Libri “Porosia e kullës”, i autorit Pashko R. Camaj
S`ka tjetër, ku njeriu ta lërë veten më shumë, se sa tek e shkruara. Në memoristikë, nëse kujtimet karakterizohen nga një lloji vetëdeklarimi pa dëshmimtarë, zëre se ke bërë një selfije. Kur autori identifikohet me një kronikan ngjarjesh me interes publik, ai merr vetvetiu atributet e një protagonisti, ngjall interes, sikurse po ndodh dhe me librin e Pashko R. Camajt “Porosia e kullës”. (Sipas të drejtës zakonore, nëse pema i hedh degët në rrugë, frutat u përkasin kalimtarëve.) Jeta e autorit nis nga kulla e frengjive, guri i rëndë në vend të vetë, për të vazhduar tek xhamllëku i gradaçielave, ku botën e sheh si në pasqyrë. Ti e ndjek rrëfimin e tij, kurjoz të dish: cilat janë raportet e kullës së gurtë të etërve, ku të gjithë njohin të gjithë, me kullën e qelqtë të botës së lirë, ku namin ta jep suksesi? Në variantin anglisht libri titullohet “Ëndërrime nga bagazhi i një veture amerikane”, ndërsa në shqip “Porosia e kullës”, ku ëndrra flet anglisht me drejtimin për nga e ardhmja dhe porosia vjen prej së shkuarës në shqip. A ka ndonjë urë lidhëse mes tyre apo në miniaturë tek “emigranti” shfaqet silueta e “moikanit të fundit”? (Shpesh historitë e kullave kanë një fund tragjik, sikurse ajo e Mic Sokolit, e Oso Kukës, qoftë dhe e Gjon Markagjonit, përjashto kullat e vrojtimit.) “Deri më sot, shumica e ëndrrave të mija më kthejnë në ato ditë të hershme kur nuk kishim asgjë, por as që nuk na nevojitesh shumë për të mbushur ditët tona.”-shkruan autori “në formën më të bukur të mundshme”, sikurse vë në dukje i vëllai përkthyes, duke shtuar: “përmes këtij përkthimi rinjoha vëllanë tim”. Sepse s`ka tjetër ku e shfaqim veten më shumë se sa tek e shkruara. (Jemi mësuar, që, rinjohja e vëllait të ndodhë në balada gjatë dyluftimeve, ja që ndodhka dhe në shkrime.)
Në shumicën e faqeve të librit dominon retrospektiva, ku malli e bën të vyer dhe varfërinë. Në përshkrimin e autorit kulla prej guri ishte e lyer nga brenda me gëlqere. Dyshemeja prej dheu të ngjeshur me kalimin e kohës forcohej nga të shkelurat duke u çimentuar. Aty ishte vatra ku gatuhej dhe hahej. (Aktualisht autori është sekretar i “Vatrës” në Amerikë.) Zjarri ndizej në mes të shtëpisë, si oxhak i hapur dhe tymi nxinte trarët. Mbrëmjet ndriçoheshin nga një llambë vajguri. Kjo është kulla, e cila nuk të fton për të jetuar dhe çfarë porosie mund të vijë prej saj? (Rexhep Qose në librin e tij studimor me titull “Porosi e madhe” i përkushtohet Naim Frashërit, ku mesazhet e poetit i artikulon si porosi për kombin. A përputhen porositë e kullës më ato të poetit tonë kombëtar?)
“Porosia e kullës” është ndër librat që publiciteti po e shoqëron, qysh prej daljes në treg, ende jemi në jehonën e tij, përkundër tipit të autorit, i cili përpiqej të bëhej sa më i padukshëm. Kujt i fshihej? “Kjo ndjenjë më ndoqi më vonë në jetë. Nuk kam dashur kurrë të jem në krye të linjës. Preferenca ime ishte t`i lija të tjerët më ambiciozë dhe më lakmitarë.” Dhe kur i rastisi të dilte në një skenë amatore zë rreshtin e fundit të korit. Ndërsa për të atin do shkruaj: “Ai ishte një njeri i përulur që nuk kërkoi kurrë vëmendje, megjithatë ai sapo ishte bërë një hero i menjëhershëm për të gjithë ne në atë dhomë, por veçanrisht për mua, një hero për përjetësinë.” Ç`kishte ndodhur? Qendra e shkretë e Tuzit, ku tashmë ngrihet dhe shtatorja e Gjergj Kastriotit, ishte e shkretë, sikurse ndjenjat e prindërve të tij. “Ai i njohu të dy burrat dhe vuri re se në duar kishin revolver. Ata po ecnin drejt njeri-tjetrit duke hedhur fjalë-fjalë që burrat nuk ia thonë burrave të tjerë duke pritur të mbijetojnë. Pa një mendim të dytë, instikti i tij e tërhoqi babain tim drejt dy burrave. “Pse armët o burra-për çka u duhen armët? Burrat nuk i zgjidhin mosmarrëveshjet me armë!”-Krahët e hapur të babait tim drejtoheshin nga qielli, ndërsa ai përpiqej t`i bindte të ndalonin çmendurinë e tyre menjëherë. Në botën tonë të Malsisë, dihej se kur një njeri hyn në një mosmarrëveshje të këtillë për t`i dhënë fund konfliktit, respektohet përgjithmonë… “Për hir të zotit, për nderin e familjeve tuaja, mos e bani kta! O njerëz të mirë hiqni revolet e të flasim si”…Babait tim iu ndërprenë fjalët e lutja për armëpushim kur njeri prej tyre u qëllua nga një revole, e ndjekur nga një breshërimë plumbash nga të dy burrat…plumbat depërtuan nëpër pallton poliestër dhe shpuan trupin e babait tim.” Gjeka dhe Rroku ishin produkt të një shoqërie që s`e pranonin poshtërimin. Përherë nderi i panjollosur i malsorit ka kosto të lartë, aty ku fjala vret apo sedra njollos burrërinë. Gjithsesi, drama nuk u kthye në tragjedi, pasi të tre mbetën të plagosur. “Ky është një sulm ndaj vllaznisë tonë dhe ne do të hakmerremi”-po nguteshin njerëzit e fisit të babait. Zinxhiri i hakmarrjes rrezikonte ta zgjeronte rrezen e konfliktit. I ati arrin t`i shuajë gjakrat dhe në kullë shtron një drekë, ku ishin të ftuar dhe Gjeka me Rrokun. Kësisoj hasmëria kthehet në vllazërim. “Zoti ka vendosur të kursej jetën time dhe të këtyre dy burrave fisnikë”-janë fjalët pajtuese të babait të tij. Kjo është porosia e parë që vjen nga kulla për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Ja, si e trashëgon i biri: moralin e të atit, ku aspirata për ta bërë krenar babanë s`rresht tek ai. “Nuk kam pasur mëri e mllef as ndaj qenit që më kafshoi.”-shkruan ai fisnikërisht. Por të tillët lëndohen dhe më shumë, shpesh prej atyre, që përfitojnë prej tyre. Kur i biri i kujton se është e premte dhe se s`duhet të hanë mish, i ati i përgjigjet se nuk është mëkat ajo që hamë, mëkatare janë fjalët që të ligjtë nxjerrin nga goja, duke e këshilluar: “Kurrë mos merr diçka që nuk të përket. Mos e sill në shtëpi atë që s`është e jotja”. Pak po ju duket kjo porosi në kohën kur korrupsioni po e kthen vesin e hajdutrisë në një kredo për pasurim? Po gojët mëkatare, sa e sa lëndojnë?
Shihni një përshkallzim interesant, ku shoqërohet rritja e tij në moshë. Fëmijëria nis me një top prej lecke, më tej duket se po bëhet më e gëzueshme me topin kinez prej llastiku dhe kur i ati i sjell një top futbolli italian, do e pyes të birin se ç`kishte dëshirë të bëhej, kur të rritej. Futbollist dhe të luante me një skuadër të madhe, ishte përgjigjja e tij. “Por skuadrat e mëdha janë shumë larg. Çka do të bësh ti kur ne të plakemi? Ti je më i vogli ndër katër djemve dhe ti e di se prindja i takon djalit më të vogël.”-Ndërkohë topi do i kthehej në një glob, që rrotullohet dhe bashkë me të: fati i tij. “Në fundjavë para se të lirohesha nga ushtria, shkova në qytet dhe bleva një komplet xhinsi, një palë çizme dhe një xhup që e kishte të printuar USA në pjesën e përparme.” Sigla USA një shenjë e rastit të ishte, pasi fëmijëria dhe rinia e tij kishte kaluar nga topi i leckës, tek ai kinezi prej llastiku dhe në fund topi i futbollit italian? Po e thërriste bota e madhe. Ai që mbante themelet e kullës ishte babai, ndërsa ai që duhej të mbante babanë e plakur ishte i vogli i katër djemëve tek i cili po vlonte dëshira për aventurë. Befas shfaqej një dramë. Është e njohur “lufta e brezave”, konflikti etër e bij, por në libër babai mbetet përherë një idhull për djalin. Ndaj ai vuan dilemën: a i ka tradhëtuar paraardhësit e tij, ku vendin e kullës se gurtë do e zinte gradaçiela e qelqtë? (Në Tiranë kullat mbajnë në sherr politikën.)
Kulla përfaqëson vendlindjen dhe më tej atdheun. Rrëfyesi duhet të lërë një shtet të prapambetur për të shkuar në shtetin më të fuqishëm dhe më të pasur të botës, duke u larguar nga kulla e të parëve, nga trojet stërgjyshore. Kujtoni fjalët e të atit: “Kam frikë për këtë vend. Kam frikë për ty, Çoço … Nuk jam i sigurt se “plaku” (Tito, i cili do të vdiste në pranverës e ardhshme.) mund t`i mbajë në qetësi ma këto armiqësi?” Parandjen kohën e trazirave, përgjakjen e Ballkanit Perëndimor. Dhe më tej urtësia flet me gjuhën e së vërtetës: “Plaku nuk është i mirë, por asht më i mirë se pjesa tjetër e tyne dhe se është i vetmi që mund t`i mbajë në kontroll.” Natyrisht që ne heqim paralele me diktatorin tonë, i cili i hapi namin vetes si lider botëror, por ndikimin e Titos nuk e kishte. Kjo paralele ndihmon për të kuptuar se Lindja, pavarësisht veçorive udhëhiqej nga i njëjta mentalitet. Nuk është rastësi dalja e Milosheviçit fill pas vdekjes së Plakut (Titos), sikurse e parathot orakulli i kullës. Në këtë libër mësova se paska patur dhe burra vajtor, tek ne njihen vajtosat, sikurse babai i Pashkut, i cili do përndiqet nga hafijet e regjimit, për shkak të këtij vajtimi:
Oh, lajm i zi na vjen nga Azija,
Thonë se ka vdek aij Mul Delia,
E kanë me dvet si asht Malsia,
E kanë me dvet se asht Shqipnia,
E thuaj se asht zi e ma zi,
Se na ka ardh ne nji parti,
Që s`don kisha e s`don xhami,
Tretja zot farën e tij,
E na ka ardh nji mret pa emën,
S`dim a është mashkull a asht femër?!”
Pasi e lidhin në trungun e një peme, e lënë pa ushqim, do i thonë: “Ti kurrë nuk do të flasësh kështu ndaj udhëheqësit tonë të madh dhe nëse e bën, kjo nuk është asgjë në krahasim me atë që do të ndodhë me ty.”
Pashku kujton dhe një episodë kur ishte nxënës: “Ajo nuk kishte aftësi për të mësuar të recitonte një poezi të shkurtër për “udhëheqësin e madh” të vendit komunist, që aso kohe ishte e detyrueshme”, por mësuesi e detyron të dalë para klasës. Nga frika vajza urinon. Sa therëse janë këto fjalë: “Ne qeshnim me jetën tonë, thjesht për të shmangur të qarat.”
Emigranti Pashko R. Camaj nuk është një i “ikur për modë”, sikurse u shpreh Primo Shllaku për një prirje të sotme, por një i përzënë, sikurse ka ndodhur në trojet tona dhe duke i shpërngulur me dhunë. Pra, një i ikur nga e keqja, i përzënë prej së keqes. “Mosbindja ndaj shtetit do të thoshte lehtësisht vdekje.”-shkruan ai për gjyshin e tij, Pjetrin, i cili figuronte në listën e “armiqëve të vllaznisë komuniste”, duke qenë në fakt “armik i së keqes”. “Unë i njoh mirë ata njerëz. Ata nuk mësojmë. Ne duhet t`i dërgojmë të gjithë mbrapa në Shqipëri.”-tha profesor Çaviq, si një nga shkaktarët e largimit të tij nga kulla. Është fatkeqësi që akademikë serb kanë shkruar doktrina genocidi, shfarosje të kombëve të tjra, që reflektohet dhe tek profesori i Pashkos. Në oborrin e vejushës së një heroi të dekoruar të Luftës së Dytë Botërore ndodh ky episod përballje: “Ne nuk e kaluam kufirin. Të tjerët e vendosën kufirin aty ku janë. Kemi qenë aty prej shekujsh zonjë!”-të duket si një ligjërim nga drama “Epoka para gjyqit” të Ekrem Kryeziut. Askush nuk donte t`ia dinte se kush ishte, pasi nuk isha ai që ata donin. Përherë në një mjedis armiqësor. U rrit duke e patur Shkodrën në sy, dy kilometra larg fshatit të tij. Konflikti thellohet, kur ai largohet pa leje nga reparti për të takuar të dashurën fshehurazi dhe e demaskojnë si të ishte një dezertor lufte: “Të dashur ushtarë trima, punëtorë, shikoni këtë njeri, mjekun tonë, një turp për të gjithë ne. Ndërsa ju punoni për të ndërtuar bashkim-vëllazërimin dhe unitetin tonë, ai po na minon të gjithëve!” Ata shqiptarë që u besonin mos po ndihen ca më shumë sot, duke futur armiqësi mes nesh, duke mos njohur Porosinë e Kullës, por të atyre që i urdhëronin? I rritur në Malsinë që nuk e duronte poshtërimin, ai shprehet: “Kur më kaloi poshtërimi fillestar që ndjeva, më pushtoi ideja se ky vend ishte i dënuar. Unë u trajtova në këtë mënyrë se s`isha njeri prej tyre. Unë isha nga ata shqiptarë që nuk mund t`u besohej.” Tualeti i ndotur në stacionin e trenit të Zagrebit, ku në mur shkruheshin lloj-lloj, tekstet i unifikonte urrejtja. “Të gjithë dukej se ishin dakort që Kosova dhe populli shqiptar në Jugosllavi ishin zuzarët e vendit.”-shkruan ai. Një detaj i mrekullueshëm kur e gjithë kjo ndyrsirë dilte nga goja e një haleje! Dhe “me arritjen e moshës madhore do të kuptoja se kjo ishte arsyeja që do të më shtynte të largohesha përgjithmonë nga vendlindja.” Apo: “Ishte ajo kohë kur unë kuptoja se lumturia jonë shkatërrohej lehtë…Pothuajse çdo gjë që na e sillte jeta kishte mundësinë të na i thyente zemrat tona të brishta.” Aty ku lumturia shkatërrohet lehtësisht dhe zemrat e brishta thyhen, a mund të shpresohet një jetë më e mirë?
Fill pas luftës në Mitrovicë ekspozimi ndaj plumbit ishte në nivelet më të larta, shkruan ai nga pozita e një kërkuesi shkencor, duke u rikthyer në trojet tona, si një i dërguar i Nolit: “Nëno mos kij frikë se ke djemtë në Amerikë!” Shumica flisnin anglisht, por ai u flet serbisht dhe shqip për të marr “rolin e një paqeruajtësi”, sikurse kishte bërë dhe i ati i tij me Rrokun dhe Gjekën. Por i duhet të përballet dhe me të vërteta, që mbajnë pezull dhe dilemën e tij karshi porosive të kullës. “Shumica prej jush që keni patur fatin të largoheni, ktheheni këtu vetëm për të shitur shtëpitë ose tokat tuaja, mblidhni parat pastaj fluturoni mbrapa. Fluturoni përsëri në Amerikën tuaj. I shpenzoni paratë për të blerë shtëpi apo ndonjë makinë të re.” Dashamirësia e tij has dhe refuzime: “Unë nuk u jap (mostra gjaku) skiptarëve dhe atyre që bashkëpunuan me NATO-n për të bombartuar qytetet tona dhe për të helmuar fëmijët tanë.” Qëllimi i punës së tij shkencore t`u shërbente të gjithë banorëve, pavarësisht kombësive, për t`i pastruar nga plumbi apo nga ndotja e luftës. Ja që helmi i urrejtjes në Ballkan qënka i vështirë të pastrohet?!
“Kur errësira e bagazhit të makinës gëlltiti diellin, më kapi paniku.”-shkruan ai para se të kalonte kufirin e Meksikës për në SHBA. Dhe më tej: “Jetët tonë ishin në dorën e njerëzve që nuk i njihnim. Nuk kishim asnjë që të na fliste e të na qetësonte ankthet.” Përherë në përballje me të panjohurën. Porosia e trafikantëve: të mos shikonin askënd në sy, duke u përpjekur të bëheshin sa më të padukshëm. E njihte rolin e të padukshmit edhe pse rrethanat e evidentonin. Një i huaj në tokë të huaj i qeverisur nga të huaj dhe në trojet e tij, duke mos ditur se çfarë vjen pas, guxon të ndryshojë fatin e tij. “Pavarësisht ëndrrave të mija të parealizuara, kisha arritur t`ia pranoja vetes se sa kishin ndëshkuar dështimet në përcaktimin e fatit tim. Ato punuan për mua.” Vetëm një njeri vital ia del: dhe kur erën e ka kundër, dhe kur koha s`punon ende për të. I rritur në një klimë armiqësore nuk e shterr betejën për të arritur paqen. Shef Zeka e kqyrte punë e tij si bojaxhi pa i rënë në sy, duke pëlqyer energjinë dhe përkushtimin në punë, ndaj nga 5 dollarë në orë do e paguajë me 8 dollarë, duke i shkatërruar dhe mitin që ai kishte pët bosët borgjez. Edhe shef Zeka kishte patur dështime në jetë, sikurse ëndërra e tij e hershme të bëhej diplomat i lartë dhe të ndikonte në zgjidhjen e konflikteve midis njerëzve dhe kombeve. (Nga 5 dollarë që paguheshin të tjerët në 8 dollarë për Pashko R. Camajn është një tregues dhe për librin me kujtime, që dallon nga të tjerët. Sepse autori nuk di të bëjë hile, nuk urren, falë, nga që udhëhiqet nga porositë e të parëve të tij, nga Porosia e Kullës, nda nderi i panjollosur i malsorit.) Kujtimet nuk i sheh si një “udhëtim përfundimtar të egos”, por, si një ndërthurje të trashëgimisë me shpirtin, sepse përherë ka diçka më të vlefshshme nga ato materialet, që zbehen dhe u vjen radha të zëvendësohen. (Kujtoj vilën e një manjati amerikan e kthyer në një park për vizitorët. Në dhomë kishte një mumje të ballsamosur, marr në Egjipt. Nuk lejohej ta fotografoje. Mumja dukej sikur ishte pronari i asaj shtëpie, që dikur kish zgjuar kureshtjen dhe lakmitë e sa e save për të jetuar mes luksit. Frikshëm ngrihet pyetja: po në kullë kush jeton?
“Amerika të marrtë me të mirë!”-ishte urimi i parë i mirëserardhjes, që atij i bën kur shkeli në “tokën e premtuar”. Duket sikur libri i Pashko R. Camajt mbyllet me një happy end, sikurse lëvdohen dhe arritjet, sukseset e tij në Amerikë. Sikurse e thamë dhe në fillim, ai nuk u përket atyre njerëzve që e kanë mendjen tek vetja dhe libri që shkruan nuk i bën fresk egos së tij. Aty ndihet “pesha e kryqit”, ndihet përgjegjësia ndaj një amaneti, ndaj porosisë së kullës. Dhe jo vetëm e tija…