Një vepër epokë në të cilën janë shkrirë për tridhjetë vite portrete e karaktere nga më të ndryshme. Individualitet i veçantë i “zonave” më të thella të humorit shqiptar, i kinokomedisë dhe karikaturës shqiptare.
Bujar Kapexhiu, autori i qindra e mijëra karikaturave të epokës moderne, aktiv edhe sot në të gjitha revistat e gazetat e kohës, në botimin “Variacione” i është kthyer viteve të para e të hershme (1962) deri në vitin 1990.
Në hapësirën shqiptare tashmë komunikimi përmes gazetave përkatëse të humorit mungon. Dikur ishin “Hosteni”. Dhe në Kosovë “Thumbi”. Në to vihej në thumb dukuritë e shoqërisë. Në elaborimet e Tij Bujar Kapexhiu portretizoj karakterin një art i cili kishte veçantitë krijuese që arriti në përmbajtje të lartë artistike.
Fillimi, dialogu në njëfilm dhe rrëfime
Derisa studiuesja e letërsisë Floresha Dado librin e fundit i ka vënë titullin “Figura-Personazh që “shihet” përmes fjalës”, veprën “Variacione” (botim i UET Press) të Bujar Kapexhiut në të cilin mbizotërojnë figura-portret do ta quaja “Portret-personazhe përmes vizatimit (ilustrimit, karikaturës)”.
Autori rrëfen nisjen dhe rrugëtimin e karikaturës, nga dërrasa e zezë në klasë, në gazetën e murit të shkollës deri tek botimi në shtypin periodik, nga revista “10 korriku” te “Hosteni” dhe shfletimi i revistës hungareze “Lúdas Matyi”, nga aktori Taqo (te filmi “Furtuna”) te profesori Kujtim Spahivogli dhe profesori i të folurit skenik Mihal Luarasi.
Për rëndësinë e artit të karikaturës autori thotë se “vonë kuptova se nuk qe e lehtë që të merresh e të krijosh në artin e karikaturës, të trajtosh një problem, një fenomen, një dukuri, dhe si krijues të japësh një mesazh. Pikërisht e qeshura është serioziteti i krijimit komik.” (faqe 18) “Këmbëngulja, studimi e talenti rrugë e krijimtarisë për stil origjinal e të veçantë.”, thotë autori.
Humori e satira domosdoshmërisht duhet të jetë socialiste. “Nuk mund të buzëqeshje apo të qeshje në formë dekadente, perëndimore, kapitaliste.” (19)
45 vite më parë me 12 prill të vitit 1976 është dhënë premierë filmi “Fijet që priten” realizuar nga regjizori Muharrem Fejzo, me skenar (ekranizim dramaturgjik i novelës “Fundi i një brenge”) te Neshat Tozaj.
Po sjell këtu një fragment nga dialogu mes dy karaktereve kryesore të këtij filmi Marko Rovinës (interpretuar nga Kadri Roshi) dhe Sami Amenit (interpretuar nga Reshat Arbana) për të venë në përballje me një gjykim dhe pasqyrim të guximshëm të realitetit nga pikëvështrimi i sotëm:
-Si ma gjete adresën!?
-Ne nuk flemë si ti! Më duket se ke filluar të trembesh!
–Është tmerrësisht vështirë! Ju nuk mund t’i imagjinoni dot gjyqet që bëhen këtu! Kam frikë, se ndonjëherë, do t’më vije radha edhe mua.
-Gjepura. Ti je i mençur dhe ke ditur t’maskohesh shumë mirë. Kisha shumë të drejtë unë atëherë.
-Ë Zot, sa kam frikë!
Këtë dialog edhe mund ta kemi nënkuptuar apriori në kontekstin e një filmi të Kinostudios të asaj periudhe. Krijuesi Bujar Kapexhiu në “anën tjetër” thotë se “humoristët e karikaturistët ishin opozita e parë në atë kohë.” (142)afër përngjasimi me intrigën tematike dhe në kontekstin e kohës fjalia “Ju nuk mund t’i imagjinoni dot gjyqet që bëhen këtu!” tregon një realitet që për rrëfimtarët postkomunist do të ishte “lëshim” përmes vrimës së gjilpërës. Në analogji më këtë Bujar Kapexhiu e thotë përmes shpjegimit të kundërt “Në vendet kapitaliste” si një aureolë e alibi të gjendjes së kohës.
Në “ndërhyrjet” e autorit në libër vjen rrëfimi për takimin me Anastas Kondon dhe dhurata nga Kujtim Buza. E të tjera.
Kinematografia, portreti i kineastëve dhe filmi
Në tematikën e gjerë thumbuese te “elaborimeve” mbi “VARIACIONE MBI TEMËN” (Kopertina Hosteni, ZYRTARË, FSHATI, Xhaz, Puna, Kritika, A&a, Vepra dhe redaktori, Pema e vitit të ri, Kravata, POLITIKA, ART dhe SPORT) një vend të veçantë zë kinematografia, portreti i kineastëve dhe filmi.
Bujar Kapexhiu për herë të parë aktor e hasim në filmin “Duel i heshtur” në bashkëinterpretim me të njohurit Ndrek Luca, Rikard Ljarja e Reshat Arbana. Ishte vetëm 23 vjeçar.
Derisa në filmat e parë (“Duel i heshtur”, “Gjurma” e “I teti në bronx”) ishte aktor i karaktereve serioze, në filmin e vetëm të mëpastajmë si aktor “Dy herë mat” (1986) film në të cilin ishte regjizor e skenarist, ishte aktor komik.
Krijimtaria filmike e Bujar Kapexhiut ka vijëzime të çuditshme. Me kapërcime. Nëse krahasojmë rrjedhat e hijezimit “tjetër” nëpër librit “Variacione” duke lexuar kujtimet dhe rrëfimet stampojnë që Bujar Kapexhiu në “rini”, në vitet 60-ta ishte aktor, në “pjekuri” në fillimvitet e 70-ta ishte punëtor krahu dhe në gjysmën e dytë të viteve 70-ta autor i filmave vizatimor në Kinostudio dhe në “pleqëri” në gjysmën e dytë të viteve 80-ta regjizor a skenarist i kinokomedive “Dy herë mat” (1986), “Tela për violinë” (1987), “Stolat në park” (1988) dhe “Edhe kështu, edhe ashtu” (1989).
Triptik ilustrimi “Për ata që flasin në kinema” mjaftë domethënës dhe dramatik. Nga imazhi aktoresk tek atentati në shikues. (172)
Ilustrime, kupat tematike dhe barsoletat
Komunikimet dhe semantika e bashkëpunimit mes mesazhit krijues të filmit dhe përkushtimit kinematografik si realitet tej “pllakës xhiruese” e shiritit të celuloidit (192-194): Dhimitër Anagnosti dhe “Lulëkuqet mbi mure”; Pirro Milkani, Violeta Manushi e Raimonda Bulku dhe “Zonja nga qyteti”; Viktor Gjika dhe “Njeriu me top”; Muharrem Fejzo e Robert Ndrenika dhe “Mësonjëtorja” (Regjisori: Këtij roli ti hash edhe mishin edhe kockat.);
Sulejman Dibra e Krista Dhamo dhe “Qortimet e vjeshtës”; Xhanfise Keko dhe fëmijët.
Gjithashtu vjen për lexuesit “Mirush Kabashi dhe muza” pastaj gërshetimi i bashkautorit në vete dhe shikuesi në kinema dhe tetë ilustrime në rrjedhën e një bashkëshortësie në mes artit skenik dhe kinematografik “Teatri dhe kinemaja një “Histori pa… harmoni”. Një tjetër krijim që ka të bëj me aktrimin është “Portreti i aktorit” në katër pamje gjestikulative: Lirik, Dramatik, Melankolik dhe Tragjik. (220)
Riedukimi i artistit? Klasa punëtore jep shenjën pozitive. Bujar Kapexhiu emërohet regjisor në studion e filmit vizatimor në Kinostudio.
Një kapitull (“Festivali i filmit: KUPA”), më plot domethënie qoftë nga realizimi ilustrativ qoftë nga mesazhi që jep përmes fjalëve, është një ndërlidhje kuptimplotë: Albert Xholi “Fillim i vështirë” (…pa kupë), Kujtim Çashku “Të paftuarit” (…për kupë), Esat Mysliu “Hije që mbeten pas” (…kupës), Bujar Kapexhiu “Dy herë mat” (…përballë kupës), Fehmi Hoshafi “Në emër të lirisë” (… dhe jo të kupës), Spartak Pecani “Të mos heshtësh” (… kur është fjala për kupën), Esat Ibri “Asgjë nuk harrohet” (… kur s’merr kupë), Rikard Ljarja “Kur hapen dyert e jetës” (…pranë kupës), Mark Topallaj “Guri i besës” (… por jo i kupës), Sajmir Kumbaro “Rrethimi i vogël” (… me kupa), Mevlan Shanaj “Të shoh në sy” (… moj kupë) dhe Vladimir Prifti “Dhe vjen një ditë” (… pa kupë).
(Faqe 259-271)
Në tematikën për kinemanë dhe filmin autori sjellë për lexuesit edhe gjashtë barsoleta.
Në fund mund të themi që “Variacione” është një vepër jetësore e fazës së parë të krijimtarisë së karikaturës së Bujar Kapexhiut. Rikthimi tek kjo periudhë e gjatë dhe me plot sfida sikur hijeshon edhe krijimtarinë kinematografike e anasjelltas duke nënkuptuar një autobiografi të krijuesit me një shtrirje shumëdimensionale në gërshetim sinkronik e diakronik 30 vjeçar
Falem’nderit Bujar për këtë vepër!
Janar 2024, Prishtinë