More
    KreuIntervistaEnver S. Morina: Kujtim Spahivogli figurë sa madhështore, aq edhe tragjike

    Enver S. Morina: Kujtim Spahivogli figurë sa madhështore, aq edhe tragjike

    Fragmente nga një intervistë e gjatë me
    kinooperatorin Faruk Basha

    ESM: Një biografi të shkurtër në vetë të parë?

    Faruk BASHA: Kam lindur në Tiranë, më 9 shkurt 1940. Im atë ishte emigrant nga Kosova, ardhur në Shqipëri në vitin 1928, në periudhën e rrëmbimit të pasurisë shqiptarëve dhe dhënies së tyre kolonëve serbë. Në këto kushte, pasi mbaroi gjimnazin dhe u gjend përballë një rinie gjithnjë e më agresive serbe, u detyrua të kalonte kufirin për të gjetur strehë në Shqipëri. Qe me fat, sepse me ndihmën e shtetit shqiptar siguroi bursë për studime në Akademinë Ushtarake në Modena dhe, më pas, në Parma. Pas kthimit, shërbeu në ushtrinë shqiptare. Nëna ishte vajzë nga familja tiranase patriote dhe intelektuale, Këlliçi, larguar e sapolindur me familje në Turqi, dhe kthyer në moshën 8 vjeçare në Shqipëri. Xhaxhai i saj, Mytesim Këlliçi, ishte një rilindës i njohur, Kryemyftiu i Tiranës, Durrësit dhe Kavajës, pjesëmarrës i ngritjes së flamurit të pavarësisë më 26 nëntor në Tiranë, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës në 1920-ën; kurse babai i saj, Masar Këlliçi, gjyshi im, u zgjodh deputet në parlamentin e parë shqiptar të vitit 1921. Ishte dashamirëse pasionante e librit dhe e filmit. Ajo kishte aftësi të mrekullueshme në ritregimin e ngjarjeve që lexonte apo që shihte, duke bërë për vete të gjithë ata që e dëgjonin.

    Në një mjedis të tillë linda dhe u rrita unë. Fëmijërinë e hershme e kalova gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, ca pak vite pas përfundimit të saj, ndoqa shkollën  shtatëvjeçare. Studimet e mesme i vijova në Politeknikumin “7 Nëntori” në degën e mekanikës, përkundër dëshirës për degën elektrike. Kisha dëshirë të madhe të studioja për operator filmi që kërkonte shkollë të specializuar jashtë shtetit. Mirëpo studiova pranë Institutit Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani”, në degën matematikë-fizikë.  Duke e kuptuar se kinematografia do të ishte arti më me ndikim në popull, shteti komunist, pa marrë parasysh dëshirat e të rinjve në prag të studimeve universitare, planifikoi dhe dërgoi me bursa shtetërore në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e Evropës Lindore, disa studentë të caktuar prej tij, për të ndjekur studime kinematografike në akademi arti dhe departamente të artit skenik. Një bursë të tillë të ëndërruar, unë nuk arrita ta fitoja, për arsye biografie. Fillova punë në vitin 1959, si mësues fizike në një shkollë të mesme të Tiranës, pa lënë mënjanë pasionin dhe ecurinë e dijeve për artin e kinemasë.

    ESM: Për herë të parë emrin e Faruk Bashës e gjejmë te filmi “Vitet e para”. Nisja dhe rrugëtimi i parë në Kinostudio. Si e kujton këtë fillim gjysmëshekulli më pas?

    Faruk BASHA: Jeta ime, në çdo pjesëz të saj, nuk mund të shkëputet nga fotografia dhe kinemaja, që nuk mbetën thjesht pasion. Lidhja ime me aparatin fotografik dhe filmin nis që në fëmijërinë e hershme dhe pasionin për to e kishte ndezur nëna ime, që jo vetëm lexonte shumë e ritregonte bukur, në varësi të moshës sime, por, nuk më ndau nga vetja kur shihte filma. Tani, nga largësia e kohës, më duket sikur gjithçka që kishte të bënte me filmin, më ndiqte vetvetiu. Fare i vogël dhe krejt rastësisht u njoha me aparatin e projeksionit.  Po kështu, isha rreth 12 vjeç, kur në rrethinat e Tiranës po xhiroheshin disa skena të filmit “Skënderbeu” të regjisorit të njohur, Sergej Jutkieviç. Kjo ishte njohja e parë me sheshin e xhirimit, ku mbeta i mrekulluar dhe këtë çast kam marrë vendimin për t’u bërë kineast me çdo kusht dhe asgjë tjetër. Po në këtë moshë më ra rasti të shfletoja koleksionin e revistës italiane “Cinema illustrazione” të viteve 33-34 e në vijim, gjithashtu, kam shkrepur aparatin fotografik të huazuar, duke realizuar foton e parë.

    Në vitet 1961-62 shërbeva si fotoreporter për revistën “10 Korriku”. Një artikull që e shkrova rreth filmit “Debatik”, më bëri të njihem me emrat e operatorëve Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, të sapoardhur nga studimet jashtë shtetit. Detyrën e fotoreporterit e vijova edhe në revistën “Ylli”, revista politiko-letrare-artistike më e madhe dhe më me emër e asaj kohe në Shqipëri. Prita mbi pesë vjet për t’u hapur një vend pune në studio. Ndërkohë, dikush më thoshte që nuk mund të kisha të ardhme në studio, sepse kishte një numër shumë të vogël filmash. Dikush tjetër më thoshte: “Fillo njëherë. Për të hyrë në studio është zor, për të dalë është shumë kollaj” . Asokohe në Kinostudio bëhej vetëm një film dhe kishte nevojë vetëm për një asistent. Megjithatë, nuk ndërrova mendje. Këmbëngulja në ëndrrën time.

    Me pak përvoja dhe me dëshirën për të punuar në fushën e kinemasë, në 4 prill 1964, fillova punë si ndihmës-operator në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Dijet e para praktike i fitova duke punuar pranë kineastëve Piro Milkani, Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, që kishin kryer studimet në Pragë e në Moskë.

    ESM: Fillimisht keni bashkëpunuar në filmat kryesorë artistikë të kohës, si “Vitet e para” (1965), “Komisari i dritës”, (1966), “Oshëtimë në bregdet” (1966), “Duel i heshtur” (1967) dhe “Horizonte të hapura” (1968) si asistent-operator. Bashkëpunimi me regjisorët Kristaq Dhamo, Dhimitër Anagnosti, Hysen Hakani e Viktor Gjika?

    Faruk BASHA: Për mua ishte fat që punova me operatorët e sapoardhur nga shkolla të mira kinematografike të Budapestit, Moskës dhe Pragës. Prej tyre mora dijet e para praktike dhe teorike në biseda të shumta dhe të shpeshta, në vështirësi të gjetjes së materialeve për këtë art. Ndonëse kishin bërë shkolla të ndryshme kinematografike, dallohej individualiteti i tyre artistik, gjë që pasuronte dijet e mia. Pasi miratohej skenari i një filmi, caktohej edhe grupi i punës. Që në çastin e parë, fillonte të shkruhej skenari tekniko-regjisorial, gjatë përgatitjes së të cilit, regjisori, në konsulencë me operatorin, krijonin platformën  kinematografike të filmit që do të xhirohej.  Anagnosti dhe Gjika kishin një të mirë të madhe, sepse diskutonin me zë të lartë për mënyrat e ndryshme të xhirimit, që ishte një shkollë praktike më vete për ne të rinjtë.

    Por krahas punës me ta dhe me kamerën, rritjen time profesionale e mbështeta në lexime të pandërprera dhe në studimin autodidakt të revistave dhe librave të autorëve të huaj për probleme të fotografisë, të filmit, të estetikës dhe të krijimit të tyre, që mundohesha t’i siguroja, jo pa zor, sipas ulje-ngritjes së gjendjes politike. Që kur zbulova për herë të parë revistat kinematografike në gjuhën italiane, nuk hoqa dorë prej tyre. Koleksionet e revistave kinematografike  në rusisht, italisht, frëngjisht e anglisht që ndodhen në bibliotekën time të madhe, me gjithë vështirësitë e kohës dhe të sistemit,  fillojnë që në vitet 60. Bashkë me leximet dhe vetëmësimin, kërkesat dhe pyetjet e mia, që në nisje të punës, ndaj Milkanit, Anagnostit, Gjikës, Erebarës, Dhamos etj., për të perfeksionuar mjeshtërinë e operatorit, bënë që të krijoj hap pas hapi individualitetin tim.

    ESM: E veçantë e asaj kohe ishte angazhimi i regjisorit dhe pedagogut në rolin e aktorit tek “Oshëtimë në bregdet”. Kush është Kujtim Spahivogli për Faruk Bashën?

    Faruk BASHA: Jo vetëm në atë kohë, por edhe sot mjaft regjisorë dhe pedagogë janë të angazhuar edhe me role nëpër filma. Kujtim Spahivogli është një figurë sa madhështore, aq edhe tragjike. U njoha me të gjatë xhirimeve të filmit “Oshëtimë në bregdet”, që përbënte filmin e tretë të karrierës sime të saponisur si asistent. Bisedat e këndshme me të rreth artit e kulturës bënin që orët të kalonin duke mësuar përmes muhabetit; qenë orë  të paharrueshme. Këmbëngulte të futesha në degën e aktrimit, por jo: ëndrra ime ishte të bëhesha operator. Kujtimi ishte aktor i shkëlqyer, regjisor teatri i paarritshëm, pedagog i mrekullueshëm, orator fjalëmbël, bashkëbisedues i shumëkërkuar. Por ah! Këto cilësi të mrekullueshme dhe arritjet në lëmitë ku zhvilloi veprimtarinë artistike, e bënë të futej në burg. I sëmurë e i braktisur, i harruar nga të gjithë prej frikës, ky regjisor, aktor, dramaturg, pedagog, eseist, i lindur me talente mbi gjithë të tjerët, u shua fushave të Myzeqesë, duke shkaktuar tronditje të madhe tek të gjithë ata që e njohën si njeri dhe si artist.

    ESM: Më tej operator kryesor në filmat e njohur, si: “Plagë të vjetra” (1969), “Mëngjeze lufte” (19710, “Malet me blerim mbuluar”, (1971) etj. dhe, njëkohësisht,  operator i disa filmave dokumentarë dhe kronikave. Mund të na thuash ndryshimet që ndodhën, sidomos në kapërcim të dekadës së dytë të Kinostudios nga viti në vit 1971, 1972 kur dhe u hetua një ndërhyrje e ashpër pas edicionit të 11-të Festivalit të Këngës në Radiotelevizion?

    Faruk BASHA: Kinematografia është arti me ndikimin më të gjerë në popull. Për këtë arsye, shteti komunist i dha rëndësi zhvillimit të kinematografisë, që ishte një art i ri tek ne. Fillimisht u xhirua një film në vit, sepse kaq qe mundësia e aparaturave , e kuadrove dhe fuqia ekonomike. Me kalimin e kohës, numri i filmave erdhi duke u rritur dhe, shumë prej tyre pëlqeheshin si atëherë, madje edhe sot. Veçanërisht, pas revolucionit kulturor, kur u ndalua tërësisht shikimi i filmave të huaj, sipas modelit kinez, me qëllim që të jepeshin më shumë shfaqje, ndonëse Shqipëria është një vend i vogël, u blenë mjaft aparatura dhe u arrit të prodhoheshin rreth 12-13 filma artistikë në vit, veç dokumentarëve e kronikave.

    Kinemaja u bë ndihmësi më i madh në propagandën e partisë.  Prandaj filmat ishin shumë të kontrolluar, duke filluar që në fazën e shkrimit të skenarit, kështu, gabimet ishin të kufizuara, sepse ndreqja fillonte që në skenar. Veç kësaj, teorikisht, filmi duhej të kontrollohej nga këshilli artistik i studios, mirëpo, sipas fazave të ndryshme të politikës, organet drejtuese të Kinostudios, për të shpërndarë përgjegjësitë, kërkonin edhe mendimin e klasës punëtore, të organizatës-bazë të partisë së rajonit, etj. Nëse kishte mendime të tjera nga ato që shpreheshin në film, bëheshin korrigjimet e nevojshme, deri në rixhirime skenash. Shpesh kontrollet ishin ekstremiste dhe banale. Për shembull, në filmin “Përtej mureve të gurta”, aktores Esma Agolli, që ishte e ulur në radhën e parë në një nga skenat e filmit, i dukeshin pak më shumë se gjunjët, gjë që u konsiderua shfaqje e huaj. Për këtë arsye u detyruam të rixhironim planin, duke hequr “shfaqjen e huaj”.

    Në fund, filmi shihej nga organet më të larta të partisë, të cilat jepnin vulën e shfaqjes së filmit në publik. Pra, ishin një sërë hallkash kontrolli deri në çuarjen e filmit te shikuesi i zakonshëm. Kjo ishte mënyra e punës në Kinostudio, prandaj nuk mund të them se pati ndonjë ndikim tjetër pas ndërhyrjes së ashpër të instancave të larta, që lidhej me edicionin e 11-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizion. Në shtrëngesa të këtij lloji, filmi herë shkurtohej dhe herë zgjatohej, duke hequr apo shtuar skena që i shkonin më për shtat politikës së çastit. Rastiste që këto prerje të ishin më interesantet në film, por ishte politika e kohës së cilës duhej t’i ruheshe. Pati ndonjë rast që filmi u pezullua fare, si p.sh.: “Heronjtë e Vigut” , filmi dokumentar “Të dielat në Tiranë“ , dokumentari “Gjirokastra”, për mendimin tim një film poetik mjaft i arrirë. Në këtë kuadër, ndonjë regjisor u dërgua për edukim pranë klasës punëtore, por këto qenë raste sporadike. Ndoshta duhet thënë se, për të qenë më lehtë brenda kornizave të kërkuara dhe më pak të gabueshme, temat e filmave, në shumicën e rasteve, ishin nga lufta nacional-çlirimtare ose nga historia. Shumë pak filma ishin me temën e ditës.

    ESM: Gjatë njëzet viteve realizuat filma , si: “Në fillim të verës”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Vajzat me kodele të kuqe”, “Asgjë nuk harrohet”, “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Flutura në kabinën time”, “Balada e Kurbinit” dhe të tjerë. Kinemaja përgjatë këtyre viteve?

    Faruk BASHA: Përgjatë këtyre viteve, filmi shqiptar arriti kulmin e tij. Nga sasia relativisht e madhe e filmave, u pa e nevojshme që të realizohej Festivali i Filmit Artistik, me qëllim që të vlerësoheshin filmat nga pikëpamja artistike dhe të inkurajoheshin protagonistët. Në Festivalin e Parë,  filmi “Në fillim të verës” mori kupën e festivalit si filmi më mirë i prodhimtarisë disavjeçare të Kinostudios.

    Mes 14 -të filmave artistikë që prodhoheshin në një vit, sigurisht, pati filma mjaft të arrirë dhe të tjerë më të dobët, por, e rëndësishme ishte që bëheshin filma me tema të ndryshme. Rreth viteve 80, veç filmave me temë nga e kaluara apo nga lufta çlirimtare, u kërkua të shtohej numri i filmave me temë nga aktualiteti.

    Në vitin 1981, kryeministri ynë vrau veten, gjë kjo që ndikoi tek unë për shkak të lidhjes së sime shoqeje me të fejuarën e djalit të tij. Qe fat që nuk më hoqën nga puna, por sigurisht, më mënjanuan. Isha në kulmin e aftësive profesionale. Për një periudhë 3-4 vjeçare nuk xhirova fare. Mirëpo, falë njohurive që lidheshin me njohjen e aparaturave të kuadrove të kombinuara, më futën në grupin që do të zgjidhte dhe blinte këto aparatura, si njohës dhe specialist i vetëm i efekteve speciale. Në të njëjtën kohë, për shkak të zhvillimit të proceseve të reja në kinemanë e filmit të animuar, u lejova të punoja si kameraman dhe teknicien i efekteve speciale dhe trukeve në filma me kukulla, filma vizatimorë ose filma me regjisorë dhe operatorë të rinj, duke u ofruar përvojën time. Edhe këtu puna jonë u vlerësua duke fituar çmimin e parë në Festivalin e Filmit Vizatimor, po kështu edhe filmi “Zogu pushbardhë“.

    Me ndryshimin e drejtimit të studios, 1984, ndryshoi disi edhe qëndrimi ndaj meje. Viktor Gjika, duke mos gjetur asgjë me shkrim lidhur me urdhrin e dhënë ndaj meje, për periudhën 1981-84, më dha të drejtën për t’iu rikthyer xhirimit të filmit artistik. Veç xhirimit të filmave, risia në personalitetin tim në këtë fazë të zhvillimit të kinemasë lidhet edhe me specializimin për kuadrot e kombinuara dhe efektet speciale në film. Në vitin 1989 drejtori bëri gjithçka që të specializohesha më tej në Francë për kuadrot e kombinuara. Unë nuk jam drejtori i fotografisë në filmat që ju përmendni në pyetjen tuaj, si: “Flutura në kabinën time”(1988) dhe “Balada e Kurbinit” (1990), por kam realizuar një seri efektesh speciale te këta filma dhe në të tjerë, efekte të vështira atëkohë, por të lehta sot, me zhvillimin e teknologjisë.

    (…)

    ESM: Lidhjet me Kosovën? Takimi i parë me Kosovën? Njohja e kinematografisë dhe e filmit që krijohet në Kosovë?

    Faruk BASHA: Kosova. Kosova. Do të më pëlqente të përdorej Dardania, emri i vërtetë i lashtë i tokës ku u rrit im atë dhe ku jetojnë gjithë njerëzit e mi me mbiemrin Basha. Kosova ka qenë e pranishme që në çastet e para kur fillova të kuptoj nga bota. E njoha atë përmes bisedave të përditshme me gjyshen, Celebie, në duart e së cilës u rrita,  dhe me tim atë, rreth asaj toke të begatë: për njerëzit e saj, bukuritë, për malet madhështore, për natyrën e shëndetshme dhe të mrekullueshme, për tokën pjellore, për pyjet e burimet e madhërishme e për çfarë jo. Më vonë, libri “Nëna Kosovë“ i Samim Visokës më bënte të shihja me sytë e shpirtit atë tokë të vaditur me gjak heronjsh. Takimi i parë me Kosovën, thoni ju.  Fillimisht u njoha me njerëzit e mi më të afërt, axhat. Ishte viti 1972, isha 32 vjeç, kur filluan të vijnë vizitorë nga ish Jugosllavia dhe, fillimisht, xhaxhai i madh erdhi si turist. Grupi bëri turizëm një javë sipas programit për të parë ndryshimet që kishte bërë Shqipëria socialiste dhe pastaj i lejuan që të qëndronin disa pak ditë pranë njerëzve të afërt. Po u panë dy vëllezërit, ndarë që në vitin 1946, dhe unë u njoha me një nga njerëzit e shumtë të gjakut tim. Më pas pati lëvizje të herëpashershme, shumë të kontrolluara nga sistemi demon, por shpresonim më mirë në të ardhmen. Më vjen mirë që shkoi baba, i cili gjithë jetën u dogj nga malli për Pejën dhe për njerëzit. Po ishte qesharake, si e shoh tani nga largësia e kohës, fakti që kur e përcollëm dhe kur e pritëm, si kisha dalë unë me gruan, kishin dalë për ta përcjellë edhe ata babën deri në kufi. Mes kufirit ishte zona neutrale që shtrihej mbi një urë të zbrazur, sepse nuk kishte asnjë lëvizje. Vizitorët dhe pritësit qëndronin 50-60 metra larg njëri-tjetrit dhe nuk lejohej as të bëje përshëndetje me dorë. Fëmijët, që nuk kuptonin, ngrinin dorën instinktivisht. Si kaloi kufirin dhe u bashkua me ne, baba, pa bërë asnjë shenjë, na tregoi sipas renditjes njerëzit me radhë, duke na folur pranë veshit. Takim shumë i dëshiruar, por tejet e trishtë forma. Kishte ndonjë rast që ndonjë oficer kufiri më njerëzor, lejonte t’ua bënim me dorë fshehurazi. Përcjellësit ishin shumë, ne vetëm tre. Pranë kishim edhe valixhet me dhurata, përmes të cilave të afërmit dhe miqtë tanë atje, kishin dashur të tregonin dashurinë ndaj nesh. Ato valixhe u hapën dhe u kontrolluan një më një.

    Vetë e kam pasë takimin e parë me Kosovën, Prishtinën, më saktë, në vitin 1981, i ftuar për të qenë në Festivalin e Këngës; qemë tre vetë: dy kompozitorë dhe unë, i kërkuar me emër nga Riza Alaj, drejtori i përgjithshëm i atëhershëm i Radiotelevizionit të Prishtinës, me të cilin kishim një lidhje farefisnore të largët. Po kjo është një histori më vete. Ashtu dimri, që të binte borë me aq shumicë edhe në Tiranë, nuk ishte parë ndonjëherë. Kur sosëm në kufi, bora vinte mbi gju dhe dukej e pamundur të vijonim më tej. Po këmbëngula, s’mund të lija të më ikte rasti i shumëpritur dhe, më shumë duke e shtyrë makinën, dolëm në rrugë të pastruar disi në anën tjetër të kufirit. Nuk ka pas më borë si atë dhjetor. Festivalin e gjetëm të filluar. Një e papritur tjetër e këndshme. Më njeh Pranvera Badivuku, kushërira jonë, pjesëmarrëse në festival, vjen e më takon (unë nuk e njihja, veç si emër) dhe ajo lajmëron axhën në Pejë. Erdhën të më njihnin e të më takonin mes asaj ftohtësie të motit e asaj bore, mbi dhjetë të afërm. Këto ditë, gjithsej 4, kisha merak të vizitoja, përveç njerëzve të mi, edhe Kosova-filmin; gjatë kësaj vizite më shoqëroi  drejtori i fotografisë, Fatmir Bajrami. U njoha me kolegë të ndryshëm, mes të cilëve Afrim Spahiun, miqësia me të cilin zgjat edhe sot. Në Kosovë ka mjaft fotografë e operatorë, tanimë profesionistë. Disave u kam dhënë mësim në Prishtinë, në Institutin e Fotografisë dhe të Filmi “Gjon Mili”, drejtuar nga Afrim Spahiu, disa të tjerëve  u kam dhënë mësim në Akademinë e Filmit dhe të Multimedias Marubi, në Tiranë, drejtuar nga Kujtim Çashku. Ata kontribuojnë në zhvillimin e ecjen përpara të kinematografisë në Kosovë, por jo vetëm.

    Kurse në Pejë, po këtë kohë ndenja vetëm dy orë.  Me ndryshimin e kushteve politike, në Pejë shkova në vitin 1995, duke u futur nga Mali i Zi, që njihte pasaportat shqiptare. Ishte një takim me mbresë të pashlyeshme: po njihja të gjithë njerëzit e mi, me të cilët ishim vetëm disa orë larg.

    Sa i përket njohjes së kinematografisë së Kosovës mund të them se, kur u përmirësuan disi marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë, u bë edhe ndonjë veprimtari kulturore, si shkëmbimi i ansambleve popullore, orkestra simfonike e Prishtinës, shkëmbim profesorësh të universitetit etj. Në këtë kontest u zhvillua edhe java e filmit jugosllav; mes të tjerëve ishte filmi “Mbledhësi i puplave”, film i njohur ndërkombëtarisht që u prit me shumë dëshirë dhe entuziazëm edhe në Tiranë, për më tepër, se aktori kryesor ishte Bekim Fehmiu.

    ESM: Për vizitën e aktorit Bekim Fehmiu në vitin 1972 gjithandej?

    Faruk BASHA: Qe një çast i keq për mua gjatë vizitës së aktorit të madh, Bekim Fehmiu. Them kështu, sepse e takova dy ditë para se të nisesha për një turne në Kinë me trupën e Teatrit dhe të Baletit Kombëtar. Drejtoria ftoi një grup kineastësh, rreth 15 vetë, të Kinostudios për t’u takuar me Bekimin, mes të cilëve isha edhe unë. Atë ditë u takova dhe atë ditë u ndava me të. Më njihte me emër. Madje, një çast qëndruam vetëm për disa minuta, sepse personi i dytë që ndodhej pranë nesh, u thirr nga drejtori. Ai vuri re disa pankarta në tabelën e reklamave të filmave të studios, në qendër të të cilave ishte pankarta e filmit “Skënderbeu”. Tregoi interes të  menjëhershëm dhe shkoi drejt saj. Duke ditur interesin dhe dëshirën që kishte për një film mbi Skënderbeun, i them me shaka, por jo pa dëshirë për t’u realizuar: “A po e xhirojmë bashkë një film për Skënderbeun?” “Ah, me dashtë Zoti, ma ktheu.” Të nesërmen u nisa për Kinë. Bekimi bëri një turne rreth një javor, duke u njohur me sukseset e socializmit.

    (…)

    ESM: Keni bashkëpunuar me regjisorë, si: Kristaq Dhamo, Piro Milkani, Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Gëzim Erebara, etj., me aktorë, si: Piro Mani, Sandër Prosi, Roza Anagnosti, Robert Ndrenika, Edi Luarasi, Vangjush Furrxhi, Timo Flloko, Yllka Mujo, Viktor Zhusti, Ndrek Luca, Rikard Ljarja, Reshat Arbana, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Naim Frashëri etj.

    Faruk BASHA: Në një shesh xhirimi, për herë të parë, jam ndodhur kur po xhirohej filmi “Skënderbeu”. Isha rreth 12 vjeç. Nga ai  çast nuk iu ndava më sheshxhirimeve kur kishte plane që bëheshin në Tiranë apo rrethinat e afërta të saj. Dhe në këto ecejake isha njohur me regjisorët dhe operatorët e paktë të atyre viteve: Hakani, Anagnosti, Gjika, Milkani, Erebara. Prej dikujt merrja zemër të përpiqesha për të hyrë në studio, prej dikujt hidhërohesha. Por erdhi 4 prilli i 1964-ës, çast i mezipritshëm prej meje, kur shkela në Kinostudio si ndihmës-operator pas shumë përpjekjesh. Nuk kisha shkollë kinematografike, por ndihma e Taqos, e Viktorit, e Piros dhe studimi autodidakt bënë të mos e ndjeja mungesën e përgatitjes në shkolla të artit të kinemasë. Edhe shkolla që kisha kryer qe ndihmë e madhe…

    Për punën me Naim Frashërin, aktorin e mrekullueshëm, dua të them se nuk mund të harroj çastet e xhirimit në filmin “Plagë të vjetra”. Kishte luajtur te filmi “Skënderbeu”, te filmi “Tana” me sukses dhe, pas disa vitesh qetësie nga filmi, u zgjodh të luante rolin kryesor te filmi “Plagë të vjetra”. Mungesa në ekran prej ca vitesh dhe rikthimi në teatër i shkaktoi një emocion të papërmbajtshëm, që u detyruam të ndërprisnim xhirimet për pak kohë, për të pirë një kafe e një cigare, deri në një përmirësim të gjendjes emocionale të tij. Edhe aktorët e mëdhenj nuk e kanë të lehtë të xhirojnë. Fatkeqësisht sëmundja e zemrës ia preu jetën dhe rolet e tij në filma janë të pakta, por kanë mbetur të paharrueshme dhe si pika referimi për aktorët e rinj.

    * Intervista është realizuar përmes e-mail-it, dërguar së pari bashkëshortes Luljeta Basha-Zhubi. Përgjigjet kanë arritur në fillim të qershorit 2021. Po ashtu Faruku më ka shkruar: “Për pyetjet 13 dhe 14 mund të gjesh e të zgjedhësh material te libri i Suzana Varvaricës, që jua dërgova me mbesën time, Lule Basha.” Në prill të vitit 2021 më dhurohet libri album “Faruk Basha, rrugëtimi drejt ëndrrës” i autores Suzana Varvarica-Kuka. Në shtator 2021 në Tiranë takoj Faruk Bashën me zonjën Nermin Basha. Shkëmbyem dy libra. Librin “Rr’nimi i Arbërit” dhe veprën e Julius Caesar “Mbi luftën civile” të përkthyer nga latinishtja nga Nermin Basha.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË