More
    KreuMuzikëFatmir Manushi: Alfons Balliçi, përtej rrugëtimit të usta Isuf Myzyrit

    Fatmir Manushi: Alfons Balliçi, përtej rrugëtimit të usta Isuf Myzyrit

    Elbasani i viteve pesëdhjetë të shekullit që lamë pas, si e gjithë Shqipëria, ishte i përfshirë në entuziazmin  e komunizmi t eksperimental për shoqërizimin e gjithë jetës materiale dhe shpirtërore. E shkuara e këtij qyteti të bukur dhe të butë, qytetit të luleve, ballokumeve, këngëve dhe arsimit dukej se po gremisej në harresë, shoqëruar  nën tingujt e këngëve të usta Isuf Myzyrit.

    Një lulishtë me trandafila

    Asht parajsa e vërtet

    Ky asht vend q’i kndojn bylbylat

    Flak ç’mu dogj ashiku i shkret

    …………………………………………….

    Dhe ndërsa Usta Isufi po ikte nga kjo jetë duke lënë pas lirizmin e tij të strukur në shpirtrat e elbasanasve, një fëmijë çapiste në skenat e shfaqjeve publike, me kitarën po aq sa shtati i tij. Ky djalosh ishte Alfons Balliçi. Zoti di ç’bën.Qytetin e kishte bekuar me një muzikant të ri.

    Është e vërtetë që edukimin muzikor e mori nga i ati, instrumentist i kitarës, por, siç do të shprehej kompozitori Aleksander Lalo, ”(Alfonsi) kishte lindur me fat të madh për muzikë, sepse kishte një vesh të jashtëzakonshëm, që më vonë për ne kolegët do bëhej proverbial e do t’i thureshin legjenda edhe nga ato që mund të duken si të pabesueshme.” Instrumenti i të atit filloi të shndërrohej në lodra e këtij fëmije ëndërimtar, të cilën e përdorte më shumë kur i ati nuk ndodhej në shtëpi.

    -Mos e prek, – e qortonte e ëma sa herë e shihte me kitarën e stërmadhe për trupin e tij.- Mos e prek se me atë hamë bukë. Do t’kpus  kokën yt atë po të pa që ia lun kitarën.

    Kjo trysni e bënte më kurioz për këtë kuti që lëshonte tinguj magjik kur i prekje telat e tendosur. Dhe “hataja” ndodhi një mbasdite kur ishte zhytur i tëri në harmoninë e tingujve, ndërsa përkëdhelte telat e kitarës së vendosur mbi kofshët e voçkëla. Dera e dhomës ishte hapur dhe në të u shfaq babai. Levizi vrullshëm duke larguar me forcë kitarën që u rrokullis në dysheme. U struk i tromaksur në qoshkun më të afërt. Që përtej dhomës dëgjohej ofshama e së  ëmës me theksin peqinas.

    -T’kam thënë mos e prek, sa herë t’kam thënë?

    Babai, një elbasanas tipik në qetësinë e vet, mori kitarën, u ul në minderin ku luante i biri dhe i tha.

    -Ulu këtu- duke vënë pëllëmbën e dorës mbi minder, në të djathtë të tij. U afrua ngadalë, ende duke besuar se ajo pëllëmbë do t’i fluturonte mbi. U rehatua pasi pëllëmba i shpupurisi flokët, ndjehej mirë pranë babait që ai njihte.

    Dita e parë që filloi të merrte mësime në kitarë nga i ati. Ishte vetëm katër vjeç.

    Aii mprovizonte dhe tingujt e harmonishëm i fluturonin nga pentagrami i telave të kitarës dhe më pak  nga ai i notave mbi pentagramin letër. Thuhet se fati e përkëdheli herët, duke e ngjitur në skenë ende fëmijë. Por shumë mendojnë se fati e gjeti atë, ai ishte virtuozi. E zhvilloi perfeksionin në kitarë duke punuar orë e orë çdo ditë, ndërsa nuk e grishnin aspak lodrat dhe aventurat e bashkëmoshatarëve.

    Adoleshenca e gjeti të rritur, si instrumentist. Si i tillë do të shfaqej në formacionet muzikore të qytetit duke tërhequr admirimin e bashkëqytetarëve. Ne hotel Turizmin (e vjetër) do të jetë pjesë e orkestrës, megjithëse pesëmbëdhjetëvjeçar dhe kitara e tij do joshte sa e sa dëfrimtarë në këngë e vallëzime. Dhe ndërsa rritej duke u përkëdhelur nga ky admirim i pakursyer, djaloshi  simpatik, fytyrërumbullakët dhe I qeshur bëhej akoma më interesant e tërheqës edhe për vajzat. Ai ishte i sjellshëm dhe elegant. Por vendi që i rezervonte fama dhe vituoziteti  i shtuan njëlloj “aristokracie” sjelljeve të tij. Në këtë kohë ndodhi të njihej me një tjetër bashkëmoshatar dhe virtuoz të muzikës, Ferdinand Deda. Festa e Shelgut, buzë lumit Shkumbin, pranë Cërrikut, bëhej ç’do vit në përkujtim të një batalioni të luftës antifashiste. Ajo merrte përmasa të mëdha nga propaganda e kohës dhe mblidheshin aty shumë banor të zonës,  Cërrikut,  Elbasanit e Peqinit. Ansamblet e tyre derdhnin talentet duke e shndërruar festën e Shelgut në një ditë vërtet të gëzueshme. Alfonsi  vinte me trupën e Elbasanit ndërsa Ferdinandi me atë të Peqinit. Të gjithë gëzonin dhe harbonin për qejfin e tyre dhe askujt nuk u shkonte mendja se pikërisht aty takoheshin sëpari dy nga më virtuozët e muzikës moderne  Shqiptare. Rrugëtimi i tyre muzikor do t’i shoqëronte për gjithë jetën, si vëllezër siamez. Me gjithë telashet që diktatura derdhte mbi ta, do t’i  gjendeshin njëri tjetrit .”Ai ishte nxënës në Liceun Artistik atëherë –shprehej Alfonsi në një intervistë – dhe vinte kastile në Elbasan për të punuar me mua. Bëmë një grup shumë simpatik. Njohja me Ferdinandin ndikoi në zhvillimin tim të mëtejshëm muzikor, sepse Ferdinandi jo vetëm që ishte shumë i talentuar, por vinte nga Tirana, përfaqësonte diçka tjetër. Dhe Tirana ishte  ëndërr, në atë kohë, për gjithë artistët e rretheve.  Këtu pata një hop cilësor. Mund të them se ne mësonim nga njëri tjetri. Ai luante në fizarmonikë solo, unë e shoqëroja në kitarë. Me Ferdinandin haheshim si macja me miun se cili do të gjente notën. Ferdi më angazhoi edhe më shumë dhe truri im, edhe pse i ri, nisi të ekspozohej përpara një bote muzikore gjithnjë e më të pasur” .Shkollimin e mesëm e kreu në një nga gjimnazet e Elbasanit dhe muzika vijonte t’i buronte përmes virtuozitetit. Miqtë muzikantë do të befasoheshin nga improvizimet e tij të pa precedent për kohën . A.Lalo do të shprehej se ”Alfonsin e bëri muzikant pasioni më tepër se kultivimi, ishte tepër subjektiv….shpesh një pikë referimi për ne “.

    Në këtë atmosferë suksesesh dhe adhurimi, veçanërisht nga të rinjtë, ai do të garonte në Institutin e Lartë të Arteve. Vinte nga gjimnazi dhe jo nga shkollë muzikore. Aq më tepër në moshë më të madhe nga bashkëkonkurrentët, pasi sapo kishte kryer dhe shërbimin ushtarak. E kishin shtyrë në këtë “aventurë” miqtë e tij muzikant e veçanërisht shoku i tij Ferdinand Deda, i cili, pas një edukimi të mirëfilltë muzikor ishte bërë, brenda një kohe të shkurtër, personalitet i rëndësishëm i muzikës në Shqipëri. Me virtuozitetin dhe perfeksionin në evidentimin e tingullit iu qep solfezhit për ta zotëruar më së miri. Por e ndiente boshllëkun e madh në teorinë e harmonisë. Ai ishte virtuozi që ende nuk dinte të shpjegonte harmonin e dalë nga interpretimi i tij. Në qendër të panelit që do ta vlerësonte ndodhej i adhurueshmi Çesk Zadeja, pedagogët e tjerë nuk i njihte. Dhe, normalisht, ndodhi ajo që pritej. E pyetën mbi diçka që lidhej me teorinë e muzikës. Mbeti si dru, i turpëruar.

    -Ky nuk është liceist,- ndërhyri dikush nga juria, -ktheje me shpinë nga pianoja dhe e pyesim për tingullin.

    Dikush filloj  t’i binte pianos me një notë dhe Alfonsi gjente lehtësisht notën përkatëse, pastaj me dy e tre nota.

    -O po bjeri me bërryl pianos, -ndërhyri përsëri nga juria. Alfonsi, i gjendur në habitatin e vet befasonte panelin me evidentimin e pagabueshëm të notave.

    -Këta janë talente, për këta kemi nevojë,  -vlerësoi i kënaqur Profesor Zadeja  

    Jeta në Tiranë ishte jo më pak e magjishme. Studenti i afirmuar si muzikant që e kalonte kohën e lirë duke luajtur në orkestrat rinore më të mira të kryeqytetit. Ishte padyshim kitaristi më i kërkuar. Kur hynte në sallë pritej me ovacione si një mjeshtër i vërtet. ”Në qytetin Studenti, – kujton kompozitori Gazmend Mullhaj – ishte I magjishëm. Në atë kohë ishte e vështirë të gjeje dhe tela kitare, por Fonsi me katër pesë tela i trazonte studentët, duke i kthyer takimet në festa të vërteta. Loja në kitarë kishte karakter improvizues, shpirt dhe muzikalitet të lart, të magjishëm, nuk përsëriste vetveten. “Suksesi dhe gjendja e mirë ekonomike që buronte nga koncertet i lejonin të shijonte moshën, me aq sa lëshonte litarin diktatura. Ishin vitet gjashtëdhjetë. Vite kur botohej Heminguej, vite kur në mbrëmjet rinore të vallëzimit ndodhte të kërcehej charlestoni, vite kur kishte hapur siparin festivali I i këngës (në imitim të Sanremos), vite kur dëgjoheshin Bitëllsat dhe Hitparade, vite kur një rruge në Tiranë rinia e thërriste Broadway, vite kur djaloshi Kadare niste rrugëtimin metaforik të kryeveprave në letërsi, ishin vitet e bohemëve të parë, kur ndër intelektualët qarkullonte më tepër art ndër biseda e takime sesa në vitrinat zyrtare të jetës së tyre. Pjesë e kësaj bote ishte dhe Alfonsi, si pikë referimi për artistët dhe muzikantët, ku bashkë me muzikën përzihej dhe alkooli, apo fërneti, në modë të asaj kohe. Ne periudhën si student i Institutit të Lartë të Arteve ai e kishte pushtuar rininë e Tiranës dhe më tej. Ishte mjeshtër i paimitueshëm i kitarës. Ky instrument  gjallohej  nën gishtërinjtë e mjeshtrit, duke u shndëruar në një kuti magjike. Repertori shqiptar ishte mjaft I kufizuar për kitarën. Ai do të interpretonte këngë dhe pjesë instrumentale latine, të cilat sot nderojnë fondin e Radio Televizionit Shqiptar. Në librin “Broadway  i Tiranës” Bedri Alimehmeti do të shkruante: ”Sa shumë vallezohej e këndohej në Tiranë në ato vite! Kishte shumë lokale me orkestra të mira. Vvetëm për t›i dëgjuar shkëputeshim nga Broadway dhe kënaqeshim të mrekulluar mga magjia e tingujve. Mbi të gjitha pëlqehej orkestra e “Vollgës”(“Drini” i sotëm) ku spikatnin dy vëllezerit Shkoza dhe sidomos kitaristi i njohur Mehdi Prodani, i vëllai i kompozitorit të famshëm Agim Prodanit, bashke me saksofonistin e njohur Sazanin. Herë pas here në këtë orkestër luante edhe një kitarist i ri, të cilin ne e pëlqenim të gjithë dhe në më të shumtën e rasteve enkas për të e linim Broadway-in.Qe vërtet virtuoz dhe premtonte shumë në të ardhmen, ç’ka u vërtetua në vitet e mëvonshme. Besoj se ata që i kanë jetuar ato kohë me siguri, që do të jenë kujtuar, behet fjalë për të mirënjohurin Alfons Ballici, kompozitor e instrumentist. Te “Vollga” këndonin çdo natë. Vërtet ishte kënaqesi për ne, por në fakt me shume entuziazmoheshim nga ndonjë detaj virtuoziteti në kitarë, që kryente mjeshtërisht Alfons Ballici. Ky mjeshtër i kitarës, vite më vonë, në festivalin e njëmbëdhjetë të këngës, do të na kushtonte ne djemve të Broadway-it këngën “Rruga e Dibrës” kënduar nga i madhi Sherif Merdani, që e pagoi keq pas festivalit. Madje, edhe Alfons Balliçi nuk shpëtoi pa e lagur nga katrahura e plenumit të katërt (te zi) te KQPPSH. Megjithatë, të dy artistët e mëdhenj, në atë kohë, për krijimin e tyre të bukur , patën marrë mirënjohjen vëllazërore të gjithë bashkëmoshatarëve të tyre tiranas, që gjallonin “Rrugën e Dibrës”, të cilës i kishin kushtuar atë këngë të bukur.”

    Në këto vite fillon dhe krijimtaria e pjesëve muzikore për kitarë, gjithashtu dhe këngëve ku kitara do të kishte vendin qendror. Do të mahniste publikun, kolegët dhe pedagogët me interpretimin në kitarë të Sabre Danc nga Aram Khaçaturjan. Dhe jo më kot do tërhiqej si solist kitarist i orkestrës së festivalit në RTVSH. Shkollimi muzikor në Institutin e Lart ë të Arteve e kishte shndërruar djaloshin bohem, ëndërrimtar dhe të përkëdhelur në një muzikant të kultivuar, krijues dhe instrumentist të admiruar. Duke zotëruar harmoninë, ritmin, instrumentin dhe kompozimin  natyrshëm filloi t’a tërhiqte tradita, muzika popullore qytetare e Elbasanit, Edhe këtu ishte me fat. E ku do të gjente një model më të mirë se krijimtaria e Isuf Myzyrit, këngët e të cilit ishin përhapur në arteriet mbarë vendorë të interpretimit. Kështu,  diplomën në IL Arteve e mbrojti me temë:”Disa karakteristika të përgjithshme të këngës popullore qytetare elbasanase dhe krijimtaria e Isuf Myzyrit(1881-1956), kompozitor, vjershëtor dhe këngëtar popullor”.

    Një paradite qershori, kur vapa ende nuk e kishte përpirë kryeqytetin, një pajton ndaloi përpara sheshit të bukur të Institutit të Lart të Arteve. Nga aty zbritën dy djem, dukej, të vetëkënaqur. Alfons Balliçi ,I shoqëruar nga shoku i fëmijërisë Xhevdet Dervishi, shkonte të mbronte diplomën.Datonte viti 1967.

    Pas diplomimit u caktua në Elbasan të drejtonte orkestrën e estradës “Skampa”, të qytetit. Një ëndërr. Ja pra, ia kishte arritur. E ndjente se jeta muzikore e qytetit ishte e tija. Bashkëqytetarët sikur ja kërkonin këtë.Një vit më pas drejtoi orkestrën simfonike dhe atë frymore duke bërë të vlerësoheshin maksimalisht nga kritika muzikore e kohës, shoqëruar me çmime përkatëse.

    Pas diplomimit, me formimin muzikor dhe përvojën e instrumentistit, ambicia e tij  ishte  kompozimi. Vazhdoi të merrte rregullisht, për tre vjet radhazi, mësime për kompozim nga Mjeshtri  Çesk Zadeja. Ky ecejak ndërmjet Elbasanit dhe Tiranës  mbante gjallë jo vetëm marrëdhënien me kolegët e muzikës në Tiranë, ku dhe ishte përqendruar e gjithë elita artistike e vendit, por gjithashtu i mbante gjallë atë shpirt lirizmi gati gati bohemian. Rikthimet në Tiranë i përngjanin arratisjeve artistike. Me Ferdinand Dedjan, Lalon e të tjerë, pasi të ishin “lodhur” me grindjet mbi harmoninë e ritmin, për Elvis Preslin dhe grupet e tjera muzikore, do të bënin mbylljen e mbrëmjes duke lënë pas një tavolinë të mbushur me gota e shishe të zbrazura. ”Ishim euforik, atëherë” do t’i thoshte pas dyzet vitesh, gazetares Alma Mile. Njëherësh me punën e përditshme në drejtimin e orkestrës së estradës në “Skampa”, përpjekjeve për ngritjen e orkestrës simfonike të qytetit dhe ndjekjes së mësimeve për kompozim, do të ishte pjesëmarrës si kitarist në grupin e orkestrës  te Festivaleve në RTSH, që drejtohej nga Agim Krajka. Dhe në vitin’69 fillon rrugëtimin si kompozitor  në këtë festival me këngën “Në ekskursion”, mjaft rinore kjo për nga melodia dhe ritmi. Natyrisht, i mirëpritur nga kolegët ai dukej sikur po u “shkelte syrin” fansave që deri më parë e adhuronin si kitaristin e tyre. Një vit më pas do të ndërhynte me këmbëngulje për të rikthyer në festival këngëtarin e ri Bashkim Alibali, të larguar nga pjesëmarrja  për interpretim ekstravagant, duke i besuar këngën e tij. ”U ngazëlleva, – kujton Alibali –ishte një moment i veçantë. E kalova me sukses. Nuk ishte e lehtë të merrje pjesë në një festival të tillë në atë kohë. Kishte shumë kërkesa nga ana profesionale. ”Ky veprim i Alfonsit dëshmonte jo thjesht dashamirësinë, dukuri kjo më se e zakonshme e përditshmërisë së tij, por veçanërisht autoritetin dhe personalitetin që ai kishte brenda festivalit. Ne festivalin e radhës, për të njëmbëdhjetin bëhet fjalë, do të guxonte fort. Së pari solli në festival orkestracionin e tij. Një formacion vetëm me tri kitara, me tre djem gjimnazistë të qytetit të tij, Elbasanit, Fatjon Penin, Emil Prodanin dhe Dragan Hoxhën. Gjithashtu solli në festival “Broadway-in e Tiranës” përmes këngës Rruga e Dibrës, të kënduar nga Sherif Merdani, i cilësuar në atë kohë si këngëtari modern dhe më premtues i kohës. E kush kishte guxuar më shumë në muzikën e lehtë deri atëherë? Rinia, veçmas ajo e kryeqytetit gjeti mëshirimin e vet në këngën Rruga e Dibrës.

    Kënga fillon me një fishkëllimë melodioze, dhe më tej, me po atë zhvillim melodioz:

    Ky është sinjali që mbledh shokët tanë                                                                                             

    Atje tek Rruga e Dibrës në Tiranë

    Më pas këngën e ezauron ritmi rinor, i thjeshtë, i vrullshëm ,i pa shkëputur nga melodia që I jep trupit të këngës harmoni të admirueshme.

    E mira rruga jonë e thjeshtë

    Ç’do mbrëmje dalim andej

    Dhe ajo pret e qeshur, mbidhemi ne

    …………………………………………………

    Ai ishte njëri prej djemve të Broadway-it të Tiranës.Tani nuk u kishte shkelur syrin fansave,u kishte dhuruar dhe himnin ,kishte institucionalizuar lirinë dhe lirizmin e tyre në “kongresin e muzikës së lehtë” do ta quaja, sikundër ishte Festivali I këngës në RTSH. Ishte në qiellin e shtatë dhe i adhuruar nga të gjithë. Festivali u komentua nga mediat dhe kritika artistike si sukses, veçanërisht për risit në promovimin e këngëve rinore dhe pjesëmarrjen e këngëtarëve të rinj. Festivali kishte kaluar pa probleme serjoze filtrat e vlerësimit ideo- artistik të politikës zyrtare. 

    Për çfarë ndodhi më pas e përfshiu në konfuzion total. Filluan ca kritikëza, gjoja dashamirëse. Pritej qëndrimi zyrtar i KQ të PPSH. Dhe erdhi si një pranverë socialiste. Me kumtin e Partisë në pushtet, me luftën kundër ideologjisë borgjezo-revizioniste që përpiqej të helmonte rininë tonë, artin tonë socialist e të tjera e të tjera…Filluan ta gjykonin se e kishte tepruar me atë këngë, por me naivitet nuk po e kuptonte në e kishin vërtet seriozisht. Goditja e madhe i erdhi kur u arrestua dhe u burgos këngëtari Sherif Merdani. Tani pse jo, radhën e kishte edhe ai, krijuesi i këngës  të cilën me aq pasion e këndoj këngëtari, tashmë pas hekurave të burgut. U topit i tëri. I iku ajo buzëqeshje që zbukuronte fytyrën e rrumbullakët. Ashtu i ndjeshëm, siç ishte, e trondiste ndryshimi i sjelljes së administratës dhe herë herë edhe koleg që aty më parë i kërkonin shoqërinë dhe opinionet. Mbrëmja, me pagjumësinë, e lodhte tmerrësisht. Çdo zhurmë makine pran shtëpisë i dukej sikur vinte gazi i degës së punëve të brendshme për ta marë. Kishte dëgjuar plotë historira dhe i ishte bërë obsesion. Por jo, nuk përfundoj në burg.Politika zyrtare kishte, edhe ajo, zgjuarsinë brenda diabolizmit të saj. E la jashtë burgut, me frikën e përjetshme, duke i kujtuar se e kishte falur njëherë. Tani do të paguante haraçin. E ndaluan për një periudhë tre vjeçare të merrej me kompozim. Duket absurd për lexuesin e ri. Por ka ndodhur. U mësua të kuptojë se botës së tij muzikore i ishin vënë gardhe përtej të cilëve nuk duhej të kalonte. U reduktuan takimet me kolegë. U rralluan udhëtimet në Tiranë. Ashtu si hebrenjtë yllin e Davidit, ai kishte mbi shpinë Festivalin e 11.

    NJË KOMENT

    1. Nje shkrim dinjitoz per nje super gjeni, mjeshtrin dhe virtuozin unikal dhe monumental Alfons Ballici. Fatmir Manushi, je shume i fuqishem, ke prure madheshtine ne nje forme te prekeshme dhe jetesore,

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË