More
    KreuLetërsiBibliotekë“Ëndrra e vdekjes sime”, tregime nga Gentur Lleshi

    “Ëndrra e vdekjes sime”, tregime nga Gentur Lleshi

    TRIESTE

    E pashë natën, m’u duk vetja në ëndërr. Mëngjesi më gjeti zgjuar, qerpikët m’i kishte ngjyer me tis të bardhë agimi i çuditshëm i atij qyteti. Dija pak gjëra për Triesten. Di që im atë ka shkruar për të, apo jo babi? Di dhe nuk di asgjë.

    Pika ime e dobët janë flokët. Para pasqyrave të mëdha të Triestes i rregulloja flokët, i shtrija vazhdimisht. Kisha dëshirë të më pyeste deti për diçka. Valët e tij vinin së largu nga Durrësi. Këmbët e mia u lagën dhe nuk ndienin asgjë. Prisja që era të më merrte në krahë dhe të më çonte atje larg në shtëpizën time, të më çonte në vendin tim.

    Më këputi në mes malli. Më dridhet çdo fjalëz që pëshpëris në buzë. Trieste është hijerëndë dhe as që do t’ia dijë për mua. E di, ajo nuk më njeh ende. Njerëzit e Triestes më duken shumë të plakur. Fëmijë nuk ka nëpër rrugë. Ka fëmijë nëpër parqe, sigurisht, por unë nuk kam kohë të rri nëpër parqet e këtij qyteti. Unë kam ardhur këtu të nis letrën dhe dy plaçka me shokun tim Gjeroveni, që po kthehet.

    Unë, jo, nuk kthehem. E ndiej se jeta ime u thye dhe unë do të jem i përjetshëm këtu. Vendosmëria i dallon burrat, apo jo?

    Trieste duket sikur m’i lexon mendimet dhe befas rënkon.

    Ujët e detit këtu është tepër i rëndë.

    Fytyra e Dante Alighierit, e gdhendur nga era, atje në hyrje të Triestes, pranë Miramares, duket sikur është mbështetur mbi sipërfaqen e detit që mediton diçka. Nganjëherë Miramare më afron me Marmiroin e Orikumit në Vlorë. Histori atdhedashurie të rrënuara keq, madje edhe të sëmura…

    Prandaj, ndoshta dhe deti rënkon.

    Largohem. Nuk rroj dot mes psherëtimave. Më rëndon një mendim dhe mezi pres sa të jem në dhomën time. Dua të gdhend diçka me gishta ose të paktën të gdhend disa fjalë mbi letër.

    IKJA

    Isha betuar që të mos i kthehesha kurrë asaj dite. Por dikush, me një fshehtësi të çuditshme, më mëson, më pëshpërit. Tani, vetëm tani, një çast. Shkruaju, ata duhet të dinë gjithçka. Ata i bën me krahë shkrimi yt. Mezi presin, ashtu si nuk gjej dot një pëllëmbë vend ku të jem vetëm dhe të lexoj letrat, shkrimet.

    Ikja ime ka qenë e çuditshme. I kërkova babit 25 lekë për kursin, m’i dha. Ika me Dritan Shemen dhe Armandon. Ndjeva qysh në rrugë një trazirë fjalësh e thirrjesh. Te kinoklubi “Tekstilisti” takoj Ervin Fugën. Një turmë djemsh po hipnin nëpër autobusë.

    Eksod. 6 mars 1991.

    Ikim? Ikim dhe ne! E po, ikim! Kaq.

    Do të merrnim leje? E kush të jepte leje? Bah! As që mund të mendohej.

    Berat-Lushnje asnjë fjalë. Pasdite e vonuar që kuqëlonte me trishtim. Rruga me gropa heshtte më keq se ne. Pemët e zhveshura mbanin frymën me një elegancë lakuriqe.

    Unë dhe Ervini ngjeshur, në këmbë, në mes të autobusit. Nxehtësia e trupave përçohej e ftohtë. Frymët rrinin pezull. Njerëzit e ndienin peshën e largimit. Sytë i lëviznin, por asgjë nuk shikonin. E panjohura, që pas hapit të parë, na shikonte me një sy pushke.

    Ne po iknim. Asgjë nuk durohej më.

    Lushnje. Stacion i zhurmshëm nga njerëzit. Stacion pa jetë. Platforma buzë shinave e mbushur plot. Treni i lodhur po vonohej. Dhe vonesa vetë peshonte si gur mbi zemrën time. «Po u nise, mos e kthe kokën pas!» «Po vendose, mos diskuto më!» Këto fjalë të gjyshit tim të mirë e punëtor, një burrë i fortë, me karakter dhe nja dy metra i gjatë, më jepnin zemër.

    «Gentur!»

    U tremba. Po ky zë i njohur? Ishte shoku im Ilir Çela. Thërriste diku nga larg. Atë çast klithi edhe lokomotiva që doli nga kthesa me vrapin e saj të ngathët. E dija, e merrja me mend që edhe në tren do të mbytesha nga angështia. Kori i zërave kishte vetëm një temë, ikjen.

    Vetëm kur zbritëm, në buzë të detit, në Shkozet e kuptova sa shumë qemë. Lumi i njerëzve duket edhe më i errët natën. Sytë e verbër të turmës drejt detit. Dritat e anijeve ia bënin me sy. Vrapi ynë i çmendur. Lumi i turbullt e i rrëmbyer po derdhej në det. Fryma u mbajt në anijen panameze. As vetë nuk e di sesi hipa. Nuk pashë askënd të më shtynte përmbi urë. Ne shtynim njeri-tjetrin. Deti klithte me zë njeriu. Deti qante si fëmijë. Deti qeshte i tmerruar. Anija ngarkohej e ngarkohej vazhdimisht. Vetëm një gjë s’mund të harroj. Uria më gërryente. Orën e dorës, një orë me bateri që ma kishte sjellë vëllai nga Tirana, ia kisha dhënë policit. Tmerri i vetvetes po kapërcehej me hapat e të tjerëve. Unë prisja dikë dhe ky ishte frymë, ngjeshje, qarje, një e qeshur e qelbur dhe e xhindosur. Trupat u bënë petë, thuajse u këputën në mes. Nata ishte e zezë pis, me yje të largët që talleshin me mjerimin tonë. Vështrimi ynë qe nxirë nga vdekja që po na rrëmbente frymën.

    Mesi i natës i rralloi njerëzit. Çuditërisht anija panameze që kishte shkarkuar çimento, kishte dalë në radë. Flitej që e paskëshin rrëmbyer nja dy shkodranë që i kishin lidhur kapitenin dhe marinarët në kapiteneri e në sheshin aty pranë. Aty pas mesit të natës as vetë nuk e di sesi u gjenda në hambar. Si unë dhe qindra të tjerë.

    Më kishte mbërthyer një gjumë vdekjeje. Teksa po çelte agimi. Fytyra e merakosur e mamit më doli përpara. Kisha qenë ëndërr me të. Vetvetiu makthi më mbyti. Lotët më qenë mbledhur në sy. Hambari me pluhur çimentoje i kishte tjetërsuar njerëzit. Ata vërtet qenë shfytyruar. Dukeshin sikur vinin nga ca shekuj të largët të mbuluar ashtu prej pluhurit të mrekullueshëm të historisë. Asnjë nuk njihja.

    «Sa orë po bëjmë në det?» – klithi dikush me zë të shuar.

    «Po vete ora dhjetë!»

    «Anija ka qëndruar!»

    «Jo, jo, anija është prishur.»

    «Po sikur të mos ndreqet?»

    «Mos u bëni merak, do të ndreqet!»

    «E zeza unë, kemi për t’u mbytur!»

    Mes klithmave të shuara, mes frymës së uritur, mes pluhurit mbytur, mes të sharave, përqeshjeve, talljeve, rrëmujës, urisë sfilitëse, tmerrit pa ngjyrë, i gremisur përballë vdekjes së sigurt, ashtu u mbushën dyzetetetë orë në mes të Adriatikut.

    Aty nga mbrëmja e ditës tjetër anija lëvizi. Në sytë tanë lindi sërish shpresa, sido që disi e vogël dhe me fytyrën e vdekjes që na shihte duke u zgërdhirë.

    Ikja jonë e pati një fund. Mbërritëm në Bari. Turma gjysmë e vdekur u turr për të zbritur. Njerëzit hidheshin në mes të detit. Të tjerët shtyheshin. Britma. Kujë. Fjalë të ndyra. Hingëllima njerëzish të rraskapitur. Tmerr pa sy. Mekje. Mbrëmje me drita të zbehta që pasqyroheshin përmbi det.

    Nuk mund të harroj dot çastin final. As vetë nuk e di si shpëtova gjallë. Gati u këputa në mes nga të ngjeshurit e turmës pas hekurave. Mbaj mend që kam lëvizur si somnambul dhe e kam parë veten të mbuluar me qeskë plastmasi. Ajo ishte dhoma e parë imja jashtë shtetit, gjumi im i parë jashtë, i mbështjellë me pelenat moderne të perëndimit. Kur kam qenë kërthi mami im më ka mbështjellë me pelena pambuku. Në këtë ikje, në lindjen time të dytë jam llahtarisur nga vetëdija makabre e pelenave. Të qarat e mia dhe ato të turmës brenda atyre pelenave nuk kishin më zë. Na duhej të hanim pas tmerrit të urisë dhe të flisnim diku buzë një kazerme të stërmbushur.

    Ëndrra që pashë atë natë:

    Vazhdimisht më përkundte mami im në prehër. Ajo nuk ngopej së qeshuri. Qeshja dhe unë nën pelena plastmasi. Befas do të më zgjonte një diell i vrarë, ndonëse ishte 9 mars 1991, pranverë, një pranverë që përpëliste buzët në një formë të çuditshme: as mallkim e as urim.

    Shkëputur nga libri “Ëndrra e vdekjes sime”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË