Mjafton të lexosh “Paqen” e Aristofani, kupton arsyen e të gjithë luftrave, që nga Troja deri tek kjo në Ukrahinë apo në Gaza. Ata, që nuk e donin paqen midis Athinës dhe Spartës ishin tregtarët e armëve. Gratë e dy qytet-shteteve, për ta ndalur luftën vendosin të mos i pranonin burrat në shtrat. A mundet pasioni të frenojë tundimin, apo aventura erotike garën e armatimeve, kur Helena bëhet shkak i luftës? Për më tepër që sot lodrat e fëmijëve janë kthyer në dronë? Këto pyetje mund t`i drejtohen vetëm një shkrimtari, të cilit i pëlqen pozita e orakullit dhe guxon të thotë atë që mendon, qoftë dhe si ateist duke mos u tutur para zemërimit të fanatikëve. Ky është Ben Blushi, një nga shkrimtarët e mi të preferuar, ku mosdakortësitë me të nuk ma kanë zbehur dëshirën për ta lexuar. Në çdo botim ai surprizon, ngaqë cdo herë që del në tregun e librit ka c`të thotë.
Ngjarjet në romanin “Parajsa artificiale” zhvillohen në vitin 2030, aty ku pritet t`i dalë parashikimi në romanin “Komploti”, sipas tij shqiptarët do udhëhiqen nga një kryeministër afgan. 2030 s`është larg dhe s`ka gjasa t`i dalë fjala, por ato që ai shkruan zor se i hedh poshtë. Dinamika i të shkruarit të krijon përshtypjen, se, për t`i shijuar librat e tij: mos duhe lexuar duke ecur, si e si të kapësh kohën? (Kur lexon Danten, Ferrin i të vdekurëve të duket me jetë, ndërsa Parajsa: artificiale. Ta ketë këtu fillin dhe Parajsa e tij?) Zor se gjen një roman me një kompozicion aq të thjeshtëzuar, zëre se s`ekziston, pa ngjarje, veçse dy personazhe, duke të lënë përshtypjen e një intervistë, që e dashura 27-vjeçe më e re i merr të dashurit të saj, çifutit Simon Shuteri, ndërkohë që në Tiranë masakrohet nga i ati një vajzë palestineze. Duket sikur ia lidh duart vetes, dy veta që flasin gjatë gjithë kohës, ja që në dhomën e tyre futet e gjithë bota.
Simon Shuteri është një personazh i ardhur nga romani “Komploti”, shtegtim balzakian i personazheve, të cilit, e reja i drejton një mori pyetjesh madhorit dhe ai i përgjigjet si me qenë një orakull, që paraljmëron ardhjen e “Diellës”. “Dashuria është një zjarr që duhet mbajtur në frigorifer”-i thotë Simon Shuteri vajzës. I duhet të përdorë gjithë inteligjencën për të fituar një grua, kur mund të merrej me gjëra të mëdha. Mos po i bën dëm aftësitë? Vajza ankohet se Simon Shuteri nuk e ka aftësinë të dojë. Mos teknologjia ia ka tharë shpirtin? “Ju nuk e keni aftësinë ta njihni dashurinë. Ju kërkoni nga gratë nënshtrim, jo dashuri.” I tërhequr pranon defiçencën: “Ndoshta nuk e njoh sa duhet atë që quhet ngrohtësi njerëzore.” Ai që ka akses në vendimmarrje, që përgatit një të nesërme për popullin e tij apo njerëzimin, duke i munguar ngrohtësia njerëzore mos shfaq një defekt me kosto të lartë, jo vetem për marrëdhëniet në çift?
Në romanin “Komploti” Simon Shuteri parapëlqente ta drejtonte qytetin me një kryebashkiak të vdekur, tani beson se “një inteligjencë që çon në luftë është më e dobishme se idiotësia që çon në paqe”. (Në një ishull të pabanuar janë vrarë amerikanë dhe japonezë më shumë se në Vaterlo.) I ati i vajzës, një ish ushtarak i kthyer në pijanec, i zhgënjyer si të gjithë shqiptarët mendon se ka lindur në vendin e gabuar, i lënë rrugëve, që t`i japë një kuptim të ri jetës: duke kërkuar luftë. Vetëm mësueset kanë durimin të mbajnë në shtëpi një oficer depresiv, i thotë madhori vogëlushes, që, në vend ta ushqejë me ndjenja e helmon me ideologji. “Mund të ndahesh me një oficer, por nuk mund ta ndahesh kurrë me një hero”. Nuk mund të mos tingëllojë ironike kjo, kur mendon mijëra ushtarak, të një populli ushtar, që u përgatitën për një luftë dhe ajo s`erdhi kurrë. Por, mungesa e një luftë për një ushtarak, duke si një heqje mundësie ku ai të tregojë veten. Si t`i heqësh një sportisi fushën sportive. “Luftrat janë mundësia e fundit, që ka e shkuara për të vonuar të ardhmen”, ndërhyn autori me mprehtësi, duke krijuar një paradoks me “idiotësinë që çon në paqe.” Musolini mendonte se duke i futur italianët në luftë do vitalizonte kombin, por veçse u vonoi të ardhmen.
“Kur e kuptove që je çifut?”-e pyet vajza. Dhe vjen një përgjigje, që vetëm Blushi di ta japi, duke shpjeguar veten dhe ne të tjerëve, që këto fjalë i ndjejmë si tonat: “-Kur kuptova se miqtë më urrenin. Kur kupton qysh i vogël se je diçka ndryshe nga të tjerët.” I mbetur pa miq nuk trishtohet, përkundrazi ndjehet më komod, ngaqë miqtë e tij ishin: o budallenj, o të liqë dhe miqësia me ta s`i jepte asnjë kënaqësi. “Unë kuptoja më shpejt nga të tjerët gjëra që mund të ndodhnin nesër. Aftësia për të eksploruar të nesërmen ishte arti im.”-i rrëfehet ai vajzës, tek e cila po mbyste vetminë e tij. Aftësia për të eksploruar të ardhmen a merr ai atributet e një përfaqëusesi, kur njeriu i së ardhmes shihet tek të rinjtë? Simon Shuteri beson tek e nesërmja se vetëm atë ka në dorë të ndryshojë, duke sfiduar kështu profetët që këtë rol ia njohin vetes. Me fuqinë ndikuese të madhorit e reja, mos po ndjehet e shantazhuar, duke u kthyer në një peng i tij, për të mos thënë një viktimë e indoktrinimit, e trushplarjes? “Inteligjenca është masa e njeriut. Më mirë një arab inteligjent, se sa një shqiptar budalla”, thotë çifuti me emrin Simon Shuteri, duke na kujtuar shprehjen: “Më mirë një armik se sa një mik budalla.” Perënditë greke ishin më të mënçura e më të gëzueshme nga profetët që erdhën më pas, të cilët ndaluan seksin, lakuriqësinë e statujave, verën e Omer Kahjamit dhe ndarjen nga gruaja, provokon autori, ngaqë i pëlqen të kthehet në një tagër për kritizerët. (Samsoni i dramës së Nolit “Izraelit e filistinë”, duke patur si mision të shpëtonte popullin nga një besim i kalbur, i thotë Dalilës: “Zemrës i pëlqejnë të ligat, pra andaj të dua…Dua të të pastroj nga të ligat e ndyrësit që t`i jap shpirtit tim një ushqim të qëruar.”) Krahasuar me perënditë pagane profetët që erdhën më pas duket sikur i hoqën njerëzimit gëzimin, duke e bërë jetën të zymtë. “Ushqimin e qëruar” e preferonin dhe ateistët e Shqipërisë komuniste, duke luftuar çdo ndikim të botës së degjeneruar borgjeze, sikurse po luftohet dhe sot në emër të familjes së shenjtë.
Autori me të drejtë vë në dukje varësinë e botës prej profetëve, udhëheqësve shpirtëror, sikurse thuhet në një film të Çaplinit: “Sundimtarët duan që ne të mendojmë si ata.” Kush po i pyet popujt, kur shtetet futen në luftë? Nëse Krishti do ishte i pasur si Mohamedi, ndoshta bota do të kishte patur më pak halle. (Dihet që Mohamedi ishte tregtar, por vendet më të pasura në botë janë ato, ku njihet krishtërimi.) Krishti u bë komunisti i parë i botës, sikurse pranohet dhe në katedrat akademike, ndërsa krishtërimi bëhet djepi i komunizmit, ky djep ishte në Perëndimin e Marksit e të Engëlsit, shkruan ai, ndërkohë që regjimet komuniste i kemi në Lindje dhe se komunizmin në Shqipëri, lexo “Komplotin”, do e sillte Tracki?! Gjithnjë sipas autorit: gratë myslimane nuk e kanë futur komunizmin në shtëpi, ndërsa ato evropiane e futën në krevat si një praktikë të barazisë seksuale. Asnjë vend islamik s`është bërë komunist. (Kina komuniste s`është as e krishter dhe as myslimane.)
Ti je njeri pa karakter, i kthehet vajza. A e vuan Simon Shuteri mungesën e identitetit?! “Pashai i Tiranës ngaqë s`pushtoi dot Teheranin, pengun e jetës e realizoi duke ndërtuar një qytet të ri përngjashëm me të.”-flet çifuti pa karakter e pa identitet, pa e kuptuar se po vë në lojë veten. Tirana krahasuar me qytet e tjera të Shqipërisë është e vonë, e cila ka si fillim ambicjen e një pashai, por që u korrigjua shpejt nga ambicjet e mbretit Zog, i cili njihet për dekretin e heqjes së ferxheve dhe të faljes në këmbë. “Babai thotë se zoti bëri gabim kur krijoi shqiptarët.”-e pason vajza e oficerit. Kjo batutë e një ushtarak që kërkon luftë për t`u bërë hero, nuk mund të merren serjozisht nga një i degraduar, që gjithë ditën rri tapë. Por, përçmimi ndihet. Nuk mund të gjesh në letërsinë shqiptar një personazh me cinik nga Simon Shuteri, që me raste kthehet dhe në një zëdhënës të autorit.
Hakerat, sikurse futen tek të dhënat e shtetit, gjejnë akses dhe në jetën private të njerëzve. Askush nuk i imiton dot profetët, që, kur u vinte momenti i iluminimit, mbylleshin në shpella, ndërsa ata që e kërcënojnë botën me luftë i kanë gati bunkerët atomik për të shpëtuar kokën, pavarësisht gjëmës që i kanë shkaktuar njerëzimit me ideologjitë e tyre. “Gjermanët janë populli më gjakatar i botës. Nëse çifutët prodhojnë një Mesi, gjermanët përherë një Hitler, si populli më i pangopur i historisë. Kur një italian pasurohet blen makinë gjermane, një francez bën pushime në Itali, një anglez blen shtëpi në Francë, ndërsa një gjerman mendon si t`ua rrëmbejë pasurinë të treve.” Duket si anekdotë, por regjistrojeni si pakënaqësi të një çifuti, që ka vuajtur prej tyre. Mos zoti ka bërë gabim që ka bërë gjermanët? Për një çifut, po. Por, shqiptari pse e thotë për shqiptarin? Mos këtë gabim të zotit duhet ta ndreqin fqinjët?! “Kam shumë besim se do fitojmë, nëse çdo gjë shkon sipas planit tim, tha Simon Shuteri…Unë jam ekspert i manipulimit të sedrës njerëzore.”-deklarohet ai në rolin e një spin doctori, i njohur ky si strateg i fushatave elektorale. Kujtonim se manipulimi i sedrës njerëzore ndodhte vetëm në diktaturën komuniste me “shplarje të trurit”. (Personazhit i ecin planet, ndërkohë që autorit të romanit i ka ngecur kariera. Mos përmes tij i duhet të hakmerret për dështimet e veta?) “Shehu Im është një burrë i zgjuar, popullor, flet bukur por nuk ka kauzë dhe sa herë hyn në zgjedhje humbet. Unë do t`i jap kauzën që i mungon. Do ta mësoj të bëhet lider…Ky burrë ka një ves: urren çdo njeri që ka një ide që ai nuk e ka…Kjo është ajo që ka kërkuar gjithë jetën: ta përfillin…Ky njeri nuk lejon askënd t`i afrohet kur i duket se ka sukses.” Shehu të lë përshtypjen e një udhëheqësi shpirtëror, ndërkohë që është një politikan i dështuar. (Një Sheh e kemi patur kryeministër dhe në diktaturën komuniste, si i dyti pas Hoxhës. Vazhdon të na ndjeki imazhi islamik.) Nëse urren çdo njeri që ka ide, ka sukses, si mund ta bësh një lider, që të fitojë? Simon Shuteri shfaqet para vajzës si një çudibërës. (Mendojeni për një çast, nëse Mira Murati do ishte në Shqipërinë e Shehut, ku urrehet i suksesshmi, ai që ka ide. Askush s`fliste keq për Kadarenë, kur jetonte në Paris. Tani që është në qiell s`po e lënë rehat, vetëm se ai erdhi në atdhe dhe po u zinte “hisen e diellit”. Po Blushi vetë si sillet ndaj atij që ka ide dhe është i suksesshëm, për më tepër dhe një humbës zgjedhjesh?) “Kaosi është nëna e çdo fitoreje, unë jam prodhuesi më i madh i kaosit njerëzor.”-vazhdon madhori të flas në emër të atij që ka në duar fatet e njerëzimit, por ty nuk të duket Don Kishot. Turbullo për të kthjelluar, thoshte Mao Ce Duni?! “O zot, më shpëto nga ky njeri!…Nuk rrotullohet gjithë bota rreth teje, tha vajza”, duke shtuar me vete: “Mosha e të dashurit tim tregon shkallën e dëshpërimit ku jam zhytur.” Simon Shuteri i do gratë vetëm sa t`i çojë në shtrat, ndaj vajza duke e njohur ndihet nën kthetrat e një sundimtari. Ajo s`po e ndjen më si partner, por si tutor. Në një farë mënyrë duhet të shpëtoj prej atij, që hiqet sikur ka në duar fatet e botës. “Unë e krijova këtë luftë si një dhuratë për ty, prandaj ti ke të drejtën të vendosësh se si do përfundojë ajo.”-një reminishencë e shëmtuar e luftës së Trojës për një Helenë. Për ç`luftë flet apo lodra fjalësh?
Nëse teknologjia është pasion i të rinjëve, në roman si zot i tyre ndihet një i moshuar, i cili vazhdon të predikojë: “Parajsa artificiale: do zhduk Zotin dhe punën. Robotët do jenë lexues të mendimeve tona, si “makina e së vërtetës”. Ajo do t`i ketë hequr qafesh shkrimtarët. Puna fizike është armiku më i madh i dashurisë. Njerëzit që robton puna marrin gratë më të shëmtuara.” Njerëzimi përherë të parë po prodhon diçka që s`e kontrollon dot, por ky pse hiqet, sikur është protagonist i kësaj historie? (Nëse lexon librin “Vala po vjen”, “The coming Ëave” të Mustafa Sulejmanit, i gjen të gjitha shqetësimet të shfaqura nga autori i “Parajsa artificiale”.) “Gratë jetojnë me të ardhmen, burrat jetojnë me të shkuarën”,-shkruan Blushi dhe ai që merr përsipër të parashikojë të ardhmen është një burrë pa identitet. Personazhja e romanit veçse i trëmbet kësaj të ardhme, për më tepër që garant po i dilte Simon Shuteri, të cilit i mungonte ndenja e dashurisë. “Babai im nuk do të pranonte kurrë të votonte për një robot”, por a do e arrijë ish ushtaraku i degraduar atë kohë? Simon Shuteri mezi po pret të pushoj së qeni njeri, duke u kthyer në një robot për të sunduar botën, duke e quajtur veten një fatkeqësi që e pjell demokracia. Si një njeri pa identitet, Siman Shuteri shfaqet përmes inkoherencës. Sa më shumë që ai flet për Parajsën Artificiale, aq më afër të duken dyert e ferrit. Sikurse shihet në të gjithë referencat e mia proza e Ben Blushit s`ngjan me askënd. Në mënyrën e tij të të shkruarit s`ka asgjë artificiale. Ja dhe një shembull i zhdërvjelltësisë së autorit:
“Gjithë mëngjesin sajove një ferr, ndërsa gjithë mbasditen ndërtove një parajsë.”
“Në mëngjes isha i mençur, prandaj isha i keq.”
“Po tani a s`je i mençur?”
”Tani jam i shenjtë.”
“E çfarë bën një burrë i shenjtë?”
“Një burrë i shenjtë përpiqet të shpëtojë një grua.”
“Nata ishte e bukur dhe qielli i pastër. Simon Shuteri mori frymë thellë dhe mendoi se sapo kishte shpëtuar një vajzë nga mbytja.” Interesant, për të mos thënë zbavitës, ky kalim nga “burrë i mençur” në “burrë të shenjtë”, që ka për qëllim final: shpëtimin e një gruaje, në fakt të një vajze, së cilës më parë i është drejtuar me këto fjalë: “Unë e krijova këtë luftë si një dhuratë për ty, prandaj ti ke të drejtën të vendosësh se si do përfundojë ajo.” Edhe pse s`shohim luftë gjëkundi në roman, si një roman klasiçist ku ngjarjet zhvillohen në të njëjtit vend dhe brenda 24 orëve, në realitet janë dy tmerrshme si në Ukrahinë dhe në Gaza, që, vetëm idenë e dhuratës nuk të krijojnë. (Simon Shuteri është një karikaturë i mbinjeriut të Niçes.)
A mund të shkohet në Parajsën Fiskale ku lufta percektohet si një dhuratë? Historia e njerëzimit sapo ka filluar me protagonistë të rinjë, ku bota virtuale e teknolologjisë supreme më shumë se sa po shton sigurinë, po thellon misterin e pasigurisë, ku njeriut t`i shpëtoj nga duart kontrolli i botës, sikurse viruset dalin nga laboratorët. Me këtë roman Blushi po i paraprin asaj që po vjen me një shpejtësi marramendëse, ku pikëpyetjet në vend të marrin përgjigje shtohen dhe më shumë. Stresi shtohet, ankthi ngrihet dhe idili zbehet. Pas romanit “Parajsa artificiale” Blushi publikoi një shkrim të gjatë ku aludon për profetët e rinj, që pritet t`na shfaqen. “Në Greqinë e Lashtë ishte një mbret që quhej Mida, i cili kishte aftësinë të kthente në ar çdo gjë që prekte. Që atëherë prekja e tij e famshme u quajt Mida’s Touch apo Prekja e Midës…Donald Trump që duhet t’i besojë mitit të Midës më shumë se çdo perëndie tjetër, shet bibla dhe fiton, shet këpucë dhe fiton, shet kitara dhe fiton, shet parfume fiton, shet ora fiton, shet kapele fiton natyrisht bashkë me to fiton dhe zgjedhjet. Çfarë kërkon ai? Pasuri, pushtet, kontroll absolut, ndryshim kufinjsh, një dinasti familjare, apo ndryshim të rregullave që mbajnë në këmbë rendin tonë, demokracinë pluraliste liberale që njohim…Ndoshta edhe në rendin e punëve që merr përsipër, pra në rreshtin e sendeve që kthen në ar, Donald Trumpi imiton pak Mbretin Mida. Ai nuk ka plan, por ndryshon çfarë i del përpara. Perandoritë tani janë private…Ato kanë monedhat e reja kripto që po ja marrin bankave, kanë teknologjinë e informacionit, të makinave elektrike dhe shumë shpejt do kenë në dorë gjithë fuqinë punëtore sepse do prodhojnë robotët që do zëvendësojnë afro 40 për qind të fuqisë puntore të botës për 100 vjet.”-shkruan Blushi si t`i prezantojë lexuesit regjimin e ri të epokës së robotëve, duke plotësuar personazhin e tij Simon Shuterin. Kur Çaplini xhiroi filmin “Diktatori i Madh” e përzunë nga Amerika, por fitoi një grua shumë më të re nga ajo e Simon Shuterit, së cilës si artist i dha shumë dashuri. A mund t`i premtohet parajsa një vajze që dashurohet me një çifut, i cili e krijon luftën si një dhuratë për të, kur i ati i saj ish-ushtarak, e do luftën, si një rast për të marrë një medalje? Autori ka të drejtë të sensibilizojë, të tjerat s`janë në dorën e tij…

