More
    KreuIntervistaFabio M. Rocchi: Cilët janë zërat e parë të italofonisë shqiptare

    Fabio M. Rocchi: Cilët janë zërat e parë të italofonisë shqiptare

    Bisedoi Andreas Dushi

    Fabio, ju prej kohësh keni vendosur të jetoni në Tiranë, ndonëse keni lindur në Itali. Cila ishte arsyeja e parë pse ju erdhët në Shqipëri e mandej, pse zgjodhët Tiranën si vendbanimin tuaj të përhershëm?

    Mirë se të gjeta Andreas, është një kënaqësi për mua të bisedoj me ju. Dëshiroj në radhë të parë t’ju falenderoj për vëmendjen me të cilën i jeni përqasur librave të mi. Kam ardhur në Shqipëri për arsye pune në vitin 2014 dhe që atëherë nuk jam larguar më. Për një periudhë relativisht të gjatë të jetës sime, plot trembëdhjetë vite, kam punuar në webmarketing, një fushë totalisht e ndryshme nga ajo e studimeve që kam kryer. Prej vitit 2019 i jam rikthyer studimeve, aktivitet që për arsye ekonomike m’u desh ta ndërprisja në vitin 2006, menjëherë pasi kisha përfunduar doktoraturën. Në atë kohë isha akoma në Siena dhe profesori im, Romano Luperini, nuk arriti të më mundësonte një hyrje të menjëhershme në universitet, ndaj, për fatin tim të keq, m’u desh të ndryshoja rrugë. Por, sapo situata ma lejoi, iu riktheva me entuziazëm studimeve dhe botës së mësimëdhënies. Përsa i përket Tiranës, kam jetuar gjithmonë këtu. Fatkeqësisht, deri më sot e kam eksploruar pak vendin që më mikpret, por në kryqytet më duket se jam ambientuar mirë. Për mua është realisht një shtëpi e dytë.

    Fusha juaj e studimit, ku jeni lauruar prej njëzet vjetësh në Universitetin e Pizës është Letërsia Moderne. Ndërkohë, rëndësi të veçantë i keni kushtuar letërsisë shqipe me një sërë artikujsh e studimesh me rëndësi të veçantë. Çfarë ju shtyu t’i përkushtoheshit pikërisht letërsisë së kësaj gjuhe, cili tipar apo element i veçantë?

    Keni shumë të drejtë që nënvizoni faktin që formimi im, në një fazë të parë, është ndërtuar mbi kanonin e autorëve modernë dhe bashkëkohorë të letërsisë italiane. Kam studiuar dhe kam shkruar mbi veprat e Ippolito Nievo, Federigo Tozzi dhe sidomos Paolo Volponi. Por, kur iu riktheva studimeve, pas asaj ndërprerjeje që ju tregova më sipër, ndodhesha në Shqipëri. Prandaj, m’u duk e natyrshme të filloja nga një letërsi që nuk njihja dhe që mund të më ndihmonte në një farë mënyre të rimerrja ritmin. Kadare përbën një moment të jashtëzakonshëm konfronti dhe reflektimesh, edhe pse, për arsye të kompetencave të mia gjuhësore akoma të limituara, e kam lexuar të përkthyer në italisht, shpeshherë nga frëngjishtja. Më pas, shkova drejt autorëve italofonë: këtu dëshiroja të ndalesha më tepër sepse dukuria italofone është pjesë e letërsisë italiane bashkëkohore dhe e gjejmë të cituar bollshëm në manualet e historiografisë kritike. Shkrimet të cilave iu referoheni ia kam dedikuar kësaj enklave jashtëzakonisht të pasur shkrimtarësh që u shfaqën në skenën italiane në fillim të viteve dymijë dhe që akoma sot krijojnë vepra  interesante.

    Si dikush me formim të marrë nga kultura italiane dhe dëshirën që atë formim ta përdorë në të mirën e kulturës shqiptare, si e shihni komunikimin mes dy kulturave tona?

    Nuk e di nëse ju dakordësoni me këtë përshtypje timen, por ka akoma pak rrugë për t’u bërë për vendosjen e një dialogu real dhe produktiv mes dy kulturave. Vendet tona ndodhen afër dhe kanë marrëdhënie politike e tregtare të konsiderueshme. Por, në aspektin kulturor, më duket se – edhe për shkak të një gjuhe të vështirë për t’u penetruar si shqipja – duhen kryer akoma disa hapa përpara që i konsideroj të rëndësishëm. Me pak fjalë, do të më pëlqente që në anën italiane të arrihej të flitej për atë që njihet, pa u bazuar në paragjykime apo fraza të shtirura, pa përdorur atë ndjesinë e pashprehur të superioritetit. Nuk honeps paternalizmin e disa studiuesve të cilët pretendojnë ta likuidojnë çështjen shqiptare me dy rreshta në librat e tyre; demonstrojnë që kanë lexuar shumë pak dhe që nuk njohin autorët, veprat, tendencat dhe kronologjinë. Në të njëjtën mënyrë, më iriton sipërfaqësia që mbizotëron veçanërisht në dimensionin online, ku shpeshherë skena sundohet nga improvizimi. Protagonistët më autentikë të qarqeve letrare shqiptare – në gjuhën amtare, si italofonë apo shkrimtarë në një gjuhë tjetër të huaj – kanë bërë prej kohësh një hap vendimtar: të çliroheshin nga një lloj provincializmi që i detyronte të luanin një rol mbështetës, gati dytësor krahasuar me eksponentë të kulturave që konsideroheshin më prestigjioze apo thjesht më të strukturuara. Mendoj se kjo lloj sjelljeje, e motivuar nga shkaqet e veta historike, duhet të çrrënjoset tashmë totalisht – atje ku ekziston akoma – mbi të gjitha për arsye se vjen nga një fazë e tejkaluar. Meqenëse jemi në këtë pikë, më lejoni të korrigjoj një pjesë të pyetjes suaj: unë nuk e përdor edukimin tim për të mirën e kulturës shqiptare. Unë përfitoj nga kultura shqiptare si çështje studimore. Thelloj, sipas një metode, për sa janë mundësitë e mia, një seri tekstesh që i perceptoj ekstrovertë dhe që në disa raste më magjepsin. Këtë e bëj duke u përpjekur të sjell një kontribut origjinal atje ku më duket se akoma mungon. Fakti që kam studiuar në universitete si ato të Pizës dhe Sienës nuk më jep asnjë avantazh nëse instrumentat e studimit që kam mësuar atje nuk i vë më pas në dispozicion të teksteve me një lloj sjelljeje në të cilin duhet të mbizotërojë gjithmonë kurioziteti. Në të njëjtën mënyrë, dhe me të njëjtën dëshirë për të kuptuar, nëpërmjet një autori të madh bashkëkohor si Mircea Cărtărescu po i afrohem, për shembull, kulturës rumune, pa e konsideruar atë inferiore apo superiore ndaj asaj italiane apo shqiptare dhe pa aplikuar në mënyrë jo origjinale dhe jo personale një etiketë të papërcaktuar ballkanike për të penetruar mekanizmat e shkrimit.

    Duke qenë se disa shkrimtarë shqiptarë shkruajnë në italisht, mendoni ose vëreni ekzistencën e një kanoni letrar shqiptar në letërsinë italiane, pra disa tipare unike që përbashkojnë shkrimtarët shqiptarë të cilët shkruajnë në italisht?

    Po, absolutisht, ekziston një zonë e letërsisë bashkëkohore italiane e banuar nga shqiptarë që kanë shkruar romane dhe tregime shumë interesante në një gjuhë të adoptuar. Kanoni i letërsisë italofone shqiptare, akoma në ndërtim e sipër, numëron dhjetëra emra dhe një bibliografi kritike të pasur. Për pasojë, është e qartë që përpjekja fillestare e studiuesit duhet të kryhet në drejtim të rindërtimit të fenomenit nga ana historike duke përcaktuar në bazë të disa karakteristikave formale dhe tematike homogjene, një fushë brenda së cilës të vendosë një grup autorësh referimi. Është ajo çka jam përpjekur të bëj në librin Le prime voci dell’italofonia albanese, i botuar në kolanën universitare Proteo në shtatorin e vitit 2021, me shtëpinë botuese Artemide në Romë. Libri është në proçes përkthimi në gjuhën shqipe nën kujdesin e Profesoreshë Diana Kastrati. Në këtë studim, kam tentuar të periodizoj fenomenin italofon shqiptar në mënyrë që të vihet rregull mbi të gjitha në debatin kritik, i cili, në fillim të viteve Dymijë, është zhvilluar në Itali dhe në Shtetet e Bashkuara mbi të ashtuquajturën letteratura dell’altro. Konkretisht, isha përqëndruar në fazën fillestare të dukurisë, fazë e cila akoma sot ngelet një nga momentet më të frytshme të kësaj rryme, duke i dedikuar studime specifike veprave të tre shkrimtareve: Elvira Dones, Ornela Vorpsi dhe Anilda Ibrahimi. Por, do të ishte reduktuese dhe e padrejtë të ndaleshim vetëm te këto tre emra. Edhe shkrimtare të tjerë meritojnë padyshim lexime dhe reflektime të thella: zëra si Ron Kubati, Darien Levani, Artur Spanjolli, Alketa Vako, Arben Dedja, Durim Taci e deri te Elvis Malaj dhe të tjerë, përfaqësojnë vazhdimësinë e një fenomeni, që, siç përmenda më sipër, ka rezistuar për një periudhë të gjatë kohore. Siç e dini, javën e ardhshme nis një rubrikë imja në ExLibris që i dedikohet pikërisht kësaj teme. Objektivi kryesor është të ndihmoj në njohjen e veprave të këtyre shkrimtarëve, duke iu dedikuar analiza dhe duke i vendosur në kontekste të përshtatshme referimi. Çfarë t’ju them, mezi po pres të filloj dialogun me lexuesit e kësaj reviste.

    Italianofonët shqiptarë, të shumtë për hir të së vërtetës, kanë shprehur një lloj “trishtimi” pse shqipja që aq shpesh është pasuruar nga italishtja (askush nuk thotë duarlarëse [dhe s’e di a ekziston si fjalë], të gjithë thonë lavaman) tani po merr shumë më shumë nga gjuha angleze. Për ju si italian që njihni gjuhën e kulturën shqiptare, gjendeni edhe po të mos doni si urë lidhëse mes vendlindjes e vendbanimit, çfarë do të thotë ky shqetësim?

    Është një shqetësim që ndaj dhe une. Pyetja që ju shtroni përmban dy aspekte të rëndësishme për t’u trajtuar. Përveç problemit të huazimeve që ju e ngrini haptazi, ekziston dhe ai i varfërimit të gjuhëve në këtë moment tranzicioni historik që po jetojmë. Po filloj nga ky i fundit. Mendoj se proçesi i thjeshtëzimit të gjuhës krahasuar me pasurinë e saj origjinale është një fenomen gjenerate i përbashkët për shumë vende. Më duket se mediat e reja, kryesisht rrjetet sociale dhe aplikacionet e mesazheve direkte, po luajnë një rol thelbësor në këtë drejtim duke e reduktuar shkëmbimin gjuhësor mes të rinjve në nivele infrastrukture elementare. Me kalimin e kohës, siç thoni edhe ju, huazimet nga gjuhë të tjera kanë ndryshuar cilësite e shqipes. Këtë vit pata kënaqësinë të ndiqja studiuesin dhe përkthyesin Meritan Spahija, në një konferencë të mbajtur në Departamentin e Gjuhës Italine në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Tiranës, ku aktualisht jap mësim si pedagog me kohë të pjesshme. Spahija, teksa prezantonte përkthimin monumental të Ferrit dantesk – një punë madhore që më ka bërë tepër përshtypje – fliste pikërisht për pasurinë reale të gjuhës shqiptare, një pasuri fatkeqësisht e lënë në harresë dhe e panjohur nga shumica. Do të më pëlqente që kjo tendencë të përmbysej dhe që – në mënyrë tërësisht natyrale – thjesht të riktheheshit të lexonit shqipen tuaj, duke filluar nga baballarët e letërsisë. Ismail Kadare, si askush tjetër, ka krijuar një modularitet të ri për gjuhën shqipe, duke grumbulluar në mënyrë origjinale dhe krijuese prapashtesa dhe parashtesa që ekzistonin, por që ende nuk kishin shpalosur potencialin e tyre të plotë shprehës. Po ju jap vetëm një shembull, ndër qindra që mund të bëheshin, të diskutuar në bibliografi dhe sipas këtij këndvështrimi shumë elokuent. Në Dosja H., për disa banditë që zbulohen nga drita e hënës, atë natë veçanërisht e dukshme, gjejmë: “Për fatin e keq të banditëve, hënëzonte pak.” A nuk ju duket e mrekullueshme kjo “hënëzonte”? Është një neoformacion që i jep një forcë të pabesueshme foljes, duke e bërë atë krejtësisht të re. Është një term që në italisht mund ta përkthejmë si luneggiare, një folje mbiemër që të çon drejt Leopardit dhe drejt madhështisë ndjellëse të poezisë hermetike. Duke studiuar shqipen kuptova sa shumë logjikë dhe në të njëjtën kohë sa bukuri ka kjo gjuhë. Bëhet fjalë vetëm për ta rizbuluar atë: në klasikët tuaj tashmë keni gjithçka, me avantazhin e lakmueshëm krahasuar me traditat e gjata letrare evropiane, që mund t’i konsideroni baballarët tuaj si autorë vërtet të kohëve të fundit, nëse jo bashkëkohorë.

    Jeni edhe autor i një libri të botuar në Itali ku Shqipëria trajtohet nga një pikëpamje e veçantë, interesante… Në të shkuarën, shumë autorë i kanë kushtuar pjesë nga krijimtaria e tyre Shqipërisë kur kanë kaluar në të, mes të cilëve sigurisht Lord Bajroni mbetet më i njohur. Pra libri juaj është një vazhdim i denjë i historisë së Shqipërisë nënkuptuar nga veprat letrare të të huajve për të. Si lindi ky libër dhe si u prit nga lexuesi italian? Ndonëse tani shqiptarët janë realitet konkret thuajse në çdo qytet a fshat të Italisë, vijon të ketë interes për t’i njohur edhe më mirë ata nëpërmjet letërsisë tënde?

    Ndihem pak në siklet teksa vë re përgatitjen tuaj. Konstatoj që njihni edhe librin tim La disputa sul raki, publikuar nga Besa Editrice në vitin 2021. Nuk jam i bindur nëse ai libër mund të arrijë të përfshihet në traditën për të cilën ju flisni: më duket – pa asnjë lloj modestie të rremë – vetëm diçka e vogël nëpërmjet të cilës munda t’i jap zë dëshirës për të treguar disa eksperienca që kam jetuar këtu. Bëhet fjalë për histori nëpërmjet të cilave kam dashur të përmbledh ngjarje që kam jetuar ndërkohë që njihja shqiptarët dhe italinët që jetonin prej kohësh në realitetin e Tiranës. Me atë rast, përmes një sërë tregimesh të shkurtra, u përpoqa të rrëfej disa aspekte të Shqipërisë bashkëkohore, pikërisht atë Shqipërinë që e kisha prekur që në vitin e ardhjes sime këtu, në 2014, por që nuk e gjeja në librat e të tjerëve. Operacioni në atë rast ishte pjesërisht provokues: mora një nga temat më të shpeshta në përfaqësimin letrar të këtij vendi, pikërisht hakmarrjen, dhe solla këtë tendencë antropologjike në aktualitetin e ditëve të stome, duke treguar sesi në realitet shqiptarët mund të rafinohen dhe përditësohen në përgjigjen ndaj një gabimi ose një abuzimi të pësuar. Libri në Itali shkoi mjaft mirë do të thoja. Kaloi shumë shpejt në ribotim dhe pati shumë komente e përshtypje në internet dhe në revista të specializuara. Shkrimi më prestigjioz është ndoshta ai që u shfaq në Cattedrale, observatori i zonës së Torinos mbi tregimin e shkurtër që shqyrton dhe komenton përmbledhjet më të mira kushtuar short story në Itali.

    Po nëpërmjet letërsisë shqipe? Sot në Itali, sipas këndvështrimit tuaj, cili është vendi që letërsia shqipe zë?

    Sot, sipas një fenomeni global tashmë të afirmuar dhe të vështirë për t’u kthyer mbrapsht, në Itali, ashtu si në vende të tjera, ka rëndësi vetëm tregu. Më lejo të shpjegohem: që libri duhet të shitet në mënyrë që të lexohet dhe të arrijë në këtë mënyrë funksionin social të letërsisë, është një fakt. Por më duket e dëmshme që sidomos nga fundi i viteve Tetëdhjetë e në vazhdim, në librari, ky konstatim në vetvete banal, përputhet me ndarje specifike që vendosin një lloj kundër-etikete në kopertinën e librit, kategorizime që përputhen me nëndarjen në zhanre letrarë. Në këtë mënyrë, njësoj si në repartet e një supermarketi, orientohen dhe përcaktohen në rafte të  ndryshme zgjedhjet e lexuesit. Oferta e publikimeve është e gjerë dhe e drejtuar në lloje lehtësisht të identifikueshëm. Il giallo. Letërsia sentimentale apo erotike. Letërsia homoerotike. Biografia e vipave të së shkuarës dhe të së tashmes. Romani historik. Saga e brezave, vendi i përsosur për tema të përshtatshme për trillim, në të cilat ngjarjet familjare kryqëzohen me historinë e një kombi. Drama e krimit, që ka lulëzuar duke filluar nga bestsellers si Gomorra i Roberto Saviano dhe Romanzo Criminale i De Cataldo, të dy të publikuar në fillim të viteve Dymijë dhe të dy me një sukses të madh në publik, falë edhe realizimeve kinematografike. Në këtë skenar, letërsia shqipe në Itali nuk gjen shumë hapësirë. Shtëpitë botuese dhe redaktorët duket se kanë destinuar për të – sipas asaj që unë e konsideroj një forcim historik që duhet kapërcyer fuqishëm sidomos nga autorët – një lloj përhumbjeje në të cilën ekzotikja përzihet me kujtesën e së kaluarës komuniste. Janë tema që ishin të përshtatshme njëzet vjet më parë dhe që janë eksploruar dhe ezauruar mjaftueshëm. Besoj se për të fituar një vëmendje më të ndryshme dhe më të vetëdijshme, letërsia bashkëkohore shqipe tani duhet të mendojë vetëm për veten, të flasë për të tashmen, për atë që është bërë kjo shoqëri, duke u mbështetur mbi të gjitha në përkthimet e mira, në të cilat ndjeshmërisë së përkthyesve amtarë i përgjigjet një kapacitet real gjuhësor që është në gjendje të menaxhojë kalimin nga teksti shqip në italisht.

    Dhe së fundmi, projektet tuaja për të ardhmen, në fushën e studimeve letrare, cilat janë?

    Po punoj mbi një libër kritik dedikuar figurës së Paolo Volponit. Do të botohet në Itali në vitin 2023. Volponi ishte mik i ngushtë i Pasolinit dhe përfaqëson më së miri atë brez shkrimtarësh e intelektualësh aktivë në vitet Shtatëdhjetë në Itali. Në këtë libër analizoj një temë në veçanti, atë të raportit mes shkrimeve të Volponit dhe të imazheve të marra nga arti figurativ. Volponi, më tepër se kushdo tjetër, ka zhvilluar në tetë romanet e tij si dhe në tregimet e poezitë, një obsesion të vërtetë për ekphrasis, për vizionin piktural të prezantuar në rrëfimtari me qëllime alegorike, duke i dhënë jetë disa kontaminimeve të denja për tu studiuar. Ndërsa, për sa i përket shkrimtarëve italofonë me prejardhje shqiptare, në muajt e ardhshëm, siç përmenda më sipër, do ti dedikohem shkrimit të artikujve që do të përbëjnë rubrikën Udha e Dorës e cila do të publikohet në këtë revistë çdo dy javë duke filluar nga muaji nëntor. Krahas mirënjohjes që ndjej ndaj Shtëpisë Botuese Onufri – që vendosi të më jepte këtë mundësi të mrekullueshme për t’u shprehur – ndjej edhe përgjegjësinë për t’u përballur me një temë komplekse, ende në zhvillim e sipër dhe e karakterizuar nga shumë zëra të ndryshëm. Do të bëj më të mirën, por do të jenë si gjithmonë lexuesit ata që do të gjykojnë pas njëfarë kohe nëse ky projekt ka dhënë një kontribut origjinal.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË