More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFeride Papleka: Franz Kafka ose ankthi ekzistencial

    Feride Papleka: Franz Kafka ose ankthi ekzistencial

    Epilog

    Më 1924, në moshën dyzet e njëvjeçare, shuhej në një sanatorium pranë Vjenës, Franz Kafka, i cili, sipas kritikës botërore, është një ndër katër shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX : (Joyce, Proust, Kafka, Borges), krijues i një proze të re moderne, në të cilën përshkroi njeriun e pafat. Pak përpara vdekjes, ai i pati shkruar, mes të tjerash, Max Brod-it, mikut të tij të ngushtë, se duhej « të digjte gjithçka që mbetej nga vepra e tij ». Brod-i nuk iu bind dëshirës së fundme të mikut të vet duke i dhuruar letërsisë veprën e një shkrimtari të rrallë. Dorëshkrimet që shpëtoi dhe botoi Max Brod-i, gjetën jehonë të menjëhershme. Lexuesit panë në veprat e Kafka-s shkrimtarin më pesimist të shekullit, por të kthjellët dhe vegimtar.

    Jeta e tij në disa data

    Franz Kafka lindi në Pragë më 1883 në një familje tregtare hebreje. Gjyshi i tij ishte shpërngulur prej një qyteti të vogël çek gjermanishtfolës që në shekullin XIX dhe qe vendosur në Pragë. Kafka pati edhe dy vëllezër që vdiqën të vegjël dhe tri motra dy prej të cilave, Gabriela dhe Valeria u vranë si çifute më 1942 dhe e treta, Otla përfundoi në Auschwitz dhe vdiq atje në shtator 1943.   

    Ai kalon një fëmijëri thuajse vetmitare. Gjuha e tij amtare është gjermanishtja si për një përqindje të konsiderueshme të popullsisë së Pragës në atë kohë. Edhe pse nuk ka lidhje të forta me nënën e vet, që përjetonte zinë e dy djemve të vdekur, ai e sheh veten të lidhur më tepër me familjen e saj intelektuale, sesa me familjen e të atit, e dhënë pas tregtisë.

    Në vitet 1889 deri më1893 Franz-i ndjek mësimet e para si nxënës i dalluar. Ai merr pjesë bashkë me familjen në ritet fetare. Pas mësimeve të para pranohet në kolegjin shtetëror të Pragës. Më 1901 mbaron kolegjin dhe shfaq interesa për letërsinë (shkrimet e para nuk njihen) dhe për idetë socialiste. Pushimet e shkollës i kalon në fshat te daja i vet, mjek. Pas maturës (1901), në verë, ai viziton dy ishuj gjermanikë në Detin e Veriut. Në vjeshtë fillon studimet në universitet. I nis studimet për kimi, por e ndërron degën dhe regjistrohet për drejtësi duke ndjekur edhe kurset për gjermanistikë dhe histori arti. Bëhet anëtar i një shoqate studentore që organizon veprimtari letrare. Po atë vit ai njihet me poetin Max Brod.

    Karriera

    Më 1906 merr titullin doktor në drejtësi dhe bën një vit stazh në gjykatën e Pragës. Në nëntor 1907, hyn në punë në një kompani sigurimesh tregtare, por pas disa muajsh jep dorëheqjen, sepse orët e gjata në punë e pengojnë t’i përkushtohet letërsisë. Sidoqoftë, ai është i detyruar të gjejë një vend pune në një kompani tjetër sigurimesh nga aksidentet.  Më 1909 boton esetë e para në prozë në revistën Hyperion. Puna burokratike e rëndonte, sepse ekzistenca e tij ishte gjetiu, e gjitha e përqendruar te pasioni i tij : të shkruarit. Kafka e klasifikon punën që bën si një punë « për të fituar bukën e gojës ». Në shtator 1909 ai udhëton për në Itali me dy vëllezërit Brod që të marrë pjesë në takimin e parë ndërkombëtar të fluturimeve ajrore. Për herë të parë ai sheh avion dhe shkruan një reportazh që botohet në një variant të shkurtuar në revistën Bohemia.

    Në vitet 1909 dhe 1912 njihet me rrethet anarkiste të Pragës. Mendime anarkiste shihen edhe në disa vepra të tij të kësaj kohe si Kolonia ndëshkimore dhe Procesi. Biografët e tij i përshkruajnë marrëdhëniet me të atin të vështira, sepse ai e mendon të birin si vazhdues të ndërmarrjes së tij tregtare. Për pasionin e të shkruarit Kafka sakrifikoi tërë kohën e tij të lirë. Kështu ai i prishi dy herë fejesat, fillimisht me Felice Bauer, me të cilën ka njëkorrespondencë të pasur, pastajme Julie Wohruzek dhe u jep fund marrëdhënieve me Milena Jesenska-Pollak (përkthyesja çeke e veprave të tij) shkrimtare anarkiste, të cilës i shkruante çekisht. Në një nga letrat drejtuar Milenës (Letra Milenës, botuar nga Arka e Noes) ai i shkruan: “Thika që unë e kthej kundër vetes, ajo quhet dashuri”. Miqtë e tij të ngushtë janë Max Brod, shkrimtar, një filozof dhe një pianist. Ai punoi deri në pensionin e parakohshëm më 1922, kur iu shfaqën haptaz shenjat e tuberkulozit.

    Më 1923 Kafka shkon disa kohë në Berlin duke shpresuar se do të përqendrohej më shumë në punën krijuese. Në këtë kohë ai njihet me Dora Diamant, një mësuese çifute poloneze me besim ortodoks. Dora ushtron një ndikim pozitiv në interesat e tij, miqësia me të e bind se ai mund të bëjë një jetë bashkëshortore që e quante të pamundur. Ata mendojnë që së bashku të emigrojnë në Palestinë. Ai nisi të mësonte edhe hebraisht. Atij i bie në sy se gjermanët dhe hebrenjtë e urrejnë njëri-tjetrin. Kafka bëhet mbrojtës i një humanizmi liberal.   

    Shëndeti

    Qysh më 1917 Kafka fillon të pështyjë gjak. Kjo gjë ka ndikuar shumë edhe në prishjen e fejesave. Por, veç kësaj, ai e sheh të shkruarit si pengesë për një jetë familjare « normale ».  Ai ka shenja hipokondrie, vuan edhe nga depresioni klinik dhe fobia sociale, siç mendohet sot. Ka edhe shenja që lidhen me stresin si : migrenë, pagjumësi etj. Duke mos i besuar shumë mjekësisë shkencore, ai përdor më tepër barna popullore.

    Edhe pse gjendja e Kafka-s u përmirësua pas vajtjes në Berlin, ai ka humor pozitiv dhe shkruan shumë, inflacioni i dimrit 1923-1924 qe i kobshëm për shëndetin e tij të paqëndrueshëm. Ushqimet bëhen të rralla dhe duhet t’i porosisë në Pragë, për më tepër shtëpia e pangrohur mirë, ndikon keq në gjendjen e tij shëndetësore.  Kur e viziton miku i tij Max Brod në mars 1924, Kafka është rënduar aq shumë, sa ai e merr me vete në Pragë. Në prill i diagnostikojnë tuberkuloz edhe në laring. Kuptohet që Kafka është i dënuar me vdekje, sepse në atë kohë nuk ishin zbuluar ende barnat që shërojnë tuberkulozin dhe që ai ushqehet përditë e më vështirë nga sëmundja e grykës. Kjo situatë duket në shumë fragmente të novelës Artisti i urisë.

    Veprat më të njohura të tij siç janë novelat Metamorfoza dhe Kolonia ndëshkimore, si dhe romanet Procesi, Kështjella dhe Amerika, kanë rrëfime të ankthshme dhe distopike, në të cilat protagonistët përjetojnë ftohtësinë e një bote që i mungon ndjenja e dhembshurisë, e cila çon në vetmi.

    Komentar

    Kafka është shkrimtar çek, i cili e shkroi veprën e tij gjermaniht. Me një trashëgimi kulturore të trefishtë : i dalë nga borgjezia tregtare, çifute e gjermanizuar, duke jetuar në gjirin e një popullate çeke nën perandorinë austro-hungareze, ai u ushqye nga kjo traditë kulturore me tri burime ; nga tradita çifute,  «fantomë e judaizmit», siç e quan ai, në të cilën edhe u rrit ; ai hodhi poshtë traditat e ngurta, por duke filluar nga viti 1910, zbuloi letërsinë yiddish, Biblën, tekstet hasidike dhe gjuhën hebraike, gjithë duke dëshmuar edhe një lloj interesi për lëvizjen sioniste, në të cilën e tërhiqte ideali i bashkësisë. Përsa i përket trashëgimisë sllave ai lexoi autorë rusë (sidomos Dostojevskin), mësoi për teoritë socialiste dhe anarkiste si ato të Hercenit dhe Kropotkinit, mori pjesë në rrethet e avant-gardës çeke. Dhe së fundi ai i bëri studimet në gjermanisht, duke përvetësuar trashëgiminë kulturore gjermanike. Megjithëse ishte e pasur, kjo situatë qe për Kafka-n shumë turbulluese, se e thelloi ndjesinë e ndryshimit dhe thuajse e bëri të pamundur integrimin e tij në rrethet kulturore të Pragës.

    Pasioni i të shkruarit

    Franz Kafka nxënës, para vitit 1900.

    Si shkrimtar Kafka ishte shumë dyshues dhe kërkues ndaj asaj që shkruante. Shumica e dorëshkrimeve të tij janë të papërfunduara ose të ndërprera. Por ekzistenca e Kafka-s kërcënohej nga një pasiguri më zanafillore e më e thellë : ky njeri i  brishtë, që vuante nga dhimbjet e kokës dhe pagjumësia, shumë më herët se të prekej nga tuberkulozi, kjo qenie që nuk mund të lirohej krejtësisht nga tutoria atërore dhe imazhi i saj (Letër babait, u shkrua më 1919, por që nuk u dërgua kurrë), u përpoq dëshpërimisht të luftonte kundër gjithçkaje që mund ta detyronte të ishte i ndërvarur, ta skllavëronte, por që e pagoi me çmimin e një vetmie që u bë pak nga pak e plotë dhe një thyerje gjithnjë e më e madhe mes unit të tij të brendshëm dhe botës së pazbërthyeshme, thuajse armiqësore të jashtme.

    Ankthi ekzistencial

    Ditari i Kafka-s dhe korrespondenca e shumtë kanë një rëndësi vendimtare për të kuptuar kundërshtitë e tij, ankthin dhe vetë veprën. Me një gjuhë të përkorë dhe të përpiktë në romane dhe tregime, me humor syrrealist ai përpiqet të ndriçojë jetën e përditshme duke e futur lexuesin në një univers ireal, i cili të shkakton një përshtypje të ankthshme për jetën. « Fantastika » e tij absurde dhe mizore e bën thuajse të padurueshme përvojën e dallimit midis njeriut dhe botës, të ndërgjegjes së mbërthyer në një trup « të huaj » (tema e metamorfozës », Ardian Klosi e shqipëron shndërrimi, por jo të gjitha termat e huaja mund të zëvendësohen), të fajshëm, pa ndonjë motiv të dukshëm, përballë labirintit të një bote të papërkryrer. Lexues të ndryshëm kanë gjetur te Ditari i shkrimtarit njeriun e vërtetë, dhe kjo gjë i ka nxitur drejt veprës së tij me tipa të veçantë që mund të vihen krahas karaktereve të paharrueshëm të veprës së autorëve të mëdhenj të letërsisë botërore. Jozef K. ka diçka nga secili prej nesh, nga jeta jonë e përditshme që na përplas ndonjëherë me një burokraci të llahtarshme.

    Vepra

    Vepra e Kafka-s pak e njohur në gjallje të tij, e mohuar nën regjimin nazist, u zbulua në pjesën më të madhe të saj për Europën dhe botën pas Luftës së Dytë botërore. Ajo përmban romane, tregime dhe novela : Përshkrimi i një beteje (1906), botuar pjesërisht më 1909 ; Përgatitjet e dasmës në fshat (1908) ; Soditje (1908), Metamorfoza (1912),  botuar më 1915  ; Vendimi (1912), botuar më 1916 ; Kolonia e riedukimit (1914), 1919, Një mjek fshati (1916), 1920 ;  Hidhërimi i parë (1921) ; Kampioni i urisë (1922) ; Një grua e vogël (1923) ; Strofka (1923) ; Jozefina, këngëtarja (1924) ; Muri i  Madh kinez, (1919) botuar më 1930, dhe tri romane :  Procesi (1914), 1925 ; Kështjella (1922), 1926 ; Amerika (1911-1914), botuar më 1927, etj..  Pastaj janë botuar dhe ribotuar disa vepra, si dhe Artikuj, Jetëshkrime, Ditare, Letra, Biseda, Diskutime

    Kafka mbahet si njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX, i njohur veçanërisht prej romaneve Procesi, Amerika dhe Kështjella si dhe prej novelave Metamorfoza dhe Kolonia ndëshkimore. Vepra e tij krijon një atmosferë makthi e frike, në të cilën burokracia dhe vetë shoqëria ushtrojnë shtypje te individi. Hendrik Marsman, shkrimtar hollandez në librin Prozë kritike e përshkruan këtë atmosferë si një « objektësi jashtëzakonisht e çuditshme… » (f. 85). Personazhet e Kafka-s janë simbole të njeriut të shkulur nga identiteti në kohët moderne. Disa mendonjë, megjithatë, që ajo është një përpjekje në luftën e dukshme me « forcat e epërme » për ta lënë njeriun që të bëjë zgjedhjen e vet duke qenë vetë i përgjegjshëm për këtë.

    I thirrur më 1978 në serinë e emisioneve të radios France-kulturë, « Një njeri, një qytet : Kafka në Pragë », Milan Kundera nuk e pranon idenë se Kafka e ka parandier shtetin totalitar. Ai bën një shpjegim më pak të mistershëm dhe thotë se Kafka nuk është parashikues i të ardhmes, por një vëzhgues i kthjellët dhe i mprehtë i realitetit të tij dhe i shoqërisë në të cilën jeton. Për Kunderën ai ka një lloj të shkruari me përmasa universale. Vepra e tij me elemente realistë që përzihen me fantastiken, është një vepër e mrekullueshme që i shpëtoi « humbjes ».

    Mjeshtëria e shkrimtarit

    Kafka e quan të shkruarit si një domosdoshmëri të brendshme. Për atë është një « veprimtari e tmerrshme », e cila kërkon « një hapje tërësore të trupit dhe shpirtit ». Në një letër dërguar një miku të tij, ai shkruan : « Një libër duhet të jetë sëpata që çan akullin brenda nesh ». Disa rreshta më poshtë ai vazhdon : « Nëse libri që lexojmë nuk na zgjon me një grusht në kokë, përse duhet ta lexojmë ? ». Kafka thotë se duhet shkruar « sikur gjendesh në një tunel të errët, pa e ditur ende si do të sillen personazhet ». 

    Vizatimet e Franz Kafkës

    Botimet

    Gjatë jetës Kafka botoi vetëm disa tregime të shkurtra, midis tyre edhe novelat Metamorfoza dhe Kolonia ndëshkimore. Romanet e shquara :  Procesi, Kështjella dhe Amerika janë botuar postume nga shoku i tij Max Brod. Në letrën që i la disa kohë para se të vdiste, ndër të tjera, ai i shkruan : « Ja, Max i dashur, lutja ime e fundit : gjithçka që mund të gjendet pas vdekjes sime (domethënë, në bibliotekën time, në dollap, në sirtar, në shtëpi, në tryezën e punës dhe në çfarëdo vendi qoftë, çdo gjë që lë, fletore, letra personale apo jo personale, etj.,) duhet të digjet pa kufizim dhe pa u lexuar. Gjithashtu duhet të digjen edhe të gjitha shkrimet apo shënimet e mia që ke ti, apo edhe të tjerë dhe që ti do t’i kërkosh. Nëse ka letra që nuk duan t’i kthejnë, së paku duhet t’i djegin. Yti me gjithë zemër, Franz Kafka ».

    Dorëshkrim nga ‘Letër babait’, Franz Kafka.

    Brodi, i përballur me dysinë etike : të respektonte dëshirat e fundme të mikut të vet, apo të ruante trashëgiminë e tij letrare për brezat e ardhshëm, vendosi për këtë alternativë të fundit duke ia kushtuar jetën botimit të veprës së tij, postume. Vendimi i tij ishte fat për letërsinë botërore. Kështu më 1925 ai botoi romanin Procesi, librin më domethënës të tij, më 1926 dhe 1927 dy romante e tjera :  Kështjella dhe Amerika. Pastaj të tjerat çdo vit.

    Lidhur me dorëshkrimet e Kafka-s që Brod-i nuk i kishte shtënë në dorë para luftës, ishte Gestapo-ja që i kënaqi dëshirat e fundme të Kafka-s. Sipas kujtimeve të Dora Diamant-it, shkrimtari edhe vetë, kur ishte në Berlin dogji disa dorëshkrime, midis të cilave edhe një pjesë teatrale.

    Max Brod-i i botoi romanet e mëdha të Kafka-s, por çfarë kishte tjetër nga dorëshkrimet që nuk arriti t’i botonte para fillimit të Luftës së Dytë, natën që nazistët pushtuan Pragën në mars 1939, ai ia doli t’i çonte në Poloni e pasatj në Tel-Aviv. Në gjallje të tij Kafka nuk kishte tërhequr vëmendjen e kritikës edhe nga botimet e pakta që bëri ai vetë si autor me kërkesa të mëdha ndaj të shkruarit. Disa tekste të Kafka-s janë të pambaruara, si bie fjala Kështjella ka ngelur në mes të një fraze, po ashtu Procesi, ka disa mbyllje dhe Brodi ka zgjedhur njërën, duke i lënë si shtojcë në fund të librit ndryshorët (versionet) e tjerë. Ashtu veproi ai me të gjitha dorëshkrimet duke shpalosur para lexuesit një vepër të hapur.

    Fama 

    Gjeninë e Kafka-s, para publikut francez e zbuloi së pari shkrimtari Aleksandër Vialate qysh me përkthimin e romanit Procesi. Më pas ai vazhdoi me novelën Metamorfoza dhe me Letra Milenës.  Ai botoi gjithashtu disa artikuj kritikë të rëndësishëm për shkrimtarin çek dhe e titulloi « Mon Kafka ».  Max Brod-i botoi më 1937 librin « Një jetëshkrim » për Franz Kafka-n nisur nga kujtimet e veta dhe dokumente të ndryshme të shkrimtarit. Ai botim u përkthye dhe u botua nga Gallimard më 1945. Më vonë botoi një analizë Gilles Deleuze e të tjerë. Nga Franca përkthimi i Kafka-s vazhdoi në shumë vende të botës. Më 1976 Kafka u botua në Biblotekën e Plejadës franceze, që u përtëri me një përkthim të ri nga Jean-Pierre Lefebvre, më 2018.

    Botuesi anglez Malkolm Pasley, më 1961 arriti të siguronte pjesën më të madhe të dorëshkrimeve të shkrimtarit dhe i ka grumbulluar në Bodleian Library të univerisiteti të Oksfordit. Pasley, organizoi një grup që punoi për të dhënë në botime origjinalin e veprave të shkrimtarit të madh çek.

    Veprat kryesore

    Metamorfoza, është një rrëfim tronditës për fatin e njeriut. Gregor Zamza (Samsa), zgjohet një mëngjes i transformuar në një « insekt të mistershëm ». Kjo novelë është edhe një nga më të fuqishmet që ka shkruar Kafka. Disa kritikë e quajnë roman të shkurtër dhe e cilësojnë kryevepër të tij. Ai e vendos fillimin e ngjarjes në një mëngjes, me zgjimin që personifikon jetën që vazhdon, por edhe shpresën dhe projektet e reja. Por të gjitha këto turbullohen kur personazhi i tij e ndien se nuk ngrihet dot si zakonisht. Gregor Zamza simbolizon gjithë të përjashtuarit për arsye të ndryshme nga kjo botë e ashtuquajtur « normale ». Lexuesi e kupton se metamorfoza e Gregorit është metamorfoza universale e individit të rrethuar nga vetmia dhe vdekja. Duke përshkruar situatat absurde, autori lë të nënkuptohet një kritikë shoqërore lidhur me varësinë, me mungesën e solidaritetit familjar dhe me shpërfilljen.

    Pak historik për novelën “Metamorfoza”

    Kafka e fillon veprën siç shkruan në Ditar, një të dielë, më 17 nëntor 1912. Ai ka ndenjur gjatë në shtrat në shtëpinë e prindërve, e quajtur « Anija » në Pragë. Një natë më parë ai ka punuar gjer vonë për romanin I humburi (Amerika). Dhe e ka zënë gjumi me idenë se nuk i ka ecur puna  me romanin. Ai rri ende shtrirë, sepse pret një letër nga Felise Bauer. Letra vjen dhe ai përgjigjet : « Sot do të përshkruaj një ngjarje të vogël që më erdhi në mendje në shtrat kur isha fare shpresëhumbur… ». Edhe protagonisti i tij si autori ka një vështirësi të pabesueshme për t’u ngritur nga shtrati. Autori e shkroi novelën për disa javë, kur e kishte menduar për një kohë më të shkurtër, sepse tregimin Vendimi ai e pati shkruar më 22 duke u gdhirë 23 shtator 1912. Fillimisht Metamorfoza u botua në tetor 1915 në Leipsig në një revistë dhe pastaj si libër në koleksionin « Gjyqi i fundit » në dhjetor 1915.

    Romani Procesi është një nga rrëfimet më simbolike të shekullit XX, i vështruar nga kritika si një kryevepër e letërsisë. Ai është një vepër postume e Franz Kafka-s, i shkruar në verë të vitit 1914 deri në janar të vitit 1915 e që u botua nga Maks Brod-i, një vit pas vdekjes së autorit, më 1925. Në roman jepen telashet e çuditshme të Jozef K., i cili një mëngjes arrestohet pa shkak dhe u nënshtrohet kërkesave të drejtësisë.  Eshtë mëngjesi që daton metridhjetë vjetorin e ditëlindjes. Protagonisti është punonjës banke dhe banon në një pension. Dy agjentët e plolicisë janë të mistershëm, nuk i thonë as arsyen dhe as nga cili autoritet janë urdhëruar. Kur lexojmë në fillim të romanit : « Një mëngjes atë e arrestuan, megjithëse s’kishte bërë asnjë të keqe… », mbetemi pa fjalë, ashtu si Jozef K. Romani ilustron në mënyrë të përkryer vuajtjen e individit përballë një bote absurde që i nënshtrohet arbitraritetit dhe ecën në një labirint burokratik çorentues.

    Jozef K., i ndodhur mes realitetit absurd dhe ekzistencës së tij të pasigurt, përpiqet që të sqarojë pozicionin e vet të pafajshëm për të gjetur një përgjigje, por nuk e gjen kurrë. Procesi jepet si një episod që ndërfutet në jetën e heroit, me një përzierje të përshkrimeve të sakta dhe hollësive absurde, të cilat të krijojnë përshtypjen e një makthi. Ky ligj i përbashkët, që rrethi shoqëror i protagonistit e merr si të mirëqenë, atij i ngjason tërësisht abstrakt dhe i paqartë. Ai sheh në të vetëm hije me konture të pafundme. Sipas Kantit një mënyrë e tillë nuk lejon konstruksionin e asnjë ligji moral. Kështu Franz Kafka duket sikur ekspozon antiheroin e moralit kantian. Interpretimi i romanit Procesi ndihmohet edhe nga Ditari i mbajtur në kohën që është shkruar romani. Ndër të tjera, në një letër që i dërgon Felisës, ai e krahason çiftin e tyre si « dy të dashuruar që nën Terror shkojnë së bashku në gijotinë ».  Për më tepër atmosfera plot makthe, absurditeti i situatave në të cilat gjendet protagonisti, ndjenja e humbjes dhe e çrregullimit në universin e Joseph K., duket se janë elemente të mjaftueshme që të shpien te mendimi se Jozef K. do të ishte patjetër i humbur në një botë të pakuptueshme. Nuk kanë rëndësi faji apo drejtësia : me rëndësi është vetëm të vazhdojë procesi, i cili merr fund me ekzekutimin e Jozef K, në mbrëmjen e e 31 vjetorit të ditëlindjes.

    Romani Kështjellau botua më 1926 si vepër postume me nisiativën e Max Brod-it. Autori rrëfen betejën e një gjeometri, të quajtur thjesht K., i cili përpiqet të hyjë në lidhje me autoritetet e fshatit që të zyrtarizojë statusin e tij. Por « kështjella » ku qëndrojnë funksionarët nga ku duhet të jepet autorizimi, mbetet e parritshme. Romani është i pambaruar. Megjithësse Kafka i shkruan mikut të tij Max Brod në shtator 1922 se e ka braktisur romanin, ai ia ka zbuluar atij sesi do ta mbyllte : « K. vendoset në fshat pa leje deri sa vdes. Në shtratin e vdekjes ai merr autorizimin për të jetuar në fshat ». Kafka nuk e mori prapë në dorë romanin, sepse nuk e la vdekja. Romani mbyllet me një frazë të lënë përgjysmë.

    Romani tjetër Amerika ose I humburi, një titull i dytë që donte t’i vinte autori, i shkruar më 1911-1914 dhe i pambaruar, u botua nga Max Brod-i si vepër postume, më 1927. Protagonisti i tij, Karl Rossman, një djalë i ri shtatëmbëdhjetë vjeçar shkon në Amerikë dhe udhëton nga mynxyra në mynxyrë, sikur ta ndiqte një fatalitet enigmatik. Të tilla janë temat themelore të veprës së Kafka-s.

    Interpretimi i përgjithshëm kritik, stili

    Vepra e Franz Kafka-s pasqyron shoqërinë e fillimit të shekullit XX. Stili letrar i tij ishte i errët, gjuha e përpunuar dhe e saktë deri në hollësi, prandaj përkthyesit fillimisht kishin druajtje nga një vepër tepër e veçantë që kërkonte një njohje të thellë për t’u futur në labirintin e një shkrimtarie të re. Brod-i duke ruajtur dhe botuar veprën e Kafka-s, i bëri botës një dhuratë të paçmuar, duke e njohur me një vepër të rrallë, e cila e ndryshoi dhe pasuroi peizazhin e letërsisë botërore. Personazhet e Kafka-s veprojnë në një botë ku marrëdhëniet që i udhëheqin janë të pakuptueshme e që rrethohen nga forca të panjohura. Sipas shkrimtarit « jeta është një mister i pazgjithshëm, një labirint që nuk ia dimë daljen dhe atë që na pret ». Ai studion psikologjinë e personazheve përballë situatave të jashtëzakonshme dhe trajton temat e vetmisë, të ëndrrave, të frikës dhe komplekseve. Personazhi i tij është përgjithësisht i humbur, i çorientuar. Atmosfera e veçantë e romaneve dhe novelave të tij ka dhënë epitetin kafkaesk në gjermanisht, kafkaïen në frëngjisht, por edhe në të folmen shqipe përdoret epiteti kafkiane, i cili është bërë një referim që ka kuptimin e një diçkaje absurde, të ngatërruar dhe të pakuptueshme.

    Shoqëria e dehumanizur për të cilën flet Kafka në fillimet e shekullit XX, është një kritikë e mprehtë dhe shumë aktuale për shekullin e zombive, të mureve ndarës, të antisemitizmit, të inteligjencës artificiale, të luftërave që do të shenjojnë përjetë brezat e rinj. Vepra e tij flet për fatin e njeriut në shoqëri dhe përfton kështu frymë universale. Kafka vetë nuk ka pasur shumë siguri në jetë, pohon biografi i tij gjerman Reiner Stach, prandaj kemi dy Kafka, atë shkrimtar që vëzhgon një botë mbytëse për individin dhe punonjësin e sigurimeve shoqërore që nuk është i qetë të punojë dhe të shkruajë.

    Kritikët janë përpjekur ta vendosin veprën e Kafka-s në rryma të ndryshme letrare si modernizmi dhe realizmi magjik, por mungesa e shpresës dhe absurdi që hasim në veprën e tij janë trajta tipike të atij që më vonë do të quhej ekzistencializëm. Në librin me ese Nga Bibla te Kafka, George Stainer duke thënë « atdheu ynë, teksti », e quan Kafka-n « një trashëgimi kulturore që bashkë me libra të tjerë të mëdhenj janë të domosdoshëm për t’u lexuar që të arrijmë të kuptojmë vetveten (De la Bible à Kafka, Hachette littérature, 2002, f. 60). Vladimir Nabokov-i në leksionet e letërsisë kushtuar shkrimtarëve të mëdhenj ka përfshirë edhe Franz Kafka-n, botuar te libri Littératures I, dhe hedh poshtë edhe mendimin e kritikës, ngritur mbi idetë e Frojdit, nisur nga marrëdhëniet e ndërlikuara të Kafka-s me të atin si dhe të ndjesisë së fajit. Kafka vetë ishte shumë kritik ndaj ideve të Frojdit. Nabokov-i thotë se së pari duhet vështruar fuqia e artit të Kafka-s. Ai e sheh Floberin si modelin e vërtetë të Kafka-s. Nabokovi i vështron prindërit e G. Zamza-it, si borgjezë të vegjël të Pragës « filistinë flobertianë », njerëz me shije të rëndomta që interesohen vetëm për anën materiale të jetës. « Familja Zamza rreth insektit fantastik nuk është gjë tjetër, veçse mediokriteti që rrethon gjeniun », shkruan ai.  Nabokovi e quan Kafka-n shkrimtarin më të madh të gjuhës gjermane, dhe novelën Metamorfoza si « novelën e tij më të shquar » (Littératures I, f. 256). Në librin Diskutime me Kafka-n, e Gustav Janouch-it shfaqet imazhi i një njeriu që ishte « tmerrësisht i vetëdijshëm në çdo fjalë që thoshte dhe që tregohej i matur dhe shumë i saktë në përdorimin e tyre » (f. 91).

    Disa kritikë mendojnë se gjejnë në veprën e tij ndikime të markzizmit, sidomos në qëndrimet kritike ndaj burokracisë.  Disa shohin edhe shenja anarkiste. Tomas Mani dhe Maks Brodi shohin në veprën e Kafka-s kërkime metafizike. Nga tërë vepra e Kafkas del edhe një përsiatje njëherësh kritike dhe formuese për familjen, shoqërinë dhe betejën e çdo individi për të gjetur vendin që meriton.

    Ndikimi

    Stili dhe simbolizmi i Kafka-s kanë ndikuar mjaft në përvojën letrare. Kundera citon humorin syrrealist të Kafkas si burim frymëzimi i shkrimtarëve dhe regjizorëve : Federico Fellini, Garcia Marquez, Carlos Fuentes, Salman Rushdie e të tjerë. Garcia Marquez thotë që pasi lexoi novelën Metamorfoza, mendoi se « ishte e mundur të shkruante në një mënyrë tjetër ».

    Sot vepra e Kafka-s është analizuar thellësisht dhe është përkthyer kudo në botë. Edhe në Shqipëri. I pari ishte Gjergj Vlashi me përkthimin e suksesshëm të novelave Metamorfoza dhe Kolonia ndëshkimore, botuar nga shtëpia botuese Argeta LMGdhe më vonë meromanin Procesi. Ardian Klosi nën kujdesin e shtëpisë botuese K&B përmblodhi në një libër prej prej 500 e ca faqesh më 2010, Franz Kafka,Vepra e plotë në prozën e shkurtër. Libri Nga Kafka te Kafka, i shkrimtarit Maurice Blanchot është botuar më 2020 edhe në shqip nga Arka e Noes, me përkthim të Balil Gjinit. Fatmir Alimani shkroi librin Katër K, duke pasur parasysh Kafkën, Kavabatën, Kunderën dhe Kadarenë. Përkthyes të ndryshëm kanë marrë përsipër përkthimin e librave të tij, por hyrja në stilin e Kafka-s është mjaft e vështirë.  

    Kafka mbahet si shkrimtar madhor i avant-gardës europiane.

    Kafka është ortografia gjermanisht e fjalës çeke kavka që do të thotë galë.

    Nderimi

    Në Pragë është ngritur prej vitesh muzeu Franz Kafka.

    Pranë shtëpisë së lindjes së tij në Pragë një shesh mban emrin Fanz-Kafka.

    Një bust i tij është në hyrje të metrosë qëndrore në Pragë.

    Një bust tjetër është është në Kielce të Polonisë.

    Romani Procesi është përshtatur për teatër, radio, muzikë dhome, opera, libër vizatimor etj. Ai u ekranizua nga Orson Welles më 1962. Kështjella u ekranizua më 1969. Amerika më 1984. Më 1991 dhe 1993 u realizuan dy filma për jetën e Kafka-s. Më 1993 u ekranizua Metamorfoza. Më 2004 u ekranizua Një mjek fshati. Udhëtim në Itali, është një film me metrazh të shkurtër bazuar në Ditarin e tij. Më 2016 u ekranizua Artisti i urisë (përkther në shqip nga Fatmir Alimani).

    100 vjetori i vdekjes së Kafkës u përkujtua në të gjithë botën letrare me takime, analiza të veprës, me botime të reja që vazhdojnë ende ta rizbulojnë këtë shkrimtar të madh.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË