More
    KreuIn memoriamFeride Paplek: Autoportreti i Shuteriqit nëpër tekste letrare, kujtime dhe biseda

    Feride Paplek: Autoportreti i Shuteriqit nëpër tekste letrare, kujtime dhe biseda

    Autoportreti që krijon shkrimtari në mënyrë të natyrshme nëpër tekste, mund të konsiderohet si një manifest i pastër që ndihmon të rilexosh dhe të kuptosh më mirë veprën e tij. Në këtë mënyrë lexuesi ndeshet me një koncept paraprirës që ravijëzon gjurmët emblematike ku kufijtë e një dysie jetë / vepër shkrihen e ia lënë vendin njëra-tjetrës. Shpesh topos-et e një jete në vepër paraqiten me një qëllim që ka të njëjtin regjistër me vetë tekstet. Megjithatë, nuk mund të flitet me siguri se një autor frymëzohet gjithnjë nga rrethanat e jetës së vet, por dihet se ai mbështetet në realitetin e përvojës së jetuar. Ndonjëherë shkrimtari jep dëshmi kaq të sakta jetësore, sa shqyrtimi i veprës së tij fiton tejdukshmëri. Në raste të tilla nëse imagjinojmë një jetëshkrim, mund të nënshkruajmë një marrëveshje të heshtur mes pohimeve që mund të gjenden në vepër apo kujtimeve e bisedave të shprehura drejtpërdrejt dhe jetëshkruesit që i vështron të gjitha këto në mënyrë të tërthortë. Skema zhvillimore e procesit krijues të shkrimtarit, jo rrallë është provë e lidhjes së sinqertë që mban ai me jetën dhe të shkruarit. Stili i veçantë e i paimitueshëm përgjithësisht përzien intimen dhe universalen brenda një strukture të hapur si në tekstet letrare ashtu edhe në kujtime apo biseda.

    Rrëfimtari te proza e Dhimitër S. Shuteriqit është një njeri i kohës së vet. Megjithatë nuk duhet harruar se autori sjell një qëndrim të ri në paraqitjen artistike të ngjarjeve dhe të historicitetit të tij si individ. Asnjherë nuk është jashtë logjikës se ky qëndrim i ri mund të mbetet kushti i parë i kërkesës për të gjetur përligjjen tekst / autor e për ta vendosur atë në shkallë relativisht të sigurta vlerësimi. Kështu ne mund ta kundrojmë nga afër lidhjen e autorit me tekstin letrar dhe ta komentojmë ashtu si duhet. Përmasa intime e shumë teksteve përfshin dy vështrime: atë vertikal dhe atë horizontal dhe kuptohet se vepra që shqyrtohet kërkon një përgatitje profesionale dhe një lexim të përqendruar duke e vendosur atë në kohë. Nga kritika e sotme kjo quhet mënyrë e re leximi.

    Duke u njohur dhe rinjohur me tekstet e Shuteriqit ne e kuptojmë si vizatohet autoportreti i tij njëherësh real dhe imagjinar që përshkon veprën si një imazh i shumëfishtë duke u shndërruar kështu në një instrument në dorë të jetëshkruesit apo edhe të studiuesve të veprës. Bie fjala, në gusht të vitit 1918, në qytetin e lindjes së Shuteriqit, në Elbasan, ndodh një ngjarje që ai megjithëse është tre vjeç, do ta skalisë në mendje me copëra kujtimesh për ta përshkruar shumë vite më vonë te tregimi Çështja e fullatave (Vërshimet e vjeshtës, 1984), në të cilin risjell atmosferën e asaj dite të largët, parë me sytë e një fëmije, duke sajuar një histori fantastike: kartolinat e vitit 1915 mbërrijnë dhjetë vjet më vonë në perandoritë e rrëzuara.

    Mahnitemi kur lexojmë për udhëtimin e parë të Shuteriqit, i cili do të mbetet një nga ngjarjet më të bukura të fëmijërisë së tij. Eshtë një udhëtim gati romanesk, i përshkruar në librin me tregime Gurnecka (1957), një nga librat më të bukur të letërsisë shqipe për fëmijë duke dëshmuar se me atë udhëtim fillon edhe jeta e vërtetë e fëmijës që do të bëhet shkrimtar. Konteksti është i jetuar, por madhështia e tij qëndron te stili i rrëfimit, te gjallëria e gjuhës. Ky libër është botuar së fundi nga Albas.

    Ngaqë e kanë futur në një arkëz, që të mos rrëzohet, se është i vogël, djali ngrihet paksa dhe herë pas here sodit hapësirën e pafund që hapet përpara syve të tij të habitur duke i përshkruar këto rrethana me një përsosmëri narrative. Tërë rrugëtimi gjallon me tringëllima e zëra:

    “Bëhej kështu një muzikë këmborësh, cicërimash e përrenjsh që rrjedhin ëmbël, muzikë që vetëm ai që e ka dëgjuar mund ta marrë me mend mirë. Të gjitha më kanë mbetur në kujtesë si gjëra të çuditshme” (Dallëndyshet, në librin Gurnecka, f. 9).

    Pranë fshatit Përrenjas, në një rrugë më të shtruar e më të gjerë, shfaqet së largu “e përmbibukur” fusha e Domosdovës. Ja si e përshkruan pena e Shuteriqit:

    “Ata që s’e kanë parë atë fushë, të mos e lënë pa e parë, se është një nga më të bukurat e Shqipërisë. Është një pllajë e madhe, rrethuar prej malesh të larta, herë të gjelbëruara, herë të përhirta dhe shkëmbore. Nëpër fushë, – ara misri, grurore, shelgjishta të gjata, rrjedhin ose burojnë të padukshme, ujëra të kristalta. Rrëzë maleve, zbardhojnë shtëpitë e kaq fshatrave” (Dallëndyshet, në librin Gurnecka, f. 14).

    Shkrimtari e lehtëson punën e lexuesit, sepse rrëfimtari bëhet shkrimtar dhe shkrimtari rrëfimtar duke ia lënë vendin herë pas here njëri-tjetrit në një skenë të hapur tekstore. Ajo që bie në sy është cilësia e të rrëfyerit. Në këtë pikëpamje bota është një konceptim i qenësishëm i ligjërimit dhe kjo shpjegon arsyen përse nëpërmjet veprës letrare, lexuesi ëndërron një hapësirë përherë e më domethënëse dhe përherë më frymëzuese për imagjinatën.

    Është e vërtetë që në tekstet letrare Shuteriqi end në filigranë një autoportret pa e ditur se na shtyn të mësojmë më tej për jetën e tij. Ai është pasardhës i një familjeje intelektuale dhe patriote të Elbasanit. Kjo prejardhje mbase i ka dhënë atij një lloj adhurimi për kulturën, librin, shkronjën për të cilat është folur shpeshherë në shtëpi e që e shohim mes të tjerash edhe në këtë fakt që ai e shndërron në tregim. Afër shkollës së fëmijërisë së shkrimtarit ishte një mulli (sepse në Elbasan, si vend i ullinjve, ngado kishte mullinj vaji) dhe ai ndalet shpesh aty. Përshëndet si shkollar që është, por edhe kënaqet kur mullisi me zë të ngjirur i përgjigjet: “Mirë se erdhe! Qofsh bekuar, çun i dajës” (Bisedë, mars 1995). Djali mbase përfytyron njërin prej gjyshërve për të cilin i tregonin se kishte qenë mullis vaji. Vështron me kureshtje fytyrën e mullisit plak „me rrudha të thella si brazda”. Gjatë dimrit, shpesh herë, ai vjen nga shtëpia me një pite të ngrohtë në dorë, që mullisi t’ia regjë në vaj. Ndonjëherë hyn brenda dhe vëzhgon “gurët e mëdhenj, argatët, mengenenë, trarët ku vareshin pezhishkat, dritën e pakët dhe ngjyrën e errët të atij vendi, që i dukej se lëshonte grahma vjetërsire” (Fletë nga jeta ime, marrënga dorëshkrimi i Arkivit familjar). Një ditë në pushim ai shkon në shtëpi dhe ia lë për pak kohë çantën e librave mullisit, por kur kthehet i duket sikur është pas derës së klasës duke dëgjuar mësim. Ai e përshkruan kështu këtë episod:

    “Futa këmbën në mulli. Çuni (argati i ri: F.P.) ishte ulur pranë dajë Monit, me librin të kthyer nga drita e derës dhe, mu në rrëzë të veshit, i lexonte ustait të vet me britma vargjet e Naimit. Dajë Moni i kishte ngulur sytë e ëmbël diku në errësirën e fshehtë dhe cigarja e tij, si një xhixhëllonjë, ndizej e shuhej në kënd të buzës, nën strehun e mustaqes. Te gjuri ai shtrëngonte çantën time të hapur” (Malli i shqipes, në librin Fyelli i Marsiasit, 1963, f. 186).

    Kur është kohë e mirë Dhimitrit shkollar i rreh zemra fort, sepse do t’i jepet mundësia të shëtisë nëpër Elbasan. „Në ullishtë kishte vende të ngrohta qysh në mes të shkurtit, dhe fëmijë e të rritur do t’i shihje t’u gëzoheshin rrezeve të diellit, luleve të para dhe zogjve“. Sa herë është ulur ai duke soditur i magjepsur një lëndinë me lule dhe bar!

    “Cili nga ju ka parë fushë mali me bathra ? Një fushë e tillë është pranë Elbasanit, mbi disa shkëmbinj të fshatit Baltës. Me mijëra dhe mijëra lule majë një kërcelli të gjatë, kthejnë nga dielli një si karafil të bardhë, me zemrën të verdhë. Të duket se kundërmon natyra gjithë. Fryn një fllad i parfumuar, i cili vjen që tutje, përtej malesh e detesh. Atëherë thua me vete : sa e bukur është kjo botë !” (Lulet dhe patëllxhanëtnë librin Tregime të zgjedhura për fëmijë, 1975, f. 62).

    Shuteriqi e kaloi një pjesë të madhe të fëmijërisë e të rinisë së parë në Elbasan dhe Korçë dhe ka ndërtuar në tekste apo biseda rrethanore pak a shumë një mikrohistori për jetën e tij në këto dy qytete. Gjatë këtyre viteve fantazia e tij u ushqye me ngjarjet e kohës që kërkonte ndryshime, siç bie fjala, ajo e Kongresit Arsimor kur i ati e merr me vete në Tiranë, ashtu siç merr edhe Aleksanër Xhuvani të birin, Ptolemeun. Shuteriqi shtatëvjeçar takon Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin në një gjellëtore të qendrës së Tiranës. Me guximin e fëmijës pa e ditur se cilët janë ai bisedon me Gurakuqin, i bëjnë përshtypje mustaqet e zeza dhe fjala e tij që vërtitej nëpër buzë para se të fliste. Për Nolin, përveç bisedës ai mbante mend se ai kërkoi vetëm një « çanak » me kos. Hollësi të tilla Shutriqi do t’i japë mrekullisht te libri Fletë nga jeta ime dhe te disa kujtime për njerëz të veçantë që ka takuar gjatë jetës.Disa hollësi marrin një vlerë të vërtetë rrëfimtarie dhe mund të pohojmë me plot gojën se ato transformohen në motive qendrore në tekstet e tij letrare.

    Librin me kujtime Fletë nga jeta ime, Dituria 2021, mund të quhet një nga librat e rrallë të këj lloji të botuar këto vitet e fundit. Të marrim rastin e përshkrimit të kthimit në atdhe nga Franca e studimeve universitare. Një mëngjes ai gjendet në Portin e Durrësit. Por nuk ndodh si para gjashtë vjetësh, kur niset dhe gjendet me zemrën të gëzuar një mëngjes në Bari të Italisë. Atij shumë gjëra tani i duken ndryshe. Shqipëria ishte e pushtuar:

    “Durrësi ishte bërë i zhurmshëm. Tamam si Italia. Kudo flitej italisht. Në një pjesë të trotuarit, në bulevardin kryesor ishte vendosur një orkestër gati për të filluar. Nga çdo anë dëgjoheshin këngë italiane. Sa eca disa metra, filloi një këngë italisht për pranverën. Bulevardi kryesor nxinte nga këmishëzinjtë” (Bisedë, qershor 1995).

    Në bulevardin „me një emër të ri e të urryer Mussolini”, ai sheh me sy pushtimin e vërtetë dhe merr rrugën menjëherë për Tiranë. Duke udhëtuar, vështron tokat djerrë dhe ferrat anës rrugës, që janë ashtu si katër vjet më parë. Edhe rruga për në Elbasan është ashtu si e ka lënë herën e fundit. Thuajse e braktisur. Pa asnjë ndryshim. Sa hyn në Elbasan atij i shtohet ankthi. Ai qytet i dashur, trualli që ishte vendlindja e tij, i duket si diçka e stisur:

    “Porta e Kalasë m’u duk fare e ulët. Më tej edhe xhamisë sikur ia kishin rrëzuar minarenë. Kurse shtëpitë e rrugicës sonë më ngjanë të vogla e me çati aq të ulëta, sa mund t’i prekja me dorë” (Bisedë, qershor 1995).

    Ai vështron i pikëlluar peizazhin rreth e qark dhe hyn në oborr. I do lulet, por sesi i ngjasojnë tani! Pa ngjyrë, as bukuri dhe as aromë. Edhe shtëpinë e gjen ashtu si e pati lënë. Pa asnjë ndryshim. Mbretëron një qetësi e pakuptueshme, e lodhshme. Telegrami i tij as që kishte vajtur dhe as që erdhi ndonjëherë. I ati ka shkuar të pyeste përse nuk po i vjen djali, por ai nuk e dinte se atë e kishin internuar dy javë para se të shkelte vendin e vet.

    Kur hyn në dhomën e zjarrit nuk u beson syve. “Një kusi rri mbi kamje. Moma e vë xhezven në prush për të bërë kafen”. Djalit të zhytur në mendime të zymta “si ajo bloza që kishte nxirë petavrat”, i hyjnë të dridhurat dhe e sheh veten tek afrohet te vatra. Është korrik, bën vapë, por ai sepse ndien të ftohtë. Duke pirë kafe, kërkon edhe një “gastall” raki, që e kthen dhe e mbush prapë. “Moma” ia hedh sytë disi e trembur, se “mos është bërë pijanik”, ai që nuk kishte pirë kurrë. Por djalin e ka vrarë e vërteta e hidhur e vendit të tij. Mes monologut të heshtur ravijëzohet pyetja:

    “Si do të jetë e ardhmja ime në një atdhe të pushtuar?!” (Fletë nga jeta ime, marrë nga dorëshkrimi i Arkivit familjar).

    Kur kalojnë disa ditë, ai bën lidhjen me komunistët përmes shokut të tij Ptoleme Xhuvani. Ptolemeu sapo ka dalë nga burgu. Në shtator ai nis jetën ilegale. Sigurisht, jeta ilegale e Shuteriqit si e shumë të tjerëve ka mbetur një histori e pashkruar; djalëria shqiptare iu gjend mëmëdheut në ditën e tij më të vështirë. Ndjenja e lirisë i ka rrënjët thellë në ndërgjegjen kolektive të njerëzve, ndaj një natë qershori kur kthehet nga puna në terren dhe në qytet është shpallur shtetrrethimi, ai pret muzgun dhe arratiset për të dalë partizan në mal. Kapërcen „nëpër errësirë nga kopshti në kopsht“ dhe mbërrin në periferi të qytetit. Ai djaloshi që vjeshtën e vitit ’36, duke udhëtuar për në Francë, i kishte premtuar vetes se gjallë a vdekur do të kthehej në Shqipëri, ja ku ishte tani gati për të vdekur për një çështje të madhe.

    “Vendi ku u mblodhëm ishte shtëpia e Sulë Paprit, pranë stacionit të sotëm të trenit. Ishim rreth njëzet ilegalë e që andej në mesnatë hodhëm Shkumbinin dhe dolëm në mal. Italianët nuk na diktuan as kur kaluam lumin. Mëngjesi na gjeti në malësitë e Shpatit. Fashistët nuk zunë asnjë nga ata që kërkonin. Atë natë tërë qyteti u tregua solidar me ilegalët. Populli e quajti lagjen Kala “Stalingrad” (Bisedë, qershor 1995).

    Fillimisht ata ndalen në Trepsanisht (Dokë Trepsanishti, personazh i njërit prej tregimeve të tij, prej atij vendi është), një fshat në hyrje të krahinës në një shtëpi që ishte” krejt e zezë, plot tym e blozë. Atje të gjithë zunë morra. Kishte morra pafund”, thoshte Shuteriqi në bisedë.

    Episodet e veçanta të luftës partizane do të gjejnë mishërimin e tyre më pas në tekstet e tij letrare. Kudo ndodhin histori të vogla, të cilat ai nuk i harronte: një natë që e kalojnë në Golik të Mokrës; partizanët që do të formojnë batalionin e Bërzeshtës; pëgatitjet për betejë. Ai tregonte për grupin partizan që kishte mbërritur një mëngjes herët në Fushën e Pojskës, buzë liqenit të Pogradecit për të zhvilluar një aksion që do ta udhëhiqte Reshit Çollaku. Grupi pati ndjekur rrugën e Shkumbinit. Vendin e kishin ”hetuar” nga afër disa partizanë. Pasi kanë ecur ”në një rrugë jo fort të këndshme, duke zbritur nëpër një pjerrësirë që kishte shërbyer si istikam në Luftën I Botërore, e që ishte shkatërruar nga ujërat dimërore, ku për më tepër rrëkëlleheshin popla dhe gurë”, ata mbërrijnë në Fushën e Pojskës dhe gjejnë pozicionet e duhura për të zënë pritën. Reshiti bën planin konkret të betejës duke vizatuar në tokë, në një vend të ngjeshur e të sheshtë. Eshtë agimi i 16 korrikut 1943, data e njohur që solli një nga disfatat më të rënda të ushtrisë partizane. 

    ”Atë mëngjes duke ecur mendonim për fitore. Ptolemeu dhe Spiro Gjiknuri po pyesnin njëri-tjetrin me të qeshur se cili do të mbetej në fushën e betejës. Bënin shaka. Sapo mbërritëm në të aguar, Reshiti nisi të ndante forcat partizane. Ishim jo më larg se njëqind metra nga rruga e makinës, atje ku është sot Monumenti i Dëshmorëve të Pojskës. Zumë pozicionet. Pranë kisha partizanin Nuçi Tira. Unë e kisha përdorur fare pak pushkën time. Kur rreshti i autoblindave armike ishte 80 apo 100 metra larg, Reshiti qëlloi i pari. Filloi beteja. Plumbat dhe bombat fërshëllenin nga të gjitha anët. Fytyrat e partizanëve kullonin gjak nga ciflat e bombave. Ne qëllonim dhe mbroheshim. Autoblindat dolën në anën tjetër dhe filluan të vërtiten me shpejtësi nëpër fushë. Filloi edhe bombardimi nga lart. Mua më ishin thyer gjyslykët dhe nuk shihja mirë» (Bisedë, shtator 1995).

    Të sulmuar nga ajri me bomba dhe nga toka me mitralozë, partizanët gjenden kështu shumë shpejt të rrethuar. Njëri krah i batalionit në të cilin është edhe Dhimitri tërhiqet, zbaton urdhrin pa e ditur se çfarë ka ndodhur.

    « Isuf Leka në krahun tjetër luftonte me një mitraloz breda. Ka bërë trimëri të madhe » (Bisedë, shtator 1995). 

     Avionët luftarakë bombardojnë papushim. ”Madje ca bomba bien fare pranë, por në malësitë e Mokrës ka shumë shpella e vende të thepisura për t’u mbrojtur”.

    Dhimitri mbetet gjallë mes asaj kasaphane të madhe. Ata ngjiten gjer lart e pastaj marin teposhtë të zymtë, për të shkuar në Manastirec, ashtu si ishte vendosur që përpara betejës.

    « Duke ecur, plasi një vaj pranë një are me misër. Bombat kishin vrarë një nuse të re. Mesa duket ajo kishte qenë në arë duke prashitur apo duke ujitur dhe pushonte duke i dhënë gji fëmijës, sepse një foshnjë qante fort pranë sisës së nxjerrë, ndërsa ajo dergjej e shtrirë për tokë me gojën plot gjak. Ishte një grua e bukur me bishtaleca. Një fëmijë tjetër dhe një grua e moshuar zunë t’i fërkonin ballin, por nusja mbaroi në duart e tyre. Britmat e grave që nxitonin drejt saj ishin ngjethëse » (Bisedë, tetor 1995).

    « Si e gjallë, Esmazeza, Esma !» (Natë lufte mbi Shkumbin, vepra 5, f.273).

    Ata dërrmohen fare shpirtërisht. „Në një pllajë të Golikut, në fshatin Rodokal, një burrë prashit në një kopsht pranë një shtëpie“:

    « Mezi i dallohen lëvizjet që bën duke çukitur dheun, për të ndarë ujët nëpër lehe dhe duke i dëgjuar dheut shushuritjen e etjes që ai shuan » (Natë lufte mbi Shkumbin, vepra 5, f.273).

    U afrohet dhe i pyet me ankth: « U vra? » Ai e ka dëgjuar oshëtimën e betejës dhe fjalën e ka me siguri për Reshitin. « U vra », i përgjigjen ata. Burri i fton për kafe. I ngjit në odën e miqve dhe i lut të rrinë e të pushojnë. E kishte patur Reshitin mik shtëpie.

    Aq i fortë ishte imazhi i luftaraki Reshit Çollakut sa pas një jave, gjatë darkës në Manastirec, “një korrier që kishte ardhur atë ditë, këndoi një këngë për të. Kënga ishte thënë së pari në një fshat tjetër, nga një këngëtar, një trim që luftonte me çetën e tij. E kishte thurur ditën e betejës”. Shuteriqi ka përshkruar skena të tilla edhe te tregimi Kujtim i paharruar, Kënga dhe pushka »,1963. Në Manastirec Dhimitri blen dy palë opinga, një palë për vete dhe një palë për Ptolemeun, që nuk i veshi dot, se u vra. Pas pak ai do ta mësonte të vërtetën. Në Pogradec qe përhapur fjala se midis të vrarëve ishte Dhimitër Shuteriqi, sepse atë mëngjes ai i pati dhënë xhupin e vet Ptolemeut dhe në xhep kishte letërnjoftimin.

    « Disa e morën vesh që s’isha unë, se njohën Ptolemeun. Edhe ai kishte kaluar disa pushime verore atje. I ati, Simoni, që ishte në Tushemisht me Piron, vëllain e Dhimitrit të sëmurë rëndë, sepse nga rrahjet në kuesturë i ishte thyer shtylla kurrizore, sa e mori vesh, „e mbajti frymën në qytet që të bindej me sytë e vet për gjëmën që e kishte gjetur, por dhimbja nuk qe e vogël, kur pa djalin e shokut të vet, Aleksandrit» (Bisedë, tetor 1995).

    Ajo ishte një nga humbjet më të mëdha të ushtrisë partizane. U vra gati i gjithë shtabi i dy batalioneve duke filluar me komandantin trim të Batalionit të Mokrës, Reshit Çollakun e duke vazhduar me trimat e tjerë Siri Kodra dhe Spiro Gjiknuri, njëri zëvendëskomandant dhe tjetri zëvendëskomisar i batalionit të Dumresë ; Ptoleme Xhuvani, shok i tij, Isuf Leka e Petrit Blloshmi, djali i Shaban Blloshmit, të dy miq të shtëpisë së Shuteriqëve e të tjerë. Itinerari mortor i asaj beteje ishte i gjatë. Me frymëzimin e hidhur të betejës, Dhimitri hedh në bllok vargjet e para të poemës elegjiake « O Ptoleme! », një krijim tronditës me një stil modern:

    « Ç’të jenë, o Ptoleme? / Çtë jenë, o gur, o bush, o dhé? / Ç’të jenë o Piskupat, / o gjol, o dritë, o Mal i Thatë? / Ç’të jenë këta të ngratë? / Gjakbamë? Bukëshkalë? / Gojëprishë? Nderprishë? / Qorr e sakat? / Apo shqiptarë barbarë? ».

     Këtë poemë që e mbaroi pjesë-pjesë në mal, Shuteriqi e botoi fillimisht te gazeta Shkumbini, në Elbasan, më 16 janar 1945, pastaj te revista Bota e re, nr.1, korrik 1945. Si libër e radhiti dhe e shtypi vetë në shtypshkronjën « Saide » të Elbasanit, më 23 shtator 1945.

     Në faqen e parë është shkëputur fraza e famshme nga hartimi i Ptolemeut në vitin e fundit të liceut: « Oh! sa bukur sikur të kishe vdekë edhe unë për Atdhe! ».

    Episodet e jetës së shkrimtarit të shpërndara në vepër, kujtimet dhe bisedat e ushtrojnë magjinë dhe pushtetin e tyre në një mënyrë të atillë që asnjë interpretim tjetër nuk mund t’i zëvendësojë. Ato na ndihmojnë ta pasurojmë edhe më tej imazhin tonë për shkrimtarin Dhimitër S. Shuteriqi, për të cilin përshkrimi i së vërtetës historike ngallmohet me të vërtetën artistike, që varet jo vetëm nga forma e saj, por nga mënyra sesi e vështron ai objektin. Kësisoj, liria për të qëmtuar ngjarje për projektin e një portreti të madh, nisur nga një autoportret i vetvetishëm në tekste letrare, kujtime e biseda është dobiprurëse. 

    Shkrimtari i vërtetë krijon padashur një mit, jehona e të cilit parathotë rrugën e pakthyeshme të së ardhmes së tij letrare:

    “Gjithë jetën kam shkruar duke kërkuar diçka. Idetë më vinin me shumicë. Kështu dita-ditës u formësuan veprat e mia, sidomos ato studimore, që mbase ndonjë prej tyre do t’u vlente studiuesve të rinj. Kam jetuar gjithnjë me shqetësimin për të punuar. Tani mund të them se ka një lloj organizimi të brendshëm në veprën time. Proza ka qenë si një moment çlodhjeje. Merrja frymë kur më mbyste shkenca”. (Bisedë, shtator 1999).

    Ai do ta ruajë përjetësisht Elbasanin si gjë të shtrenjtë në kujtimet e tij nostalgjike:

    “Elbasani kishte për mua një tërheqje të madhe, ashtu si ndodh me atë që bie në dashuri” (Bisedë, korrik 2001).

    Jetëshkrimi i Shuteriqit vjen përmes teksteve, bisedave e kujtimeve që sintetizohen me mendimet e lexuesit. Ai ka fatin e tij, si shkrimtar dhe studiues i përmasave të mëdha që i ka sjellë apoteozën. Kujtimet historike shpesh përputhen me kujtesën letrare në një mënyrë të atillë, sa ato formojnë disa shtylla argumentesh të fuqishme për të interpretuar veprën e shkruar që ka lënë. Kështu ndërthurja jetë / vepër te Shuteriqi përmban një dialektikë të qëndrueshme që shmang transformimet artificiale dhe ndihmon të hyjmë tek e vërteta e tij krijuese.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË