“Kronikë e një vdekjeje të lajmëruar” e Gabriel García Márquez-it
Stili narrativ dhe koha e rrëfimit
Narratori mbizotërues i novelës “Kronikë e një vdekjeje të lajmëruar” të G. G. Markez, cilësohet si narrator-personazh, i cili duke qëndruar në sfond të novelës mbetet misterioz (anonim), ndonëse jepen disa detaje rreth tij, të shpëndara në tekst. E gjithë kjo krijon një portret të mjegullt të tij. Bëhet e ditur që ai është mik i Santiago Nasarit, protagonistit tragjik të ngjarjes/ve; është mik i Anhela Vikarios, një ndër figurat kyçe të veprës, e po ashtu ka lidhje familjare me personazhe të tjera si Margot, Luis Enrike, Kristo Bedoja… me ç’rast ky rrjet marrëdhëniesh e bën narratorin një dëshmitar të afërt dhe të përfshirë emocionalisht në ngjarjet që rrëfen.
Ngjarjet kanë ndodhur rreth 30 vjet më parë, duke vendosur gjithë rrëfimin në kohën e shkuar. Ky aspekt kohor, së bashku me kalimin e viteve, ndikon në mënyrën se si kujtimet dhe rrëfimet e të tjerëve bashkohen për ta ndërtuar historinë (story). Pavarësisht kësaj distance kohore, narratori ruan një ton të freskët/emocional, duke i dhënë lexuesit ndjesinë e aktualitetit, sikur ngjarjet zhvillohen para syve të tij.
Një nga veçoritë më të spikatura të këtij rrëfimi është mungesa e një kronologjie të drejtpërdrejtë. Kjo bën që modeli kompozicional fabular t’i përgjigjet një renditjeje jo-lineare, duke reflektuar natyrën kaotike të kujtimeve të narratorit dhe mënyrën e transmetimit të tregimeve të dëshmitarëve të tjerë, të cilët kryesisht japin informacione fragmentare.
Fillimi dhe fundi i novelës
Novela i shmanget një hyrjeje klasike, sepse nis drejtpërdrejt me përshkrimin e një ëndrre që kishte parë Santiago Nasari në të cilën dukej sikur e kishin glasitur zogjtë, gjë që paralajmëron fatkeqësinë që do të pasojë. Santiago zgjohet nga gjumi dhe, pa ditur çfarë e pret, fillon ditën e tij të zakonshme. Kur del nga shtëpia për të pritur ipeshkvin, ndodh që ngjarjet të marrin një kthesë të errët me ç’rast Santiago vritet mizorisht nga vëllezërit e Anhela Vikarios, Pedro dhe Pablo Vikario.
Narratori zbulon menjëherë se vrasja e Santiagos është ngjarja qendrore e novelës, që si akt tragjik në mënyrë atipike jepet në fillim të veprës, më pas teksti fokuesohet te motivet, detajet dhe ndikimet e kësaj vrasjeje. Ky model kompozicional narrativ krijon një ndjenjë tensioni, pasi lexuesi kërkon të kuptojë se ç’ndodhi para dhe pas këtij akti.
Rrethanat që çuan te vrasja
Pas zbulimit të aktit tragjik, narratori kthehet pas në kohë për të treguar rrethanat që çuan drejt një fundi të tillë. Ardhja e Bajardo San Romanit në fshat paraqet një moment kyç fabular. Bajardo, një burrë i pasur dhe shumë i pashëm, bie në dashuri me Anhela Vikarion, një vajzë nga një familje e varfër. Pavarësisht se ajo nuk e dashuron atë në fillim, presioni i familjes e detyron që të pranojë martesën, e cila megjithatë zhvillohet në mënyrë dramatike dhe dështon në fund. Nata e parë e çifit paraqet momentin turpërues, kur Bajardo kupton se Anhela s’ishte e virgjër, andaj, i ofenduar dhe tejet i zemëruar, ai e kthen nusen në shtëpinë e familjes së saj, duke bërë që nëna ta dhunojë fizikisht.
Pas këtij incidenti, vëllezërit e Anhelës, Pedro dhe Pablo, e marrin atë në pyetje dhe e detyrojnë të zbulojë se kush ia kishte marrë virgjërinë. Ajo përmend emrin e Santiago Nasarit, një pretendim i cili mbetet i pavërtetuar gjatë gjithë novelës. Edhe pse mungojnë provat, vëllezërit vendosin të hakmerren për nderin e familjes së tyre. Me këtë vendim, ata marrin thikat e kasapit dhe nisin planifikimin e vrasjes.
Një nga aspektet më të veçanta të kësaj ngjarjeje novelistike është mënyra se si Pedro e Pablo Vikario e bëjnë publik vendimin për krimin para se të ndodhte, pra nuk e mbajnë sekret qëllimin e tyre për ta vrarë Santiagon. Madje duket sikur e bëjnë këtë duke besuar se do t’i ndalojë dikush për ta konkretizuar qëllimin, por një gjë e tillë nuk ndodhë.
Në qumështoren e Klotilda Armentes, vëllezërit presin që Santiago të dalë nga shtëpia. Aty janë të pranishëm disa dëshmitarë, të cilët nuk dëshirojnë ose nuk munden që ta parandalojnë kërcënimin/qëllimin fatkeq. Andaj, kjo mund të merret edhe si pasqyrë e fuqishme e dështimit kolektiv të shoqërisë për të mrojtur një jetë njeriu.
Kur Santiago Nasari del nga shtëpia, ai është plotësisht i pavetëdijshëm për fatin që e pret. Pasi pret për ipeshkvin, ai shkon në shtëpinë e të fejuarës së tij të bukur, Flora Migel. Aty, ai mëson për planet e vllezërve Vikario, por nuk kupton arsyen pas këtyre kërcënimeve. I hutuar dhe shqetësuar, niset për në shtëpi, duke mos ditur që është ndjekur nga Pedro e Pablo, të cilët në një skenë mizore dhe të dhimbshme e godasin disa herë me thikë duke e lënë të vdekur.
Rrëfimi si kronikë
Novela i ngjan një kronike, ku çdo fragment është një pjesë e mozaikut tërësor që formon historinë e plotë. Narratori përdor informacione nga burime të ndryshme: përvojat e tij personale, rrëfimet e personazheve të tjerë (të shumtë) dhe dokumente reale siç ishte ta zëmë procesverbali prej 200 faqesh i një hetuesi. Kjo qasje shumështresore e bën rrëfimin më të pasur e gjithashtu më kompleks, duke i dhënë lexuesit një pamje të gjithanshme të ngjarjeve.
Përmes stilit të tij, Markez eksploron tema të thella si nderi, faji kolektiv dhe mënyra se si shoqëria e trajton drejtësinë. Vrasja e Santiago Nasarit nuk është vetëm një akt individual, por është një pasqyrim i një komuniteti të tërë që dështon në mënyrë kolektive për të parandaluar një tragjedi të parashikueshme/planifikuar. Ky aspekt bën që novela të jetë më shumë se një histori individuale/personale – kjo vepër letrare bëhet një reflektim i natyrës njerëzore dhe marrëdhënieve shoqërore.
Në vend të përfundimit
Pavarësisht se narratori përpiqet të rindërtojë ngjarjet me sa më shumë saktësi, pyetje e pyetje mbeten pa përgjigje. Ishte Santiago Nasari vërtet fajtor? Apo ishte vetëm një viktimë e një sistemi shoqëror që vlerëson “nderin” mbi drejtësinë? Ky mister i pazgjidhur i jep novelës një ndjenjë të vazhdueshme tensioni dhe reflektimi, duke e bërë atë një vepër të jashtëzakonshme letrare