Libri “Udhëtim në Europën Lindore” (përktheu nga origjinali: Edlira Hoxholli, Onufri, Tiranë, 2016) i Gabriel García Márquez ka njëmbëdhjetë reportazhe, në strukturë kapituj leximi kronologjik a udhëtimi nga Gjermania Perëndimore përkatësisht Frankfurti, në Gjermaninë Lindore (në Berlinin), në Çekosllovaki (në Pragë), në Poloni (në Varshavë), në BRSS (në Moskë) dhe në Hungari (në Budapest).
Akti i epilogut hyrës (Arratisja” nga Perëndimi)
Teoritë moderne letrare dhe tekstet klasike janë paradigmë dekonstruksioni që mund të rishfletohen në ditët e sotme, për ta njohur një periudhë të ndritshme të “provës” dhe përvojës edhe të një shkrimtari, siç është njëri nga përfaqësuesit e realizmit magjik në letërsi Gabriel García Márquez. Autori i monografisë “Gabriel Garcia Marquez” Dagmar Ploetz kapitullin e periudhës së fundviteve 50-ta të udhëtimeve të shkrimtarit e quan “Shqetësime socialiste”. Nga “Gjethurinat” (1955) tek “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë” (1959) Márquez krijon atë Mesin e Artë të zhanrit, siç citon studiuesi e përkthyesi Shpëtim Doda në parathënien e “Kallëzimi i një anijehumburi”: “Problemi im i kryehershëm si gazetar – shpjegon shkrimtari në një letër drejtuar Camilo González Díaz-it, një lexues i tij, teksa flet pikërisht për këtë libër – ishte krejt i njëjtë me atë të shkrimtarit: më lipsej të zbuloja faqëza se cili nga zhanret më tërhiqte më tepër dhe arrita në përfundimin se ishte reportazhi, i cili dukej më i natyrshmi dhe më i dobishmi domen i gazetarisë. Një reportazh jo vetëm që mund të arrijë të barazohet me jetën, porse mund edhe ta kapërcejë kryekëput atë. Mund të jetë fare mirë një tregim apo një roman, me të vetmin ndryshim – se tregimi dhe romani janë krejtësisht të hapura ndaj përfytyrimit, ndërkohë që reportazhi lipset të mbartë të vërtetën deri në pikën e tij përmbyllëse.”
Siç edhe ndodhi me veprën “testament” për të mos u botuar në të gjallë por me një “OK”-ej filtrimi përfundimtar “Shihemi në gusht”, janë dy vepra të mëhershme të Márquez-it që kanë pasur një histori gërshetimi në diakroni botimi odisejade interesante. Është fjala për reportazhet e shkruara gjatë a pas udhëtimit të autorit në Evropën Lindore dhe reportazhit rrëfimtar me autorësi “të diskutuar” të veprës në prozë “Kallëzimi i një anijehumburi”. Në prologun e botimit shqip të veprës “Kallëzimi…” përkthyesi Shpëtim Doda shkruan: “Çdo vepër letrare mbart në vetvete, madje në çdo faqe, në çdo paragraf, në çdo rresht, në çdo fjali, në çdo fjalë apo shenjë pikësimi, identitetin e shkrimtarit dhe të gjuhës së tij të shkrirë përnjësueshëm në një mishtim të vetëm mistik, që të kujton padyshim metaforën e famshme të zanafillës biblike.”
Derisa vepra “Kallëzimi…” është botuar në një revistë për çka më pas revista do të mbyllet, si libër do të botohet në vitin 1970, libri me reportazhe “Udhëtim në Europën Lindore” pas botimit nëpër revista të kohës do të botohet në vitin 1978. Të njëmbëdhjetë reportazhet: “Perdja e hekurt” është një tra i lyer me të kuqe dhe të bardha, Berlini është një çmenduri, Të shpronësuarit mblidhen për të treguar vuajtjet e tyre…, Për një çeke, çorapët e najlonit janë xhevahire, Në Pragë njerëzit reagojnë njëlloj si në çdo vend kapitalist, Me sytë hapur mbi Poloninë që vlon, BRSS: 22.400.000 kilometra katrorë pa asnjë reklamë të vetme për Cola-Cola, Moska: Fshati më i madh i botës, Në Mauzoleun e Sheshit të Kuq Stalini fle pa e vrarë ndërgjegjja, Njeriu sovjetik po fillon të lodhet nga kontrastet dhe “Unë vizitova Hungarinë”janë të shkruara me një gjuhë të gdhendur në përsosmëri, me një finesë përkushtimi që ngërthen një botë të tërë kulture, arti, mentaliteti, sjelljeje e dukurish nga “më të papritura” për një shkrimtar i veshur nën petkun e një gazetari.
Akti i prologut dalës (“vetëdija” e Lindjes)
Gjatë leximit të kapitullit të parë “Perdja e hekurt” është një tra i lyer me të kuqe dhe të bardha” mendja më shkonte se si futbollisti gjermano-perëndimor Franc Bekembauer ka mundur të përshkruaj në shekullin XXI udhëtimin e tij, hyrjen në Shqipëri në vitin 1971. Qysh atëherë futbollisti legjendar duhet të dezinfektonte domosdoshmërisht duart.
Detaji i hyrjes së udhëtarëve perëndimor në një restorant të Gjermanisë Lindore?! Heshtja e tyre për Zhaklinën më kthen të filmi “Koncert në vitin 1936”. Vizita e dy artistëve në një kafehane të kohës sikur trondit të pranishmit konservator. Markez shkruan: “Kurrë nuk do ta harroj hyrjen në atë restorant. U përplasa me një realitet për të cilin s’isha i përgatitur.” (faqe 15) Edhe artistet shqiptare nuk do e harrojnë kurrë hyrjen dhe qëndrimin në një restorant me plot njerëz. Ekzotikja e Zhaklinës i heshti të pranishmit. “Në mes të asaj heshtjeje, duke ndjerë në lëkurë qindra shikime tinëzare, ecëm drejt së vetmes tryezë të lirë, e cila është vendosur pranë një gramafoni të dalë boje dhe që punonte me gjysmë marke.” (16) Është Dagmar Ploetz që tek kapitulli “Shqetësime socialiste” të citoj këto fragmente! Një tjetër analogji rastësie përputhshmërie.
Thellësia e një realiteti është magjik duke e vënë në mëdyshje shpjegimin. “Ka çaste ndjeshmërie që nuk mund t’i rindërtosh e t’i shpjegosh.” (17) Të kuptosh Berlinin e viteve 50-ta nga leximi i Márquez-it “duke u vërtitur brenda tij pa e gjetur dot.” (19) dhe të kuptosh Shqipërinë e sotme përmes periudhës së udhëtimit të Márquez në Evropën Lindore a nuk është një paradigmë e mrekullisë së realizmit magjik! Vetëm një shkrimtar siç është kolumbiani Márquez e bënë këtë përmes diskursit nëntekstor që rilexohet në të gjitha kohët. Në vitin 1960 Çe Gevara do ta vizitoj Tiranën. Është kjo një vizitë jo vetëm e papritur por që do të mbartë enigmat më diskrete që sipas kronikanëve të kohës dhe dëshmitarëve do mbetët “e mbyllur” përgjithnjë, si një vegim vetëtime që duhet të harrohet shpejtë nga forca goditëse me pamjen e trupit të pajetë të tij dhe imazheve të sotme të portretit të Tij me yllin çlirimtar rinor! Jemi në vitin 1957. Autori e thotë edhe këtë: “Në territorin e Gjermanisë Perëndimore ka pesë radiostacione që asnjëherë s’kanë transmetuar asnjë fjalë në gjermanisht.” (21) Márquez nuk vë pikëçuditje. Diç e zakonshme pas dymbëdhjetë, trembëdhjetë vite pas përfundimit të luftës. Një përshkrim brilant, në thellësitë e njohjes së brendshme ekzistenciale dhe të pamjes. “Tërë mëngjesin u vumë në kërkim të qytetit, duke u vërtitur brenda tij pa e gjetur dot.” (19)
Leximi i një romani ekzistencialist futet në realitetin e një bordelloje që për autorin është si një “përzierje labirintike të Komedisë Hyjnore me Salvador Dalinë” (32) Gjatë leximit të këtij fragmenti vijnë vetvetiu imazhet nga filmi “Përse bie kjo daulle” (1969) prodhim i Kinostudios shqiptare si analogji, sipas Márquez-t në Berlin “ekzistencializmi është pajisje që instalohet në verë për turistët” (32) ndërsa në Shqipëri mund të instalohet gjatë një dasme dhe ndërtimit të një qyteti të ri ku asgjë nuk ndodh, por vetëm ëndërrohet.
Një krahasim tej zonës së ndërdijes metaforike dhe përafrisë në të cilën të dy personazhet e plotësojnë njëri-tjetrin. “Mendova se e kisha parë edhe diku tjetër atë vend, po Franko më kujtoi se në të vërtetë nuk e kisha parë: e kisha lexuar në ndonjë roman ekzistencialist.”
Udhëtimi përshkruhet të shpeshtën e herëve me thirrje zymtësie të pashpresë: “Të shkretët njerëz.” (Zhaklina, 17), “Çfarë tmerri.” (Franko, 33), “Ndjeja keqardhje.” (Márquez, 33)…
Reflektimi pasqyror në llumin ujor të gropës që për pasojë ka sundimin “e Lindjes” është një tjetër dogmatizëm i modernes prandaj reportazhet e Márquez-it kanë analogji magjike edhe në kohën e sotme. Autori në një fjali gërsheton pikëpamje. “Arma ligjore do ishte greva. Po e drejta për grevë nuk ekziston, sepse regjimi është dogmatik: thotë se është absurde që kur proletariati ka pushtetin, proletarët të bëjnë grevë për të protestuar kundër vetes së tyre.” (41) Diç e tillë po ndodh sot në epokën e oligarkëve modern, në vendet e tranzicionit të sistemeve dhe pushteteve të shpeshta. Greva në një institucion a ndërmarrje private do ishte vetëvrasje për punëtorin. Ndoshta, sepse aktiviteti i Sindikatës është i pafuqishëm në këto pushtete gjoja demokratike. Doktrina dhe realiteti i ndarjes së hekurt. “Mendojnë se në Gjermaninë Lindore nuk ka socializëm. Nuk është diktaturë e proletariatit, po e një grupi komunistësh qëështë përpjekur të ndjekë pikë për pikë përvojat sovjetike pa marrë parasysh rrethanat e veçanta të vendit. Hitleri i eliminoi komunistët e mirë. Ata që mbijetuan, që i panë shpejt gabimet e qeverisë aktuale, u eliminuan nga grupi sundues. Rinia marksiste është e bindur se realiteti nuk i përgjigjet doktrinës, veçse ajo nuk i merr në sy rreziqet e ndreqjes.” (40), shkruan Márquez në kapitullin kuptimplotë “Të shpronësuarit mblidhen për të treguar vuajtjet e tyre…” faqe 40.
Sofizmi i demokracisë së oligarkëve sundues në ndërtimin e një koncepti të lirisë në periudhën e pasluftës në Kosovë i ngjan në përpikëri shpjegimit të Márquez që i bënë “ngatërrimit burokratik” dhe regjimit dogmatik.
Ndarja e Gjermanisë, ndarja e Berlinit elaborat magjik i shkrimit të Márquez-it. Katër gjuhë në një çast: rusisht, gjermanisht, spanjisht dhe frëngjisht. (43)
Koha reale e përjetimit të një shkrimtari lëkundët në një diskurs semantik rrëfimtar për ta kuptuar udhëtimin dhe detajet e qëndrimit. Periudha, koha nga gjashtë vjet në dhjetë minuta (48), nga dy orë pritje kot (49), udhëtimi pesëmbëdhjetë orë, katër orë në kufi (49), formalitetet u bënë për pesë minuta (49). Po koha imagjinative e ndërtuar nga një gazetar në veprën e vet fiktive? Për shembull tek vepra “Kallëzimi i një anijehumburi”. Këtu kemi të bëjmë me gërshetimin në vete të realizmit magjik si në zhanrin e reportazhit ashtu edhe të romanit.
Koncepti i kontrastit në vendet e Lindjes për Márquez-in është një origjinalitet tjetër në kërkim. Po kontrasti i një shqiptari të Kosovës me gjithë periudhën e Shqipërisë së viteve 1945-1990, bien ndesh fillimisht me ekranin televiziv të RTSH-së e pastaj njolla e gabimit në vizitat e para andej Drinit pas rënies së sistemit!
Patriotizmi i një familje në mbrojtje të ekonomisë së atdheut. “Javë më vonë, gjatë rrugës së kthimit në Francë, takova në tren një familje çeke që shkonte atje për pushime. Një francez u tha një sekret: në Paris ka një vend ku monedha çeke këmbehet me një kurs tri herë më të lartë se ai zyrtar. Çeku nuk e pranoj ofertën.
-Kjo dëmton ekonominë tonë, -tha.” (52)
“…Piu edhe një birrë tjetër. Pastaj, me zërin të zbutur nga dehja, i foli vajzës në vesh duke i propozuar që ta shoqëronte në hotel. Ajo qeshi dhe, duke shkërbyer ëmbëlsinë e Frankos, i pëshpëriti në vesh:
-Hajde te tryeza tjetër dhe kërkoji leje tim shoqi.” (55)
Edhe sot e kujtoj vitin 1988. Në përfundim të studimeve në Letërsi në Universitetin e Prishtinës. Tek Rrethi i Spitalit, pranë një kiosku të gazetave ndaloj një vajzë për njohje. Pas disa minutave tashmë kur çdo gjë ishte e njohur, afrohet djali dhe kërkon nga unë që t’ia liroj motrën. Desh me lëshuan këmbët!
Hapat e kalimit të kufijve në Perëndim janë të shpejtë. Në Lindje edhe të ndryshimit. Derisa “në Europën Perëndimore i dallon kufijtë nga ndryshimi i gjuhës nëpër tabela” në “perden e hekurt, kalimi i kufirit është ngjarje.” (64)
Stili poetik i rrëfimit. Formulat e alkimistëve sipas Márquez janë “poezi të shkencës”. Márquez-i interesohet edhe nuk harron të shkruaj për dy libra të kolumbianëve të përkthyera në çekisht. Vorbulla, i Hose Eustasio Riverës dhe Katër vjet brenda vetes, i Eduardo Zalamea Bordës.
Dikur intervistat paguheshin. Sot paguhen analistët llomotitës. Márquez flet për një të tillë. “Ishte drejtor i një reviste arti. Më mori një intervistë mbi muzikën popullore kolumbiane dhe mbas disa ditësh gjeta në hotel një zarf me kartëvizitën të tij dhe me pagesën e intervistës: 200 zlloti.” (80)
E tërë kapitulli a pjesa e udhëtimit nga Çopi (vendbanimi më perëndimor në Bashkimin Sovjetik) në Moskë (nëpër Ukrainë) përshkruhet më të dhëna dhe statistika, udhëtim i cili për një të huaj ka veçantitë e veta. Márquez më një gjuhë gazetarie dhe të thjeshtë për nga magjia e formimit përshkruan edhe anën letrare-stilistike. “Me ngjyra aq realiste sa që s’kishin vërtetësi reale.”, dhe me një përshkrim imazhi e rrëfimi kinematografik: “Është e admirueshme besnikëria me të cilën letërsia dhe kinematografia ruse e kanë rikrijuar këtë vizion fluturak të jetës që kalon te dritarja e një treni.” (102)
Gjithashtu për autorin është bindëse dhe mahnitëse që “qeveria sovjetike duhet të jetë krenare për disiplinën dhe besnikërinë e popullit të saj.” (107)
Sa kam qeshur me vete në përgjigjen pyetëse të jetës së një njeriu në pesë apartamente. Brilante:
“-A mund të ketë njeriu pesë apartamente në Moskë?
-Natyrisht, -m’u përgjigjën.
-Vetëm se, si dreqin mund të jetojë njeriu në pesë apartamente njëherësh?” (120)
Monumentaliteti vëllimor dhe sasior në kontraste gërshetimesh mes fakteve dhe dokumentaritetit vërehet tek të dhënat shifrore kolosale në periudhën e mbajtjes së festivalit: 14.000 përkthyes, stadiumi prej 120.000 vendesh, 400 muzikantë, çdo shfaqje 6000 aktorë të ndryshëm, 60 vagonë treni për transportues dekori, të cilat në këto përmasa gjigante të një shfaqjeje janë të pabesueshme “për të huajt”. Morfologjia e një sistemi në kryeqytet shprehet me besimin dhe përkushtimin se “sovjetikët janë besnikë ndaj qeverisë së tyre.” (118)
Ndikimi vjen nga një gazetë. “Ata (sovjetikët-vë. e.s.m.) thjesht përsërisin argumentet e gazetës Pravda.” (125) Nëse sipas autorit “sovjetikët janë paksa histerikë” ata gjithashtu njohin gjendjen e brendshme të tyre më një përkushtim të habitshëm komunikimi: “…karakteristikë e popullit sovjetik: informacioni politik.” (126)
Më tej vjen portreti i Stalinit në të gjitha dimensionet. Mosha e Stalinit është ngrirë në moshën e portreteve. “… në përfytyrimin e popullit Stalini kishte moshën e portreteve.” (128)
Márquez-i më tej flet për Hrushovin dhe angazhimin e tij politik, përshkruan portretin e Stalinit, origjinën dhe identitetin e tij politik, metronë, arkitekturën sovjetike, tradhtinë bashkëshortore. Një fragment që duhet veçuar është e dhëna për Stalinin dhe pikëpamjet e kritikëve të artit për estetikën. Të dhëna për kinematografinë, për puthjen e parë në filmin sovjetik. Márquez-i shkruan për romanet policore, letërsinë fantastike-shkencore, për Aleksej Tolstoin. Një pjesë i është kushtuar përpjekjes për të hyrë në Mauzole dhe përshkrimi i dy arkmortëve, te Leninit dhe Stalinit, në thellësi detajesh nga pamje të ndryshme.
Zhgënjimi?! Pasqyrimi dhe përshkrimi i disa situatave të “turmës”, të jetës së popullit. Të punëtorëve në kooperativa (fjalën kooperativë nuk e ka përdorur në asnjë vend!). Kontrastet edhe në titull “Njeriu sovjetik po fillon të lodhet nga kontrastet”, por edhe në faqe 146 ku thuhet që rinia po “rebelohet kundër kontrasteve.”
Takimi me djaloshin që studionte poezinë botërore për fëmijë. Márquez i flet për jetën e shkrimtarit Rafael Pombo derisa studenti recitonte “me një rrjedhshmëri të admirueshme, një antologji të tërë poezie latinoamerikane për fëmijë.” (147)
Të zhgënjyer e të frikësuar në Budapest. Autori i librit, misioni i të cilit nënkuptohet (gazetar gërshetuar me një mision në mes shkrimtarit dhe natyralistit të kulturës dhe artit), bënë udhëtimin e fundit i vetëm në Budapest, duke “shënuar” më pas të dhënat e përgjithshme të gjendjes së Budapestit në vitin e fundit (tetor 1956-gusht 1957), kur për këta dhjetë muaj “Budapesti kishte qenë qytet i ndaluar” (149), gërshetuar me detaje “të zbuluara” gjatë udhëtimit “të fshehtë” i vetëm në qytet.
Pas ngjarjeve të tetorit 1956 një nga 18 vëzhguesit e parë perëndimor që hynë në Hungari është edhe autori i veprës “Udhëtimi në Europën Lindore”, gazetari e shkrimtari Gabriel García Márquez. Në fund autori thotë që askush nuk donte të fliste. Dhe përfundon librin më këto 3,4 fjali duke përshkruar pamjen e një tualeti, gjendjen e një kryeqyteti, psikozën e një populli. “Askush nuk donte të fliste. Por kur njerëzit heshtin –nga frika ose nga paragjykimi, -duhet të hysh në tualet për të ditur çfarë mendojnë. Aty gjeta atë që kërkoja: mes vizatimesh pornografike, klasike në gjithë tualetet e botës, kishte mbishkrime ku shihej emri i Kadarit, në një protestë anonime, po tepër domethënëse. Këto mbishkrime përbëjnë një dëshmi të vyer për gjendjen në Hungari: “Kadar, vrasës i popullit”, “Kadar, tradhtar”, “Kadar, zagar i rusëve”. (158)
Akti i fundit përmbyllës (uni i udhëtarit nën petkun e shkrimtarit)
“Udhëtimi” nuk ndërpritet as në shekullin XXI. Një pjesë e Europës Lindore është në konflikt, luftë të cilën shteti më i madh i kësaj hapësire planetare, Rusia, e ka nisur që më shpërbërjen e BRSS-së. Në paqe ka politikë. Në liri mund të këtë edhe intriga por dikush e vuan! Márquez na fton në udhëtimin e Tij magjik nëpër realitetin nostalgjik kur ftohtësia e Lindjes preket nga turistët e jashtëzakonshëm. Këtë herë nga një kronikan i cili hyri “nën aureolën e zhvillimit të Nobelit” për të ribotuar në një vëllim reportazhet epokale që me “heshtjen” e personazheve nuk ka një sqarim Post Scriptum se disa situata mund t’i ngjanë një të ardhme të afërt a një çasti të përsëritur fshehtas. Pasardhësit e kanë tabanin e një rileximi nga autori i cili përjetoj rrëfimin e të mbijetuarit nga një anijehumbure, pas “Gjethurinat” e para “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”.
Në epokën e sotme mediatike të komunikimit, tej hijes dhe imazhit të çastit sublim, citimet e shpeshta sikur e ç’thurin censurën e domosdoshme, për ta ngrirë në mesazhet e pafundme. Akti i fundit është i paprekshëm. Si lexues “i vonuar” poetika e rrëfimit e un-it të shkrimtarit skalitet në këto thënie sentenca domethënëse e shenjëzim përmbajtësor për një sprovë “vetëdije letrare” tashmë të paralajmëruar në të gjitha nënshtresat e poetikës moderne.
“Akumulimi i diskriminimeve” term ky i huazuar nga “Fjalori i kritikës moderne”, njësia “Kultura”, ka një rishfaqje për një debat mes përshkrimit dhe vlerësimit. Derisa në epokën e ftohtë kemi izolim te alternativave, sot konfuzioni mes zhanreve tradicionale dhe formave më të arrira të komunikimit ka përparim drastik. Marramendës deri në çmenduri. Imazhe deri në vetëvrasje lehtësisht të përjetuara. Arratisja nga e vërteta është gjëja më e shëmtuar për një lexues. Hyrja në realitetin e një shoqëria të diktuar nga oligarkët e pangopshëm është gjëja më e zakonshme në çerekshekullin e parë të lirisë sonë.
Jemi në pritje të “vëllimit të dytë në shqip” te “Jeto për ta treguar”. Márquez vëllimin e parë të kujtimeve “e përfundon” me përballjen me të mbijetuarin e anijehumburës Luis Alejandro Velasco për “të filluar” me fatin e reportazheve nga “Udhëtim në Europën Lindore”. Triptik i zbehtë për triptikun madhështor të jetës për ta treguar te Márquez-it.
Prishtinë, shtator 2024