More
    KreuLetërsiBibliotekëFatmir Alimani: Martin Walser, e pashpjegueshmja dhe pavarësia absolute

    Fatmir Alimani: Martin Walser, e pashpjegueshmja dhe pavarësia absolute

    Lajmi i vdekjes së shkrimtarit  të shquar gjerman, Martin  Valser, m’u duk i rremë ose i pabesueshëm.

    Në të vërtetë, shkrimtarët e mëdhenj nuk e njohin vdekjen. Ata nuk e pranojnë atë, por e njohin statusin e saj. Martin Valser shkon ndoshta më larg. Ai ndjek  me këmbëngulje një shteg të fshehtë, që e njeh vetëm ai.  

    Të mëdhenjtë nuk e njohin vdekjen, por vetëm ikjen fizike. Pra, ata dinë të vdesin vetëm fizikisht.

    Kjo do të thotë, të mos vdesësh si të tjerët, por të ikësh në një jetë të përtejme. Hebrenjtë thonë se njeriu vdes dy herë: njëherë kur vdes dhe një herë tjetër, kur ai harrohet. Harrimi rri gati mbi çdo njeri si të ishte shpata e Damokleut. Harrimi është krematoriumi që e pret çdo krijesë. Kështu pra, dalim te një forcë asgjësuese, që ndryshe mund të quhej koha, e cila mori mbi vete, pushtetin më të madh dhe e e bëri njeriun rob të saj. 

    Mijëra vjet me radhë, ne nuk mësuam gjë tjetër: Vetëm koha vendos për gjithçka.

    Ne thoshim ç’thoshim, për këtë apo për atë poet, në fund, vendoste vetëm koha ose ndryshe, e ardhmja.

    Letërsia e madhe vazhdonte të duronte gjithë marrëzitë e botës.

    Një përbindësh misterioz e ndiqte atë hap pas hapi, duke ia përgjakur trupin e bukur, me shumë plagë  të rënda, të pashërueshme.

    Por ndodhi çudia:  letërsia, në vend që të ndërronte jetë, ishte koha ajo që humbi plotësisht autoritetin e saj absolut.    

    Më vonë, rënia komike e kohës shkaktoi efekte tragjike.

    Një shkrimtar si Martin Valser ishte i aftë të observonte dhe të zbulonte të gjitha perspektivat e brendshme të mundshme, duke u bërë mjeshtër i konflikteve të brendshme.

    Ai shkroi mbi shtatëdhjetë vepra në prozë.

    Ndër më rëndësishmit ishin:

    Martesë në Philippsburg, Lufta e Finkut, Një brirësh,Pa askënd, Gjah, Gjysmë loje, Mbrojtja e fëminisë, Matanë dashurisë, Nënë e bir,  Rrëzimi, Shtëpia e mjellmës… 

    Ai nuk interesohet për anën e jashtme. Heronjtë e tij ishin antiheronj. 

    Mbas maturës, ai studioi filozofi, literaturë dhe histori.  

    Jeta e tij ishte gjithashtu një aventurë e pazakontë.

    Ishte shumë produktiv.

    Çdo vit shkruante një roman.

    Martin Valser shkroi gjithashtu mbi pesëdhjetë pjesë teatri, dhe pati një sukses të madh.

    Ai inskenoi edhe vetë, mjaft pjesë.

    Gjatë studimeve ai ishte reporter.

    U bë shkrimtar i lirë.

    Në grupin 47 u bë një nga personalitetet  më të rëndësishëm.

    Ai ishte kundër luftës në Vietnam.

    Martini kishte energji radioaktive. 

    i palodhshëm.

    I pangopshëm.

    I padepërtueshëm,

    Një trio e pazakontë.  

    E akuzonin për ambivalencë.

    E akuzonin sepse nuk kishte asnjë punëtor në veprën e tij.

    Ai përgjigjej thjesht:

    Unë

    Nuk jam

    Proletar.

    Ai ishte një esprit e pavarur dhe e lirë.

    Ai kishte fjaët e tij.

    Ai kishte mendimet dhe armë e tij unike.

    Një dialog jo i parëndësishëm.

    -Ju jeni një analitik i përkryer.

    -Po, jam 96 vjeç, këtej e tutje nuk do të pranoj asnjë vit më tepër.

    -ju jeni kundër industrializimit.

    -Jo, unë , por industrializimi është kundër meje.

    -Ti je një orator.

    -Po.

    -Çfarë është gjuha?

    -Gjuha është poeti.

    -Rroftë rasti.

    -Nuk ka rast.

    -Ti je një aktor i madh.

    -Po. Jam, por jo si aktorët tuaj.

    -Njerëzit nuk janë të huaj.

    -Aspak. Njeriu është zoti i kësaj bote.

    -Jeni   i lirë

    – Unë jam absolutisht i pavarur,

    -Kundër luftës?

    -Po.

    -Pse shkruani?

    -Për para. Por gjatë shkrimit unë vibroj i tëri, një mijë përqind.

    -Ç’mund të na thoni për ironinë?

    -Ironia është mbretëresha e gjithë arteve.

    -Jashtë dashurisë, jashtë letërsisë.

    -Dakord.

    -Ee, zoti Ranicki?

    – Nuk më kujtohet një emër i tillë. Shumë i ndërlikuar.

    -Çfarë është gjithë kjo lojë e madhe, përreth së cilës sillet rrotull p a pushim, gjithë bota jonë?

    -Një provim i vogël.

    Martin Valser nuk i sheh njerëzit si qenie të huaja. Përkundrazi. Ai ndodhet me kënaqësi ndërmjet tyre. Ai u përket atyre. Ata kanë një komunikim të brendshëm, një lidhje të qartë dhe të fortë.   

    Por, edhe kjo është një enigmë. Si ajo e vdekjes. Ai ishte ngritur disa herë mbi veten.

    Ai ishte ngritur edhe mbi vdekjen.

    Ai ishte një fenomen, një orator, një aktor, një zbulues i së bukurës.

     Madje një një star i madh. 

    Unë e kam përjetuar shumë herë paraqitjen e tij në panairin e librit, në Frankfurt .

    Vendi ku ai do të fliste ose do të intervistohej, pushtohej i tëri nga lexuesit e tij, që vinin nga të katër anët e botës. Ekipet e tv punonin pa pushim. Vetëm, ai mund të përgjigjej për çdo pyetje. 

    Kishte aq shumë njerëz, saqë ishte thuajse e pamundur që të kaloje në një sallë tjetër. Aty ndodheshin gjithë kombësitë e botës. Më e mira ishte të mos bëje asnjë hap, por të ndaleshe dhe të dëgjoje me vëmendje.  

    Ai fliste me të gjitha kontinentet.

    Ai fliste për të gjithë, gjer në detajet më të holla. 

    Ishte gjithnjë shumë produktiv. Çdo vit një roman. Pastaj: ditarë, ese, pjesë teatri, 

    poezi, biseda, publicistikë.

    Po, çështja Ranicki?  

    Në shtator të vitit 1963, zoti Ranicki, i ashtuquajturi papë i kritikës gjermane, e lëvdoi mjaft shkrimtarin Martin Valser. Por…

    më vonë loja ndryshoi krejtësisht, derisa u bë një ndeshje e fortë armiqësore.

    Kulmi arriti në kishën Paulus, në Frankfurt,mbas së cilës ai ndërroi shtëpinë botuese Suhrkamp me

    Rowolt. Debati qe i madh. U zgjuan papritur të gjitha shtresat e shoqërisë gjermane. Martini madje shkroi një libër  me titullin Vdekja e një kritiku. Që nënkuptonte gjithçka. Dy kalorësit bashkëkohorë mbetën të tillë gjer në vdekje. Nuk më kanë kuptuar, thoshte Martini.

    Ndërkaq të dy botonin libra. I pari vdiq kritiku pastaj shkrimtari. Në një nga romanet, ai tregon si është zhvilluar dashuria për gjuhën, me një theks të veçantë. Po kështu ai zbulon paralele të qarta ndërmjet letërsisë dhe fesë. Të dyja përpiqen të lumtërojnë botën.

    Ai është i pavarur jo vetëm pse ka gjithnjë aq sa i duhen, por edhe pse ai është edhe vetë një njeri

    Që e meriton plotësisht emrin e tij. Financa e tij personale të  linte një impresion të vazhdueshëm.

    Përse? Çfarë mungonte, akoma?

    Prandaj,  ai i  shikonte ndryshe fenomenet dhe gjërat. Shkrimi  dhe jeta u bënë një. 

    Pa asnjë ngurrim, ndryshe nga të tjerët, ai i sheh problemet, qartë dhe të ndërlikuara.  

    Ai e konsideronte si një gjë të domosdoshme bashkimin e Gjermanisë.

    Pyetja themelore ishte: A do të arrinte ai vallë, të kishte  vendin e tij në jetën e përtejme, që do të . ishte më e bukur se çdo bukuri tjetër. Që do të ishte ashtu siç nuk do të ishte asnjë bukuri tjetër.

    Që do ta ndihmonte njerëzimin të ngrihej çdo ditë, mbi veten e vet. Ai donte më shumë. Ai donte të

    zbulonte sekretin e të pashpjegueshmes. Për të arritur në këtë pikë delikate dhe të fortë, duhej ndoshta të flijohej një jetë e tërë. 

    Ndër të tjera, ja çfarë thotë autori:

    “Forca tërheqëse e të pashpjegueshmes është pushteti i të pashpjegueshmes. 

    S’ka kurrfarë shpëtimi. E pashpjegueshmja është gjithnjë aty ku je ti.

    Ty të është diktuar që ti të mos mendosh më për asgjë, përveç të pashpjegueshmes.

    Asnjë njeri nuk mund të qëndrojë si memec përballë të pashpjegueshmes. Ai i flet.

    Ai nuk thotë me anë të fytyrës, cili  ishte ai. Ai bënte të shpjegueshmen. E pashpjegueshmja hesht  me një ndjesi shkatërruese. Ai që i hedh një llaf të pashpjegueshmes, sepse ai të pashpjegueshmen      si të tillë, nuk mund ta duronte, dhe gjatë kohë që ai foli si t’i vinte, u bë e qartë, që asgjë prej çfarë kishte folur ai, nuk do të quhej, shpjegim.

    E pashpjegueshmja është e paafrueshme. Ajo nuk ka asnjë të çarë. Asnjë mimikë. Asnjë atmosferë. Ajo refuzon parandjenjat.  Me fjalën refuzim është thënë tepër shumë. Ajo nuk ka kurrfarë gjestesh, që të fshihte diçka në to.  Ajo nuk ka asgjë. Ajo është asgjë. Asgjë, përveç të pashpjegueshmes. Ajo nuk është enigmë. As parabolë,as metaforë. Ajo nuk do të jetë asgjë. Ajo është e pashpjegueshmja. Si e tillë. ajo është gjëja më e fuqishme që ekziston.  

    Martin Valser lindi më 24 mars 1927 në Vaserburg. Ai ndërroi jetë më 28 korrik 2O23, në Bodense.  Një zë që vjen nga larg:  

    Kush më kuptoi, më kuptoi. Të tjerët…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË