Analizë mbi Ekspozitën “Lakuriq” të artistit Oltsen Gripshi në
Galerinë e Artit Bashkëkohor të Tiranës (GOCAT).
Në peizazhin e sotëm të artit bashkëkohor shqiptar, pak emra arrijnë të gërshetojnë kërkimin artistik me forcën e shprehjes vizuale në mënyrë kaq organike sa Oltsen Gripshi.
Ekspozita e tij më e fundit nuk është thjesht një shfaqje estetike, por një ftesë për një udhëtim anatomik dhe shpirtëror në thelbin e qenies komplekse njerëzore. Oltsen Gripshi nuk është thjesht një piktor por një kërkues i së vërtetës dhe një vëzhgues i mprehtë i shoqërisë. Në kërkimin e tij ngulmues ai shpesh ka dëshmuar se arti nuk mbetet brenda kornizave dekorative por shërben e duhet të shërbejë për të ndërgjegjësuar e për të ngritur debat në shoqërinë ku bëjmë pjesë.
Këtë e ridëshmon edhe me ekspozitën e tij të fundit në galerinë GOCAT, kjo hapësirë me dy salla në zemër të ndërtesës ikonike të Piramidës në Tiranë, që sfidon por edhe fton njëkohësisht artistët si Gripshi të mos druhen edhe nëse provokojnë debat. Në këtë projekt, nisur rreth dy vite më parë, artisti ka zgjedhur të ekspozojë 14 vepra në mediume të ndryshme, duke e trajtuar hapësirën aspak si mure kufizuese, por si një dimension ku vepra evidentohet e ngecur në një kohë të pa-kohë.
Kuruar mjeshtërisht nga kuratori Massimo Scaringella, kjo ekspozitë shënon një pikë kthesë në rrugëtimin e Gripshit. Ajo nuk është thjesht një koleksion punimesh, por një manifest mbi lirinë njerëzore dhe guximin për t’u shfaqur ashtu siç jemi: të zhveshur, të brishtë, por mbi të gjitha, të vërtetë. E në këtë vërtetësi, Oltsen Gripshi përdor edukimin e tij të gjerë filozofik për t’i dhënë veprave një shtresëzim që kërkon kohë për t’u zbërthyer, duke e mbajtur publikun gjatë të ndërveprojë e komunikojë me secilin nga këto çaste që pasurojnë sallat e galerisë.
Fragmentarizimi i lakuriqësisë: Anatomia e kuptimit
Gripshi nuk e sheh trupin si një monument të palëvizshëm, por si një tekst që mund të zbërthehet. Përmes fragmentarizimit, artisti e ndan lakuriqësinë në detaje: një dorë, një shenjë mbi lëkurë, një prani mbetur pezull…
Në këtë qasje komunikojnë edhe veprat si “Epistemotopografia qelizore”, që padashur e kthen lëkurën tonë, këtë organ shpesh të nënvlerësuar, në një hartë gjurmësh ku koha gdhend ndjesi të përjetuara. Kjo mbështjellje që na mban të formuar e që quhet lëkurë, lind e vdes me qenien njerëzore duke skalitur gjatë këtij rrugëtimi histori që vetëm përmes saj mund të lexohen.
Duke u ndalur më pas në veprën “Lakuriq”, ky pazëll trupor pa asnjë rend konkret, na fton të shformëzojmë përsëri atë që njohim si forma njerëzore, duke evidentuar copëza e duke shfaqur hije e silueta në harmoni me njëra-tjetrën, si të ishin një rrjetë e komplikuar e një Da Vinçi në kërkimin e tij të pafundëm.
Ky proces nuk bëhet për të dehumanizuar subjektin, por për të thyer muret e paragjykimit e për të na vendosur përballë disa realiteteve paralele që shoqëria jonë herë pas here refuzon të vështrojë. Duke e parë trupin në fragmente, vizitori detyrohet të përballet me elementet bazikë të jetës, duke humbur nevojën për të etiketuar apo erotizuar formën njerëzore. Fragmenti këtu shërben si një metaforë për jetën tonë moderne që e ndarë në copëza rolesh, detyrash e imazhesh, na bën të kthejmë vështrimin brenda qenies vetjake.

Një “copë mishi” në këtë botë: Përtej estetikës
Një nga konceptet më provokuese të ekspozitës është edhe vepra “Doktrinë” ku trajtimi i qenies si një “copë mishi” na jep shumë për të menduar e diskutuar.
Kjo vepër e cila qëndroi e ekspozuar vetëm pak orë në galeri, arriti të krijonte një vorbull publiku, fillimisht kureshtar për ta cekur me gisht e më pas të sikletosur pasi kishin kuptuar realitetin e asaj që ishte, pra asgjë më shumë e asgjë më pak se sa një copë mishi. E megjithatë askush nuk u largua apo i kthehu krahët. Përkundrazi, në ato pak orë shumëkush dëshiroi të shkrepte një foto si kujtim apo të ndalej e të diskutonte pranë saj.
Por çfarë realisht kërkoi artisti të komunikonte me këtë medium kaq të pazakontë e organik, këtë cope mishi? Në shikim të parë, ky përkufizim duket i ashpër, gati nihilist. Megjithatë, nën optikën e Gripshit, ai është një akt i pastër sinqeriteti. Artisti na kujton se përtej titujve, veshjeve të shtrenjta dhe statusit social, ne mbetemi materie organike e brishtë. Pikërisht kjo “copë mishi” është shtëpia e dhimbjes, e pasionit dhe e vdekshmërisë.
Duke e reduktuar formën njerëzore në këtë nivel bazik, Gripshi na barazon të gjithëve përballë natyrës dhe fatit. E këtu dua të gërshetoj dhe komunikimin me një tjetër instalacion në krah të kësaj vepre, “Anomie” ku duar e krahë ndërthuren e shpërndahen në një sfond asnjanës në tentative për të realizuar veprimin e tyre gjenealogjik: të zgjaten e të prekin.
Prekja, ky veprim kaq i pafajshëm në kureshtinë e tij, u kthye padashur në një performancë reale gjatë çeljes së kësaj ekspozite, duke na kujtuar se pikërisht veprimet më të thjeshta na nxjerin shpesh herë lakuriq.
Përjetimi i brendshëm e thellësisht personal
Ndryshe nga rastet kur arti synon reagimin e jashtëm, vepra e Gripshit buron nga një përjetim i thellë i brendshëm. Çdo linjë dhe çdo ngjyrë mbart një peshë emocionale që lidhet me jetën e artistit, duke e kthyer galerinë në një hapësirë rrëfimi.
Përmes artefakteve të veprës “Apokrifi mnemonik” zbulojmë përjetime kaq të thella e të shprehura vërtetësisht të gjalla me simbologjinë e të përditshmes; flokë që dikujt i kanë përkitur, veshje intime që kujton një kalvar dhimbjesh të gjalla.
Në ato veprime që secili prej nesh i merr si të mirëqena fshihet e gjithë filozofia e një përjetimi thellësisht personal, për të na kujtuar edhe njëherë se ky nuk është një art i distancuar; është një dialog i hapur ku artisti ekspozohet po aq sa subjektet e tij.
Është një përpjekje për të gjetur qetësinë përmes përballjes me frikërat dhe dëshirat më intime, duke i ofruar publikut një pasqyrë të shpirtit të tij e si pasojë duke u shfaqur edhe vetë ai lakuriq.
Mediumi: Mjet për qëllimin apo pjesë integrale e veprës?
Një pyetje që lind shpesh në studiot e artit është: A është piktura thjesht një mjet? Te Gripshi, përgjigjja është komplekse. Mediumi, qoftë pikturë, video art apo instalacion i përbërë nga tekstile, nuk është thjesht një transportues i idesë, por bëhet pjesë integrale e vetë veprës.
Kështu ndodh në mënyrë harmonike me instalacionin “Metafora e përmbajtjes” ku 100 këmisha nate qëndrojnë të pezullta si për të na sfiduar në heshtjen e tyre të brishtë që të kërkojmë përtej estetikës së kësaj vepre. Të ngecura në hapësirën e galerisë, këto veshje të holla që shoqërojnë trupin femëror në prehjen e gjumit, janë njëkohësisht edhe dëshmitare të ëndrrave, pasioneve, dëshirave, por edhe të dhunës, keqtrajtimit e pafuqishmërisë të të njëjtës krijesë që i mban veshur. Ashtu siç dalin nga një sënduk ku historiku i gruas përçohet ndër breza, po ashtu edhe na dëshmojnë se të pakta janë ngjarjet që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë njerëzore.
E nëse do të hedhim vështrimin nga e majta e tyre, ngecur në një shtëpi kartoni, kjo metaforë e brishtë, lexojmë të ndriçuar ironikisht fjalën INCEST si një ironi demaskuese e asaj që presupozohet të na mbrojë, por që në realitet na bën edhe më të rrezikuar.
Në këtë dimension zbulojmë vazhdimisht se tekstura e kanavacës apo ndërveprimi i dritës me materialin janë po aq të zhveshura në sytë e publikut sa edhe subjektet e paraqitura. Artisti e përdor mediumin apo elementët instalativë jo vetëm për të përforcuar idenë e prekshmërisë dhe të ekzistencës materiale por për të na hapur sytë në një dimension social të realitetit ku jetojmë.
Gjurmët që mbeten
Në metaforën vizuale që kjo ekspozitë përmban, me rëndësi është t’i qasemi edhe veprës së titulluar “Topografiarkeologjia e brishtësisë”, e cila prezanton këmbët e varura si element qendror, në një hulumtim delikat midis memories trupore dhe gjurmës historike. Vendosur qëllimisht në një sfond dramatik, këto gjymtyrë të pezullta ndalin çastin për të rrëfyer njëkohësisht lëvizje e qëndresë përmes kontrastimit të fortë të të bardhës së materies, e zgjedhur jo pa qëllim të replikojë vetë gjymtyrët e artistit Gripshi në të gjitha detajet e tyre. Poret, rrudhat, venat e kthejnë “këmbën” në një dokument arkeologjik ku brishtësia e materialit lehtësisht të thyeshëm komunikon me gravitetin e një çasti që të kujton ndëshkimin hyjnor, por që lehtësisht mund të interpretohet edhe si një çlirim i madh nga dogmat e paracaktuara.
Me shputat e kthyera përballë nesh, e dritë-hijet kontrastuese që ky instalacion ajroj krijon, ngjall lehtësisht ndjesinë se qenia njerëzore lartësohet pikërisht atëherë kur ka shkuar në skutat më të padukshme të përjetimit vetjak.
E po ashtu në veprën thellësisht hermetike të titulluar “Sindon”, përjetimi i brendshëm i artistit nuk është i bërtitur, por i fshehur nën shtresat e materialit. Përmes kësaj membrane që mbulon të vërtetën, publiku ftohet në një proces “zhvarrosjeje” emocionale ku imazhi nuk është bërë nga dora e njeriut por nga kontakti i drejtpërdrejtë i trupit me pëlhurën, si një mbetje apo hije e lëkurës. “Sindon” është artikulimi i fundit i brishtësisë.
Nëse këmbët e varura tregonin peshën e botës përmes përjetimit e çlirimit, “Sindon” tregon gjurmën e përjetshme, duke vërtetuar se edhe kur njeriu zhvishet nga gjithçka (lakuriqësia totale), mbetet një kujtesë që koha nuk e fshin dot. Në këtë rast, një arkeologji e brishtësisë që mbijeton përmes artit.
Ekspozita “Lakuriq” e Oltsen Gripshit nuk është thjesht një përmbledhje veprash instalative që rrëfejnë mbi drama e realitete njerëzore, as thjeshtë një tekst i shkruar me bojë, por një histori e cila rrugëton me forma njerëzore e që në kompleksitetin e saj, fton publikun të hulumtojë gjatë.


