More
    KreuOpinionEnver S. Morina: Dashuri, vdekje e kujtime në kohë pandemie

    Enver S. Morina: Dashuri, vdekje e kujtime në kohë pandemie

    Falënderim për dhuratën e çmuar librin. Citate kontekstuale apriori nga një vepër me kujtime që korrespondojnë saktësisht me rrëfimtarin.

    Të shkruarit rreth vdekjes së njerëzve të dashur duhet të jetë i vjetër sa edhe vetë shkrimi, megjithatë, ngasja për ta bërë këtë më krijon një lëmsh në fyt.”

    (Rodrigo Garcia “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes”, botimi shqip, faqe 25).

    Polemika është e vjetër për nga lashtësia, sa që mund të këtë prek mitologjinë. Përmes saj dhe më shkas janë krijuar vepra artistike që i kanë rezistuar harresës, duke lënë gjurmë në çdo sistem e periudhë jo vetëm filozofike por edhe letrare. Kryengritja e krijuesit modern në shoqërinë meskine të parasë dhe krizës së leximit e botimit të librit ka rënie ngritjet e saja që herë-herë vijnë e bëhen të pakundërshtueshme, njëherazi edhe të domosdoshme. Utilitarizëm në vete që zgjon një rinjohje për miqtë e “anës tjetër” të protagonistit.

    Në studimin “Letërsia dhe artet në krizën e kohës sonë” shkrimtari Ernesto Sabato që në vitet 50-ta të shekullit XX shkruan se “lakuriqësia, ashtu si vdekja, është demokratike.” Përherë kam besuar se ka miq të mirë dhe miq të këqij. Prandaj është e vështirë në kohën e sotme të Facebook-ut të shkruhet për “artin e krizës” dhe rëndësinë e polemikës mes miqsh “të vjetër” në të cilën përmbajtje kategoria e kohës është një sfidë pa fitues. Prandaj këto ditë në vend të polemikës, të reagimit zgjodha rileximin e veprës me kujtime te Rodrigo Garcias “Lamtumirë Gabo e Mercedes”.

    Ne lexuesit me faje bëjmë gabime nëse kyçemi në aktin e njohjes së tyre, sepse ata kanë ingranazhet e arsyes dhe “dobësimit” të tjetrit. Njëri nga ata e meriton ndëshkimin sepse tashmë i është humbur virgjiniteti i miqësisë.

    Në shtator të vitit 2021 më është dhuruar nga botuesi libri “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes”, libër me kujtime të të birit te Márquez-it Rodrigo Garcia, të përkthyera në shqip nga origjinali në anglisht nga Engjëllushe Shqarri, botuar nga “Onufri”.

    Dy libra “Ditari i zisë” m’i dhuroj botuesi Abdullah Zeneli. Vepra e Roland Barthes kishte një të veçantë në vete, apriori në rilexim dhe para leximit të parë të veprës së Rodrigo Garcia. E lexova fill pasi më vdiq Shkurta, Nëna ime, të cilës përherë i kam thënë në emër. Sa herë e kujtoj sot derdh lot! Për babain që kam kujtime më të thella nuk e derdh lotin e përhershëm sepse më mungon dhe kujtoj sidomos periudhën në vitet e 90-ta çdo mëngjes barte dru me krah nga mali i largët në shtëpi. Ishte dru i rëndë që kur e provoja në oborr të shtëpisë nuk e mbaja në krah as edhe një minutë!

    Siç thotë kritiku i letërsisë Boyd Tonkin autori Rodrigo Garcia ka shkruar “një kujtim të hollë…”, në detaje për fundin. Katër pjesët e para kanë të bëjnë me vdekjen dhe kujtimet te Gabos derisa pjesa e pestë jeta dhe vdekja e Mercedes.

    “… shekulli XX do të përfundonte.” (13)

    Jemi gjenerata që përjetuam kapërcimin e shekujve nga njëri tek tjetri. Gjashtë muaj pas lufte do e shkruaja tregimin “Njollat e hirit pas shiut të akullt”. Gjashtë muaj që ishim kthyer në shtëpitë gërmadha të djegura nga forcat milituare serbe.

    Në fillim në kapitullin e parë Rodrigo Garcia do të shkruaj për bisedat me babain. Më të dëgjuar Márquez citon që shkrimtari “nuk e mban dot më arkitekturën e pamasë, ose nuk orientohet dot në terrenin e pabesë të një romani të gjatë.” (14) Një imazh i hapësirës së romanit. “Likuidime” të zhanrit e teorizime të thukëta.

    Dua të shkoj në shtëpi.” (28)

    Sikur ka të bëj më shtëpinë e përjetshme.

    Kapitulli i 9 i pjesës së parë na tregon për veprën me kujtime të Márquez-it. Pse ai nuk shkroi më tej.

    Kapitulli i 10 i veprës së parë i tëri si citat. Fama dhe suksesi letrar. Gjashtë shkrimtarët që nuk iu dha çmimi Nobel (Tolstoi, Proust-i, Borges-i, Virginia Woolf, Juan Rulfo dhe Graham Greene)?! Leximi. Të metat e veprës. Shterimi i krijimtarisë. “Pavarësisht nga natyra e shoqërueshme dhe rehatia në dukje që i jepte jeta publike, babai ishte njeri privat, ndonjëherë edhe i mbyllur. Me këtë nuk dua të them se nuk i pëlqente fama apo se pas dekadash të tëra lajkatimesh nuk ishte prekur nga narcizmi, por, gjithsesi, përherë dyshonte në të qenët i famshëm dhe në suksesin letrar. Gjatë viteve na kujtonte herë pas here neve (dhe vetes) se as Tolstoi, as Proust-i apo Borges-i nuk arritën të merrnin çmimin Nobel, sikundër edhe tre shkrimtarët e tij të parapëlqyer, Virginia Woolf, Juan Rulfo dhe Graham Greene. Shpesh i dukej se  suksesi i tij nuk ishte diçka që e kish arritur vetë, por diçka që i kishte ndodhur. Nuk i rilexonte kurrë librat e vet (ndonëse shumë më vonë në jetë, kur kujtesa po e linte, filloi t’i lexonte), nga frika se mos gjente të meta që do ta bënin t’i vinte turp dhe se mos ia shternin krijimtarinë.” (43)

    Të gjithë në pikën e përbashkët të kujtesës së rileximit “për herë të parë” nga këndi i periferisë, qoftë i formimit tim të vonshëm, qoftë në hapësirat e jetës.

    Jorge Luis Borges dhe Gabriel Garcia Márquez në afërsi njëri e tjetri preku moshën 87 vjeçare! Njëri mori çmimin Nobel. Të dhënat thonë që laureati më i ri ishte Rudyard Kipling, i cili ishte 41 vjeç kur u shpërblye në vitin 1907 dhe laureatja më e vjetër që mori çmimin ishte Doris Lessing, e cila ishte 88 vjeç kur u shpërblye në 2007. Njëqind vjet statistika!? Vuajtjet e lexuesit dhe disa shkrimtarëve që nuk e morën çmimin Nobel janë të përhershme.

     “… koincidencë e zymtë…” (45)

    Zymtësia e një çasti të përputhshëm e gërshetues vë në analizë koincidencën si krahasim, si befasi dhe si reagim.

    “Asnjë regjisor, shkrimtar, poet – asnjë pikturë apo këngë – nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh tek unë krahasuar me prindërit, vëllain, gruan dhe vajzat e mia. Tekefundit, shumica e gjërave që duhen ditur, mësohen në familje.” (46)

    Interesimet dhe veprimtaritë e krijuesit janë nga më të ndryshme. Mbi të gjitha është familja ajo që përcakton dhe ndikon në formimin krijues dhe artistik.

    Kapitulli i 13 (i fundit i pjesës së parë) rrëfen përgatitjen e lajmit të vdekjes.

    “Jeta, e vjetër po aq sa dhe e jetuar pafundësisht herë, fatmirësisht vazhdon të jetë e paparashikueshme. Kur vdekja të vjen rrotull, rrallë ndodh të të zhgënjejë.” (56)

    Fundi i kapitullit të 16 dhe kapitulli i 17 i pjesës së dytë rrëfen me më gjerësi e thellësi vetitë e virtytet, dëshirat dhe përkushtimet e Márquez.

    Mendonte se disiplina e fortë ishte një nga gurët themeltarë të shkrimit të një romani, sidomos kur vinte puna të formësimi dhe vendosje e kufijve të historisë. Ai nuk pajtohej me mendimin e atyre që thoshin se krahasuar me shkrimin e skenarëve apo tregimeve të shkurtra, të shkruarit e romaneve ishte një formë më e lirë dhe rrjedhimisht, më e lehtë krijimtarie. Ishte e domosdoshme, argumentonte ai, që shkrimtari të krijonte udhërrëfyesin e vet, me qëllim që të përshkonte “terrenin e rrezikshëm të romanit”, sikundër e quante ai.” (64)

    Kur po shkruante Dashuria në kohërat e kolerës, i vuri vetes për qëllim të dëgjonte këngë popullore spanjolle mbi dashurinë e humbur apo të paplotësuar. Më thoshte se romani nuk do t’u afrohej këtyre këngëve për nga natyra melodramatike, por se mund të mësonte prej tyre për teknikat me të cilat ato evokonin ndjenjat.” (67)

    Kapitulli i 18 mund të titullohet “Fati i zogut të ngordhur” a “Varreza e kafshëve të shtëpisë dhe shpezët”. Debate e ngordhjes së shpendit e qenit dhe fatmirësia në fatkeqësi.

    Kapitujt 19, 20 e 21, të fundit e pjesës së dytë dramatike në vete, “të mugëta” siç thotë autori. Vdekja e shkrimtarit.

    Gjashtë kapitujt e pjesës së tretë (22-27) tregojnë gjendjen nga fryma e fundit e Ëzit deri tek futja e kufomës, trupit të Márquez-it në dhomën e djegies.

    Në katër kapitujt e pjesës së katërt (28-31) e pamja e babait.

    E kap veten duke kujtuar se si babai thoshte përherë se çdo njeri ka tri jetë: publiken, privaten dhe të fshehtën.” (114)

    Rrëfimi në vete dhe mesazhi i babait.

    “… në kokë më rri vazhdimisht ideja se ndoshta nuk i njoha sa duhet dhe pa dyshim më vjen keq që nuk i pyeta më shumë për hollësi të jetës së tyre, për mendimet më të fshehta, për shpresat më të mira dhe për gjërat që i frikësonin.” (136)

    Pjesa e pestë e fundit ka vetëm një kapitull. Jeta dhe vdekja e nënës. Të dhëna për dorëshkrimet e papërfunduara, fati i tyre dhe i koleksionit.

    Te pesë pjesët fillojnë me nga një citat nga vepra e Márquez. Dy citate nga “Njëqind vjet vetmi” dhe nga një nga “Gjenerali në labirintin e tij”, “Vjeshta e patriarkut” dhe “Dashuria në kohën e kolerës”.

    Miopia obsesive ndaj përfitimit ka një fund që gjykohet pa mund të marr dënimin e merituar. Lexuesi i takon të ardhmes, krijuesi të kaluarës ndërsa rileximi ndodh në çastin e kohërealës bashkëkohore në të cilën periudhë kërkohet përcaktimi si veçim.

    Márquez-i jetën e zgjati pafundësisht përmes jo vetëm Njëqind vjet vetmi derisa i biri Rodrigo i shkroi promemorien post mortum që lexuesi të di se për Gabon e Mercedes vdekja nuk është fjala e fundit e jetës.

    “… kohëzgjatja e zhveshjes e shndërron publikun në përgjues.”, shkruan Roland Barthes. Mbylleni zhveshjen dhe rikujtone bashkëpunimin në interes të njëri-tjetrit, në dobi të lexuesit dhe për të mirën e letërsisë!

    Lamtumirë deri në rileximin e radhës!

    6 dhjetor 2022, Prishtinë

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË