More
    KreuLetërsiBibliotekëErlind Sulko: Dija dhe banimi në gjuhë

    Erlind Sulko: Dija dhe banimi në gjuhë

    Në esenë “…poetikisht njeriu banon…”, kushtuar Hëlderlinit, Hajdegeri shqyrton ndërlidhjen ndërmjet poezisë dhe banimit. Poezia, më shumë se gjithçka, na lejon të banojmë brenda gjuhës. Por ky banim brenda gjuhës nuk është një përsëritje e përdorimit mekanik të saj: kur ne banojmë poetikisht, vetë gjuha flet.

    E përmend këtë ese të Hajdegerit, pasi dua të bëj një dallim midis njohjes mekanike të gjuhës dhe banimit në gjuhë. Në një kuptim, banimi në gjuhë është një njohje e gjallë e saj: gjuha si një bashkëudhëtare e njeriut. Gjuha e përdor njeriun, por edhe njeriu e përdor gjuhën: gjuha e udhëzon njeriun të flasë në një mënyrë të caktuar, por edhe njeriu e gdhend gjuhën me këngët e tij. Gjuha të mëson të lëvizësh gjuhën e gojës, por edhe gjuha e gojës drithëron vetë gjuhën me jetë.

    Të njohësh gjuhën do të thotë të njohësh për thelbin e saj po aq sa edhe për vetë njohësin: pasi nëse gjuha është, në thelb, një përmbledhje e gjatë rregullash, atëherë edhe njohja e saj është thjesht një kujtesë mekanike e këtyre rregullave. Por nëse gjuha është një botëkuptim, një mënyrë jetese, një mënyrë e lidhjes me gjithçka, atëherë edhe njohja e saj është një zhytje brenda saj, një banim më shumë sesa një përsëritje mekanike e rregullave.

    Nëse gjuha është thjesht një listë e gjatë rregullash, atëherë të gjitha sistemet e inteligjencës artificiale e njohin gjuhën më mirë se ne, pasi ato nuk janë gjë tjetër veçse zbatimi i përkryer i rregullave gjuhësore. Në këtë kuptim, shumë njerëz mund të joshen nga mendimi se vetë ChatGPT e njeh gjuhën më mirë se një fshatar që e flet dhe e shkruan mbushur me gabime drejtshkrimore. Por pavarësisht se sa gabime bën fshatari kur flet apo shkruan gjuhën, ka diçka që ai di për të: një mënyrë të banuarit në gjuhë, një liri për t’i zbatuar rregullat e për t’i prishur. Ka një përjetim të gjuhës që ChatGPT dhe të gjitha sistemet e mëvonshme të inteligjencës artificiale nuk mund ta njohin kurrë. Pavarësisht përkryerjes mekanike të inteligjencës artificiale, ekziston diçka e fshehtë, diçka që shkon deri në thelbin e mistershëm të jetës, që ajo kurrë nuk do mund ta prekë.

    Sistemet e inteligjencës artificiale mund ta njohin gjuhën, por nuk mund ta jetojnë atë. Kjo mund të duket si një gjë e vogël, por nuk është aspak e tillë, pasi gjuha e inteligjencës është një sistem i mbyllur dhe i ngurtësuar, ndërsa gjuha e njeriut është e gjallë dhe ndryshon vazhdimisht. Një shaka, një këngë, një vajtim mjafton për të ndryshuar tërë gjuhën e njeriut. Por gjuhën e inteligjencës artificiale nuk e ndryshon përjetimi, por programimi i paracaktuar.

    Sigurisht e vërteta, si gjithmonë, është një paradoks i mahnitshëm. Ajo nuk gjendet as në njërën, as në tjetrën nga këto dy pikëpamje që duken në kundërshtim me njëra-tjetrën, por në një ngërthim të të dyjave: gjuha është, njëkohësisht, edhe një bashkëveprim mekanik rregullash, edhe një shprehje e lirisë dhe përjetësisë. Pasi, pas mësimit fillestar mekanik të rregullave të gjuhës, papritur vetë gjuha, ashtu si pas mësimit të ngarjes së biçikletës, të jep lirinë të udhëtosh e të përjetosh botën. Njeriu mëson rregullat e gjuhës veç për t’i thyer ato duke shkruar poezi. Por poezia nuk është shkatërrimi i gjuhës, pavarësisht se sa rregulla gjuhësore mund të thyejë: poezia është lulëzimi i saj i epërm dhe i hijshëm – një gonxhe e çelur në kërcellin e gjuhës.

    Prandaj inteligjenca artificiale nuk mund të shkruajë poezi, pasi njohja e saj për gjuhën është thjesht një përsëritje mekanike, dhe jo një banim në të – jo një përjetim i pafundësisë, një zhytje në botëkuptimin e gjuhës. Gjuha e inteligjencës artificiale është e vdekur, ndërsa gjuha e fshatarit që shkruan plot gabime drejtshkrimore është e gjallë: asgjë nuk e provon më shumë jetën e saj sesa vetë gabimet. Sepse një lule e gjallë mund të rritet edhe në anën e gabuar, por një lule artificiale, sado e përkryer të jetë, qëndron vetëm aty ku është vendosur.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË