Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Bilal Xhaferit (1935-2025) studiuesi Bashkim Kuçuku boton librin “Bilal Xhaferi. Realizëm dhe tragjizëm”, botim i Albas, ku pjesën më të madhe e zënë dosjet e Sigurimit të Shtetit, i lexuar prej meje në 90-vjetorin e lindjes së Kadaresë më 28 janar të këtij viti. Përkime përvjetorësh të dy versnikëve me fate të ndryshme. Studjuesi Kuçuku njihet dhe si autor i librit “Kadare në gjuhët e botës” me studime, hulumtime, biografi, botim i Onufrit në vitet 2000, 2005 dhe 2015, ndaj vetvetiu të zgjohet dëshira të dish, se si i ka trajtuar ai dy shkrimtarët e përfolur si përjashtues të njëri-tjetrit, ku Kadare vazhdon të paragjykohet si sjellës i fatkeqësisë së Bilal Xhaferit, ndërkohë që ky i fundit s`ka lënë gjë pa thënë kundër tij?! (Ndodh që dhe viktima të bëjë mëkate.) Kjo “gjendje lufte” mes tyre mbahet ende gjallë, edhe pas vdekjes, e stimuluar a e sponsorizuar, në dyshimin tim: prej palëve të interesuara, përfshi dhe 54 sigurimsa e bashkëpunëtorë të tyre, që e përndoqën shkrimtarin çam, përndjekës dhe të një “Kadare i denoncuar”, sikurse njihemi në dosjen e publikuara nga Dashnor Kaloçi. Kadare u njoh me dosjen e tij, ndërsa Bilal Xhaferi iku i përgjuar dhe i sulmuar nga erinitë e policisë së fshehtë. (Studjuesi Bashkim Kuçuku midis Kadaresë dhe Bilal Xhaferit të përngjan me një “pajtuesi gjaqesh”, apo urë e vig, ku kalon i mirë dhe i ligë? Një rol që s`është e lehtë të merret, por që ka vetëm një shteg për t`ia dalë mban: hapja e dosjeve, duke hulumtuar të vërtetat e kyçura.
Sikurse dihet, Bilal Xhaferi, bëri emër me tregimet, poezitë, reportazhet të botuara në diktaturë, njohur me librat: “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, “Lirishta e kuqe” dhe romani “Krastakraus” i paraqitur në një konkurs letrar, ndërsa 17 vite krijimtarie në botën e lirë s`i përmenden si një vlerë e shtuar. Nuk përfitoi nam nga liria. (Edhe Kadare u bë i njohur në botë nga romanet të botuara në diktaturë.) Ndërkohë shtrohet pyetja: Bilal Xhaferi a ishte një shkrimtar i realizmit socialist? Askush s`e quan të tillë, sikurse s`rreshtin së thëni për Kadarenë e shumë të tjerë, duke denoncuar poezi për partinë dhe shokun Enver. Njerëzit e rinj dhe lirishta e kuqe të duken si sinjalistika të kohës së socializmit, ndërkohë që ai beson se: “Do të vijë koha që shkrimet e mia do të pëlqehen jo nga një grup zyrtarësh.” Duke përmendur zyrtarët, mos po vë në rreth të kuq kundërshtarët e tij realë? Por, mileti si kundërshtar të tij njohin Kadarenë?! Nuk shoh që pëlqyeshmëria ndaj Bilal Xhaferit të jetë rritur në demokraci. Ajo ka mbetur njësoj, si në diktaturë. Kështu që zyrtarët mbeten pa ndikim në famën e tij, por jo në jetën e shkrimtarit.
Ajo që ka rëndësi për autorin e këtyre radhëve është fakti, që librin për Bilalin e ka shkruar një adhurues i tij, i cili rezulton të jetë dhe i Kadaresë, i cili kujton jo pa qëllim: “Përmbledhjen me poezi “Lirishta e kuqe” e kam lexuar, sapo doli nga shtypi, por, që u ndalua qarkullimi i saj. Student, në konvikt, isha në një dhomë me shokun e ngushtë, Fotaq/Foto Malo, në degën e letërsisë, në një grup; me Petro Çerkezin, shok i ngushtë, Bardhyl London, të dy në degën e gjuhës ruse. Petro, që nuk linte redaksi pa hyrë, shkrimtar pa takuar e debatuar, solli një natë në dhomë “Lirishta e kuqe”. “Edhe ky s`ka bërë gjë!”, tha. “Po ti ç`shpikje prisje?”, ia ktheu Bardhi. Prisnim “çudira”, befasi orgjinalizimi, forcë shprehëse! Të ishte mbi shkallaren shprehëse të tregimeve.” Edhe Bardhi, edhe Fotaqi pëlqyen, poezi, aty këtu. “E mo se s`është ndonjë gjë e rrallë, tha Bardhi që ia pati marr nga dora Petros, duke e lexuar menjëherë…E lexova kur isha vetëm. Më pëlqyen disa, të tjerat më dukeshin përshkruese.” (“Lirishtën e kuqe” e kam lexuar, kur e sollën në fabrikën e letrës në Lushnje për ta asgjesuar në karton. E pëlqeva, jo aq sa poezitë e Kadaresë. Edhe tregimet, novelën Purpuranti e kisha pëlqyer, jo aq sa prozën e Kadaresë. Në këto vlerësime, që s`dallojnë dhe prej të tjerëve, jemi dhe sot, hiq ata që udhëhiqen nga përdorimi politik i autorëve, që kërkojnë ta ndryshojnë herarkinë në art me biografira.)
Nga dosjet e publikuara në librin e studjuesit Kuçuku lexojmë se: Bilal Xhaferi kishte fituar simpatinë e disa rretheve letrare dhe publicistike të kohës. Dhimitër Shuteriqi e ka propozuar për t`u bërë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Shefqet Musaraj e Llazar Siliqi kanë shkuar në Durrës në Komitetin e Partisë, që Bilali të pranohej anëtar i Lidhjes. I është dhënë leje krijuese. Vehbi Skënderi pyet: pse në presidiumin e mbledhjes nuk ishte dhe Bilali? Moikom Zeqo shok i ngushtë i tij. Po kështu: Kiço Blushi, Koçi Petriti, Sulejman Mato, Adriatik Kallulli, e plot të tjerë. Për romanin kushtuar Skënderbeut e ka ndihmuar Dhimitër Pilika. Redaktori Dhimitër Fullani i ka botuar librat me urdhër të Dashnor Mamaqit. Qamil Buxheli është njeri nga ata që e kanë mbështetur Bilalin, e donte shumë dhe e vlerësonte penën e tij. I persekutuari Bedri Myftari, miku i tij i ngushtë, kujton: “Bilalin e kanë ndihmuar shumë vetë, edhe Trim Gjata, por në mënyrë të veçantë e kanë ndihmuar edhe Vath Koreshi, edhe Agim Cerga, si dhe Miço Verli, që ishte kryeredaktori, se po të mos donte Miçua nuk botoheshin ato të Bilalit. Edhe Ali Abdihoxha e ka përkrahur, sa një herë ka thënë se ky është Çehovi ynë dhe nuk ka çmim për të se po t’i japim çmim të parë, duhet të ketë shumë vende bosh e pastaj të ketë çmim tjetër. Edhe Dritëro Agolli e donte shumë, bile ka shkruar edhe një shkrim për të, edhe Ismail Kadare e donte, të gjithë e donin, nuk kishte njeri kundër veç ata të partisë e shihnin shtrembër.” Ata të partisë se mos vetëm atë shihnin shtrembër?! Naum Prifti i ka bërë portretin më interesant: “Në dhomën e redaktorëve hyri një djalë me uniformë ushtari dhe pyeti nëse mund të takonte Naum Priftin. Kishte trup mesatar, thuajse imcak, me sy bojë qielli, flokë të verdhë, me fytyrë të pjekur nga dielli, ku binte në sy hunda e kuqe pak e rrjepur. Sa e pashë me rroba ushtari u kujtova. “Bilal Xhaferi?” e pyeta. “Po, erdha sipas letrës që më dërguat”, mu përgjigj. E luta të ulej dhe të priste pak, sa të përcillja bashkëpunëtorin me të cilin isha duke biseduar.” E fton dhe në shtëpi. Kudo të shoqëron pikëpyetja: kur “të gjithë e donin”, kush e ka luftuar Bilal Xhaferin? Mos gishtin duhet ta drejtojmë tek 54 sigurimsat dhe bashkëpunëtorët e tyre, ku të bien në sy dhe pseudonime të tillë: “Letrari i ri”, “Çajupi”, etj? Por, a kanë qenë të gjithë miqtë e tij? Ka të ngjarë ta kenë ndërsyer kundër Kadaresë, sikurse e përdorin edhe sot kundër gjeniut të letrave shqip?
Ish i burgosuri, shkrimtari Bedri Myftari, e kujton kështu historinë e përplasjes së bujëshme: “Mërzitja ime e parë me Bilalin ishte për arsyen e romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë. Unë i thashë që të mos fliste, por ai nuk më dëgjoi, foli dhe si përfundim, pas asaj që ndodhi, edhe vetë Bilali e kuptoi që nuk kishte bërë mirë që foli. “E prisha”-më tha ai. Ndërsa unë i thashë: “Ik, s’ke punë më me mua”. Unë i thashë mos fol se do të kesh pasoja, se babain ai e kishte të pushkatuar nga regjimi, por ai nuk më dëgjoi. (Pra: mos llapë, por shkruaj! F.A)…Isha bashkë me Liri Lubonjën. Bile Liria tha: “Bobo ç’bëri ai, nuk e di se çfarë do ndodhë”. Tha kështu, se Todi (Lubonja) e kishte përkrahur shumë Bilalin.” (Todi Lubonja e përkrahte, Fadil Paçrami e sulmoi, ndërkohë që të dy zyrtartë e lartë të nomenklaturës së kuqe dënohen si të një grupi liberal?) Fundja, çfarë i kishte bërë Ismail Kadare, që ai shkon në diskutimin letrar për “Dasmën” si një i paftuar? Sikurse rrëfehet një miku i tij i ngushtë: kishte përgatitur për diskutim 50 faqe, madje: 3-4 ditë para se të shkonte në Tiranë për diskutimin e romanit “Dasma” dorëzon për botim poezinë “Për ty poet”, krejt e kuptueshme kundër Ismailit, e cila edhe sot shpërndahet me zell. Përtej aludimit ajo mbetet një poezi e bukur, që i shkon poetëve të socrealizmit, ku as ai dhe as Kadare nuk bëjnë pjesë.
“E kam fjalën për ty
Që pret të bjerë përsëri tërmet
Dhe të nxitosh të shkruash poezi.
(Kujto poemën e Kadaresë “Këto ditë dhjetori” kushtuar tërmetit në Dibër, për të cilin Fatos Arapi shkroi një roman.)
E kam fjalën për ty
që pret të dalë përsëri një emër heroi
Dhe të nxitosh të vendosësh mbi ballin e tij
Një aureolë poetike.
(Kujto poezinë e Ismailit për Fillëronjësin.)
Poemat e tua
Të puthitura e të vidhosura me sinteza
Me simbole
Me novatorizma
I përmbledhin dhe i përfshijnë të gjitha
Në mënyrë besnike
Si një fotokopje panoramike
(Kujto poemën “Ëndërr industriale” kushtuar uzinës së Laçit, ku punuan dhe të burgosur.)
Atje mungojmë vetëm ne
Ne që ngremë oxhaqe dhe shtylla
Mungojmë ne.
Dhe atëherë kur ti e ke fjalën për ne
Për ty pra e kam fjalën
E kam fjalën për ty
Kur ti e ke për ne
Për ty poet
Që ne, masën, na bën të mendojmë:
“fort po shndrit ai diell e pak po nxeh”.
Kadare ka një libër poetik me titull “Motive me diell”. Aludon për shkëlqimin e rremë të shkrimtarit, sipas tij: ndriçimit i mungon ngrohtësia. Veten e fut tek “ne”, ndërsa Ismailin e lë tek “ata”. Ja dhe një poezi e dytë kundër Kadaresë, e cila nuk e nderon aspak autorin e saj, duke i kujtuar nga Amerika kohën studentore në Moskë me një gjuhë që propaganda e kohës e përdorte shpesh: i shitur me rubla e aspra, si dhe dashnoret.
“Ti lulëzove në stinën me rubla,
Kur ne të tjerët hamë baltën e kënetave,
Ti u këndon serenata rrugëve të Moskës,
Natashave, Tatjanave, Katjenkave.”
Dhe autorit të romanit “Këneta”, tipik i socrealizmit, nuk iu thanë këto fjalë. Kur Kadare shkroi romanin “Dimri i madh” iu turrën ta fundosnin, duke e akuzuar si agjent të Perëndimi? Dhe ky ishte kryministri i vendit. Më poshtë Bilali do e akuzojë dhe për plagjiaturë.
“Kur ne të tjerët hamë plumbat e mashinkave
me kadifenë e poemave të tua të kopjuara,
Ti u jep xhelá çizmeve të xhelatëve,
çizme të rënda me gozhda ta përgjakura
që shkelën mbi fytyrat tona të masakruara.”
Si bir i një babai të pushkatuar, nuk i falet, që konturet e vrasëve t`i shoh në fytyrën e kolegut shkrimtar, kur ai vetë për vrasës të babait ka akuzuar njerëzit e Teme Sejkos i pushkatuar nga Enver Hoxha dhe, Fadil Paçrami, që e akuzoi si të birin e armikut pati më pas një fat më tragjik nga ai në raport me regjimin. Dramat personale nuk duhet të injorojnë tragjeditë e të tjerëve, nëse do të jesh i drejtë me kohën. A është e drejtë, që në kohën kur Kadare po bëhej i njohur në botë me prozën, ty të ngelet ora tek poezia?!
Ti vije nga sallonet e aristokracisë së kuqe,
Vinje nga “Dasma” i dehur me lavdi,
Unë vija drejt nga zemra e popullit,
Vinja nga varrimi i babait të pushkatuar,
Vinja nga varrimi i lirisë së kombit.
Tek poezia e parë flet nga pozita e klasës punëtore, tek e dyta nga pozita e përfaqësuesit të popullit, sikurse hiqeshin dhe pushtetarët. Propaganda e kohës i ngrinte në qiell shkrimtarët të ardhur nga radhët e klasës punëtore rol, që Bilalit po i leverdiste duke u forcuar politikisht. Zgjedh të bëjë kontrast me Kadarenë i mbështetur në kriterin klasor, që regjimi e kishte për zemër. Në vargjet e më poshtme Bilali i hedh dorashkën njeriut të gabuar për të zbrasur pakënaqësitë klasore:
Ne u ndeshëm në errësirë
Si dy re, në një natë me stuhi
Flet për një ndeshje, duke krijuar idenë e një dyluftimi, kur pala tjetër heshti, nuk e pranoi për kundërshtar, duke manipuluar si e si të fitonte nderin e humbur.
Por që të gjithë e dinë mirë
Që shenja e furisë sime s’ishe ti:
Atëherë pse në qendër të sulmeve vë Kadarenë, kur shenjë e furisë tënde s`paska qenë ai? I bie të ketë qenë Fadil Pacrami se Todi Lubonja ka qenë përkrahës i tij. Lë të kuptoj se nuk e ka me “oborrtarin”, por me “tiranin”, të cilit i dërgon një letër, të cilën do e analizojmë më poshtë.
Unë u ndesha atje me tiraninë
Hodha jetën time në kthetrat e ujqërve
Dhe u shikova me vdekjen time sy më sy.
Kush ishte i dehur nga lavdia dhe cili u verbua nga cmira? Sulmet ndaj Kadaresë, për fat të keq, i shet si sulme ndaj regjimit, kur një gjë e tillë nuk ndodhi, pavarësisht se u trajtua si biri i armikut. Ai nuk u ndesh, por iku në “tokën e premtuar”, preku ëndrrën amerikane e lakmuar dhe sot nga shqiptarët. (Nga goja e Kadaresë kanë dalë vetëm këto fjalë: “Bilal Xhaferi kishte më të madhe ambicjen nga talenti”, të cilat mbeten si një pretencë prokurori.) Ka dhe fantazira të këtij lloji: “Ma kanë thënë, pasi kishte ikur Bilali, se në mbrëmjen para se të shtrohej çështja e librit të Ismail Kadaresë, “Dasma”, në Lidhjen e Shkrimtarëve, në mesnatë, në shtëpinë e Kadaresë shkoi Nexhmije Hoxha, gruaja e Enverit dhe duhet t’i ketë thënë: “Ismail, mos u shqetëso fare për këtë punë. Janë marrë masat, nuk të bën dot gjë njeri ty.” Dihet që legjendat urbane janë një ushqim badjava për budallenjtë, të cilët kthehen në një fuqi e verbër kundër cilitdo, që i ndërsejnë. (Petro Marko e ka quajtur “Dasmën” e Kadaresë një dasëm të letërsisë sonë.)
Inati ndaj Kadaresë nuk i del kollaj dhe kërkon shpëtim tek Enver Hoxha, duke i shkruar një letër, që të lë pa mend: “I dashur shoku Enver! Në pranverën që shkoi, u organizua në Tiranë një diskutim letrar rreth romanit “Dasma” të shkrimtarit Ismail Kadare… Shoku Fadil Paçrami që foli pas meje, njoftoi sallën që unë kisha babanë të pushkatuar dhe më deklaroi mua si armik, kurse romanin “Dasma” e vlerësoi lart…U ngrita kundër romanit “Dasma”, se ai më dukej i gabuar fund e krye në brendinë e tij….Një shkrimtar i mirë revolucionar, (rol që Bilali e pretendon) nuk duhet të abuzojë me idetë e mëdha të partisë, duke i përdoruar si prestigjiator tezat dhe parrullat e partisë, vetëm sa për të bërë efekt, vetëm sa për të krijuar iluzione te lexuesi.” Sikurse shihet, autori i poezisë “E kam fjalën për ty”, e akuzon Kadarenë tek diktatori si abuzues të ideve të partisë dhe prestigjiator i tezave, i bindur se po mbronte vijën dhe se udhëheqësi duhet ta llogariste tek besnikët e idealit?! Dhe më poshtë: “Romanin “Dasma” unë e denoncova si një vepër të shkruar shumë larg metodës së realizmit socialist dhe të rënë nën ndikimin e artit dekadent.” Shihni sa ngjan ky denoncim me atë të Kasëm Trebeshinës, në letrën që ai i dërgon kryeministrit Shehu: “Dhe pikërisht në vitin 1961 kemi manifestin e shkollës moderniste: (Manifestin e dytë, se të parin e kishte bërë që në vitet tridhjetë Dh. S. Shuteriqi në librin “Kangë”), tani “Shekulli im” i I. Kadaresë.” Dhe në fund të letrës mohon bbanë biologjik duke pranuar atë ideologjik. “Mua nuk më ka rritur dhe nuk më ka edukuar babai im, të cilin nuk e mbaj mend dhe nuk e njoh, por më ka rritur dhe më ka edukuar klasa punëtore. Nëse duhet të flitet për atësinë time, unë jam bir i klasës punëtore i brumosur me idealet e saj.” Me poezinë dhe letrën ai plotëson figurën e “shkrimtarit të ardhur nga klasa punëtore”, që në atë kohë merrte gjithë vëmendjen e propagandës kundrejt intelektualizmit të qortueshëm, ku vagabondi mbahej për i shenjtë. Por, mbi letrën e Bilalit Enver Hoxha ka lënë një shënim me stilolaps të kuq: “Asnjë autokritikë nuk bënë për lakrat që ka në kokë, për të cilat drejt është kritikuar, dhe jo se i bën kritika “Dasmës”.
Ndiqni këtë dialog domethënës midis një bashkëpunëtori të sigurimit “Burimi” dhe shkrimtarit Bilal Xhaferi, i cili mbahej nën kontroll prej tyre, marr nga libri i B. Kuçukut:
Burimi: A nuk ishe ti i zoti të botoje diçka që të bëhej flamur për letërsinë tonë?
Bilali: Unë e kam vërtetuar me bazë se ai roman, kënaq sedrën e përkëdhelur të Ismail Kadaresë, i jep mundësi atij të shprehë në mënyrë të fshehtë prirjet prej vagabondi, ndërsa na shfaqet si shenjtor.
Burimi: Unë nuk kam talentin tënd, por ama kam nuhatje dhe aftësi për t`i shpëtuar çdo goditje në çfarëdo forme qoftë… Hiq dorë nga njerëzit që të këshillojnë keq.
Bilali: Jam krejt i vetëm.
Burimi: Tani që po flet me mua, nuk je vetëm.
Kush ishin ata, që e këshilluan keq dhe ai nuk i tregoi kurrë? Sipas kushëririt të tij, Bilali që nga viti 1964 kishte në plan të arratisej, fillimisht duke u stërvitur në not si në Pogradec dhe Durrës. Kështu që bie alibia se shkak i ikjes së tij është bërë konflikti me Kadarenë. Ai e kishte mendjen për të ikur. “Eja shiko nusen” ka qenë teksti i telegramit që i ka shërbyer si pretekst për t`i dhënë lejë Dega e Brendëshme. Sa i shkon ky tekst atij, që desh t`i prishte “Dasmën” Kadaresë! Për këtë u shfrytëzua një festë e krahinës, ku gjatë verës bëhej një panair me pjesëmarrjen e banorëve të të gjithë fshatrave të zonës. Atje dëfrehej gjatë gjithë natës. I luteshin të gjente një nuse e të martohej. Në fakt, ai e kishte një të dashur, së cilës i shkruan: “Ti nuk më njeh. Po edhe fare të panjohur ne nuk jemi me njëri-tjetrin dhe unë besoj se nuk duhet të çuditesh aq shumë kur ta lexosh këtë letër. Sidoqoftë, ti mendo si të duash, po unë nuk dua t’i gris akoma këpucët duke kaluar te rrugica e jote. Në një farë mënyre kjo gjë duhet të marrë fund. Pres të më kthesh përgjigje.” Mos kjo poezi e mrekullueshme i kushtohet kësaj vajze, që me sa duket e ka lënë pa përgjigje? Nëse ajo nuk e pranon si partner, Kadare nuk e pranoi si kundërshtar.
Ti je një pardesy
Tek ti fëshfërijnë të gjitha:
mendimet, pardesyja, zemra.
Ti je një pardesy
dhe bota të duket si një sallon mode,
ku parakalon si pardesy e dalë prej garderobe.
Ti je njeri-pardesy.
Të shoh tek zhdukesh përtej-fëshfërimë-nëpër erë,
sikur të mos kesh qenë asnjëherë.
I njëjti dyf që ka zbrasur ndaj Kadaresë, zbras dhe ndaj vajzës. Miqtë e tij tregojnë se kudo që Bilali ecte fërshëllente melodi të Bethovenit, duke më kujtuar Konicën i cili kur shkruante fërshëllente arie operetash. Dhe në dëshpërim do shkruajë:
“Askush,
Nuk do të niset për tek unë…
Ja, kështu do më rrjedh e tërë jeta,
Larg atyre që më deshën
Larg atyre që i desha.”
I braktisur, i shkonte në mend të hidhej në rrotat e trenit, ndaj dalin dhe vargje të tilla kapitulluese: “Prita, ju më dëbuat, po ndjek fatin tim të hidhur.” Por cilët janë këta “ju”, kur atë e deshën të gjithë?! Shprehja: “Prita, ju më dëbuat” të duket si kod, duke e shtuar enigmën rreth vetes. Dhe vargjet e baladës çame: “Ne, popull, muhaxhir, ecim nëpër shi”, përjetohet me nota autobiografike. (Kur kaloi kufirin, ishte në tokën e tij, por që e kishte i huaji.) Në poezinë “Busti i një djaloshi çam të vrarë” parathotë fatin e tij tragjik, duke iu drejtuar të njëjtëve, që, ma do mendja të jenë zyrtarë, apo miq të rremë që i shërbyen shefave të tyre, si e si të lanin hesapet me të dy shkrimtarët:
“Unë do ju shfaqem në errësirën me mjegull
profil i ngritur plot dhimbje dhe përbuzje.
Për mua s’do ju tregojnë gjë yjet, as erërat
as shndritjet e bronzëta të siluetës sime.
Për mua do dëshmojnë vetëm plagët e mia,
Për mua do dëshmojë vetëm vdekja ime.”
Duke lexuar librin e studjuesit Bashkim Kuçuku, si adhurues i të dy shkrimtarëve, sheh qartë se tentativa për t`i dhënë persekutorëve të Bilal Xhaferit konturet e fytyrës së Kadaresë, është një projekt i ideuar nga bota e nëndheshme, autorëve të të cilëve ende s`ua dimë emrat. Libri në fjalë ngre profilin plot dhimbje dhe përbuzje të Bilal Xhaferit, siluetën e tij të mbuluar nga mjegulla dhe terri, duke e shkëputur përfundimisht nga mendimi i përhapur si viktimë e Kadaresë. Ajo që zgjon interes të dihet: a u përdor ai nga të tretë? Mos duhet ta merrte në konsideratë këshillën e mikut të tij Ibrahim D. Hoxha, i cili pohon: “I thashë me sinqeritet që “mos iu fut kësaj pune, se kam frikë që dikush të ka mballosur ty me këto, se nuk duan të dalin vetë, por duan të të shtyjnë ty dhe ti hyn në sherr që të fitojnë ata”? Sipas meje, ata që duhet ta kenë nxitur dhe ai s`i tregojë kurrë, duhet të kenë qenë armiqtë e heshtur të Kadaresë dhe miqtë e tij të rremë, që i morën gjithçka së shkuarës, duke mos lënë përshtypjen e shërbëtorëve të saj dhe në kohën e re morën poza antikomunisti. “Pjesa më e madhe e njerëzve vuan dhe vdes, pa e kuptuar se kush i vret.”-shkruan Ayn Rand në romanin e saj “Revolta e Atlasit”. Zor se ka për t`u gjetur ndonjëherë se kush e vrau Bilal Xheferin, nuk e kam fjalën për legjendat urbane, por për ata që ambicjet ia nxitën për të zezën e tij, që e futën në një betejë që s`ishte e tija. Studjuesi Bashkim Kuçuku i del garant lexuesit, shqiptarëve, duke u shprehur qartë: “Ismaili nuk reagoi në mbledhje, as më vonë, dhe nuk është gjetur ndonjë dokument, që të mbështes mendimin e përhapur, se ka vepruar kundër tij.” Dhe këto i thotë njeriu, që e adhuron Bilal Xhaferin…


