Njeriu do të vazhdoje të jetë masa e gjithçkaje
Shkenca, Racionalizmi, Teknologjitë Moderne, apo Kontradiktat e Shoqërisë dhe të vetë Ekzistencës, nuk do ta zhdukin dot kurrë domosdoshmërinë për Art dhe Bukuri. Sepse nevoja për Bukuri dhe Krijimtari, që e sendërton atë, janë të pandara nga Njeriu, i cili pa to, ndoshta s’kish për të dashur të jetojë më në këtë Botë. Njeriu ka etje për të Bukurën, e gjen dhe e pranon atë pa kurrfarë kushtesh. Po kështu ai e adhuron dhe i përulet Bukurisë me përgjërim, pa pyetur në është apo jo e dobishme, dhe se çfarë mund të blihet me të. Me “diktaturën” e saj magjike, ajo i dhuron Njeriut në mënyrë të plotë dhe të menjëhershme, njësinë e ndjenjës dhe të Idealit më suprem. Vendos paqen mes arsyes tokësore dhe arsyes shpirtërore hyjnore, hedh një urë nga ideali në jetë, dhe rrëzon një mur nga utopia në shoqëri, nga ideja në materie. Gjithmonë i veshur me histori, por i ngjashëm me vetveten, Arti Krijues mban gjallë përgjatë shekujve një ngadhënjim po aq të lartë sa vetë Njeriu. Një mozaik i Pompeit apo një Velázquez, një Rembrand apo një Cesanne, një Kubrick apo Tarkofski, një Antuan Arto apo një Samuel Becket, arrijnë të shprehin ngadhënjime të jashtëzakonshme të Unit Njerëzor, përmbi Perënditë shekullore që largohen përfundimisht… “Vetëm Arti, produkti i emocioneve tona, është në gjendje ta zëvendësojë Zotin” – shkruan Niçe tek, “Përtej së Mirës dhe të Keqes”. Dhe më tej vazhdon: “Vetëm si Fenomen Estetik, mund të justifikohet Ekzistenca Njerëzore, mbi këtë Planet …”. Arti është Feja e Re e epokës sonë, dhe Krijimtaria Artistike është Shkëndija Hyjnore brenda Njeriut. Sepse më shume sesa për Post-modernizëm dhe për Meta-modernizëm siç ka filluar të predikohet, më shume akoma kemi nevoje për Maksi-Humanizëm.
Vetëm Arti, në mënyrë krejt magjike, arrin të projektojë “subkoshiencën tonë individuale”, në atë që Jungu e quante “subkoshienca kolektive e një shoqërie”, dhe ta përmirësojë atë… Një lloj muzeu i madh mbikohor hyjnor, ato janë revelacion i fragmenteve të humbura, të harruara, apo të mohuara të gjenisë njerëzore, të bashkuara në një komunitet jashtë kohës dhe hapësirës, nga ekzistenca e tyre e pamposhtur. Secila kryevepër artistike është një purifikasion i botës, një koncentrim i natyrës dhe një filtrim i Vizionit Universal. Por mësimi i tyre i përbashkët është ai i vete ekzistencës së tyre. Dhe fitorja e Artistit mbi Skllavërinë e vet arrin në një zhvillim të pamasë, në atë të Artit përmbi fatin e Njerëzimit. Është jeta e përditshme në Tiranë apo kudo, ajo që na vë pranga skllavërie. Dhe një kryevepër artistike në radhë të parë, është thyerja e përditshme e këtyre prangave: mendore, shpirtërore apo kulturore. Ndoshta misioni më i madh i Artit është se ai arrin ta shkundë plotësisht pluhurin që jeta e përditshme hedh mbi Shpirtrat tanë… Arti nuk e çliron Njeriun vetëm nga të qenit një aksident i Universit... Ai përbën gjithashtu dhe shpirtin e së kaluarës mbikohore, ashtu si dhe çdo fe e vjetër ka qenë një shpirt i madh i botës tokësore. Arti siguron për “priftërinjtë” e tij thirrjen e thellë të mbikoshiencës humane për të braktisur perënditë, që tashmë kanë ikur pa kthim. Njeriu është e vetmja “kafshë” që e di se do të vdesë… Ndërsa Arti bëhet e vetmja përgjigje, ndaj këtij fakti të pashmangshëm të Njeriut. E vërteta më e madhe nuk është se na kanë vërtitur rastësisht mbi tokë. Por se nga ky burg ne shkulim nga vetvetja imazhe aq të fuqishme, sa ta mohojnë hiçin tonë në këtë botë lëvizëse. Arti merr trajta të ndryshme sipas kulturave, por ato i bashkon i njëjti princip sipëror. Arti përbën një mënyrë të tillë për Njeriun, për t’u treguar më i madh, se çdo gjë tjetër që e mban të Shtypur… Një përgjigje e shkëlqyer e Njeriut, dhe e Njerëzimit në tërësi, ndaj Gëlltitjes së Kohërave.
“Liria e vërtetë mund të arrihet vetëm nëpërmjet Edukimit Estetik. Dhe çelësi i Edukimit Estetik, është përjetimi në eksperiencë i së Bukurës”.Është pikërisht e bukura, forca vitale e trupit shoqëror. Pa Idenë e së Bukurës, edhe vetë Shkenca dhe Mendimi do të ishin një vulgaritet i llahtarshëm. Ashtu si dhe vete dimensioni i së Vërtetës, do të ishte një barrë e llahtarshme për t’u mbajtur nga Njeriu, pa dimensionin e Dashurisë… Për këtë arsye, jo vetëm në kuadrin e Individit, por edhe në kuadrin e shoqërisë, mund të themi me bindje se e bukura është një premtim për lumturinë. Tek Njeriu, dimensioni Etik është i lidhur ngushtë me dimensionin Estetik të tij. Në një kohë kur monopoli shpirtëror i shoqërisë shqiptare po brehet dhe po bëhet cope e çikë dhe njeriu po zhvishet nga humanizmi i tij më elementar. Dhe kur pothuajse po merr fund njëherë e përgjithmonë ideja e së Bukurës, e së Mirës dhe e së Vërtetës. Pra, në një kohë kur “relativizmi total” po kthehet në një diktaturë të pamëshirshme, që nga një kah tjetër nxit pikërisht uniformitetin ndjesor dhe atë intelektual, që duket se përkon sipas formulës cinike në një film legjendar të Luchino Viscont-it, “Il Gattopardo”: “Të ndryshojmë gjithçka, pikërisht për të mos ndryshuar asgjë”. Kjo është dhe deviza që klasa politike shqiptare ndoqi, menjëherë pas rënies së komunizmit…
Të pakët ishin ata që e kuptuan se në shume aspekte, më keq se edhe vete komunizmi, ishte “gropa” që komunizmi la pas. Por fakti që “gropa” që komunizmi la pas ishte më keq se edhe vetë komunizmi, nuk do të thotë aspak se zgjidhja ishte rikthimi prapë te komunizmi, siç arsyetonin disa me një logjike prej 6-vjeçari; apo dhe disa të tjerë që kishin pësuar simbiozën e kompleksit të “Makbethit”, çka do të thotë se ishin të zhytur aq shumë në padrejtësi dhe krim, saqë e kishin fare të pamundur të ndryshonin rrugë, edhe sikur të donin. Pra shkurt, fakti që gropa që komunizmi la pas ishte me keq se edhe vete komunizmi, nuk do të thoshte aspak se duhet të ktheheshim prapë tek komunizmi… !!!??? Zgjidhja me ideale do kishte qene që të mos kishte ekzistuar fare komunizmi. Sepse kështu nuk do të kishte ekzistuar fare as gropa që komunizmi la pas. Një “grope” apo “kazan”, ku dihet çmimi i gjithçkaje dhe vlera e asgjëje, në të cilat duket se nuk ekzistojnë më mendime, po veç opinione kalimtare; dhe ku ajo e vërteta e madhe dhe e patjetërsueshme nuk ekziston me, përveçse e copëzuar në të vërteta të vogla lokale, të vlefshme vetëm brenda një konteksti të caktuar njerëzor. A nuk duket kjo teksa skena jonë kinematografike dhe teatrore po përthith e shpreh gjithmonë e më shumë populizmin në art (një Pop Art banal turmash) që do të vrasë dhe atë që mbetet pas Njeriut: vete kujtesën e Vetëdijes Njerëzore. A nuk është një situatë po e tilla pra, që e hasim aktualisht në Shqipëri? Nevoja për Art dhe Kulturë, bëhet nevoja kryesore për ruajtjen e lirisë dhe dinjitetit njerëzor… Ndërsa vetë historia e Artit, bëhet historia e një çlirimi të madh, e një çlirimi akoma më të madh dhe më rrënjësor edhe se sa ai që shqiptaret përjetuan pas viteve ’90-të, ku si vemje të dala nga epruveta, përballuan diellin e kulturës kontemporane, pas rënies së “perdes së hekurt”.
Nevoja për Artin, për Bukurinë, për iluzionin është një kërkesë materiale e Ekstazës së instinktit të Dashurisë, e Erosit që i komunikohet Mendjes; është Bota e Artit si “një erotizëm i kamufluar apo sublimuar”, siç thoshte me buje Frojdi. Është në të njëjtën kohë dhe një Vërtetësi e pakapshme dhe e çuditshme që buron prej intuitës pamore të realitetit…Urrejtje, dashuri, ndjeshmëri, kotësi, krenari, përulje, respekt, shtysa që gllabërojnë gjithë të tjerat, në një metamorfoze të përjetshme… Pikërisht për shkak të këtij karakteri gjysmë demoniak të artit, të gjitha sistemet politiko-shoqërore, në të gjitha kohërat, janë munduar ta mbajnë nën kontroll Zhvillimin Artistik të një shoqërie, në mënyrë të hapur ose jo …
Ky është një proces që nuk mund të pikaset lehtë dhe që zhvillohet i paprerë, i ftohtë, i tmerrshëm edhe në vendin tone, në artin tone, kaq mirë i fshehur pas aparencës së normales, së përditshmes, së zakonshmes. Dhe pikërisht syri ynë i verbuar prej rrjedhës së ngjarjeve të përditshme, i lodhur dhe i rraskapitur prej bombardimit të vazhdueshëm mediatik dhe imazhit të ndotur filmik dhe skenik, tregon qartë se ajo që ndot më shumë se smogu mbytës në shoqërinë tonë periferike, është pikërisht imazhi dhe fjala. Individi e ka të pamundur ta pikase dhe ta zbulojë, ta lexoje dhe ta kuptojë dhe më në fund të reagojë. Pikërisht, për këtë të vërtetë tronditëse, për këtë gangrenë që po përparon dhe po përfshin tërë trupin shoqëror, këtë gangrenë, e cila është shfaqur në formën e një sistemi të menduar në mënyrë gjeniale… Dhe që ka si qëllim të paralizojë kokën e trupit shoqëror, të shtypë mendimin e tij, pra Artin dhe Kulturën. Dyshoj se kjo po ndodh në bashkësinë e artistëve dhe kulturbërësve tanë. Po mundohemi që të rizgjojmë një vetëdije, që është mbi të gjitha një qëndrim mbi gjendjen njerëzore, që shpreh gjithashtu dhe një qëndrim mbi gjendjen e Njeriut dhe Njerëzimit në tërësi …
Mbi mjetet e reja të shtypjes dhe të skllavërimit në shoqërinë e kohës sonë
Unë, si qytetar i një demokracie liberale, ka kohë që po i përjetoj pasojat që po sjell kultura e Tregut të Lirë dhe ajo e Pop Artit në Shqipëri. Mjetet që ky Sistem i ri Shtypjeje po përdor, nuk kanë asgjë të përbashkët me mjetet që kanë përdorur dikur sistemet e kaluara dhe regjimet e mëparshme politike, ekonomike apo dhe fetare e teokratike, për të sunduar sa me gjatë, dhe në një mënyrë sa me Absolute. Po ashtu edhe mjetet që ky sistem i ri shtypje po përdor për të arritur triumfin e tij të përbotshëm. Nuk kanë asgjë të përbashkët me sistemet e vjetra dhe me mjetet që ato kanë përdorur dikur për të sunduar trupat dhe mendjet njerëzore të dikurshme…
Që në fillimet e historisë njerëzore, kur shoqëria filloi të organizohej dhe të ndërtonte sisteme dhe hierarki, dhuna brutale, e fshehur ose jo, shtypja direkte apo indirekte, kanë qenë mjetet kryesore për ruajtjen e hegjemonisë së një klase të caktuar. Shqipëria pati fatkeqësinë e madhe që t’i caktohej pjesëmarrja në boshtin komunist, pra brenda “perdes së hekurt”.
Për 50-vjet me radhë u praktikuan modelet artistike ruso-kineze. Madje që në fillim roli i Artistit u parapa thjesht si një vegël në duart e Partisë në Pushtet, duke i dhënë kështu pushtetit komunist mundësinë që përveç policisë se zakonshme, e cila kontrollonte sjelljet e njerëzve, të arrinte të ngrinte në këmbë edhe një polici tjetër, akoma dhe me të tmerrshme, tashme me qëllimin për të kontrolluar shpirtrat, mendjet dhe zemrat e njerëzve. Dhe për këtë arsye u duhej Arti, një mënyre gjeniale për të indoktrinuar dhe kontrolluar mendjet dhe shpirtrat e individëve. Ai u kthye në ndihmësin e pare të shtetit dhe pushtetit, në edukimin dhe indoktrinimin komunist të njerëzve. Arti u instrumentalizua, u thye, iu hoq shpirti dhe fryma kontestuese, efekti shërues dhe çlirimi i energjisë së ndrydhur tek ata që e shijonin dhe e konsumonin. Po t’i biem shkurt, Arti u zhvesh nga dimensioni i tij Hyjnor. Ai u kthye në një skllav të shtetit dhe pushtetit. Nuk ishin të paket ata intelektuale shqiptare, që me shume të drejte vendosen ti ri-bënin nga e para shkollat e tyre. Sepse njohuritë dhe dijet që kishin marre në shkollat dhe universitetet që kishin bërë, kishin patur një qellim të vetëm, Kontrollin dhe Indoktrinimin.
Kur themi shtypje e hapur, kemi parasysh makinerinë që fabrikon dhunën dhe censurën e hapur me mjetet e saj të njohura, si ushtria, policia, burgu, tortura, d.m.th shtrëngimi, që detyron masën më të madhe të trupit shoqëror drejt nënshtrimit pa kushte dhe të plotë. Demokracia liberale dhe Tregu i Lire, sot në Shqipëri po përpiqen për të arritur të njëjtin nënshtrim por ndryshe nga çka ndodhur dikur, këtë nënshtrim po e arrin nëpërmjet zhveshjes së ndërgjegjes njerëzore nga aktiviteti i saj i zakonshëm…!!!???
Ky mekanizëm i ri shtypjeje ka gjetur si mjetin më të përshtatshëm Artin dhe Kulturën, sidomos artin vizual dhe atë skenik. Po njësoj me Kinemanë dhe Teatrin dhe forcën e tyre të madhe sugjestive të Imazhit dhe Veprimit. Përkufizimi më i thjeshtë që mund t’i bëjmë Artit dhe Kulturës është që ta quajmë si mendimin, si kokën e trupit shoqëror. Trupi shoqëror e shfaq mendimin e tij nëpërmjet Artit dhe Kulturës, ashtu sikurse secili nga ne e shfaq mendimin e tij duke u shprehur. Pushtetet e ndryshme vazhdimisht e kanë ndarë trupin shoqëror nga kultura, ashtu sikurse fetë e ndryshme kanë ndarë trupin nga shpirti. Sepse vendi i bashkimit të këtyre të dyjave duhet të jetë vendi, ku duhet të mbërthejë tentakulat e veta çdo pushtet, për të qenë sa më jetëgjatë dhe sa më absolut. Ky vend tek gjithsecili prej nesh është vendi i lirisë për t’u shprehur, vendi ku ne mendojmë lirisht. Sisteme gjithfarësh kanë tentuar ta kontrollojnë lirinë deri tani me anë të censurës, të fshehur ose jo, dhe me mjetet e dhunës së hapur, që e mbështesin këtë censurë. Qëllimi suprem ka qenë që duke kufizuar shprehjen e lire, të kufizohej mendimi, por fatkeqësisht, kjo lloj censure e ka një kufi. Ajo nuk mund t’i arrijë hapësirat e thella të ndërgjegjes së njeriut. Është e qartë se ajo që duhet kontrolluar në të vërtetë, është hapësira e brendshme, ku ne mendojmë lirisht.
Pushteti i ri i Tregut të Lirë në Shqipëri ashtu si kudo, ka marrë përsipër jo vetëm ta kontrollojë atë, por edhe ta shkatërrojë plotësisht, sepse ai nuk ushqen më asnjë iluzion mbi efikasitetin e kontrollit me mënyrat e vjetra. Për t’ia arritur kësaj, ai ka ndërtuar një makinë ideologjike që ndikon mbi mendësitë e njerëzve. Kështu që në mënyrë krejt të paperceptueshme dhe të pakuptueshme, t’i transformojë ato së brendshmi, deri dhe në vetë sjelljet e tyre me intime. Bëhet fjalë pra, për t’i çuar ata (d.m.th.. njerëzit), drejt një aderimi dhe miratimi gjoja me konsensus demokratik, që do të shkatërronte çdo lloj kundërshtimi dhe oponence. Këtë mënyrë skllavërimi, këtë shpikje që duhet ta pranojmë thjesht si gjeniale, Tregu i “Lire” e ka gjetur të gatshëm tek Feja. Por me ndryshimin se feja mundohej ta mbushte pozitivisht hapësirën mendore dhe shpirtërore, kurse Tregut të “Lire”, përkundrazi, i nevojitet të ngjizë aty një zbrazësi negative. Frymëzimi më i lartë fetar është se arriti ta impononte shprehjen e besimit, si një ide të brendshme të njeriut, të vetme dhe të patjetërsueshme, që vinte nga bota vetjake, personaliteti dhe mendimi alternativ, i pavarur dhe individual.
Sundimi i Tregut të “Lirë” është krejt tjetër gjë, megjithëse synon të njëjtin nënshtrim, madje akoma më të plotë. Qëllimi është që t’ia nënshtrojë çdo gjë humane, ligjeve të ekonomisë së Tregut të “Lire”. Për të bërë të mundur këtë sundim të ri, ai nuk mund t’i drejtohet për ndihmë as pushtetit të fesë, dhe as ndonjë prej pushteteve të tjera pak a shumë okulte, që kanë vepruar prej shekujsh. Sepse altari i Tregut të “Lire” me zot Paranë, është një kundërshtim total jo vetëm i ndjenjave fetare, por i çdo lloj ndjenjë tjetër që na bën ta meritojmë dhe ta ndjejmë deri në palce emrin Njeri… Parimet e kulturës bashkëkohore Post-Moderne, janë kthyer në një prej miteve qendrore të një anti-kulture që po udhëheq një dehumanizim të ri, po aq brutal sa dhe ai komunist. Vetëm se në regjimet komuniste, si për shembull ai i Koresë se Veriut sot, qëllimi final është përjetësimi i regjimit në vetvete, edhe duke shkelur mbi kufoma. Regjimit të Tregut të Lire nuk i intereson aspak ti ktheje njerëzit në kufoma… I intereson vetëm t’i ktheje në një lloj zombi që vegjeton, konsumon dhe gjeneron para… Paraja është kthyer në gjeneratorin simbolik të çdo vlere humane… Dhe nuk është aspak diçka e re sepse shumë kohë më parë Niçe më shume zgjuarsi kishte shkruar: “Kur bëhet fjala për Para, të gjitha Qytetërimet, në të gjitha Koherat, kanë të njëjtën Fe.”
Pushteti i ri i Tregut të “Lire”, e di nga Historia Komuniste, se propaganda është e pa aftë që t’i japë një miratim të pakundërshtueshëm, përveç zëvendësimit të një opinioni me një opinion tjetër. Miratimi i përsosur që i duhet atij, nuk mund të dalë veçse nga zëvendësimi i mendimit të pavarur dhe individual me një sistem të jashtëm, por të asimiluar aq mire, sa të japë iluzionin se ka dalë nga mendësia e brendshme e individit. Në një shoqëri ku “Zoti ka Vdekur”, kultura e Pop Artit po vret edhe vete Njeriun... Vetëm duke abstraguar pak dhe duke e kthyer lupën e vlerësimit edhe në vendin tone, gjithçka duket e qarte. Në një kohë kur ideologjia dhe doktrinat rekrutuese kane reshtur së dhëni idenë dominuese në shoqëri, vendin e lënë bosh e kanë zënë aktivitetet kulturore masive. Performanca të ndryshme artistike krejt të pavlera dhe shfaqje teatrore krejtësisht mediokre i sheh kudo në skena, performime televizive, ato kulturore në sheshe etj. Kjo shihet madje edhe tek ato institucione prestigjioze, ku shfaqje meskine paraqiten si kryevepra dhe arritje të padiskutueshme, me mbivlerësime të qëllimta, krejtësisht klienteliste. Spektatori nuk e merr dot vlerësimin serioz për shfaqjet, ekspozitat, veprat letrare. Kritika mungon, është e korruptuar. Kurse kinematografia, nga ana e saj, e tejkalon akoma dhe më shumë këtë kut matës, duke financuar “filma” me deficenca dhe amatorizma të llahtarshme në të gjitha drejtimet… Dhe kështu të gjitha këto ”produkte artistike” duket se janë bere pjesë e atij organizimi të stërmadh që përhap Vdekjen Mendore. Ishte pikërisht ky efikasitet monstruoz, i cili bëri që Tregu i Lirë ta vlerësonte shumë shpejt kulturën dhe artet, por në mënyrën e tij, pra në atë të kthimit të tyre në një mall, nëpërmjet mbërthimit nga një sistem, që i siguron kontrollin mbi to…
Nën lustrën e një kulture të lirë dhe universale, s’bëhet fjalë veçse për të, ”tregun e lire” që ai të pushtojë njëkohësisht tërësinë e skenës kulturore, qoftë të filmit apo të artit shqiptar, të performancave dhe festivaleve, por dhe tërësinë e hapësirës mendore të aktorëve kulturorë dhe socialë, të kthyer në konsumatorë të thjeshtë. Mekanizmi i këtij transformimi që tani vepron lirisht në Shqipëri, është kaq i thjeshtë në parimin e tij dhe kaq i përditshëm në ushtrimin e tij, saqë ai mbetet i padukshëm tamam në momentin që hyn në veprim. Shumë thjesht fenomenin mund ta përmbledhim në këtë mënyrë: Çdo akt kulturor, që prej riteve pagane, ka kërkuar një farë përpjekje, përpjekjen për t’u kuptuar, për t’u aftësuar, për të dëgjuar. Kjo ka përftuar një lëvizje të brendshme, e cila të çonte tek ndërshkëmbimi dhe kënaqësia, tek Katarsisi Shpirtëror dhe ai Psikologjik. Përkundrazi, konsumi shpirtëror nuk kërkon veçse pasivitet. Vendin e veprimtarisë mendore në shumëçka e ka zëne spektakli, telenovela, talk-show, një veprimtari që pushton ekranet shqiptare sot. Një lloj “strategjie” kulturore, që s’është gjë tjetër veçse propagande dhe që arrin pak e nga pak ta dekurajojë meditimin, në përfitim të një oreksi që ushqehet me non-sensin e tij. Mjafton të ulesh përpara ekranit të një televizori dhe krejt natyrshëm ajo çka sheh, të tërheq me lëvizjen dhe figurën dhe bëhet mendimi yt. Në kinematografinë tone, dhe jo vetëm në kinematografinë tonë, ekziston një problem kyç dhe auto – vrastar në thelb. “Mesazhin e Filmit nuk e bën më dhënësi, por është pikërisht marrësi ai që vendos gjithçka, duke u imponuar te spektatori me pushtetin e vet të komercit dhe të ligjeve që diktohen nga pushtetit i Tregut të “Lire ” …
Filma dhe seriale filmike të glorifikuar, reklamuar dhe transmetuar nga kanalet televizive me prestigjioze që ne kemi, si për shembull “Snob” apo “Hot”, apo dhe me keq akoma si “Ndërkombëtarët” apo ”Bota”, bashke me lloj-lloj maskaradash të tjera filmike dhe teatrore, fyejnë vetë gjenezën e Artit të Kinematografisë dhe Teatrit. Amatorizma ulëritëse, meskinitete të llahtarshme dhe mediokritete nga me elementaret. Në Universitetin e Arteve, studenteve që në vit të dyte ju mësohet se në Film dhe Teatër është “Konflikti ai që duhet ta tregoje Historinë”.Arsyeja kryesore perse Arti i Dramaturgjisë dhe Arti i shkrimit të një Skenari Filmik konsiderohet si gjinia më e vështirë e Artit, është pikërisht sepse autori në Film apo Teatër, në ndryshim nga gjinitë e tjera letrare, nuk e ka në dore ta tregojë historinë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në Film dhe Teatër, skenaristi dhe dramaturgu, “historinë duhet ta tregoje përmes konfliktit”. Pra, në një mënyrë të tërthortë dhe indirekte. Po ashtu, një nga elementet më të rëndësishëm të Artit të Dramaturgjisë dhe të Teorisë së Dramës, është pikërisht dhe ai që quhet ”reaksioni zinxhir”. Në Kinema dhe Teatër “Është zhvillimi i brendshëm i personazheve, ai që duhet të çoje përpara konfliktin dramaturgjik. Dhe anasjelltas, është konflikti dramaturgjik, ai që duhet të çojë përpara zhvillimin e brendshëm të personazheve”. Ata që nuk janë profesioniste të fushës, i perceptojnë si filma ku është e pamundur të kuptohet ngjarja, pra çfarë po ndodh realisht, dhe jo me përmes tij të bëhet fjalë që të përftohet ndonjë ndjesi estetike apo të lëvrohet ndonjë mesazh konkret. Por siç thamë me lart, ata që nuk janë profesioniste të fushës, nuk e dine se kjo vjen si pasoje e mos respektimit të një prej elementeve me kyç të Teorisë se Dramës dhe që quhet “Reaksioni Zinxhir”. Amatorizmi që shpesh vëmë re në shume filma të financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, nga vitet dy mije e këtej, është shpesh here ofendues. Kultura televizive e klipeve dhe videove muzikore, e miseve dhe telenovelave, apo dhe e emisioneve të tilla si “Përputhen” apo të ngjashme me këto, ajo që promovohet është një lloj i çuditshëm uniformiteti dhe konformizmi. Adoleshentet mësohen kështu se si të ndjejnë, si të perceptojnë dhe si të veprojnë të gjithë njësoj. Apo, me keq akoma, të mos flasim për fenomenin “e madh” Big Brother, ku ajo që nxitet dhe amplifikohet, është pikërisht një lloj pornografie shpirtërore, që në shume aspekte, është dhe më e dëmshme dhe më denigruese edhe se sa vete “pornografia trupore”. Këto janë disa nga gropat më flagrante të mungesës se ideve, vizionit, dhe profesionalizmit në labirintin kulturor shqiptar …
Barbaria arrin të pushtojë Kulturën dhe të ekzekutojë Artin. Nën hijen e këtij mendimi të madh, Padija sa vjen dhe rritet, ashtu sikurse edhe Verbëria. Kur nuk është Identiteti Kulturor, ai që e fut Individin brenda përkatësisë së tij kolektive dhe e privon nga çdo lloj hapje ndaj dyshimit, ironisë, arsyes, dhe intelektit; kur ndaj gjithçkaje që do të mund të na shkëpuste nga të qenit jo turma, por vetvetja; kur jo bashkësia, por Njeriu me atë Shpirtin dhe Imagjinatën e tij të pafund, atëherë cila është?! Mund të pohohet qarte se e gjitha kjo s’është veçse industria e argëtimit, kjo krijesë e epokës së teknikës, e cila i katandis veprat tona të Artit, të Filmit, të Teatrit, të Pikturës, të Muzikës në stoli kallpe. Dhe jeta e mendimit në Shqipëri ia lëshon në këtë mënyrë butësisht vendin ballafaqimit qesharak dhe të tmerrshëm midis mediokrit dhe konsumatorit, apo më mirë të themi, të “Zombit Konsumist”.
Pas viteve 90-te, kur u duk se teknika nëpërmjet rrjeteve të kompjuterit dhe hapjes së televizioneve mundi t’i fusë të gjitha prurjet dhe dijet në një vatër, logjika e konsumit e shkatërroi kulturën. Fjala mbetet vetëm e zbrazur nga çdo ide formuese, nga hapja ndaj botës, Kulturës, dhe përkujdesjes ndaj Shpirtrave. Tashmë në Shqipëri, ashtu si kudo, është Parimi i Kënaqësisë, “formë post-moderne e interesit vetjak” ai që sundon dhe udhëheq jetën shpirtërore të të rinjve, këtu dhe kudo në botë. Nuk është fjala për t’i bërë njerëzit subjekte të pavarura, porse për të kënaqur ëndjet e çastit. Shkurt, duke harruar se liria është diçka ndryshe nga mundësia e ndërrimit të çdo lloj kanali mediatik, ndërsa vetë kultura shume më tepër se sa një kënaqësi impulsesh. Injoranca bën që edhe vetë “Parimi i Kënaqësisë” të mos njihet, ose të njihet në një mënyrë dhe formë të alienizuar dhe qesharake trutharësh (shume larg mistereve të dikurshme “Eleussine”, “Orfeike”, apo “Dionisake” si Perëndia e dikurshme e Artit). Me tej, të mos njihen misteret e famshme të Faustit në “Natën e Valpugrës”. Edhe vetë elita krijuese gjithashtu, po ndihmon akoma me shumë çoroditjen me krijimtarinë e saj shterpë ndërsa vetë strateget e artit e shmangin thelbin e problemit. Ndoshta është e kotë të vëmë kujën, ndoshta dobësimi i vullnetit nuk është diçka krejt katastrofike. Por ama përgatit një gjini njerëzore të nënshtruar dhe të alienizuar, qesharake e trutharësh. Kjo nuk paralajmëron aspak ringritjen e një Totalitarizmi të Ri. Përkundrazi, apatia e shkujdesur përfaqëson një ledh mbrojtës ndaj përpëlitjeve të radikalizmit të kaluar dhe paranojës se para viteve ’90-të.
Dikur i Verbër ndaj Totalitarizmit, tani Mendimi është Verbuar Krejtësisht.
Tashme është “Syri Magjik” i “Vëllait të Madh” ky model i hibridizuar i instalacionit kulturor mediatik global, që shërben si mjet dhe si argument për zhdukjen e kulturës. Ndërhyrjen brutale të pushtetit në jetën private e përligj agresioni i hareshëm i muzikës së tipit BBF, dhe ai i reklamës dhe telenovelave. Kazermimi i detyruar i masave na bën t’i shohim dilemat e individit të kapluara nga gjithçka dhe asgjë. Liria është e pamundur për të Paditurin. Nuk mund të lindësh individ, por duhet të bëhesh i tillë, duke kapërcyer pështjellimin e dëshirave, ngushtësinë e interesit vetjak dhe tiraninë e ideve të huazuara. Përkundrazi, ideja e konsumit në Shqipëri është se liria dhe kultura vijnë si pasojë e plotësimit të nevojave. Dhe këtë barbarizëm nuk ngurrojnë ta propagandojnë dhe shume shfaqje televizive, filma, që me tepër se vepra të mirëfillta arti, qofte me një regjisurë dhe dramaturgji të fuqishme, mbeten reportazhe përshkruese të realitetit, vështrime mbi realitetin, por gjithsesi të Verbëta. “Sytë janë të padobishëm, në qoftë se Mendja është e Verbër” – thoshte Gandi. Filmi në formë reportazhi përshkues, është pa të ardhme dhe i sipërfaqshëm. Atij para së gjithash, i duhen abstraksionet, idetë, problemet, pyetjet, utopitë, teoritë, ëndrrat, hipotezat, që të çojnë tek lufta mendore dhe dramat intelektuale, në sfondin e ngjarjeve të përditshme…
Veprimtaria mendore e shoqërisë gjithkund përpunohet në “një zonë neutrale eklektizmi individual”, por kurrsesi brenda mureve të shkollës. Por si mund të zgjidhet kjo kontradiktë? Akademikët dhe administratoret tanë reformatorë, me në krye pushtetarët e filmit dhe teatrit e kane gjetur përmes modernizimit të shkollës. Ata afrojnë formimin intelektual me konsumin, futjen masive të kompjuterëve nëpër klasa, për t’i mësuar nxënësit me seriozitetin e teknikës. Dhe arrihet deri aty sa të zëvendësohen tekstet e historisë, e shkencave humane dhe e lëndëve kryesore, me muzikën që nxënësit dëgjojnë me celular në vesh. Pak rëndësi ka se intelekti që zhvillohet kësisoj i përket rendit të Manipulimit, dhe jo atij të Mendimit. Nëpërmjet një kulture konsumi gjithnjë e më efikase, dhe një konsumi gjithnjë e më të larmishëm, në Epokën Tonë Utilitarizmi po arrin ta zëvendësoje plotësisht Humanizmin.
Në qoftë se kultura është tërësia e qëndrimeve, e teknikave, e zakoneve dhe e vlerave që përcaktojnë tablonë e identitetit të një grupi, atëherë sot tallavaja, teknoja, dhe popi banal përbën kulturën e të rinjve tanë. Një gjë është e qartë, kultura në kuptimin klasik duke qenë e bazuar të fjala, ka dizavantazhin e dyfishtë që i mplak individët, duke i pajisur me një kujtesë që i kalon caqet e biografisë së tyre, ngaqë i detyron të ekzistojnë si personazhe të veçantë. Nëpërmjet shkatërrimit të gjuhës, ajo që sot quhet muzike e zhbën këtë mallkim. Ajo arrin ta zhduke ngrohtësinë e shkrirjes me njëri-tjetrin, zënë vendin e bisedës, kësaj marrëveshjeje qeniesh të ndara, ashtu si në ekstazë ”uni” tretet tek Njeriu. Në Shqipëri tashmë si gjithkund, dhjetëra filma, radio dhe teatro, këndojnë të gjithë me të njëjtën melodi: heqje qafe e bisedës…
Por ajo që shënon revolucionin e madh të epokës Post-Komuniste në Shqipëri, dhe që tregon një rënie dhe mjerim intelektual, është evidentuar shumë mirë prej Frederico Fellini-t, shumë kohë më parë me një farë çudie: “Sot nuk janë më adoleshentët që për t’u arratisur prej botës që i rrethon, strehohen në identitetin e tyre kolektiv. Sot është vetë bota që rend pas adoleshencës përhumbtazi. Vras mendjen për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në një moment të dhënë, çfarë lloj mallkimi ka goditur brezin tonë që krejt papritur, ka filluar t’i shikojë njëzetvjeçarët mbartës të kushedi se çfarë të vërtetash absolute”. Në të vërtetë çfarë ka ndodhur vallë? Sado enigmatik është deliri që ne po konstatojmë, me një formë dhe një vrull tipik shqiptar, ky delir nuk ka dale aspak nga hiçi …
Procesi i konvertimit drejt hedonizmit të konsumit, i vënë në lëvizje nga futja e Idesë Perëndimore, pas një diktature aq rraskapitëse, arrin në Shqipëri sot kulmin me idhujtarinë e vlerave rinore false. Intelektuali vdiq, rroftë adoleshenti! I pari flijonte kënaqësitë e të jetuarit për hir të akumulimit të pasurive mendore sipas formulës “pamja morale, përmbi qenien njerëzore”. Kurse tjetri, përballë ngurtësisë së sistemit, rendit moral, dhe kërkesave të mendimit, dëshiron para së gjithash të shlodhet, të argëtohet, të çlirohet përmes zbavitjeve. Prandaj dhe industria dhe sistemi kulturor i transplantuar shqiptar, gjen te ai formën njerëzore që përputhet më së miri me thelbin e tij …
Kjo nuk do të thotë se është adoleshenca mosha më e bukur e jetës më në fund… Sepse përpara viteve 90, të mohuar si popull, sot mohohemi pikërisht si individë. Kjo mesa duket behet me qëllimin që të përjetësohet ky lloj konformizmi, dhe që askush të mos arrijë të thotë: “Unë jam 20 vjeç, kjo është bota që më rrethon, por jo qenia ime, nga e cila askush nuk do të mund të më privojë dot duke më përpunuar”. Dhe të rinjtë, krejtësisht jashtë realitetit që konceptojnë në mënyrë të cekët drejtoret e teatrove, drejtorët e mediave apo profesorët e fakultetit, janë aq pak të prirur për të dalë përmbi grupmoshën e tyre, sa më shumë që praktikat e të rriturve për t’u bërë të disponueshëm prej të rinjve, i hyjnë në praktikë një kure de-intelektualizimi. Kësisoj, arrihet sa që dhe Kryeveprat e Artit dhe Teatrit Botëror diktohen të jenë të disponueshme “në formë të shkurtër artistike” të klipit kulturor. Për ta përligjur këtë ”rinim” të përgjithshëm të sforcuar dhe këtë ngadhënjim të përllogaritjes ndaj mendimit, zihet në gojë zakonisht argumenti i efikasitetit dhe mbushjes së sallave. Në kulmin e periudhës së të qenit për vetveten nga ana e krijuesit rinor, të perdeve të mbyllura, të ngujimit brenda sferës private (e tmerrshme ta mendosh), pedagogët sugjerojnë kompromisin duke kompromentuar gjithçka. Pra në këtë mënyrë barbaria arrin të pushtoje Kulturën dhe Artin, kurse industria e argëtimit, krijesë e epokës së teknikës, i katandis veprat e shpirtit në stoli kallpe. Dhe kështu jeta e mendimit është kthyer në një ballafaqim qesharak midis Zombit Konsumist dhe Zombit Intelektual.
Disa kohë më parë m’u kujtua legjenda e Diogjenit, që me fener të ndezur nën diellin e Athinës, kur e pyesnin: “Çfarë po kërkon? Përgjigjej: Po kërkoj “Njeriun”. Dhe papritur mendova se kjo legjendë cinike shfaqet tashmë si hije mbi aktivitetet kulturore, përmes të drejtës së Jetës dhe Vdekjes. Artistët e vërtetë, që për fat të keq mungojnë në Shqipëri, regjisorët e filmit dhe teatrit, të frymëzuar nga ligjet e poezisë dhe të udhëhequr nga e vërteta, mund të na bënin të ndienim ligjet e gjithësisë, të arrinim idealin dhe harmoninë me sublime. Duke organizuar format dhe objektet, një regjisor i mirë arrin të ndërtoje një botë, e cila na shfaqet si krijimi i pastër i shpirtit dhe i mendimit të tij. Përmes formave, objekteve, mendimit, ai godet intensivisht shqisat dhe ndjenjat tona duke provokuar emocione shpirtërore përmes raporteve që krijon, arrin të rizgjojë tek ne ndjenja të fuqishme që arrijnë të na bëjnë jo vetëm pjesë të botës mbarë, por edhe pjesë të një Universi Magjik dhe Fantastik, dhe në të njëjtën kohe, akoma dhe me real dhe se sa vete realiteti. Po a behet një gjë e tille nga regjisoret tanë? Dyshoj, se jo. A arrijnë ata në atë çka duhet të jetë synimi i tyre, duke stimuluar tek ne të tjera frekuenca dhe dimensione të shpirtit dhe të zemrës. “Arti gjendet kudo ne natyrë – thotë Picasso – por vetëm Artistët, janë në gjendje ta dallojnë Atë.” Nga njëra anë, Pushteti i Dhunës kishte dikur si provë të cilësisë së tij absolute të drejtën për të dënuar me Vdekje. Kurse Pushteti i Medias, kultura e konsumit, Arti i Imazhit dhe Skenës, po vendos sot një absolut tjetër që po bëhet prova e tij universale. Kjo është e drejta për të shpërndarë Vdekjen Mendore …
Imazhi dhe figura janë xhelatë të njerëzishëm, të cilët të nxjerrin sytë e mendjes pa të nxjerrë sytë fizikë. Konsumatorët trutharë të demokracisë janë shumë më rentabël edhe sesa kufomat e mesjetës, edhe sesa viktimat e komunizmit, pasi ata janë shërbyes dhe (mbi të gjitha) konsumatorë të përkryer. Kësodore po e përsërisim se nga pikëpamja e filozofisë së ”Tregut të Lirë” kjo është shumë e shume herë më e dobishme dhe efikase. Dhe për ta mbyllur, pa dashur t’i futemi ekonomisë politike, gjë që në këtë rast do jetë e nevojshme ta bëjmë më vonë, edhe vetë ideja e Tregut të ”Lirë” është totalisht një Mit dhe një Iluzion. Tregu funksionon në bazë të rregullave dhe ligjeve, dhe rregullat dhe ligjet favorizojnë njërën palë ose palën tjetër.
“Me punën që bëj unë rrezikoj jetën” i shkruante Van Gogh-u të vëllait, Theo-s. Sa larg qëndron ky koncept kreativ nga mendësia e sotme e krijuesve tanë dhe aspiratat krijuese të studentëve… M’u kujtua në një moment të tillë dëshpërimi ky moment vetëmohimi, sepse është shkalla e rrezikshmërisë me të cilën mendon dhe vepron njeriu me vetveten dhe të tjerët, e vetmja njësi matëse e çdo vlere madhështie. Vetëm ai që futet në lojën fisnike të Mendimit dhe të Veprimit, vetëm ai që rrezikon gjithçka ose asgjë, mund të fitojë Pafundësinë. Vetëm ai që vë në rrezik jetën shpirtërore dhe mendore, mund t’i japë me forcën e tij të vogël tokësore Vlera Pafundësisë… Dhe një akt i tille fisnik dhe i mençur mund ta shpëtojë Artin, këtë Muze të mrekullueshëm mijëravjeçar që kërcënohet, në mos nga zhdukja totale, nga Tjetërsimi më Total …
“Fiat Veritas, Pereat Vita”. Le të shkëlqejë e Vërteta, pa le të shuhet Jeta. Mund të sakrifikohet Jeta, mjaft të realizohet e Vërteta. Pasioni është më i madh se vetë Jeta. Më e madhe se vetë Njeriu është Ideja e tij. Të gjithë ndoshta dëshirojmë më shumë fundin e Jetës, sesa fundin e Vetëdijes Njerëzore. Dikur Seneka i tha Neronit ato fjalë që do të na pëlqente t’i dëgjonim kudo tashmë nëpër botë: “Torturoi njerëzit, por ama mos i mërzit. Vrit njerëzit, por ama mos vrit Artin.” A nuk duhen përthyer të gjitha këto në mjedisin e artit dhe kulturës sonë. Unë mendoj se kjo është urgjente…