Nga fundi i muajit të kaluar ndoqa rastësisht prof. Primo Shllakun te emisioni tërheqës “Arnautistan” i Mustafa Nanos. Emërtimin e këtij emisioni e kam kuptuar si jehonë të thirrjes migjeniane për të shkundur “kalbësinat e vjetra”, që për hir të tyre “të mos zhytemi prapë në pellgun e mjerimit”. E kapa bisedën pak përpara se prof. P. Shllaku të shprehej që “Gjergj Fishtën e vrau edhe viti 1972”. Natyrisht është një shprehje e figurshme e një poeti dhe profesori të letërsisë. Prof. P. Shllaku do të thotë me këtë që shqipja letrare e sanksionuar në Kongresin e Drejtshkrimit (jemi në vitin e 50-vjetorit të tij) e ka bërë Fishtën të pakuptueshëm për lexuesin e sotshëm dhe vepra e tij po mbetet në harresë bashkë me autorin. I jap të drejtë prof. P. Shllakut për ankimin që 150-vjetori i lindjes së Poetit (1871–2021) kaloi në mënyrë të vakët dhe jo si një rast i mirëpritur për të hedhur dritë të re mbi këtë figurë poliedrike të letrave shqipe dhe të jetës kulturore e politike, për t’ua afruar e zbuluar më mirë shqiptarëve krijimtarinë e shumanshme të tij dhe vlerat e saj për të shkuarën e për të sotmen. Gjergj Fishta është i të gjithëve dhe nuk ka qenë aspak e tepërt që ai të përkujtohej, qoftë edhe me veprimtari modeste, në të gjitha qendrat universitare shqiptare. Sigurisht hutimi nga pandemia është njëra nga arsyet, por jo kryesorja.
Le të kthehemi te pohimi që Fishtën e vrau viti 1972, d.m.th. shqipja e sotme letrare, që ka një bazë fonetike e gramatikore sipas dialektit të jugut. Sigurisht ky pohim nuk ka të bëjë vetëm me Fishtën, por duhet vështruar në kuadrin e temës së përgjithshme: letërsia shqipe e traditës dhe koha jonë. Madje mund të vështrohet edhe në një kuadër më të gjerë: klasikët e letërsive europiane dhe koha e sotme. Kureshtja për këtë temë më ka nxitur të pyes kolegë të huaj se kush i lexon sot, p.sh. veprat e klasikëve grekë e romakë, veprat e autorëve të tillë si Dante, Petrarca, Tasso, Shakespeare, Rousseau, Byron, Racine, Corneille, Moliere, Goethe, Schiller, Foscolo, Manzoni, Balzac e të tjerë si këta. Përgjigjja ka qenë: në radhë të parë nxënësit dhe studentët, profesorët e letërsisë dhe studiuesit, pastaj pensionistët, kur duan t’u kthehen kujtimeve të moshës shkollore dhe t’i rijetojnë ato lexime të hershme me pjekurinë dhe përvojën që u ka dhënë jeta. Rrallëkush merr vepra të tyre për t’i lexuar në orët e lira pas punës. Jetojmë në një kohë të re dhe duhet të ndjekim rrjedhën e saj, artin e letërsinë e saj, që mund të na ndihmojnë për të kuptuar botën e vogël dhe botën e madhe në fillimin e këtij mijëvjeçari!
Në rastin e letërsisë shqipe shtohet edhe një rrethanë tjetër: letërsia shqipe e traditës është krijuar para vitit 1972, kur shqiptarët në të gjithë hapësirën e tyre historike të Ballkanit Perëndimor dhe në diasporë, vendosën të pranojnë gjuhën e letrare të njësuar, e cila është bërë sot jo vetëm një realitet i pakthyeshëm, por edhe një faktor jetik për zhvillimin e qytetërimit shqiptar. Studiuesit kanë sjellë një varg argumentesh për të shpjeguar pse shqipja standarde është ndërtuar mbi bazën fonetike e gramatikore të dialektit të jugut. Unë pajtohem me mendimin se për këtë kanë ndikuar faktorë gjuhësorë e jashtëgjuhësorë. Ndër faktorët gjuhësorë përmendet relievi dialektor shumë më i butë i dialektit të Jugut në krahasim me relievin dialektor mjaft të përthyer të dialektit të Veriut, d.m.th. dallimet dialektore të të folmeve nga Shkumbini e poshtë janë shumë më të buta në krahasim me dallimet ndërmjet të folmeve nga Shkumbini e lart. Kjo ka sjellë që edhe gjuha e shkruar e autorëve nga Jugu të arrijë herët një lloj forme deri diku të njëtrajtshme, çka nuk e arriti dot gjuha e shkruar e autorëve nga Veriu.
Krahas kësaj ka pasur pa dyshim një peshë të rëndësishme edhe gjendja arsimore-kulturore e popullsisë së shtetit shqiptar, sepse gjuha letrare në fund të fundit del si produkt i njerëzve me shkollë e me kulturë, i atyre që shkruajnë e lexojnë. Është domethënëse për këtë një pasqyrë statistikore që gjendet në librin “Shqipëria më 1927” të statistikanit të parë të shtetit shqiptar, Teki Selenica. Sipas ndarjes administrative të asaj kohe Shqipëria përbëhej nga dhjetë prefektura: gjashtë të Veriut (Shkodra, Kukësi, Dibra, Durrësi, Tirana, Elbasani) dhe katër të Jugut (Berati, Korça, Vlora dhe Gjirokastra). Më poshtë po japim një pasqyrë të përgjithshme në shkallë vendi të personave të shkolluar (pasqyra sipas prefekturave në fund të shkrimit).
Nga shpërpjesëtimi i përqindjes së të shkolluarve në këtë pasqyrë (ku nuk përfshihen veprimtarët politikë e kulturorë të diasporës, që vinin në pjesën më të madhe nga viset e Jugut) bëhet e qartë pse pjesa më e madhe e klasës së re politike që doli në skenë gjatë viteve të luftës antifashiste dhe kuadrat kryesorë drejtues qoftë të Partisë Komuniste, qoftë të Ballit Kombëtar, vinin nga prefekturat e Jugut: që të hysh në veprimtarinë politike, duhet të jesh i shkolluar! Nga kjo pasqyrë kuptohet gjithashtu edhe se shumica dërrmuese e atyre që zbatuan dekretin kryeministror të vitit 1923, me të cilin dialekti i Elbasanit caktohej si dialekt zyrtar i shtetit (d.m.th. i veprimtarisë zyrtare administrative) kanë qenë përsëri nga prefekturat e Jugut. Prandaj mund të pohohet se ecuria që mori procesi i zhvillimit të shqipes letrare sidomos pas luftës, nuk ishte pasojë e ndonjë shtrëngimi që të ndërronte kahun e zhvillimit të shqipes letrare, por ishte pasojë e natyrshme e gjendjes kulturore-arsimore të vendit. Dhe kur në procesin e formimit të një gjuhe letrare të njësuar përzgjidhet një bazë dialektore e caktuar, kjo nuk do të thotë që prodhimi letrar mbi një bazë të tjetër dialektore është i dënuar “të vritet”! Aq më tepër në rastin shqipes, për të cilën albanologu Maximilian Lambertz (duke pasur parasysh edhe gjuhët e tjera të Europës) shprehej në mënyrë të figurshme se vetëm suvaja është e ndryshme (toskërisht – gegërisht), ndërsa ndërtimi i gjuhës poshtë saj është i njëjti.
Shqiptarët, siç e dimë të gjithë, nga rrethanat e jetës e të shkollimit, i kanë në përgjithësi, njohuritë kryesore për dallimet ndërmjet dialekteve, e dinë p.sh. se bëj, këmba, kënga, shkruaj, grua, kam hapur, i larguar, vaj janë toskërisht, ndërsa baj, kamba, kanga, shkruej, grue, kam hapë, i larguem, voj janë gegërisht. Filmi “Skënderbeu” (1954), ku një pjesë e aktorëve flasin gegërisht e një pjesë toskërisht është kuptuar për bukuri anembanë Shqipërisë! Dramat e Kolë Jakovës, të Fadil Krajës, të interpretuara gegërisht, kanë qenë nga më të suksesshmet në skenat tona, ashtu si edhe shfaqjet e tjera të teatrit “Migjeni” e të estradës së Shkodrës. Të gjithë shqiptarët, nga Jugu e nga Veriu, kanë mësuar pa ndonjë vështirësi të lexojnë ose të këndojnë vjersha e këngë si O moj Shqypni …; O malet e Shqipërisë …; Rreth Flamurit të përbashkuar …; Përmbi zâ qi lëshon bylbyli, /gjuha shqype m’shungullon … Porsi kanga e zogut t’verës…; Shko dallndysh’ tue fluturue…; Rini, thueja kangës ma t’bukur që di!; Shok Emin Duraku, dëshmor na ka ranun, për liri asht vramun … Xhamadani vija-vija … asht nji gjuhë që flasim tan-e e nji tok që thrrasim nan-e … e plot të tjera.
Radio Tirana dhe televizioni shqiptar janë ndjekur me shumë kureshtje e janë kuptuar mirë në Kosovë edhe para vitit 1968, kur sipas vendimit të Konsultës Gjuhësore të mbledhur në Prishtinë, nisi të përdorej në Kosovë po ajo formë e shqipes letrare si në Shqipëri. Autorët e të dyja traditave letrare, të Jugut e të Veriut, nuk kanë qenë ndonjëherë të pakapshëm për nxënësit në mbarë vendin. Por për ata që vuajnë nga përtesa mendore dhe që nuk e vënë trurin në punë, edhe gjërat e thjeshta bëhen të ndërlikuara e të pakuptueshme. Kam njohur normalistë ish-partizanë dhe me detyra të rëndësishme në regjimin e kaluar, që mbanin mend përmendësh, dhjetëra vargje nga Fishta dhe u vinte keq që Fishta nuk mësohej atëherë shkollë. Këta djem fshati nga krahinat e Jugut, që kishin shkuar në shkollën Normale në Elbasan për të dalë mësues, kujtonin se si i dridhej mjekra nga emocioni profesorit të tyre Simon Shuteriqit, kur u recitonte këngën e Lidhjes së Prizrenit nga “Lahuta”.
Është e ditur se me ndërrimin e brezave letërsia nuk receptohet njësoj si në kohën kur krijohet. Për të mos shkuar larg, mund të them se lexuesi i sotshëm nuk merr ato mbresa e përjetime nga “Dimri i madh” ose “Koncert në fund të dimrit”, ashtu si lexuesi në kohën kur u botuan së pari këto dy vepra. Por për sa i takon letërsisë së traditës, këtu peshon edhe një rrethanë tjetër: vjetrimi i pashmangshëm i gjuhës me kalimin e kohës. Le të kujtojmë këto vargje filozofike të Naimit për kohën:
O kohë! që rrjeth si lumi,
edhe s’rri gjëkundi fare,
as dremit, as të zë gjumi…
O kohë, që nxiton shumë,
poshtë kurrë nukë bije,
po ikën me vrap si lumë,
ato që merr, ku i shpije?
Fishta dhe të tjerë para e pas tij kanë shkruar për lexuesit e kohës së vet. Sot është kohë tjetër, kulturë tjetër, qytetërim tjetër. Në mbyllje të parathënies së botimit XV të “Lahutës” (2006) atë Zef Pllumi shkruan me një ironi të hollë: “Por ka ndrrue sot moti e stina! Sot, kjo kërthizëjashta, vasha e re shqiptare, nuk e gjen në poemë atë “princin blu” që i kërkon zemra. Na sot nuk u besojmë mâ marrive të vjetra. Kemi të rejat: duem horoskopin, fatin që na del ndër letra, në pëllambë të dorës o dikund në ndoj tjetër fall. Sot kemi mitologjinë e re, e cila, kemi besim të patundun, do ta bâjë të lumtun kët popull me telenovela të stërzgjatuna, realiste, moderne. Po! Jetojmë në kët tokë jo vetëm me kambë, por edhe me mendët e kresë. Sot herojt e kohës janë VIP-at. Nuk na duhet mâ as gjuha jonë e vështirë (kursivi E.L.), e cila na ka izolue gjithmonë gjatë shekujsh.” Me gjithë këto dukuri të jetës së sotme moderne, Gjergj Fishta dhe të tjerë autorë para tij, të kohës së tij, si Naimi, Mjeda, Çajupi, Asdreni, Lasgushi, Migjeni, Koliqi, Kuteli etj., janë gurë themeli të letërsisë e të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tyre kanë vlera të shumta njohëse dhe edukuese. Nëse vende-vende ato dalin jo krejt të kuptueshme për lexuesin e sotshëm të rëndomtë, le të përgatiten botime të pajisura me shpjegime e shënime, që do t’i rijetësonin ato vepra, veçanërisht për nxënësit.
Në vështrim të vështirësive gjuhësore për brezat e sotëm Fishta ka veçoritë e veta. Ai ka qenë një shkrimtar i realizmit dhe si i tillë ka sjellë edhe mjedisin, gjuhën dhe mendësinë e kohës. Ai ka shkruar për ngjarje e për figura historike që sot mund të jenë mjegulluar e pjesërisht edhe harruar. Për sa i takon gjuhës, Fishta i përket asaj që njihet si shkodranishte letrare, d.m.th. një varietet letrar kryesisht mbi bazën e gegërishtes veriperëndimore. Le të kujtojmë me këtë rast se Komisija Letrare e mbledhur në Shkodër (1916–1918), me propozimin e Luigj Gurakuqit, zgjodhi si varietet gjuhësor zyrtar atë që njihet si elbasanishtja letrare, me gjithë traditën e lëvrimit dhe pasurinë e shkodranishtes letrare, së cilës i përket edhe gjithë krijimtaria e Fishtës. Dhe vetë Fishta u pajtua me atë zgjedhje. Por kjo nuk përbën ndonjë vështirësi të fortë për të kuptuar veprën e tij. Të gjithë shqiptarët që marrin ta lexojnë Fishtën, siç e përmenda, i kanë njohuritë kryesore për gegërishten, qoftë nga gegërishtja e folur e ditëve tona, qoftë nga shkrimtarët e tjerë që kanë shkruar (ose që edhe shkruajnë) në gegërishten letrare.
Vështirësitë për të kuptuar Fishtën i takojnë më fort fjalorit e frazeologjisë të tij dhe rrafshit të kulturës historike-politike. Duke u marrë dikur me “Fjalorin e orientalizmave” të Tahir Dizdarit, më ka rënë në sy se ai citon dendur vargje nga Fishta, nëse nuk gabohem, kund 600 herë. Vërtet një numër i madh orientalizmash janë bërë fjalë të zakonshme të gjuhës shqipe, por ka edhe një varg fjalësh të tjera që janë të pakuptueshme për lexuesin e sotshëm. Fishta kishte lindur e ishte rritur si shtetas i Perandorisë Osmane dhe në Shkodrën e asaj kohe, si qendër vilajeti me lidhje të dendura me Stambollin, gëlonin fjalët dhe shprehjet e gjuhës dhe kulturës së Perandorisë. Por sot kush e rrok dot kuptimin e vargjeve të tilla si: Dile-adile në tefter / Shti i kam; Po kisht’ pas kênë allahten gazepi; Me vra gjind bigarihak; Të shtatë Krajlat ç’janë idhnue! / Donamet n’ Shqypni kan çue; Se na ban Knjazi fanì; T’mûjë disi me gjeçenisë, / Mirë a keq, me beshletisë; Rreth për rreth me kapisyza; Tue m’i ndejë gjithkund pervane; Vargjeç, Pashë t’ngjatët Zoti jetën!? Për të njohur kuptimin e arkaizmave dhe historizmave me burim oriental, si Dile-adile, allahten, bigarihak, doname, fani, me gjeçenisë, me beshletisë, kapisyz, pervane, vargjeç – duhet fjalori i Tahir Dizdarit (lumturisht e kemi, se profesorët e sotshëm të letërsisë që flasin e shkruajnë për Fishtën, zor se i kanë dëgjuar e i kuptojnë fjalë si të mësipërmet). Mendoj se Fishta i ka përdorur orientalizmat edhe me një lloj ironie të hollë ndaj asaj bote tashmë të perënduar, por që mbijetonte në ligjërimin e në mendësinë e një shtrese njerëzish, të cilët nuk ndaheshin dot lehtë nga kujtimi i saj.
Përveç orientalizmave, Fishta nuk ka qenë i kursyer as për sllavizmat krahinorë të gegërishtes veriore. Fjalë të tilla si bashtinë, me bëgatë, çaranik, me drobolitë, kapicë, lladikë, meçkë, novicë, misnik, me molisë, okol, opet, probatin, me raditë, me robitë, stenë, zdragushë, zid, zushë, me zharitë, me zhigatë etj., pakkush nga nxënësit e studentët mund t’ua dijë sot kuptimin dhe rrallëkush mund t’i përdorë jashtë mjedisit dialektor. Jo vetëm Fishta, por edhe shkrimtarë të tjerë janë prirë nga përdorimi i fjalëve krahinore për t’i dhënë lexuesit ngjyrat dhe tingëllimin e së folmes së vendit të përshkruar. Kështu, shkrimtarët nga qarku i Korçës kanë sjellë në letërsi plot sllavizma të asaj ane, ndërsa shkrimtarët nga qarku i Gjirokastrës kanë sjellë greqizmat e të folmeve të tyre. Tashmë kjo prirje është tejkaluar. Si shembuj të një qëndrimi të ri mund të sjellim Mitrush Kutelin që Xha Brahon e Shkumbanicës në ribotimin e tregimit e ka quajtur Xha Brahoja i Shkumbanores, po ashtu Ismail Kadarenë: plakat e Gjirokastrës që rrufisnin kafenë (në botimin e parë të “Kronikë në gur”), në botimin e dytë të ripunuar gjerbin kafenë (në vend të koloritit gjuhësor vendor, shkrimtari ka parapëlqyer të mënjanojë një fjalë të huaj krahinore, duke e zëvendësuar me një fjalë shqipe, sado që jo fort e njohur).
Duke pasur parasysh këto vështirësi leksikore të gjuhës së Fishtës atë Benedikt Dema i kishte shtuar botimit të “Lahutës” që më 1943 një fjalor të fjalëve të rralla shqipe dhe fjalëve të huaja të përdorura në atë vepër (80 faqe), por ka lënë jo pak fjalë të pashpjeguara. Ky fjalor ka interes edhe për atë që autori fjalë të tilla si: me ague, autonomi, barkas, brengë, brymë, dokrra, hapësirë, njollë, sulm, titanik, trap, me trillue, tufan, tufë, me turfullue,i thartë, thep, thundër, thëllim, ulurimë, ungj/-i, vandak, me valvitë, vashë, vegim, me u velë, me vezullue, vringllim, vrull, zile, zverk etj., i ka vështruar atëherë si fjalë të rralla që duheshin shpjeguar për të kuptuar “Lahutën”. Sot këto janë fjalë krejt të zakonshme për gjithë truallin e shqipes.
Përmenda më lart disa vargje nga “Historia e Shkënderbeut” e Naim Frashërit për veprimin e kohës. Ndoshta prof. Kostaq Cipoja (1892–1952) ka pasur parasysh këto vargje kur iu përvesh punës për një botim të ri asaj vepre, duke e pajisur me sqarime gjuhësore për dukuri fonetike, trajta gramatikore dhe fjalë e shprehje të Naimit, të cilat nuk ishin të kuptueshme për të gjithë në mesin e shek. XX (O kohë! që rrjeth si lumi…); ndërsa komentet letrare-stilistike të prof. K. Cipos dhe mënyra si i ka shprehur ai, janë të mrekullueshme. Ndoshta ka qenë edhe një zotim i tij kur u shpall përkujtimi i 50-vjetorit të vdekjes së Naimit (1950) si vit i përkujtimit të Rilindësve. Me gjithë ngarkesat e tjera dhe gjendjen e rënduar shëndetësore, zjarri që i kishin ndezur në shpirt Skënderbeu me Naimin bashkë, i dha fuqi ta kryente punën. Por nuk e pa dot librin të botuar (1953), sepse u nda nga jeta në ditët e para të janarit 1952. Sivjet, me rastin e 130-vjetorit të lindjes dhe 70-vjetorit të ndarjes nga jeta të profesorit nga më të shquarit në filologjinë dhe në shkollën shqipe, ky botim i mbetur gjatë në harresë, por me vlera të shumanshme, do të vijë përsëri në bibliotekën e shkrimtarëve shqiptarë të Rilindjes.
E përmenda shembullin e K. Cipos me “Historinë e Skënderbeut” për t’u kthyer te “Lahuta” e Fishtës. Po marr fillimin e këngës së nëntë “Lidhja e Prizrendit”, që e mbanin mend përmendësh dhe ma recitonin ata ish-partizanët normalistë:
Shkrepi dielli buzës s’ Cukalit,
Eja e t’ kndojm, oj Zana e malit,
Eja e t’ kndojm më lahutë t’ Malcís,
Si atà Krenët e Shqyptarís
Në Prizrend na janë bashkue
Për me folë, me bisedue,
Shqyptarín se si me e pshtue
Prej çapojve t’ Malit t’ Zí,
Qi ka dyndun top e ushtrí,
Me hî n’ Plavë, me hî n’ Gucí,
Me marrë Shkodren me Malcí,
Der kû dán vendi me Drí;
Pse, po thonë, Mbreti i Stambollës
Dorë i dhanka Knjaz Nikollës
Me ndezë zjarm aj m’ votra tona,
Me ngá qét aj n’ara tona,
Me bâ drû n’ zabele tona,
E me grá e me vasha tona
Me luejtë Shkjau harushë nder né,
Thue se s’ka Shqyptarë mbi dhé.
Shihet qartë se vështirësitë gjuhësore për lexuesit e sotshëm nga Jugu e nga Veriu janë të pakta. Në qoftë se do të vinim shënime e shpjegime gjuhësore sipas shembullit të prof. Kostaq Cipos, ato mund të ishin: 1. Shkrepi dielli buzës s’ Cukalit, ashtu si në poezinë popullore (p.sh. Ra një shi e zbuti dhenë…; Çeli molla, çeli dardha … etj.) edhe Fishta e nis këngën me një përshkrim nga natyra; Cukali – mal i lartë mbi Shkodër. 2. Prej çapojve … çapua – çapoi: ‘thua i fortë që kanë disa shpendë shtëpiakë prapa këmbës’, këtu me kuptim të figurshëm: ‘prej kthetrave’; 3. Shqyptarin se si me e pshtue – shqyptarí, -a emër përmbledhës ‘tërësia e shqiptarëve, shqiptarët’ (khs. Mjedën: Por nuk u shuejti edhe, jo, Shqyptarija …); pshtue -shpëtue (formë nëndialektore); 4. Der kû dán vendi me Drí – Mali i Zi synonte të aneksonte Shkodrën dhe tokat shqiptare deri në lumin Drin (Drini të ishte kufiri jugor i Malit të Zi); 5. Mbreti i Stambollës – sulltani; 6. Dorë i dhanka Knjaz Nikollës – dorë këtu ka kuptimin ‘një akt zyrtar juridik i nënshkruar nga sulltani dora vetë’, d.m.th. sulltani i dorëzonte me ferman këto toka shqiptare dhe Knjaz Nikolla bëhej zot mbi to; 7. Me luejtë Shkjau harushë nder né – luej harushë (shprehje frazeologjike) ‘tallem’; Shkjau – emër i vjetër popullor për sllavët në përgjithësi (toskërisht shqa – shqau).
Prof. Shefkije Islamaj në monografinë “Gjergj Fishta – gjuha dhe stili” (Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2012, dy vëllime), duke shqyrtuar gjerësisht dhe me imtësi veprën letrare të këtij poeti të fuqishëm, shprehet me të drejtë se ”Arti gjuhësor e poetik i Fishtës mund të përjetohet edhe sot.” Prandaj, në vend të ankimeve të pathemelta se Fishta është bërë i pakuptueshëm për shkak të vitit 1972, le të ndërtohet një projekt për një botim të ri të veprave të tij, duke nisur nga kryevepra “Lahuta”, me shënime, komente, shpjegime gjuhësore, letrare-stilistike e historike, ashtu siç pati vepruar prof. Kostaq Cipoja me botimin e poemës së Naim Frashërit “Histori e Skënderbeut”. Kjo do të ishte detyra e denjë e profesorit për t’i mbajtur të gjalla e vepruese vlerat letrare të së shkuarës. Por një detyrë e tillë nuk është as e thjeshtë e as e lehtë si një bisedë në televizion me vrasje gjuhësore imagjinare. Për një punë të tillë duhet të mendohesh e të përvishesh mirë, që të nderohesh vetë, të nderosh edhe atë që merr për t’ia risjellë lexuesit të sotshëm, me qëllim që të kuptohet e të shijohet vepra e tij e gjerë, duke ndriçuar ato vende që tashmë u ka rënë hija e viteve të shkuara.
Viti 1972 nuk ka vrarë askënd, as Fishtën, as Naimin, as ndonjë tjetër. Përkundrazi, ka krijuar mjetin për t’i rijetësuar, për t’i sjellë nga koha e tyre në kohën tonë, gjuhën letrare të njësuar e të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Për Gjergj Fishtën dhe për ata që i rrinë pranë nga vlerat e nga talenti, mund të themi me fjalët e Naimit: jam i gjall’ e jam në jetë dhe me fjalët Nolit: as je vrar’ e as po vritesh… Fishtën e vrasin ata që e shpërdorin si “argument të pakundërshtueshëm” kundër Kongresit mbarëkombëtar të Drejtshkrimit dhe veprës së tij madhore: një gjuhë e përbashkët letrare për të gjithë shqiptarët!