More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFeride Papleka: Një vepër monumentale për Skënderbeun

    Feride Papleka: Një vepër monumentale për Skënderbeun

    Kristo Frashëri Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Jeta dhe Vepra (1405-1468), Shtëpia Botuese DITURIA, 2019

    « […] me kalimin e shekujve, figura e Heroit mbetet edhe për brezat e sotëm gjithnjë e pacenuar në olimpin e lavdisë së përjetshme ».

    Kristo Frashëri

    Disa libra kthehen në tekste të domosdoshme për të njohur epoka të rëndësishme të identitetit tënd historik dhe gjatë leximit të tërheqin gjithnjë e më shumë me forcën e tyre bindëse, me bukurinë e natyrshme të shprehjes dhe me frymën komunikuese. Kjo lidhet me statusin e tyre formues dhe edukues me të vërteta shkencore. Kështu ndodh pasi ke lexuar librin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Jeta dhe Vepra, të historianit të shquar Kristo Frashëri.

    Kristo Frashëri nuk e ka shkruar librin e tij vetëm për historianët, por edhe për të gjithë ata që duan ta zgjerojnë njohjen e tyre për figura që janë pishtarë të kombit e thërresin me veprën e tyre, ngjallin krenari dhe frymëzojnë për një jetë të ndershme e të përkushtuar ndaj atdheut e lirisë. Prandaj edhe unë po hedh në letër mbresat e pashlyera që më ka lënë ky tekst madhor, të cilin, pasi e mbarova, kisha dëshirë t’i kthehesha përsëri.

    «Dalja në dritë e monografisë bashkë me serinë prej nëntë vëllimesh me dokumentacionin më të pasurin e mundshëm deri sot dhe të vlerësuar mbi figurën e Heroit shqiptar, ishte një dëshirë shumëvjeçare e Prof. Dr. Kristo Frashërit, madje një nga amanetet e tij të përsëritura deri në orët e fundit të tij » (f.15), shkruan në fjalën hyrëse, Gjergj Frashëri, i biri i historianit, inxhinier, Doktor në arkeologji, që është marrë edhe me gërmime që lidhen me figurën e Skënderbeut, njëkohësisht edhe redaktor shkencor i tekstit.

    *

    Autori e ka konceptuar librin mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, i mbështetur mbi burimet dokumentare të shekullit XV. Ky është edhe origjinaliteti nistor i tekstit, i shkruar nga një njohës i rrallë i Mesjetës shqiptare dhe europiane. « Shqipërisë dhe shqiptarëve […] u duhet Skënderbeu përmes dokumentesh […] », – theksonte autori sa herë që binte fjala për figurën e Gjergj Kastriotitit. Dokumente historike, kronika dhe letra të zbuluara dhe të përkthyera në shqip nga ai dhe nga historianë të tjerë shqiptarë, e që janë me mijëra në tërësinë e tyre, përbëjnë një thesar të vërtetë për historiografinë shqiptare. Mes dokumenteve,  fragmente nga Memoranda e fisnikut shqiptar Gjon Muzaka, ku flitet për Skënderbeun dhe familjen e tij, janë sjellë të plota. Ndërmjet të tjerash Hahn-i e ka quajtur « Perla e dokumentacionit historik shqiptar”. Edhe Komentari ose Tregimi i Dhimitër Frangu-t, i cili ka qenë disa vjet arkëtar i Skënderbeut, është sjellë i përkthyer.

    Ideja konkrete e punës që lidhej me figurën e Skënderbeut, e ushqeu historianin me energji për ta kryer dhe përkryer veprën e tij të jetës, krahas veprave të shumta historike për figura dhe ngjarje historike shqiptare. Me punën e tij të palodhur e të përkushtuar, ai u shndërrua në një nga historianët më të mëdhenj të Shqipërisë, në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe fillimet e shekullit XXI.

    Sot është e mundur që dokumentet të njihen të botuara në një serial bibliografik së bashku me vëllimin I, që do të thotë një punë titanike e autorit dhe pastaj e Fondacionit « Frashëri » që i përgatiti për botim sipas udhëzimeve të tij të fundme, sepse Kristo Frashërin e pengoi pakësimi i ndjeshëm i shikimit në fund të jetës. 

    *

    Fillimisht Historia e Skënderbeut e Kristo Frashërit u botua në vitin 2002. Mbetën pa u botuar nëntë vëllime me dokumente për arsye fondesh. Më  2005, me rastin e 600 vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit u botua vetëm një vëllim me dokumente. Botimi i vitit 2019 është një botim i plotë i veprës, me të gjitha prurjet e reja, por që autori nuk arriti ta shihte. Në të vërtetë ai ka nisur një monografi simbolike për Skënderbeun, qysh kur ishte nxënës në gjimnazin e Tiranës, në vitet 1935-1936 me dëshirën për t’i treguar mësuesit të historisë se dëshironte « të bëhej historian i Shqipërisë në të ardhmen ». Faksimile të saj, faqja e parë dhe pasqyra e lëndës janë sjellë edhe në këtë libër madhor (f.19, 20, 21, 22).

    Kristo Frashëri u paraqit shumë shpejt para lexuesit shqiptar, në vitet ’50, me analiza, si : Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1958), në revistën Shqipëria sot, që dilte edhe frëngjisht, anglisht dhe rusisht ; Lufta e madhe shqiptare-turke në shek. XV dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Historia e Shqipërisë, vëll. I, botim i Universitetit të Tiranës (1959) ; Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqiptarëve, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,që dilte edhefrëngjisht, anglisht, rusisht dhe esperanto (1962) ; si dhe shumë artikuj e studime për figurën e Skënderbeut, botuar në organe të ndryshme dhe që janë përfshirë në tre vëllime me titull Studime për epokën e Skënderbeut, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (një shënim më i hollësishëm gjendet në f. 42 dhe në f. 746, 747 të këtij libri, ku jepet Bibliografia).

    *

    Në parathënie, përveç idesë për të dhënë një Gjergj Kastrioti më të besueshëm, autori ndalet në disa vepra monografike kushtuar Skënderbeut, analizon anët e mira dhe ndonjë dobësi që lidhet edhe me fazën e deriatëhershme të studimeve. « […] për ta shpëtuar Heroin dhe luftën epike të shek.15 nga kritikat që u bëheshin Barletit si panegjerik dhe Biemmi-t si falsifikator, më lindi pyetja, nëse mund të trajtohej një histori e Skënderbeut dhe e epopesë së shek, 15 duke u mbështetur vetëm në burimet dokumentare bashkëkohore […] (f.42).

    Një risi konceptuale është edhe pohimi : « Burimet dokumentare sollën edhe një rezultat tjetër. Ato e nxitën autorin e kësaj monografie të dalë nga korniza e derisotme e historiografisë skënderbegiane, e cila e ka trajtuar Heroin kryesisht si udhëheqës i luftës çlirimtare. Ato i dhanë mundësi atij ta zgjerojë gamën e tematikës studimore : ta trajtojë atë edhe si nismëtarin e shtetit kombëtar shqiptar, pikërisht në kohën kur në kontinentin europian fillonte procesi i formimit të shteteve kombëtare » (f.45).

    Autori i kushton gjithashtu një vëmendje të domosdoshme disa qëndrimeve kritike të skajshme për figurën e Skënderbeut. Ai zhvillon edhe një polemikë të fortë me O. J. Schmitt, autor zviceran i një punimi monografik për Skënderbeun, botuar së pari i përkthyer shqip më 2008. Punimi i O. J. Schmitt-it, thotë autori « është në vazhdën e atyre veprave që nuk merren me analiza të vërteta shkencore, por ecin në rrugë që janë kundër të vërtetës historike ». Autori i hedh poshtë me argumente të dokumentuara disa ide dhe karakteristika për Skëndebeun në punimin e Schmitt-it, të bëra me qëllim njollosjen e figurës së Heroit, siç edhe ka ndodhur te ne me njollosjen e shumë figurave të tjera, vetëm e vetëm se janë vlerësuar në kohën e monizmit

    *

    Një histori e bazuar në dokumente, është një trajtim që i shmang klishetë dhe hamendësimet.Burimet dokumentare përbëhen nga akte shqiptare dhe të huaja, perëndimore dhe lindore, të zbuluara në arkivat e « Venedikut, Raguzës, Romës, Napolit, Milanos, Barcelonës, Parisit, Ankarasë dhe Stambollit ». Aktet « zyrtare » plotësohen me « kronika osmane, bizantine dhe italiane të shekullit XV si dhe me shkrime e letërkëmbime të disa personaliteteve », që janë përgjithësisht « bashkëkohëtarë » të Heroit.

    Vepra nisme përpjekjet e para mbrojtëse të Shqiptarëve nën udhëheqjen e disa princëve të shquar në shekullin XV, me përshkrimin e kontekstit « parahistorik » të veprës së Skënderbeut « Zot i shqiptarëve », siç edhe do të cilësohet edhe në shumë letra të kancelarive të Europës. Kronistët osmanë i jepnin aktet çnjerëzore të djegieve e vrasjeve me bindjen se ato ndëshkonin armiqtë e fesë islame e u dhuronin ushtarëve të sulltanit « hyrjen » në parajsë. Autori sjell një fragment të zgjeruar nga kronika e Bitlisit për fushatën osmane kundër viseve shqiptare më 1432 : « Me të shkelur në vendin e lartpërmendur, luftëtarëve iu dha leja për të grabitur e plaçkitur. Këdo që gjetën nga të pafetë kryengritës, ata e vranë pa mëshirë, ndërsa fëmijët dhe gratë i morën robër. » Pastaj ai shton : « Komandantët e luftëtarëve u ndalën aty në viset e Gjergj Arianitit (K.F.), aq sa të mëdhenjtë dhe të vegjëlit e ushtrisë islame u pasuruan me një plaçkë të pallogaritshme dhe u gostitën me pasurira, të cilat ata i kishin hallall. Ata zunë aq djem dhe vajza saqë çdo djalë me shtat të argjendtë dhe çdo vajzë me fytyrë si hëna, u shit deri katër ose pesëqind akçe » (f. 166, 167).

    Teksti duke hedhur dritë mbi historinë shqiptare në Ballkan, bën analizën dhe sintezën e disa ngjarjeve që i paraprinë ardhjes së Skënderbeut. Aktorë të kësaj periudhe janë disa princër shqiptarë midis të cilëve shquhet Gjergj Arianiti, vjehrri i ardhshëm i Skënderbeut dhe Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut.

    Gjergj Kastrioti, princ dhe zot i Shqiptarëve

    Më 28 nëntor 1443, në qytetin mesjetar të Krujës, Gjergj Kastrioti ngriti flamurn e kuq me shkabën dykrenore. Skënderbeu i Kristo Frashërit është njerëzor, strateg dhe prijës, i vetëdijshëm për detyrën që ka marrë përsipër si çlirimtar. Nuk është e rastësishme që në fjalimin e tij të parë sipas dëshmive që pati mbledhur Marin Barleti, ai ka theksur fjalën liri, sepse ishte ajo që u mungonte më shumë Shqiptarëve. Dokumente të ndryshme e quajnë « kampion i lirisë ». Autori citon Barletin kur Skënderbeu thotë : « Lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj dhe me një çlirimtar tjetër, se Shqipërisë nuk i mungojnë burrat … Lirinë nuk ua solla unë, po e gjeta këtu në mes tuaj …armët nuk ua ngjesha unë, po ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë dhe në ushtat … » (f. 206). Ky moment nuk haset në burimet dokumentare të deritashme, sqaron autori, por ai vërtetohet relativisht nga ngjarjet që pasuan më tej. Një dokument arkivor shumë i rëndësishëm dëshmon se në pragun e kryengritjes çlirimtare, Skënderbeu ishte qeveritar në Dibër : « Konkluzioni i përgjithshëm që del nga rreshtimi, nga ballafaqimi dhe nga komentimi këtyre njoftimeve arkivore e kronikale është me pak fjalë ky : kthesa e madhe që ndodhi në Shqipëri në vitin 1443 nuk e nxori në mënyrë të befasishme Skëndebeun në skenën historike (f.195). Skënderbeu u interesua për gjithçka që kishte të bënte me luftën mbrojtëse, në mënyrë që të maste forcat edhe ai si udhëheqës, por edhe bashkëvendasit si ushtarë « para se t’i përvisheshin epopesë legjendare njëçerekshekullore » (f. 195).

    Gjergji Kastrioti u bë flamurtar. Autoriteti i tij si udhëheqës u rrit. Kruja tashmë e mbrapa do të simbolizonte fillimin e një epoke të re në tokat shqiptare. Mënyra e Shqiptarëve për ta konceptuar lirinë tashmë kishte ndryshuar.

    Përpjekjet për themelimin e një shteti

    Ngritja e flamurit në Krujë bëri dallimin e qartë midis Skënderbeut dhe pushtuesit. Pas tij erdhi akti i dytë i mirëmenduar : Kuvendi, i cili u mblodh në Lezhë më 2 mars 1444 me idenë e madhe : bashkimi në luftë kundër pushtuesve. Ky ishte një model i ri i luftës çlirimtare me Shqiptarë të bashkuar për të përballuar pushtimin osman.  « Në Lissosin antik, sipas medievistit K. Jireçek ku « në shtratin e kulturës ilire takohej Lindja helenistike me Perëndimin romak […] erdhën delegatë nga të katër anët e Atdheut » (f. 209). Midin princëve : Gjergj Arianiti, Pal Dukagjini, Andrea Topia, Lekë Dushmani, Teodor Korona dhe Pjetër Spani, Lekë Zaharia dhe Stres Balsha, ku duket edhe ideja unifikuese, « shkëlqente personaliteti i Skënderbeut, ‘zot i Dibrës dhe i Matit (dominus Dibra et Mati) (f. 210). Skënderbeu u zgjodh kryekomandant.

    Dy vendime ishin nga më të rëndësishmet në Kuvend : « heqja dorë nga partikularizmat » dhe Besa për të luftuar në një ushtri të përbashkët. Autori ka ditur ta theksojë këtë nëpërmjet analizës së tij duke lexuar gjithnjë të padukshmen mes rreshtave të dokumenteve historike. « Lidhja Shqiptare kishte karakterin e një aleance politike e ushtarake të krijuar për nevojat e luftës kundër pushtuesve osmanë, por secili pjesëmarrës e ruante autonominë e vet. Skënderbeu, si kryetar, ishte në këtë kohë një « i parë midis të barabartëve » (primus inter pares) (f. 211).

     Gjergj Kastrioti është prijës dhe luftëtar që u përpoq t’i bashkonte shqiptarët në luftë çlirimtare e të hidhte themelet e një shteti shqiptar. Edhe më parë ka pasur përpjekje të tilla. Autori e ka trajtuar te libri Principata e Arbërisë : 1190-1215, por koha e Skënderbeut po përballet me një perandori të madhe. Betejat fitimtare të Gjergj Kastriotit në krye të Shqiptarëve si dhe ato të Janosh Huniadit në krye të Hungarezëve treguan se mund t’i bëhej ballë rrezikut. Miqësia hungarezo-shqiptare ëshë farkëtuar që « në nëntor 1443 dhe vazhdoi deri në vdekjen e kapitenit të lavdishëm hungarez më 1456 ».

    Një organizim i ri, në një kohë të re

    Skënderbeu i dha përparësi luftës mbrojtëse dhe prandaj titulli që i jepnin atij nëpër dokumente si mbret i Shqiptarëve apo zot i Shqiptarëve shpreh edhe mbështetjen morale për luftën e tij. Autori e quan Skënderbeun Shqiptari i Madh, Komandant i lavdishëm, Kapiten i Shqiptarëve, Kryekapedan, Kryekomandant etj. Kujtesa kolektive në shekullin XV u farkëtua me fitoret e mëdha të luftës çlirimtare kundër pushtuesve osmanë. Ideja e fitores ngrihej mbi dështimet e përkohshme dhe humbjet që sjell lufta, pohon autori.

    Betejën e parë të Skënderbeut për të cilën nuk është zbuluar ende ndonjë dokument, autori e analizon sipas të dhënave që japin dy biografët kryesorë të Skënderbeut, ashtu si deklaron në parathënie se në mungesë të dokumenteve për ngjarje të caktuara, do t’u drejtohet atyre. Ai korrigjon pasaktësitë e përshkrimit, sepse asnjëri prej tyre nuk e njeh vendin e betejës, por mendon se edhe fjala Torvioll që ka hyrë kështu në histori, është e deformuar dhe se ka mundësi që të ketë qenë Tevioll, vend pa zot, sipas kuptimit të moçëm dibran. Ai shkruan : « Beteja e Torviollit çeli vargun e gjatë të betejave shqiptaro-osmane, të cilat i udhëhoqi Skënderbeu për gati një çerek shekulli me radhë (1444 -1467), (f.215).

    Autori i analizon situatat nga këndvështrimi historik : « Fitoret ushtarake që u korrën kundër osmanëve, forcuan pozitat politike jo vetëm të Skënderbeut, por edhe të bujarëve shqiptarë, tashmë të pavarur në zotërimet e tyre feudale. Por gjendja e përgjithshme politike nuk u përgjigjej fitoreve dhe sakrificave që kishin bërë shqiptarët » (f.218).

    Në dokumente të ndryshme, sidomos në letrat që i dërgohen, Skënderbeu vishet me epitete të larta si : sinjoria e « shkëlqyeshme » u lidh me të « madhërishmin » Skënderbe, etj. Lexuesi që përballet me përshkrimin e betejave nëpër kronika, stepet, ngazëllehet, mahnitet, apo trishtohet. Bie fjala, për betejën e Sfetigradit Kalkokondili shkruan « Sulltani lëshoi ushtrinë, e cila kudo që shkoi digjte fshatrat dhe arat (f. 234). Autori sjell në tekst një dëshmi dokumentare të rrallë të një kronistit osman, i cili shkruan se « sulltani grabiti vilajetin e Shqiptarëve, kishat u shembën dhe atyre iu vu zjarri ». Në Kronikat Anonime Osmane jepet një hollësi tjetër : « se ato u shkatërruan si kisha dhe u bënë mesxhide (xhami pa minare) ».

    Arsyeja kryesore strategjike e sulmeve osmane ishte : të mposhtej qëndresa shqiptare për të kaluar pastaj lehtësisht në Europë. Me një vështrim të distancuar, autori zbulon figurën e Skënderbeut që printe ndër beteja, por që përballonte edhe dëmet që sillte lufta dhe përçarja mes princëve. « Përparimi osman në Ballkan, si një rrezik për të gjitha vendet e Gadishullit, nuk ndikoi aspak në zbutjen e përçarjes feudale » (f. 87).

    Për fitoren në Rrethimin e Parë të Krujës, përveç dokumenteve të ndryshme, autori përdor një relacion të humanistit shqiptar, Gjon Gazulli, por edhe një letër të vetë Skënderbeut që u ka dërguar fisnikëve të Sienës, por ka mundësi – pohon ai më poshtë – që kjo letër t’u jetë dërguar edhe kancelarive të tjera, sepse pasi flitet për mbrojtjen e Krujës që ka kërkuar mjaft sakrifica, shtrohet edhe kërkesa për ndihma financiare. Letra është shkruar në italishten mesjetare më 8 gusht 1451. Autori jep faksimilen e letrës dhe përkthimin.

    Karakteri i Shqiptarëve dhe i Skënderbeut

    Një kronist osman me origjinë kurde (shek.15) shkruan : « […] meqenëse shqiptarët në pjesën më të madhe banojnë në vise malore, janë mbrujtur me një karakter të ashpër dhe të fortë, kështu që nuk i përkulen askujt, në çfarëdo rrethane qofshin » (f.242).  Ndërsa Kritobuli, « osmanofil » e cilëson autori, duke folur për Rrethimin e Dytë të Krujës, shkruan : « Ilirët (siçi quan ai shqiptarët- K. F.) banojnë që prej kohëve të lashta në male shumë të larta dhe kanë kështjella shumë të fuqishme, të cilat mund të pushtohen me vështirësi, në brendësi të vendit dhe në bregdet, si dhe në vende me gremina që kalohen me shumë zor » (f. 242). Dihet që sulltani fillimisht provoi ta merrte kështjellën pa luftë ; ai i propozoi kont Uranit një shumë të madhe dukatësh ari, por ky nuk pranoi. Pastaj filloi sulmi me furi. Në një fragment kronike lexojmë : « Nga zjarri i kalorësisë së shpejtë si përroi malor dhe nga gjaku i armiqve që u derdh prej shpatave të mprehta … gurët morën ngjyrën e rubinëve » (f.247).

    Sipas dokumenteve Heroi del si diplomat, mbrojtës i qytetërimit europian dhe qytetari vërtetë. Autori tregon sesi donte ta shpëtonte ai Krujën : me akte dipomatike për ta pushuar luftën, por edhe me ndihma për të vijuar luftën, kur nuk kishte rrugë tjetër. Skënderbeu vigjilonte gjithnjë me disa qindra luftëtarë, jashtë Krujës, në malin që mori emrin e tij për ta goditur armikun në befasi. Kruja ndenji disa muaj e rrethuar, por nuk u dorëzua.

    Një letër nga Raguza i vë në dukje Skënderbeut shumë cilësi si « madhështinë e pabesueshme të shpirtit tuaj dhe burrërinë e shkëlqyer ». Autori veçon edhe fragmentin e fundit : « Qofshi pasqyrë e shembull për të gjithë princat e të krishterëve dhe për mbarë kombet dhe emri juaj do të kurorëzohet prej famës së amëshuar » (speculum et exemplum sitis cunctis christianorum …), (f.255, 256).

    Miqësia me Alfonsin V u forcua gjatë kohës së armëpushimit me sulltanin. Më 26 mars 1451 u lidh traktati midis Gjergj Kastriotit dhe mbretit të Napolit. Dy ambasadorë të Skënderbeut, ishin një peshkop i ritit lindor dhe një misionar perëndimor. Traktati i Gaetës, gjithashtu është dëshmi e politikës së hapur dhe të mençur të Skënderbeut. Ekspeditat turke më 1452 në prill dhe korrik u thyen. Po ashtu, u thye beteja e papritur e 22 prillit 1453, kur Skënderbeu donte të rimerte Sfetigradin. Beteja qe e përgjakshme në fushën e Pollogut mdis Gostivarit dhe Tetovës. 

    Papa Nikolla V i dha rëndësi marrëdhënieve me Shqipërinë. Porosia e tij ishte që « t’i jepni birit të dashur, burrit fisnik Gjergj Kastriotit, zot në Shqipëri, përkrahje dhe ndihmë kundër turqve ».

    Por ndihmat qenë të pakta dhe Besëlidhja e Lezhës, nuk i qëndroi kohës. Çarja e parë ishte largimi i disa feudalëve. Gjon Gazulli, i cili kishte hyrë në shërbim të Skënderbeut qysh herët, « nuk ngurroi » ta njoftonte atin e shenjtë se « disa aleatë të Skënderbeut, shkuan aq larg, sa u bashkuan me sulltanin » (f.258, 259). Por Skënderbeu mobilizon ushtarë me nismën e vet, të cilët bëhen « shumë shpejt forca ushtarake më e rëndësishme e vendit » (f. 260, 261).

    Autori thekson rëndësinë e fitores diplomatike të Pal Engjëlli, prift humanist dhe diplomat, i cili shmangu armiqësimin e mëtejshëm të Venedikut me Skënderbeun ; ai i shërbeu denjësisht « kryekapedanit shqiptar », si amabasador dhe këshilltar.  « Politika e jashtme që ndoqi Skënderbeu, që në fillim e deri në fund të sundimit të tij njëçerekshekullor, iu nënshtrua kryekëput nevojave të mbrojtjes së lirisë së vendit dhe çlirimit të plotë të Shqipërisë nga pushtuesit osmanë » (f. 403).

    Duke sjellë dokumente për fushatat ushtrake osmane, autori komenton betejat e ndryshme të Skënderbeut. Njëra prej tyre është edhe ajo kur Hamza Kastrioti, nipi i tij, pasi e ka tradhtuar Skënderbeun, vjen si pushtues. Gjergji përdori një taktikë të re që nuk e njihte Hamzai, e cili kishte luftuar në krah të Skënderbeut. Ai, i la turqit të afroheshin, sikur kishte hequr dorë dhe pastaj i rrethoi. Luftëtarët shqiptarë që ranë për liri, u varrosën në Katedralen e fshatit Shumri. Varret u zbuluan nga Gjergj Frashëri gjatë ekspeditës që ndërmori Instituti i monumenteve të kulturës më 1986, njofton autori. Barleti e quan beteja e Albulenës (e Ujëbardhës).  « […] në Krujë Shqiptarët rezistuan në sajë të mureve, në Ujëbardhë Shqiptarët fituan në sajë të krahut dhe të mençurisë së Skënderbeut » si dhe të trimërisë së ushtarëve shqiptarë, shkruan autori. Hamza Kastrioti u kap i gjallë dhe u dërgua në Itali, madje ambasadori dorëzoi edhe 12 ushtarë turq së bashku me kuajt e tyre të zënë rob në Ujëbardhë.  Fitorja e Ujëbardhës « hapi kapitullin e tretë, jo të tragjedisë, siç e quan Fallmerayer, por të epopesë skënderbegiane » (f. 470). Dy muaj më pas, Kalisti III e emëroi Skënderbeun « Kapiten të Përgjithshëm të Selisë së Shenjtë » në luftën kundër osmanëve. 

    Portreti fizik dhe shpirtëror i Skënderbeut

    Skënderbeu sipas përshkrimeve nëpër dokumente shfaqet shtatlartë, i hijshëm, i fuqishëm. Njihen tashmë përshkrimet e Marin Barletit, sipas kujtimeve edhe të ndonjë ish-luftëtari të tij. Historiani dhe shkrimtari italian i shek XVI, Pal Jovi (Paolo Giovio), bisedoi me disa nga pasardhësit e Heroit dhe u takua me një nga nipërit e tij. Ndër të tjera në librin e tij kushtuar Skënderbeut, ai shkruan : « Skënderbeu kur dilte jashtë i armatosur me atë gjallëri të syve (tamquam oculorum alakritate) dhe me atë gojëtari të rrjedhshme (hilari facundia), ai i ndizte aq tepër luftëtarët e vet, sa i bënte ata të mos stepeshin përballë asnjë ndërmarrjeje të rrezikshme, por të luftonin më me egërsi dhe më me përbuzje kundër armiqve mizorë (f. 347). 

    Sigurisht ajo që ia shtonte madhështinë Skënderbeut ishte edhe qëndrimi i matur ndaj atyre që e tradhtuan si : Hamza Kastrioti, Moisi Golemi, Gjon dhe Gjergj Balsha. 

    Një tregues i fuqishëm i personalitetit të tij duket edhe te një letërkëmbim me mbretin Ferdinant : « […] Zoti e ruajtë Madhërinë Tuaj nga e keqja, nga dëmet, nga rreziqet, por çfarëdo që të ndodhë, unë do të jem mik i virtytit dhe jo i fatit » (ma segua qual caso voglia, che io saro amico de la virtu et non dela fortuna), (f.492,493). Edhe në letrën dërguar papës nëpërmjet mikut të tij të « ngushtë » Pal Engjëllit, dalin në pah disa cilësi të çmuara të personalitetit të tij : dinjiteti, ndershmëria dhe qëndrimi i përgjegjshëm para ngjarjeve historike :

    « Shumë i nderuar At dhe Zot në Krishtin.

    Po i drejtohem zotërisë suaj shumë të nderuar që të ketë dijeni për ngjarjet që po ndodhin në këto anë. Turku (sulltani – K.F.) ka bërë përgatitje të mëdha. Thuhet se 14.000 vetë (turq) po marshojnë drejt Danubit ose po përparojnë kundër Shqipërisë […]. 

    Nga Lezha, më 8 të prillit 1456.

    Me besim te ju Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbej, Zot në Shqipëri. 

    Fitoret e Skënderbeut krijuan optimizëm edhe te vetë papa për projektin e një kryqëzate antiosmane, madje ai e lajmëroi vetë Skënderbeun se kryqëzata do të fillonte pranverën e ardhshme, por ajo nuk u realizua. Më 1456 vdiq Janosh Huniadi dhe projekti tjetër, për një bashkim ushtarak ballkanik kundër osmanëve, mbeti në letër.

    Pas analizash dhe sintezash historike libri shndërrohet në himn për heroin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, luftëtar dhe shtetar, prijës betejash dhe diplomat, themelues i pavarësisë së një populli të vogël përballë një ushtrie të madhe. Figura e tij ka frymëzuar prej kohësh vepra të pikturës, skulpturës e gravurës në vende të ndryshme të botës dhe në Shqipëri. Shumica e veprave e paraqesin me një profil të veçantë me sy të gjallë dhe hundë shqiponjë. Këto vihen re edhe në portretin e tij më të hershëm që njihet, i galerisë Ufici (Uffizi) të Firences e që mendohet se është mbështetur në vizatimin e drejtpërdrejtë të piktorit venecian Gentile Belini. Aty heroi është disi i moshuar, me flokë të thinjur, kur ndërmori udhëtimin e tij të fundit në Itali (1466).

    Ndër veprat më të shquara të artit tonë për Skënderbeun janë statujat në kalë : në Krujë, punë e skulptorit Odhise Paskali dhe në Tiranë, punë e skulptorëve Andrea Mano dhe Janaq Paço në bashkëpunim me Odhise Pascalin. Në veprat e Muzeut Historik Kombëtar dhe në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, afresket, shtatoret, grupi skulpturor e pasqyrojnë Skënderbeun ashtu si e farkëtoi koha : luftëtar, udhëheqës popullor dhe burrë shteti. 

    Statuja ekuestre për Skënderbeun ka në disa qytete të Europës dhe autori i ka sjellë fotot e tyre edhe në këtë tekst. Ka fotokopje edhe të ndonjë dokumenti të rrallë me shkrimin e Skënderbeut, foto të hartave, të vulave, etj. 

    Figura e Skënderbeut tërhoqi vëmendjen e historianëve, por edhe atë të shkrimtarëve në Europë. Fama e tij u përhap në sajë të veprës së Marin Barletit. Me dhjetëra janë veprat e tjera historike për Skënderbeun. Edhe francezi Jacques de Lavardin, vepra e të cilit (1576), u ribotua disa herë ndikoi shumë. Madje poeti i Plejadës franceze, Pierre de Ronsard i kushtoi atij një sonet. Kurse poetesha italiane Margerita Sarroki i kushtoi në poemë me titull «Skënderbeida» (Romë 1623).

    Janë të panumërta krijimet e çdo shekulli për Skënderbeun, deri edhe një opera për Skënderbeun nga A. Vivaldi apo poema e gjatë nga Henry W. Longfellow. Edhe Volteri shkruajti : « Nëse perandorët bizantinë do të kishin qenë Skënderbenj, Perandoria e Lindjes do të kishte shpëtuar » (f.630,631).

    Rilindja jonë Kombëtare e ringjalli Skënderbeun. Pastaj erdhi gjysma e dytë e shekulli XX që e ngriti atë në piedestal. « Në ditët tona, emri Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si luftëtar i madh i lirisë, si strateg i shquar ushtarak dhe si mbrojtës i qytetërimit europian, vazhdon të gëzojë si në kohën e vet, stimën e opinionit ndërkombëtar. […] me kalimin e shekujve, figura e Heroit mbetet edhe për brezat e sotëm gjithnjë e pacenuar në olimpin e lavdisë së përjetshme » (f. 631).

    Libri i Kristo Frashërit është një arritje e madhe në historiografinë e një populli që e kanë ndjekur herë pas here mynxyrat e pushtimeve qysh në Antikitet. Si historian ai ka pasur një projekt të madh, që falë edhe mundësive që i dha natyra për të jetuar gjatë, arriti ta kurorëzote. Ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare, monografi dhe libra shkencorë, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë e të Shqiptarëve në Ballkan. Ai ka mbrojtur me argumente të dokumentuara të vërtetat historike rreth disa çështjeve të mprehta shkencore e kombëtare që u shfaqën pas vitit ’90. Në çdo studim Kristo Frashëri është shquar për qëndrim parimor ndaj çdo problemi, për trajtimin e shumanshëm të dukurive historike si dhe për objektivitet shkencor. Kristo Frashëri nuk iu nda punës studimore deri në çastet e fundit të jetës. Librat e tij dallohen për qartësinë e shtjellimit si historian që mbron të vërtetën, nga cilado anë qoftë, për frymën komunikuese me brezat shqiptarë dhe për gjuhën e rrjedhshme e të pastër shqipe.

    Duke pasur sot në duar veprën madhore të Kristo Frashërit kushtuar Heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Jeta dhe Vepra që duhet të jetë edhe libri i parë në bibliotekën e çdo shqiptari, të emocionon fakti që autori i ka jetuar vitet e jetës së tij me figurën e Skënderbeut në mendje dhe në zemër. Ai ka rikrijuar, sipas dokumenteve të zgjedhura gjithë jetën historike të Gjergj Kastriotit, rrethanat, kushtet, dialogun historik mes tij dhe Europës, veprën e tij çlirimtare dhe jehonën e saj, lavdinë e tij të përjetshme.

    Populli ynë duhet të krenohet me historianë të tillë si Kristo Frashëri.

    Statuja e tij duhet të zbukurojë kopshtin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

    Jeta e Kristo Frashërit në disa data

    Kristo Frashëri (Stamboll4 dhjetor 1920 – Tiranë31 janar 2016)

    Në vitin 1927 familja e tij u riatdhesua dhe u vendos në Tiranë. Më 1940 ai mbaroi shkollën e mesme. Më 1942 u internua dhe më 1943 kaloi në rreshtat e Ushtrisë Aantifashiste. Pas çlirimit mbaroi Insitutin e Lartë Pedagogjik dhe pastaj Universitetin e Tiranës. Shumë vjet punoi në Institutin e Historisë si punonjës shkencor dhe petagog në Universitetin e Tiranës. Me studimet për Skënderbeun dhe për Mesjetën shqiptare mori me radhë titujt Doktor, Profesor dhe u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitin 1997 u emërua zv. kryetar i Akademisë.

    Lista e botimeve të tij është tepër e gjatë, por po citojmë disa prej tyre, si: Lidhja e Prizrendit : 1878-1881, (1956) ; Rilindja kombëtare shqiptare  (1962) ; Tre vëllezër pishtarë : Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Sami Frashëri (1978) ; Lidhja Shqiptare e Prizrenit : 1878-1881, (botim i plotësuar, 1979), Abdyl Frashëri, (1984), Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (2002) ; Historia e Tiranës (2004) ; Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri (2006) ; Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV (2005) ; Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek. XV (2005) ; Himara dhe përkatësia etnike e Himarjotëve (2005) ; Identiteti kombëtar shqiptar dhe çështje të tjera (2006); Historiografia shqiptare në tranzicion (2006); Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912 (2008); Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike), (2009) ; Historia e qytetërimit shqiptar (2008) ; Skënderbeu i shpërfytyruar nga një historian zviceran dhe disa analistë shqiptarë (2009) ; E vërteta mbi Shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit (2010) ;  Frashëri : shkëlqimi dhe rrënimi i tij : (vështrim i shkurtër), (2010) ; Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), ribotim (2012), Historia e Dibrës (2012) ; Etnogjeneza e shqiptarëve – Vështrim historik (2013) ; Abdyl Frashëri : jeta, veprimtaria dhe shkrimet (botim i plotësuar, 2013) ; Ahmet Zogu : vështrim historik (2014) ; Jeta e një historiani, (2014) ; Principata e Arbërisë : 1190-1215, (2014) ; Historia e Çamërisë : (vështrim historik), (2015).

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË