More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEmin Azemi: “Maximilan Lambertzi për letërsinë shqipe”, vepër kapitale e Anton N....

    Emin Azemi: “Maximilan Lambertzi për letërsinë shqipe”, vepër kapitale e Anton N. Berishës

    Interesimi i Anton Nikë Berishës për albanologun austriak Maximilan Lambretz kishte evoluar, bashkë me ngritjen dhe formimin e tij profesional. Kështu, fillimisht, ai duke qenë një studiues i letërisë gojore në kuadër të Institutit Albanologjik të Prishtinës, i kishte përqëndruar kërkimet në veprimtarinë e Lambretzit pikërisht në fushën e kësaj letërsie, konkretisht në studimet e tij mbi epikën dhe përrallën tonë gojore.

    “MAXIMILAN LAMBERTZI PËR LETËRSINË SHQIPE”, botuar nga ITSHKSH në Shkup, është një vepër kapitale e Anton N. Berishës që e lidhë një traditë studimi të albanologjisë evropaine dhe, sidomos, të albanologëve gjermanë e austriak, me lexuesin shqiptar, i cili shumë pak ka qenë i njoftuar mbi kontributin e këtyre albanologëve. Kjo vepër është një përpjekje serioze, jo vetëm për ta ndriçuar një veprimtari pak të njohur të Maximilian Lambretzit, por edhe për të vendosur një standard valorizimi në interpretimin e teksteve të autorëve të huaj mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare. 

    Nga hulumtimet e prof. Berishës rezulton që Lambretzi kishte dhënë një ndihmesë të madhe, përpos në mbledhjen dhe në studimin e thesarit tonë gojor, edhe në prezantimin e specifikave etnopskologjike e kulturologjike të shqiptarëve para një audience më të gjerë evropiane. Përmes studimeve të tij, dhe sidomos hulumtimeve të epikës sonë gojore dhe përrallës, Lambretzi kishte arritur që ta “skanojë” karakterin shpirtëror e psikologjik të shqiptarëve përmes një “rentgeni” të vendosur dikund në malet e Shqipërisë.

    Duke e ndarë në katër pjesë librin e tij, Anton Nikë Berisha ka bërë një organizim të menduar mire të lëndës me material të bollshëm nga puna shkencore e Lambretzit.

    Në secilën prej këtyre pjesëve, duke filluar nga pjesa e parë ku Lambertzi paraqitet si njëri ndër albanologët më të shquar, pastaj pjesa e dytë në të cilën jepet kontributi i Lambretzit për letërsinë e shkruar shqipe, për ta rrumbulkaksuar profilin  etij shkencor në pjesën e tretë dhe të katërt me angazhimet dhe pasionet shkencore që Lambretzi kishte treguar ndaj letërsisë gojore shqipe si dhe ndaj librave gjuhësorë-mësimor, pa anashkaluar edhe kontributin e tij si përkthyes letrar , sidomos nga shqipja në gjermanisht, ku një vend qëndror zë sidomos përkthimi në gjermanisht i “Lahutës së Malcis”.

    Një arkitekturë e tillë librore është ndërtuar me zellin e hulumtuesit që kishte marrë për bazë, përpos veprimtarisë së Lambretzit, edhe një mori burimesh bibliografike që i kushtoheshin këtij albanologu të shquar. Kjo mbase i ka mundësuar Berishës të jep në mënyrë të detajuar gjithë tipologjinë dhe kronologjinë e veprimtarisë së Maximilian Lambtretzit, i cili për herë të parë kishte ra në kontakt me gjuhën shqipe gjatë një udhëtimi në Itali dhe në Greqi, teksa kishte përgjuar bisedat e peshkatarëve të Atikës dhe të Thivisit.

    I impresionuar nga ajo që kishte mbledhur në terren, Lambretzi në vitin 1917 kishte botuar në revistën “Posta e Shqypnisë” të Shkodrës disa tekste autoriale mbi epikën dhe mbi poezinë gojore shqipe. Kurse, po në të njëjtin vit, një qasje më serioze e tij mbi këtë poezi në formë të studimit me titull “Poezia popullore e shqiptarëve”, ishte botuar në Sarajevë.

    “Doracaku dhe libri i leximit të gjuhës shqipe” (Lehr – und Lesebuch des Albanischen (Vjenë 1913) është libri i parë i Lambretzit në fushën e albanologjisë, të cilin e shkroi në bashkëautorësi me Gjergj Pekmezin.

    Kurreshtja për gjuhën shqipe tek Lambretzi sa vinte e po shtohej, dhe për ta shuar këtë kurreshtje në vitet 1913/14 ai kishte udhëtuar në Italinë e jugut për të mësuar diçka më tepër mbi të folmet arbëreshe, por edhe për ta përdorur arbërishten si urë kalimi në interpretimin e mëpastajm të veprave të autorëve tjerë shqiptarë. Kështu edhe ndodhi. Dy vite më vonë, më 1916, me qëllim të hulumtimeve gjuhësore dhe folklorike udhëtoi për herë të parë në Shqipëri si anëtar i Komisonit për Ballkanin të Akademisë austriake të shkencave.

    Përveç këtyre të dhënave, pas një hulumtimi disavjeçar, autori na jep edhe një mori informacionesh me komentime përcjellëse, që lidhen me veprimtarinë e Maximilan Lambretzit. Ky i fundit  në vitin 1922 kishte botuar dy vepra: “Përralla shqiptare dhe tekste të tjera të folklorit shqiptar” dhe “Midis Drinit dhe Vjosës. Përralla nga Shqipëria”, ku në fokus të interesimit të tij janë poezia gojore, posaçërisht epika gojore dhe veçantitë e saj.

    Maximilian Lambretzi, duke dashur ta shuaj kurreshtjen e tij mbi thesarin e pazbuluar të trashëgimisë gojore shqiptare, e kishte shfrytzuar rastin që bashkë me trupat austro-hungareze të zbarkojë në Shqipëri në vitin 1916. Ai vendoset në Shkodër dhe për herë të parë njihet për së afërmi me aristokracinë kulturore të këtij qyteti, përfshi edhe Gjergj Fishtën, me të cilin bashkëpunoi në redaksinë e gazetës Posta e Shqypnies, tek e cila i botoi disa tekste autoriale.

    Gjatë qëndrimit në Shkodër, Lambretzi u angazhua edhe në mbikqyrjen e shkollave në zonën austro-hungareze, kurse ishte edhe anëtar i Komisisë Letrare Shqype, i ngarkuar nga autoritetet austro-hunagreze për vendosjen e një norme letrare të gjuhës shqipe.

    Njohja me Fishtën dhe me autorët tjerë të traditës shkrimore të rrethit letrar të Shkodrës – V.Prenushi, Sh. Gjeqovi, N.Nikaj, H.Mosi. N. Mjeda – i dhuroi Lambretzit shansin e rrallë që të bëjë sprovat e para të interpretimit të disa prej veprave kulmore të kësaj tradite, ku një vend të rëndësishëm zinte “Lahuta e Malcisë” e Gjergj Fishtës. Prandaj, falë Lambretzit, Fishta u bë i njohur për lexuesin gjermanofon, përmes studimit “Gjergj Fishta dhe epi heroik shqiptar Lahuta e Malcís. Një hyrje në botën e legjendave shqiptare”, botuar në vitin 1949 dhe sidomos përmes përkthimit të plotë në gjermanisht të “Lahutës së Malcis” në vitin 1958, e cila përcillej me një parathënie dhe me shënime sqaruese dedikuar lexuesit gjermanofon i cili për herë të parë po njihej më nga afër me një teatër të lashtë epik, ku vijat karakterologjike të shqiptarëve paraqiteshin me dorën mjeshtrore të një “filigranisti” homerik, siç ishte Gjergj Fishta, i cili po e hapte perden e madhe të traditës kulturore shqiptare para një opinioni të kultivuar evropian. Madje A. N. Berisha me të drejtë ka përzgjedhur një mendim të Karl Gurakuqit që i afrohet shumë lësaj të vërtete: “Shërbimet qi i ka sjellë kombit shqiptar (Lambertz-i – v. A.N.B) janë të mëdhaja, por ma i madhi asht, pa tjetër, përkthimi i ”Lahutës”, qi na qet faqen e bardhë përpara botës së kulturueme ”. 

    Në anën tjetër, libri “MAXIMILAN LAMBERTZI PËR LETËRSINË SHQIPE”  na jep të kuptojmë se lexuesi shqiptar përmes këtij albanologu përvetësoi një kulturë të re receptimi të letërsisë sonë, sidomos të asaj pjese që vështirë komunikonte me hapësirën kulturore shqiptare, për shkak të gjuhës arkaike, siç ishte, bie fjala “Gjella e Shën Mërís Virgjër” e Jul Varibobës, pjesë të së cilës i kishte përkthyer edhe në gjermanisht. Mbi këtë vepër, siç mësojmë nga ky libër që kemi në duar,  Lambretzi kishte shkruar një studim në vitin 1956, të cilin e quan “një kurorë prej baladash dhe poezish lirike”. Për ta argumentuar këtë konstatim, autori citon Lambretzin teksa shprehet se  “vepra, më e mirë kurora e këngëve, është hartuar në dialektin e vendlindjes së poetit, për nga forma dhe përmbajtja e arrirë, plot hijeshi dhe poezi. Humori dhe tiparet e botës regjionale i bëjnë poezitë e Varibobës pa dyshim thesare më të çmueshme të letërsisë së shkruar italo-shqiptare”.

    Praktika të ngjashme të përvetësimit të traditës gojore në letërinë e shkruar, kanë qenë prezente edhe në përvojën e shkrimtarëve të ndryshëm botëror. Njëri nga ta, Italo Kalvino, i cili arkitekturën e narracionit letrar e mbindërton duke përdorur kallximin popullor si brum letrar të cilin e integron në strukurën fabulare të tij. Ai madje e kishte pranuar hapur se “La novella nun e bella se sopra nun ci si rappel”(“Tregimi nuk është i bukur nëse nuk mbindërtohet”), duke i dhënë hapësirë kësaj tematike në Leksionet amerikane: “ Nëse në një moment të caktuar të aktivitetit tim letrar kam qenë i pasionuar pas tregimeve popullore, kjo nuk buronte nga besimi në ndonjë përkatësie etnike ( duke marr parasysh edhe faktin se rrënjët e mia ishin në një Itali moderne e kosmopolite), por për shkak të interesit tim struktural e stilistik për ekonominë, ritmin dhe ligjikën thelbësore me të cilën këto tregime janë rrëfyer”.  1)

    Në studimin e tij, edhe Anton Nikë Berisha ka shkoqitur përkushtimin e Lambretzit mbi lidhjet e ngushta të epikës gojore shqiptare me llojet e tjera të krijimtarisë letrare gojore shqipe, të cilat i bëri objekt trajtimi edhe afritë e saj me përrallat shqipe, të cilat, siç do të shprehej Klod Bremon, mund të shërbenin edhe si “atome narrative”2) të letërsisë së shkruar.

    Lidhjet e epikës gojore shqipe me epikën e shkruar, ndonëse “në procesin e gjatë të bashkëjetesës dhe të bashkëvepimit kufijtë e ndikimeve nuk mund të  përcaktohen në mënyrë të prerë…sepse letërsia që bartet gojë më gojë ka zanafillën më të hershme, është krijuar dhe ka jetuar më parë se letërsia e shkruar”. 3),  Lambretzi i gjen më së miri te “Lahuta e  Malcís” e Gjergj Fishtës, dhe kjo ka ndodhur , sipas profesor Berishës, edhe për të dëshmuar ekzistimin e Homerit si poet dhe krijues i epeve të famshme antike “Iliadës” dhe “Odi¬sesë”, duke sjellë të dhëna për përkime të thella e të gjithan¬shme të epikës gojore shqiptare dhe të “Lahutës së Malcisë”. Pikërisht nga ky studim i profesor Berishës rigjejmë tezën e njohur, të cilën e kishte mbështetur edhe Lambertzi  se Homeri i kishte shkruar dy kryeepet duke pasur për bazë poezinë gojore dhe “falë gjeniut të tij ai arriti t’i ngritë ato në atë nivel dhe t’u japë atë formë, e cila na ka arritur dhe si e tillë na është e njohur”.

    Interesimet më thelbësore të Maximilain Lambretzit për autorët shqiptarë, duke huazuar në veprat e tyre thesarin e letërisë gojore si një “farë” letrare, mbase,  mund të vërehen pikërisht në qasjen që ai kishte ndaj veprës së Fishtës dhe Varibobës. Këtë interesim të Lambretzit, autori Berisha e sqaron në këtë mënyrë: “Edhe punimet e Lambertzit për veprat “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” të Varibobës dhe “Lahuta e Malcís” të Fishtës përligjin lidhshmërinë e madhe të letërsisë sonë gojore me letërsinë tonë të shkruar, përkatësisht të përkimeve poetike dhe të afrive midis tyre. Pra, vetëm vështrimi në tërësi i mendimit të Lambertzit për letërsinë tonë mundësoi ndriçimin dhe njohjen e mirëfilltë të ndihmesës së tij n ë këtë fushëveprimtari”.

    Përveç që afirmoi kulturën e shkrimit shqip dhe thesarin tonë popullor në hapësirën gjuhësore gjermanofone, Lambretzi, siç na e thotë autori Anton Nikë Berisha, do të mbetet në kujtesën e studiuesve dhe vëzhguesve të rrjedhave teorike-letrare edhe me studimin e njohur “Lindja dhe zhvillimi i letërisë shqiptare”, në të cilin për herë të parë analizohen disa specifika dhe dukuri të qarqeve letrare të letërsisë shqipe, por njëherësh për herë të parë në mënyrë të detajuar merren në shqyrtim nga një studiues shqiptar, siç e kemi rastin me autorin e këtij libri, cili teksa flet për prirjen e Lambretzit për të depërtuar në specifikat e shtrirjes hapësnore të letërisë shqipe e  kishte bërë këtë ndarje në gjashtë treva: treva italoshqiptare, letrarët e Shkodrës, shkrimtarët dhe poetët e Shqipërisë së Mesme (nga Tirana dhe Elbasani), treva toske, treva e Korçës dhe  letrarët e diasporës, përfshi  shkrimtarët me kombësi shqiptare në Bukuresht, Sofje, Konstandinopol, Egjipt dhe Amerikë ”.

    Lambretzi kur iu rrek të shkoqis gjeografinë letrare shqiptare, nuk mjaftohej vetëm me sqarimet e mësiërme, andaj, siç na e zbulon profesor Berisha, ai shkon më tej me zbërthimin e kësaj teme: “Nga qarqet letrare të formuara janë së pari qarku i Shqipërisë së Veriut me Shkodrën si qendër, së dyti arbëreshët e Kalabrisë dhe Siçilisë me qendrat Spezzano Albanese, San Demetrio Corone, Palermo (Piana dei Greci), së treti qarku i Shqipërisë së Mesme ose qarku gegë jugor me qendrat së pari Elbasanin e pastaj Tiranën, së katërti qarku i Shqipërisë së Jugut me qendrat Korçën (Voskopojën), Gjirokastrën dhe Frashërin dhe së fundit i pesti emigracioni ose letrarët në Stamboll, në Bukuresht, në Sofje, në Vjenë, në Kajro e Aleksandri, në Boston të SHBA-ve”. Me këtë rast profesror Berisha kishte vërejtur se  kësaj radhe Lambertzi përmend pesë qarqe e jo gjashtë si në Hyrjen e vëllimit “Zwischen Drin und Vojusa” dhe kjo kishte ndodhur pasi që në qarkun e Shqipërisë së Jugut përfshin edhe krijuesit nga Korça, të cilët më 1922 i kategorizonte grup me vete.

    Para se të merrej me studimin e letërsisë shqipe, asaj gojore dhe të shkruar, Maximilian Lambertz, siç provohet edhe në këtë librët të A N. Berishës, sigurisht kishte nuhajtje mbi atë se çka do të mund ta intrigonte atë më së tepërmi dhe kjo iu mundësua në momentin kur ra në ontakt me këtë letëris, nga e cila nuk u shkëput deri në fund tël jetës së tij. Depërtimi i tij në thellësitë magjike të tonalitetit poetik të letërisë shqipe, bazohej në studimin e karakterit etno-pskologjik të traditës së pasur popullore prej nga vinte e pashterrshme gurra e letërissë gojore, e cila luajti edhe rolin e një palimsesti për letërsinë e shkruar.

    Pas analizës që i bën studimit “Poezia popullore e shqiptarëve. Një studim hyrës” (Volkspoesie der Albaner. Eine einfürende Studie), të Lambertzit, profesor Berisha  vë në pah meritat e këtij studuesi për të identifikuar   rëndësinë e  komunikimit të artit të fjalës në formën gojore përballë atij të shkruar. Nga ky studim kuptojmë diçka më tepër edhe mbi statusin e poetit popullor, të cilët nuk janë të parët, që kanë hartuar poezi, kurse “veprat e veta poetike nuk i bënë nga asgjëja, por qindra vjet para tyre ishte tek populli i tyre në të gjitha kohët një radhë e madhe dhe e aftë e krijuesve popullorë, si burra ashtu edhe gra, që ndjen nevojën t’i shprehin ndjenjat dhe fantazinë e tyre në formë të artit  dhe se poezia gojore nuk i paraprin vetëm krijimtarisë poetike të shkruar të një popullit, si një burim i pa shtjerrë dhe i pandalshëm, por ajo është gjithashtu, në masën më të madhe, pasqyrë e cilësive shpirtërore”.

    Shembuj të shumtë nga letërsia botërore na e konfirmojnë këtë qëndrim të Lambretzit mbi lidhshmërinë e letërisë gojore me atë të shkruar, dhe kjo më së miri është shfaqur edhe në krijimtarinë e Dantes, siç e ka vërejtur edhe studiuesi Sidnei Finkelshtajn.


    “Danteja duke e shkruar ‘Komedinë Hyjnore’ në gjuhën italiane “vulgare” në një kohë që dijetarët  vazhdonin të shkruanin akoma latinisht, shënon kthimin e artistëve nga populli për të gjetur lëndën  tyre të parë. Bokaçioja e shkroi “Dekameronin” duke përdorur gjuhën dhe historitë e popullit, krijoi një formë  me anë të së cilës zbulonte një tablo të jetës së qytetarëve italianë.”4) 

    Lidhshmëria e Lambertzi me letërsië gojore shqipe nuk ishte thjeshtë çështje kurreshtjeje sipërfaqësore e një të huaji që për herë të parë po e vizitonte një vend të panjohur. Kjo lidhshmëri burimin e kishte te pasioni i fuqishëm i Lambertzit për të nxjerrë në pah vlerat e panjohura të një tradite mijëravjeçare që ishte ruajtur me xhelozi nga goja në gojë dhe nga kënga në këngë.

    Kjo mbase është edhe merita e këtij studimi mbi këtë albanolog gjermanofon, i cili kishte edhe një arsye tjetër të fortë që e spjegonte thelbin e  përkushtimit ndaj letërsisë gojore shqipe, duke përfshi edhe këngët kreshnike. Për ta ilustruar më së miri këtë përkushtim, profesor Berisha sjell para lexuesit një pasazh shumë domethënës nga fundi i studimi të  Lambretzit “Poezia popullore e shqiptarëve”, që ishte botuar më 1917: “Sot për sot po e jap fjalën e shpresës, që nëse edhe një herë bota do ta fitojë lirinë, nga qenësia e popullit shqiptar, ku ruhen aq thesare të lashta e të bukura në këngë dhe në përralla, në gojëdhëna e besime popullore, shkenca do të nxjerrë po ashtu njohuri të çmueshme edhe mbi doke e zakone të popujve të tjerë indogjermanë ”.

    Nëse i referohemi vet titullit të këtij libri “Maximilan Lambertzi për letërsinë shqipe” nuk e kemi vështirë të vërejmë interesimin dhe fokusimin e autorit Anton N. Berisha në shpalimin e detajeve të panjohura nga veprimtaria e gjerë e Maximlina Lambretzit, sidomos mbi interesimin e këtij albanologu austriak ndaj problematikave  të veçanta të letërsisë shqipe. Prandaj edhe këtu konsiston ky hulumtim shterrues i profesor Berishës, i cili përpos kronologjisë, sjell edhe tiopologjinë e studimeve të Lambretzit mbi letërisë shqipe. Lexuesi shqiptar për herë të parë do të njihet me profilin shkencor të një albanologu të huaj, veprimtaria e të cili ishte ngusht e lidhur me ndriçimin e specifikave dialektore të gjuhës shipe si dhe me nuancat zhvillimore të letërisë shqipe, siç mund të shihte edhe në punimin e tij:  Albanische mundarten in Italien (Dialektet shqiptare në Itali – Indogermanisches Jahrbuch II, Jhg. 1914 – 1915), ku përmend dhe letërsinë e arbëreshëve të Italisë dhe disa nga përfaqësuesit më emblematik të saj.

    Për të shterruar kurreshtjne e lexuesit, autori ka sjellur edhe një mori materialesh që lidhen drejtpëdrejt me punën studimore të Lambretzit, e që kishin në fokus letërsinë shqipe. Në këtë kontekst ai përmend  Raportin e vitit 1916, paraqitur pranë Akademisë mbretërore të shkencave të Vjenës (Anzeiger 53, Jhg. 1916), në të cilin Lambertzi jep disa të dhëna pak më të plota për këtë letërsi (sidomos f. 129 – 130 dhe 134 – 136). Në këtë material për herë të parë vëhet në dukje një konstatim që kishte të bënte me vlerat  e letërsisë së arbëreshëve të Italisë, sipas të cilit letërsia e mirëfilltë e shkruar shqipe së pari lindi te arbëreshët e Italisë, por duke shtuar mozaikun e vlerave edhe në dy krahë tjetë të letërisë shqipe, në Jug të Shqipërisë, ku në çerekun e fundit të shek. 19-të kishte lindur një letërsi e shkruar me përfaqësuesit gjenialë, Naim be Frashërin dhe Asdrenin, kurse në Veri të Shqipërisë, sipas Lambtretzit, po zhvillohej një letërsi me autorë që kishin individualitete të theksuara, ndër të cilët ai përmend: Gj. Fishtën, Sh. Gjeçovin, A. Xanonin, H. Mosin, L. Gurakuqin, A. Harapin etj.

    Si përfundim mund të thuhet se albanologjia shqiptare dhe ajo e huaj, tash e tutje kanë rastin të studiohen në një rrafsh komparativ, falë hulumtimit monografik  gjithpërfshirës që vjen përmes këtij libri tepër të veçantë të studiuesit tonë të shquar Anton Nikë Berisha.

    Vlerën e këtij libri  e shtojnë tri komponenta thelbësore që ndërlidhen drejpërdrejt  me fuqinë receptuese të tij dhe me kredon krijuese e shkencore të vet autorit:

    E para, libri i profesor Berishës është i hapur në pikëpmaje të ideve që shtrohen për arsye se autori ka përzgjedhur metodologjinë e krahasimit dhe selektimit të materialit arkivor të albanalogut Maximilan Lambretz, duke iu dhënë mundësi edhe studiuesve të tjerë që të plotësojnë pikëpamjet dhe vështrimet e tyre kritike mbi punën voluminoze të këtij albanologu austriak.

    E dya, autori ka përdorur burime e referenca të shumta dhe kjo ia shton kësaj vepre vlerën e dokumentimit të dëshmisë, një komponentë kjo mjaft e qenësishme e rezistimit të fakteve ndaj erozionit të mosvëmednjes dhe harresës.

    E treta, në literaturën tonë shkencore-albanologjike kjo monografi jo vetëm që plotëson një boshllëk në fondin botues kushtuar albanologëve të huaj, por ajo mund të merret edhe si model i kombinimit të dijes, përvojës  dhe përkushtimit hulumtues të autorit, i cili formatin e tij prej studiuesi të veçant po e mbindërton me këtë vepër kapitale kushtuar njërit prej korifenjve të albanologjisë gjermane – Maximilian Lambretzit. 

    Libri “MAXIMILAN LAMBERTZI PËR LETËRSINË SHQIPE” bën pjesë në atë grup veprash, rëndësia e të cilëve shkon duke u shtuar bashkë me ngritjen e kulturës së receptimit në një shkallë më të lartë, për t’u bërë, kështu, pjesë e formimit dhe zhvillimit të një kulture më të avancuar të vlerësimit të autorëve dhe veprave, pasi që, siç e thotë edhe Manfred Nauman: “Vepra të caktuara me veçantitë e tyre përmbajtësore e nxisin lexuesin që të jenë në kontakt të vazhdueshëm me to, ndërkohë që ka vepra të tjera, mbase më shumë, të cilat lexuesi pas një kohe të caktuar i braktis si objekt receptimi.”5)

    Libri që kemi në dorë, me të cilin tash e tutje do të jemi në “kontakt të vazhdueshëm”, funksioninin e vet komunikues dhe receptues do ta zhvillojë, krahas rëndësisë që përmban në vete, edhe kërshërisë së studiuesve për ta pasur si pikënisje pikërisht një hulumtim që e hap dhe e kanalizon debatin shkencor mbi trendet e albanologjisë së mijëvjçeçarit të ri dhe kontributin kolosal të albanologëve të huaj në këtë drejtim, ku një vend qendror zë, pa dyshim, albanologu austriak Maximilan Lambretzi.

    ______________

    1)     Italo Kalvino, “Americka predavanja”, Novi Sad, 1989, fq. 43

    2)     Klod Levi-Stros, “Morfologija bajke”, Prosveta, Beograd, 1982, fq.78

    3)     Anton Berisha, “Mundësi interpretimi”, Rilindja, Prishtinë, 1979, fq. 131/132)

    4)     Sidnei Finkelshtajn, “Studime kritike”,  botoi “Naim Frashëri”, Tiranë, 1982, fq. 344

    5)     Manfred Nauman, “Teorija recepcije u nauci o knjizevnosti”, NOLIT, Beograd, 1978, fq. 146

    (Autori është udhëheqës i Departamnetit të Letërsisë në Institutin e Trashëgimisë Shpirtëore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË