SHKOLLA e VIZATIMIT
Më 29 janar të vitit 1932 Ministria e Arsimit e Mbretërisë Shqiptare njoftoi themelimin e Shkollës së Vizatimit në Tiranë, e para Shkollë Arti në Shqipëri. Përmes një shkrese të posaçme Ministria e Arsimit porosit të inkurajohen nxënësit e gjimnazeve në të gjithë vendin që tregojnë aftësi për vizatim për me frekuentue shkollën e lartpërmendun. Në atë dokument shkruhet gjithashtu se me propozimin e Komitetit Artistik dhe vendim të Ministrisë së Arsimit, shkolla do të drejtohet nga z. Prof. Mario Ridola, i ndihmuar nga Andrea Thanasi, profesor i gjimnazit.
Gjatë viteve ’30 të shekullit të kaluar Shkolla e Vizatimit u kthye në një qendër të rëndësishme të veprimtarive artistike në Shqipëri. Krahas përgatitjes së artistëve të ardhshëm, në mjediset e atij institucioni u organizuan disa ekspozita me krijime të nxënësve dhe të mësuesve të shkollës si dhe me punime të piktorëve dhe skulptorëve të tjerë nga i gjithë vendi. Aty ekspozuan edhe autorë të huaj. Piktori gjerman Carl Blohm, pasi jetoi dhe pikturoi për disa muaj nëpër disa krahina të ndryshme, në muajin nëntor të vitit 1934 përgatiti një ekspozitë vetjake me tema shqiptare në sallat e Shkollës së Vizatimit. Veprimtaria më e rëndësishme u organizua gjatë muajit nëntor të vitit 1937. Në mjediset e shkollës së artit u ekspozuan të gjitha bocetet e skulptorëve dhe arkitektëve që morën pjesë në Konkursi Ndërkombëtar për ngritjen e monumentit kushtuar Gjergj Kastriotit. Edhe skulptori italian Romano Romaneli, autori i monumentit ekuestër të Skënderbeut në Romë, erdhi pikërisht në sallat e Shkollës së vizatimit, ku skicoi vizatimet e para për variantin e monumentit që realizoi në Itali.
Shkolla e Vizatimit bashkë me të gjithë ish mësuesit dhe ish nxënësit e saj kanë një vend të rëndësishëm në Historinë e Artit Shqiptar. Në atë shkollë u hodhën hapat e para në rrugë profesionale për zhvillimin e arteve figurative. Aty e kanë pikënisjen disa nga tablotë më të mira të traditës, aty morën mësimet e para mësuesit e ardhshëm të brezit më të ri të artistëve shqiptarë.
Para pak ditësh në Itali u botua një monografi për piktorin Mario Ridola. Libri është shkruar nga historiani, studiuesi dhe shkrimtari i njohur Bruno Castagna. Siç paraqitet edhe në atë botim veprimtaria më e rëndësishme e artistit italian është drejtimi i Shkollës së Vizatimit në Tiranën e viteve ’30. Monografia kushtuar drejtuesit të së parës Shkollës Arti në Shqipëri, shoqërohet me dy parathënie nga dy historianë të artit Antonio Falbo dhe Ferid Hudhri.
Gjatë epokës së artë të Rilindjes Italiane, pikërisht në periudhën kur jehona e veprave të Leonardos, Mikelanxhelos, Rafaelit dhe mendjeve të tjera të ndritura rrezatonin në të gjitha mjediset artistike të Europës, trojet shqiptare në anën tjetër të Adriatikut vazhdonin të ishin nën pushtetin e Perandorisë Osmane. Kur artistët në bregun përballë nesh vendosnin njeriun në qendër të krijimeve të tyre, feja e pushtuesve osmanë nuk lejonte asnjë lloj pikturimi apo vizatimi të figurave njerëzore, as motive të tjera nga jeta e gjallë. Kështu për disa shekuj, në të dy anët e Adriatikun jeta ecte në kahje të ndryshme. Nga brigjet e shqiptarëve banorët u mbajtën larg ideve iluministe të Rilindjes. Artistët vendas nuk mundën të përjetësonin si duhet jetën e bashkëkohësve, madje as të krijonin imazhin e mjediseve ku banonin. Vepra e parë e Rilindjes Shqiptare, tabloja Motra Tone e Idromenos, u realizua në janar të vitit 1883, thuajse 5 shekuj më pas.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2025/02/2-.Pazari-Tiranes-1024x687.jpg)
Gjithsesi, duke qenë përballë vendit nga ku u përhapën idetë iluministe, shqiptarët patën fatin të përjetësoheshin në disa veprat prej artistëve italianë. Afresku i Paolo Veronezes Mbrojtja e Shkodrës në Pallatin Dukal të Venecias dhe portreti i Skënderbeut pikturuar nga Cristofano dell’Altissimo në Galerinë Uffizi të Firences, janë dy nga tablotë e njohura në dy muze shumë të rëndësishëm, krahas shumë veprave të tjera që ndodhen nëpër galeri, muze dhe koleksione të ndryshme. Motive të tjera arbërore u pikturuan edhe nga autorë të shquar si Botticelli, Bellini, Pinturicchio, Carpaccio, Lipparini, Hayez, Lotto etj. Pas periudhës së Rilindjes e deri në ditët e sotme ekzistojnë disa qindra vepra arti me motive shqiptare të realizuara nga piktorët dhe skulptorët A. Deveria, F. Agricola, B. Pinelli, A. Preziosi, E. Baroni, L. Basiletti, A. Beltrame, A. Biagini, S. Bulo, M. Cavalla, P. Conti, U. Giunti, R. Romanelli, L. Piffero e shumë të tjerë .
Një pjesë e madhe e krijimeve artistike u realizuan gjatë shekullin e XIX, në atë kohë kur u shtuan më shumë përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Në vitet e mëpasshme, sidomos gjatë dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XX, artistët italianë udhëtuan dhe pikturuan më shpesh midis shqiptarëve. Piktori i njohur Aldo Carpi para se të bëhej profesor, dekan dhe drejtor i Akademisë së njohur Brera në Milano kishte vizatuar nëpër trojet shqiptare motive të ndryshme nga jeta e përditshme. Të kësaj periudhe, midis viteve 1916-1918, janë edhe disa peizazhe e tablo të pikturuara nga Arturo Bianchini, Gino Romiti, Tommaso Cascella etj. Pak vite më vonë në Romë u organizuan ekspozita të veçanta me piktura me temë shqiptare nga Vincenzo Ciardo, Giorgio Oprandi dhe artistë të tjerë italianë.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2025/02/3-Gjysepina-Kosturi.jpg)
Në lakun kohor të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit të kaluar, kur studiot e artistëve italianë ishin pasuruar me më shumë motive shqiptare, erdhi për të pikturuar në Tiranë edhe Mario Ridola. Që në muajt e parë të njohjes me botën e shqiptarëve, piktori Ridola u bë i pranishëm në dy veprimtaritë më të rëndësishme të asaj kohe; më 10 maj të vitit 1931, kur u krijua shoqëria Miqtë e Artit në Tiranë dhe, më 24 maj, kur u hap Ekspozita e Parë Kombëtare e Artit Shqiptar. Ridola e pa me sytë e tij suksesin e menjëhershëm të ekspozitës. Edhe në shtypin e kohës u shkrua se Ekspozita e artit e mrekulloi publikun e Tiranës me bukurinë dhe shkëlqimin e saj! Arritjet e Ekspozitës e afruan realizimin e idesë së hershme të artistëve shqiptarë se koha për të hapur një Shkollë Arti kishte ardhur. Vetëm pak muaj pasi piktori Andrea Kushi kishte çelur kursin e vizatimit, në Tiranë u hap Shkolla e Vizatimit, e para Shkollë Arti në Shqipëri.
Dokumenti që njofton themelimin e Shkollës së Vizatimit mban datën 29 janar 1932. Sipas shkresës së Ministrisë së Arsimit: Komiteti Artistik ka themelue një shkollë vizatimi që ka për qëllim me stërvitë në arte të bukura gjithë djemtë që tregojnë aftësi të veçantë. Shkolla është e drejtueme prej z. Prof. Mario Ridola, organizator i Komitetit Artistik, i ndihmuar nga Andrea Thanasi, profesor i gjimnazit1.
Angazhimi i drejtuesit të shkollës ishte i përnjëhershëm. Sipas kronikës së kohës, artisti italian bëri një konkurs në të gjithë shkollat e Shqipërisë dhe ay që do të japë shenja talenti do të merret si bursist. Konkursi bëhet në mënyrë që z. Ridola të sigurohet se vizatimet që erdhën janë autentike t’atyre që i kanë nënshkruar. Askush tjetërs’ka vënë dorë mbi to2. Në shtypin e kohës botoheshin lajme për datat e konkurseve nëpër qytetet kryesore, shkruhej edhe për interesimin e të rinjve. As intelektualët më optimistë të asaj kohe nuk mund të mendonin se kërkesat për shkollë arti do të ishin aq të mëdha. Për konkurrimin në Tiranë, në një nga gazetat kryesore të viteve ‘30, shkruhej: U paraqitën 150 kandidatë, djem e vajza dhe instruktorët vunë re një interesim të madh për artin ndër të rinjtë shqiptarë, shumë më të madh se ç’e pandehnim. Salla në të cilën zhvillohet konkursi është shumë e bukur, e plotësuar dhe e stolisur në mënyrë që t’i inspirojë kursistët e zellshëm dhe të lehtësojë në zbulimin e disa talenteve e pasioneve artistike të panjohura. Fatkeqësisht salla është e vogël për 150 vetë!3
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2025/02/4-Ridola-Catanzaro-1024x967.jpg)
Në vitet ’30 kur Shkolla e Vizatimit hidhte hapat e para, nëpër Europë ishin në lulëzim rrymat moderne në pikturë. Ato po depërtonin edhe në shkollat dhe akademitë e njohura të artit. Shkolla shqiptare, ende në djep, do të çorientohej nga futja e atyre korrenteve të reja artistike. Drejtuesi Ridola dhe artistët shqiptarë A. Buza, O. Paskali, A. Kushi, me mësimdhënien e përkushtuar, si dhe përpjekjet për t’u përshtatur me psikologjinë dhe traditën shqiptare, krijuan profilin e një shkolle të kohës, me nivel e kërkesa të qarta profesionale, mbështetur po ashtu në trashëgiminë kombëtare. Ridola solli nga Italia disa modele në gips, kopje të kryeveprave të artit antik, për t’u mësuar nxënësve mjeshtërinë e vizatimit, raportet e dritëhijes, format e volumit, vlerat e plastikës dhe kompozimit artistik, ndjenjën e ritmit dhe të frakturës. Por, për të perfeksionuar aftësitë artistike, Ridola i kushtoi më shumë rëndësi punës së studentëve përballë modeleve të gjalla. Nëpër atelietë e vizatimit, pikturës dhe skulpturës, erdhën për të pozuar djem të rinj, gra dhe burra me veshje tradicionale. Me portretizimin e tyre, nxënësit jo vetëm përvetësonin dijen mbi artin e të vizatuarit, por, çka ishte më e rëndësishme, përpiqeshin të kapnin psikologjinë e personazhit e përmes tyre psikologjinë e vetë kohës, botën shqiptare të viteve ’30. Ndërsa gjatë pikturimit të veshjeve njiheshin me mjeshtërinë e artit popullor dhe frymëzoheshin nga elemente etnografike të trashëgimisë kombëtare. Nga fundi i vitit të parë u konstatua se, siç ishte shkruar në një nga revistat e Tiranës, Shkolla e Vizatimit tani është diçka më tepër se ç’dëfton emri modest i saj… puna që ka kryer z. Ridola na bën të shohim perspektivën e Akademisë Shqiptare t’Arteve të Bukura4.
Mësuesi Ridola pikturonte edhe vetë të njëjtat modele me nxënësit e Shkollës së Vizatimit. Ndërkohë krijoi edhe tablo të tjera direkt nga natyra. Në kronikën e shkollës shkruhej se z. Ridola q’është një piktor i mbaruar, ka punuar gjatë këtyre muajve dhe ka bërë shumë tablo, vendosi që viti shkollor të mbyllet me një ekspozitë. I bije tablotë e tija, i ve nëpër mure bashkë me vizatimet e nxënësve, i thërret edhe piktorët e skulptorët shqiptarë të marrin pjesë n’ekspozitë 5. Nga ajo periudhë ruhen edhe sot në Galerinë Kombëtare të Artit Shqiptar në Tiranë portreti Plaku me shkop i ish-nxënësit S. Kaceli, si dhe punime të tjera nga I. Kodra, F. Stamo, N. Zajmi, K. Kodheli, Q. Grezda, L. Nikolla, G. Strazimiri, F. Pëllumbi etj.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2025/02/6-Shkolla-Viz-3.jpg)
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2025/02/5-Shkolla-Viz-2.jpg)
Nga Shkolla e Vizatimit pjesa më e madhe e nxënësve u nisën për studime në akademitë e arteve të Romës, Firences, Milanos dhe Parisit. Pas diplomimit u kthyen në atdhe. Disa prej tyre u bënë mësues të brezit më të ri, të tjerë kontribuan në fusha të ndryshme të artit. Megjithëse i kishin aftësitë dhe mundësitë të qëndronin dhe të pikturonin nëpër Europë, ata ja kushtuan zhvillimit të artit shqiptar gjithë krijimtarinë dhe veprimtaritë e tyre artistike. Nga ajo kohë Ibrahim Kodra, pasi kreu Akademinë Brera qëndroi deri në fund të jetës në Itali. Pikturoi dhe ekspozoi midis artistëve më të shquar të Europës. Sot vlerësohet si një nga piktorët më të shquar të diasporës shqiptare. Ndërsa me veprat e krijuara prej artistëve të tjerë që u kthyen në atdhe pas studimeve akademike, u pasurua fondi i krijimtarisë artistike në Shqipëri. Emrat e piktorëve Kaceli, Zajmi, Stamo, Kodheli, Sejdini, Nikolla, Grezda etj., që dolën nga Shkolla e Vizatimit bashkë me gjeneratën e mëparshme të artistëve Idromeno, Rrota, Paskali, Mio, Buza, Kolombi, Paço, Koljaka, motrat Zengo, Jani, Tuçi etj., të cilët gjithashtu pasi kryen studimet nëpër Europë, u kthyen në vendlindje, sot përbëjnë brezin e krijuesve më të rëndësishëm të trashëgimisë shqiptare ne art.
Pas vitit 1944 në Tiranë u hap Shkolla e Mesme Artistike “Jordan Misja”. U ngrit Instituti i Lartë i Arteve, më pas Akademia e Arteve dhe tani Universiteti i Arteve. Në secilën prej këtyre institucioneve të rëndësishme do të përmendet vazhdimisht Shkolla e Vizatimit, si e para shkollë arti në Shqipëri që u ngrit në Tiranën e vitit 1932.
*
Por pas vitit 1944 u krijua edhe një shkëputje tjetër e shqiptarëve nga zhvillimet artistike të vendeve perëndimore. Nga kufizimet e Luftës së Ftohtë gjatë atyre viteve në Shqipëri nuk mund të përmendeshin artistët nga Perëndimi. Kështu për shumë kohë nuk u kujtua asnjëherë edhe piktori Mario Ridola, i cili krahas veprave të artit me temë shqiptare, kishte drejtuar shkollën e parë të artit në Tiranë.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2025/02/8-Kaceli-1.jpg)
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2025/02/9-Kodra-IB.jpg)
Edhe në vitit 1983, kur në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u përkujtua 50 vjetori i Shkollës së Vizatimit, Ridola nuk u përmend. Bashkë me ish nxënësit, në atë mbrëmje përkujtimore morën pjesë dy ish mësuesit kryesor të shkollës, skulptori Odhise Paskali dhe piktori Abdurrahim Buza. Ish mësuesi Mario Ridola kish ndërruar jetë 13 vjet më parë, por edhe i gjallë të ishte nuk mund të ftohej në atë përvjetor. Krahas Luftës së Ftohtë shqiptarët në ato vite po ndjenin edhe peshën e vetizolimit nga shteti komunist. Ndonëse ish mësuesit dhe ish nxënësit e Shkollës së Vizatimit që diskutuan në atë pasditen e 5 janarit të vitit 1983, nuk mundën t’i përmendin as edhe emrin, në mendjet e tyre, midis kujtimeve të shumta, gjithë kohës vërtitej imazhi i mësuesit dhe drejtorit të tyre. Mario Ridola nuk u kujtua atë natë, por kontributi i tij mbetet i paharrueshëm për të gjithë ish nxënësit e Shkollës së Vizatimit. Emri i tij zë një vend të veçantë në Historinë e Artit Shqiptar.
*
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2025/02/10-Andrea-Kushi.jpg)
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2025/02/11Kaceli-Shkolla.jpg)
Gjatë kërkimeve shumëvjeçare për studimin Shqiptarët në Artin Botëror, pas zbulimit të çdo vepre të re më lindte dëshira për të biseduar me autorin rreth mbresave gjatë ditëve të pikturimeve, si dhe për ndjesitë që provonin nga ndarja që kishte ndodhur me tablotë e tyre. Por ishte një mision i pamundur. Në ato vite as nuk mund të mendohej kontakti me artistët nga vendet perëndimore. Megjithatë, edhe në atë kohë të vështirë, ndodhi një rast i vetëm. Në javën e parë të nëntorit të vitit 1985 marr një letër nga Japonia. Piktorja Kimiko Amabe më shkruante për ditët e pikturimeve nëpër Shqipëri gjatë pranverës së vitit 1965. Kishte qenë bashkë me piktorin e shquar Inosuke Hazama (1895-1977). Në atë letër shprehej shumë mall, nostalgji dhe adhurim. Dukej si një poezi dashurie për Shqipërinë dhe shqiptarët. Midis të tjerave shkruante: pikënisja ku unë mbështetem tani dhe më vë akoma në lëvizje është Shqipëria. Të mendosh në kohën tonë se ka një vend të tillë në botë, të duket gati-gati si ëndërr. Njerëzit ishin të pastër në shpirt. Fëmijët ishin të ëmbël, porsi engjëj, dhe s’besoj të ketë vend tjetër në botë ku fëmijët edukohen aq mirë sa atje. Po të mos ishte udhëtimi im në Shqipëri, një përvojë e çmuar kjo për gjithë jetën time, nuk do ta kisha gjetur sensin për të thyer mosbesimin njerëzor dhe s’dihet në do të kisha arritur ku jam sot në rrugën e mundimshme të artit.6Interesi që ngjalli edhe te lexuesit e shumtë të gazetës Drita, ku u botuan fragmente nga kjo letër në dhjetor të vitit 1985, ma ngacmoi më shumë mendimin e dikurshëm për të kontaktuar artistët, por situata vazhdonte të ishte e njëjtë; e pamundur për t’u lidhur me artistët e huaj.
Pas viteve ’90, kur Shqipëria u hap me botën dhe mundësia e komunikimeve ishte e madhe, m’u rikthye më e fuqishme ajo ide. Midis artistëve që kishin ardhur në gjysmën e parë të shekullit të kaluar më shumë sillja ndërmend Mario Ridola-n, mësuesin e parë të brezit të piktorëve shqiptarë të viteve ’30. Dhe, për koicidencë, përsëri në javën e parë të një nëntorit tjetër, atij të vitit 2023, më vjen një email nga Italia. Më kërkohej informacione rreth veprimtarisë artistike të piktorit Mario Ridola në Tiranën e viteve ‘30. Fjalia e fundit e email-it: Ridola era mio nonno. La saluto cordialmente, Bruno Castagna, më befasoi edhe më gëzoi më shumë. Email-i ishte shkruar nga nipi i artistit Mario Ridola, nga historiani, studiuesi dhe shkrimtari i njohur Bruno Castagna. Një ngjarje e bukur në punën time si studiues. Për një çast m’u duk sikur u lidha me vetë mjeshtrin që kishte pikturuar në Tiranë.
Në se nga letra e piktores Amabe ndjeva mbresat, dashurinë dhe mallin e artistes për muajt e pikturimeve nëpër Shqipërinë e vitit 1965, nga komunikimet me shkrimtarin Castagna kuptova më mirë ndjesinë e krenarisë së nipit për veprimtarinë artistike të gjyshit piktor në Tiranën e viteve ‘30. U binda gjithashtu se lidhjet që i kërkoja dikur me autorët e tablove me temë shqiptare, lidhje që nuk u arritën as me fëmijët, po realizohen me nipërit. Historia vazhdon.
Ndonëse për Ridola-n kisha shkruar në librat Arti i Rilindjes Shqiptare dhe Shqiptarët në Artin Botëror, përsëri mora kënaqësinë t’i rihap edhe një herë skedimet e mëparshme, për të bërë kërkime dhe hulumtime të reja. Nga bashkëpunimi me studiuesin Bruno Castagna dolën në dritë disa tablo të tjera, të pikturuara në Tiranë apo edhe në studion e tij në Itali.
Deri dje kishim më pak të dhëna për artistin Ridola. Tani, pas një pune të gjatë e të kujdesshme të autorit të këtij libri, pas kërkimeve intensive për zbulimin e veprave të panjohura më parë, si dhe me hulumtimet e reja rreth jetës dhe krijimtarisë së piktorit në Itali, në Shqipëri dhe vende të tjera, e kemi të plotë të gjithë veprimtarinë artistike të mjeshtrit Mario Ridola. Me këtë libër rikujtojmë edhe njëherë fillimet e të parës Shkollë Arti në Shqipëri.
Bibliografi:
1. Sipas dokumentit që ruhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Tiranë, Fondi Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Dosja nr. 13, Viti 1932.
2. Një djep i jetës artistike në Shqipëri, revista Minerva, nr. 10, Tiranë, 13 maj 1932.
3. Paraqiten 150 kandidatë në Konkursin Artistik, Gazeta e Korçës, Korçë, 14 maj 1931.
4. Çika, N., Një djep i jetës artistike në Shqipëri, revista Minerva, nr. 10, Tiranë, 13 maj 1932.
5. Çika, N. (artikulli i cituar).
6. Shqipëria vendlindja ime e dytë, (përktheu nga japonishtja, Ilir Konomi), gazeta Drita, f. 16, Tiranë, 1 dhjetor 1985.