More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEnver S. Morina: … Si të ishte leximi i abetares

    Enver S. Morina: … Si të ishte leximi i abetares

    Romani “Shtëpia te Selvia”, i Anisa Markarian,
    shtëpia botuese “Çabej”

    Në mes të autobiografisë dhe ditarit vjen rrëfimi i aktores Anisa Markarian si kujtime. Të rrëfesh një të kaluar të papërsëritshme në kohë dhe aposteriori të pashpresë. Të tregosh rrëfimet e Nënës dhe më pastaj kujtimet e vetes deri në ikjen e babait! E tërë rrëfimi ndërtohet mbi aureolën e përkushtimit ndaj prindërve. E nderimit ndaj babait. E kujtimit më të mirë për veprën dhe vlerat e prindërve!

    Parafjala një perlë, mjeshtëri, mesazh. Të shfletojmë kujtimet. “Të thurim gjerdanin e vyer të së shkuarës sonë” siç i krahason autorja “kujtimet-dëshmi si tablotë e mjeshtrave.”

    Vepra është e ndarë në 23 kapituj të emërtuar. Kapitulli i parë “A. A. M.” kujtime nga rrëfimet e nënës. Lindja e Anisa Agop Markarian me datë 4 korrik 1962 1) kur nëna kishte 41 vjet. Prindërimi në moshë 64 vjeçare?! Vërtetësia apriori i rrëfimit të nënës? Të Asaj, në veten e tretë: “S’më besoni? Atëherë, mbani vesh se ç’më rrëfen ime ëmë.” (f. 9)

    Përshkrimi i veshës, i zisë. Tradita e uljes së fëmijës në tepsinë e fatit. Shpjegimi i fjalës “strukull”, mbiemrit dhe drejtshqiptimi fonetik. Anisa ka prekur stetoskopin, ka marr të kuqin e buzëve dhe stilografin në “Tepsinë e fatit”.

    Nëse gjer tani ngjarjet e jetës familjare i kam ndërtuar sipas rrëfimeve të të tjerëve, që nga data 17 prill 1966 e tutje do të bazohem kryesisht në kujtimet e mia…”, thotë autorja në kapitullin e tretë që del edhe titulli i librit.

    Anisën e kam njohur që në vitin 1978. Dhurata në filmin “Vajzat me kordele të kuqe”. Një interpretim me ndjeshmëri të lartë artistik dhe karakter përmbajtësor. Me Anisen kam komunikuar për herë të parë në vitin 2015. Me Anisen për herë të parë takohem në Kuçovë në tetor 2019. Ishin këto komunikime me ndërmjetësim filmi. Dhe takimi tjetër me shkas libri. Vepra me kujtime. Panairi i librit “Tirana, 2023”. Dhe kushtimi.

    Derisa në kapitullin e parë sipas Nënës përshkruan lindjen e vetes në kapitullin “M. A. M” më thjeshtësi, intimitet dhe në detaje përshkruan aktin e lindjes dhe çastet e para të jetës së foshnjës, vëllait. “Të bijës e të birit u ka vënë emrat e prindërve të vdekur gjatë marshimit për në kampin e përqendrimit.” (42). Më tej një rrëfim njerëzor dhe me virtyte të një fisnikërie të lartësuar familjare: “… –Vështirë të jetohet normalisht me prindër kaq të moshuar…

    Keni të drejtë, o përfolësa anonimë! Në jetën time e të tim vëlla, asgjë s’do të jetë “normale”. Dhe aq më mirë! Normaliteti s’bën për ne. Është një status i mërzitshëm e i pamjaftueshëm. Pothuajse i rrezikshëm! Na ndrydh iniciativën e na fyen krenarinë. Më keq, akoma! Na rrëmben të jashtëzakonshmen e na zhyt në rëndomtësinë e pabujë. Unë e im vëlla jemi fryt i dashurisë së një burri të pjekur me një vajzë flokëthinjur, që e kryen gjer në fund misionin e tyre mbi tokë. Pa bërë llogari me moshën, pa iu përvjedhur përgjegjësive, pa iu trembur nofkës poshtëruese “prindër-gjysh”. Ç’fat që po rritemi ndryshe! Në familje tonë nuk përgojohen të tjerët, nuk shpërdorohet koha e nuk ngrihet zëri. (Im atë dëgjon më shkoqur kur flitet me zë të ulët.) Na mësohet respekti për tjetrin si të ishte leximi i abetares. Na jepet shembulli që dashuria e lumturia nuk njohin moshë. Edukohemi me detyrën e ndershmërisë e të besnikërisë dhe betohemi se s’do të qëndrojmë kurrë mospërfillës ndaj padrejtësive dhe dhunës. Shpirti artist i sime ëme dhe romantizmi djaloshar i tim eti janë universi ynë i emocioneve…” (43-45)

    “Gjirafa” a “Qafëlejlekja” ka disa ndalesa gjatë rrugëtimit të saj të përditshëm. Ndalesa e parë: Këndi i Lojërave. Ndalesa e dytë: Klinika Dentare. Ndalesa e tretë: Teatri i Kukullave. Ndalesa e katërtë: Rruga e Barrikadave. Ndalesa e pesat: Pazari i Ri. “Ndalesa e gjashtë”: “Kongresi i Përmetit”.

    “Është shumë e rëndësishme ta njohësh mirë historinë tënde familjare.” (32)

    Historia e familjes Markarian vjen në detaje, përmes një dokumentacioni të ruajtur mirë, siç i quan autorja në “Sëndukët e Majrigut e të Yzhenit”. Vajza e përshkruan kështu dashurinë e Nënës ndaj babait: “…Dashuria e sime ëme për tim atë ka dy kulme: respekt e dhembshuri. Respekt për personalitetin dhe moshën e tij (kanë plot 23 vjet diferencë) e pat gjithçka që ka arritur në jetë me ndershmëri, punë e këmbëngulje. Dhembshuria është për vuajtjet që ka hequr e mizoritë që ka parë me sy.” (63)

    Informacione dhe të dhëna të veçanta për filmat “Guliveri” , “Aventurat e Çufetinos”, “Pinokio”, për serialet “Odisea”, “Vëllezërit Karamazov”, për veprat e baletit “Detashmenti i kuq i grave” dhe “Vajza me flokë të thinjura”, koncertin pianistik “Lumi i verdhë” (koncert pianistik). Përmes pronësisë së një televizori mësojmë për gjendjen sociale, jetesën në periudhën e viteve 60-ta e fillimvitet e 70-ta të shekullit. “Në të shumtën e rasteve, televizori përfaqëson qendrën e gravitetit të shtëpisë.”(73), thotë autorja.

    Vepra “40 ditët e Musa Daghut” nga Franz Werfel. Autorja na jep disa fragmente të romanit në shqip, e krahason Afion Karahisarin me qytetin e Gjirokastrës. (102)

    Një nga kapitujt më të mirë “Para Marsh”. Parulla, rrëfim, dialog. Përshkrim që përçon ide të mëdha. Liria e një kombi dhe universalizmi. Fragment: “Të ecurit më fal një ndjesi magjike. Përparoj çdo ditë drejt hapësirash të virgjëra. Në çdo hap të ri, farëzojnë ëndrra e dëshira të parrëfyera. Jam i ndërgjegjshme që liria ime i ka këmbët e lidhura. Diku, dikur, do të ndeshem ballë për ballë me Portat. Janë aq të larta saqë, për t’i kapërcyer, duhet shpuar dielli. Qëkurse kam ardhur në jetë, i kam parë gjithmonë të mbyllura. “Do t’u jenë ndryshkur drynat e s’u bën më asnjë kyç”, – i them vetes. “Për t’i hapur, u duhen këputur hallkat me një darë të fuqishme.” Por nuk shoh dara. As bravandreqës. “Ndoshta janë dryna të padukshëm, të maskuar në kushedi ç’pjesë të Portave. I kërkojnë prej vitesh, por ende s’i kanë gjetur. Ata të paktë që shihen në bisht të llozave shërbejnë vetëm për të na hedhur hi syve”, mendoj. “Ndoshta, janë duke punuar gjetkë”, i shfajësoj. Duhet të jenë me miliona dryna. Të rëndë e mëdhenj. Të përçudnuar. Vetëm dryna të tillë arrijnë ta mbajnë kyçur një popull të tërë.” (110-111)

    Tek kapitulli “Lajmëtarja” Anisa përgatitet për rolin e radhës aposteriori. Në filmin “Vajzat me kordele te kuqe”. Më tej autorja i vë rëndësi përshkrimit të kohës, jo vetëm si çështje filozofike-ekzistenciale por edhe pragmatike, mëkatin e humbjes së kohës kot. “S’ekziston arsye në botë që mund të përligjë mëkatin e kohëvrasjes.” (148)

    Në kapitullin “Ora e frëngjishtes”, autorja flet për dialektin, gjuhën, të folmet, abetaren (177, 178), për Kongresin e Drejtshkrimit, për veprat “Bagëti e Bujqësia” e “Andrra e Jetës”, për aktorin Prokop Mima, për Robert Shvarcin, për Rafin (pseudonim i shkrimtarit Hagop Hagopian), për përkthyesin Aziz Vrionin (Luan Gjergji), për veprën “Arturo Ui”, etj. për “Antologjia e prozës shqiptare” (1984), përkthyer nga Jusuf Vrioni, Aleksandër Zoto dhe Luan Gjergji (mësojmë se Luan Gjergji është pseudonim i Aziz Vrionit, f. 189)

    Babai e porosit vajzën: “Gabimet në armenisht, të falen. Shqipen, ama, ta flasësh e ta shkruash në mënyrë të kulluar.”, ndërsa autorja thotë për vete “Flas gegërishten e Durrësit dhe shkruaj gjuhën letrare.” (180). Aziz Vrioni e këshillon: “… Mëso sa më shumë shprehje idiomatike! Janë pasuri gjuhësore.”(186)

    Takimi i babait më të vdekurit, më paraardhësit (197), një përshkrim dramatik dhe rrëfim që të mban frymën. “Një spiun në shtëpinë time”, mund të quhet fragmenti i fundit të kapitullit “Ujët  fle, armiku s’fle” si një triptik rrëfimtar Vigjilenca, Parulla dhe Zgjimi (faqe 205, 206)

    “Parandjenja” në fund. 2) Filmi “Në çdo stinë”. Dy citate në vend të përfundimit: “Jeta është më e fortë se vdekja.” dhe “Im atë do të prehet në të njëjtin varr me Yzhenin dhe Majrig Koharin. Tre armenë së bashku, në dy metër katrorë të tokës bujare shqiptare.” 3)

    Dhjetor 2023, Prishtinë

    ______________________

    1) Shënim i huazuar nga botuesi: Bijë e një nëne shqiptare dhe e një babai armen, i cili u mbijetoi masakrave të gjenocidit otoman dhe zgjodhi Shqipërinë për atdhe të dytë, Anisa Markarian lindi në Tiranë më 4 korrik 1962. Me gjithë prirjet për artin, sidomos për letërsinë e kinematografinë, ajo studioi mjekësi e punoi si mjeke anesteziste-reanimatore në Spitalin Nr. 2 të kryeqytetit deri në vitin 1991, kur emigroi në Francë.

    2) Të dalësh nga familja, nga fshati, nga të afërmit dhe ti kesh e ti gjesh vend “këmbëkryq” në vend tjetër? Ky është libri me kujtime, siç mund të lexosh një udhëpërshkrim tjetër, reportazh tjetër. Kësaj here kam gjetur strehë tek familja Markarian, tek jeta e Anisës, tek fëmijëria e saj?

    3) Krahasimi me fatin e dy popujve: Derisa Anisa përmes babait rrëfen gjenocidin kundër armeneve dhe fatin e tyre, Ne muhaxhirët e kemi “të largët” këtë përjetim. Gjyshi i gjyshit ka jetuar në Toplicë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË