More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEmine Borici: Funksioni i motiveve të përrallave në veprat e Mitrush Kutelit

    Emine Borici: Funksioni i motiveve të përrallave në veprat e Mitrush Kutelit

    Mitrush Kuteli solli risi në kulturën e letërsisë shqiptare përmes rishfaqjes së kulturës popullore: përrallave. Përrallat janë gjetje kuteliane sikurse edhe rimarjet e motiveve biblike. Të shkuarit në gjenezë të motiveve janë një gjetje e spikatur e Kutelit jo thjesht të kontribuojë “në ringjallje të kulturës popullore” të asaj krijimtarie popullore prej së cilës ka fillesat, por vazhdon te ritet, te shoqëria shqiptare, ku përmes të jashtëzakonshmes “na ishte njëherë…” paralelizon dhe groteskon, periudhën e tranzicionit të shekullit XX.


    Kuteli është ndër lapidarët e letërsisë shqipe për përdorimin e invarianteve të përrallave, ku ky lloj i prozës së letersisë, bën të mundur sinkronizimin dhe ndërthuren e motivacione të trillimit ku imagjinata nuk njeh limite. Si e tillë, Kuteli ka pasuruar krijimtarinë e tij duke u mbështetur fort në këtë variant. Në këtë menyrë ai shijëson te lexuesi normalitetin e një rrëfenje përralle “me autorë”.

    Siç e thotë edhe prof. Blerina Suta “Pamje të modernitetit në letërsinë shqipe” “Rrrëfimet Kuteliane shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e ofruara nga një formë “orale” të shkruari, për të shprehur simbolikisht hyrjen e shoqërisë dhe të njeriut shqiptar në një epokë të re”. Kështu, Kuteli na fut në botën e përrallave, “sfidon” tregimet të mbështetura në një ngjarje reale apo historike, e na çon te gjeneza, për një rifillim dhe mbi të gjitha për një rinisje për të rifituar dhe ripërtërirë fuqitë e moralit. Ai përmes imagjinatës, elementeve të trillimit, hiperbolës dhe strukturës narrative të përrallave na rinjeh me fuqinë e moralit të parë. Ato janë krijim popullor që në kohët më të lashta, pa u zbuluar gjuha e shkruar. Pikërisht Kuteli përmes rimarrjes së këtyre modeleve qoftë në strukturë narrative, qoftë në motive, na drejton te një synim i caktuar, tek natyra e ngjarjeve dhe trillimeve të hiperbolizuara, shpesh edhe të personifikuara përfundimi i të cilave janë gjithmonë pozitive, ku virtyti dhe e mira triumfon, sado e vështirë apo e pamundur të jetë situata apo ngjarja. Këtë mënyrë shkrimi e ka “ritreguar” Kuteli përmes rrëfenjave të tij ku ndryshe nga përralla që është e destinuar të ketë një fund të lumtur Kuteli qendron në konturet e një uniciteti vetjak ku protagonistët vdesin.

    Konkretisht, te “Rinë Katerinëza” gjithçka duket si një përrallë e thjeshtë. Në fund të tregimit Kuteli shënon “Punuar pas një rrëfenje të dëgjuar në vogëli në Pogradec”. Ky shënim është një orientim shumë i dobishëm për lexuesin. Së pari të orienton që është një rrefenjë (fjalë që vjen nga fjala rrëfim, diçka e treguar, tregim, rrëfim në trajtën e një përralle.) vendi Pogradec të jep një sinjal vendi konvencionalisht, ku e dëgjuara merr trajtën e një vendi të përfytyruar ku tregohet kjo përrallë, ku ka marrë jetë kjo përralle, “ku ka ndodhur kjo përrallë”. Në disa rrëfenja, jo veç vendi, por edhe koha konvencionalisht merr jetë përmes shënimit që vë në fund Kuteli “Punuar pas një përralle të dëgjuar në Pogradec më 1928 edhe 1943”.

    Nëse mbështetemi te rrëfenjat e Kutelit, narrativa e tyre me sy të lirë na jep pikërisht këtë ide: një përralle, por nëse i analizojmë mund t’i quajmë “përrallë me autorë”. Këto rrëfime, sikurse edhe përralla fillon me fjalë fikse “Njëherë e njëherë, Na ish një vashëzë e mbetur e varfër-pa mëmë, pa tatë, “Na paska qenë njëherë një i pasur.”, “Na ish njëherë një i mirë me mall e gjë shumë e na bënte dasmë e të birt.”. sikurse përralla, edhe rrëfimet e Kutelit përfundojnë me dhënien e një morali, konkretisht: “Dalëngadalë filloi ta dashurojë përsëri këtë jetë kaq të hidhur e kaq të ëmbël! Dhe u martua përsëri e nisi radhë të re!” etj.

    Kuteli na jep gjithashtu edhe koordonatat kohë e hapësirë të papërcaktuar. Koha mjegullohet, dhe përveç natës dhe ditës, si periudhë datore apo histrorike nuk figuron. Gjithashtu, Kuteli i thyen edhe kufijtë e hapësirës. Ai me detaje na rrëfen historinë e dashurisë së Rinë Katerinzës me një të vdekur, sesi me një të vdekur ajo lindi një fëmijë dhe e gjithë skena përrallore tregohet me detaje sikur po ndodh me të vërtetë. Shpesh tregimet e tij pasurohen me vargje tipike si i ka bërë populli më parë, madje si edhe populli Kuteli e përsërit disa herë të njejtën këngë apo fjalë të thënë:

    “Mos qaj moj bijëzë,

    Rinë-Katerinëzë,

    Se të prishen syzetë,

    Se të treten faqetë.”

    Megjithatë, përtej fantastikes, Kuteli dëshmon realitetin e mentalitetit shqiptar në atë kohë, është realist në mesazhe që do të trasmetojë, në atë qëllim pse e ka përdor invariantin e narracionit përrallesk. Ai vë përballë shqiptarit të kësaj kohe origjinën e tij, shtresëzimet palimsestike të subkoshiencës dhe të asaj që fle në nëndergjegje, për të cilën askush më nuk kujtohet. Mjeti më i mirë për Kutelin është pikërisht zgjimi i vetëdijes përmes përrallës.

    Kuteli zbret në subkoshiencën zanafillore për ta vënë përballë me realitetin e fillimshekullit të XX-të. “E madhe është gjemë e mëkatit” është vepra elaton i motivit biblik të Kutelit. Struktura e saj treshe si triniteri i krishtertë, doktrina, motive, figura e mëkatarit dhe i pendimtarit i Tat Tanushit është ndër motivet më të forta dhe pikat më të rëndësishme ku vërtitet lajtmotivi biblikë dhe madje mund të themi edhe bindjet kuteliane. E themi këtë të fundit, sepse Tat Tanushi, shpreh jo vetëm bindje të Kutelit, por shpesh edhe sipas kriticienëve të letërsisë edhe Kutelin e mveshur në figurën e këtij personazhi jo si njeri, individ, por si ide, si pikëpamje, si autor real biografik të veprës dhe real që mendon, ideon dhe e ndjen atë. Ai u bë model i mëkatit të fyerjes hyjnore i imoralit dhe i paspranimit të kaderit, të fatit që shkruan Zoti. Mesazhi i marrjes së Kalijes nga Zoti ishte i qartë. Ai nuk mund të adhurojë edhe krijuesin edhe krijesën. Ai po shkelte tek e ndaluara tek “molla e Ademit”. Por, ai ndaj hyut me vdekjen e Kalijes mëkatet që e ndiqnin hap pas hapi vërtetonin motivin fetarë se njeriu është mëkatar, i cili vazhdimisht mishi dhe gjaku i tij tërhiqet ndaj mëkatit, sikurse shpirti i tij i lidhur sado pak me Zotin tërhiqet ndaj pendimit dhe hyjnores. Dënimi me përjetësi me mosvdekje është një sfidë dhe njëkohësisht një mesazh fetar. Njeriu nuk është i krijuar sipas fesë që të jetë i pavdekshëm, por dhënia e pavdeksisë Tat Tanushit është një farë përgjigje pse Zoti e mori Kalijen. Një mënyrë të thëni që vdekja është më shumë shpëtim sesa fatkeqësi dhe se fatkeqësia më e rëndë është të mos vdesësh. Tat Tanushi e kërkonte vdekjen dhe po mundohej të vdiste e kjo ishte torturë për të. Por thelbësore është se ai u bë më shumë sesa një personazh simbolikë me motivacione fetare, u bë një ide, një etalon kutelian. Në fund të veprës ai shkrihet në sy të gjithëve, shkrin të keqen, mëkatin dhe lehtësohet me pastërtinë e larjes së pendimit ndaj të keqes.

    Kuteli është mjeshtër i motiveve popullore, marrjes së mesazheve popullore dhe fetare. Si i tillë ai është bërë referencë për mjaft hulumtues të kritikës dhe studiues të letërsisë, si ndër nismëtarët e letërsisë moderne, përmes simboleve dhe deri diku dritëhije të subkoshiencës njerëzore të përthyer në tiparet qenësore të personazheve.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË