Barbican, Londër, 5 dhjetor 2025
Me ftesën e Ermonelës vajtëm bashkë me gruan time në këtë shfaqje kaq emocionale e të rrallë. E rrallë edhe për faktin se ekzekutohej kjo muzikë e Puccini-t, e pa dëgjuar prej një shekulli dhe do të ishte pikërisht Ermonela ajo që do të luante rolin kryesor të asaj romance të hidhur që përmbante opera.
Magda, personazhi kryesor, i Ermonela Jahos në operën pak të njohur të Puccinit “La rondine” ishte një triumf i vërtetë për nga ekspresiviteti i skajshëm i sopranos sonë në atë mbrëmje magjike në Barbican të Londrës më 5 dhjetor 2025. Opera u interpretua në versionin koncertal me pjesëmarrjen e Orkestrës Simfonike të BBC-së, Opera Rara-s (kompani unike operistike dhe shtëpi diskografike me seli në Londër) dhe sopranos së mirënjohur botërisht Ermonela Jaho. Versioni i restauruar i vitit 1921 (nga Ditlev Rindom dhe Martin Fitzpatrick) zbuloi Puccini-n e mrekullueshëm, mbushur me valse, shkëlqim parisian dhe thellësi dramatike. Orkestra e BBC-së dhe dirigjenti Carlo Rizzi u duartrokitën nxehtësisht nga audienca për transmetimin e asaj muzike aq të pëlqyer, energjike e të pasur me ndjesi sublime. Këngëtarët e BBC-së në kor, ishin një tjetër vlerë e shtuar që i dhanë gjallëri skenës së zgjeruar të klubeve të natës. Është e vërtetë se këngëtarët solistë përdorën partitura në një mjedis koncerti, por energjia e tyre interpretative dhe cilësia e muzikës kapërcyen mjeshtërisht çdo lloj objeksioni.
Vlen të thuhet se kompozitori kishte si synim të krijonte këtë radhë një operë disi më të lehtë. Premiera e kësaj opere ishte shfaqur në vitin 1917, me një version të dytë në vitin 1920, e përsëri më 1921. Ky version i tretë do të përfshinte një skenë të re në aktin e tretë. Me këtë version të fundit Puccini mbeti më i kënaqur, por për fat të keq partitura dhe pjesët orkestrale u dogjën gjatë bombardimit të Milanos nga aleatët më 1943.
E frymëzuar nga opereta vjeneze, “La rondine” e Puccini-t është një histori e hidhur dashurie, që shpaloset përmes melodive nga më të ndjerat e romantike që ka shkruar ndonjëherë edhe Puccini. Është një botë që vallëzon si në buzë të greminës.
Ja dhe nja dy fjalë për përmbajtjen e operës:
Ruggero, një i ri i pasur, e sheh jetën e tij ta ketë plotësisht përpara. Magda (kurtizania parisiane) bën përpjekjen e saj të shkurtër për të rijetuar romancën dhe emocionet e rinisë së saj. E bukur dhe e mençur – por a ishte vërtetë e mençur për të rënë përsëri në dashuri? Mes kënaqësive të Parisit të belle-epoque, romanca mes tyre arrin të bëhet po aq dehëse sa dhe shampanja, ndërsa zemra, siç thuhet, ka linjën e saj të veprimit! Në operën “La rondine” të Puccini-t, por edhe në interpretimin e Ermonelës dhe Iván-it, romanca dhe zemra nuk mund të tingëllonin kurrë kaq ëmbël.
Versioni standard i “La rondine”, i interpretuar në premierën e vitit 1917, përfundon me Magdën ‒ “dallëndyshen shtegtare” të titullit të operës ‒ duke e lënë fisnikërisht Ruggero-n e saj të dashuruar në mënyrë që ai të gjejë dikë më të përshtatshme për martesë. Por rishikimi i Puccini-t i vitit 1921 ‒ versioni i tretë i operës së tij, me të cilin ai më në fund mbeti i kënaqur ‒ e tregon Ruggero-n duke e larguar Magdën me zemërim. Ishte ndryshim i madh ai shndërrim drejt një ndjesie të hidhur të operës aty ku dikur ishte e ëmbël. Në vitin 1994, akti i fundit i këtij versioni u interpretua në Torino me orkestrimin e restauruar të kompozitorit italian Lorenzo Ferrero bashkë me versionet origjinale të dy akteve të para, por opera e vitit 1921 nuk arriti dot të interpretohet e plotë.
Veç këngëtarëve kryesorë pjesëmarrës në shfaqjen e 5 dhjetorit si Ermonela Jaho e Iván Ayón-Rivas, në të morën pjesë dhe Nicola Alaimo, Ellie Neate, Juan Francisco Gatell, Jessica Robinson, Julieth Lozano Rolong, Joanna Harries, Robert Lewis, David Shipley dhe William Thomas.
Ermonela është tashmë e njohur ndërkombëtarisht si një nga artistet-këngëtare operistike më të shquara që interpreton rregullisht nëpër teatrot e operave më të rëndësishme të botës. Së fundmi ajo u vlerësua në Francë me titullin “Chevalier de l’Ordre des Arts et des Lettres” për kontributet në arte dhe kulturë. U vlerësua edhe si “Artistja e vitit” me çmimet ndërkombëtare të muzikës më 2023. U klasifikua si këngëtarja më e mirë me çmimet operistike të Gjermanisë më 2024, si dhe të artistes më të mirë të huaj të shekullit XXI më 2024. Të tjera çmime e tituj vijojnë për të zbukuruar portretin e saj, çmime të cilave iu u shtua së fundi edhe ai i anëtares së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Vlerësimet e publikut, medias, dhe rretheve artistike ishin tejet pozitive, duke e cilësuar shfaqjen si një ngjarje unike muzikore, një sukses të vërtetë për Opera Rara-n. Revista “The Economist” e përshkruan Ermonelën si një “engjëll i flaktë … sopranoja më e vlerësuar në botë”. “Financial Times” shënon se “në këndimin e saj ajo bën të të dridhet zemra dhe shpirti; as mos u përpiq të rezistosh!” dhe se “ajo është thellësisht prekëse në Traviata”. “The Independent” e shpalli atë si “më të mirën Madama Butterfly që Londra ka parë në vite”. “The New York Times” deklaroi se “kjo soprano përçon tingullin e shpirtit”, ndërsa “Daily Telegraph” i Australisë e përshkruan Ermonelën si “një fenomen i pandalshëm”.
Salla Barbican e mbushur plot e përplot me afër 2000 spektatorë mbrëmjen e 5 dhjetorit përjetoi si oshtimat e duartrokitjeve të pleksura me britmat bravo të audiencës, ashtu dhe qetësinë absolute të sallës ku dëgjoheshe vetëm frymëmarrja e këngëtarëve. Ermonela, pa asnjë ekzagjerim, i magjepsi spektatorët me pasionin e saj në të kënduar, me intonacionin perfekt, pianissimo-t rrënqethëse, kulminaciotet aq dramatike në fortissimo, me ngjyrimet tërë dritë e vezulluese dhe herë herë engjëllore të zërit. Aria “Chi il bel sogno di Doretta” me të cilën isha i familjarizuar, ishte vërtetë mahnitëse. Ishte po ky zë i Ermonelës që penetroi më së bukuri mbi këtë orkestër kaq të rafinuar e të përsosur siç është Orkestra Simfonike e BBC-së së Londrës edhe pse në momente të caktuara dirigjenti Rizzi mund ta kishte kontrolluar orkestrën duke e mbajtur atë më qetë, veçanërisht në momentet e ndjera të regjistrit të mesëm të zërit të Ermonelës.
Ç’privilegj të ndiqje këtë opera koncertale. Edhe në ardhje për në Barbican ashtu si dhe në dalje nga salla pas përfundimit, në bashkëbisedimet e shkurtra me londinezët ndjeheshim krenarë të prezantoheshim se jemi bashkatdhetarë të saj.
6 dhjetor 2025

