KreuLetërsiShënime mbi libraEnver S. Morina: Përmes “perdes së grisur” të futesh në “thelbin e...

Enver S. Morina: Përmes “perdes së grisur” të futesh në “thelbin e gjërave”

Për veprën e Milan Kunderës “Perdja”, Pika pa Sipërfaqe

Titullin e këtij shkrimi e huazova nga dy pjesët e veprës së Kunderës, nga pjesa e tretë dhe pjesa e gjashtë, gërshëtim ky në sinkroninë tematike dhe diakroninë diskursive te 74 eseve të shkurtëra që rilexohen në çdo kohë…

Vepra e Milan Kunderës “Perdja 1) me 74 ese është kornizuar në shtatë pjesë, me tituj: “Vetëdija e vazhdimësisë”, “Die Weltliteratur”, “Të shkosh në thelbin e gjërave”, “Ç’është romancieri”, “Estetika dhe ekzistenca”, “Perdja e grisur” dhe “Romani, kujtesa, harresa”. Nga shtatë pjesët e librit, dy janë të përgjithshme në emërtim, katër sipas titullit të njërit nga esetë përkatëse. Dy të përgjithshme: “Ç’është romancieri” (pjesa e katërt) dhe “Romani, kujtesa, harresa” (pjesa e shtatë). Titulli “Perdja” ndoshta vjen nga tri ese (“Perdja e grisur”, p. IV, “Perdja e grisur” dhe “Perdja e grisur e tragjikes”, p. V!)

Thellësia e zhanrit, e prozës përmes zhveshjes, siç ndodh me historinë e rrëfimit të personazheve nga lashtësia e krijimit, siç do të donim të ishte, në çdo kohë (Don Kishoti i shpjegon Sanços se Homeri dhe Virgjili nuk i përshkruanin personazhet “ashtu siç qenë, po ashtu sikundër duhej të ishin, për të dhënë një shembull të vityteve të tyre për brezat e mëpastajmë.”, f. 17), përsëritet jo vetëm nga Don Kishoti për Homerin dhe Virgjilin, por edhe nga Uliksi i Xhojsit për Servantesin! Doktor Zhivago udhëton gjatë. Përngjasimet ndërlidhin të shkuarën e pakthyeshme me të ardhmen që nuk ekziston, thonë! “Njëqind vjet vetmi” i lexuesit ishte thurur në mijëra vjet hapësirë “vit drite” për të udhëtuar nga Troja në Itakë, nga Dublini në Paris, nga Gllareva në Turqi, Slloveni e Zvicër e përsëri në vendlindje.

Enigma e të pakuptueshmes në rrethin vicioz të pagëzimit

Formula ekzistenciale në gjuhën shqipe është shkruar që në vitin 1462! “Në artin e romanit zbulimet ekzistenciale të pandashme nga transformimet e formës.” dhe “… çdo ngjarje e vogël, më t’u bërë e kaluara, e humb karakterin e saj konkret dhe kthehet në siluetë.” (f. 20)

Fjalia formulë pagëzimi ka kryefjalë e kallëzues. Ka përcaktor. Dhe më thjeshtë akoma ka një ligjërim emërtues e veprues. Të “zbulosh” eseistikë në moshë të vonë është një ingrazh që të tundon vëmendjen tashmë të perënduar. Lindja është gjeneza, është trungu! Perëndimi është intriga, është degëzimi, rilindja! Lindja e perënduar a Perëndimi i lindjes! Civilizimi po i iken artit klasik. Po ndërton instalacione të çuditshme “treditore”!

Shkrimtari Milan Kundera “më se një herë dhe fund e krye” rrëfen shkurtazi “epoken e përshkrimit kalimtar”, shkëlqimin e përkohshëm të shekullit XIX a të divergjencës kulminante të Parisit e Londrës në petkun e Balzakut dhe Fildingut. Oh, sa brilant! Oh sa shumëkuptimshmëri për analogji! Oh, çfarë titulli! “Në kërkim të kohës së tashme”! (f. 20-23)

Semantika e fjalisë tejet domëthënies: “Shekulli i nëntëmbëdhjetë nisi me dhjetëvjeçarë trazirash që, më se një herë dhe fund e krye (nënvizim-e.s.m.), ai ndërruan krejt fytyrën Evropës.” (f. 22)

E tërë eseja “Kuptimet e shumta të fjalës “histori” ngërthen dije kulmore, dhe si rrjedhjojë ese për citim të plotë. Drejt një objektiviteti përmes un-it vetjak. Gjykimi më pas bëhet i përkohshëm dhe përsëritet në një “pamje” tjetër jo vetëm për nga forma.

Nëse Kundera ndërlidh thukët një çast të një epoke dhe veprimi, si në teatër për nga dendësia, përqendrimi dhe ngjeshja e ngjarjeve, atëherë ne na mbetet të rilexojmë pafundësisht esenë “Bukuria e një dendësie të beftë të jetës” për të gjetur në romanet e ardhshme pjesën e parë të “Idioti”-t  të Dostojevskit apo joshje të “rrufeshme në jetën digjitale” të sotme në të cilën tashmë vërtedukshmëria (kompozitë e përkthyesit Arlind Novi-vër. e.s.m.) është e lexueshme brilante, një përshkrim analogjie jetësore të cilën bukuria e përvojës së dashurisë me tre gra nuk prekin asnjë fjalë të autorit, më vetëm një fjali: “Kjo “ditë me tre gra”, tej mase e rrallë, gati ëndërr, ushtronte një magjepsje aq të fuqishme që, sot e kuptoj, nuk kishte të bënte me një lloj performance seksuale të tipit sportiv, por ishte si një lloj bukurie epike takimesh të shpejta ku çdo grua, parë në sfondin e paraardhëses, shfaqet edhe më unike, ndërsa tre trupat e tyre ngjasonin me tre nota të gjata, secila dalë nga instrumente të ndryshme, por të bëra njësh në një akord të vetëm.” (f. 27)

Kur struktura e skicës krijon fjalinë “e urtë” për citat

Në esetë e Kunderës ndërlidhet kulmorja me kotësinë, vlera me zbrazësinë, universalja me detajin, analogjia me imtësinë. Struktura e skicës krijon fjalinë “e urtë” për citat. “Bukuria e një vdekjeje” është nga esetë më të gjata. Më të ndjeshme. Është udha misterioze e prozës, që përshkruan diskursin poetik të romanit, që rrëfen fundin e personazhit. Eseja “Pabarazi e pariparueshme” vijohet nga “Die Weltliteratur” a siç e thotë Kundera në trajtesë “dëmtimi historik i pariparueshëm.” Nga “njeriu i lindjes” tek “Evropa Qendrore përmes provincializmave të “të mëdhenjve” dhe të “të vegjëlve” “përmbyllët” autori tek “plejada e madhe” e krijuesve të kësaj ane të asaj “hapësire”, Europës Qendrore. Edhe në letërsi. Sipas autorit romani është forma më e pafund “e shërbimit” që “mund ta thotë”. Për secilin detaj ka “zgjidhje”, siç ka shpjegim edhe për enigmat më të panjohura. Esetë “Gabimi i pandreqshëm”, “Situata”, “Çfarë veç romani mund ta thotë” dhe “Romanet që mendojnë” trajtojnë romanin dhe romanet e Kafkës.

Përsëritje për citat. Faqe 78 dhe faqe 80. Sa thjeshtë shkrimtari Kundera lartëson Kafkën, personalitetin e Karl Rosman, Pragën dhe Ajnshtajnin në dy variacione diskursi njëjtësor:

Barcoleta, anekdota, histori gazmore, s’di ç’fjalë të zgjedh për këtë zhanër tregimi komik fare të shkurtër prej të cilit kam përfituar dikur shumë, meqë kryeqytet i tij ka qenë Praga.” (f. 78)

Barcoleta, anekdota, histori gazmore; janë prova më e mirë se sensi i mprehtë i realitetit dhe imagjinata që guxon drejt se pagjasshmes formojnë një dyshe të përkryer.” (f. 80)

Përmes analogjisë së lirizmit të poezisë dhe poetiken e romanit gjithçka tek Njëqind vjet vetmi është “e njëmendtë, e gjasshme dhe magjike” (f. 86).

Gërshëtim, dhënie-marrje në “vijëzime të kundërta” mes rrëfimeve krijuese të Evropës Qendrore dhe romancierëve latino-amerikanë. Takimi fillimisht në Pragë me Kortasar, Markez e Fuentes dhe pastaj në Paris, më Fuentes vjen e bëhet rrëfim brilant të dy eseve të fundit të pjesës së tretë (“Kontinent tjetër” dhe “Ura e argjenduar”) “ …brenda botës moderne, e braktisur prej filozofisë dhe e fragmentuar në njëqind specialitete shkoncore, romani ka mbetur i vetmi observator prej nga mund ta përqafojmë jetën njerëzore si një të tërë.2)

Kundera esenë “Kontinent tjetër” trajton vizitën e tre romacierëve latino-amerikanë Hulio Kortasar, Gabriel Garsia Markez dhe Karlos Fuentes,  në Pragë me ftesë të Lidhjes së shkrimtarëve. Kundera takohet me ta. 3) Lexon bocat e para të përkthimit në çekisht të Njëqind vjet vetmi. Shkruan për këtë roman. Thotë që Njëqind vjet vetmi “nuk ka skena!”

Perdja e grisur”, ese që duhet të rilexohet. E shkurtër por me një thellësi universale diskursi teorik për romanin, për hyrjen në zanafilla dhe historikun e romanit. Grisja dhe hapja e perdes magjike në udhëtimin e don Kishotit.

Labirinthet e “alkimisë hyjnore” te kodeve dhe diskurseve të shkrimtarit vijnë e çthurën në esetë e Kunderës duke na dhënë me plot thjeshtësi çaste nga veprat e lexuara. Në esenë “Ma vranë Albertinën time” intriga bie mbi poetin e preferuar të Kunderës, personazhin Në kërkim të kohës së humbur dhe krijuesve shkrimtarë, un-it të tyre.

Gjatë leximit të veprës me ese te Milan Kunderës, kam mundur të kuptojë dhe t’i them vetes, qoftë në fillim, në pjesën e katërt, a në fund që esetë duhet të rilexohen. Leximi i parë është vetëm hyrje, në parathënie për një pasthënie e cila mund të mbyllet gjatë rileximit. Eseja e parafundit e pjesës së katërt mbyllet me të drejtat e autorit. Eseja e fundit (“Verdikti i Servantesit”) në të vërtetë është autorësia dhe mënyra e vetme e vdekjes së romanit, heqja e autorësisë së pronarit të romanit. “… ai (romani) është një krijim unik dhe i paimitueshëm, i pandashëm nga imagjinata e një autori unik.” dhe “Romancieri dhe vepra e tij janë “një gjë e vetme”; romacieri është i vetmi pronar absoluti i veprës së vet; ai është vepra e vet.” (f. 103)

Mosha e personazhit, e veprës, epoka, të gjitha moshat… 

Përmes esesë “Agjelastët” mësojmë neologjizmin letrar nga Rabëleja dhe bindemi se Kundera shkruan jo vetëm bukur por edhe këndshëm. Eseja “Po sikur tragjikja të na ketë braktisur?” është aktuale dhe tashmë edhe e diskutuar në procesin mësimor. Besimi në ligje, në shtet që portretizohet te Kreonti?! Nxënësi e heton këtë, siç e ka interpretuar Hegeli. Nxënësi nuk e di kush është Hegeli! As Kundera, edhe pse e citon në faqe 91, 108 e 114. Ky i fundit e përmbyll esenë: “tragjedia na ka braktisur, dhe me gjasë ky është ndëshkimi i vërtetë.” (f. 115)

Në pjesën e parë është eseja “I ngrati Alonso Kihada”. Pjesa e gjashtë fillon me esenë “I ngrati Alonso Kihada”. Njohja vjen e bëhet më e thellë. Në veçanti “anonimitetit” i një emri, si dhembje përgjëruese “I ngrati…”.  Dhe tregimi pasues prek të ngratin Alonso Kihada. “Afër figurës  së tij të trishtë, gjithçka kthehet në komedi.” (f. 127)

Një tjetër ese që ndërlidh moshën e personazhit me veprën dhe epokën. Befasia?! Shembulli i shkrimtarit rumun në Paris. Vdekja e tij. Thellësia e përshkrimit të rinisë. Zemërimi kundër rinisë. Përherë në njohjen e tjetrit “vlerësimi” ka moshë. Kundera e sjell tek lexuesi këtë analogji këndshëm dhe me finesë. Thjeshtë. “… askush nuk do ta njoh dot tjetrin pa kuptuar mbi të gjitha moshën e vet.” (f. 144) Përherë marrim shembull Migjenin për moshën jetësore të Tij! 27 vjet! Vetëm 27 vjet. Gjeniale. Vëllezërit e njohur Frashëri vdiqen pasi i mbushën gjysmë shekulli: Naimi 55 vjeçar (1846), Samiu 54 vjeçar (1850) dhe Abdyli 53 vjeçar (1839).

Titulli i esesë: “Etapat e jetës së fshehur pas perdes” dhe fundi i esesë: “Etapat e jetës rrinë fshehur pas perdes”. Një strukturë në përsosmëri krijuese. Simetri rrëfimtare. Për herë të katërt në titujt e esesë, fjala perde. Dhe titulli “Perdja”.

Analogjia bëhet kurioze!? Tek tregimi “I vdekur në një akisdent” fjalia e fillimit përsëritet në fund. Në rastin e parë rrëfim, hyrje për njohje. “Tri orë para se ta vrisnin në pritë ai u gjend i vdekur nga një përplasje me makinë.”  Në rastin e dytë gjykim, fund për ndëshkim. “Tri orë para se të vrisni në atentat, ai u gjend i vdekur nga një aksident komunikacioni.” 4)

Një ese metaforë “Liri i mëngjesit, liri e mbrëmjes”. Asocim. Liria e një të riu dhe liria e një plaku në krijimtari. Kundera njohës i thellë i pikturës, i filmit, i muzikës. Merr shembull Pikason, Felinin dhe Bethovenin. Mes surrealistëve dhe solidariteti gazmor deri në grotesk vdekja e Anatol Frans.

Kundera përfol Floberin: “Zonja Bovari jam unë!”. Në shembëllim në studimet letrare shqiptare kemi “Faik Konica: jam unë” titullohet vepra e Sabri Hamitit ose “Faik Konica: Nuk jam unë” vepra e Aurel Plasarit.

Eseja “Lindje e harruar” ndërtohet mbi tri tematika: pushtimi rus i Çekosllovakisë-zjarrvënia, kujtimet e autorit dhe kujtesa faktike. Të përjetosh vdekjen e kombit dhe në të njëjtën kohë apriori të mendosh për rilindjen e tij. Në analogji diskrete me situatën e çekëve “Të lindësh apo të mos lindësh, të rrosh apo të mos rrosh” në raport me gjuhën e kulturën e zhvilluar gjermane intelektualët shqiptarë të Kosovës “zgjodhën” dhe i paraprinë Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe të mbajtur në vitin 1972 në Tiranë përmes Konsultës Gjuhësore të Prishtinës mbajtur në nëntor 1968 në të cilën morën pjesë 150 përfaqësues të fushave të ndryshme (gjuhëtarë, shkrimtarë, pedagogë dhe veprimtarë të kulturës) nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

E tërë pjesa e shtatë e fundit, ndërtohet mbi “projektin” e harresës së paharrueshme, për vazhdimësi në përjetësi. Autori Kundera e përmbyll nën diskursin e koduar të mrekullisë së madhe të Evropës “jo arti, por arti i saj i bërë histori” me dy fjalë programatike: “Pasi historia e artit është kalimtare. Dërdëllitja e tij është e përjetshme” (172) duke dyshuar në pikën mes dy fjalive “të gjymtuara” në strukturën gramatikore a drejtshkrimore.

E përmbyllim më këtë paragrafë pyetësor që ka përgjigjen në brendësi: “Mund të thuhet për të gjitha romanet: falë historisë së tyre të përbashkët, ato krijojnë raporte të përbashkëta që e ndriçojnë domethënien e tyre, ia zgjasin jetën ndikimi të tyre dhe i mbrojnë nga rënia në harresë. Ç’do të mbetej nga Fransua Rabëleja po qe se Sterne-i, Didëroi, Grass-i, Gombrowicz-i, Vancura, Gadda, Fuentesi, Gabriel Markezi, Kishi, Goytisolo, Chamoiseau, Rushdie, të mos i kishin bërë jehonë ideve të tij të marra në romanet e tyre?5)

Dhe në fund fare, si imazh e çast pëlcitës të një analize kuptimplotë të romanit, personazhi i ngrirë tolstoian ka arsye të intrigoj edhe Milan Kunderën, por me një çasje krejtësisht tjetër, që ngërthen një jetë të tërë, më vetëm një fjali “të rëndomtë” në një dimension origjinal: “… Ajo (personazhi i Ana Kareninës-vër.  e.s.m.) nuk e braktis udhën misterioze të prozës, ku shëmtia dhe bukuria ecin krah për krah, ku racionalja prapset para të palogjikshmes dhe ku enigma mbetet enigmë… 6)

Prishtinë, shkurt 2026

1 Milan Kundera “Perdja” (Ese në shtatë pjesë), përktheu: Arlind Novi, “Pika pa sipërfaqe”, Tiranë, 2025
2 Milan Kundera, Po aty, f. 87
3 Në librin me reportazhe te Gabriel Garcial Markez “Udhëtim në Europën Lindore” (në shqip Onufri, 2016) shkrimtari kolumbian përshkruan udhëtimin e tij të vitit 1957 për në Pragë. Shkrimtari çek flet për takimin e vitit 1968, tre muaj pasi Çekosllovakia që pushtuar nga ushtria ruse…
4 Enver S. Morina “Rr’nimi i Arbërit”, Buzuku, Prishtinë, 2021 f. 55 e 59
5 Milan Kundera “Perdja” (Ese në shtatë pjesë), f. 170
6 Milan Kundera, Po aty, f. 33

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË