More
    KreuLetërsiShënime mbi libraErmira Ymeraj: Grazia Deledda në shqip. Një ngjarje letrare.

    Ermira Ymeraj: Grazia Deledda në shqip. Një ngjarje letrare.

    Klodeta Dibra është pedagoge prej 34 vitesh në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, titullare e lëndëve të Gjuhësisë në ciklin e parë, dytë dhe tretë si: Gjuhësi teksti, Gjuhësi e zbatuar, Teori komunikimi. Njohëse e mirë e gjuhës dhe letërsisë italiane, përkthen nga italishtja në shqip dhe shqipja në italisht. Akti i përkthimit është akt filologjik e mbi të gjitha akt plotësues me vepra të gjinive të prozës dhe poezisë, që nuk janë rastësore, pasi një vepër nga përkthyesja nuk perceptohet thjesht si sjellje e një mesazhi, shënjuese e një kumti po dhe me shije subjektive që vijnë në shqip si rikrijim për vetë fjalorin shprehës estetik të krijuar gjatë përkthimit. Motivet e sjelljes së Deledës në shqip, nuk janë vetëm periudha kohore në të cilën shkroi as edhe profili i mëvetësishëm i saj brenda Italisë dhe ai ndërkombëtar, por arsye e përzgjedhjes shkon nga shkrimtari te vepra[1], nga tematika te mesazhi, duke kërkuar ngjashmëritë me realitetin që jetojmë. 

    Procesi i përkthimit mbart me vete dëshirën vetjake të përkthyeses, për të krijuar paraprakisht një kulturë të përgjithshme mbi periudhën letrare në të cilën shkroi autorja, kureshtjen për të mësuar më shumë rreth tematikës që do sillet në shqip, lexime të ndryshme mbi kritikën dhe kohën historike të saj, që bëjnë të mundur lidhjen midis tyre. Diskursi i përkthyeses është strategjik dhe kulturologjik, ajo përqendrohet te nevoja që gjuha shqipe ka për përkthimin, duke e pasuruar në formë dhe përmbajtje si nga ana strukturore ashtu dhe leksikore.

    Nga ana leksikore vëmë re, riaktivizimin e fjalëve me ndryshim kategorinë gramatikore, si p.sh.:

    përngjashmoj – në fjalorin e shqipes është vetëm emër; krakëllitës – në fjalorin e shqipes është vetëm folje; e përhimëta – në fjalorin e shqipes është vetëm mbiemër; patrazim – në fjalorin e shqipes është vetëm mbiemër; si dhe frymëkëputur – kompozitë.

    Tradita e përkthimit pas ’90-ës, u shthur në cilësi dhe modeli i përkthyesit u shartua me modelin e amatorit. Përkthyesi për lexuesin në kuptimin relativ ka fuqi hyjnore, atij i duhet të ruajë mëvetësinë në përzgjedhje. Laboratori krijues i Deledës te romani “Nëna”, ka diçka të veçantë, specifike, jo vetëm në natyrën e shkrimit, botën e pasur imagjinative dhe fiksionin e bujshëm, por edhe brumosjet e dendura estetike. Përkthyesja paralelisht merr në konsideratë nevojat kulturore të lexuesit për t’u ushqyer me ndjenjën e së bukurës[2].

    Romani “Nëna”, shquhet për gjetjen tematike dhe për artikulimin e një gjuhe të brumosur me zbukurime stilistike. Mbi të gjitha në këtë prozë, te mendimet e Nënës, arti letrar gjen pasqyrën e vetidentifikimit. Nëpërmjet mjeshtërisë narrative dhe një figuracioni letrar të zgjedhur, kurdoherë, përkthyesja kërkon pa kompromis të ruajë thellësitë e magjisë, aty ku vetëm Nënat të pajisura me fuqi mbinatyrore depërtojnë, për të realizuar komunikimin letrar:

      Nënës, kohëve të fundit nuk i shqitej prej syve, pamja e të birit në dhomën e tij. E kishte kapë në befasi, tu u pa në pasqyrë sikur të qe grua, duke pastruar e lustruar thonjtë, duke krehur e çuar lart flokët që i kishte lënë të rriteshin, e gati sa nuk po fshihte shenjën e shenjtë të tonzurës. Përdorte disa aroma, pastronte dhëmbët me pluhura erëmirë e kalonte krehrin deri edhe mbi vetulla… [3]

    Romani “Nëna” ka një mënyrë të veçantë të shtjellimit të fabulës. Kjo formë në dukje të parë paraqitet e thjeshtë, por në esencë ngërthen filozofi të thellë. Në roman ka një konglomerat eksperiencash, të cilat nga aspekte të ndryshme, rezultojnë që autorja njeh kultura letrare e përtej letrare. Deleda si njohëse e mirë i simboleve fetare e forcon diskursin simbolik të meshtarisë, me mjeshtri duke e ndërthurur me dilemën e përhershme të njeriut përballë detyrës, misionit dhe ndjenjave njerëzore, kështu miti i dilemës hyn në traditën letrare, filozofike e biblike si pjesë e kulturës religjioze.

    Përkthimi dhe përvetësimi i një teksti së këndejmi, janë fijet që bashkojnë e ndërlidhin me traditat shqiptare, shkrimin dhe letërsinë e huaj. Paraqitja e një teksti është një ngjarje në të cilën mund të mbështetet dhe të shpaloset puna e përkthyesit në mënyrë të tillë që lexuesi të pasurojë fjalorin e tij përmes: 

    përdorimit të fjalëve dialektore si: tash; bash; tesha; gjithherit; përunji; trandje; ferramanzë; kjartësisht; diç; karshi; hajn; gacë; mirakandje; leshko, etj.

    krijimit të shprehjeve figurshme si: il vento parve portarselo via d’un colpo = era e mori vrik me vete; il diavolo limava la parrocchia = djalli po e brente famullinë; il vento gli rubava le parole di bocca e le sperdeva lontano = era ia merrte fjalët nga goja duke ia degdisur larg; il cuore le si gonfiò, duro come una pietra = zemra iu gufua, iu ngurtësua si gur; tenesse fronte da sé al suo avversario = t’i bënte ballë kundërshtarit të vet; gemiti striduli le troncavano la parola = rënkime therëse i cungonin fjalën; e l’incanto che gli era parso rotto per sempre = e në magjinë e këputur filli; poterti prendere gioco di me = mund të tallesh me mua; si recava in chiesa di buon’ora = shkonte në kishë në mëngjes herët; un singhiozzo gli ruppe le parole in bocca = një ngashërim ia ndërpreu fjalët në gojë; le viscere le si sollevavano fino alla gola = rropullitë po i ngjiteshin në fyt.

    riaktivizimit të një leksiku pasiv dhe disa fjalë të papërdorura në leksikun e përditshëm, duke pasuruar format e të shprehurit si p.sh.:

    Duke e njohur lexuesin me një tekst të caktuar, ndërsa e lexon ai e riprodhon nëpërmjet tekstit të dhënë dhe zgjeron njohuritë mbi mënyrat e jetesës[4], mënyrat e të menduarit, emrat e vendeve[5] dhe karakteristikat e atij vendi[6], ndryshimet që ndodhin nga fillimi deri në fund me psikologjinë dhe veprimet e personazhit[7].

    Personazhi mbart në vetvete një përmbajtje, ata mbeten në thelbin e tyre imazhe ideore, p.sh.:

    Në gjysmerrësirën e shkallëve, nëna pa për të dytën herë atë vështrimin ironik e t’butë që vajza ia kishte dhënë kur po ndaheshin, e dalloi te mënyra e saj për të ulur qepallat e rënduara, n’padije për t’i fshehur ndjenjat që kjartësisht ia tregonin bebet e syve[8].

    Sytë, e ai kallëzim i kulluar i sinqeritetit të qashtërt, që i fshihnin menjëherë shpirtin, gjinikojshin jashtëzakonisht shumë me të Paulos, sa tani, ajo nuk kishte as edhe një mendim të urrejtshëm për gruan që po e joshte drejt mëkatit, ishte nëna edhe për atë, ata të dy duhej të shpëtoheshin, dhe pse sjellja e tij, ja kishte rritë aq shumë dyshimin sa po i kthehej në llahtari[9].

    Personazhi artikulon gjithë tipat e sekuencave p.sh.:

    Në shtëpinë e priftit nuk lejohet mbajtja e pasqyrës: ai duhet të jetojë pa kujtesën fizike të trupit. Për këtë të paktën me ligjin, famullitari i vjetër kishte qenë i vëmendshëm; shihej nga rruga kur rruante mjekrën duke u parë në xhamin e dritares së hapur, nga prapa të cilit vendoste një rrobë të zezë! Ndërsa Pauloja ishte i varur nga pasqyra si pasqyrimi i ujit kur sheh një fytyrë që buzëqesh, të tërheq dhe të merr me vete brenda.[10]

    Përsosmëria stilistike e tekstit të Deledës, rëndësia letrare burimore[11] e vetë autores së përkthyer, do sjellin ndikim në letërsinë ardhëse. Si përkthyese e veçon për punën që bën në përsosjen e mjeteve shprehëse gjatë përshtatjes, në krijimin e analogjive kontekstuale të frymës së kohës që jetoi Deleda me kohën që jetojmë sot.

    Dibra komunikon në mënyrë neutrale me tekstin, e shijon, mediton në mënyrë të pavarur, dhe më pas e shtyn veten drejt përkthimit, duke u orientuar nga ndjeshmëria që ai mbart.

    Në aktkrijimin e saj Deleda përdor fjalë të strukturuara me një stil të veçantë detajist. Në paragrafin e mëposhtëm bien në sy menjëherë narrativa përshkruese deri në imtësi:

    E mbuloi fytyrën me duar e ndërkohë  iu shfaq Paulo me gruan në një odë përdhese të shtëpisë së vjetër: me pamje nga kopshti, me tavan në formë kupole, dyshemeja prej betoni ishte e shtruar me guralecë deti; një oxhak i madh humbohej në një faqe muri, kishte dy ndenjëse në anët dhe përpara një kanape të vjetër; muret të lyera me të bardhë e të zbukuruara me armë, koka drerësh me brirë, piktura me pëlhura të zeza të shqyera që vareshin kokëposhtë, vetëm aty këtu, shfaqej duke notuar në hije, një dorë me ngjyrën e dheut, një copëz fytyre, ose një gërshet gruaje a ndonjë frut.

    Me duart shtrënguar të ulur përballë zjarrit, qëndronin Pauloja dhe gruaja …[12]

    Në aktin e përkthimit, përkthyesja ka qëllimi të japë një ndjenjë kënaqësie në zbulimin e një përvoje të re, dhe kjo kërkon përqendrim intensiv, duke kërkuar nga vetja të ruajë origjinalitet, cilësinë dhe kënaqësinë. Misionin e saj si gjuhëtare përkthyesja e sheh pikërisht në pasurimin e saj me strukturat sintaksore për të cilat përkujdeset, duke patur parasysh:

    a. procesin e të shkruarit vetjak të autores, nuancat stilistike të frazës dhe shmangien e ngarkesës së saj, duke kërkuar  që të mos e humbasin kuptimin në gjuhën që e sjell. Organizimi gjuhësor është një proces më vete për përkthyesen, fraza e Deledës është shumë polisindentike dhe mbi të gjitha detajiste. Në rastet kur teksti ka mbingopje polisindentike, nga gjuha gjegjëse për t’i sjellë në konstruktet e shqipes të pranueshme për lexuesin bien në sy procesi i krijimit të frazës eliptike, si p.sh.:

    E a poco a poco egli s’era lasciato prendere da quello sguardo, s’era avvicinato a lei con un senso di pietà: la solitudine che li premeva attorno, li spingeva l’uno verso l’altro.

    E dopo gli occhi s’erano cercate e strette le mani: e quella notte s’erano baciati. Ed ecco il sangue di lui, quieto da tanti anni, divampava tutto come un liquido ardente: la carne cede, vinta e vittoriosa assieme.

    E la donna gli aveva proposto di fuggire dal paese, di vivere o morire uniti. Nell’ebbrezza egli aveva accettato la proposta; dovevano rivedersi la notte seguente per combinare meglio.

    E pak nga pak ai e kishte lënë veten të rrëmbehej nga ai vështrim, i ishte afruar asaj me një ndjenjë mëshire: vetmia i rrethonte dhe i shtynte në krahët e njëri-tjetrit.[13]

    Pas vështrimeve kishin kërkuar e shtrënguar duart: atë natë ishin puthur. Gjaku i tij, i qetë prej shumë vitesh, po shpërthente si lëng përvëlues: mishi epet, i mundur e fitimtar njëherazi.[14]

    Gruaja i kishte propozuar të iknin nga katundi, të jetonin e të vdisnin bashkë. Në dehje e sipër e kishte pranuar propozimin e saj; do t’i duhej të takohej natën tjetër për të rregulluar më mirë gjërat[15].

    b. Ruajtja e figuracionit dhe imazheve të autores e bëjnë më të mundimshëm procesin e përkthimit. Në fragmentin e shkëputur, i gjithë paragrafi vjen si një frymëmarrje metaforike dhe me një renditje numerike të imazheve për lexuesin:

    Të zinj e të pështjelluar si përbindësha në radhë para ledhit të sheshit të kishës, verrat shkapeteshin furishëm me erën; fëshfërimës së tyre i gjegjej rënkimi i plepave e kallamishtes së luginës: dhe me dhimbjen e natës, gulçimin e erës, përhumbjen e hënës mes reve, pështjellohej edhe angështia e trazuar e nënës në ndjekje të të birit[16].

     Gjuha e Deledës është imagjinatave, konotative dhe jo thjesht shënjuese (denotative). Kuptimi konotativ nënkupton fjalët që përdoren  përgjatë romanit, ato kanë ndjenjë dhe priren të evokojnë kuptime të ndryshme.

    Sytë, e ai kallëzim i kulluar i sinqeritetit të qashtërt, që i fshihnin menjëherë shpirtin, gjinikojshin jashtëzakonisht shumë me të Paulos, sa tani, ajo nuk kishte as edhe një mendim të urrejtshëm për gruan që po e joshte drejt mëkatit, ishte nëna edhe për atë, ata të dy duhej të shpëtoheshin, dhe pse sjellja e tij, ja kishte rritë aq shumë dyshimin sa po i kthehej në llahtari[17].

    Dhe qe, Anjezja ishte atje, veshur me të zeza, me një vello të zezë përreth fytyrës së fildishtë: tokëza e praruar e librit të saj të lutjeve shkëlqente mes gishtërinjve të zinj të duarve mbuluar me doreza; ajo dukej sikur po lexonte por nuk e kthente asnjëherë faqen[18]

    Përkthimi si proces njëkohësisht është interpretim dhe një ndërmarrje autoritare që kërkon lexim të kujdesshëm. Kjo shihet në fjalorin shpjegues të përkthyeses përgjatë referencave të fjalëve me  kuptim denotativ[19] si:

    Tonsura Tonzurë – (fet.) qethje e majës së kokës në formë rrethi; sipas besimit fetar jezuit është përkushtimi i fretërve ndaj Zotit.

    La comunione  – kungimi – (fet.) – Rit fetar që bëhet zakonisht në kishë, ku prifti u jep besimtarëve me lugë vere me copa meshe ose oste;

    La salvezza – shëlbim – (fet.) Shpëtimi i shpirtit sipas fesë së krishterë;

    Appena nominato parroco – Rishtar – (fet.) ai që sapo ka veshur rrobën fetare dhe që shërben në një manastir për një periudhë prove derisa të bëhet murg (në vendet ku vepron kisha e krishterë).

    c. Deleda është autore që nuk u kuptua në kohën e vet, ajo erdhi në shqip e përkthyer vetëm me një vepër “Kallamishte në erë”. T’i qëndrosh besnike stilit, për përkthyesen Dibra është një nga parimet të cilat ruhen me fanatizëm dhe kjo përbën cilësinë e përkthimit. Autoktonia e përkthimit qëndron në kërkesën e mos cenimit të domethënies, të mos prishjes së kuptimit dhe lëvrimit në gjuhën shqipe me tërë mundësitë e shprehjes, jo vetëm në standard po dhe në dialekt. Le t’i lexojmë me kujdes këto dy paragrafë në italisht dhe të përkthyera në shqip, vihet re besnikëria e ruajtjes së stilit të Deledës, fraza dhe domethënia nuk cenohen, si dhe lëvrimi në shqip përmes një leksiku joaktiv si: çap, terratisur, irnoheshin, shto këtu dhe aktivizimin e fjalëve dialektore si bash, etj.

    Le sembrava di vederlo, adesso, come se la parete divisoria si fosse spaccata: nero sullo sfondo della sua camera tutta bianca, alto, fin troppo alto, dinoccolato, andava e veniva col suo passo distratto di ragazzo, inciampando e scivolando spesso, ma tenendosi sempre in equilibrio. Aveva la testa un po’ grossa sul collo sottile, e il viso pallido oppresso dalla fronte prominente che pareva costringesse le sopracciglia ad aggrottarsi per lo sforzo di reggerla e gli occhi lunghi a star socchiusi; mentre le mandibole forti, la bocca grande e carnosa e il mento duro parevano a loro volta ribellarsi con sdegno a questa oppressione, senza però potersene liberare.

    Bash në at’ çast i bëhej se e shihte, i dukej se muri ndarës qe çarë: i terratisur në thellësi të odës krejt të bardhë, shtatlartë, madje më shumë se ç’duhej, i plogët, vente e vinte me çapin e shkujdesur prej djaloshi, duke u penguar e shpesh rrëshqitur, por përherë, duke e ruajtur ekuilibrin. Mbi qafën hollake, i rrinte koka pak e madhe, e fytyra e zbehtë e shtypur nga balli i dalë, dukej sikur i detyronte vetullat të ngryseshin nga përpjekja për të mbajtur sytë e zgjatur e gjysmë të hapur: ndërsa nofullat e forta, goja e madhe mishtore dhe mjekra e fortë, dukeshin sikur irnoheshin urrejtshëm ndaj kësaj shtypjeje, por pa mundur që të çliroheshin.[20]

    Përkthyesja së pari krijon brenda vetes kuptimësinë, kërkon që dhe në atë shumësi personazhesh të ruajë zhvillimin e karakterit dhe analizën e hollë psikologjike. Shumëformësia e këtij romani shfaqet në sjelljen e një historie, analize, zgjidhje, kërkimi, dyshimi, ëndërrimi, vuajtje, mëmësie e ngushëllimi të marrëdhënieve njerëzore.

    Estetika e përkthimeve nuk ka të bëjë me zgjedhjen e fjalëve dhe fjalive në mënyrë të rreptë. Në stilin e vet origjinal, përkthyesja rrok paragrafin kuptimisht dhe strukturalisht, duke ruajtur kështu brenda tij Kohezionin dhe Koherencën[21], si parimet themelore të tekstualitetit, si dhe elementet realizues të tyre, duke e paraqitur paragrafin si pjesë përbërëse të njësisë së madhe të komunikimit që është Teksti. Le të shohim me kujdes këtë rrokje që përkthyesja i ka bërë paragrafit të mëposhtëm.

    Il chiarore ora azzurro ora giallo della luna travolta da grandi nuvole in corsa illuminava il prato erboso, la piazzetta sterrata davanti alla chiesa e alla parrocchia, e due fila di casupole serpeggianti ai due lati d’una strada in pendio che andava a perdersi fra le macchie della vallata. E in mezzo a questa appariva, come un’altra strada grigia e tortuosa, il fiume che a sua volta andava a confondersi tra i fiumi e le strade del paesaggio fantastico che le nuvole, spinte dal vento, componevano e scomponevano ogni tanto sull’orizzonte allo sbocco della valle.

    Rrëmbyer nga re të mëdha në vrapim, drita herë e kaltër e herë e verdhë e hënës, ndriçonte lëndinën me bar, sheshin e vogël e të gërmuar përpara kishës e famullisë, dhe dy radhë shtëpizash që gjarpëronin në dy anët e një rruge të pjerrët që zgjatej deri sa humbte mes shkurrnajës së luginës. E si një tjetër rrugë e përhimët e dredha-dredha, midis shfaqej lumi që përzihej me lumenjtë e rrugët e peizazhit mahnitës që retë, të shtyra nga era, krijonin e shpërbënin herë pas here mbi horizontin në dalje të luginës.[22]

    Kanë kaluar 100 vjet nga botimi i veprës dhe përkthyeses i duhet që kohën historike të romanit ta bëjë bashkëkohore, të gjallë, të thjeshtë e me shije për lexuesin e sotëm.

    Ndodh shpesh që një rrëfimi, t’i mungojnë datat për të përcaktuar kohën historike të zhvillimit të ngjarjeve. Koha historike mund të kuptohet nëpërmjet përdorimit të fjalëve që tregojnë sende, objekte apo struktura gjuhësore që janë përdorur shumë kohë më parë dhe kanë largësi nga e tashmja si p.sh.: schioppo = dyfek; il lume = kandil; la lucerna di ottone = kandil prej tunxhi; il Regno = mbretëria; përdorimi i vetës së dytë shumës (edhe pse jemi në marrëdhënien nënë – bir);  alzatevi e andate al letto; Vossignoria = vostra signoria.

    Në rrugën e saj si përkthyese, Dibra nuk ndjek modele dhe kjo e bën përkthimin  të ketë origjinalitet. Ajo e nuhat paragrafin (sa ç’nuhat dhe veprën apo autorin që duhet të përkthejë, aq më tepër që autoret që kërkon nuk vinë rastësisht, ajo zgjedh mesazhet e forta që sjellin), e përjeton, e përthith, pastaj e laton, duke krijuar kështu një rrugëtim të vetin. Deri më tani mbi 10 vepra të gjinisë së tregimit, romanit dhe poezisë të sjella në shqip e nga shqipja në italisht.

    Ajo  zbulon për lexuesin përvoja të reja, e ndihmon lexuesin të rrisë e kultivojë mendimin. Çdo personazh është një njeri i kohës sonë, ndaj lexuesi te “Nëna” e Deledës, gjen një copëz nga nëna, nga ai kujdesi e shpirti drithërues i çdo nëne për fëmijën e vet. Letërsia ushqen, e në këtë rast për lexuesin shqiptar Dibra me këtë roman bëhet transponuesja më e mrekullueshme e një autoreje, që Nobelin e fitoi përmes qëndrimeve anashkaluese nga bashkëkohësit e vet.

    Bashkë me të, Dibra sjell për lexuesin shqiptar një vepër që do mbetej e lidhur pas vitrinave dhe kapakëve të trashë të librit në gjuhën italiane, nga aty romani bëhet me krahë, bëhet më e njohur dhe në kultura të tjera pritëse. Deleda flet shqip për dashuritë e ndaluara, për dashuritë e mëdha, për Nënën të vetmen qenie që di të lexojë dhe përtej mureve:

    Bash në at’ çast i bëhej se e shihte, i dukej se muri ndarës qe çarë: i terratisur në thellësi të odës krejt të bardhë, shtatlartë, madje më shumë se ç’duhej, i plogët, vente e vinte me çapin e shkujdesur prej djaloshi, duke u penguar e shpesh rrëshqitur, por përherë, duke e ruajtur ekuilibrin. Mbi qafën hollake, i rrinte koka pak e madhe, e fytyra e zbehtë e shtypur nga balli i dalë, dukej sikur i detyronte vetullat të ngryseshin nga përpjekja për të mbajtur sytë e zgjatur e gjysmë të hapur: ndërsa nofullat e forta, goja e madhe mishtore dhe mjekra e fortë, dukeshin sikur irnoheshin urrejtshëm ndaj kësaj shtypjeje, por pa mundur që të çliroheshin..[23]

    Përkthimi është më i rëndësishëm se sa një artefakt[24] historik apo kulturor brenda një vendi. Përkthimi është proces që na prezanton me një botë të re, e përvoja të reja. Lexuesi është ai që përfiton, që kënaqet me portretin e Nënës, madje rritet nga kujdesi i saj për të birin, evoluon përmes rrugëtimit të marrëdhënieve të ndaluara. Tërë ky dekodim i tekstit kryhet përmes përkthimit, duke përdorur një qasje sociologjike, psikologjike, historike në gjuhën e vet.


    [1]  Wellek, Rene; Warren, Austin,: Teoria e letërsisë, “Një studim themelor mbi natyrën dhe funksionimin e letërsisë në gjithë kontekstet e saj, Onufri, 2007. f. 20. Shih: Gjuha është materiali i letërsisë, është krijesa e njeriut dhe mban mbi vete trashëgiminë kulturore të këtij apo atij grupi gjuhësor.

    [2]  Wellek, Rene; Warren, Austin,: Teoria e letërsisë, “Një studim themelor mbi natyrën dhe funksionimin e letërsisë në gjithë kontekstet e saj, Onufri, 2007. f. 23. Shih: Letërsia ka doemos mendim, është bota e trillimit artistik dhe fantazisë.

    [3]  Deledda, Grazia.; “Nëna”, OMBRA GVG, 2022. përkth. Klodeta Dibra. f. 18; Tonzurë – (fet.) qethje e majës së kokës në formë rrethi; sipas besimit fetar jezuit është përkushtimi i fretërve ndaj Zotit.  (Të gjitha shënimet janë të përkthyeses)

    [4]  Deledda, Grazia.; “Nëna”, OMBRA GVG, 2022. përkth. Klodeta Dibra. f. 20: Më në fund kandili i vogël prej tunxhi lëshoi një fill drite në dhomëzën e zbrazët e të varfër si ajo e një shërbëtoreje, hapi derën e zgjati veshin për të dëgjuar. Dridhej e tëra; megjithatë lëvizte  si një copë druri e fortë, me kokën e madhe mbi trupin shtatshkurtër e të fuqishëm që, i mbështjellë me një rrobë të zezë të dalë boje, dukej sikur qe i prerë me sëpatë nga trungu i një lisi.

    [5]  Po aty., f. 27. Shih: Do t’i them: Imzot, ju e dini që famullia e Aarit, përveçse më e varfra e Mbretërisë, është e goditur edhe nga mallkimi. Për gati njëqind vjet ka qenë pa famullitar e banorët e kishin harruar Zotin, më në fund u shkoi një famullitar, Imzot ju e dini se çfarë njeriu qe ai.

    [6]  Deledda, Grazia.; “Nëna”, OMBRA GVG, 2022. përkth. Klodeta Dibra. f. 22. Gjithçka flinte. Tashmë në katund nuk dallohej më asnjë dritë, asnjë fill tymi, shtëpizat e varfra kacavjerrë si dy rreshta delesh lart për nga rrëpira barishtake, nën hijen e kishëzës që me kambanën e vogël e të mbrojtur poshtë shpatinës, ngjante si çobani varë në kërrabën prej xunkthi.

    [7]  Dado, Floresha,: “Intuitë dhe vetëdije kritike”, Onufri 2006, f. 85. Personazhi është boshti i strukturimit: ekziston brenda kufijve të një subjekti, i cili nuk u përket strukturave fikse, por një logjike dhe dinamike të papërsëritshme të çdo rrëfimi.

    [8]  Deledda, Grazia.; “Nëna”, OMBRA GVG, 2022. përkth. Klodeta Dibra. f. 34.

    [9]  Po aty., f. 34.

    [10]  Deledda, Grazia.; “Nëna”, OMBRA GVG, 2022. përkth. Klodeta Dibra. f. 40.

    [11]  Dado, Floresha.: “Intuitë dhe vetëdije kritike”, Onufri, 2006. f. 30. Vepra nuk shfaqet në një hapësirë boshe, ajo ka atmosferën dhe publikun e vet, ajo shfaqet si konotacion socio – kulturor, i ndryshueshëm sipas kohës dhe rrethanës historike, të cilat kërkojnë dhe modelojnë mundësi shprehëse artistike të përshtatshme. Shih dhe në f. 21. Sipas Estetikës së recepsionit gjuha shkruhet si: organizim shenjor dhe si pritje e synuar e shprehjes se realizuar. Aspektet gjuhësore konceptohen si shprehje gjuhësore që fitojnë kuptimin e tyre nëpërmjet përdorimit. Gjuha e letërsisë nuk është e njëllojtë me rrjedhën e fjalëve.

    [12]  Deledda, Grazia.; “Nëna”, OMBRA GVG, 2022. përkth. Klodeta Dibra. f. 11.

    [13]  Deledda, Grazia.; “Nëna”, OMBRA GVG, 2022. përkth. Klodeta Dibra. f. 53 – 54.

    [14]  Po aty., f. 53-54.

    [15]  Po aty., f. 54.

    [16]  Deledda, Grazia.; “Nëna”, OMBRA GVG, 2022. përkth. Klodeta Dibra. f. 22. Gli ontani in fila davanti al parapetto della piazza della chiesa, si sbattevano furiosi al vento, neri e sconvolti come mostri; al loro fruscìo rispondeva il lamento dei pioppi e dei canneti della valle: e a tutto quel dolore notturno, all’ansito del vento e al naufragare della luna fra le nuvole, si confondeva l’angoscia agitata della madre che inseguiva il figlio.

    [17]  Po aty., f. 34. E quegli occhi, e quel modo di rivelare con impeto di sincerità ma poi subito di nascondere la propria anima, rassomigliavano straordinariamente a quelli del suo Paulo; tanto che nei giorni seguenti, mentre per il contegno di lui il sospetto cresceva e si faceva terrore, ella non pensava con odio alla donna che lo induceva in peccato, ma pensava al modo di salvare anche lei come se si trattasse di una sua figlia.

    [18]  Deledda, Grazia.; “Nëna”, OMBRA GVG, 2022. përkth. Klodeta Dibra. f. 202. E Agnese realmente era lì, vestita di nero, con un velo nero attorno al viso d’avorio: la fibbia dorata del suo libro di preghiere scintillava fra le dita nere delle sue mani inguantate; ed ella sembrava leggere ma non volgeva mai la pagina.

    [19]  Deledda, Grazia.; “Nëna”, OMBRA GVG, 2022. përkth. Klodeta Dibra. Shih dhe: Verr – dru i ulët me lëvore të lëmuar ngjyrë hiri, me gjethe vezake e të dhëmbëzuara, dhe me lëndë të fortë që rritet buzë lumenjve e në vende me lagështirë dhe që përdoret zakonisht në ndërtim.

    [20]  Po aty., f. 19.

    [21]  Dibra, Klodeta;  Varfi, Nonda,: Gjuhësi teksti, ShBLU, 2005, f. 40.

    [22]  Po aty., f. 21 – 22.

    [23]  Deledda, Grazia.; “Nëna”, OMBRA GVG, 2022. përkth. Klodeta Dibra. f. 19.

    [24]  Wellek, Rene; Warren, Austin,: Teoria e letërsisë, “Një studim themelor mbi natyrën dhe funksionimin e letërsisë në gjithë kontekstet e saj, Onufri 2007, f. 27. Shih: Artefakti, pra diçka që krijohet nga njeriu, ka një strukturë që i përgjigjet një funksioni të caktuar që do të kryejë, plus funksione të tjera shtesë që përcaktohen nga koha gjatë së cilës ato kryhen, nga materiali me të cilin krijohen dhe nga shija e dëshirat e njeriut.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË