Rrëfimi në prozë është forma më totale e gërshëtimit të fakteve me fiksionin, të cilat së bashku krijojnë përfytyrimin e jo vetëm një epoke, e jo vetëm një ngjarje, e jo vetëm një personaliteti të njohur apo inekzistentë fare!
Në romanin e Mira Meksit “Ikona e Plagosur” 1) hyn një çast fluturak i ngrirë në imazhin monumental, fati i një ikone e cila bëhet pasqyrë reflektimi, rrezet e së cilës depërtojnë në thellësitë më të largëta të hapësirës së “ndikimit” arbëror! Në periferi përmes detajeve dhe dromcave jetësore dhe “arratisjes” së familjeve pas vdekjes së kryeheroit, Skënderbeut! Intriga është aq reale sa që kapërcen “labirintin” e të dhënave historike për t’u ngulitur thellë në dilemën e lexuesit modern për një “mot të madh”, i cili vështirësohet në kohërat e mykura nga perandoritë “kalimtare” në Ballkan. Prandaj “nëse e vërteta epike rrjedh nga kujtesa kolektive, që ajo vërteton, romani e nxjerr të vërtetën nga lidhja e një fiksioni.” 2)
Narracioni është renditur duke i dhënë vëmendje përmbajtjes të një ikone në varësi nga veprimi i karaktereve, dhe në fund i personazheve, Arbrit dhe Vetonit.
Përngjasimet dhe huatë krijuese “imagjinare” për analogji
Botim klasik. Struktura ka rrjedhë ideale të formatit të përpiktë. Shënim për romanin I-XIX faqe (Mbititulli: “Kur letërsia i huan zërin e saj historisë”. Titulli: “Si është shkruar ky libër”). Tekst-botimi fillon më saktësi nga 1 deri 319 faqe në tërësi: Shtatë emërtimet e kapitujve: “Zbulimi i atë Isaisë” (f.1-28), “Napoli Portat e fshehta të universit dhe kohës” (f.29-49), (f.50-92), (f.93-122), (f.123-132), (f.133-163), “Në Valencia” (f.165-179), “Manastiri Mbretëror i Trinisë së Shenjtë” (f.181-203), “Ditari i Alfons Kastriotit” (f.205-249), “E fshehta e Ikonës së Plagosur” (f.251-266) dhe “Mali Athos dhe Pirgu i Arbrit” (f.267-319). Nga njëmbëdhjetë (?) pjesët, katër të paemërtuara. Në mes “kapitulli” që ndërlidh në vete kohën e personazheve dhe kohën e dokumenteve. Tri pjesë “zhvendosen” në gjysmën e dytë të shekullit XV.
Autorja Mira Meksi 3) në fillim si hyrje (“Si është shkruar ky libër”) flet për “trillin romanor” dhe “deduksionet dhe hamendësimet e historianëve” që përgatit lexuesin me “vërejtje” këshilluese në rrjedhën e të dhënave që përfytyrojmë që në titull të këtij prologu “Kur letërsia i huan zërin e saj historisë”.
“Teknikat letrare që shkrimtari përdor kanë mundësi të krijojnë metafiksion historiografik, pra të krijojnë një trill romanor me bazë, sfond apo nuanca historike, i cili shkon përtej kufirit ku ka mbërritur historia. Gjithsesi, në këtë roman, ku nuk mëtoj assesi të jap të vërtetën historike, trilli shkon në një drejtim me deduksionet dhe hamendësimet e historianëve dhe të historisë për temën në fjalë. Konvergojnë në një pikë.” 4)
Përgjasim shëmbëllimi pa lejen e autorëve shtesë të fusnotave në kushtim të citatit të munguar që ka të bëj me përfytyrimin e pamjeve të të moshuarit të vërbër, në analogji të kundërtë me “krijimin e rastësishëm”, thënie e Borgers-it: “Fatit i pëlqejnë përsëritjet, motërzimet, simetritë…”. Autorja Mira Meksi shkruan në faqe V (romak): “Për Ismail Kadarenë, Mjeshtrin e Madh të gjuhës shqipe, që më nxiti të kërkoj letrarisht varrin e fshehtë të Skënderbeut”. Seç iu ktheva viteve të hershme të njohjes me letërsinë. Me librin. Dhe në kushtim, si homazh dhe përngjasim: Për Bajram Krasniqin, Studiuesin e Madh të prozës shqipe, që më nxiti të afrohem, të parapërgatitem më mirë që të njoh dhe të rilexoj në të ardhmen romanin “Ikona e Plagosur”. 5)
Që në fillim ngjasimet e personazheve me Borgesin. Trilli deri në krahasim për një njohje rrëfimtare. Personazhi Arbri i pati rrëfyer Norës se “vetvrasja e tij e dështuar ngjasonte pikë për pikë me atë të shkrimtarit të madh argjentinas Jorge Luis Borges, sipas asaj që djaloshi kish lexuar vite më vonë: “A e beson dot, Nora, se vetvrasja e dështuar e Borges-it u projektua e saktë dhe e plotë mbi vetvrasjen time pas më shumë se gjysmë shekulli?” 6) Kulmimi i plotë analogjik me një vetvrasje të munguar. Me Borges-in e paprekshëm! “…vetëvrasja e munguar e Borges-it u projektua me një saktësi halucinante mbi mua.” (f.12)
Enumeracioni i veprimit në dhjetë fjali (f.6, 7 e 8) në të cilat veprimi foljor shpërfaqet e tërë qyteti i Vlorës me shenjëzimin semantik që nga parahistoria deri tek kohërat moderne: … t’i fliste… (për rrënojat antike, kujtesën e vjetër, labirintet e ngjarjeve…) , T’i rrëfente… (për një Pazar shumë të vjetër ëndrre…), T’i përshkruante… (një park magjik me pemë të larta në Rrugën Vlorë-Skelë…), Ta ngjiste… (në një kullë sahati…), ta shetiste… (në një rrugë të ngushtë që quhej Rruga e Jahudive…), Ta shoqëronte… (pranë varrit të një heroi në shesh…), … ta njihte… (me varrin mitik të një pashai me emrin Kuzum Baba…), … Ta merrte… (për dore…), …të ecnin... (në kujtimin e një rruge magjike pranë Sheshit të Flamurit…)dhe …të shpinte… (në një kishë me derë druri të blertë…).
Me maturi rrëfimi autorja hy tek leximi. Çështë leximi? “Emocionet e leximit të një libri të mirë janë vetë jeta…”. Tej leximit “na pret” zbulimi. “…me mendje te kënaqësia e papërshkrueshme e leximit dhe e zbulimeve, që të ndihesh eksploatori i vetëm i aventurave.” (f.11)
Gërshëtimi mes zbrazësisë dhe “kaosit” mund të takoje “valë elektromagnetike që vijnë nga e kaluara dhe nëpërmjet tyre të udhëtojë pas në kohë.” (f.14) dhe “mund t’ia dalë të lexojë edhe libra që ende nuk janë shkruar.” (f.14)
E kaluara thellësisht e përjetuar në dimensione inteligjente dhe futja në fletet e pashkruara të librave. Isai a “prifti me kobure”, patriot i rryer dhe i dëshmuar vdiq, thotë rrëfimtari, “në kampin e përqendrimit nazist në Zemun pranë Beogradit.” (f.16) Autorja përmes personazhit të Isait plotëson një personalitet shumëdimensional, një krijues që i ngjan personazheve më kuptimlote për të njohur fatin e shumë figurave “të humbura” të botës shqiptare, jo vetëm në gjysmën e parë të shekullit XX.
Dualizmi enciklopedik i një diskursi letrar në prozë mes një forme “klasike”
“Shkolla e parë e Vlorës në Muradie (1908)” (f.16). Për Ne shqiptarët e Kosovës, të zbulosh këtë lagje kaq vonë, në përmasat e saj historike në të cilën është në ndërtim Muzeu “Kosova”, dhe ta hasësh në roman është një ndjenjë refleksioni dekonstruktiv hija e të cilit ndërlidh vende e epoka.
Rrëfimi është dije të dhënash historike dhe njohuri ”të reja” emërtime hyjnish, imazhe dhe pamje ikonash deri tek ikonat e çmuara të Shën Sofisë të Konstantinopojës të cilat ruhen në Manastirin e Vatopedit në Athos. Personazhet kryesor veprues Arbri e Nora ndërtojnë dialogun përmes “shpejtësisë” së pyetjeve të përgjithshme, të përgatitura a të papërgatitura profesionalisht dhe pyetjeve të goditura e të sforcuara në dëndësinë e një imazhi të çastit. Arbri përgjigjet: “Dëgjo, Nora. Që të jam më i qartë, kjo ikonë, ashtu si edhe të tjerat që përfaqësojnë artin më të lartë ikonografik(nënvizimi ynë-e.s.m.), shërben që nëpërmjet imazhit të dukshëm ta fusë admiruesin e saj në të padukshmen, transhendenten, të paarritshmen… Pra, ta çojë atë që di të lexoj ikonën te kumti a shenja që mban të fshehur, ose te zbërthimi i kodit që gjendet i trupëzuar në të. Këtë çelës”, po e quaj unë, kishte si objekt studimi atë Isaia.” 7) Një hyrje “shkencore” dhe rrëfim dijeje, të dhënash për të zbuluar në kapitullin e parë (f.1-27)…
…
Në përballjen diskursive dhe të njohur mes personazheve për kujtesën e trashëguar që sipas tyre ka vetëm dy shekuj që studiohet, autorja përmes personazhit thotë: “…kujtesa duhet të konsiderohet si një aftësi e qenësishme e lëndës sonë cerebrale që iu nënshtrohet ligjeve fizike. Ajo bën unifikimin e së tashmes në një organizëm me të kaluarën e tij, jo vetëm gjatë jetës së tij, por edhe gjatë breznive. Ajo shtrihet në të gjitha qelizat e organizmit, duke përfshirë edhe ato germinale dhe bëhet kështu mbështetja organike e trashëgimisë së fituar.” (f.113)
Gjatë leximit seç ndërhyn tek lexuesi, dekonstruksioni tekstor i Ismail Kadaresë. Faqe 147. Personazhi i Stresit, Besa e dhënë e Konstandinit dhe besa ndaj Krishtit nën përfytyrimin e Milloshit dhe dashuria e kthimi në atdhe, në Arbëri, përmes Norës, si tek “Kush e solli Doruntinën”…
Një thënie metaforë e cila e tejkalon metafizikën rrëfimtare për një kujtesë të përhershme kulmore artistike: “Aroma e luleve të thara është aromë e fuqishme e kujtimit… Është aroma e shpirtit.” (f.148)
Edhe pse nuk është shënuar në libër, romani sikur ndahet në dy pjesë të barabarta. Pjesa e parë përfundon me udhëtimin në Napoli dhe kthimin në atdhe te personazheve kryesor Arbrit dhe Norës. Atmosfera e rrjedhës historike është e përpiktë.
Kapitulli emërtues “Ditari i Alfons Kastriotit” është një ditar shkencor historik. Rrëfim për diçka reale e cila në rrjedhën e saj krijohet epoka, krijimi, ikona, vërtetësia. Një epilog i shkrimtares i ndërtuar në kohë krijon prolog dhe përfundimin e një romani. Pjesa “Ditari….” është një përshkrim kronikal e portretizues në veten e tretë! Përsonazhet-gërshëtim përmes reflektimesh. Në qendër dhe në funksion të hyrjes në epokën “e errët” dhe në hapësirën e të panjohurave qendron “Ditari i Alfons Kastriotit”, jo në formatin klasik por një ditar-studim kritik letrar. Nëse për shekullin XV janë të rëndësishme kronikat, letrat, janë relacionet që i mungojnë arkivit, muzeut. Një rrëfim për ditarin. Leximi dhe përshkrimi i tij. Një formë e ditarit, përmbajtjes, brendësisë së tij në vepër. Dilemat mbetën tek titullëzimi i kësaj pjesë. Autorja këtë ditar e kthen në rrëfim, në një vepër epike në prozë, në tregimtari. Dualizmi enciklopedik i një diskursi letrar në prozë mes një forme “klasike” dhe studimi të ditarit në një vepër të re, pjesë e romanit (f. 205-249)…
…
Në kërkim të tri parimeve klasike të dramatikës: Të gjejmë kohen nëpër vite shekuj e mileniume…, Të gjejmë hapësirën nëpër kontinente, detëra dhe qytete e fshatëra… dhe Të gjejmë veprimin nëpër krijime artistike, politike, ekzistenciale të luftërave, në jetën e një kombi.
Përshkrim brilant i historisë së Kishës-Katedrale-Bazilikës së Valentias nga rrënojat e Tempullit të Jupiterit në epokën vizigote, të pushtimi arab dhe të mbretit Jaime! (f.231) Historia e një monumenti historik në ingranazhet e trandjes së një epoke në të cilën periudha e errët dhe e heshtur në fshehtësinë ideolatrike vjen e bëhet e zhurmshme, ka paradigma letrare dhe kode që paralajmërojnë një realitet tjetër. Një prehje a grisje në thellësinë e krijimit ikonik bëhet diskurs për një aoreolë paprekshmërie të një fisnikërie, shembëlltyra e të cilës do i mungoj përgjithmonë pasardhësve.
Kapërcimi i Un-it të shkrimtares nga rrëfimi tek historia e një realiteti të largët historik
Nëse Balzaku rreth 200 vjet më parë thotë se “arti është të zgjedhë pjesët e shpërndara të natyrës, detajet e së vërtetës, për të formuar me to një tërësi homogjene” 8) është Mira Meksi që përmes romanit “Ikona e Plagosur” të zgjedhë intrigën e shpërndarë nga Napoli, Valensia, Athosi, detajet rrëfimtare përmes epokave për të na dhënë “shekullin e plotë” të një nga enigmave më të mëdha, vendndodhjes të varrit të Skënderbeut.
Të jetë i panjohur Barleti në periudhën e vet për t’i munguar veprës së personazheve kryesor te Mira Meksit?
Kërkimi i eshtrave të kryeheroit?! Ku prehen eshtrat e bashkëluftëtarëve të Skënderbeut? 9) Romani “Ikona e Plagosur” merr shkas nga një vepër arti. Nga një ikonë. Nga një detaj. Një përshkallëzim thellësisht zbritës nën sipërfaqe. E kundërta e gjithë këtij procesi: rrjedha deri tek lexuesi.
E fshehta “misterioze” nuk është enigmë në epilogun e rileximit të romanit te Mira Meksit. Ecejakët e personazheve kanë paradigmat e njohura në peripecitë për rrjedhën e pasqyrimit historik në vendet e veçuara për ndodhitë e rizbuluara përmes fondit letrar të autores.
Leje, lë të pushoj vepra dhe “historia”. Rrëfimi të marr frymë në vete. Mjaftë e ke trazuar me rileximin e saj. Ke shkruar për të. Pusho! Të kërkon vetvetiu. Këto shënime i shkruan duke u ndaluar për një çast veten që ta lësh të lirë ecejakën dhe e gjithë rrëfimin në studion tënde! Pas një pauze të domosdoshme shkrimi të thërret për të paralajmëruar që ta rishkruash, të ndërhysh qetazi në gjithë ato ngjarje e personazhe, në gjithë atë intrigë dhe botë e cila është krijuar nga autorja. Ky zë nuk të lë rehat si vet vepra dhe siç i ndodhi autores me historinë. “Huaja” do të të hakmerret që të trazon sa herë që historia dhe letërsia flasin me gjuhën e tyre në gërshëtim kujtese e harrese, në diakroninë dhe sinkroninë e përsosmërisë krijuese-artistike.
Pierre Chartiert duke shpjeguar për surrealizmin flet për “aktivitetin e lirë të shpirtit” dhe Ne sikur shohim tek autorja dhe rrëfimtari pikërisht këtë diskurs krijonjës përgjatë jo vetëm të kaluarës por edhe si “ndërhyrje” në historinë e ardhshme duke shenjuar hapin e parë origjinal të çthurjes së enigmës.
Nëse Dikushi, që kemi pak shpresë që ekziston, le ta ekranizoj që t’i afrohemi edhe përmes imazhit real. Pëlhura e thellon të vërtetën e shekullit XV, epokë që i kthehemi përherë. Rrëfimi shpiket, forma mbetet konservatore. Thyerjet janë të rralla. Universi romanesk është i pakufishëm. Në histori vlen koha. Katër kohët e romanit historik janë: Koha e rrëfimtarit (Koha e shkrimtarit, Koha e personazhit), Koha e lexuesit (Koha e kritikut, Koha e rileximit), Koha e subjektit (Koha e ngjarjes), Koha në kohëreale (Kohërealja në kohë(n) e rrëfimi(t), Kohërealja në periudhën e ngjarjes, Kohërealja e rileximit në uverturën e leximit të parë)…
…
Çështë “liria delikate” dhe “shkolla e vështrimit” terminologji e huajtur nga studiuesi e kritiku francez Pierre Chartiert? Të humbur nëpër kohë, përmes hulumtimit të fatit të ikones prehet “liria delikate” i një fati të tërë të një epoke, thërmijat e të cilës prehën në çdo periudhë të kombit dhe civilizimit tonë. Romani i ri. Asgjë nuk e trazon hulumtimin para vështrimit të objektit dhe të të dhënave historike. Sa më në thellësi hyn tek rrëfimi i Mira Meksit shpërfaqet vepra e Barletit dhe gjitha ato tregime për fatin e Motit të Madh në ardhmëri dhe gjetjes së eshtrave të kryeheroit. Nëse është thënë dhe përsëritet edhe te “Fjalori i kritikës moderne” se “letërsia nuk i takon një periudhe por është mbikohore” 10) atëherë tek romani “Ikona e Plagosur” jo vetëm që gërshëtohen kohet në format e rrëfimit por edhe përmbajtja në subjektin e të dy periudhave.
Njohësit e kritikës të historicizmit flasin për lexuesin modern “Lexuesi modern është, i prirur të sjellë në letërsi vlerësimet dhe asosiacionet e shkuara duke pasur parasysh se qëllimi i historizcimit është që t’i bëjë veprat e peridhave të ndryshme më të pranueshme për këtë lexues modern duke rikonstruktuar përvojën historike ashtu si ajo ndikon kuptimin dhe gjykimin e veprës në shqyrtim.”11), derisa ne si lexues tashmë në një periudhë delikate i vëmë në qendër të interesimeve kundërshtuese.
Historia dhe artefaktet që kishin të bënin me shqiptarët erdhen dhe u bënë pjesë e historisë evropiane, një rrugëtim ky nga Arbëria tek Italia, Spanja dhe “kthimi” në Greqinë “antike”. Autorja Mira Meksi përmes këtij romani sikur vjen e bëhet “përfaqësuese” e një epoke duke gërshëtuar un-in e saj krijues, nëse parafrazojmë studiuesin Bajram Krasniqi, me zënien vend të një ideologeje, të një filozofeje dhe të një historianie për t’i shtuar edhe të një enciklopedisteje të koheve moderne. “Kuptimi i romanit si fotografi epike e botës, ka gjetur shprehje të plotë në prozën që e trajton të kaluarën historike. Romani historik, duke dashur të rikrijojë artistikisht të kaluarën e largët, apo të afërt, ta rrokë atë në gjerësi dhe në shumë plane, sikur deshi t’i konkurojë historisë. Për këtë arsye, në të gjejmë mjaftë referenca historike, ekonomike, sociologjike, etnografike etj.” 12)
Ngjarjet rrjedhin nëpër shekuj, personazhet levizin në hapësirë të pafundme
Në indeksin e emrave jo vetëm të personazheve, por edhe të institucioneve kanë zënë vend numër i pafundëm i tyre në hapësirat e romanit për ta njohur tërë madhështinë e arkitekturës morfologjike të një periudhe.
I vendosur në një kohë të gjerë 2300 vjeçare (315 para Krishtit-1999) në roman në një “thuarje” më të detajuar nga viti 1178-1999 janë tri periudha më të ngjeshura në vite që vendosen ngjarjet përgjatë shekullit XV (1405-1499), fillimi i shekullit XVI (1500-1517) dhe fundvitet e shekullit XX (1997-1999)…
…
Në romanin “Ikona e Plagosur” në të cilin gërshëtohen kohet, gjithashtu indeksi i emrave fillimisht i vendeve pastaj i “institucioneve” kapërcen limitet e harresës dhe kujteses duke u bërë enumeracion i pafundmë i tyre në përmasa enciklopedike: Ishulli i Sazanit, Skela e Vlorës, shtegu i Cesarit, Shpella e Haxhi Alisë, Sheshi i Flamurit, Mali i Shenjtë Athos, Kepi i Posillipo-s, Kepi i Rodonit, Shtegu u Perëndive, gjiri i Solernos, Gjiri i Napolit, Malet e Vetëtimës, Malet Akroheraune, Gadishulli Apenin, Porti i Pastroviçit, Porti i Palermos, Mesdheu Perëndimor, Gadishulli Italik, Qyteti i Diellit, Toka e Thesalisë, Porti i Dafnes… etj. pastaj Fakulteti i Historisë, biblioteka e Lagjes Nr. 4 në Tiranë, kancelaria italiane e Giuseppe-s, Manastiri i Hilandarit, biblioteka e Eqrem bej Vlorës, Sarajet e Syrja bej Vlorës, Manastiri i Vatopedit, Vëllazëria e Dragoit, Muzeu Historik i Fierit, Departamenti i Historisë së Mesjetës, Universiteti i Napolit Frederiku II, Manastiti Santa Chiara, Instituto Universitario Orientale, arkivi i Dukatit, Palazzo Sanseverino, Universiteti i Bolonjës Alma Mater Studioram, Kalaja e Kaninës, Bazilika e Santa Restituta-s, Kishëza Santa Maria del Principio, Pallati Diemoede Carofa, kështjella e Monte Sant’Angelo-s, Biblioteka e Castel Nuovo, Katedralja e Krujës, arkivi i Vatikanit, Senati i Venedikut, Galeria Uffizi, Manastiri i Kapuçinëve të Amalfit, Opera Garnier e Parisit, arkiva e Papatit në Romë, tempulli i Osirisit, Pallati i Donn’Anna, Kështjella Capua, Kalaja e Shkodrës, Kalaja e Ljeshit, Manastiri i Shën Angjelinës, varret e ilirëve në Selcë, Kështjella e Otrantos, kështjella e Sopotit, Kështjella e Sopotit, kështjella e Stekulit, arkivi i Beogradit, Qendra e Restaurimit të Shkrimeve dhe Paleografisë në Romë, Universiteti i Valencias, Sigurimi i Shtetit, Panairi i Krishtlindjeve, Kisha San Francisco, Teatri San Carlo, Departamenti i Historisë së Mesjetës në Universitetin e Valencias, arkivi mretëror i Valencias, Biblioteka e Valencias, arkivi i Bashkisë së qytetit të Valencias, arkivi qendror i Madridit, Kisha San Nicolas de Bari, Manastiri Mbretëror i Trinisë së Shenjtë në Valencia, Akademia Mbretërore e Historisë në Madrid, Kishëza e Virgjëreshës së Strehës së Mëkatarëve, Vëllazëri e të Devotshmëve të Ikonës, Biblioteka bashkiake Serrano Morales, Universiteti i Bolonjës, Pallati i 300 Drynave, Kishëza e Santa Catalina-s, Hospital d’Innocents, Kishëza Palatine, Manastiri serb i Hilandarit, kështjella e Monte Sant’Angelo-s, Universiteti Mjekësor i Parisit, kisha e Manastirit mbretëror të Santa Trinidad, Kisha Katedrale-Bazilika e Valentias, Tempulli i Jupiterit, Porta e Apostujve, Kisha e vjetër e Santo Càliz-i, Pallati i Santo Oficio, Sinagoga Mayor, diogjeza e Valencias, Pallati i Markezit te Don Aguas, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Katedra e Gjuhësisë Historike e Universitetit të Tiranës, Patriakana Ikumenike e Stambollit, Manastiti Laura e Madhe, Manastiti bullgar Zographe, Universiteti i Moskës, Biblioteka Kombëtare e Moskës, Manastiri i Studenicës… e të tjera, e të tjera.
Rrëfimtari ka kapërcyer pamjet e ngrira të veprave historike për t’i përtërirë në copëzat dhe paragrafët e romanit duke e bërë strukturën “e ndërlikuar” për rilexim të domosdoshëm sepse tashmë informacioni vjen e bëhet paradigmë e përkryer si shije e të bukurës historike, e aromës së këndshme dokumentare e dijes për të kaluarën e ritreguar mbresëlënëse në diskursin e dekonstruksionit të përsosur letrar-artistik…
…
Zëvendësimi i termit te ideologjisë me atë religjioz është i domosdoshëm për shkak të historisë së trajtimit tematik dhe intrigës rrëfimtare si thyerje të konvencave të të dhënave të librave të historisë. Të shkruash për personazhet, për figuracionin stilistik dhe semantik duke veçuar krahasimin etj. herë të tjera.
Gjithmonë vrasim shkrimin me padijen tonë dhe varrosim leximin bashkarisht
Romani “Ikona e Plagosur” është një shtresim tjetër i diskursit krijues letrar në prozë që shkrimtarja Mira Meksi na jep një botë të tërë në një pasqyrë lëvizëse e cila futet thellë në të kaluarën e një kombi dhe qendron pezull në të sotmen e pritjes për zbulesen, për një fakt historik i cili dëshmon ekzistencën e gjurmëve pa zhurmues, i fjetur në rrënojat e perandorisë pushtuese ballkanike, i cili lind në Krujë, rinohet në Edirne dhe ngulitet në Krujë përjetësisht.
Nuk dua të paragjykoj, përkundrazi flas me vete, arsyetim monologues (!) që romani shqiptar dhe historia ka një paradigmë për t’u vlerësuar. Është studiuesi, autori i veprës monumentale “Poetika e romanit historik shqiptar” Bajram Krasniqi, i cili na ndihmon që të kemi një strukturë rrjedhe të prozës në diakroni e sinkroni përsosmërie të papërsëritshme. Ndoshta, jemi në një periudhë kur ende nuk e lexojmë dot Barthes-in, “Vdekjen e autorit”!? Ndoshta, tashmë vrasim shkrimin me padijen tonë dhe varrosim librin dhe leximin bashkarisht! Ndoshta, herë pas here edhe me ndihmën e të tjerëve!
Megjithëkëtë, autorja Mira Meksi ka gjetur “korrelacionin objektiv” (term që sipas “Fjalori i kritikës moderne” është popullarizuar prej T. S. Eliot) për të vendosur gjurmët dhe situatat në dimension të lartë emocional, artistik, fillimisht përmes krijimit dhe në epilog zbulimi të kodeve enigmatike të “religjionit” dhe të ideologjive që ndërhyjnë përherë në “kornizën” e heshtur të ikonave.
Në fund, për një uverturë tjetër njohjeje si në një refleksion pasqyre, falenderojmë autoren dhe vëmë një shkronjë, pa shenja pikësimi, në un-in krijues të saj, për rilexime të mëtejme! Në fakt për zbulesa të tjera!
Shkurt-mars 2026, Prishtinë- Gllarevë
1 Meksi, Mira “Ikona e Plagosur”, Onufri, Tiranë, 2025 (Shënim: Në një panair që mungonin bestseleret “tradicional mediatik” të shekullit XXI nga vetëm 3, 4 vepra të domosdoshme për lexim të ndikuar nga propaganda e trivialitetit dixhital vendosa të lexoj librin, romanin “historik”)
2 Chartier, Pierre “Hyrje në teoritë e mëdha të romanit”, Onufri, Tiranë 2015, faqe 53
3 Nga një rrugëtim në kohë ndërrim mileniumesh dhe hapësire “të afërtë” te un-it të shkrimtares, të dëshmuar përmes veprës në sirtar! Jo e plotë! Fragmentar, si vet teksti në tërësi: Rreth 350 kilometra distancë mes Barcelonës dhe Valencias. Përkthyesja Mira Meksi në vitin 1990 takon Gabriel García Márquez-in. 35 vjet më pas prozatorja Mira Meksi viziton varrin e Donika Kastriotit dhe boton romanin “Ikona e Plagosur” . Në këtë “hark” kohor të përthyer në qindra krijime imagjinative letrare, shkrimtaren Mira Meksi e “shfletoj” në bibliotekën time. Fillimisht pasthënien “Tarasona-një “Babel” gjuhësh-Garcia Markezi” te romani “Dashuria në kohërat e kolerës” (1990, “Naim Frashëri”, Tiranë), tregimin fiction-factions “Kadare, Atxaga, Çmimi Nobel, Lopez Tubio në shtratin e vdekjes” te “Mali i shpirtrave” (1994, “Dituria”, Fondacioni “Velija”, Tiranë), revistën “Mehr Licht!” (në veçanti esenë “Romani”, janar 1997, nr. 2), parathënien “Borges” të veprës përkthimi nga origjinali në shqip “Vdekja dhe Busulla” (Fiksione & Aleph, 2002, “Onufri”, Tiranë) te Jorge Luis Borges, shqipërimin e parë nga origjinali te “Njëqind vjet vetmi” (2019, “Onufri”, Tiranë), botimet e ripara, të ripunuara dhe të plotësuara në shqip, shqipëruar nga origjinali “Dymbëdhjetë tregime pelegrine” dhe romanit “Kujtim kurvash të trishta” (2017, “Onufri”, Tiranë), romanin “Vjeshta e Patriarkut” (2022, “Onufri”, Tiranë), veprën post mortum te Gabriel García Márquez-it “Shihemi në gusht” (2024, “Onufri”, Tiranë) dhe në fundin e prologut, veprën me ese “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura” (2011, “Onufri, Tiranë). Ndoshta, pasi tashmë ditëve të fundit ka ardhur në shqip një “version tjetër përkthimi i “Tuneli” i Ernesto Sabato-s, kjo fusnotë do ishte pikënisje për një shëmbëllim tjetër me titull të gjatë në proces: “Prozatorja Mira Meksi, Shtëpia Botuese “Onufri” dhe përkthimi i shkrimtarëve të realizmit magjik në shqip”
4 Meksi, Mira “Ikona e Plagosur”, Onufri, Tiranë, 2025, f. XVIII
5 Tashmë rreth 40 vjet nga botimi i veprave kritike “Komunikime letrare” (1980) “Letërsia dhe vetëdija historike” (1984), “Poetika e romanit historik shqiptar” (1985) dhe “Kode të ligjërimit letrar” (1988) të studiuesit Bajram Krasniqi (1951-1990). Nga katër këto vepra dy janë bazë për historinë e diskursit të prozës me tematikë historinë. Për të veçuar “Poetika e romanit historik shqiptar” (1985). Janë 38 romane që janë vënë në analizë letrare në sintezën poetike nga romani historik shqiptar Bajram Krasniqi vepra të botuara nga viti 1889 (“Marcja” i N. Nikaj) deri në vitin 1981 (“Moti i madh” i M. Krajës)
6 Meksi, Mira “Ikona e Plagosur”, Onufri, Tiranë, 2025, f. 6
7 Meksi, Mira, Po Aty, f. 20 e 21 (më tej pjesët e cituara faqet në tekst)
8 Chartier, Pierre, Po aty, f. 180
9 Ne nuk guxojmë ende të vëmë kurora lulesh tek varri i Josif Bagerit? Të rrallë janë ata që din se eshtrat e Hasan Prishtinës prehen në varrezat e dëshmorëve në Kukës. “Janë varrosur në kohën e Enver Hoxhës dhe me urdhërin e tij. Hiqeni! Dërgoni në Tropojë! Jo, jo! As atje!” Në gishta numërohen ata që kanë vizituar varrin e Sami Frashërit në Stamboll.
10 “Fjalor i kritikës moderne”, Botimet Toena, 2000, Tiranë, f. 118
11 “Fjalor…”, Po aty, f. 118
12 Krasniqi, Bajram “Romani dhe historia” te “Kode të ligjërimit letrar”, Rilindja, Prishtinë, 1988, f. 75


