More
    KreuArte pamoreEmin Azemi: Ekspozita e Gani Bytyçit – një kujtesë e përflakur në...

    Emin Azemi: Ekspozita e Gani Bytyçit – një kujtesë e përflakur në ngjyrë dhe shpirt

    Në katër ciklet ideore – “Rrugëtimi fatal”, “Thyerje”, “Portrete” dhe “Peizazhe” – Bytyçi na udhëheq përmes një itinerari shpirtëror dhe historik, ku piktura nuk është vetëm medium vizuel, por shndërrohet në gjuhë dhe rrëfim kolektiv. Në tablotë të mbushura me kontraste dritash e ngjyrash nuk ka spektakël, ka dhimbje. Nuk ka ornament, ka thellësi. Çdo ngjyrë, çdo formë, çdo rrudhë mbi portret, bart një peshë: të kujtesës, të humbjes, të kërkimit për dritë.


    Në një kohë kur arti rrezikon të zhytet në konsum dhe pamje virtuale, ekspozita e piktorit Gani Bytyçi që u hap më 20 qershor në Gjilan, paraqet një përballje drithëruese me shpirtin njerëzor dhe kujtesën kolektive. Në galeritë e artit rrallëherë ndodh që piktura të mos kërkojë vetëm një shikim estetik, por edhe një akt përjetimi të thellë emocional dhe reflektimi historik. Ekspozita e fundit e piktorit Gani Bytyçi nuk është vetëm një retrospektivë artistike. Ajo është një kujtesë e përflakur, një rrëfim i vizatuar me dritë dhe dhimbje, ku mediumi i ngjyrës shndërrohet në një tekst i heshtur që flet me zërin e të përvuajturve.

    Kjo ekspozitë, e kuruar me mjeshtëri dhe ndjeshmëri, është një maratonë artstike që vrapin e ka bërë me ndjesinë rrëqethëse të një artisti që i ka kushtuar dekada të tëra krijimtarisë, jo për zbukurim, por për dëshmi: për të dëshmuar rrugëtimin tonë historik, dramatik, dhe shpesh tragjik.

    Në katër ciklet ideore – “Rrugëtimi fatal”, “Thyerje”, “Portrete” dhe “Peizazhe” – Bytyçi na udhëheq përmes një itinerari shpirtëror dhe historik, ku piktura nuk është vetëm medium vizuel, por shndërrohet në gjuhë dhe rrëfim kolektiv. Në tablotë të mbushura me kontraste dritash e ngjyrash nuk ka spektakël, ka dhimbje. Nuk ka ornament, ka thellësi. Çdo ngjyrë, çdo formë, çdo rrudhë mbi portret, bart një peshë: të kujtesës, të humbjes, të kërkimit për dritë.

    Qasja estetike e Bytyçit nuk mund të kuptohet jashtë përvojës së tij jetësore dhe trajektores kolektive shqiptare. Me një bagazh të thellë letrar dhe filozofik, me një përvojë të gjatë në kritikën e artit dhe letërsisë, Bytyçi e ndërton diskursin vizual mbi tri boshtet themelore: trauma kolektive, njeriu si figurë e thyer dhe kërkimi për dritë si metaforë shpëtimi.

    Portretet e tij janë më shumë se pamje, ato janë gjendje. Fytyrat e shfaqura mbi pëlhurë janë të plagosura, të mbyllura pas grilave, në ikje apo në reflektim të tmerrit. Ato nuk kërkojnë keqardhje, por mirëkuptim. Ato janë pasqyra të historive tona, të ikjeve tona, të heshtjeve tona të dhimbshme. Ashtu siç ka vërejtur kritika franceze, në çdo pikturë të Bytyçit mund të shihet një “pikturë e dytë”, një narrativë e fshehur, që zbulohet vetëm nga syri i ndjeshëm dhe shpirti i përgatitur për të dëgjuar.

    Në aspektin semiotik, veprat e tij përmbajnë një strukturë narrative komplekse, ku simboli është më shumë se mjet shprehës – ai është një akt memorie. Ciklet si “Rrugëtimi fatal”, “Thyerje” dhe “Portrete” përfaqësojnë tri nivele të ndërgjegjes historike: rrugëtimin si ekzil, thyerjen si fragmentim të identitetit dhe portretin si dëshmi të traumës. Shikuesi, në këtë rast, nuk është spektator i pasivizuar, por bëhet lexues i një drame që mbart dimensionin antropologjik të mbijetesës.

    Teknika e tij – vaj në letër ose në pëlhurë – i jep një dritë të veçantë veprave, duke krijuar kontraste të forta mes errësirës dhe dritës, mes dëshpërimit dhe shpresës, mes figurës dhe abstraktes. Në këto tensione, Bytyçi e ndërton individualitetin e vet artistik, duke e ruajtur ekspresivitetin dhe përkushtimin ndaj temave universale e kombëtare, por me theks mbi mikrokosmosin e nënqiellit të tij, të cilin ai e njeh dhe e ndjen deri në placë.

    Kompozicionet janë të ndërtuara me një tension të brendshëm midis figurës dhe abstraktes, duke përfaqësuar jo vetëm përvojën pamore, por edhe shpërbërjen e saj si akt kritik ndaj realitetit. Ngjyrat e tij nuk janë vetëm zgjidhje teknike, por bartin një funksion psiko-emocional. Ngjyra e errët nuk është errësirë fizike, por psikë kolektive e trazuar. Portretet pa sy, fytyrat pas grilave, kafkat e shpërndara, janë figura arketipale që i përkasin kujtesës historike dhe nuk janë të lokalizuara vetëm në hapësirë shqiptare, por flasin me gjuhën e universales.

    Ajo çka e veçon këtë ekspozitë është përmasa saj humane. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një ekspozitë pikture, por me një testament emocional dhe shpirtëror. Është një qasje që shkon përtej estetikës, një përpjekje për të kuptuar njeriun në betejën e tij me dhunën, me harresën, me absurditetin dhe me të pamundshmen. Për këtë arsye, pikturat e Bytyçit më shumë përjetohen sesa shikohen.

    Ekspozita në Gjilan paraqet një sintezë të rrallë, një përmbledhje të një rrugëtimi artistik që shënon jo vetëm maturinë krijuese të autorit, por edhe gatishmërinë e tij për të mbetur i lidhur me temat që e dhembin dhe e lartësojnë njëkohësisht. Arti i tij është rrëfim, akuzë, lutje dhe dritare, një përpjekje e përhershme për të mos e lejuar harresën të mbizotërojë mbi kujtesën.

    Në këtë kontekst, arti i Bytyçit mund të lexohet përmes teorisë së “kujtesës kulturore” të Jan Assmann-it: piktura si mjet për ruajtjen dhe komunikimin e përvojave traumatike, si një arkiv vizual ku ruhet e shkuara që institucionet shpeshherë duan ta harrojnë. Çdo tablo është një akt rezistence, një kundërshti ndaj harresës institucionale dhe një përpjekje për të dokumentuar historinë përmes sensibilitetit artistik.

    Në planin emocional, veprat e Bytyçit prekin palcën e njeriut. Ato nuk flasin me ton të lartë, por me psherëtimë të gjatë. Shikimi i tyre është një akt i dhimbshëm, por njëkohësisht i nevojshëm për të kuptuar se arti nuk është vetëm stoli e kohës së lirë – ai është një mjet i thellë ndërgjegjësimi dhe ndërtimi të kujtesës së drejtë.

    Në ciklin e fundit, “Peizazhe”, autori krijon një kulm të qetësisë, një hapësirë reflektimi pas përplasjes së fortë emocionale që ka shkaktuar më parë. Por edhe këtu natyra nuk është e pafajshme. Ajo është vendi i heshtjes së pasluftës, i zërave që mungojnë dhe njerëzve të dashur që i presim , i dramës që ndodhi dhe që tani përpiqet të mbijetojë përmes kujtimit.

    Ekspozita e Gani Bytyçit, me rreth 60 vepra, nuk është vetëm një paraqitje estetike, por një dokument vizual që qëndron në kufirin ndërmjet artit, historisë dhe filozofisë së ekzistencës. Për rrjedhojë aii është kronisti i heshtur i shpirtit të plagosur kolektiv. Në këtë kontekst, Bytyçi nuk është vetëm piktor – ai është një etnolog i ndjenjës, një arkeolog i fatit njerëzor, një poet vizual i asaj që nuk thuhet dot me fjalë.

    Në fund, ai qëndron përballë nesh jo si një mjeshtër që kërkon lavdi, por si një dëshmitar që i ka dhënë shpirt telajos dhe ngjyrës, për të na kujtuar se arti i vërtetë nuk lind nga lehtësia, por nga plagët që kanë nevojë të shndërrohen në kuptim. Arti i Gani Bytyçit edhe përmes kësaj ekspozite është një tingëllimë që vjen e heshtur në mendjen tonë, por në simfoninë e gjerë të ngjyrave, hijeve e vijave ajo bëhet gjithnjë e më e fuqishme, ashtu siç është i fuqishëm ndikmi posiko-emocional i këtyre pikturave.

    Shkup, qershor 2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË