Copëzat e dramës së madhe në Ritz kanë një rrjedhë intrige të kujdesshme, nën “regjimin” e një pene që të mahnitë me aktet e veprimit të personazheve në rrethana (diktatoriale të luftës), betejash të pakompromis. Në krejtë këtë dramë një fije e padukshme por e thellë shpirtërore qëndron marrëdhënia mes Frankut dhe Blanshës…
Lexim “i çastit” i romanit “Barmeni i Ritzit” i autorit Philippe Collin
Pas “dënimit” që i është bërë romanit si zhanër i gjatë në fund të shekullit XX, megjithatë, një një format tjetër, edhe mund “të shfletohet” për një hyrje përgatitëse për të paramësuar gjenezën dhe historinë e rrëfimit. Përmes disa citateve “anësore” dhe të veçuara ad hoc. Në “fjongon” mbështjellëse, të botimit shqip, shkruan “Roman i madh i pushtimit”. E vërteta pas leximit ecën më tej rrëfimi “i vogël” i shpëtimit. Romani “Barmeni i Ritzit” ka shtatë pjesë (“Luftë pozicionesh”, “Luftë lëvizjeje”, “Zgjerimi i konfliktit”, “Luftë sfilitëse”, “Lufta totale”, “Gjendja e jashtëzakonshme” dhe “Shpartallimi”) që nis me një prolog (“Përgatitja për luftë”).
Në “Epilog” te një tjetër roman, te “Kujtesa e fshehtë e njerëzve” te Mohamed Mbougar Sarr (përktheu: Urim Nerguti. E botoi “Buzuku”, Prishtinë, 2022) shkruan për dorëshkrimin e Madagut një vepër fiction “… një rrëfim autobiografik i përafërt në disa faqe me një ditar intim.” Dhe përfundon epilogu dhe romani “… të shkruash a të mos shkruash.” (faqe 450)
Rrëfimtari?! Çështje autobiografike e autorit, shkrimtarit? Po Ne lexuesit? Të lexojmë a të mos lexojmë! Dilema hamletiane vazhdon në “pamje” dhe diskurse të tjera të pafundme! E nisim çastin tjetër solemn festiv me “Barmeni i Ritzit” te Philippe Collin (përktheu: Lindita Gjetani. E botoi “Dituria”, Tiranë, 2025).
Në fillim, më vetëm dy faqe tekst (Prolog) përshkruhet një atmoferë epike e ndërrimit të kohës, të një ambienti si hyrje e ndërrimit të epokës… Parisi një nat para pushtimit (Përgatitjet për luftë). 13 qershor 1940. Hoteli Ritz dhe mbrëmja e fundit “franceze”. Frank Mejeri çifut dhe lamtumira e një trashëgimtari të rrënuar perandorie.
Nga shëmbellimi përmes krahasimit tek analogjia dhe gërshetimi tematik fiktiv. Përzierja rrëfimtare me profesionin e një barmeni, me përzierjen e pijeve. “Gjysma nostalgji, një e treta trishtim, një pikë loti braktisjeje dhe dy pika shpresë, ky është kokteji i mbrëmjes.” (37) Përmes fillimit mësova në detaje pushtimin e Parisit nga nazistët.
Drama psikologjike e unit të barmenit përmes “tri rrëfimeve” a diskursi rrëfimtar në tri dimensione në kohëreale të leximit: Autori rrëfimtar, Rrëfimi në vete dhe Rrëfimi ditar (në vete dhe për të tjerët). Autori personazhet i jetëson. Hyn tek ta. “Përballja” e brendshme mes dy shokëve. Mes Zhorzhit e Frankut. Në faqe 108 Zhorzhi thotë: “Ka mabruar lufta, Frank.” Në faqe 109 Franku i thotë vetes: “Zhorzhi e ka gabim: lufta nuk ka mbaruar.”
Një përshkrim tjetër i thukët dhe me një “pamje” e ligjërim letrar mahnitës. Nëntor 1940. Faqe 115. “Në këtë luftë që tani quhet paqe, Frank Mejeri ndihet i bllokuar midis dy botëve që bashkëjetojnë, por pa u takuar asnjëherë: bota brenda, ajo e Ritzit, me shkëlqimin, rehatinë dhe egërsirat e saj, dhe bota jashtë, ajo e urisë, e të ftohtit dhe e poshtërimit…”
Përshkrimet tejkalojnë frymën e dyshimit duke ndërtuar një realitet të prekshëm. Me pesë, gjashtë fjali krijohet një botë e tërë e një personaliteti real, që tashmë mbijetesa, edhe, është e mundur. “Teksa vendos dyshekun që mban për këto raste, mendja i shkon te Luçiano, te familjet çifute. Mendon edhe për veten, për paratë që do të nxjerrë duke u marrë me këtë punë. Pas gjashtë muajve merret me këtë gjë, ka arritur të verë mënjanë një shumë të mirë parash. Para që në fakt nuk i nevojiten, por që i japin siguri. Nëse një ditë do të më duhet t’ia mbath, ca para më tepër nuk do të ishin keq. Franku nuk e ka mësuar jetën nga librat, si Ernst Jungeri, por ja që një gjë ia kanë mësuar librat policorë: arratisja kushton shtrenjtë.” (204-205)
Diskursi letrar i kohës dhe loja më të është renditur në përsosmëri. Në rrjedhën e ngjarjeve autori ndërhyn duke krijuar një rrëfim të bëftë që mban lexuesin brenda. Faqe 220. Blanshë. Personazhi tjetër i ndërtuar në të gjitha dimensionet krijuese të figurës, siç del edhe ngakushtimi i autorit që në parahyrje: “Blanshë Ozelos, së vetmes mbretëreshë të Ritzit.” Pamja dhe puthja, një ditë-hije rrëfimtare. “E kush mund t’i rezistojë pamjes së saj prej djallusheje dhe atyre syve tallës? Ja tek është tani pranë tij, pas banakut. Llambadari në korridor i pasqyron mi fytyrën e zbehtë hijen e velit. Kjo shampanjë ka shijen e një puthjeje përvëluese, të cilën ai nuk do të guxojë ta rrëmbejë.”
Autori apriori nga këndi i largët i viteve kthehet në diskursin e çastit duke paralajmëruar fenomenin e hakmarrjes, në fjalën e personazhit. “Një gjë është e sigurt: nëse nemcet ia mbathin, në Paris do të ketë hakmarrje të tmerrshme.” (245) Kush e rrëfen këtë! Kush e thotë! Është pikërisht përspektiva e palimpsesteve të zbardhura nga arti letrar, nga studioja e shkrimtarit, nga un-i krijues.
Askush më mirë nuk do ta definonte apriori tërë procesin e krijimit të romanit “Barmeni i Ritzit” se sa Roland Barthes me thënien nxjerr nga “Kënaqësia e tekstit”: “Teksti ka nevojë për hijen e vet: kjo hije, është pak ideologji, pak përfytyrim, pak subjekt: fantazma, skuta, gjurmë të mjegullta, re të nevojshme: subversioni duhet ta përftojë dritë-hijen e vet.” (Roland Barthes “Kënaqësia e tekstit”, përktheu: Urim Nerguti, Buzuku, Prishtinë, 2021, faqe 48-49)
Lirimi i Blanshë dhe takimi me Frankun. 20 shkurt 1944. Gruaja “e fortë” dhe e guximshme “imazhi i të burgosurës së ndotur” (306) vjen në “fundin e papritur e të ngrirë” kur shkrimtari ngrit idealin e një të burgosure në analogjinë e madhështisë dhe përsosmërisë së krahasimit në vete: “Në vitin 1944, madhështor nuk është më Hemingueji tek mban fjalim para aristokratëve me një shishe shampanjë në dorë, por ajo që nuk hap gojë edhe nën tortura, Blanshë Ozelo…” (307)
Gërshetimet përsëritëse kanë “tagrin e vet” të koheve. Dialog për kthim në kohë. Në një situatë krejtësisht tjetër. Në Kosovë, gjendje lufte. Viti 1998. Në Faqe të Tretë, në revistën kryesore të kohës në Kosovë, javoren “Zëri”, nën mbititullin “Metafora e shtëpisë”, shkruaja: “Të gjithë duan të kthehen në shtëpi”. Në Paris, viti 1944. Te romani i Collin, faqe 308, Blanshë thotë: “Dua të kthehem në shtëpi. Të largohem nga Europa.”
Sikur veprat në vete rilexohen dhe krijojnë një monument në përjetësinë e përsëritjeve borhesiane. Gjithçka është thënë në epokën antike deri në shekullin XIX na thoshte profesori i Letërsisë Botërore, Hasan Mekuli. Çuditërisht shumë pak e shpjegonte letërsinë e shekullit XX!
Në mars 1944 autori shkruan, në gojën e personazhit: “Po i afrohemi greminës”. Këtu qëndron intriga letrare e paralajmërimit. Dilemës. Konfliktit krijues!? Gremina për çlirimin e Francës apo dikush nga personazhet e pëson! Paralajmërimi po bëhet në “… fundin e hidhur.” Rrëfim poetikë. Prozë poetike. “Kur të jenë larguar gjermanët, në place Vendome do të kundërmojë erë kufomash. As tufat e zambakëve nuk do të mjaftojnë për ta zbutur.” (331)
Shkrimtari rrëfen “të lejueshmen”. Fantazia e tij ka limite. Ka kufij. Nëse përpjekja dhe aksioni për vrasjen e Hitlerit i kishte përmasat e njohjes dhe dështimit, çka e njohim apriori nga një film triller të vitit 2008 “Valkyrie”, komploti ka rrjedhën e frymës në kohë lufte, të cilin personazhet janë në parametrat real. “… kjo luftë ka për të qenë thjesht një varg ndarjesh.” (360) Të gjitha luftërat kanë këtë njësi përfundimi dhe në vijëzime reale luftërat, siç thotë shkrimtari janë të pasosura.
Krejt veprën e përshkon një atmosferë brilante përshkrimi duke e ditur “vështirësinë e pasqyrimit” të një “epoke” dhe lufte të njohur me të gjitha shkaqet dhe pasojat e saj në dimensione shtërruese edhe nga ana artistike, si dhe nga dëshmitarët “e afërt”.
25 korrik 1944. 30 ditë para çlirimit. Rreth 30 faqet e fundit të romanit. Tre thënie që përmbledhin tërë autobiografinë e një “lufte” në hotelin Ritz: “Njerëzimi më ka zhgënjyer…” (368), “Cenzura e ka ulur vigjilencën…” (369) dhe “Nuk e kuptuam si duhej peshën e historisë…” (369)
Në faqen e fundit të librit personazhi kryesor Frank Mejer, në një ambient si dalje e ndërrimit të epokës, Parisi në natën e parë të çlirimit, 25 gusht 1944, në hotelin Ritz, takon Ernest Heminguejin dhe e mbyll romanin me fjalët: “Mirë se erdhët në parajsë…”
Dhjetor 2025, Prishtinë

