Poezia pasuron imagjinatën tonë, ushqen ëndërrimet tona duke qendruar në zemër të asaj që quhet njerëzore. Ajo vështron pareshtur mbi botë dhe në pafundësinë e ndjesive dhe mbresave për të zbuluar misteret e jetës përmes ligjërimit të poetit. Madame de Staël mendonte se poezia « duhet të pasqyrojë bukuritë e botës ». Kurse Victor Hugo thoshte se poeti « është një botë e mbyllur te një njeri i vetëm».
Duke qenë se poezia i jep në mënyrë paqësore raportet etike të njeriut me botën që në ballinën e broshurës së Festivalit, veç titullit Zërat e gjallë të Mesdheut, lexohet edhe nëntitulli : Poezia, udha e paqes.
« Të mbrosh poezinë, të ndërtosh hapësira të atilla, në mënyrë që ajo t’u transmetohet sa më shumë njerëzve, kjo nuk resht së qeni një përpjekje e fortë në botën e sotme që i lë kaq pak vend zërit të poetëve », shkruan në fjalën hyrëse të librit-program të Festivalit, Maïthé Vallès-Bled, drejtore e Festivalit poetik.
Ndjeshmëria e poetëve gdhendet në artin e poemës. Ata transformojnë bukurinë apo tragjedinë në ligjërim duke vënë në dukje, duke pyetur dhe u përgjigjur, duke u mahnitur. Dikur besohej se poeti frymëzohet nga Muzat, por në botën moderne është shpirti poetik që flet. Paul Valery, poet dhe eseist me një refleksion intelektual të jashtëzakonshëm, profesor i poetikës në Collège de France, thoshte se « Poeti përkushtohet dhe tretet që të përkufizojë dhe ndërtojë një ligjërim brenda ligjërimit ». Edhe poeti ynë kombëtar Naim Frashëri kur shkruan vargun «Do të tretem, të kullohem», në poemën Fjalët e qiririt, jep idenë e përkushtimit fatal të poetit në shoqëri. Poeti vendoset në qendër të një universi me një intimitet që vjen duke u zbuluar. Mjaft herë ai konstaton se ky intimitet është i kërcënuar dhe duhet mbrojtur.
***
Të shkruarit poetik është një lloj « aventure orfike » siç e quan poeti francez Luc (Luk) Vidal, i cili bënte pjesë edhe në grupin e atyre që paraqitnin poetët e huaj. Vidal drejton shtëpinë botuese Petit Véhicule në të cilën janë botuar edhe disa poetë shqiptarë.
Pasqyrë që heton ligjërimin, një ligjërim që banohet prej një energjie të mistershme, poema ngallmon në brendësi të saj bukurinë e gjuhës në lëvizje. Në Antologjinë e Festivalit, botuar nga shtëpia botuese Bruno Ducey, e cila përmban nga një poemë të poetëve të ftuar, në gjuhën amtare dhe të përkthyer frëngjisht, ndihet kjo muzikë e gjuhëve dhe alfabeteve duke krijuar kështu një poemë të gjatë që përshkon një horizont të pakufishëm. Në poemën Çengeli i ëndrrave, Claudio (Klaudio) Pozzani, poet italian, ndër të tjera, shkruan : « Unë e shkoj jetën duke pritur diçka / Një avion, një tren, një aventurë, vdekjen / Në mëngjes, trupi im del nga errësira […] / Unë e shkoj jetën time nëpër një sitë të dendur / Nuk u flas njerëzve që s’më japin gëzim […] »
*
Leximi i poemave nga poetë të ardhur nga vende të ndryshme të mesdheut si : Algjeri, Egjipt, Francë (kuptohet që Franca si vend i madh organizues do të kishte një përfaqësim të gjerë), Greqi, Irak, Itali, Izrael, Palestinë, Portugali, Rumani, Spanjë, Shqipëri etj., në orë të ndryshme dhe në pika të ndryshme që përfshinin pjesën kryesore të këtij qyteti, në skena natyrore qarkuar me shezlongë dhe karrige, të krijonin idenë e një skene të madhe me një auditor të gjerë që qarkullon ide, dialogë, emocione. Dukej sikur poemat vinin së largu dhe brofnin me jehona krejt të lira, mes vërshimit ligjërimor duke e lënë imagjinatën e dëgjuesve të përshkonte hapësira të panjohura. Gjuha e tyre, herë e druajtur dhe herë e harlisur, e zotëronte plotësisht skenën.
Lidhja e poetit me kohën dhe me vendin e vet është gjë e natyrshme, thuajse biologjike, sepse çdo njeri është bir i kësaj toke, në kuptimin e drejtëpërdrejtë, por edhe metaforik të fjalës. « Të gjitha gjërat kanë misterin e tyre, por poezia është misteri i mistereve, thotë Federico Garcia Lorca .
Të ndiesh, të vësh re, ta shprehësh atë që është për t’u transmetuar dhe të shkruash vetëm kur ke diçka për të thënë, diçka që del nga zemra, nuk është mision i thjeshtë. Në poemën Kusht, poetja rumune disidente Ana Blandiana thotë : « Unë jam / si / një kokërr rëre / që / bëhet kohë / vetëm / kur bie.
Festivali, me anë të fjalës poetike të drejtpërdrejtë me skena të improvizuara në natyrë, dëshmoi përpjekjen e poetëve për të dhënëkuptimet e vetvetishme, origjinën, shpresën dhe dashurinë si vlera të përjetshme. Prandaj, duket sikur poezia hyn rrëmbimthi në gjuhë dhe në botë që të tregojë gjithashtu të vërtetat e pathëna, vuajtjet që sjell lufta, trishtimin, dashurinë, vetminë. Ajo është një zë i kumbueshëm i një realiteti njerëzor që nuk pajtohet me mediokritetin dhe të keqen. Një ndjesi e hollë regjistrohet kështu në fjalët që lëshohen në qiellin e shpirtrave dhe në faqen e shkruar. Eshtë një dritë e përqendruar që kërkon të mblidhet për t’u shpërndarë pastaj kudo me të njëjtën forcë për të ngjallur emocione estetike.
*
Dita niste me lexime poemash dhe me lexime poemash mbaronte. Ato i interpretonin frëngjisht aktorë të shkëlqyer me përvojë skenike si Patrick Vendrin, Olivia Nicosia, Arthur Combelles dhe Charlotte Dumoulin.
Krahas leximit, gjatë ditëve të Festivalit poetik, u trajtuan edhe tema të ndryshme rreth krijimit dhe përkthimit, por temat e të qenit poet, e rolit të tij si zë jetësor i së vërtetësdhe ekzistenca e njeriut në shoqëri,zunë vendin kryesor. Jeta e poetit është një tërësi mbresash dhe përgjigjesh që formojnë lëndën e veprës së tij, e cila është njëkohësisht një copëz e jetës së njerëzimit me vuajtjet e me dhimbjet, me çastet e saj sublime e me çastet e rënda. Ndërgjegjja e poetit duhet të shkojë deri në shtresat më të thella të ekzistencës. Seferis, poet noblist grek, thotë : « … megjithatë unë nuk dua të shoh te poeti një të papërgjegjshëm, të rrëmbyer nga vala e frymëzimit apo e çudirave, përkundrazi unë besoj se një artist me vlera është një nga qeniet më të ndërgjegjeshme të planetit ». Poeti është në kërkim të përhershëm për të zbuluar në botën që na rrethon, idetë që e përshkojnë dhe e trazojnë mendjen dhe shpirtin e njeriut për ta bërë jetën më të mirë dhe botën më të jetueshme.
*
Poema nxjerr në pah fijet e holla që bashkojnë zemrat me anë të artit poetik. Eshtë një hapësirë që ka ngjyra të ndryshme, por që brenda secilës ngjyrë gjenden fjalë dhe vargje që rigjejnë jetën në lëvizje. Falë kësaj lëvizjeje njeriu merr pjesë në ristrukturimin e një bote mbase të humbur, por që dëshmon për energjinë e mekanizmit të gjuhës që çon dejt një bote të fituar. Gjithsesi, a mund të thuhet se është botë e fituar kur ekziston lufta ? Kësaj pyetjeje dramatike i përgjigjet poetesha siriane që i ka ikur luftës absurde në vendin e vet dhe ka emigruar në Spanjë, me këto vargje : « Në luftë / Plumbi konkuron / Me të sapolindurin / në gjirin e mëmës ». Ndërsa poeti algjerian Yvan Tetelbom, në poemën Liria e shpreh revoltën e tij ndaj luftës kështu : « Këtë mëngjes, në Kiev, / Dielli ishte mbuluar / Me njolla të çuditshme / Ngjyrë balte […] » etj. Një shkrimtar i njohur thotë se « Ana e pasme e modernitetit ka pamjen e saj të errët », në të cilën çdo ditë përjetohen drama kolektive, familjare, apo vetjake : me mijëra njerëz vriten në luftëra absurde, mijëra të tjerë detyrohen të zhvendosen duke u bërë refugjatë në vendin e vet, apo shkojnë gjetiu, ndahen prindërit nga fëmijët, fëmijët jetojnë pa fëmijëri, gruaja nuk zë vendin e merituar si e barabartë në shoqëri etj. Pastaj, racizmi, antisemitizmi, urrejtja fetare, ndërkufitare… Poezia e përshkon edhe këtë rrugë të hidhur.
Jo rrallë herë duhet « Të organizosh kaosin », shkruan poeti amerikan Wallace Stevens.
Leximet e përditshme në vende të ndryshme të qytetit, si dhe në Place des Livres (Sheshi i librave), ku përveç skenës së leximit ishte edhe salloni i madh, i librit poetik, i hapur në natyrë, i mbuluar me çadra të bardha, në të cilin shtëpi të ndryshme botuese të poezisë, me qendër në Francë, por edhe ne vende të tjera të Mesdheut, në mënyrë që dëgjuesi edhe mund të blinte librin e tij. Gjithçka ishte si një ushtrim i bukur, që kërkoi tërë disiplinën e mundshme. Skena në natyrë i ngjante një skene të vërtetë me paraqitësin, poet, kritik, apo gazetar francez, i njohur që më parë me lëndën poetike të autorit, aktorin që do të interpretonte poemat frëngjisht ; autori i huaj i lexonte ato në gjuhën amtare ; mjetet teknike të zërit dhe të regjistrimeve i realizuan vullnetarë të rinj, gjimnazistë, ardhur nga qyteti Toledo i Spanjës. Të mos harrojmë edhe vullnetarët e tjerë që sillnin ujë në seancat e leximit dhe panelin ku ishte shkruar emri i poetit dhe i vendit nga vinte, shoferët që i shoqëronin në mbrëmje në vendet ku flinin, për të plotësuar kështu sadopak mozaikun e punëve të shumta e të domosdoshme në shërbim të mbarëvajtjes së Festivalit.
Këngët dhe tingujt muzikorë ishin të pranishëm gjatë leximit të poemave ose pas leximit të tyre ; instrumentistë dhe këngëtarë të mirënjohur si Roula Safar, Diego La Onda, Marie Di Iorio, Althaea Sciocca, Mark Simon e të tjerë ishin pranë poetëve për t’i dhënë veprimtarisë më shumë larmi.
Në Festival u shpalosën disa lloje poemash si ato me varg të lirë, strofike, haiku, ode, sonet, poema tingullore, poema të realizuara me gjeste etj. Një vend të veçantë zuri edhe poema me gjuhën e shenjave, e cila këto vitet e fundit ka njohur një zhvillim të veçantë. Ajo dëftoi aftësinë për t’u integruar e asaj kategorie të shoqërisë që i mungon komunikimi : të folurit apo të dëgjuarit, apo edhe të dyja. Gjuha e shenjave është një gjuhë e tërë e shprehur nga njerëz tepër të ndjeshëm dhe këmbëngulës për t’u përshtatur në shoqëri. Në poemën e tij Gondol që interpretoi me gjuhën e shenjave, poeti francez Victor Abou, ndër të tjera, thotë: « Sheshi San Marco / Një tufë e madhe zogjsh / largohen dhe i magjepsin vështrimet tona / Që ndjekin valët e ndritshme dhe gondolën krenare […] ».
*
Koha e Festivalit u mbush me veprimtari që nisnin në orën 10 00 të paradites dhe përfundonin natën vonë, gjer në orën 23 00 ose 24 00. Këto skena të vogla të fjalës poetike, çdo ditë i dhuronin diçka të re publikut. Dhe sado që në pika të ndryshme të qytetit, në të njëjtën orë mund të kishte lexime nga autorë të ndryshëm, gjithnjë kishte dëgjues, madje disa herë poeti e gjente « auditorin » me njerëz që e donin poezinë dhe që e prisnin. Midis tyre kishte edhe shqiptarë. Një nga ata ishte edhe Abdyl Blakçori, i cili ishte vendosur në Setë prej vitesh dhe zhvillonte një veprimtari ekonomike të sukseshme duke ndihmuar edhe mërgimtarë të tjerë nga Shqipëria. Ky Festival, të cilin ai e ndiqte me interes, kishte ngjallur dashurinë për poezinë, e cila ishte tek ai një pasion i hershëm.
Festivali, që kishte shtrirje të gjerë si kohë dhe pjesëmarrje me poetë, botues, gazetarë, aktorë dashamirës të poezisë, orkestrantë dhe këngëtarë, i pasur me veprimtari të shumta ditore, pati një organizim të përsosur. Në mesazhin e falënderimit dërguar njërës prej organizatoreve të Festivalit unë përdora shprehjen tashmë të njohur se aty gjithçka punoi si orët zvicerane dhe e krahasova Fesitvalin me një anije (mbase ishte « anija e dehur » e Arthur Rimbaud-së) dhe drejtoren e Festivalit Maïthé Valles-Bled, si një kapitene e sprovuar, e karakterizuar nga një qetësi dhe seriozitet i rrallë, me dy ndihmëset e palodhura Laurence dhe Marie-Hélène. Ishte vërtet një përgjegjësi e madhe të drejtoje atë organizim me përfshirje të gjithanshme.
Në natën e mbylljes së Festivalit ashtu si në natën e hapjes së tij, poetët e ftuar lexuan nga një poemë duke i dhënë kështu karakterin e një shfaqjeje gjigante tërë veprimtarisë poetike.
Qyteti mesdhetar Setë përjetoi ato ditë një festë madhështore.
Tiranë, gusht 2022