Në kohën e utopizmit socialist, kanonizuar tek socrealizmi, dhuntia e të parashikuarit i njihej vetëm largpamësit, por, me raste, shfaqej dhe Naimit si orakull. Pasi të recitoheshin vargjet: “Lum kush të rrojë/ta shoh Shqipërinë Zonjë”, do thuhej: i madh Naimi, e parashikoi Shqipërinë e së ardhmes, pavarësisht se nga koha e shoqeve na mbeti “Zonja nga qyteti” e R. Pulahës. Këtë atribut poetit po ia njeh dhe Besnik Mustafaj në romanin e tij destopik “Fati i marrë”, duke i vënë vargjet e Naimit në krye të librit: “U ngrit fati i Shqipërisë/Si i vdekuri nga varri/Mori udhën e Azisë/Duke rendur si i marri”. (Në kujtesën popullore i vetmi i vdekur, që ngrihet nga varri për të shlyer një premtim, është Kostandini.) Fati mori udhët e Azisë, po për ku? Përsëri përgjigjen e marrin nga Naimi: “Dielli lind andej nga perëndon”. Nëse Naimi fatin e Shqipërisë e lidh me Skënderbeun, De Rada, do shkruajë për “Skënderbeun e pafat”? (Fat të mbrapshtë kishte dhe Frosina e dashuruar me Skënderbeun.) Në romanin “Naltësimi i Iskanderit”, nga ku Besnik Mustafaj merr frymëzimin, flitet për një dashuri me shikim të parë të vajzës së Huniadit me princ Iskanderin. (Janë shkruar libra për marrëdhëniet intime të Skënderbeut, sikurse dhe për historitë erotike të mbretit Zog, përkundër dendy-t të Parisit. “E dashura e Stalinit” titullohet një libër kushtuar jetës rozë të bolshevikut të kuq. Përherë duhet një Helenë apo një Penelopë për të vënë në provë “burrat e shtetit”.)
Romani destopik i Mustafajt ndahet në tri pjesë të titulluara: “Përkthyesi M.B”, “Historiani D.D” dhe “Biografi B.J”, ku secili ka një histori të vetën, në dukje pa ndonjë lidhje me “Fatin e marrë”, por, janë pikërisht këta të inicialeve, që, lëvizin fijet e rastësive e të subjektit. Përkthyesi sjell historinë intime të Iskanderit në shqip, historiani rrëfen lidhjen dashurore të anglezit me gjakovaren Hana, ndërsa biografi ofron fakte dhe ngjarje tronditëse, sikurse është masakra e Manastirit ku u vranë 502 krerë fuedalësh shqiptarë. Edhe pse personazhe të dorës së dytë, ata janë kontributorë në vlerat e romanit, duke e ushqyer me fakte dhe xixa, që ndezin fantazinë e autorit të romanit. Që të gjithë i lidh: fati i Shqipërisë. Gjithsesi sebepçiu mbetet, Benjamin Disraeli, fillimisht duke lartësuar Iskanderin, më pas, si dashnor pasionant i myslimanes nga një familje e madhe gjakovare dhe, në fund: si kryeministër i Anglisë për të ndikuar në fatin e Shqipërisë, pse jo dhe të romanit? Adhuruesi i Bajronit kthehet në burim frymëzimi për shkrimtarin Mustafaj gjer aq, sa ai nuk ngurron të shtrojë pyetjen: çfarë fati do të kishte Shqipëria pa Mbretërinë e Bashkuar, kur diktatori Hoxha, sikurse dihet, e shihte inglizin si një rrezik? Si mbiu kaq pa pritur kjo dashuri për Shqipërinë tek kryeministri dhe mbretëresha e Anglisë, pyet autori, por që realisht nuk pati duk, nëse i referohemi Traktatit famëkeq të Londrës. Sipas autorit kjo enigmë duhet zbërthyer dhe ai përpiqet ta bëjë, duke vënë në lëvizje një përkthyes, një historian dhe një biograf, por më shumë veten si diplomat, i cili i dorëzohet shkrimtarit sapo trulloset nga situata që premtojnë art. Të gjithë punojnë për autorin e romanit. Mos vallë një preferencë e hebreut të konvertuar në katolik, i të mirënjohurit Benjamin Disraeli, po merret për dëshirë? Gjithsesi Besnik Mustafaj këmbëngul të zbërthejë një kod nga romancieri dhe kryeministri anglez, i cili ka një histori intime me një shqiptare nga Gjakova, Hana, me të cilën vë kurorë, edhe pse një myslimane, fakt që s`ia pëmend askush në Londrën e krishterë. (Nëse shkrimtari kryeministër shkruan romanin “Naltësimi i Iskanderit” në mediat shqiptare bëhen përpjekje për çmitizimin e heroit tonë, duke tentuar ultësimin e tij, me gjoja, zbritjen në tokë. Thua se po flitet për një kozmanaut.)
Nuk mund t`i shpëtojë vëmendjes sonë fakti, që, thuajse të gjithë personazhët përfshihen në procesin e konvertimit, herë duke ndërruar fe dhe herë duke u natyralizuar në një shtetësi tjetër. Shpesh lihen sarajet për oborret mbretërore, aq sa Shqipëria të përngjan me një monarki të Lekës IV, që pret t`i bashkohet Mbretërisë së Bashkuar më shumë se sa Bashkimit Europian. Nëse Skënderbeu dashurohet me të bijën e Huniadit, pesë shekuj më pas është mbreti Zog, që do të lidhë kurorë me hungarezen Geraldinë. Autorit i pëlqen të vërë në dukje: “aftësinë e mrekullueshme që ka identiteti shqiptar për t`u përshtatur me rrethanat”, duke mos u tjetërsuar, shkombëtarizuar. Një dukuri e përshtatjes është dhe konvertimi, që, në shumicën e rasteve shfaqet si pragmatizëm. (Historiani D.D, i cili “nuk kishte thënë një fjalë të vetme rreth origjinës së tij shqiptare”, në vend të interesohet për rrënjët e veta e ha meraku për rrënjët e ish kryeministrit Çërçill, por dhe mbiemri i D.D-ës tërsisht mysliman, s`tërheq vëmendje në botën anglo-zaksone, sikurse ndodhi dhe me gjakovaren Hana, e konvertuar në katolike, sapo bëhet gruaja e shkrimtarit anglez. A mund të quhet kovertim kthimi në fenë e të parëve të tu? Feja, tek asnjë personazh s`është pengesë, madje as raca, përkundër fisit. Personazhët edhe pse i përkasin një mjedisi fanatik, me lehtësi mund të kthehen në kozmopolit. Historiani D.D, përkundër këmbënguljes të të atit, i shmanget hamendjes së tij se bashkëshortja kishte lidhje gjaku të largët më familjen mbretërore, gjë që në Mbretërinë e Bashkuar i kthehej në favor, por ai tregohet indiferent. Biografi kishte nevojë për një xixë, që të përflakej në fantazinë e tij. Nga faktet zgjidhte vetëm ato, që i përshtateshin qëllimit të tij. Zbulon letrën e Çërçilllit në marrëveshje të fshehtë me Stalinin në mungesë të Rusveltit, ku në ndarjen e re të botës pas luftës së Dytë Botërore Shqipëria mbetej 100% në influencën angleze, gjë që s`ndodhi, sikurse dhe në copëtimin e luftës së Parë Botërore, ku simpatia angleze, nuk ndryshoi asgjë në gjëmën e shqiptarëve. (Napoleoni nuk ia dha lirinë Polonisë, sikurse ia kishte premtuar konteshës Maria Valeska, me të cilën u dashurua marrëzisht, ngaqë qëllon të jetë i marrë.)
Për të kuptuar debatin mediatik të Rexhep Qoses me Kadarenë, i sajuar për publikun me titullin e fryrë si një përplasje titanësh, do u këshilloja të paqartëve të lexonin romanin e Besnik Mustafajt “Fati i marrë”. Iskanderi para se të takohej me Huniadin, heq uniformën e turkut, pra, “zhvesh rrobat e robërisë”, ato allaturka dhe vishet me rrobat allafrenga të të parëve të tij, duke u kthyer nga bej në princ. S`ka tjetër, që të rrezatojë prirjet e shqiptarëve veç Heroit Kombëtar. “Kjo është vetja ime e vërtetë.”-do shprehet Iskanderi, sikurse shkruhet në librin e anglezit.
“-Baba! Turk është princ Iskanderi?
-Jo, është shqiptar.”-i përgjigjet Huniadi së bijës.
Iskanderi duke veshur rrobat allafrenga: nis kthimin e tij në identitet, por, krahas Gjergj Kastrioti ai do të thirrej dhe Skënderbe. “Atëherë po ndërron një mbret mysliman me një mbretëreshë të krishterë?”-do i thonë Iskanderit, gjithnjë sipas autorit anglez. Ahmet Zogu, edhe pse mysliman e shpalli veten mbret, ku si model do kishte uniformën plotë shkëlqim të perandorit austro-hungarez, ndaj zgjodhi për mbretëreshë një hungareze, të krishter, së cilës i ndërtoi dhe një kishë të vogël, ku ajo të bënte ritet fetare. “Si e pamundur dukej për t`i pajtuar tek i njëjti njeri besnikërinë ndaj dy burrave, të cilët ishin armiq për vdekje me njëri-tjetrin: sulltan Murati dhe Janosh Huniadi.” (Kjo e pamundër kthehej në forcë zakoni, sikurse e shohim të përsëritur në familjen gjakovare Dreni me lidhje të forta me Stambollin, me sulltanin, njëherësh dhe me Vatikanin dhe Papën.) Në krye të 10 mijë jeniçerëve, zgjedhur prej dorës së tij, Iskanderi kthehet në Krujë. Një jezuit e pajis “me vërtetimin e pagëzimit në kishën e Shën Gjergjit në Krujë, lëshuar nga atë Pal Engjëlli”, të cilin Iskanderi do e emronte Ministër të Jashtëm, detyrë që e ka ushtruar dhe autori i romanit. Kisha e dikurshme e Shën Gjergjit, ku Iskanderi ishte pagëzuar qe kthyer në xhami. “Është radha jote ta shëmbësh dhe aty të ngresh sërisht kishën e Shën Gjergjit. Ndryshe çfarë çlirimi i paske sjellë popullit tënd?”-i thotë princi grek Nikea, Gjergjit.
Kur nisa të lexoja kapitullin “Masakra” mu kujtua “Komisioni i festës” i Kadaresë, ndaj mu shtua kurjoziteti të shihja si do e përshkruante Besnik Mustafaj. Më rezultoi një nga kapitujt më të bukur të romanit. Mehmet Reshit pasha, me origjinë gjermane, konvertohet në mysliman. Masakrës së Manastirit i paraprijnë shkarkimet dhe emrimet e reja. Një prej të shkarkuarëve ishte dhe Ismail bej Vlora, në atë kohë kryetar i “Beslidhjes” së Beratit. Qyteti mbante erën e pilafit të gatuar me erëza që vinin nga Uzbekistani. Në varrimin e bejlerëve të masakruar nuk u lejuan as ritet fetare. Ata të gjithë ishin myslimanë. (Sipas statistikavë serbët në Kosovë shkatërruan qindra xhamija dhe asnjë kishë.) Para se t`i hidhnin në një gropë të përbashkët krerëve u rrëmbyen sendet me vlerë. Veç lirave turke prej floriri u grabitën para angleze, franceze, austro-hungareze. Një detaj ky që flet shumë. Kuajt e kapedanëve i therën dhe i bën suxhuk për ushtarët. (Këtë masakër në përmasat e një genocidi një studjues ekranesh do e quajë një masë shtërnguese, që, Porta e Lartë u detyrua të bënte ndaj disa rebelëve, që bllokonin rrugët tregtare të karvaneve.) Por, masakër ndodh të bëjnë dhe shqiptarët mes tyre, sikurse na e përshkruan autori në kapitullin “Ura si vend i punëve të dreqit”. Dy karvane në kapërcim të një ure gjenden përballë. Secili i kërkonte tjetrit t`i hapte rrugë. Plas pushka dhe dasmorët kthehen në mortorë. Nusja e tmerruara mbyllet në vetvete. “Njeri karvan duhej t`i linte radhën tjetrit për të kaluar i pari. Kaq e thjesht do të kishte qenë dhe e keqja do të ishte shmangur.”-do i thotë kavalieri nga Anglia, Hanës, duke mos kuptuar përjetimin e krenarisë prej të dy palëve. (Abaz Aga shoqëruesi i shkrimtarit anglez kish studjuar në Stamboll në një kolegj të huaj, i kishte shërbyer mbretit të Egjiptit Mehmet Aliut, sikurse kish udhëtuar në Amerikë dhe në Britaninë e Madhe, njeri i bredhur, i cili i merrte në besë të huajt, por me ndryshim nga tradita e paraardhësve këtë zanat e bënte me shpërblim. Për më tej, kish në plan të rikthehej në Egjipt, në Kajro për të ndërruar fenë, në atë krishtere. “Gjendja e ndërmjetme shpirtërore sjell një pasiguri të pashembullt identitare.”-shkruan autori. Ai që e paguan shtrenjtë këtë të ndërmjetme është Abdullah Dreni, i cili pranon të strehojë në saraje, autorin e masakras së Manastirit. Kryengritja e udhëhequr nga Sulejman Vokshi ndan: mercenarin nga luftëtari. I dërkojnë fjalë Abdullah Drenit se armiku i atdheut nuk merret në besë nga shqiptari. Nuk është i vetmi që zgjedh llogoren e gabuar për të luftuar, ndaj: “Llogorja, ku beson se të çon në rrugën e nderit”, duhet zgjedhur, vë në dukje autori. Kryengritësit bashkë me armikun e tyre, Maxhar pashën, nuk falin as Abdullah Drenin dhe ata që i shkuan pas. Kreu i fisit kujtonte se po i bindej Kanunit. Sarajet ia bëjnë shkrumb e hi. Meqë në saraja, luftëtarët që e sulmuan kishin ndër të vrarët dhe njerëzit e tyre, shfaqet një rrezik. Nis të interesohen se kush kishte qëlluar mbi ta. U desh ndërhyrja e Sulejman Vokshit që të shmangej gjakmarrja. Shumica e kryengritësve ishin myslimanë, qoftë Abdullah Dreni apo Maxhar Pasha, sikurse dhe Hana, e cila do të bëhej gruaja e kryeministrit anglez. Fati i marrë nuk i shpërblen të gjithë. Nga Azia ai po merr rrugët e Evropës. Nëse këtë roman nuk di ta lexosh midis rreshtave, nuk i merr të gjitha kënaqësit, sikurse mund të humbasësh orientimin nga dikresionet e vazhdueshme…