More
    KreuArte pamoreEnver Kushi: Albumi i Ali Dinos dhe një portret për Musa Demin

    Enver Kushi: Albumi i Ali Dinos dhe një portret për Musa Demin

    Tre Dinot e Prevezës

    Janë tre momente, që më kanë njohur me jetën dhe thellësinë e botës artistike të Dinove: Ali Dinos, Arif Dinos dhe Abedin Dinos (i riu). I pari është një shkrim i Ferid Hudhrit, “Piktorë shqiptarë që kanë punuar jashtë Atdheut”, botuar në gazetën “Drita”, më 2 shtator 1979. Në këtë shkrim shumë kurajoz për kohën, ku Dinot ishin anatemuar nga regjimi, jepen të dhëna për tre vëllezërit Dino, jetën e veprën e tyre.

    Tashmë Ferid Hudhri është një nga personalitetet e shquara të kulturës shqiptare, që me veprën e tij u ka bërë të njohur shqiptarëve e jo vetëm, trashëgiminë e tyre në fushën e arteve figurative e më gjerë.

    Në vitin 2007, botohet libri i studiuesit dhe shkrimtarit Luan Rama “Dino, Shtegtari i Portës Sublime”, që është ribotuar më i plotë në vitin 2017. Ky është një nga librat nga më të mirët për tri A-të e Prevezës, këta kolosë ende të panjohur ose të njohur pak në Shqipëri.

    Do të shtoja këtu edhe librin e Niko Stylos, studiues dhe shkrimtar, që është lindur dhe rritur në ato që quhen Çamofshatrat dhe që flet në dialektin e çamërishtes, “Preveziani Abedin Pashë Dino, poezitë e tij dhe Dinot e tjerë”. (Botimet “Pa kufij”, MÜLHEIM A.D.R. 2014). Nuk dua të lë pa përmendur edhe librin e Ahmet Mehmetit “Abedin Dino” (monografi), botim i “Onufrit”, 1998.

    E kam të vështirë t’u qasem këtyre kolosëve, që u përkasin edhe kulturës shqiptare, edhe asaj turke, greke apo franceze. Ata me talentin e tyre, u bënë ura të mëdha, ku kulturat bashkojnë, veçmas në Ballkanin tonë. I tillë është edhe Ali Dino (1890-1938), që siç ka shkruar Papantoniu, në nëntor të vitit 1938, në gazetën “Elefteria Vima”: “Ali Dino është një shqiptar, që dallohet nga aksenti i tij. Por përsa i përket të tjerave, ai është një artist internacional. Krijimet e tij e vendosin atë ndër karikaturistët më të mirë të Evropës” (cituar nga Luan Rama “Dino, Shtegtari i Portës Sublime”, f. 44).

    Ekspozitat

    Para se të shkruaj për albumin “Ali Dino” (greqisht “AΛH NTINO”), dua të jap disa të dhëna për ekspozitat e çelura në Prevezë dhe Athinë me karikaturat, vizatimet apo edhe skicat e pikturat e Ali Dinos. Sipas Niko Stylos, shumë prej karikaturave të tij u botuan pa marrë asnjë shpërblim, edhe te “Tribuna e Prevezës” të botuesit Nikita I. Çuçani. Ekspozita me dhjetëra karikatura me ngjyra dhe skica të tij, me temë nga jeta e Prevezës, ishte në atë kohë një ekspozim i përhershëm në uzerinë e Verikokaqit”.

    Luan Rama shkruan se “Në vitet ’20-’30, Ali Dino bashkëpunoi me revistat e gazetat më në zë të Greqisë, së “Proia” apo “Satanas”, “Flit”, “Fanos of Editors”, si dhe ekspozoi në disa ekspozita kolektive në Athinë e Selanik. Një ekspozitë vetjake e hapi në “Parnassos Hall” dhe një tjetër në “Stratigopoulos Gallery” f. 44. Ali Dino ishte në të njëjtën kohë në shoqërinë e mjeshtërve të tjerë të karikaturës, si: Spahis, Kostanaqis, Sofo, Mavriolakis, Nuar Geivelis, Bezos, Nomikos, Fokos Dhimitriadhis, Koronojanaqis etj. Sipas shkrimtarit francez, Pol Nor, mik i afërt i Ali Dinos, cituar nga Luan Rama, “humori i tij e zbukuronte vizatimin, madje e bënte të kënaqshëm dhe atë çka nuk ishte ashtu. Kështu protagonistët e vizatimeve të tij shkonin t’i shikonin ekspozitat dhe ndalonin para figurave të tyre që paraqiteshin atje duke qëndruar me orë të tëra…”.

    Në Athinë, në sallën e pallatit I. Mela, në bulevardin “Mbretëresha Sofia” nr. 4, prej datës 1-14 prill 1978 Abedin Dino (i riu), i vëllai i Ali Dinos, që në ato vite jetonte dhe punonte në Paris, çeli një ekspozitë me punimet e tij. Në të njëjtën sallë, Safet Dino, vajza e vetme e Ali Dinos, ekspozoi karikaturat dhe skicat politike për politikanët e periudhës 1928-1936, që i kishte botuar ai në gazetën “Mëngjesi”, si bashkëpunëtor i rregullt i saj. Duket që kjo ekspozitë është çelur në Athinë, në 40-vjetorin e vdekjes së Ali Dinos, falë Safet Dinos, bija e vetme e Aliut dhe gruas së tij, këngëtares lirike të Athinës, Alba Dino (Monti), me origjinë nga Triestja.

    Nuk do të ndalem në jetën e Ali Dinos, lindur dhe madhuar në Prevezë, nipi i Abedin Pashë Dinos dhe i biri i Rasih Dinos, shkollimin e tij në gjimnazin francez të Stambollit dhe më pas në Shkencat Politike të Universitetit të Sorbonës, zgjedhjen deputet në Parlamentin Grek, si përfaqësues i Çamërisë, vitet 1923-1925, vendosjen në Athinë, ku arriti të bëhet kryetar i Shoqatës “Bashkimi i Karikaturistëve” të Greqisë dhe një nga drejtuesit e Shoqatës “Bashkimi i Arteve të Bukura”. Ali Dino është në krye të emrave, si themelues i “Lidhjes Shqiptaro-Greke” (Athinë 1926), me këshillin, që përbëhej nga emra të njohur si, P. Karapano, N. Karvuni, A. Konduli, S. Loverdho, A.A. Palli dhe A. Sulioti. Lexoni librin e Luan Ramës e të Niko Stylos dhe do të njiheni me Dinot e mëdhenj të Prevezës.

    Albumi dhe portret i Musa Demit

    Albumi “AΛH NTINO” (Ali Dino) është botuar në vitin 1993, nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë të qytetit të Prevezës, Nikos Janulis dhe Bibliotekës Publike të qytetit. Në krye të ballinës është emri në greqisht dhe poshtë, në fund “ΔHMOΣ ПPEBEZAΣ”. Në faqen e brendshme: AΛH NTINO MПEH – ΣKITΣOΓPAႴOΣ (1890-1938) dhe në fund emblema e qytetit. Albumi ka 140 faqe. Shtatëmbëdhjetë faqet e para përmbajnë në greqisht dhe anglisht shkrime nga Nikos Janulis, Safet Dino-Mavromati, e bija e Ali Dinos, martuar në Prevezë me avokatin Theodhor Mavromati, parathënia e Kostas Mitropulos e më pas me shkrime të Alekos Lidorikis (1978), Selest Polikroniadi (1978), Jorgos Karacas (1978), Spiros Melas (1938), Pavlos Palaiologos (1978), Pol Nor, për t’u mbyllur me shkrimin më të gjatë të Zaharias Papantoniu, marrë nga gazeta “Elefthero Vima”, 8.11.1938. Papantoniu në këtë shkrim të gjatë shkruan: “Ali Dino, përshkruante në bisedat e tij zakonettradicionale të rajonit të Çamërisë. Siç janë ato, që lidhen edhe sot mne ceremoninë e dasmës”. Mes të tjerash, Kryetari i Bashkisë së Prevezës vlerëson, zonjën Safet Dino-Mavromati “Falenderojmë ngrohtësisht për ofrimin e saj të mirë, për Bashkinë e Qytetit të veprave të babait të saj”.

    Albumi përmban rreth 60 portrete, 35 karikatura, një cikël me kostume shqiptare. Siç shkruan Luan Rama, seria e skicave të tij nga Çamëria ishte jo vetëm me humor, por edhe me satirë sociale. Megjithëse ishte bej në origjinë, nuk nguronte të satirizonte edhe bejlerët e Çamërisë. Ali Dino tregoi në skicat e tij jetën e përditshme të shqiptarëve dhe të ballkanasve në përgjithësi dhe jetën social-politike greke. Është i njohur cikli i tij “Nostalgia of Arvanitis”, me një galeri të pafund personazhesh, që mbajnë gjurmët, koloritin dhe atmosferën e kohës… Ali Dino i vizatoi me dashuri vallet greke e shqiptare, vallet “çamiko” (cituar nga Luan Rama, f. 45-46).

    Vend të veçantë zënë në këtë album portretet, ku dallohen ato të politikanëve grekë dhe artistëve të kohës në Athinë. Do të veçoja portretet e familjarëve të tij: kemi 2 portrete të gruas Alba Dino (1926, 1927), të nënës Safet Dino (1937), të vëllait Arif Dino, të babait Rasih Dino, trajtuar me një sens të hollë humori, të Hysen Pashë Dinos.

     I veçantë është portreti i Musa Demit. Nuk është shkruar data, por vetëm emri i Musa Demit, ndryshe nga shumë të tjerë, ku krahas emrit, është edhe data se kur është realizuar portreti. Mendoj se nuk është e rastit që Ali Dino ka skicuar portretin e Musa Demit, një prej figurave të shquara të Çamërisë e jo vetëm. Po të lexoni monografinë e studiuesit të mirënjohur e të palodhur çam, Hajredin Isufi, do të bindeni se përse Dino e ka pikturuar me mjeshtëri dhe dashuri e respekt Musa Demin.

    Në skicën portret të Ali Dinos spikat menjëherë vështrimi i zgjuar dhe i matur i Musa Demit. Sytë e tij, disi të menduar, vështrojnë larg, shumë larg. Ai ka pozuar në Athinë, ndoshta pas takimeve të tij me politikanë grekë për gjendjen në Çamëri dhe të ardhmen e saj. Çfarë vështrojnë sytë e Musa Demit, të pikturuara nga Dino? Çfarë kanë biseduar ata para se ai të pozonte para patriotit të tij të talentuar, por edhe me vizion për të ardhmen e Çamërisë dhe përpjekjet për ta parë këtë krahinë shqiptare, edhe si urë bashkëpunimi e miqësie mes çamëve e grekëve? Ali Dino jetonte e punonte në Athinë. Ai kishte shumë miq nga elita intelektuale dhe krijuese greke. Me të drejtë, miku i tij, Pavlos Palaiologos, shkruan: “Pyesja veten se cila ishte ajo gjë e fuqishme dhe tërheqëse që ushtronte ky mysliman në Prevezë dhe që me sharmin e vet personal, kishte ditur të bënte për vete Athinën, si dhe Greqinë, duke u kthyer në një personazh social. Dhe e gjithë kjo ndodhte se ai ishte një artist karikaturist me një stil tejet origjinal…”.

    Edhe Musa Demi ishte një mendje e hapur. Në Filat e kudo, ai kishte miq të shumtë nga çamë të krishterë, grekë, vlleh. Dera e shtëpisë së tij ishte vazhdimisht e hapur. Ai ishte mbrojtës i flaktë i Çamërisë, i të drejtave të popullsisë çame ndaj veprimeve të disa “kokëndezurve”, siç do t’i quante Teodoros Pangallos veprimet e nacionalistëve ekstremistë grekë, por edhe me vizion për të ardhmen e saj. Portreti i Ali Dinos për Musa Demin flet shumë dhe është nga më të arrirët në krijimtarinë e Dinos, si mjeshtër edhe i portretit.

    Me botimin e këtij albumi, Preveza, qyteti i lindjes së Ali Dinos, ka nderuar emrin dhe veprën e këtij intelektuali, piktori dhe preveziani të madh, i dashuruar me aromat e detit Jon, erërat e veçanta të tij, si dhe me banorët e këtij qyteti të jashtëzakonshëm, ku çamë myslimanë e të krishterë, grekë e vlleh nuk i ka ndarë as xhamia e as kisha. Ai ishte nipi i atit të madh, Abedin Pashë Dinos, ku në një shkrim të botuar në “Kronika të Dodekanezit”, thuhet: “Lexonte sa Volterin, po aq edhe Xhelaledin Rumiun, sa Biblën, po aq edhe Kuranin, poetët klasikë, “Divanin”, po aq edhe filozofët grekë”.

    Tiranë, gusht 2025.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË