More
    KreuIntervistaExLibris Forum: Komunikimi i letërsisë shqipe në Ballkan

    ExLibris Forum: Komunikimi i letërsisë shqipe në Ballkan

    Dy antologji të reja, një e letërsisë shqipe në serbisht dhe një e shkrimtarëve malazezë në shqip tregojnë sërish se komunikimi i letërsisë në Ballkan sa vjen e bëhet më i zakonshëm, më i thjeshtë dhe mbi të gjitha, shfaqet gjithnjë e më tepër si realitet jo vetëm i pakontestueshëm, por edhe natyral.

    përgatiti Andreas Dushi

    Pas shkrimit “Kufijtë e letërsisë në Ballkan” (ExLibris 213, dhjetor, 2022), ExLibris Forum vjen me etapën e tij të dytë, nxitur nga dy ngjarje të lidhura bukur njëra me tjetrën. Në një hark të shkurtër kohor, janë botuar dy antologji. E para është ajo e letërsisë shqipe në serbisht, ndërsa e dyta, e prozës së shkurtër të shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi. Edhe një herë ngrihet në piedestalin ku përket fakti se pasaporta e një letërsie është gjuha e saj, prandaj nuk mund të ketë disa letërsi shqipe, të kufizuara nga kufij gjeo-politikë, por vetëm një të atillë.

    Paraqitja e këtyre dy antologjive në këtë shkrim do të vijë përmes përgatitësve dhe botuesve të tyre. Së pari do të jenë dy biseda, njëra me Ben Andonin, redaktorin e antologjisë së letërsisë shqipe në serbisht, botuar në Lajmëtari Letrar Ballkanik me mbështetjen e PEN Albania dhe e dyta me drejtoreshën e degës së këtij instituti për Shqipërinë, znj. Entela Kasi.
    Pas tyre, Antologjia e Shkrimtarëve Shqiptarë në Mal të Zi do të trajtohet duke u ndalur te gjeneza e idesë për të dhe vështrimin e saj si realizimi i një ëndrre. Të ftuarit e ExLibris Forum lidhur me të janë recesentët Haxhi Shabani dhe Drashko Doshlak.


    Ben Andoni: Antologjia e Letërsisë Shqipe në Serbisht pothuajse nuk njihet në Shqipëri, ndërsa në Serbi me shumë e shumë probleme

    Si redaktor i antologjisë së letërsisë bashkohore shqipe, a mund të më thoni pak a shumë kriterin bazë apo kriteret që janë ndjekur gjatë përmbledhjes së materialeve për hartimin e saj?

    “Ju jam mirënjohës, që po më përmendni si redaktor i antologjisë bashkohore shqiptare, botuar së fundmi nga ana e “Balkanski književni glasnik” (Balkan Literary Herald), një organ online serb, që boton autorë dhe antologji nga vende të ndryshme të Ballkanit në gjuhët e tyre origjinale. Në këtë hulli, letërsia shqipe pati fatin e përfaqësimit në një antologji, që vjen pas më shumë se 55 vitesh për publikun e interesuar serb. Para antologjisë shqipe, “Balkanski književni glasnik” (BKG) kishte botuar në rradhë antologjinë e letërsisë bashkëkohore serbe, kroate, boshnjako-hercegovinase, armene, bullgare, turke, antologjinë e letërsisë së avangardës ballkanike dhe atë të letërsisë femërore ballkanike në dramë. Së shpejti do të jetë ajo greke. Në fakt, e konsideroj si privilegj besimin e dhënë nga PEN Albania dhe kryetarja e saj, Entela Kasi, që mu la si detyrë përgatitja e saj.

    E para, që duhet të përcaktoj është se: Antologjia pati një kufizim kohor sa i përket përgatitjes. Kanë qenë vetëm pak javë në duar të redaktorit të antologjisë për të konkluduar dhe kufizimi i dytë lidhej me numrin e pjesëmarrësve, të cilët duhet të ishin vetëm 30 syresh, shoqëruar edhe me fotot respektive. Redaktori insistoi me autoritetet për mundësinë e pjesëmarrjes së pak më shumë përfaqësuesve dhe mbi të gjitha përfaqësimin e autorëve shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në antologjinë shqipe. Kjo shtoi pak numrin e autorëve pjesëmarrës, ndërkohë që antologjisë sonë i janë hequr fotot e autorëve, prej numrit përfaqësues.

    Në detyrën e marrë, redaktori ka ndërgjegjjen dhe kuptimin, që një njeri i vetëm, cilido qoftë ai, nuk mund të përgatisë një antologji (në një kohë kaq të kufizuar), e cila të përfaqësojë në formë rrënjësore një letërsi. Hartimi i antologjive të tilla kërkojnë trupa të plota profesionale, kolegjiume apo katedra, që mund të përcaktojnë metodologji thellësisht shkencore dhe letrare. Në atë që u konsultua me organizatorët, qëllimi ishte një përfaqësim sa më direkt i emrave më aktivë dhe ndaj redaktori mendoi për autorë produktivë bashkëkohorë dhe fitues çmimesh në vend. Për fat të keq, redaktori është i ndërgjegjshëm për lënien jashtë të shumë autorëve, sidomos të rinj, por që në këtë rast detyra kryesore ishte gjetja e një grupi, që të ishte sa më përfaqësues. Janë zgjedhur kryesisht autorë të konfirmuar, që mendohet se janë përfaqësues të shprehjeve, mendimeve dhe formave ideore, që përdoren më së shumti sot në komunitetin e shkrimtarëve shqiptarë. Një kriter bazë ka qenë bashkëkohësia dhe sidomos botimi i vazhdueshëm në ditët tona, por edhe mbajtësit e çmimeve lokale dhe kombëtare.

    Ashtu, si është cekur, Shqipëria, prej dekadash, po vuan shumë prej mungesës së antologjive profesionale. Ato pak që janë bërë duken se nuk i plotësojnë dot zhvillimet e letërsisë sonë, kurse përfshirja e institucioneve dhe shqyrtimi i tyre me aparate të thukëta shkencore mungojnë dhe konsiderohen si një angazhim i mundimshëm, ndërsa përçarja dhe paragjykimi mes krijuesve është e mbetet shumë i madh. Redaktori mendon se ka ardhur koha, që larg mosmarrëveshjeve, të punohet për një antologji bashkëkohore, ku veç karakteristikave të letërsisë sonë, do të shpërfaqeshin dhe autorët më përfaqësues si edhe risitë, që mbase e shtruar në kritere të përcaktuara mirë shkencore, mund ta ndihte si duhet prurjen letrare të pas viteve ’90.

    Metodologjia e antologjisë shqipe, në këtë kolanë, është zgjidhur në formën më të prekshme dhe të thjeshtë, për të qenë sa më shumë përfaqësuese për trevat ku banojnë shqiptarët. Pas përcaktimit të emrave, sipas disa parimeve të lartpërmendura, u është kërkuar vetë autorëve pjesëmarrës të dërgojnë pjesë, me të cilat ata identifikojnë cilësisht punën e tyre në prozën e shkurtër dhe poezinë. Për shkak të hapësirës shqip-shkruese dhe ndarjes së shqiptarëve në disa shtete, redaktorit i është dashur dhe ka insistuar të përfshijë dhe emra të autorëve, që banojnë në Ballkan dhe në Diasporë. Është e vërtetë se në fund kupton se duhej të ishin edhe emra të tjerë, por kjo ishte një përpjekje dhe mbetet përgjegjësi e vetë redaktorit të kësaj antologjie. Nuk mëtohet asesi se është shteruese. Në disa raste, autori i la biografitë, ashtu si kanë ardhur nga autorët pjesëmarrës, kjo për të treguar në një farë mënyre sesi ata e shohin veten në këtë letërsi”.

    Përmbajtja është gjithpërfshirëse, nga çdo truall ku flitet e shkruhet shqipja. Në kuadër të një diskutimi mbi kufijtë shtetërorë dhe ata gjuhësorë, si e shihni ju, në kontekstin e antologjisë, këtë çështje?

    “Shtetet kombe janë entitete politike të ‘imagjinuara’ thelbësisht dhe mund të argumentohet, se ato janë të kufizuara dhe të përcaktuara nga kufijtë e tyre gjeografikë dhe hartografikë. Në rastin e shqiptarëve vendi Amë Shqipëria kufizohet me një shtet me komb shqiptar, një tjetër me shqiptarët shtetformues dhe të tjerët me komunitete bajagi të mëdha. Ka një logjikë historike, e cila na vjen që nga koha e para Rilindjes dhe lidhet me organizimin osman me katër vilajetet, që mblidhnin shqiptarët e që kanë pasur veçantitë e tyre dhe rrjedhimet që duken deri më sot. Në këtë rast, krijimi i shteteve të mëvonshme në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, ka sjellë deridiku një përcjellje ndryshe të një ideologjie të nacionalizmit etnolinguistik, që konsiston në këtë hulli gjeografike, krahasuar me atë para-moderne në atë moderne, duke lënë ende shumë paqartësi të së shkuarës dhe duke e mbivendosur mbi imagjinatën konceptuale të së tashmes. Në një mendim më të përmbledhur është një fushë djerrë, sa i përket përkitjeve të përmbajtjes e ku duhen orientuar studimet e tanishme, pasi vetë përmbajtja është e ndikuar nga kufij imagjinarë dhe realë, por më shumë nga një e shkuar e popullsisë shqiptare dhe e kulturës së saj, e cila është më e vjetër sesa vetë formacioni shtetëror federativ në ish-Jugosllavi…”.

    Sa i rëndësishëm është komunikimi mes kulturave, letërsive dhe arteve të vendeve ballkanike, që për fat të keq shpesh kanë ndërtuar njëri me tjetrin raporte ishullore?

    “Në fakt, kjo është vetëm për letërsinë tonë në hapësirën ish-jugosllave, paçka se Kadareja e shpërtheu këtë mjedis qysh më 1968 dhe pati një pritje shumë të mirë, ku duhet të veçohet ajo e një personaliteti të jashtëzakonshëm si Miroslav Kërlezha që e vlerësoi dhe parashikoi me intuitë por edhe mirësisht ngritjen e shkrimtarit tonë. Por, letërsia ballkanike e ish-Jugosllavisë (Serbi, Kroaci, Bosnjë, Slloveni, Vojvodinë, Maqedoni e Veriut dhe Mal i Zi) sot vazhdon e komunikon shumë lirshëm, ngaqë kufizimi i gjuhës është fare i papërfillshëm, pasi është deridiku thjesht me karakter gati të ngjashëm dialektor, përveç Sllovenisë dhe Maqedonisë së Veriut, që nga ana tjetër komunikojnë deri diku, pak me më shumë ‘vështirësi’. Më vështirë e ka letërsia e Shqipërisë dhe më pak ajo e Kosovës, që nga ana tjetër e kupton dhe është deridiku familjare me këtë letërsi, prej bashkëjetesës së gjatë dhe ndikimeve bajagi të mëdha, që ka pasur prej saj. Ndërkohë, bashkëpunimi dhe raportet që kanë ndërtuar letërsitë e vendeve të ish-Jugosllavisë janë të mëdha sepse kanë pasur nevojë për njëra-tjetrën dhe sidomos ka ndikuar në formimin e një pjesë të brezit të 50-vjeçarëve, që i ka pasur në shkollat e njëri-tjetrit. Duke pasur të përbashkët edhe një histori shtetërore të gati 80 viteve, që i ka lidhur së bashku, e kanë më të lehtë që ta përcjellin me pasojat në kohët moderne. Dhe, sa më i madh është tregu i përbashkët, që ato e kanë ndërtuar me librin, sa më shumë shkojnë librat dhe autorët në tregjet e Evropës Qendrore dhe Lindore, idetë e mira apo format e narracionit, aq më atraktive bëhen dhe për të tjerët. Në letërsinë ballkanike mund të ndihen shumë ndikime…  nga letërsia e njëri-tjetrit”.

    I besoni teorisë strukturaliste se hapja e vendeve ish – jugosllave ndaj letërsisë shqipe dhe hapja e Shqipërisë ndaj vendeve ish – jugosllave do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve edhe të përbërësve të tjerë të strukturave tona kombëtare?

    “Në teorinë klasike letrare, strukturalizmi përsosi besimin se nëse një vepër letrare do pasqyronte një realitet të caktuar, vetë teksti ishte i përbërë nga konvencione gjuhësore dhe qëndronte i shtresëzuar mes teksteve të tjera. Ndërkohë, sërish sipas parimit strukturalist se një gjuhë është një strukturë relacionale e pavarur, ku elementët e së cilës përcjellin ekzistencën dhe vlerën e tyre nga shpërndarja dhe mohimet e tyre në tekste ose ligjëratë e bën disi të vështirë këtë sens, për arsye sepse letërsitë mund të qasen, kur i drejtohen tematikave të përafërta dhe drejtohen me teknika narracionesh të përafërta. Por, mes gjuhëve tona ka shumë asimetri, jo thjesht në konceptet teorike, siç ju pyesni me të drejtë, por edhe në një plan analize sasiore. Ne kemi përkthyer shumë nga autorët bashkëkohorë serbë, kroatë, sllovenë, boshnjakë, malazezë dhe maqedonë, aman ata gjithnjë e më pak. Personalisht, kam gati përveç më shumë se 30 emrave gati tetë syresh, që kanë marrë çmimin e lartë në Serbi “Nin”. Një gjë e tillë nuk bëhet as në aspektin cilësor në Serbi, paçka se ka përpjekje të individëve të caktuar. Në fakt, vetë strukturalizmi si teori e përgjithshme e kulturës dhe metodologjisë nënkupton se elementët e kulturës njerëzore duhet të kuptohen nga mënyra e marrëdhënies së tyre me një sistem më të gjerë, duke dashur të kapi një platfomë sesi është e krijuar një shoqëri, e cila përfshin të gjitha ato gjëra që bëjnë, mendojnë, perceptojnë dhe ndjejnë komunitetet. Po vallë besoni se ekziston kjo frymë në Ballkan?! Edhe në Shqipëri ka një paragjykim të frikshëm për letërsinë ballkanike, paçka se Shtëpitë tona botuese kanë botuar shumë autorë të tyre”.

    Mbetet përherë sfidë, kam përshtypjen, sa përkthimi, aq edhe promovimi i letërsisë shqipe në gjuhë të tjera… Kemi zhvilluar edhe një bisedë vitin e shkuar për këtë temë e, që nga ajo kohë vështirë të besoj se ka ndryshuar diçka. Gjithësesi, duhet ta shtroj pyetjen tanimë për antologjinë në fjalë: E priti mirë lexuesi atë?

    “I nderuar Andreas, pothuajse nuk njihet në Shqipëri dhe e vlerësoj shumë përpjekjen tuaj, ndërsa në Serbi me shumë e shumë probleme dhe me çfarë kam dëgjuar nga organizatorët e kolanës, deri në ofendime dhe me probleme, që më janë konfirmuar nga burime të treta. Ëndërroj që autoritetet shqiptare të marrin përsipër një vepër të tillë në të ardhmen, pasi një antologji potente realisht mungon, ku ju dhe kolegë autorë të rinj, do të jenë dhe do të tregojnë qerthujt e ri të letërsisë shqipe…”.


    Entela Kasi: Për hartimin e një antologjie të letërsisë shqipe, nuk mund të marrësh rolin e përjashtuesit

    Cili është roli i PEN në krijimin e urave të komunikimit mes gjuhëve, vendeve dhe kulturave që kryesisht kanë qendruar larg njëra nga tjetra?

    PEN beson se punët e letërsisë dhe artit janë pasuri për njerëzimin, e si të tilla duhet të mbrohen në të gjitha kohët. 

    PEN International, i themeluar në Londër në shekullin e kaluar nga elitat e mendimit intelektual dhe shkrimtarët e kohës, mbetet garantues i fjalës së lirë, misionar i dialogut në kohë të konflikteve, garant i të drejtave themelore të njeriut, garant i stabilitetit dhe promovues i paqes.

    Letërsia, e cila është identitet dhe trashëgimi kulturore e një gjuhe të caktuar, njëkohësisht mbetet identitet dhe trashëgimi për kulturën e njerëzimit, për aq kohë sa njerëzimi është tema e përjetshme e letërsisë.

    Kapërcimi i barrierave, dhe bashkëpunimi midis qendrave botërore të PEN,  pavarësisht përkatësisë nacionale, etnike, gjuhësore, religjioze dhe politike janë në vizionin e PEN, dhe fokusin e punës të Organizatës.

     Ne kemi dy qendra shqiptare në PEN International;  Qendrën PEN të Kosovës dhe PEN Qendrën e Shqipërisë. Kjo sepse jemi dy shtete. Pavarësisht dy shteteve në punët e letërsisë ne kemi aktivitete të përbashkëta dhe botime të përbashkëta, sepse identiteti ynë gjuhësor është i njëjtë.

    Për ne kjo nuk ka qenë pengesë, por zhvillim sepse në ngjarjet e rëndësishme të vendimarrjes në botë ne kemi pasur fatin të kemi dy vota për të gjitha çështjet që ngrihen nga PEN në arenën ndërkombëtare jo vetëm për çështjet e promovimit të letërsisë dhe gjuhës por veçanërisht për rezolutat lidhur me çështje të lirisë ndaj regjimeve autoritare që kanë rezikuar jetën e shkrimtarëve dhe gazetarëve në botë, si dikur dhe sot.

    PEN ka Komitetin e të Drejtave Gjuhësore dhe Përkthimit, Komitetin e Shkrimtarëve për Paqe, të Shkrimtareve Gra, të Shkrimtarve në Diasporë, të Shkrimtarve të Burgosur, si edhe Komitetet për Bashkëpunim Rajonal. Në Ballkan është Rrjeti për Bashkëpunimin Ballkanik, dhe në kuadër të tij ne kemi mundësinë të krijojmë qasje ndaj letërsisë në gjuhët e gjithësecilit, përmes botimeve, përkthimeve, festivaleve të letërsisë, koferencave dhe takimeve të ndryshme të punës.

    Antologjia që u botua në Beograd nga Lajmëtari i Ballkanit është një nismë në kuadër të Bashkëpunimit Ballkanik për të pasur letërsinë në gjuhën e autorëve të rajonit. Në këtë antologji të letërsisë në gjuhën shqipe, autorët shqiptarë janë bashkë në rajon, pavarsisht shteteve në të cilat jetojnë.  Kjo antologji ka peshën e gjuhës shqipe.  Letërsia jonë nuk mund të ndahet pavarshisht kufijve shtetërorë.

    Në çdo kuadër tjetër kohor, kjo pyetje do të ishte absurde, por kur po flitet aq shumë për një antologji të poezisë shqipe me poetë që jetojnë vetëm brenda kufijve gjeografik të Shqipërisë, duhet ta bëj: A do të ishte e plotë, sipas jush, antologjia e botuar sëfundmi pa përfshirjen në të të autorëve shqiptarë të Kosovës?

    Është përgjegjësi dhe sipërmarrje serioze të krijosh një antologji përfaqësuese për letërsinë e një gjuhe të caktuar. Në rastin tonë, kur flasim për gjuhën shqipe është e rëndësishme të dish të mos marrësh rolin e përjashtimit, pasi jemi të vetëdijshëm që ne i përkasim një gjuhe të vogël përsa i përket popullsisë që e ka shqipen gjuhë zyrtare dhe nacionale, që e ka gjuhën e nënës apo të atit. Autorët e gjuhës shqipe i përkasin kësaj trashëgimie identitare në letërsi. Gjuha është kombi, ka thënë E. Çabej. Antologjia për të cilën ju pyesni, më bëri përshtypje për çka asaj i mungonte dhe se çfarë me të nuk ishte mirë. Ndërtuar në këtë mënyrë nuk është përfaqësuese.

    Plane të ardhshme, të ngjashme a të ndryshme nga ky për të cilin po diskutojmë, ka PEN Albania?

    PEN është i hapur për çdo bashkëpunim dhe mbështës për promovimin e letlrsisë dhe autorëve shqiptarë në botë. Ne kemi pasur vendin dhe votën tonë në juri të ndryshme ndërkombltare jo vetëm për Çmime të rëndësishme të letërsisë por edhe për vendimmarrje të rëndësishme. Jemi përpjekur të bëjmë më të mirën e mundshme dhe kemi bërë atë për të cilën PEN është krijuar.

    PEN  është krijuar një shekull kaluar, problemet e lirisë mbeten të njëjta. Bota nuk ka ndryshuar në 100 vjet. 

    ***

    Dhe tani kalojmë te antologjia tjetër, ku bëjnë pjesë shkrimtarët shqiptarë në Mal të Zi. Ajo mban titullin “Të gjithë tanët”, është në dy gjuhë dhe e botuar nga “Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave”.

    Historitë e ëndrrave të hershme

    Dr. Haxhi Shabani

    Në aspektin kulturor shqiptarët që jetojnë në trevat e tyre në Malin e Zi të sotëm kanë një barrë të dyfishtë mbi kurrizin e tyre për të bartur: për të ruajtur identitetin e tyre dhe për t’u integruar brenda kulturës kombëtare dhe të shtetit ku jetojnë. Në këtë rrugë shqiptarët në Malin e Zi janë të detyruar të ecin rrugës e cila është e përbërë nga dy korsi. E para – duhet të ruajnë përkatësinë e tyre identitare, sepse integrimi i tyre pa identitet historik, gjuhësor, kulturor do të ishte për ta me pasoja katrastrofale për të ardhmen e tyre si shqiptarë. Dhe e dyta – ruajtja dhe zhvillimi i këtij identiteti bëhet i ndërlikuar, por jo i pamundur, duke pasur parasysh sfidat e këtij shekulli, ku sidomos lëvizjet demografike janë të pafavorshme për ta.

    Ruajtja e qenies kombëtare të shqiptarëve në Malin e Zi ka edhe një sfond të rëndësishëm gjuhësor, përgjithësisht kulturor të rëndësishëm. Duhet përkujtuar gjithnjë se në trevat, ku jetojnë ata, pa dyshim janë gjetur të parat gjurmë dhe dëshmi të gjuhës shqipe të shkruar, përkatësisht ishte autori i parë i gjuhës shqipe, Gjon Buzuku i cili ka shqipëruar librin e parë të gjuhës shqipe “Meshari”.

    Ky libër që përmbledh “historitë e ëndrrave të hershme” të autorëve në prozë, (riformuluar mbi bazën e titullit të tregimit të shkrimtarit Mehmet Kraja “Historia e një andrre të hershme”) është një përpjekje në këtë drejtim që jo për herë të parë e bën Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave. Pikërisht edhe ky libër, autorët që e përbëjnë atë, ndonëse është para së gjithash letrar, do të thotë fiksional, është i lidhur me origjinën, identitetin bazë, prandaj rrëfimet e këtyre shkrimtarëve janë “historitë (letrare) të ëndrrave të hershme”.

    Në këtë libër janë të përfshirë, me fragmente nga proza e tyre, kryesisht tregimtare, gjithsej njëmbëdhjetë autorë.

    Personaliteti më i shumanshëm i letërsisë shqipe, Rexhep Qosja, duke pasur parsysh kohën kur u botua romani i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1973), letërsinë shqiptare e inkuadron në rrjedhat e letërsisë postmoderne evropiane, duke luajtur një rol emancipues shumë të nevojshëm për të. “Legjenda” dhe “Trashja” janë pikërisht modelet më të mira të kësaj proze, që dëshmojnë njëkohësisht lidhjet e saj me lokalen në aspektin tematik, por edhe me universalen e poetikën e kohës, nga aspekti strukturor.

    Mehmet Kraja si përfaqësues i kulmeve të prozës shqipe, me romanet dhe tregimet e tij, në këtë panoramë, përfaqësohet me dy tregime: me një të gjatë dhe një shumë të shkurtër. Personazhet e këtyre tregimeve, janë të veshur, çuditërisht me një realizëm të skajshëm, por edhe me një magji e cila në llojin e vet shkon deri në absurd dhe pamundësi për të qenë të vërtetë. Përfaqësuesit e tre brezave dhe lajmëtari janë si ato kristalet e akullit që nga larg duken të gjithë njëlloj, të cilët të gjithë së bashku kanë të njëjtin fat, por në të njëjtën kohë në krijimin, jetën dhe shkrirjen e tyre, përjetojnë secili në mënyrën e vet fatin e tmerret e individuale. Brenda skenave të gjera të ardhjes, qëndrimit dhe largimit të ushtrive, pushtuesve e perandorive në një vend të vogël, del fati i antiheroit, i cili ndonëse i vogël, është fati i shumicës, i cili as nuk pyetet e jo më të vendosë për të ardhmen e tij. Edhe në këto tregime shkrimtari Mehmet Kraja shkëlqen me gjuhën e tij. Ai vende-vende sidomos në tregimin “Historia e një andrre të hershme” e ngrit nivelin e stilit, përkatësisht përdorimin gjuhësor të shqipes në atë shkallë saqë të shkon mendja se duhet arkivuar si i tillë, për ta shpallur të mirë kombëtare.

    Në këtë libër janë të përfshirë me fragmente nga prozat e tyre edhe shkrimtarët: Asllan Bisha dhe Fran Camaj, të cilët ndonëse në veprat përkatëse trajtojnë tema të ndryshme: i pari – në qendër ka mjedisin e detit, kurse i dyti – ambientin e malësisë; i bashkon poetika e prozës realiste, përkatësisht rrëfimi i këtillë. Asllan Bisha, i njohur me prozën “Nusja e detarit”, me trajtimin e saj njerëzor, bën një lloj çmitizimi të moralit tradicional për gruan. Fran Camaj, ndërkaq me prozën e tij trajton dramën e madhe të Malësisë dhe pasojat e shpërnguljes së malësorëve, duke dhënë përmasat e kësaj teme, përkatësisht të sfidave identitare.

    Tre emrat e tjerë të prozës që përfshihen në këtë libër: Anton Gojçaj, Jaho Kollari e Mark Pashko Lucgjonaj u takojnë formimeve e preokupimeve stilistike e tematike të tjera, duke kultivuar një prozë moderne e postmoderne. E veçanta e autorëve: Anton Gojçaj dhe Mark Pashko Lucgjonaj është se ata dëshmojnë se në pjesën e letërsisë shqipe që shkruhet në Malin e Zi, pikërisht në Tuz krahas Ulqinit, ka autorë që dinë të shkruajnë prozë të mirë, duke trajtuar tema lokale e universale, në të njëjtën kohë, dhe sipas metodave letrare në të cilën shkruhet letërsia bashkëkohore gjithandej. Kurse autori Jaho Kollari, si një prozator që krijimtarinë e tij e shkruan në diasporë, rithekson prirjen e letërsisë shqipe se autorët që jetojnë periudhën më të madhe të jetës jashtë atdheut (vendlindjes), dinë të trajtojnë me nivel letrar e estetik pikërisht temat e vendjetesës së tyre të parë.

    Letërsia për fëmijë në këtë libër prezentohet me dy autorë: Hajro Ulqinakun dhe Ibrahim Berjashin. Shkrimtari për fëmijë Hajro Ulqinaku në këtë zgjedhje, përfaqësohet me tri tregime, përkatësisht rrëfimtari del në tri variante: si rrëfyes tradicional “Me valanije nëpër Mesdhe” që me fuqinë e fantazisë së një fëmije në të cilën çdo gjë mund të bëhet, arrin të shëtisë një pjesë të botës së madhe; pastaj si rrëfyes që ngrit vetëdijen e tij për të dalluar humanizmin në tregimin “Çfarë gjonje” dhe më në fund si një rrëfyes që jep mesazhe njerëzore për mirësinë e paqen në prozën poetike “Çka flasin pulëbardhat” në të cilin shpërfaqet një gjuhë e shkathët ringjallëse. Edhe autori Ibrahim Berjashi përfaqësohet si shkrimtar për fëmijë në këtë libër. I njohur më shumë si poet, në tregimin e tij për fëmijë del bota e pasur fëmijërore që zhvillohet në një sfond të larmishëm e tërheqës liqenor, kurse temat si: dashuria, ndarja, ikja, vetmia gërshetohen brenda një mozaiku që lidh fijet e rrëfimit dhe të personazheve të tregimeve të këtij shkrimtari.

    Dy shkrimtarët e përfaqësuar në këtë libër: Zuvdija Hoxhiqi dhe Muzafer Çaushi janë shembull jo tipik në krahasim me autorët e tjerë, duke pasur parasysh origjinën e tyre në krahasim me gjuhën në të cilën shkruajnë. Ata të dy kanë një pjesë të origjinës dhe formimit kulturor në gjuhën dhe mendësinë shqiptare, por veprat e tyre i shkruajnë në gjuhën malazeze, përkatësisht bosanase. I pari, Zuvdija Hoxhiqi, një klasik i letërsisë bashkëkohore, rrëfyes shumëplanësh i shkathtë në prozë, me nënshtresa të shumta kuptimore e strukturore, është autor i romanit kult “Viti i Gucisë” për fatin e gjuhëve, kombeve dhe të njeriut të thjeshtë buzë kufirit, në Ballkanin e ndërlikuar. I dyti, është autori Muzafer Çaushi, i cili krijoi një befasi në kuptimin e mirë të fjalës, kur u paraqit në skenën letrare. Ai, duke trajtuar temat e “njerëzve të vegjël”, depërton në thellësinë e tyre psikologjike, duke u dalluar si një mjeshtër i detajit.


    Të kesh dikë

    Prof. dr. Drashko Doshlak

    Shfaqja e antologjisë së parë të prozës nga shkrimtarët që shkruajnë në gjuhën shqipe dhe me origjinë nga Mali i Zi është një ngjarje kulturore e klasit të parë. Gjatë hartimit të antologjisë përdoren kritere të ndryshme: përzgjedhja sipas temave të caktuara, sipas periudhave letrare-historike, gjinive dhe llojeve letrare etj. Por, pavarësisht nga të gjitha kriteret, ato i lidh detyrimisht një fije – dhe ky është kriteri estetik. Prandaj libra të tillë i përkasin atyre që lexohen me kënaqësi.

    Kjo antologji, krahas dimensionit estetik të nënkuptuar, në qendër të saj mbledh prozën. Këtë herë shkrimtarët, pra veprat e tyre, vendosen në një mjedis të ri estetik dhe jetësor të krijuar sipas shijes dhe zgjedhjes së autorit të antologjisë. Veprat tani jetojnë jetën e tyre të re në oborrin e përbashkët letrar – të ndara nga e gjithë krijimtaria e një shkrimtari. Prandaj çdo prozë e vetme në mjedisin e ri estetik lufton të “shkëlqejë” në një dritë edhe më të mirë, sepse krijuesi i saj nuk e ka krijuar fillimisht për korniza të tilla.

    Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi me këtë botim dhe përkthim të prozës nga shqipja në gjuhën malazeze i ka afruar veprat e këtyre shkrimtarëve një publiku më të gjerë, për të cilët barriera gjuhësore ishte pengesë për njohjen e krijimtarisë letrare të këtyre shkrimtarëve. Nëpërmjet këtyre shkrimtarëve përfaqësues dhe veprave të tyre në prozë, lexuesit do të kenë një pamje të mirë dhe një dëshirë të zgjuar për të kërkuar shkrimtarë të tjerë dhe për të lexuar të gjitha veprat e tyre. Ky është një nga qëllimet e antologjive, sidomos të atyre që botohen në dy gjuhë. Ky libër është një shembull i praktikës së mirë botuese për një kuptim të shkëlqyer të kulturave dhe mundësive letrare të popujve me gjuhë të ndryshme.

    Në antologji paraqiten shkrimtarë – prozatorë, që kanë lindur në Mal të Zi, që krijojnë këtu ose, nga ana tjetër, e kanë filluar dhe e kanë vazhduar punën e tyre letrare në disa mjedise të reja. Natyrisht, në Malin e Zi janë tri zona dominuese nga e kanë origjinën këta shkrimtarë: rajoni Plavë-Guci, rajoni i Ulqin-Tivarit dhe Malësia. Vendlindja është e dukshme në veprat e tyre: edhe sipas motiveve, edhe sipas leksikut. Përfaqësimi në antologji përbëhet nga: Rexhep Qosja, Mehmet Kraja, Zuvdija Hoxhiq, Asllan Bisha, Fran Camaj, Anton Gojçaj, Jaho Kollari, Mark Pashku Lucgjonaj, Hajro Ulqinaku, Ibrahim Berjashi, Muzafer Çaushi.

    Antologjia, falë botuesit, tani përfaqëson një entitet të ri të përbashkët estetik, ndërsa prozat individuale tregojnë për letërsinë që, për fat të keq, nuk e njohim dhe nuk e studiojmë sa duhet për shkak të pengesave gjuhësore. Dhe ky libër, pa dyshim, tregon se përkthimi, së bashku me krijimtarinë letrare e artistike, përfaqëson një nga simptomat më të rëndësishme kulturore të gjendjes shpirtërore të një kombi. Prandaj çdo hapje kulturore është një sipërmarrje e botuesit. Ky libër hap sfida të reja për përkthimet e veprave të shkrimtarëve shqiptarë në gjuhën malazeze dhe në këtë mënyrë mundësinë e një vështrimi më të plotë të veprave letrare të këtyre autorëve.

    Në këtë libër prezantohen shkrimtarët që kanë shkruar në 60 vitet e fundit, prandaj ai është një tablo dhe një tregues i mirë i krijimtarisë së autorëve që shkruajnë në gjuhën shqipe. Autorët e përfaqësuar janë anëtarë të brezave të ndryshëm, shkollave të ndryshme letrare dhe poetike. Veprat e tyre lidhen me hapësira dhe me mjedise kohore të ndryshme: nga kohërat dhe shoqëritë e kaluara që po zhduken deri te fatet e njerëzve bashkëkohorë. Situatat komplekse narrative në prozën e këtyre shkrimtarëve dëshmojnë, me një fjalor dhe stil të pasur, se këta shkrimtarë janë përfaqësues të vërtetë të një kulture. Mes këtyre autorëve ka edhe nga ata që nuk janë prozatorë të “pastër”, por kanë edhe arritje të rëndësishme poetike në krijimtarinë e tyre, gjë që duket në prozën e tyre. Tregimet e pavarura ose fragmentet nga romanet në këtë antologji na çojnë në përfundimin se është hapur një qiell i ri letrar që është mbi ne, me ne dhe brenda nesh.

    Me këtë libër letërsia përmbushi funksionin e saj estetik dhe gjuha u bë një urë lidhëse e fuqishme midis dy kulturave.

    Përktheu: Dimitrov Popoviq

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË