More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEnver Kushi: Një libër i hapur dhe i vërtetë ("Magjia e ligjërimit"...

    Enver Kushi: Një libër i hapur dhe i vërtetë (“Magjia e ligjërimit” e Agim Vincës)

    Duke parë muzgun që largohet si me nxitim, rikthehem shumë vite më parë, ndoshta në fillimgushtin e vitit 1996, kur për herë të parë, shkoja në viset e Agim Vincës, në Strugën e bukur dhe Veleshtë. Atëhere në qytetin e Strugës organizohej që nga viti 1992, një festival, me pjesëmarrjen e shoqërive kulturore nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria. Vendin kryesor për nga pjesëmarrja, e zinin shoqëritë kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë. Nuk do t’i harroj kurrë ato ditë, kur isha ngarkuar si skenarist i kësaj veprimtaria dhe president a kryetar i jurisë, ishte prof. Ramadan Sokoli, etnomuzikolog dhe miku im i vyer e i paharruar. Në jurinë e këtij festivali ishte edhe këngëtarja e mirënjohur nga Kosova, Liljana Çavolli, një zonjë e vërtetë, e qeshur dhe me humor. E pra, ditën e tretë të festivalit, bashkë me regjisorin Llesh Nikolla, shkuam në Veleshtë për të parë grupin folklorik të këtij fshati. . . Dielli akoma nuk kishte perënduar, kur zbritëm nga makina. Një rrap i madh në qendër të fshatit. Pak më tutje na thanë se ishte qendra kulturore. Vështroja shtëpitë dykatëshe, gjelbërimin, lulet dhe oborret e pastra, si dhe pemët e shumta dhe ujërat. Ishte një peizazh lirik, që të kujtonte muzgjet e poezisë së Lasgush Poradecit. Pastaj Drini i Zi, Liqeni i Ohrit. Malet ose ultësirat gri, krejt gri, nën dritën e fundit të diellit. E kisha të vështirë të përcaktoja perëndimdiellin ose Veriun apo Jugun. . . Kur u larguam nga Veleshta, kishte rënë muzgu i gjatë i fillimgushtit. Ndihej freskia dhe ca aroma të veçanta, që ndoshta vinin nga liqeni, Drini i Zi, ultësira, mali e që përziheshin me zëra fëmijësh. . .

     Rikthehem në tavolinën e punës dhe rilexoj: “ Në mes të fshatit është një shesh me dy rrapa të mëdhenj, qindra vjeçarë, që janë simbol i fshatit dhe i qëndresës së tij, një monument i gjallë”. Kështu rrëfen Agim Vinca, që më riktheu gati 3 dekada më parë në Veleshtën e tij të bukur, në Veleshtën e rrënjëve dhe frymëzimit të tij. Në atë fillimgushti, teksa largohesha nga Veleshta, dukej sikur në ajrin e muzgët, lëviznin hijet e së shkuarës, shpirtërat e të parëve të Agim Vincës dhe imazhet poetike të poezisë së tij për vendlindjen.

    Shënim plus: vendlindja si brengë

     Poeti i madh kilian Pablo Neruda, kishte vite larg vendlindjes. Ai kthehej e rikthehej me ëndrra atje ku kishte kaluar fëmininë. Shkruante poezi, për të shuar mallin për vendlindjen. E megjithatë ai mall gërryente dhe e linte të pagjumë. Atëhere i kërkoi një mikut të tij që ta regjistronte në magnetofon zërat e vendlindjes, dallgët e detit, erërat, shirat që binin mbi çatirat e shtëpive, bubullimat, cicërimat e zogjve etj.etj. Thonë se kur Neruda i dëgjoi të gjitha këto, larg, shumë larg, qau si fëmijë dhe u çmall.

     I hodha në letër këto, teksa lexova përgjigjen e prof. Agim Vincës, pas pyetjes së Miftar Kurtit: “ Ç’është,, çka përfaqëson vendlindja për Ju?” Ai mes të tjerash, shkruan: “ Vendlindja është bari që mbin në pranverë dhe strehët që pikojnë në vjeshtë; xixëllonjat në netët verore dhe qirinjtë e akullit në dimër; vendlindja janë ritet e Ditës së Verës dhe të festave të tjera të motmotit, të lashta sa vetë bota; vezët e skuqura me lëvore qepe dhe kukurekët herakë, kasnecë të stinës së re, që stolisin dyer e dritare, tok me shamitë e nuseve veleshtare, janë jargavanet ( ogravonat) që çelin oborreve pranë avllive dhe aroma e tyre dehëse; vendlindja janë dasmat, këngët, vallet, por edhe vdekjet dhe varret ( ah varret!) . . . Vendlindja është djep i frymëzimit, arkiv i kujtesës, peng i shpresës . . . “

     Dhe teksa lexoj këtë përgjigje sa poetike, aq edhe filozofike të profesorit, më kujtohet nëna ime e ndjerë që edhe ëndrrat i shihte në vendlindjen e saj, Spatar, një fshat shumë pranë Filatit të Çamërisë. Më kujtohen muajt e fundit të jetës së saj, që fliste me të vdekurit e Çamërisë apo fjalët.”Me shpini në Qafë Botë. Më mbillni sitë dhe atje më lini. Me sit ë mbillun do mar dhromnë për në Spatar. Se më njeh çdo gjë atje. Edhe gurët, edhe zogjtë, edhe era “.

    Shënim: Zanafilla e leximit

     Dita e parë e shkollës. Më mbetën në kujtesë ato që Prof. Agim Vinca rrëfen për atë ditë: grumbullimi në oborr, rreshtimi, hyrja në klasë . . . Çanta prej basme. Në të abetarja, dy fletore, një me vija e një me katrorë dhe një laps i thjeshtë, asgjë më shumë, ndërsa unë i veshur me një palë pantollona të shkurtra dhe një këmishë bezi. Këmbëzbathur. Nga klasa e tretë nis shoqërimi me librin, shoqëri që nuk do të ndërpritet kurrë, që do të zgjasë një jetë të tërë. . . Libri i parë që ka lexuar: “Sofër, shtrohu!” Dhe pas këtij, një përrallë e bukur e përkthyer në shqip, do të vijnë: “Doktori Ofmëdhemb”, “ Pinoku”, “Pa familje”, “Tregime të Shekspirit”.Po në vitet e larta të tetëvjeçares dhe në gjimnaz ? Hektor Malo, Kolodi, Shekspiri, Servantesi, “Ura e Drinës” (Ivo Andriq). . . Kontaki i parë me letërsinë bashkëkohore, me atë që krijohej në Kosovë, përmes revistës “Jeta e re” dhe librave të Esad Mekulit, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Murat Isakut. . . Me letërsinë bashkëkohore që krijohej në Shqipëri, kontaktet pas vitit 1968.

    I bukur rrëfimi për ardhjen në Prishtinë në tetor të vitit 1966: “Prishtina m’u duk e madhe dhe e zhurmshme, kurse vetja e vogël, madje krejtësisht i humbur në morinë e njerëzve të panjohur.”

    Rikthimi i kujtesës historike të Prishtinës.

    Shumë interesant më duket, mendimi i prof.Vincës: “ Në vështrim historik viti 1968 mund të krahasohet, pak a shumë, me vitin 1908. Në qoftë se shpallja e Kushtetutës alias Hyrrietit, nga ana e Xhonturqëve krijoi disa premisa për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës kombëtare, shprehja e së cilës në kontekstin e atëhershëm ishte zgjidhja e problemit të alfabatit në Manastir, hapja e të parës shkollë të mesme në gjuhën shqipe, Normales së Elbasanit, më 1909 etj. ashtu edhe Plenumi i Brioneve i vitit 1966, pastaj amendamentet kushtetuese të viteve 1968-1969 e 1971-72 dhe sidomos Kushtetuta e ’74-s, krijuan klimë e mundësi për zgjerimin e institucioneve kulturore-arsimore në Kosovë . . . “

    Shënim i shkurtër

     Rrëfimi i një jete të trazuar në Prishtinë. Demonstratat e vitit 1968, që krijuan premisat për ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi. . . Viti 1969. Dhoma 125 e konviktit numër 1, në Prishtinë. Dhe u ula e shkrova poezinë “ Letër vëllait”. Ishte ideja se ato t’ju largojnë juve, por idenë arsimdashëse, liridashëse nuk mund ta mbysin. . . Idetë jetojnë. . . Kështu rrëfen poeti i ri atëhere. Poeti dhe intelektuali Agim Vinca në shënjestër të organeve të Partisë. Kalvari i diferencimit. Mbledhjet,diskutimet, gazetat, etiketimet . . . Nënshkrues i Apelit të 215 intelektualëve shqiptarë, në vitin 1989 për mosndryshimin e Kushtetutës së ’74-s. 28 marsi i vitit 1989, ditën kur do të mbahej mbledhja e Kuvendit për ndryshimet kushtetuese. Marrja në pyetje 20 orë në organet e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë . . . 15 shtator 1991: Vendimi për largimin nga Universiteti i Prishtinës. I dhimbshëm pohimi i prof. Agim Vincës:” Ma ndaluan hyrjen në Fakultet plot tetë vjet, deri në vitin 1999, kur u kthyem sërish në shtëpinë tonë”. Burgosja në vitin 1996.

     I mbyll këto shënime me vargun e Agim Vincës shkruar në qeli, në burgun e Lipjanit:” Përleshjen fytas me një frymëzim rebel”. . . Është prap vonë kur dal në ballkon. Qetësi. Duket si prag gjumë i rrapeve. Vetëm unë jam i pagjumë. Rrëfimet e prof.Agim Vincës ma kanë prishur gjumin.

    Shënimi i fundit: Mesazhet e ligjërimit

    “Magjia e ligjërimit” nuk është libër i zakonshëm. Kjo jo vetëm që këtu ligjëron një nga personalitetet e shquara të kulturës dhe letrave shqipe, një figurë poliedrike, por edhe se përballë tij si njeri e studiues, kulturolog, poet, prozator, kushdo do ta kishte të vështirë ta zbërthente ose të futej në botën e madhe me emrin Agim Vinca. Është meritë e padiskutueshme e Miftar Kurtit, që me kulturë dhe mençuri, ka arritur të ketë në duart e tij jo një çelës, por disa çelësa. Mendoj se vetëm një njohës i mirë i botës së shumëfishtë të Agim Vincës, siç është Miftar Kurti, t’i çelë ato: portat e botës Agimvinciane.

    Ky libër me 305 faqe dhe shtatë kapituj (nuk e di kuptimin mistik të 7-s), për nga informacioni, idetë, rrugëtimi i gjatë në kohë dhe hapësirë, emrat marramendës të vendeve, njerëzve, që nga ata të zakonshmit deri te personalitetet e historisë, kulturës mbarëshqiptare, ballkanike, europiane e botërore, gjykimet e pjekura për fatet e shqiptarëve dhe e ardhmja e tyre etj.etj. janë aq të shumta, saqë rrinë ngushtë, shumë ngushtë ose ngjeshur në këto 305 faqe dhe shtatë kapituj.

    Ky është një libër ndryshe, siç shkruan në parathënie Miftar Kurti: “ Pretendimi im tashmë ishte që të bëja diçka ndryshe nga ç’kishin bërë të tjerët për profesorin (dhe mentorin) tim të nderuar. . . . Në këtë libër ka edhe letërsi (poezi e prozë), edhe shkencë, edhe publicistikë, ka edhe opinione për aktualitetin politik dhe historinë kombëtare, vlerësime për personalitete të ndryshme historike, për njerëz të artit dhe shkencës, shpalosje kujtimesh personale dhe shijesh estetike etj.”

     “Magjia e ligjërimit” e Agim Vincës, nga faqja në faqe, shpalos të vërteta dhe vetëm të vërteta. Kush e njeh nga afër njeriun dhe profesorin Agim Vinca, kur përfundon së lexuari këtë libër, preket dhe emocionohet nga rrëfimi i tij. Mendoj se nuk është e rastit, që pyetjes së Miftar Kurtit: “Si do të donit ta mbyllnim këtë intervistë, me ç’mesazh?”, Agim Vincës i pëlqen të citojë Albert Kamynë, një nga shkrimtarët më të shquar të shek.XX, njëherësh njeri nga shkrimtarët më të preferuar të tij:”Kush nuk i quan gjërat me emrin e vet, e rrit fatkeqësinë e botës!” Dhe kur M.Kurti pyet: “Ky është mesazh?”, Agim Vinca shton edhe një tjetër, duke perifrazuar poetin spanjoll Frederiko Garsia Lorka: “ Gjysmë buke dhe një libër, ky është mesazhi që dua t’u përcjell bashkëkombësve të mi, të rinj dhe të vjetër”.

     Lexoni, besoni, mësoni. Është libër i hapur, shkruan Miftar Kurti.

    Unë modestisht shkrova për këtë libër të hapur dhe të vërtetë, për “Magjinë e ligjërimit”, duke prekur shumë-shumë pak vlerat dhe personalitetin e Prof. Agim Vincës.

     Tiranë, dimër 2019-Vjeshtë e tretë 2021

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË