Në epokën digjitale, arti nuk është i shfaqur vetëm nëpër hapësirat e galerive dhe i ekspozuar vetëm për audiencën/receptivitetin elitar në mënyrë fizike. Falë teknologjisë, në ditët e sotme, arti është bërë pjesë e përditshmërisë njerëzore në një mënyrë që para një kohe nuk ishte imagjinuar. Individi që posedon një telefon të mençur mund të krijojë, shpërndajë dhe shikojë forma të ndryshme të artit brenda një kohe shumë të shkurtër. Ky zhvillim përveç se ka sjellë një transformim të mjeteve të krijimit dhe shpërndarjes, ai gjithashtu ka ndryshuar vetë kuptimin e artit, raportin e tij me audiencën dhe rolin që e luan në kulturën dhe shoqërinë moderne.
Transformimi digjital i artit ka ndikuar ndjeshëm në mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me të. Në kohët e kaluara, për të pasur kontakt me një vepër artistike duhej gjithsesi prania fizike në një hapësirë të caktuar si në teatër, galeri, kinema apo koncert. Ndërsa tani përmes platformave sociale si Facebook, Instagram, Youtube etj., arti është bërë i vrojtueshëm e dëgjueshëm nga çdokush kudo. Ky ndryshim apo “demokratizim” i artit në njëfarë mënyre e ka zbutur dallimin mes artistëve profesionistë dhe amaterë, sepse këta të fundit, sidomos artistët e rinj, kanë mundësi që ta shpërndajnë punën e tyre në mënyrë të njëjtë. Mjafton një video e shkurtër, ilustrim i shpejtë, këngë që përhapet në rrjet dhe mund të fitohet vëmendja e mijëra apo në raste specifike miliona njerëzve.
Po ashtu, në këtë epokë digjitale është krijuar një mjedis/frymë ku arti përveç si akt estetik, është edhe formë e mirë e komunikimit të drejtpërdrejt shoqëror. Aktivizimi artistik është rritur ndjeshëm, pasi nëpërmjet rrjeteve sociale, që konsiderohen si mjete mjaft të fuqishme, shprehet pakënaqësia për të sfiduar normat dhe për të ngritur çështje të rëndësishme siç janë barazia racore, drejtësia sociale, krizat klimatike e kështu me radhë. Një vizatim i thjeshtë, por me kuptim, një video artistike, performancë, mund të përhapen në mënyrë virale dhe kështu të ndikojnë në mënyrën se si një komunitet mendon ose ndjehet për një çështje të caktuar. Në suaza të kësaj, arti në disa raste ka funksion të veçantë, me ç’rast bëhet mjet i fuqishëm për ndërgjegjësim dhe mobilizim.
Në aspektin teknik, ndikimi i teknologjisë në art ka ndryshuar edhe vetë procesin krijues. Inteligjenca artificiale, programet e ndryshme të dizajnit si Photoshop, Illustrator, printimet 3D etj., kanë zgjeruar kufijtë e artit në përgjithësi. Një dizajner grafik (artist digjital) mund të krijojë me qindra-mijëra punime pa pasur nevojë për hapësirë fizike apo materiale tradicionale. Kjo ka bërë që koncepti i artit të mos lidhet vetëm me objektin fizik, por të shtrihet edhe në përvojën digjitale, ndonjëherë edhe jo-materiale. Le ta ndërmendim këtu shembull formën e NFT-ve (non-fungible tokens), ku tregohet se si vlera artistike dhe tregtare mund të jenë krjetësisht virtuale.
Megjithkëtë, transformimi digjital i artit ka sjellë edhe sfida të thella shoqërore e kulturore, sepse mbivlerësimi i punimeve të publikuara natyrisht e dëmton vlerën e artit të mirëfilltë. Këtu do të ndërmendja sociologun e njohur bashkëkohor Zygmunt Bauman, i cili thekson se “sot është shpejtësia marramendëse e qarkullimit, riciklimit, vjetërsimit, flakjes dhe zëvendësimit që sjell përfitim – jo durueshmëria dhe besueshmëria e një prodhimi”.[1] Punime të cilat janë bërë me mjeshtri të madhe, kanë koncept, prapavi filozofike-reflektive e kështu me radhë mund të injorohen me një klikim të vetëm, ndërsa përmbajtjet me theks të shtuar emocional apo ngjashëm marrim me miliona shikime, ndonëse përmbajtja e tyre lë shumë për të dëshiruar. Natyrisht që nga një kënd, ky ritëm rapid i konsumimit të artit që ngjan me konsumin e lajmeve të përditshme, rrezikon ta dëmtojë esencën e artit si një akt reflektiv, shpirtëror, kritik, revolucionar etj.
Gjithashtu, mënyra se si funksionojnë algoritmet e rrjeteve sociale ndikon ndjeshëm në performancën e një artisti. Ai duhet që të krijojë art me qëllim që t’i përshtatet mentalitetit dhe dëshirës së audiencës së caktuar, duke e shuar kështu intencën artistike për t’u shprehur dhe për t’u revoltuar ndaj çështjeve të ndryshme sociale, politike, kulturore. Kjo e metë e digjitalizimit artistik cenon lirinë e artistit dhe origjinalitetin e tij – madje mosprezenca nëpër rrjete sociale ndikon që puna e tij mos të gëzojë njohje të merituar, pavarësisht cilësisë së lartë të punës. Ky realitet i ri bën që suksesi artistik ndikohet ndjeshëm nga dukshmëria sesa nga talenti i pastër, formimi intelektual.
Nga këndvështrimi i sociologjisë së kulturës, këto zhvillime tregojnë se si arti digjital ndikon drejtpërdrejt në formimin e identitetit, të përkatësisë kulturore dhe dinamikave shoqërore. Arti digjital është bërë si një pasqyrë ku individët e gjejnë ose e ndërtojnë veten e tyre. Ai ndikon në mënyrën se si të rinjtë përfaqësojnë veten, si ndjehen dhe gjithashtu si i sfidojnë kufijtë tradicionalë të kulturës, gjinive, përkatësive etnike apo ideologjike. Një punim digjital, një video në Youtube (këngë etj.) apo meme mund të simbolizojë identitetin kolektiv, ose të shërbejë si mjet për të sfiduar autoritetin e për të prodhuar rezistencë kulturore.
Në anën tjetër, ky transformim/zhvillim i hovshëm i teknologjisë që prek të gjitha fushat, por edhe artin, sjell edhe një efekt të dukshëm të globalizimit kulturor. Përderisa arti përhapet globalisht dhe është i qasshëm nga të gjithë, ai rrezikon të humbasë kontekstin lokal dhe prapavinë tradicionale të një vendi të caktuar. Ta zëmë disa forma tradicionale të artit si kënga popullore, pikturat e trashëguara me motive shqiptare, apo skulpturat e kësaj natyre, mund të mbesin në hije përballë kësaj gjendjeje, përballë trendeve moderne, të cilat mund të tërheqin vizualisht, por jo gjithherë janë të pasura për nga ana përmbajtësore/kulturore. Kjo krijon sfidë të vazhdueshme në mes të ruajtjes së identitetit kulturor dhe integrimit në globalizimin digjital.
Për fund, mund të theksojmë që arti në epokën digjitale nuk është veç një shprehje e teknologjisë moderne, por edhe një faktor mjaft i rëndësishëm që transformon mënyrën se si njerëzit jetojnë, komunikojnë dhe formohen si individ. Ai reflekton kontradiktat/sfidat dhe mundësitë e kohës bashkëkohore, ngërthen në vete përballjet mes individuales e kolektives, tradicionales e modernes, lokales e globales. Përmes këtij arti, shoqëria moderne tregon se nuk është më pasive ndaj kulturës, por njëkohësisht konsumon dhe prodhon, reflekton dhe sfidon. Arti digjital si asnjëherë më parë është bërë pjesë e pandashme e jetës shoqërore dhe kulturore të çdo individi, duke e bërë atë një mjet të fuqishëm për të kuptuar, formësuar e kritikuar botën në të cilën jetojmë.
Literatura
BAUMAN, Zygmunt, Moderniteti i lëngët, Pika pa sipërfaqe, 2017
[1] Zygmunt Bauman, Moderniteti i lëngët, Pika pa sipërfaqe, 2017, f. 25.