More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEmrije Krosi: Që soneti i Uran Kostrecit mos të mbetet në hije...

    Emrije Krosi: Që soneti i Uran Kostrecit mos të mbetet në hije si vetë jeta e tij

    Uran Kostreci qe i fundmi i mohikanëve, qëndrestari i fundit nga radhët e -ish të burgosurve politikë, të quajtur nga (Visar Zhiti), Kont Urani, besatari  që kurrë nuk e braktisi atdheun, apo edhe legjena e qëndresës antikomunsite, sipas (Nebil Çikës), i harruari në vetmi,  ashtu si mjeshtri tjetër i lirikës (Frederik Reshpja), pa familje, Kostreci kurrë nuk u ankua, kurrë nuk kërkoj mëshirë, kurrë nuk u përkul para genocidit komunist,  kurrë nuk fajsoj askënd për fatkobin dhe vetminë e tij, si qëndrestar, më thënien lapidare: ata nuk e meritojnë urrejtjen time, unë ata i përbuz! Një njeri që nuk e thyen as torturat, as provokimet, as burgjet e gjata të komunizmit, një burrë i dhembsur, vetmitar, i dashur, i thjeshtë një bohem i fjalës  shqipes sidomos të tingëllimit, ose ndryshe sonetit,  një mik i besës për ata që e njohin (fatkeqësisht vetëm njëherë e kam takuar), me atë pamje madhështore por edhe thjeshtore, me cigare në buzë duke shtungulluar bashkë me vitet dhe kujtimet rinore që  iu shkërmoqën nëpër telat me gjemba, nëpër kampe pune, me dënime dhe ridënimë, në klavarin e Krishtit në Golgotë, i etur vetëm për liri, ky bard shqiptar i sonetitjetoj dhe vdiq shpirtlirë.

    ***

    Së pari të sqarojmë çfarë është soneti. Soneti është një lloj i veprës së shkruar letrare. Fjala sonet rrjedh nga fjala italiane «soneto”, që do të thotë “këngë e vogël”, (wikipedia).  (Nga shekulli 13-të soneti shpjegohet si vjershë lirike prej 14 vargjesh, e ndarë në katër strofa, dy të parat prej katër vargjesh dhe dy të fundit prej tre vargjesh, zakonisht njëmbëdhjetërrokësh e me rima të gërshetuara në mënyra të ndryshme; tingëllimë). Soneti në letërsinë evropiane është përhapur falë poezisë italiane, të Françesko Petrarkës. Që në publikimet e sonetit, (Kostreci: 2006) ra në sy, me një mjeshtëri dhe stil krejt të veçantë dhe të panjohur në shkrimin e sonetit shqiptar, një gjini sa shpirtërore aq edhe unike, në llojin e trajtesës dhe “teknikës” poetike sendërtuese të sonetit (tingëllimës),  si gjini letrare. Në poezinë shqipe soneti është shfaqur gjatë Rilindjes.

    I pari që ka shkruar është L. De Martino, pastaj Ndre Mjeda, Zef Serembe, Ernest Koliqi, etj. Mirëpo, kulmin artistik e ka arritur Ndre Mjeda dhe i fundmi sonetian është Uran Kostreci. Tingëllima është modeli më i mirë i melodisë së shpirtit të lodhur por jo të mposhtur, duke e nxitur lexuesin dhe edukuar atë me ndjenja të holla (Haxhiraj: 2020), por edhe duke menduar më në thellësi përreth surrealitet jo vetëm tekstor por edhe gjithëpërmasësor. Pas një udhëtimi të gjatë, soneti që nga Rilindja u bë etydi shpirtëror,  ashtu siç besohet edhe për sonetet e  Shekspirit, të quajtura emocione që  pasqyrojnë marrëdhëniet me njerëz të vërtetë (Matz: 2007). Mund të quhet një (për)plotësim i  mungesës së  dashurisë tokësore, me një  dashuri më (përtej) metafizikes, që ngjizet mes Unit dhe Shpirti,  duke përqëndruar vetëshprehjen, në zbulimin e gjendjes shpirtërore  të poetit me anën e figuracionit, sidomos krahasimit, përmes:

    a)      arsyes dhe moralit,

    b)      karakterit dhe vetëdijshmërisë

    c)      mjeshtrisë artistike dhe sinqeritetit, nëpërmjet strukturës së tingëllimës, (Fridrih: 1974),

    që lexohen përmes vargjeve: desh t’na zhdukte i Burrelit kapter!/Na fuste birucë dimrit ky xhelat:/Na lidhte e rrihte e n ‘xhep lejen e pat!/Në shkurt, zbath n’çimento, pa tesha: ç’tmerr/Kur shpirt un gati jepja n’at acar, n’at ferr…/Gardiani shfaqte n’sportel at surrat/E m’thosh: – Kët herë do ngordhç… Se ke t’gjatë!/Dinim, që urdhra operativi ai merr… Të kesh në dorë njëzet (20-të) sonetet modeste  dhe të fundme të Uran Kostrecit si: “Cili virus vrau më shumë”, “Helmi i sheqerosur”, “Nata e thikave”, “Gjergj Fishta”, “Mos harro!”,  “Gardianët xhahilë të Burgut Burrel”, “Marashi”, “Medet”, “Mos harro!”,  “Nata e thikave”, “Gjergj Fishta”, “Një kujtesë komunistëve shqiptarë”, “Tradhëtari i kombi shqiptar”, “Vrau edhe shokët e vet”, “Nga skëterra erdhi një zë”,“Atyre që yllin e kuq duan ende”, “Me sy nga qielli”, “Dardhushkë, Dardhushkë…”, “Gjuha jonë shqipe”, “Paturpësi”, “Mulliri batall”, do të thotë të kalosh  sprovat dhe sfidat ndaj së keqes sa individuale aq edhe shoqërore, por është dhe një përgjegjësi morale.  Soneti, vërtet mund të quhet forma poetike më perfekte, si një mundësi që jep për realizim estetik (Krasniqi: 2005), por  në një studim të (Milazim Krasniqit) mbi sonetet në letërsinë shqipe, një trajtesë e hollë për (sonetet e Enver Gjergjeku-t), se Kostreci nuk është  trajtuar fare (ndoshta i panjohur për studiuesin në atë kohë). Trajtesa të tilla për sonetin mbase si lloj letrar, kërkohet  një rreptësi shkencore, që unë nuk e kam, bashkë me dëshirën time dhe po ashtu modestinë e qëmtimit në këtë lëmì, (shën.im, e.k.).

    Ngjashmëria mes modelit petrarkan të sonetit dhe modelit kostrecian.

    Nëse duhet të marim shembullin klasik të shkrimit të sonetit në : “Mulliri batall”, forma e vargut është: [abba/abba katrenat dhe cdd/cee], është një adresim “shumë” i saktë i shkrimit të sonetit, ashtu edhe vargimi  “pothuaj” korrekt të metrikës:

    N’mulli uji, guri e bosh, vërtitet luan…[a]                    11

    Trokashka rrapëllin me zhurmë ferri…[b]                    11

    Ai gur, pa drithë, atbot’ miell s’mund të nxjeri [b]      11+(1)

    Po bën potere, ama, sikur bluan!         [a]                   10

    Dhe rob’t nga rrena shteti u shurdhuan, [a]               11

    Prapagand shteti i fut gjall te dheri       b]                 11

    Nga dhuna, uria iku hallku e nga tmerri! [b]               11

    U lodhnë ata, u raskapitnë, u shuan…   [a]                 11 +(1)

    Po teksa aq vuajnë njerzit e ngratë,  [c]                     12 –(1)

    Për turpin e saj, qeveria bën pallë; [d]                      11

    E s’pyet që hallku ik për të ngel’ gjallë, [d]               12 –(1)

    Me ta kjo qeveri bën e gallatë: [c]                              11

    “Kaq t’mira u prura… – u thot’- jeni me fat…”[e]     12 -(1)

    Po zhurmë u pru si një mulli batall,  [e]                    11

    Dominimi i njëmbëdhjetërokëshit, tregon se nuk është një “eksperimentim” prej rioshi, por është një njohje totale dhe e thellë jo vetëm metrike, që teston edhe përvojën tashmë të krijuar  të autorit.  Ka një shprishje të radhës. Në st. 1, v.4 ka [10] por duke shtuar [11+1] nga v.3, kupton se “loja metrike” është e qëllimshme. Ndërtimi dhe forma e “ruajtes” së sonetit, vjen edhe nga “heshtja” dhe mbyllja për shumë kohë në burgje dhe kampe. Ato tingëllima, janë edhe lidhje mesvetes dhe botës së jashtme, mes heshtjes dhe durimit, mes zemërimit dhe urrejtjes, mes pafajësisë dhe imponimit,  mes dashurisë dhe urrejtjes. Por, në dukje të parë nuk ka lidhje, sepse edhe në vargjet: desh t’na zhdukte i Burrelit kapter!/Na fuste birucë dimrit ky xhelat:/Na lidhte e rrihte e n ‘xhep lejen e pat!/Në shkurt, zbath n’çimento, pa tesha: çtmerr/Kur shpirt un gati jepja n’at acar, n’at ferr…/Gardiani shfaqte n’sportel at surrat/E m’thosh: – Kët herë do ngordhç… Se ke t’gjatë!/Dinim, që urdhra operativi ai merr…, qerthullimi i qëndresës dhe humanizmit është e dukshme edhe në cezurën (mungesat) e qëllimshme,  në formën e melosit si muzikë e vëretë, (Fraj: 1990). Adresimi i gjuhës sonetore drejt lexuesit, ndonjëherë bën edhe diferencën  mes gjuhës dhe fjalës. Kjo vjen në bazë të njohje së indentitetit, kulturës, historisë, ndërlidhur me subjetin poetik, por në këtë rast, testamenti përçues nëpërmjet sonetit është i drejtpërdrejtë, (me pak turqizma), jo vetëm për dekodimin e mitit të poetit, por edhe për  rikrijimin e  identitetit të tij (Holland: 1968). Nëpërmjet aftësisë së lexuesit të nënkuptuar, si marrëdhënie e domosdoshme me të vërtetën, kuptimi dhe vetëdija e të kaluarës (së poetit), është jo veprim i subjektivitetit të personit, por (vetë)vendosja e personit brenda procesit të traditës,

    në të cilën e shkuara dhe e tashmja shkrihen vazhdimisht bashkë  (Gadamer: 1965) pa ndërmjetësimin e horizontit të pritjes, (Jauss: 1982) por thjesht receptimi në bashkëkohësi.

    Të gjitha sonetet, jo vetëm që kanë të njëjtin kompozim,  por edhe të njëjtin ndërtim fabulor, ku dominojnë fjalët: shqipot/t’kuq/komunizmi/helm/eshtra/ varr/vrau/Enver/liri etj.

    Nocioni i tingullit të pastër, si një “masë estetike”, është një sistem marrëdhëniesh që na paraqet:

    –  larmi të efekteve  zanore,

    – shtresë zanore,

    – integraliteti i krijimit poetik,

    – lidhja e qenësishme e brendëshme. Cilësia relative e tingullit, që dallohet nëpërmjet  vargjeve, ku edhe dallimet e mbredëshme të tingujve, [lëkur’bagtish/ Përkthyes ish] ku veçantësia dhe muzikaliteti shprehen me termin “eufoni” bashkë me dallimet e tingujve që kanë në themel; metrin dhe ritmin. Soneti : “Krenaria e qëmotshme e shqiptarit

    Në koh t’Zogut na shkon një katundar             [a]

    Me shit lëkur’bagtish e bash te ura                 [b]

    Pa hyr në treg ai takon dy burra,                    [b]

    Përkthyes ish njëri e i foli i parë:                   [a]

    “Në ke nijet për t’i shit në pazar…                   [a]

    Zotria mund t’i blejë ato lëkura…”                 [b]

    Fshatari u tha: “Un për t’i shitë i prura…”   [a]

    Zotria i thot: “Për tre lek copa i marr…!”    [b]

    “Në treg i shes pesë…” – iu gjegj plaku atbot.    [c]   [12]

    “Jap katër! – thotë i huaji – nuk janë pak…!”     [d]   [13]

    “Jo!” – “Mirë, – i tha tjetri – pesë i vëm kapak, [d]   [13]

    Ke dhe fukarallëk… nuk e shtyn dot…” –            [c]  [10]

    “Fukarallëku im ka vler’; sa kjo botë,               [c] [12]

    S’ke aq lek ta blesh!” – ia ktheu rrept ai plak.   [d] [10]

    Ruajtja e skemës së sonetit të Petrarkës, dukshëm është dalluese edhe në sonetet e Uran Kotreci-t,  që kanë po atë përsosmëri   petrarkan si: ndraja në 14 vargje, 2 (oktava) me tetë rrjeshta dhe (sestet) me gjashtë vargje të ndarë  në dy strofa, por sonetet e Kostreci-t, vetëm nuk ruajnë rimat në (sestet), në krahasimin me sonetin e Petrarkës, (kënga e Laurës).

    ………………………………………….

    Dhe ju që lëvduat nëpër rima         [c]      [10]

    Fjal dashurie atij në varg i thatë,   [d]     [11]

    I ktheni nderin se vrau në jetë kaq trima, [c]  [13]

    Pse thau një shpirt të mikut tim të ngratë? [d]  [11]

    Ja, këtij Zoti lavd i thurt’ shpesh herë       [e]  [ 11]

    Për ç’ju punoi nëntëdhjet’ e nëntë here    [e]  [12]

    Modifikimi i Kostreci-t, sidomos duke përmbysur rendin e sonetit të Petrarkës, [cdc/dee] është bazuar edhe në variantin e vargërimit të gjuhës shqipe, [cdd/ccd]. Se vargimi ndryshon në gjuhën tonë (pra shqipe), në varsi të vargut dhjetërrokësh dhe njëmbëdhjetërrokësh/dymbëdhjetërrokësh karakteristikë e vargut në gjuhën shqipe. Një risi tjetër, është edhe mënyra e akuzës, vëzhgimit, pyetjeve dhe dialogut, kjo falë edhe dimensionit jetësor të poetit. Kjo vjen edhe nga vlerësimet e kritikës së kohës që kanë për veprën e Kostreci-t si: (Myzafer Xhxhiu), (Petro Zheji) etj., por i vetmi studim sipërfaqësor, por si vlerë për një poet -mjeshtër të sonetit shqiptar, është një botim në (fjalaelirë.com), ku intelektualja e Kostreci-t vihet përballë mendësisë së kohës, se vetë soneti shqiptar kalon edhe kohën trediminsionale të vetë Uranit.  Për shkak të narrativës strategjike,  që tregohet përmes soneteve, të një njeriu që iu është dhunuar e vërteta dhe mohuar lira e jetës dhe e botimit me mjete stilistikore, poeti ka sendërtuar lëvizje  afektive dhe zhvendosjet në emocionet e folësit ndjenjat e tij pozitive dhe negative.  Ai e ndjen pikëllimin, hidhërimin dhe gëzimin , se teknika e sonetit edhe dukshëm me një vetëdije të lartë tingëlluese, (Bennett: 2007).

    Soneti me titulll: “Humbi tradita e vyer në fshat”,  vargjet: ca fshatarë, sot shesin drog bollëk,/Hashash mbjellin n’parcel … kanë huqe tjerë!/Një bujk droguar vret komshin në sherr/E n’gjyq flet si garip, shet tangërllëk, madje ironia dhe satira  (në kundërshtim me misionin e sonetit) kanë tipare të posmodernitetit, (Jencks: 1968)

    Si përfundim: nuk mjafton vetëm keqardhja apo ndonjë falje për braktisjen e poetit, por kritika nuk duhet të jetë armiqësore, klasore, përjashtuese, klientiste, por profesioniste duke u marrë më shumë me sonetin, që ka fare pak apo aspak studime për këtë stil poetik vështirë që shkencat letrare dhe kritika botërore e kanë trajtuar me shekuj. Uroj që soneti i Uran Kostreci-t mos të mbetethije apo i harruar si vetë jeta e tij, por të ketë një fat më të mirë se vetë poeti, që të jetë pjesë e studiuesve të ardhshëm pse jo dhe e antologjive shkollore dhe të huaja.

    BIBLIOGRAFIA:

    Bennett,  Kenneth.C: (2007), Threading Shakespeare’s Sonnets , Lake Forest , Illinois

    Fraj, Northon: (1990), Anatomia e kritikës,  përkth: Avni Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë

    Fridrih, Hugo: (1974), : The structure of modern poetry (From the Mid-Nineteenth to the Mid-Twentieth Century), Northwestern University Press, Evanston, USA

    Gadamer, G. Hans: (1965), Truth and Method, London.

    Haxhira, V. Vilheme: (2020), Poeti i sonetit, Uran Kostreci, në 82 vjetorin e lindjes së tij, “Voice of Albania”, (VOAL, https://www voal.ch/poeti-sonetit-uran-kostreci-ne-82-vjetorin-e-lindjes-se-tij-nga-vilhelme-vrana-haxhiraj/

    Holland, Norman: (1968), The dynamic of Literary, Response, Oxford

    https://sq.wikipedia.org/wiki/Soneti

    Jauss , Hans-Robert:  (1982),Toward an Aestheticn of Receprion, Brighton

    Jencks, Charles: (1968), What is Post-Modernism? London: Art and Design.

    Kostreci, Uran: (2006), Sonete, Tiranë.

    Krasniqi, Milazim: (2005),  Soneti në poezinë shqipe, PEN Koosva, Prishtinë.

    Matz, Robert:  (2007) The World of Shakespeare’s Sonnets: An Introduction, London: McFarland and Company.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË