryshor romanesk të mbretërisë çeke, sepse krijohet një vend ku gjendet zgjidhja për krizën europiane. Në pjesën Komedia e gabimeve, Shekspiri u drejtohet bashkëkohësve europianë : „Ne kemi ardhur në botë si vëllezërit me vëllezër. Tashmë, le të ecim përpara dorë për dorë“.
Në të vërtetë trupa Globus e Shekspirit po e fitonte luftën kulturore dhe eksportonte në kontinent modelin e një teatri me të gjitha shijet, në të cilin përfaqësoheshin të gjitha shtresat e shoqërisë. Në tragjedinë Hamleti dhe në të tjera jepej modeli i një fryme të re, një dritë që shpërndahej përpara se të vinte Shekulli i Dritave. Aty shihej se çfarë do të ishte arti i nesërm që do të lejonte të farkëtohej një bashkësi e re në Europë. Filozofi Jurgen Habermas e quan teatrin Globus „sferën e parë publike të Europës“. Atje, pranë e pranë, kurtizanët dhe tregtarët, shërbëtorët e thjeshtë, ushtarët, çirakët e punësuar, po ashtu si proletariati fare i varfër, ishin gati të bëheshin të pranishëm në shfaqje dhe kishin mundësi „të mbronin „urtësinë e tyre të thjeshtë dhe zgjedhjen e tyre“, ashtu si qahet hidhur Koriolani te drama me të njëjtin titull.
Disa muaj pas vdekjes së Shekspirit, trupa që drejtohej nga John Green-i dha shfaqje në Dantzig dhe tregoi se ajo donte të vazhdonte konceptin shekspirian, sepse aty shihej sesi çdokush gjente zërin e vet në gjuhë dhe në zakone të ndryshme ; dramat e tij ishin një pasqyrë e kthjellët e jetëve njerëzore. Teatri i Shekspirit përuroi një vështrim të ri që hulumton brenda njeriut dhe jep botën e tij të brendshme.
Shekspiri bëhet shumëgjuhësh dhe e ndërkombëtarizon dramën e tij si te Troiloi dhe Kresida, në të cilën jepet një përzierje krijuese „e marrëzisë dhe filozofisë“. Ka një lloj dije skenike të Shekspirit autor dhe aktor siç e vënë në dukje edhe Walter Benjamin-i, edhe Bertolt Breht-i në studimet e tyre për dramën shekspiriane.
Ligjërimi simbolik
Në veprën e Shekspirit gjejnë vend thuajse të gjitha temat e jetës së njeriut në familje, në jetën shoqërore politike dhe kulturore, si dhe roli i shkencës dhe funksionet e saj në gjithësi. Shumë studime tregojnë ndikimin që kanë ushtruar në imagjinatën e Shekspirit përmbledhjet me thënie dhe përfundime universale që duken sidomos te dramat Perikliu, Titus Andronikusi, Troiloi dhe Kresida… Ligjërimi simbolik futet në teksturën dramatike, sepse në kulturën e shekullit XVI imazhi përmban një pushtet edukues të fuqishëm dhe mund të pranohet që Shekspiri të ketë qenë i ndjeshëm dhe të ketë nxjerrë nga dokumentet, referime krejtësisht të njohura prej shikuesve. Bie fjala, shprehjet simbolike: ”Ex bello pax” (Pas luftës vjen paqja); ”Amicitia etiam post mortem durans” (Miqësia është me e fortë se vdekja) etj., i japin ligjërimit trajta universale. Ligjërimi i Henri V para ushtarëve paqyron një rrymë mendimi që lidhet me organizimin e rendit shoqëror dhe të krejt shoqërisë me një lloj mirëkuptimi qytetar. ”Pa hierarki shoqërore” pushteti zhbëhet dhe prandaj duhet që të riafirmohet me fuqinë e fjalës ose me detyrime ”fizike”.
Shekspiri është një shkrimtar i gjithanshëm, mjeshtër i monologut: ”Të rrosh a mos të rrosh » (Hamleti) ; “Miq, romakë, bashkëqytetarë » (Jul Cezari), monologu i Zhuljetës, monologu i Makbethit, i mbretëreshës Margaritë; mjeshtër i maksimave ; mjeshtër i shprehjes poetike : Hamleti e quan Ofelinë « trëndafil e shpresë » ; mjeshtër i epigrameve ; njohës i këngëve popullore angleze të rralla, si kënga e Desdemonës, apo kënga e Ofelisë etj. Në të vërtetë disa pjesë të tij dramatike të shtypura filluan të qarkullonin në Angli qysh më 1594. Në shekullin XVI kritiku nuk ekzistonte. Lexuesit dhe shikuesit e dramave të tij i kanë shprehur mendimet e tyre në dorëshkrime trajtesash të ndryshme dhe në ditare. Mendimet e tyre janë vetjake, por disa lexues kanë luajtur një rol publik vendimtar në ruajtjen e emrit dhe veprës së Shekspirit. Në British Library ruhet një dorëshkrim autentik i një lexuesi me mbiemrin Scott, student në fakultetin e Drejtësisë që pasi kishte lexuar poemën narrative Rrëmbimi i Lukrecias dhe dramën Rikardi II, shkruan se ”ajo që është mbresëlënëse dhe shumë e çmuar te autori”, është se ”ajo që ka shkruar, është dhënë me një stil që është i kuptueshëm dhe të magjeps”. Shekspiri është një autor, vërtet shkrimtar që sipas tij ” ka shkruar për lexuesin, për intelektin e lexuesit”. Ai çmon shumë tragjedinë Otello, sepse ”autori ka arritur një nivel të lartë rrëfimi dhe cilësi letrare të veçanta”; në fund të shënimeve përdor terminologji kritike: ”një pjesë dramatike e shkëlqyer, si për tekstin edhe për intrigën dhe sidomos për intrigën”.
Periudha e viteve 1608-1612, është koha kur shkruhen pjesët më të qeta, edhe pse personazhet janë pikturuar me po aq forcë, si në tragjeditë e mëdha. Por ka edhe vepra të kësaj kohe që përshkohen nga kriza shpirtërore të fuqishme si te Antoni dhe Kleopatra, ku vdekja e dashnorëve të pavdekshëm jepet me një bukuri të rrallë. Te Henry VIII dhe sidomos te Stuhia apo Rrëfime dimri, duket sikur dëgjohet lamtumira e Shekspirit ndaj poezisë dhe jetës. Më vonë në tragjeditë pesimiste deri në dëshpërim si Jul Qesari, Hamleti, Othello, Mbreti Lir, Makbethi, pasqyrohen dhimbjet e shekullit shekspirian dhe filozofia e trishtuar e jetës, që përftojnë trajta universale.
Sonetet
Ato janë pasqyrimi i shpirtit të poetit. Wordsworth-i, poet romantik, thoshte se ai ka hapur zemrën e tij me çelësin e soneteve. Disa pasazhe kanë një sinqeritet të madh. Poeti dashuron me një dashuri që ngushëllon nga të gjitha vuajtjet, një dashuri më e fortë se vdekja. Aty gjejmë gjithashtu atë ngushëllim sipëror, sigurinë që vargjet e tij do të mbeten të pavdekshme, edhe kur ai vetë do të jetë shndërruar në pluhur. Vitet 1600-1608 janë nga më trishtuarat e tij dhe mbase më tragjiket që e shohim në sonete. Edhe komeditë që ai i quan romaneske janë me subjekte të trishtuara; Troiloi dhe Kresida janë aq të pasigurt, të pavendosur në tonet e zërave të tyre sa lënë një përshtypje të ndërlikuar, më shmë melankolike dhe zhgënjyese sesa gazmore.
Shekspiri në sytë e mendimtarëve dhe artistëve të mëdhenj
Dekarti e pa Shekspirin të luhej në skenë gjatë qëndrimit në Londër më 1649 dhe qe mahnitur aq shumë, sa parafytyroi themelet e një shkence të pakrahasueshme. Kurse filozofi gjerman Herder, sa herë që shihte një pjesë të Shekspirit në skenë, thoshte se „aktorët dhe dekori qenë sjellë nga stuhia e historisë“. Kompozitori Hektor Berlioz pohoi se tragjedia Hamleti, e luajtur në Odeon më 11 shtator 1827 ishte një moment vendimtar në jetën e tij. “Shekspri më ra papritur, si rrufe“ – shkruan ai. Bodleri e quajti Shekspirin „socialist“. Marksi e ka pasur në mendje veprën e tij ; kjo gjë u duk sidomos në librin për Lui Bonapartin, në të cilin ai thotë se historia është dramë. Te Jul Qesari, dy personazhe, Kasiusi dhe Bruti pyesin veten se „edhe sa shekuj / Do ta mbajmë dramën tonë në skenë ? “…
Sigurisht, bashkëkohësit e Shekspirit u drejtoheshin shpesh simboleve të dramave të tij për të maskuar luftën e tyre. Dramaturgu thoshte se lloji më i mirë i kumteve janë iluzionet, e megjithatë ”të këqijat nuk janë të këqija, nëse imagjinata i korrigjon” (Endërr e një nate vere). Te drama Timoni nga Athina autori përmend të gjitha „mendjet e ndritura”, prandaj Paul Valery shkruante më 1919 se Hamleti europian „sheh miliona spektra“. Për Jane Austen, Shekspiri mishëron atë që është më kryesore te një anglez.
Referimet nga vepra e tij
Ato janë të shumta dhe lista do të ishte e gjatë po të shënoheshin të gjithë librat dhe filmat apo edhe forma të tjera artistike që ka ushqyer vepra e Shekspirit, por ajo shtrihet gjer edhe në dokumente të tilla, si bie fjala, ai që jep gjenealogjinë e Bashkimit europian, i titulluar “Conquering Peace: From the Enlightenment to the European Union”, botuar në Harvard University Press, 2021. Historiania Stella Ghervas që e ka formuluar, e merr titullin dhe epigrafin nga pjesa e dytë e Henri IV : „Paqja ka të njëjtën natyrë si fitorja / Sepse të dyja fuqitë u nënshtrohen rregullave me fisnikëri / Dhe asnjëra nuk është humbëse (Henri IV).
Historia e Europës që nga Traktati i Vestfalisë më 1648 që i dha fund Luftës së Tridhjetë vjetëve me një “pushim zjarri” praktik, është interpretuar me një retorikë pozitive nga kryemurgu shën Pierre-i, i cili botoi më 1713 një projekt për paqe të përhershme. Immanuel Kant-i botoi më 1795 studimin „Drejt paqes së përhershme“, duke pasur parasysh Europën dhe njerëzimin mbarë. Volteri atëherë shprehu mosbesimin e vet ndaj projektit të Shën Pierre-it dhe shkroi se ky ishte „një iluzion që do të mbijetonte mes princëve, po aq sa mund të mbijetojë paqja mes elefantëve dhe rinocerontëve, mes ujqve dhe qenve“.
Pastaj erdhën luftërat e pjesshme, Lufta e Parë dhe e Dytë botërore, Operacioni Barbarossa i tmerrshëm i Hitlerit më 22 qershor 1941… Ato treguan qartë se çfarë ishin themelet ideologjike të Europës. Por Shekspiri me dramat e tij lajmëronte paqe : „Lajmërojmë këtë paqe / Për të gjithë / Dhe të ecim / Në atë mënyrë që / Flamujtë romakë dhe bretonë të valëviten pranë e pranë si provë miqësie“. Ai vazhdon ta japë këtë kumt përjetësisht.
Shekspiri dhe figura e gruas
Nisur nga fakti se aktoret profesioniste dolën në skenë pas restaurimit të monarkisë më 1660, Shekspiri nuk krijoi role femërore vetëm në kuptimin klasik të fjalës, por një larmi rolesh, çka sipas një studimi e nxjerr në krye të epokës si një autor avangardë. Mjeti kryesor që kishte në dorë për ta paraqitur gruan në skenë, ishte imitimi që realizohej nga boy aktress, djalë i ri që nuk i ka ndryshuar ende timbri i zërit. Kështu ndodh në pjesët Nata e Mbretërve ; Si t’ju pëlqejë dhe Tregtari i Venedikut. Po kjo gjë mund të thuhet edhe për role të tjera si Kordelia (Mbreti Lir), apo Ledi Makbeth (Makbethi), mbretëresha Margaritë (Rikardi III). Kishte edhe një mjet tjetër, shumë të rëndësishëm që e mësoi gjatë studimeve të nivelit të dytë për teatër në Stratford : përshkrimi i hollësishëm dhe dramatik i disa figurave të famshme në histori dhe në mitologji, si : Hekuba, Gertruda, Ofelia e të tjera. Te poema e gjatë ”Rrëmbimi i Lukrecias”, Hekuba shfaqet e rrënuar nga dhimbja. Ai e jep Hekubën edhe përmes një ankthi që shtohet te ajo së bashku me procesin e plakjes. Shkolla elizabetiane i ka mësuar aktorët e rinj të vendosen në planin retorik brenda situatës së vuajtjes së dikujt. Kjo lloj shkolle nistore për karakterizimin e gruas ka të bëjë edhe me formësimin e Shekspirit që shkonte më larg se përshkrimi i personazheve e i ngjarjeve dhe i kërkonte oratorit (aktorit) që t’u jepte jetë skenave. Kur qan Hekuba, në skenë duket një figurë e kërrusur nga një dëshpërim i lemerishëm. Ajo ka sjellë në jetë me Priamin shumë fëmijë dhe paraqitet si një figurë amnore e rraskapitur ; duke parë trupin e tij të copëtuar ajo është tronditur thellë. Hekuba e Shekspirit është si figurat e Rilindjes, mishërim i dhimbjes.
Hamleti i drejtohet një aktori që luan një rol femëror “Zonja ime e re”. Pra, imitimi i rolit femëror në skenë është strukturor dhe Shekspiri e ka përvetësuar këtë teknikë në shkollën e Stratfordit. Aty ai mësoi të deklamonte poemat epistolare të Ovidit, letra dashurie „të shkruara“ prej heroinave mitologjike ose legjendare, shumica e të cilave kishin përjetuar dashuri të humbur, ishin braktisur ose tradhtuar.
Fakti, që këto strategji të përshkrimit dhe të imitimit të grave të dëshpëruara, kanë qenë praktikë retorike e disiplinës mësimore të Rilindjes, sigurisht nuk e transformoi me magji Anglinë në modernitetin e parë, në një shoqëri, e cila luftoi qysh në krye të herës për barazinë gjinore. Vetëm një vend me kulturë të vërtetë kërkonte t’u mësonte nxënësve të shpalosnin formimin gjuhësor të përshtatshëm për të gjitha rastet që mund të paraqiteshin. Prodhimi i empatisë është një efekt i dorës së dytë në këto praktika, por nuk ishte detyra e tyre kryesore. Nëse dramaturgu nuk kishte rrugë tjetër përsa u përket imitimit të roleve femërore në skenë, sepse pa to nuk mund të ekzistonte vetë drama, përshkrimet e feminitetit in extremis nuk ishin të detyrueshme dhe i liheshin atij në dorë. Futja e tyre nga Shekspiri është, pra, zbulim. Rimartesa e ish-mbretëreshës Gertrudë, pak kohë pas vdekjes së mbretit, bën që të shpërthejë misozhinia e Hamletit. Martesa e saj është enigma e pjesës. Teksti nuk thotë gjë në e ka kryer ajo shkeljen e kurorës (adylterin) më parë, ose është apo jo në dijeni të vrasjes së mbretit, të atit të Hamletit dhe bashkëshortit të saj nga Klaudi, bashkëshortit të ri. Kësisoj ne kemi liri të madhe për interpretimin e personazhit, një liri që vërteton dhe e miraton modernitetin ; gratë e veja në veprën e Shekspirit rimartohen. Kjo është gjë e re, sepse sipas zakoneve mesjetare një grua e ve nuk rimartohej dhe kështu quhej grua e virtytshme. Nëse publiku nuk di si ta quajë gjestin e saj, ka një pikë të rëndësishme që e tregon të virtytshme kur shpreh dhembshuri për Ofelinë dhe nga fundi i dramës ne e marrim vesh se ajo do të kishte dëshiruar ta kishte Ofelinë nuse për djalin. Ajo thotë se kishte dëshiruar t’ia ”stoliste shtratin e martesës me lule, jo t’i mbulonte me to varrin”. Kurse i ati i Hamletit ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj lidhjes së të birit dhe është në antitezë me Gertrudën. Ajo uronte që ”urtia e bukur e Ofelisë” të ishte ”shkak i lumtur i zbutjes së Hamletit”. Kështu ajo donte që virtytet e Ofelisë ta vinin ”në rrugë të mbarë Hamletin. Për nderin e të dyve”. Fjalët e Gertrudës janë pjesa më lirike e tragjedisë, me gjithë strukturën patriarkale të shoqërisë së kohës së Shekspirit.
Shekspiri dhe mjedisi
“Do të doja që fytyra ime të ishte kopsht i lulëzuar / I njomur nga vesa… – thotë Venera e dashuruar marrëzisht pas Adonisit, te pjesa Venera dhe Adonisi. Shekspiri ndjek këtu traditën e Kënga e Këngëve, në të cilin trupi i gruas jepet si një kopsht. Në të vërtetë kanë folur shumë për rëndësinë që i jep Shekspiri botës bimore në veprën e tij. Kritiku kanadez Northrop Frye përshkruan një lloj locus amoenus (vend kënaqësish) që karakterizon natyrën e komedive të Shekspirit. Sigurisht do të ishte e tepërt të mendonim se bashkëkohësit e Shekspirit ishin ithtarë të një lloj kulti për jetën e egër, përkundrazi, natyra atyre u duket pjellore dhe mbrojtëse kur është e punuar. Bujqësia shërben në fakt si një urë midis natyrës dhe kulturës. Sidoqoftë pylli shfaqet në shumë vepra të tij. Hermia dhe Lisandri të humbur në pyllin athinas (Ëndërr e një nate vere), përgatiten të flenë poshtë një peme. Te tragjedia Makbethi, që mendohet si vepra e fundit e dramaturgut, drurët kanë një përmasë të fuqishme simbolike. Makbethit i duket sikur pylli lëviz. Studimet astronomike të kohës u krijojnë mundësi bashkohësve të ditur të Shekspirit të kalojnë nga vizioni i kozmosit sipas Pitagorës në perceptimin kopernikian të tij dhe prandaj ata janë të aftë të lexojnë edhe lëvizjen e yjve si te Jul Cezari.
Shekspiri dhe feja
Shekspiri dhe bashkëkohësit e tij ishin mbrujtur me besim fetar, me ligjërime për krishtërimin, por duke lexuar veprën e tij, mund të thuash se dramaturgu ka treguar një aftësi të veçantë duke larguar dyshimet që mund ta çonin në burg ose ta ekzekutonin. Kur lexon veprat e tij mendon se ato janë profane, si të ishin shkruar pas periudhës së iluminizmit. Megjithatë Stephen Greenblatt, profesor i Humanizmit në Universitetin e Harvardit, që ka shkruar shumë edhe për Shekspirin, thotë se aluzionet fetare janë të pranishme nëpër dramat dhe komeditë e tij. Dramaturgu e prek në mënyrë elegante problemin e purgatorit duke qendruar midis profanizmit dhe fesë.
Shekspiri te ndonjë personazh i tij përkthen ndjesinë se përvoja njerëzore është më e ndërlikuar sesa duket. Sidoqë çdo njeri i asaj kohe e ka formuar imagjinatën e vet nga lidhje të forta me fenë, Shekspiri ka mundur të krijojë një hapësirë mbrojtëse mes fesë dhe veprës së vet. Veprat e Shekspirit në shekujt XVII, XVIII dhe XIX patën përhapje progresive, kurse në shekullin XX me hovin e teknikës ato nisën edhe udhëtimin drejt kinemasë dhe pikturës; në fillim të shekullit XX u realizuan regjistrimet e pjesëve kryesore për teatër dhe pastaj filloi përshtatja për film që nuk iu nda ekraneve. Sot numërohen rreth 1500 filma anekënd botës që mbështeten mbi subjektin e veprës së tij.
Shekspiri dhe Shqipëria
Në gjuhën shqipe qe i pari Fan S. Noli që shqipëroi Shekspirin. Në një artikull të vitit 1906, ai e quan mendjen e tij ”të egër, të marrë, pa rregull, por të bukur si natyra”. Ai e solli Shekspirin në shqip fillimisht me : Otello, pastaj pas dhjetë vjetësh solli njëra pas tjetrës Hamleti, Jul Cezari dhe Makbethi. Madje Konica pati hedhur idenë që t’i ndanin së bashku pjesët e Shekspirit për t’i përkthyer në shqip. “Ai pati vetëm një rezervë, që “Romeo e Zhuljeta” t’i jepej atij. Pranova menjëherë, me kusht që “Hamletin” ta merrja unë. Kështu filluam të dy”[4]. Noli me përkthimet e tij tregoi edhe pasurinë e gjuhës shqipe, edhe poezinë e shprehjes, edhe magjinë e fjalës. Noli i ka pajisur përkthimet me Introdukte (parathënie në formë eseje), në të cilat vë në dukje vlerat universale të veprës shekspiriane. Më 1964, duke iu përgjigjur thirrjes së Komitetit Kombëtar Anglez, drejtuar gjithë shekspirologëve të botës, për të dërguar nga një kopje të veprave të përkthyera të Shekspirit, shoqëruar edhe me kujtime sesi u « njohën » me dramaturgun e madh, përveç veprave të përkthyera, Noli dërgoi edhe dy shkrime në formë eseje: “Shekspiri” dhe “Shekspiri dhe unë”, të cilat u botuan në revistën londineze “The listener”, më 15 tetor dhe më 5 dhjetor 1964. Në esenë e parë ai nuk flet për madhështinë e Shekspirit si aspekt tepër i njohur i gjenialitetit të tij, por si duhet lexuar Shekspiri, që të kuptohen vlerat e tij. Në esenë e dytë, pasi tregon « njohjen » me Shekspirin kur ishte 15 vjeç, sepse u mësoi dy aktoreve analfabete në Athinë të lexonin tragjedinë Hamleti dhe si pagesë do të merrte bileta falas; si u bë sufler në tragjedinë Otello dhe si e uli perden kur dëgjoi « Desdemonën » të thërriste, se i shoqi që luante Otellon, për ta bërë sa më të gjallë lojën, gati sa s’po e mbyste; si u bë pastaj kopist në teatër; si luajti Hamletin, se aktori ishte sëmurë (sëmurë nga të pangrënët), etj. Kur erdhi në SHBA më 1906, takoi përsëri « mikun » e dikurshëm, në teatrin “Castle Square”; por këtë herë e pa Shekspirin në skenë anglisht. Në fund të esesë së dytë ai shkruan: « […] unë e kam braktisur mikun tim të vjetër, Shekspirin këta 38 vjetët e fundit, për arsye të ndryshme, një nga të cilat ka qenë edhe Lufta e Dytë Botërore. Kam shpresë t’i kthehem përsëri duke dhënë disa kryevepra të tjera në shqip. Unë mund ta bëj këtë. Jam ende i ri. Jam vetëm 82 vjeç ». Por Noli nuk e realizoi dot këtë ëndërr të mbrame, sepse vdiq pas disa muajsh. Akademia Angleze e Shekspirit e ka përfshirë emrin dhe përkthimet e tij në Bibliografinë e saj shkencore. Botuesit, përkthyesit dhe regjizorët e veprës shekspiriane janë përballur dhe përballen përherë në punën e tyre me një vepër kanonike, universale e të papërsëritshme që ka përshkuar shekujt e shpërndarë nëpër tekste të shumëfishta. Shekspiri vazhdoi të bëhej i njohur në Shqipëri me pjesë të tjera dramatike në sajë të shqipërimeve të tjera të Skënder Luarasit, si vazhdues i shkollës noliane të përkthimit që i ka botuar Onufri në një kolanë me rastin e 450-vjetorit të lindjes së Shekspirit. Kolana që është një botim i përsosur, i përshtatshëm për veprën e klasikëve të letërsisë botërore përfshin: Mbreti Lir; Rikardi II; Rikardi III; Tregtari i Venedikut; Komedia e keqkuptimeve; Si ta doni”. Vijnë pastaj Vedat Kokona, Alqi Kristo e të tjerë që e kanë pasuruar repertorin e veprës së përkthyer në shqip të tij me vepra si : Gratë gazmore të Uindsorit; Shumë zhurmë për asgjë; Nata e dymbëdhjetë; Romeo e Zhuljeta; Mundimet e kota të dashurisë; Antoni dhe Kleopatra, Përralla dimri, Stuhia ….
Vepra e Shekspirit fitoi jetën e vërtetë në skenën e Teatrit Popullor kur më 21 mars 1953 u shfaq Otello; më 1959, Gratë gazmore të Uindsorit; më 1960, Hamleti; më 1965, Mbreti Lir; më 1962, Nata e dymbëdhjetë, me aktorët e shquar duke filluar nga Pjetër Gjoka e Sandër Prosi e duke vazhduar me një plejadë aktoresh dhe aktorësh sipas brezave : Violeta Manushi, Drita Pelinku, Ahmet Pasha, Robert Ndrenika, Roza Anagnosti, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo e të tjerë të shquar, me regjisorë si: Besim Levonja, Pandi Stillu, Kujtim Spahivogli, Piro Mani dhe shumë të tjerë aktorë, kompozitorë, skenografë, kostumografë…
Burimet: Europe, 1964, 2023, Fondet / William Shakespeare në Bibliotekën Kombëtare, Tiranë dhe në Bibliotekën Kombëtare, Paris.
[1] Richard Wilson, Guerre et paix dans l’Europe d e Shakespeare (Revista Europe, 2022).
[2] Francis Bacon (1561-1626) – Shkencëtar, filozof dhe burrë shteti anglez.
[3] Walter Benjamin, Origine du drame baroque allemand (Origjina e dramës baroke gjermane), f. 169.
[4] Fan S. Noli, Shekspiri dhe unë.