“Hajde hajde, Ali Dervella/ kush t’shtini n’kto punë t’thella…” Më erdhi ndërmend ky varg i Fishtës kur lexova shkrimin e akademikut, Emil Lafe në t’përjavshmen ExLibris, me titull “Gjergj Fishta dhe viti 1972” dhenisa me dyshue për shumëçka. Mirëpo, profesor Lafen, nuk e shihja dot si nji Brut, por as vetë nuk ndihesha Mark Anton. Profesori shprehej aty: “Gjergj Fishta është i të gjithëve dhe nuk ka qenë aspak e tepërt që ai të përkujtohej, qoftë edhe me veprimtari modeste, në të gjitha qendrat universitare shqiptare”. Nuk ishte ajo që do të kisha thanë unë e as profesor Primo Shllaku; megjithatë, të shprehurit ishte korrekt dhe nuk kisha pse m’u habitë apo me u irritue; garda e vjetër e profesoriatit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nuk mundte dhe as që donte m’e kapërcye kët prag; madje, profesor Lafe, duhej përgëzue për kët qëndrim. Profesor Shllaku, përkundrazi, po te ExLibris, dy javë ma vonë; do ta shihte Fishtën si “… nji shkrimtar që ma shumë se asnji tjetër, as ma herët e as ma vonë, qëllimisht apo në mënyrë të vetvetishme, e ngriti gjuhën tonë shqipe në kult, gjithmonë mbrenda logjikës romantike dhe specifikave kombëtare të romantizmit që funksionoi me shumëllojshmërinë e kulteve”.
Në shkrimin e tij, profesor Lafe i kjan hallin letërsisë klasike botnore, e cila nuk asht ma në trendin e lexuesit bashkëkohor dhe nga ky ngërç, nuk mundet me shpëtue as Fishta. Mirëpo, Fishta gjithmonë, ma shumë se sa lexue, asht ndigjue, msue përmendësh dhe recitue; kjo për arsye të qasjes jo fort dashamirëse të shqiptarit ndaj librit, kjoftë edhe atij të etun për kulturë. Unë e pranoj padyshim, atë që thotë Emil Lafe se: “gjuha letrare e njësuar… është një faktor jetik për zhvillimin e qytetërimit shqiptar”; sikurse e vlerësoj sinqeritetin e tij kur shprehet se, për përzgjedhjen e bazës fonetike e gramatikore të dialektit të jugut, kanë ndikue edhe faktorë jashtëgjuhësorë; por, nuk mund të jem kurrsesi me të, kur na flet për “fushat e Skraparit” dhe “malet e Zadrimës”. Nga ana tjetër, prof. dr. Klara Kodra, në replikën e saj në të njajtën të përjavshme, na kthen sërish pas, kur deklaron se zgjedhja e toskërishtes nga ana e Kongresit të Dejtshkrimit të 1972-it “…nuk ka pasur, siç pretendohet, arsye politike, por kryesisht arsye gjuhësore…”; apo kur shprehet: “Shumë-shumë, ky kongres me vendimet e tij mund të quhet si një zgjidhje e diskutueshme…”. Mirë që zonja e nderuar Kodra, nuk futet në debatin se kush krahinë ka superioritet intelektual, madje ban thirrje për m’e shmangë diçka të tillë. Nuk e di se kush asht autori që i referohet Profesor Lafe dhe sa të sakta janë statistikat që na sjell mbi shkollimin e të rinjve shqiptarë, të ndarë sipas prefekturave; por, në kët moment të leximit unë nis të ndihem si Mark Anton, ndërkohë që Çezari nuk asht ma Fishta, por diçka ma e madhe: vetë rrajët e tij.
Shekulli XX, vetëm në gjysmën e parë të tij, ka pru nji plejadë të tanë shkrimtarësh dhe artistash, nga radhët e shqiptarëve katolikë, me një kontribut të pazëvendësueshëm në kulturën shqiptare. Mjaft të përmendim: Fishtën, Mjedën, Nikajn, Abat Doçin, Gurakuqin, Prendushin, Palajn, Kurtin, Koliqin, Camajn, Pashkun, Harapin, Sirdanin, Rrotën, Gazullin, Shllakun, Shantojën, Dajanin, Volajn, Mazrekun, Sumën, Marlaskajn etj., etj.,… Edhe Konica ka pasë ndjekë Kolegjin Saverian, në rininë e tij; kurse piktori Lin Delija, atë Franceskan. Aleksandër Xhuvani, vinte nga Elbasani në Shkodër, për me marrë pjesë në Komisinë Letrare. Në Kongresin e Manastirit konkuronin tri alfabete, të cilat mbroheshin nga nji frat, nji prift jezuit, kurse i treti nga Mid’hat Frashëri. Mjeda dhe Fishta, me atë që banë në atë kongres, i vunë vulën alfabetit që kemi sot, ndonëse të ndihmuem edhe nga rrethanat historike që pasuen. Vetëm Noli, i cili shkëlqeu si pasojë e edukimit të vet skrupuloz, vllaznit Frashëri që ishin nji tjetër diell i shqiptarisë, Lasgushi, Kuteli apo Çabej e ndonji tjetër, që u shkolluen në universitetet austriake të kohës; munden me u krahasue për nga niveli, me produktin kulturor të katolikëve shqiptarë të Shkodrës. Kështuqë, ato statistika që nuk llogarisin fretërit franceskanë apo jezuitë, me pretekstin se ata studionin në shkolla fetare; duke anashkalue faktin se ata kanë kry nga dy fakultete, nji teologjik e nji civil, apo tue harrue kontributin e tyne në kulturën shqiptare; nuk janë veçse me u hjedhë n’kosh e jo me u pru si argument debati.
Profesor Lafe, thërret në ndihmë kohën, për ta ndihmue në triumfin e teorisë së vet; madje, përdor ironikisht edhe citime nga At Zef Pllumi, i cili në fakt, “kish rrnue vetëm per me tregue”; shkon deri atje sa t’i quajë “jo-krejt të kuptueshëm”, edhe Naimin, Çajupin, Asdrenin, Poradecin e Kutelin. Prudenca në kët rast, bie erë hipokrizi. Primo Shllaku, në replikën e tij me Emil Lafen, shprehet:“… letërsia plaket kur nuk arrin universalen dhe gjuha e saj plaket kur nuk mbërrin me kenë gjuha e të gjithëve ose, thanë paksi ma ndryshe, kur asaj i ndodh nji incident i vullnetshëm që ka lidhje jo me zhvillimet e saj, por me devijimet e rrjedhës së saj natyrore dhe me përmbysjen e peisazhit të përgjithshëm gjuhësor, për njimijë e nji arsye”. Klara Kodra, në replikën e saj asht për t’u vlerësue kur shprehet për Fishtën: “… jam e bindur se as patriotizmi tij i zjarrtë, as lirikat e tij të mrekullueshme… as forma e lartë e veprës së tij nuk janë plakur…”; për t’u vlerësue asht edhe kur na sjell në kujtesë andrrën e De Radës, për krijimin e nji gjuhe kombtare mbi bazën e arbnishtes; apo kur evokon imponimin e dialektit të Firences, si pasojë e gjenialitetit të Dante Aligerit; por, kur rreshton poetët tanë të mëdhenj si Naimi, Çajupi, Lasgushi, Noli, Kadareja, Fishta, Mjeda, Migjeni, Koliqi e Camaj dhe kur thotë se “…teorikisht secili prej tyre do të mund të zgjidhej për rolin e lartpërmendur”, pra që të bahet Dantja shqiptar; këtu tregon, se sa të përcipta janë njohjet e saj për gjuhën e Camajt e sidomos, atë të Fishtës.
Asht e vërtetë se Komisija Letrare, zgjodhi elbasanishten si gjuhë zyrtare (dhe jo si varietet gjuhësor zyrtar, siç shprehet zotni Lafe); po ashtu asht e vërtetë se Fishta shkruente n’atë që mund të quhet si shkodranishtja letrare, apo gegnishtja veriperëndimore dhe që kjo gja, nuk e ka pengue me u lexue e me u recitue, edhe n’Gjirokastër e n’ Përmet. Injac Zamputi, në librin e tij, “Fishta, Njeriu, Koha”, na sjell disa kujtime interesante, që hjedhin dritë mbi njohjen e së folmes gege në Jug të vendit. Një nënë gjirokastrite, ndërsa i biri i lexon disa vargje të Fishtës, rri e ndigjon me vëmendje dhe, kur ky mbaron, merr frymë thellë e i thotë: “More bir, kjo është shqip.” Dhe këtu aneja, nuk e kishte fort fjalën për shprehjet dhe trajtat gjuhësore, se sa për shpirtin mbarëshqiptar që endet në epikën fishtjane dhe që e ban të kuptueshme, për këdo që e ka kët shpirt. Në një rast tjetër, kur Zamputi po jepte Logjikë e Psikologji në gjimnazin e Gjirokastrës, i përhumbun në mendime për familjen që e kishte larg në Shkodër, lëshon disa shprehje në gegnisht. Menjëherë kthiellohet, ndalon diktimin dhe u kërkon falje nxanësve për atë që kishte ba mirëpo, nxanësit iu përgjigjën me nji za: “Vazhdoni, professor, vazhdoni, se ju kuptojmë më së miri! Aspak të mos kini kujdes, sepse shpreheni shumë qartë!”. Në atë gjimnaz ka studiue edhe Sejfulla Malëshova, edhe Çabej, edhe Ismail Kadare, për t’mos përmendë ndonji tjetër. Në vitin 1945, me pseudonimin Lame Kodra, Sejfulla Malëshova do të botonte kumtesen e tij, të mbajtur më 10 qershor të atij viti, në Kinoteatrin “Kosova”, me titull: “Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme”. Ai pohonte: “… Po, ësht e vërtetë dhe kjo që veprat e Faik Konicës dhe të Fishtës, janë të lidhura ngushtë me Rilindjen e Shqipërisë. Faik Konica, Fan Noli dhe Fishta janë fytyrat më të mbëdha të Shqipërisë, në fushën e kulturës. Bashkë me Kostandin Kristoforidhin dhe Naim Frashërin, ata janë lëronjësit e mbëdhenj të gjuhës shqipe, janë ata që kanë ngritur gjuhën shqipe në dinjitetin e një gjuhe letrare”.
Fjalorin e të Tahir Dizdarit, e kam përdorë edhe unë mjaft, gjatë hulumtimeve të mia në veprat e Fishtës; pse, asht e vërtetë se në veprat e tij gjenden 600 fjalë me origjinë orientale, madje edhe ma tepër; ashtu siç asht e vërtetë se gjenden edhe mjaft sllavizma, greqizma e latinizma; dhe deri te ndikime të italishtes, gjermanishtes apo frëngjishtes; por kjo gja asht krej normale për historinë e gjuhës sonë, aq ma tepër kur flasim për nji autor që përdor në veprat e tij mbi 30 000 fjalë. Në kët kontekst, me aludue për panevojshmërinë e fjalorit shpjegues të Benedikt Demës, gjatë botimit të “Lahutës së Malcis” në vitin 1943, vetëm për 20 apo 30 fjalë që sot, nuk kanë nevojë për shpjegim; nëse nuk asht miopi (sepse nuk mund t’jetë), m’thoni se çfarë asht?! Në fjalorin e Demës, gjejmë fjalë që padrejtësisht janë heqë nga përdorimi i shqipes, duke u zëvendësue me huazime të reja, si: “i agushtë, agzot, arrç, me balçmue,, brevë, buzem, i cemtë, me currue, çapoj, çufrrak, me çukurmue, me u derrmishë, endirë, me falisë, fiskajë, me flakrue, fulikare, me u gdhi, gratçuer, hallakatrum, hatull, me hiekë, idhni, jetik, kaleshan, kjuer, krahca, me u kukzue, lmuç, lvore, mazull, mollzë, mëzdrak, me njellë, pashi, me peçatë, prija, ravë, me rra, rrshek, serotinë, skundill, tarak, me u toçë, unji, vandak, vigem, zanamare etj. etj.”. Këto fjalë do ta kishin pasurue mjaft shqipen e sotme, pa folë masandej për fjalë që ai nuk e quan të nevojshme për me i shpjegue, por që janë zhdukë dhe ato nga “Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe”, që nuk e di pse quhet “e sotme”, sikur gjuha mundet me e ndalë kohën, ase me e fshi historinë.
Ajo që ka ndodhë me Kutelin dhe “Xha Brahon e Shkumbanicës”, që kthehet në “Xha Brahon e Shkumbanores”, apo “rrufitjen” e Kadaresë që kthehet në “gjerbje”; ka ndodhë edhe me veprat e Fishtës, madje edhe në të gjallë të tij; mjaft me kujtue ribotimin e “Lahutës së Malcis” më 1937, apo atë “Mrizit të Zanave” më 1941, nën kujdesin e Viktor Volajt; puna për rishikimin e së cilës, kish nisë qysh në muejt e fundit të jetës së Poetit Kombëtar, në konsultim të vazhdueshëm me te. Ja si shprehet Volaj, në parathënien e këtij botimi: “N’ortografi u mbështeta mbi njato kritere, mbas së cillash, dy muej para deket, qortuem bashkë me Poetin trembëdhetë kangët e para të Lahutës. Ndërsa ndrrime të vogla qi bani aty këtu, i zhduki edhe disa trajta nendjalektore sidomos të Zadrimës, si b.fj.: “kjoshna” për “kjoshim”, “jena” për “jemi”, si edhe trajtat e sinkopueme, kur se lypte nevoja, tue kenë mendimi në nji botim definitive me i zhdukë do trajta nendialektore, qi nuk kishin nji arsye të posaçme shprehjeje”.
Për mos me folë pastaj për botimin e veprave të Fishtës, pas vitit 2000, nga Enti Botues “Gjergj Fishta”; si dhe punën e profesor Tefë Topallit në kët drejtim, i cili i shjegon hollësisht këto ndërhyje që janë ba, mjaft m’e shfletue vetëm parathaniet këtyne botimeve, të hartueme prej botuesit Frano Kulli. Aurel Plasari, Tonin Çobani, Blerina Suta, Sabri Hamiti, Anton Nikë Berisha e plot të tjerë, i janë qasë veprës së Fishtës me studime mjaft të thella, me ide dhe kontribute, edhe në kët drejtim. Ja si shprehet profesor Topalli në nji intervistë, dhanë Gjovalin Çunit për boletinin “Phoenix” të Bashkimit Katolik të Publicistëve Shqiptarë:
“Në fushë të fonetikës (siç kishte vendosur edhe Komisia Letrare e Shkodrës, 1916-1918), ruhen të plota grupet e bashkëtinglloreve :nd, mb, ng etj., ku Poeti nuk është aq konseguent; togjet:ue, ie, ye; do të shmangen theksat e ndryshëm mbi fjalë e shenjat diakritike për gjatësinë e hundorësinë dhe kryesisht për shprehjen e foljes asht (është) me â, e cila, duke përmbajtur vetëm një rrokje, ka bërë të mundur zevëndësimin e saj gati të plotë.Është synuar të zevendësohet parafjala e vjetëruar “më” me “në”. Lexuesi mund të krahasojë:
Mriz e m’mriz bashkë me mrizue /Gurrë e m’gurrë bashkë me u freskue
Mriz e n’mriz bashkë me mrizue /Gurrë e n’ gurrë bashk me u freskue; ose:
janë zëvendësuar: nji, (nja) një; qi: që; na: ne; ulk: ujk (ulkojë:ujkojë); në dublitet në me metatezë, natyrshëm, parapëlqimi anon nga format normative, si: pështoj-shpëtoj; gjymës- gjysmë; shtërngoj- shtërngoj; shtrëngatë: shtrëngatë; plajm- pjalm etj. Në nivelin morfologjik është vënë dorë (ku ka qenë e mundur jo jo në dëm të rimës: në dhanore-rrjedhoret me-t, duke i rrafshuar ato: syvet- syve; fushavet- fushave; në vendosjen e -n-si mbaresë të së pakryerës (v.III/ njëjes): shkote:shkonte; këndote-këndonte; në rregjimin e mbaresave të v.II, III/ njëjës të foljeve të zgjedhimit III, si: han-ha; din-di; është parapëlqyer gjinia mashkullore e disa emrave ambigenë*, që kanë kaluar në atë gjini me anë të atraksionit, si : qiellë: qielli; dheja: dheu etj.; janë “lëmuar”, format arkaike dialektore të pjesoreve gege, si: qitun- qitë; bamun- ba; punuemun- punue; shtërnguem- shtrëngue, (v)dekun- (v)dekë etj. (gjë që nuk ka qenë e mundur te emrat e mbiemrat prejpjesorë, p.sh.: kishte (v)dekun-kishte vdekë, por: ra (v)dekun (vdekur) etj.; lidhur me kohën më se të kryer, që te Fishta del me inversion: qenë kisht’, lagë isht’ ose pa inversion: kisht’ qitë, (s’) isht’ tue pasë etj.; ato janë sjellë në format e përgjithshme poetike (të normuar sot): qenë kish, lagë ish, kish qitë, (s’)ish tue pasë,-pa vendosur apostrofin.”
Me përmendë profesor Kristaq Cipon dhe punën që ai ka ba me fjalorin shpjegues te “Historia e Skëndërbeut” e Naim Frashërit, si dhe me rekomandue pastaj, se nji gja e ngjashme duhet ba edhe me veprat e Fishtës; pa pasë dijeni se nji gja të tillë e ka ba profesor Topalli dhe Enti Botues “Gjergj Fishta, e ka ba edhe “Qendra e Katolikëve Shqiptarë Jashta Atdheut” në Romë, nën Drejtimin e Daniel Gjeçajt, qysh në vitin 1991; tregon kjartë se ndarja ideologjike e 1944-ës dhe Akademia e themelueme n’ato kohna, ndamjen idiomatike, vazhdon ta shohë si ndamje ideologjike e gati-gati, si ndamje kulturore e gjuhësore. Te vargu i Fishtës “Dorë i dhanka Knjaz Nikollës, fjala “dorë” ka kuptimin “ndihmë” (“i dha një dorë” – e ndihmoi); kaq gja e kupton çdo shqiptar i nivelit të mesëm arsimor dhe unë nuk e kuptoj, pse duhet të futet niveli “akademik”, për m’e pa fjalën “dorë” si një “ferman të firmosun prej sulltanit, dora vetë”.
Ja si shprehet, profesor Arshi Pipa, në një replikë të tij:
“Merrni me mend një adoleshent shqiptar që, duke kërkuar në një raft të vjetër të gjyshes së vet, zbulon një libër të hollë, botuar më vitin 1905. Ai mund të lexojë pjesën e parë të titullit, “Te ura e …”, pa qenë në gjendje për të vazhduar, pasi ka hasur vështirësi në shkollimin e disa shkronjave. Libërthi është në vargje, e djalit i pëlqen poezia. Fillon të lexojë këngën e parë, të titulluar “Marash Uci”. Pak nga pak, ai fillon të njohë shkronjat e pazakonta. Edhe pse nuk arrin të kapë kuptimin e disa fjalëve, ai merr vesh se poema flet për një bari, që ka udhëtuar deri në Stamboll. Mbërrin te vargjet 51 – 52:
“Por shka, Zot, ka Mashi sot,
Qi na â vrâ e nuk bân zâ? “
Ai e kupton rreshtin e parë, por të dytin jo. Atëherë, ai hap fjalorin e ShNjL dhe fillon të kërkojë për “â”. Në vend të kësaj fjale (që është një kontraktim i âsht) ai gjen “a”-në, e shpjeguar si pjesëz pyetëse (fjalia vetë është pyetëse). Mungon gjithashtu edhe “vrâ”, fjala më e afërt me të është “vras”. Mos e kanë vrarë turqit Marashin? – pyet veten djali. Pjesa e mbetur e vargut, duket se tregon në atë drejtim. Sepse, ndonëse nuk është gegë, djali i bie lehtësisht në të se” nuk bân zâ” është e njëjta me “nuk bën zë”. Dhe kur dikush nuk nxjerr zë, do të thotë se ka vdekur. Por ai do për t’u siguruar dhe prapë hap fjalorin e ShNjL. Kërkon për ndonjë idiomë në seksionin frazeologjik të “zë”. Nuk gjen asgjë. Nuk ka fat më të mirë sa kërkimi te seksioni frazeologjik i “bëj”. Kostallari nuk e ka futur idiomën “bân”, e cila është gege tipike. Në fakt, jo vetëm që idioma nuk ekziston në toskërisht, por vetë toskizimi i saj do të tingëllonte i çuditshëm. Libri s’e paska shënuar idiomën. “Duhet të ketë ndonjë problem këtu”, – thotë djali. Dhe kështu ai e ndërpret leximin e poemës. Ditën tjetër ai vrapon te mësuesi plak i shkollës fillore dhe i kërkon shpjegime.”
Dhe ky “mësuesi”, edhe sikur me dashtë, për ditë e ma tepër, nuk ka me dijtë me ia shpjegue kët problem “nxanësit”. Në shekullin ku po jetojmë, dhe në tjerët që do pasojnë, për vit e ma tepër, fjalorët janë ba pjesë e kërkimit elektronik dhe si i tillë, “Fjalori i Gjuhës Shqipe”, ai i printuar dhe ai dixhital; jo vetëm që duhet të përmbajnë të gjitha fjalët e saj, por edhe trajtat e idiomat, deri edhe me shenjat diakritike që ato shpesh i karekterizojnë.
Nga ana e profesor Lafes, citohet profesor Shefkije Islamaj, të thotë se: “Arti gjuhësor e poetik i Fishtës, mund të përjetohet edhe sot”. Asht vërtetë se Fishtën nuk e ka vra kongresi i vitit 1972 dhe nuk mund ta vrasë askush e asnjë stinë, sa kohë që njerëzit ta duen e ta shijojnë; por përkundrazi, asht Gjuha Letrare e Njësuar apo Standardi, ajo që ka nevojë për Fishtën. Gegnishtja ka shumë për me dhanë, mbasi, tue kenë ruejtë mes barijve e në trajtën ma të pazhvillueme, ka pru deri në shekullin tonë, gati-gati krejt të konservueme, bijën ma besnike të “gjuhës-nanë”, për të gjitha gjuhët indoeuropiane (kujtoni foljet bazë, të tana nji-rrokëshe: ha, pi, rri, mbaj, laj, thaj, hap, mbyll, ther, ec, vras, fal, ndal, shtyj, flas, hesht, nis, des, qesh… – dhe zhvillimi i tyne në shumicën e shuhëve indoeuropiane, etj etj…). Profesor Shllaku, gati sa nuk këlthet në shkrimin e tij: “Zotni Lafe, nxanësit tanë nuk e kuptojnë Fishtën, verbin e tij, strukturën e tij, inxhinierinë sintaksore të tij dhe elipsat e tij të mrekullueshëm… Ju, zotni Lafe, jeni që të kuptohet apo jo?”.
Në Konferencën e vitit 1952 (e cila i parapriu kongresit të 1972-it), të thirrun për me hjedhë themelet e gjuhës letrare shqipe, çuditërisht u lejue me folë edhe Sejfullai (Malëshova), i cili nuk e kishte ma autoritetin e dikurshëm dhe idetë e tij nuk u mbështetën. Ai ishte me mendimin se, të dy dialektet duheshin lanë në zhvillimin e tyne normal e të lirë, për me vazhdue drejt rrugës konvergjente mbarëshqiptare. Mirëpo, konferenca nuk mund t’i pranonte këto teza; vetë krijimet e Malëshovës ishin vu në indeks dhe lejoheshin me u pa vetëm nga njerëz të autorizuem.
Ma mirë se askush tjetër, arsyet e këtij qëndrimi i ka shprehë Zamputi:
“a) Mediokrët, që donin të dilnin në pah, ia patën frikën veprës së Fishtës në veçanti dhe plejadës gege në përgjithësi.
b) Kultivimi, sidomos i veprës fishtjane, do ta kishte drejtuar ndryshe rrugën për formimin e gjuhës letrare shqipe, pikërisht për vizionin mbarëshqiptar që ka kjo vepër në brendinë e vet. Vepra e Mjedës (por sa u kultivua kjo?) dhe vepra e Migjenit, nuk mund ta kishin atë peshë dhe atë vision dhe, për rrjedhojë, nuk mund të ndikonin rëndë në formimin e gjuhës letrare, që, fill pas çlirimit, nisi të prirej drejt bazës së toskërishtes…”.
Zamputi ishte i mendimit se, po të mos ishin pre me sopatë mardhaniet në mes të dy dialekteve, këto do ta kishin gjetë rrugën e përbashkët për në Gjuhën Letrare të Njësuar, pa pasë nevojë për diktat. Më 1972, në Kongresin e Drejtshkrimit, u ftuen deri edhe pseudostudiues nga krahinat e Veriut, por Injac Zamputi jo. Në këtë kongres, humbësit e mëdhenj ishin Fishta dhe gegnishtja në veçanti, por edhe vetë Shqipja e Njësuar Letrare apo Standardi, në përgjithësi. At Gjergji e ka dhanë mendimin e vet edhe për kët çeshtje, kur pat thanë: “U baftë Shqypnija edhe pa ne!”. Por, gegnishtja e toskërishtja, kanë me e gjetë rrugën e konvergimit dhe kanë me shndoshë edhe ma Gjuhën Shqipe të Standardizueme, me prurje cilësore, prej të dy përrejve idiomatikë, tue e liberalizue jo vetëm verbin e idiomastikën, por edhe inxhinierinë sintaksore e strukturën gjuhësore.
07 shtator 2022