More
    KreuArte pamoreFatlum Meholli: Përvoja kolektive në pikturat e Adem Kastratit

    Fatlum Meholli: Përvoja kolektive në pikturat e Adem Kastratit

    Kur ndalova përballë dy punimeve të Adem Kastratit në ekspozitën “Retrosintezë” në Galerinë e Arteve të Prishtinës, u bë e qartë se këto vepra kërkonin më shumë kohë se sa një shikim kalimtar. Të vendosura mes punimeve të shumë emrave emblematikë të artit pamor shqiptar, edhe ato më dhanë ndjesinë e një ndalese të natyrshme. Pikërisht nga ky vrojtim lindi dëshira për të shkruar për Adem Kastratin dhe për mënyrën se si arti i tij ndërton një raport të qëndrueshëm mes njeriut, hapësirës dhe përvojës kolektive.

    Me emrin e Adem Kastratit isha i njohur që nga shkolla fillore, atëherë kur nëpër librat e artit figurativ paraqiteshin punimet e tij, të cilat atë botë përpiqesha t’i rikrijoja dhe kështu të ngritesha teknikisht. I kujtoj si sot pikturat “Darka”, “Te varri i Gjergj Kastriotit”, e “Hasjanet”.

    Ekspozita “Retrosintezë” kuruar nga Zeni Ballazhi, ofron një pamje të gjerë të zhvillimeve dhe prirjeve të artit pamor shqiptar. Në këtë kontekst të pasur dhe të larmishëm, veprat e Adem Kastratit dallohen për qetësinë dhe përmbajtjen e tyre. Duket sikur ato nuk synojnë të tërheqin vëmendjen përmes efekteve të menjëhershme vizuale. Qasja e tij është e matur, e fokusuar dhe e qëndrueshme, duke e vendosur peshën kryesore te përmbajtja dhe jo te forma e jashtme.

    Njëra nga pikturat e ekspozuara paraqet një figurë njerëzore pranë kafshës, në një ambient rural, të thjeshtë. Marrëdhënia mes njeriut dhe kafshës trajtohet si pjesë e një realiteti të zakonshëm jetese. Nuk ka shenja heroizmi, as dramatizim të situatës. Figura njerëzore vepron brenda rregullit të qartë të përditshmërisë, ku puna dhe kujdesi janë pjesë e natyrshme e jetës. Pikërisht kjo qasje e drejtpërdrejtë dhe e përmbajtur i jep veprës një ndjenjë besueshmërie, duke e vendosur skenën në një kontekst të qëndrueshëm dhe të njohur, ku veprimi nuk kërkon justifikim dhe as interpretim të tepruar.

    Punimi tjetër i ndërtuar simbas një peizazhi të gjerë, paraqet figurën e vogël njerëzore, pothuajse të humbur brenda hapësirës gjigante natyrore. Kodrat e përsëritura, pemët e zhveshura dhe ritmi i vijave krijojnë një strukturë vizuale të qëndrueshme dhe të menduar mirë. Figura njerëzore nuk është qendra e kompozicionit, por mund ta konsiderojmë si një element shumë të rëndësishëm i cili është integruar mjeshtërisht brenda tij. Ky pozicionim sugjeron një raport të barabartë mes njeriut dhe ambientit, ku hapësira nuk mund të shihet vetëm si prapavijë, por si një pjesë aktive e përmbajtjes tërësore.

    Këto dy vepra përfaqësojnë mirë frymën e përgjithshme të krijimtarisë artistike të Adem Kastratit. Në një pjesë të madhe të pikturave të tij vërehet një interes i vazhdueshëm për jetën rurale, për ambientin tradicional dhe për elementet që e përbëjnë atë. Veshjet kombëtare, rekuizitat e përditshme, kafshët, peizazhi dhe arkitektura tradicionale shfaqen si pjesë e pandashme e kompozicionit. Gjitha këto elemente vijnë si pjesë e një realiteti të jetuar e jo vetëm si dekor sipërfaqësor.

    Në artin e Kastratit tradita përveç që paraqitet si një formë nostalgjie, ajo trajtohet edhe si një strukturë funksionale e jetës, ku njeriu jeton, vepron e ndërton përditshmërinë e vet. Veshjet dhe objektet tradicionale janë të pranishme gjithmonë sepse janë pjesë e realitetit që ai e jeton dhe pikturon.

    Po ashtu, një aspekt shumë i rëndësishëm i veprës së Adem Kastratit është mënyra se si ai e vendos dhe trajton figurën njerëzore brenda një sistemi më të gjerë hapësinor dhe shoqëror. Figura rrallëherë shfaqet e izoluar, sepse të shumtën është në raport me tokën, me punën, me kafshët dhe me ambientin përreth. Ky raport krijon një ndjenjë baraspeshe dhe vazhdimësie, duke shmangur theksimin e individit si figurë qendrore.

    Në këtë kuptim, teksa sodisja tablotë e Kastratit, m’u kujtua klasiku rilindas Pieter Bruegel the Elder, me ç’rast do të shtroja një pikë komparative mes tyre. Sepse edhe te Bruegel-i figura njerëzore është gjithmonë pjesë e një skene më të gjerë, brenda ciklit shumështresor të natyrës. Edhe tek Adem Kastrati vërehet një qasje e ngjashme. Njeriu nuk paraqitet si hero i veçuar, por si pjesë e një strukture më të madhe jetese. Skenat e përditshme, puna, marrëdhënia me ambientin dhe mungesa e dramaticitetit artificial janë elemente që i afrojnë këta dy autorë në aspektin konceptual.

    Sigurisht, konteksti kulturor dhe historik i Kastratit është krejtësisht ndryshe nga ai i Bruegel-it, megjithatë parimi i ndërtimt të figurës dhe trajtimit të jetës së zakonshme krijon një lidhje të dukshme mes tyre. Të dy autorët i japin rëndësi përvojës kolektive dhe jo momentit individual. Kjo qasje i largon veprat e Kastratit nga qasja idealiste ose/edhe patetike.

    Një tjetër cilësi e rëndësishme e veprës së tij është hapësira që i lë vrojtuesit. Pikturat dhe vizatimet e Kastratit nuk e imponojnë interpretimin e caktuar, sepse kërkojnë vëmendje dhe kohë. Ritmi i ngadaltë i vrojtimit bën që veprat të shihen ngushtësisht me të kaluarën, traditën, zakonet shqiptare, kushtet e jetesës, madje edhe me kontekstin e sotëm social.

    Në ekspozitën “Retrosintezë” prania e Adem Kastratit funksionon si një pikë referimi për një mënyrë të qartë dhe të disiplinuar të të menduarit figurativ/artistik. Veprat e tij duket sikur nuk konkurrojnë për vëmendje, por ndërtojnë një prani të qetë e të vazhdueshme. Kjo qasje i jep artit të tij një pozicion të veçantë brenda artit pamor shqiptar.

    Për fund, mund të themi që Adem Kastrati shfaqet si një autor që mbetet aktual përmes thjeshtësisë dhe qartësisë së tij. Me veprat ikonike vazhdohet komunikimi përmes raportit të drejtpërdrejtë me jetën reale, traditën e ambientin. Në këtë kuptim, ai nuk mbetet i kufizuar në një periudhë të caktuar historike, por vazhdon të jetë i pranishëm në dialogun me shikuesin edhe sot e kësaj dite.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË