More
    KreuIntervistaElvira Dones: Në agorà-në shqiptare bërtitet shumë, por flitet pak...

    Elvira Dones: Në agorà-në shqiptare bërtitet shumë, por flitet pak…

    Bisedoi Andreas Dushi

    A.D: Në bibliografitë e hartuara nga Biblioteka Kombëtare ka mjaft artikuj të shkruar për dy romanet tuaj të parë, “Dashuri e huaj” dhe “Kardigan”, botuar nga Çabej. Ndërkohë, ju vinit në letërsi nga bota e kinematografisë dhe televizionit. E prisnit një të tillë “mirëpritje”?

    E.D: Kanë kaluar më shumë se dy dekada nga ato botime të para, e kujtesa ka tendencën të mbajë e të përmbajë më shumë ndodhitë e hollësitë e viteve më të afërta. Me sa mbaj mend, romani i parë pati jehonë mjaft pozitive, ndoshta edhe për faktin që rrëfente ngjarje të sapondodhura në kohë, rrëfente vitet e fundit para rënies së diktaturës, e si i tillë mendoj se shërbeu si një farë pasqyre ku mjaft lexues – sidomos në Tiranë – gjetën veten. Ishte një pasqyrë e pjesshme, natyrisht, pasi një libër nuk mund të jetë kurrsesi gjithëpërfshirës: rrëfen një ngjarje nga një këndvështrim, në një hapësirë kohore a mjedisore të caktuar.

    Mirëpritja e një libri, natyrisht, i jep kënaqësi autorit. Kushdo që thotë të kundërtën a e minimizon rëndësinë e mirëpritjes së një libri nga ana e lexuesit, është thjesht hipokrit. Natyrisht, nuk është suksesi a jehona pozitive shtysa, për të shkruar.  Çdo njeri që krijon e bën këtë sepse aty ndihet gjallë, aty shikon një aspekt thelbësor të ekzistences së vet, aty ndihet në tokë të vet.

    A.D: Një pjesë e mirë e librave tuaj lidhen me emigracionin; mes tyre dalloj “Kardigan”, edhe për faktin se është libri juaj i dytë. Historia e tij ndodh sa në Shqipërinë e së shkuarës komuniste, aq edhe në Zvicrën e së tashmes ku ju jetonit. A ishte emigrimi kapërcyelli që duhej kaluar për të zbuluar letërsinë?

    E.D: Do të thosha që përvoja vetjake e ajo profesionale u shëndosh e u poq nëpër vite, pasi isha larguar. Lashë Shqipërinë në moshë të re. Eksperienca e profesionit/profesioneve që pata mundësinë e mirë të lëvroj, pasuria e pasurimi prej tyre më solli vetiu, në mënyrë organike, tek ajo që kisha bërë që në vitet e fëmijërisë. Pata shkruar që herët, në atë intimitetin tim e në pritje të diçkaje që të ma forconte apo të ma shpërbënte pasionin e hershëm. M’u dha mundësia për të parë “botën e madhe”, për t’u përballur, për të udhëtuar e për të lexuar shumëçka që brezit tonë i kishte qenë e ndaluar. Ky ishte një bekim i madh, plotësimi i asaj etjeje prej të zhurituri që më në fund mund ta kënaqja. Ndaj të shkruarit u kthye në më shumë se një sprovë rinie; u bë boshti rreth të cilit do të vërtitem gjithë jetën.

    Më shumë se me emigracionin per sé librat e mi kanë të bëjnë me udhëkryqet, me rrugëtimin e njeriut, kësaj qënieje të paqetë, me dialogun a shurdhërinë mes botëve, e jo doemos vetëm mes botës shqiptare e gjetkut.

    Romani “Ditë e bardhë e fyer” – një histori miqësie e thellë e komplekse mes dy personazheve meshkuj, njëri shqiptar e tjetri zviceran – ndërthur jetën e historinë e një gruaje të re ardhur në Zvicër nga Kolumbia. Gjithashtu, romani “Më pas heshtja” rrëfen një histori dashurie e dhimbjeje mes dy personazhesh: njëri zviceran e tjetra argjentinase; vendngjarja është në pjesën dërrmuese Irlanda… E kështu me radhë, pa u ndalur këtu në çdo libër…

    Në dekadat e fundit sëra e shkrimtarëve që jetojnë e shkruajnë jashtë vendit të origjinës është rritur aq sa të flitet sot – me të drejtë – për një letërsi transnacionale. Studiuesit, kritikët e historianët e të sotmes i kanë kushtuar e po i kushtojnë vëmendje e hulumtime, dizertacione e krahasime në lëmin letrar e gjuhësor. Në këtë klub bëj pjesë, ashtu si disa shkrimtarë të tjerë shqiptarë të diasporës. 

    A.D: Kur Olga Tukarczuk mori çmimin Nobel, kujtoj një koment të cilin po e perifrazoj, Librat e Tokarczuk janë si areoplan. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për librat tuaj, madje mund të shkohet më tej, edhe si një makinë e kohës: me to lëviz në hapësirë gjeografike, por edhe kohore. Është kjo një zgjedhje e vetëdijshme nga ana juaj apo diçka që ndodh natyrshëm, për hir të vetë letërsisë?

    E.D: Imja është një jetë në lëvizje, fluide, ku i vetmi element i patundur e i patundshëm është familja. Kam jetuar në Shqipëri, në Zvicër e në Shtetet e Bashkuara, e vazhdoj të jetoj kështu, mes vendesh, kontinentesh e diferencash gjuhësore e si rrjedhim kulturore. Udhëtimet nuk janë përjashtimi, por norma.

    Pra hapësirat gjeografike e kohore janë elementët që më përcaktojnë, për shkak edhe të profesionit tjetër: realizimit të dokumentarëve. Udhëtimet për mua nuk janë ato të turistes, por të rrëfenjëses e investigueses. Kjo më ka çuar shpesh në qoshe të botës që me shumë gjasa nuk do t’i kisha vizituar dot. Syri mbledh fakte, vëzhgon, kamera vështron e filtron ndryshe, mikrofoni mbledh dëshmitë, e në fund të gjithë elementët bashkë krijojnë një vizion e analizë që si udhëtare e thjeshtë nuk do ta bëja dot, a ndoshta do ta bëja në mënyrë të përciptë.

    Përdorët fjalën aeroplan në shembullin që sollët. Aeroportet kanë për mua gjasat e një farë shtëpija, a ishulli; ende s’më kanë lodhur, edhe kur janë udhë që i bien botës rrotull. E kam zët kur më duhet të kaloj në tranzit me ngut për të kapur avionin tjetër, ndaj sa herë mundem i prenotoj biletat me dritare pritjeje në mes, për të patur kohë të kundroj gjindjen e jetët që tërheqin zvarrë bashkë me valixhet me rrota; për të kaptuar fjalë e thekse; ngjyra veshjesh e tike nervozizmi e kështu me radhë.

    Kjo mani s’më braktis, s’e shkund dot nga vetja. Ndoshta vjen nga vitet e rinise së parë; nga mirazhi që na fanepsej për pakë ditë në shëmbëlltyrën e atyre pak të huajve që vinin në Tiranë. Vinin duke sjellë me vete botën tjetër, parfumet mbi veshjet, librat nëpër çanta, shkujdesjen në sjellje e në tonalitetet e zërave. Pastaj iknin siç kishin ardhur e ne mbeteshim aty në Rinas, me hundën lart, duke ndjekur zhdukjen e Ufo-s që na kish tronditur për ca ditë, për ca javë.

    A.D: Dhimbja zë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë tuaj. Madje, me tre prej romaneve keni krijuar edhe “Trilogjinë e dhimbjes”. Ngjan sikur ju e mbartni dhimbjen ngado shkoni dhe me anë të letërsisë, e transmetoni aty, në vepër. Ç’është dhimbja për ju si shkrimtare, por edhe përtej shkrimtarsisë?

    E.D: Dhimbja ka lindur bashkë me tokën që na lindi. Breza të tërë lindën e vdiqën me dhimbjen si motër a vëlla binjak. Ku shkonte shqiptari dhimbja ishte me të, mbështjellë kutullaç në stomak, bërë qyrk mbi shpatulla. Kështu ka qenë në shekuj për arsye gjeografike e mësyrje gjeopolitike e si pasojë kulturore, për shkak të vogëlsisë territoriale, e kështu me radhë.

    Shqipëria ka vuajtur e vazhdon të vuajë; aktualisht për shkaqe të tjera, por këtu do hynim në një bisedë tjetër e do dilnim nga tema. Ballkani ka qenë gjithmonë i mbrujtur nga konfliktet, ka qenë gjithmonë një cep i botës i shqyer nga kontrastet, pa gjetur dot, jo ende,  barazpeshimin, bashkëjetesën paqësore. Ndoshta – ose më saktë, ngaqë – i ka munguar e i mungon dhuntia e kompromisit, udhës së mesme.

    Duke u kthyer tek pyetja juaj: si shumë nga ne, jam pjellë e Shqipërisë  dhe e historisë e memories së saj. Ndaj për rrjedhojë, kam një farë shqise të gjashtë për ta pikasur dhimbjen. E depërtoj, e bëj timen. Më qëllon ndonjëherë të njoh dikë që qesh a gëzohet me tepri e deklaron lumturi të përjetshme. E vëzhgoj (ky zakon i “poshtër” për të zhbiruar), e them me vete: tregomë çfarë të dhemb, ku e ke thembrën e Akilit, rrëfemë për atë që të tremb, për atë që të ka gjunjëzuar në jetë.

    Më tërheqin dritëhijet, ekzistencat e vështira në kufi të së pamundurës, forca që i lypset individit për ta thyer rrethin infernal në të cilin ka lindur. Shpesh kam gjetur bukuri të mahnitshme pikërisht në fate të tilla, në  jetë të tilla.

    A.D: Gjatë komunizmit, kur jetuat dhe punuat në Shqipëri, cili ishte raporti juaj me letërsinë? E mendonit se në një tjetër realitet ku liria ishte si koncept i jetueshëm do të ishit shkrimtare?

    E.D: Pjesërisht këtë e preka ca rreshta më sipër. Pata mësuar të lexoj në moshë fare të vogël. Lexoja me uri atavike çdo libër që më hapte një dritare imagjinare përtej mureve të burgut tonë: libra të autorëve shqiptarë kjo po e po, e gjithashtu libra autorësh të huaj, çfarëdo libri që arrija/arrinim të gjenim.

    Kalimi i një libri të ndaluar dorë më dorë për brezin tonë ishte një akrobaci më vete, një eksitim e një rrezik njëherësh. Kishim ato grupet tona të vogla e të mirëbesuara: cilido vinte dorë në një libër të ndaluar, e konsideronte detyrë  ta bashkëndante me shokët e grupit të ngushtë. Kam kujtime të gjalla, carne viva, edhe sot e kësaj dite të ca maratonave absurde të leximit të një libri brenda njëzetekatër orëve, për t’ia kaluar pastaj shoqes a shokut të radhës…

    Një kyç drejt letërsive e botëve të tjera ishte mësimi i gjuhëve të huaja, ndaj shumë herët fillova ta përdor këtë kyç…

    Më gëzon fakti që ju të rinjtë e etur për dituri sot keni të gjitha mundësitë të lexoni çfarë t’ju ëndet, sepse jeni të lirë. Ju autorët e rinj sot dritaret e jetës e të botës i keni të shpalosura.

    Brezi im ëndërronte, por “përgjysmë”. Ëndërronim të ishim të lirë, por se ç’do bënim me atë liri kur të na jepej rasti, si do ta përdornim atë, kjo kërkonte një kthjelltësi që lypte këllqe ngaqë ai moment ishte aq larg, një pikë e padukshme në horizont.

    Kështu që jo, nuk e dija se një ditë do të mund të isha njeri i lirë dhe e lirë të isha shkrimtare. Dija se dashuroja letërsinë mbi gjithçka tjetër.

    A.D: Sa ndjeni ta ketë ndikuar kinematografia dhe televizioni letërsinë tuaj?

    E.D: Duke lëvruar dy fusha, të dyja impenjative (u bënë tashmë njëzet vite që realizoj dokumentarë televizivë, qofshin këta të investigimit gazetaresk të mirëfilltë, apo dokumentarë kulturorë) është e natyrshme që letërsia të ndikojë në dokumentarët dhe anasjelltas. Ka raste kur këto dy profesione përplasen, apo “përjashtojnë” njëra-tjetrën. Qëllon që të realizoj një punë televizive, por në fund të shoh se ai rrëfim, ai metarial narrativ ende nuk është shteruar. Një dokumentar apo skenar filmi artistik ka një kufi kohor, një ritëm që të imponon sintezën apo analizën e një lloji. Ndërsa romani do ta çonte atë histori në hapësira më të mëdha, në shtresa e nënshtresa psikologjikë më minuziose, në një retrospektivë e perspektivë të cilat në dokumentarin në fjalë nuk kanë patur gjithë hapësirën e duhur. Ndaj, përpara çdo projekti, përpara çdo libri a filmi që rrëmben interesin tim peshoj nga çdo anë, e me shumë kujdes, se cila formë shrehëse i përshtatet atij subjekti, asaj teme.

    Ndodh edhe e kundërta: një vështrim i një personazhi, një heshtje e tejzgjatur, lëvizja e një dore, hezitimi, vuajtja për të gjetur fjalën e duhur e të intervistuarit vlejnë ar përpara kamerës, e shpesh janë të papërshkrueshme nga rreshti në një libër. Kamera në këso rastesh është mjeti i duhur: dokumentuesi i atij çasti sublim, spektatori bujar që di të presë e ta kthejë në forcë atë hollësi narrative të imazhit.

    Në vitet e para në Zvicër, para se të homologohesha si regjisore-gazetare, pata mundësinë të ushtroja për disa vite profesionin e montazhieres, duke filluar nga reportazhet sportive, ato të kronikës, filmat me metrazh të shkurtër e të mesëm e kështu me radhë. Jo rrallë ndjeja frustrim, pasi më dukej një punë teknike, më shumë se një  profesion konceptesh, një  punë teknike, ku të duhet t’i bindeshe vizionit të autorit.

    Më vonë kuptova se kisha qenë me fat, pasi teknika e precizioni i montazhit është një  instrument i domosdoshëm në ndërtimin e strukturave narrative të çdo lloji. Kur je në fazë xhirimesh, e “këqyr” strukturën të marrë formë ditë pas dite; ke qetësinë e krijuesit me valixhen e instrumenteve të pajisur me gjithçka duhet. Marrja e kamerës në shpatull, më vonë, ishte një tjetër element qetësues  drejt sigurisë e zotërimit të një profesioni tejet kompleks.

    Shpesh kur shkruaj, para se fjala të vijë në letër, e vështroj atë, e vështroj fjalën, fjalinë. Ka një ngjyrë të vetën, një ritëm përtej meje. Në këtë kuptim stili im i të shkruarit është jo rrallë viziv, kinematografik.

    A.D: Ardian Kyçyku, në shënimin e tij për librin “Lule të gabuara”, mes të tjerash shkruan: Me Elvira Donesin mbyllet ajo lëngatë e gjatë stilistike e prozës femërore shqipe… Ju personalisht si e shihni prozën femërore shqipe, prurjet, mungesat…?

    E.D: Nuk jam e vetmja shkrimtare grua, fatmirësisht, në letrat shqipe. Sikur të ishte kështu, kjo po që do të ishte një varfëri e madhe, një zbrazëti shqetësuese. Por – përsëri fatmirësisht – ndërkohë pena të shëndosha në prozë e në poezi e në forma të tjera të artit, kanë pasuruar jetën letrare e kulturore në Shqipëri, fakt që më gëzon, thellësisht më gëzon. Për prurjet a mungesat u takon më mirë studiuesve e gazetarëve kulturorë  të analizojnë, të merren seriozisht më atë punë.

    Nuk kam se si të lexoj gjithçka botohet në letrat shqipe. Jo vetëm mungesa e kohës, por dhe largësia fizike ma bën të pamundur të kem një vështrim të plotë e shterues mbi vlerat a dobinë krijuese të bashkëshkrimtareve. Di që sa herë kam rastin e kohën të marr në duar një libër të ri të një kolegeje grua e bëj me kënaqësi të madhe e me shumë kërshëri. Ka disa poete shqiptare që do t’i quaja sublime. Ka prozatore të rafinuara e të fuqishme, të cilat rreshtohen me  po aq dinjitet e forcë letrare, po me aq cilësi sa kolegët burra. Nëse nuk përmend emra këtu, e bëj për faktin se jam vetëm njëra mes tyre e asgjë më shumë, e nuk më pëlqen të vë “nota” e të bëj lista. Nuk do t’u bëja atyre grave poete, shkrimtare e edhe përkthyese, një “nder”. Gjithashtu më irriton tendenca jonë e “më të mirit”, më “të madhit”, “numrit një”. Letërsinë e artin e një vendi nuk e lartëson një emër apo dy. Është pjelloria e larmia e profileve të ndryshme krijuese që krijojnë pasurinë artistike e kulturore në gjirin e një shoqërie e të një vendi.

    A.D: Përgjatë viteve, është folur për të ashtuquajturin kanon femëror në letërsi. Besoni në ekzistencën e tij? Si dhe, a e shihni nevojën për rivlerësimin e tij, qoftë si koncept, ashtu edhe si realitet?

    E.D: Ju falënderoj për pyetjen. Ç’do të thotë, saktësisht kanon femëror në letërsi?

    Në shekuj nuk është folur për shkrimtarët burra duke i futur në një kanon “mashkullor”.  Monstrave të shenjtë të letërsisë botërore nuk u është vënë në dyshim gjinia, si shenjë, si kut matës i aftësisë apo i paaftësisë së tyre poetike apo narrative. Nuk ua kanë vënë në dyshim, kurrë – as dje e as sot – aftësinë, mjeshtërinë e lirinë për të përshkruar e rrëfyer jetën, botën në mënyrë gjithëpërfshirëse. Një shkrimtari s’i ka shkuar ndonjëherë në mend se meqë është burrë, nuk ka aftësinë të përshkruajë gjysmën tjetër të qiellit: gruan. Ai, shkrimtari, ka rrëfyer njerëzimin, e si i tillë, me të drejtë është konsideruar shkrimtar “pa gjini”, ose më gjerë pangjinor, po të përdorim njërën nga risitë leksikore e definicionet e kohëve moderne.

    Ç’synon pra, ky dialog në ato trevat tona, në shekullin e 21-të? Përse sot, në Shqipëri (e kjo çështje ka vite që vlon), flasim për “kanon femëror”, sikur aftësia narrative apo poetike e gruas t’i përkasë një kutie më vete, një kutie të vogël, “femërore”? Nënkuptimi cili është? Që gratë, meqë të tilla, nuk janë në lartësinë e penave e mendjeve mashkullore për të rrëfyer nënshtresat psikologjike, kompleksitetin e njeriut, individit etj., etj.?

    Ka patur ndër shekuj shkrimtarë të mrekullueshëm që i kanë dhënë letërsisë perla të rralla personazhesh të gjinisë tjetër. Siç ka patur dhe ka pena “femërore” që u janë futur personazheve të gjinisë mashkullore nën lëkurë në mënyrë mjeshtërore. Në të dyja rastet kemi të bëjmë me anët e së njëjtës medalje: përpara çështjeve të mëdha të ekzistencës, përpara jetës e vdekjes, përpara dëshirës për të mbijetuar, përpara nevojës për të kuptuar e menaxhuar këtë  mister që quhet Jetë, jemi të gjithë njësoj, burra e gra.

    Pra, nëse flasim për një shkrimtare nuk duhet të nënkuptojmë një letërsi “femërore”. Ashtu si një shkrimtar e ka më të lehtë të përshkruajë la forma mentis të personazheve mashkullorë, sepse i njeh së brendshmi,po ashtu një shkrimtare e ka të lehtë të posedojë një sensibilitet hollësish të botës  së saj e të simotrave, ngaqë e njeh së brendshmi, e si pasojë ka njohuri të “gozhdojë” në letër hollësira, profile, ngjyra, larmia e të cilave e bën aksh personazh të gjallë. As më shumë, as më pak. Kjo është E Vetmja diferencë.

    Mund ta tirrja gjatë këtë temë, por kjo është intervistë e jo esé, ndaj për ta mbyllur:

    Letrat shqipe kanë patur e kanë më shumë pena shkrimtarësh, pra burrash, por kjo s’ka si të çudisë. Historikisht të shkruarit ka qenë një sundim mashkullor përtej Shqipërisë e Ballkanit; ka qenë një liri e një privilegj mashkullor, ashtu si shumë profesione të tjera. Një vajzë a grua që shkruante, në familje konsiderohej një anomali për t’u ndryrë, mbajtur fshehur e për t’u çuar – fshehtazi – tek psikiatri i epokës, si e çmendur etj., etj.. Në epokën moderne e me një sens të ri të të drejtave të gruas (fituar, ende vetëm pjesërisht, me shumë mund e pas shumë betejash) barrierat pak e nga pak vazhdojnë të bien; udha është ende e gjatë në shumë  zona të botës siç e njohim sot.

    Ndaj nuk më çudit aspak që në Shqipëri kemi ende një mishmash opinionesh lidhur me letërsinë. Ajo e shkrimtarëve burra konsiderohet Letërsi, pa bisht prapa. Ndërsa krijimtaria e shkrimtareve merr një epitet, një definicion, një bisht pas: letërsi femërore. Nuk jam aspak dakord, ashtu si me siguri nuk janë dakord edhe koleget. Ne sot dimë kush jemi, kemi qetësinë e vetëbesimin se bëjmë letërsi, pa bisht pas. Nga stërgjyshet, gjyshet e nënat tona të vuajtura dimë se çdo centimetër kalldrëmi duhet fituar, pa pritur të na e “dhurojnë”.

    Letrat e kultura shqipe kanë nevojë për bujari, për kolegjialitet, për ndihmë reciproke, jo për ndarje në istikame. Jemi një vend i vogël , me një gjuhë të pasur, por “të vogël” në krahasim me gjuhët e kulturat dominuese. Suksesi i çdonjërit nga ne – burrë a grua, penë e “re” apo e “vjetër” – duhet të na gëzojë…

    A.D: Përveçse në shqip, ju keni shkruar edhe në tjetër gjuhë e pastaj, teksti është përkthyer, por jo nga ju. I tillë është rasti i romanit “Hana”, botuar në të njëjtën kohë nga Feltrinelli në Itali, Anne Carriere në Francë dhe Sejko në Shqipëri. Kjo zgjedhje për të shkruar në gjuhë të huaj, e njohur edhe mes shkrimtarëve më të mëdhenj evropianë, nga se buron?

    E.D: Kam shkruar shtatë libra në gjuhën shqipe. Tre të fundit në gjuhën italiane. “Vergine giurata” në gjuhën shqipe u përkthye me titullin “Hana”, titull që mbajti edhe versioni gjermanisht, por jo versioni në gjuhën angleze e polake, të cilët mbajtën titullin origjinal. “Piccola guerra perfetta” (mbi luftën në Kosovë”), mbajti të njëjtin titull në shqip, frëngjisht e gjermanisht. Po kështu romani “Ditë e bardhë e fyer” në versionin italian mbajti titullin origjinal, pra “Bianco giorno offeso”.

    Më shumë se një zgjedhje/përzgjedhje të shkruari në gjuhën italiane ka qenë një “imponim”: imponim i mendjes, fjalive të para, skenave fillestare, një proces i ngadaltë që erdhi vetiu, pa e kërkuar unë.

    Për 16 vite jetova me italishten; tekstet e dokumentarëve (duke i realizuar për televizionin publik zviceran, për të cilin ende punoj) i shkrova e i shkruaj në gjuhën italiane. Italishtja, pra, ishte/është gjuha e gjallë. Gjuhët janë si njerëzit, si lulet e bimët, po s’u hodhe ujë vyshken… Pra duke përjetuar gjuhën – kur ndjeja “urgjencën” e librit të shtatë, ndërtuar në kokë – sa herë që shkruaja në mendje fillimin, atmosferat, fjalitë e paragrafet imponoheshin në italishte. Dhe “e bukura” ishte se ndërkohë jetoja e punoja në Washington D.C., Shtetet e Bashkuara. Pra përditshmëria ishte anglishtja. E teksa xhiroja dokumentarë e duke shkruar tekstet në italisht e anglisht, libri tjetër, mbi luftën e Kosovës, edhe ai u imponua në gjuhën italiane…. Labirintet e mendjes…  Bujrum kush i kupton deri në fund. Pas 12 vitesh në SHBA, 7 vite në Bregun Lindor e 5 të tjerët në Kaliforninë e Veriut, kthyer në shtëpi, në Zvicër, mendja “luan” me gjuhët gjithë kohës.

    A.D: Ambiente të zhurmshme, me mizëri njerëzish, aeroporte, stacione trenash ku duket sikur mbizotëron kaosi dhe njeriu fillon ta humbasë arsyen duke kërkuar fillin për të dalë në krye. Në fund të fundit, a është kjo brendia e njeriut dhe bjerrja e arsyes, fati i tij i pashmangshëm?

    E.D: Fati i pashmangshëm është jeta vetë. Varet pastaj si mund ta jetosh, çfarë mund të bësh me të. E sidomos varet se çfarë shansesh a mungesash shorti i jetës të ka dhënë, kushtëzuar nga vendlindja, familja e kushtet ekonomike, arsimore e  kulturale që ajo ka, pra në “ç’rreth” ke lindur: poshtë apo sipër, në shkallën selektive e të pamëshirshme të njerëzimit. Fati shpesh të bën. Ose e bën ti, në varësi të forcave, inteligjencës, ambicieve e këmbënguljes që ke për t’iu kundërvënë asaj që ke trashëguar me lindjen.

    Dikush para shtatë vitesh, një jete e re, moshatar me tim bir asokohe, në një takim të fundit më bëri një kërkesë, sytë ulur për të mos tradhëtuar terrorin para vdekjes: “Do më kujtosh ndonjëherë?”, -tha. “Vetëm ndonjëherë, nëpër vite, do më kujtosh? Nëse po, dije që sikur të më jepej një tjetër mundësi, këtë jetë të poshtër do ta luaja ndryshe. Por tani është vonë. Tepër vonë. Veç kujtomë, ndonjëherë, will you?”

    Ishte një nga të fundmit e kësaj toke. Jeta e kish tradhëtuar në çdo aspekt të mundshëm.  E megjithatë kishte kthjelltësi në atë dëshpërim e pendesë të tijën, kishte dinjitet. Kishte një bukuri të cilën rëndom nuk arrijmë ta kuptojmë pasi përdorim vetëm dy tonalitete gjykimi: të bardhën e të zezën. Na mungon empatia, vështrojmë nga lart, poshtë. Është kaq e lehtë të gjykosh, e kaq e vështirë të kuptosh.

    A.D: Yjet nuk vishen kështu end me ngadalësi tablonë e një realiteti të pranuar në heshtje, nga kushdo, por të pareklamuar e shpesh, të konsideruar si “i panjohur” dhe “jo i vërtetë”. Por kjo vepër u prit shumë mirë dhe vijon të lexohet e kërkohet, madje edhe është ribotuar. Karakteri i saj sociologjik i shprehur artistikisht me kujdes të veçantë të befason sepse krijon një lidhje të papritur mes lexuesit dhe tekstit. Personalisht, a e konsideroni këtë libër si kryeveprën tuaj?

    E.D: E konsideroj një libër të nevojshëm. Ishte një faqe e errët e historisë sonë të afërme, e së keqes që shpërtheu nga gjiri i shoqërisë shqiptare në ato vite të egra në mungesë të një shteti të denjë për t’u quajtur i tillë. Ishin vite të një tuneli të errët pis, të një ideje shumë të vagët se ç’duhej të ishte Shqipëria e së ardhmes – dhe me këtë dilemë Shqipëria ende po përpëlitet sot. Ai libër mori formë pas shumë pikëpyetjesh e vraje të mendjes brenda meje. Do të kisha dashur të mos e kisha shkruar, sepse asnjë zemër gruaje a burri me një fije ndjeshmërie nuk do ish ndjerë mirë të përshkruante atë faqe të errët. Por ja që e bëra.

    Para dy muajsh libri doli në gjuhën gjermane, përkthyer nga shqipja me aq dedikim e mjeshtëri nga Florian Kienzle. Për shkak të fushatës së promovimit të librit m’u desh ta rimerrja në duar, të freskoja në kujtesë personazhet, strukturën narrative. Në një farë mënyre, m’u desh ta përjetoja librin nga e para, e të vuaja, si dikur, përgjatë atyre dy viteve të investigimit, para se të ulesha e ta hidhja në letër..

    A.D: Sipas jush, për një vepër të arrirë, kanë më shumë rëndësi tematikat e mëdha apo veçanësitë e stilit dhe teknikat e përdorura?

    E.D: Do të ishte një përgjigje komplekse, por duke u rrekur ta sintetizoj: Një libër i arrirë është një arritje harmonioze e të gjithë elementëve. Duke nisur nga tematika. Por ç’do të ishte kjo nëse përcillet me një stil të varfër a të pasigurt nga ana e shkrimtarit? Nga ana tjetër, një stil i përkorë, një teknikë e patëmetë por pa një histori, ngjarje, pa emocion, ç’do të ishte? Një ushtrim stili, por jo më shumë se aq. Ka ndodhur të lexoj shkrimtarë të cilët i pata admiruar vite më parë. Sot i shoh të shteruar, të ngatërruar në zorrët e tyre letrare, ndaj nuk më interesojnë më.

    Në leximet përshfij çdo zhanër, duke gërshetuar shpesh “high literature” and “low literature”, pa paragjykime të sojit, pasi më intereson të kuptoj prodhimin artistik të kohëve që po kalojmë. Hulumtim që bëj edhe në kinemanë: ha “bukë e letërsi e kinematografi”, kryqëzoj e krahasoj, e gjej vlera (apo jovlera, kur ky është rasti). Por duke u kthyer tek letërsia, në poezi e prozë. Çdo zhanër ka vlerat e veta e i shërben atij lexuesi, asaj niche të interesuar për të, pasi shijet janë aq të larmishme sa ç’është njerëzimi. Por personalisht kam nevojë të provoj admirim për ndërthurjen e personazheve, konstruktin solid për shtresat e mbishtresat në një libër. Kam nevojë të gjej jetë që pulson përtej stilit. Kam nevojë të mbetem në fund me atë shijen e parrëfyeshme të kënaqësisë së thellë e cila të lë pa gjumë. Kam nevojë të ndjej dëshirën t’i rikthehem përsëri atij libri.

    A.D: Edhe pse ju jetoni jashtë, Shqipëria është gjithnjë e pranishme në veprën tuaj. Çfarë ju lidh kaq fort me të?

    E.D: Sepse-të e mia dalin pjesërisht në rreshtat e përsiatjet e mësipërme. Kudo që të jem, çfarëdo të mohoj a pohoj, me çfarëdo që të merrem, në letërsi, dokumentaristikë apo kinematografi, prejardhja, rrënjët,  djepi mbetet ai i gjuhës nënë, i njëfarë vizioni “dramatik” të gjallesës e rrugëtimit, privat apo letrar.

    A.D: Proza juaj ndërthuret mes asaj së gjatës (roman) dhe së shkurtrës (tregim). Sipas jush, me çfarë lidhet ndryshimi i kësaj lakoreje?

    E.D: Toka ime më pjellore është narracioni i formës së gjatë: romani. Por dashuroj me po të njëjtën forcë tregimin: e konsideroj më pranë poezisë. Nëse romani të lejon aty-këtu ndonjë fjali apo paragraf “dembel” (dhe të më ndjeni huazimin nga anglishtja këtu: lazy sentences…) të cilat në ekonominë e përgjithshme të strukturës janë në mos ideale, të pranueshme, tregimi nuk fal asgjë. Ai imponon një ritëm e një nikqorllëk në çdo fjali, në çdo faqe. Ka pra një “ashpërsi” teknike, tregimi i shkurtër është rigoroz, si një prind i rreptë, deri në fjalën e fundit. Së paku, unë kështu e konceptoj.

    A.D: Në letërsi, prej kohësh vërehet mungesa juaj. Nuk po ju pyes pse, por deri kur?

    Vërehet mungesa? Vërtet? Unë kam përshtypjen se lexuesit e rinj, mes 20 e 30 vjeçarëve, as më kanë lexuar, ndoshta për shkak breznor, për arsyen se nuk jetoj në Shqipëri, pra jo e pranishme në  agora-në mediatike vendase. Por besoj se nuk mungoj edhe pasi ndërkohë ka një sërë poetësh, shkrimtaresh/shkrimtarësh që plotësojnë etjen e dëshirën e lexuesit të etur në Shqipëri.

    Arsyeja e parë përse nuk i jam ofruar lexuesit në shqip në vitet e fundit është mungesa e llahtarshme e kohës, për shkak të aktivitetit profesional këtu ku jetoj e punoj.

    Arsyeja e dytë dhe më e rëndësishmja, është një respekt (i kthyer gati në obsesion) ndaj gjuhës mëmë. Sikur më ka “rrëshqitur” ndër vite, (a ndoshta unë e shoh kështu) pasi siç thashë dhe më sipër, gjuhët janë si bimët: duhen ujitur e fertilizuar, ndryshe thahen. E kësaj i druhem, tharjes. Duke mos jetuar në Shqipëri prej shumë kohësh, duke mos jetuar gjuhën e gjallë, druhem t’i bëj një shërbim jo të mirë. Ndoshta janë “mburoja” të kota që i vë vetes, a ndoshta janë me vend. Por kur lexoj faqe të bukura shkruar në shqip, mbaj shënime. Ja këtë fjalë e kisha harruar. Këtë shprehje nuk e njihja fare…

    Fakti është që në shqip shkruaj. Veç nuk kam ngut të botoj. Kam thuajse të mbaruar një vëllim tregimesh prej kohësh, por nuk kam ndjerë shtysën ta limoj e ta bëj gati për shtyp. Do vijë momenti.

    Me moshën ardhka një lloj qetësie (të paktën për mua). Nuk ngutem. Nuk kam ç’të demonstroj. Nuk më intereson vëmendja a suksesi, më intereson cilësia e jetës, e asaj pak që kam bërë. Kjo është. Me moshën ardhkan ndryshimet, përparësitë që zhvendosen, një mungesë “alarmi” se këtë apo atë s’e bëra dot gati për botim. E kjo nuk më ndodh vetëm me krijimtarinë në shqip.

    Romanin e fundit, shkruar në gjuhën italiane,”In coda all’ultimo buio”, sapo e kam përfunduar. Për shkak të kompleksitetit të strukturës narrative e të një procesi të gjatë hulumtimi – ku çdo gozhdë duhej të binte në vendin e vet  – libri  u kthye në  njëfarë pëlhure të Penelopës. Sikur nuk dëshiroja ta përfundoja…

    Ndryshe ndodh me dokumentarët. Janë punë të gjata, dy vjeçare zakonisht, marrin mund e nuk lënë absolutisht kohë për të shkruar letërsi. Janë edhe punë kolektive, të një skuadre e të produksionit, ke të bësh me një buxhet. Ndaj imponojnë konfeksionimin e dorëzimin, me një datë të caktuar transmetimi.

    Libri është krejt personal. Je ti me veten, me ritmet që ndjen së brendshmi, e si rrjedhojë je edhe “padron” i tij, e komandon vetë kur dëshiron t’ia lejosh të të braktisë.

    Ja kështu, më qëllon që “punët” letrare nuk dëshiroj t’ï lëshoj nga duart…

    A.D: Ka shumë shkrimtarë që, duke parë rënien e interesit për librin, krijimtarinë e tyre e publikojnë edhe, apo vetëm në facebook. Me sa kam parë, ju nuk e bëni diçka të tillë. Si mendoni, në ç’mënyrë kanë ndikuar rrjetet sociale në dinamikën e përgjithshme të botës së letrave shqipe?

    E.D: Në mënyrë krejt egoiste, kur lexoj poezi, jo rrallë të mrekullueshme në facebook, nga poete e poetë shqiptare, u jam mirënjohëse, ndryshe nuk do kisha mundësinë t’i lexoja ato krijime. Dhe po me egoizëm hyj rrallë në facebook, për vetëmbrojtje nga zhurma. Në agorà-në shqiptare bërtitet shumë, por flitet pak. Nuk është një dukuri a fenomen vetëm shqiptar… Temë e gjatë për t’u tjerrë, e kjo biseda jona druaj se doli shumë e gjatë për durimin e lexuesit.

    Duke u kthyer tek pyetja juaj: ofrimi i krijimtarisë në mediet sociale është një përzgjedhje personale. Mjaft shkrimtarë/prozatorë shqiptarë – të diasporës apo që jetojnë në Shqipëri – postojnë veç titullin e librit, ndonjë artikull lidhur me librin, shënojnë botimin e veprës në një gjuhë të huaj. Ndryshe me poetët, ku shpesh lexon postime vargjesh. Ndoshta ngaqë poezia është më imediate, më e shkurtër, me një impakt më të drejtpërdrejtë, poetet/poetët përzgjedhin t’i postojnë krijimet e tyre.

    Nuk ka një formulë “fituese” në këso rastesh. Secili përzgjedh mjetin e tij/saj. Disa vargje sublime në një ditë “gri” të ekzistencës janë një rreze dielli e mrekullueshme. Shoh që populli i mediave sociale ndjek e shijon shpeshherë. Ka komente me vlerë. Ka shpesh edhe komente që duan të jenë lavdëruese per sé, por nuk dinë se si, ndaj për krijuesin – imagjinoj – janë frustruese, pasi janë tejet naive ose me fjalë të zbrazëta.

    Nga ana tjetër poetët shqiptarë, më shumë se prozatorët, kanë nevojë për një lexues, pasi poezia është shpesh “fëmija ilegjitim” për shtëpitë botuese, brenda e jashtë vendit. Me justifikimin se poezia nuk lexohet, pra “nuk shet”. Ndaj ç’duhet të bëjnë poetët, të mbyllen në kuvlinë e atyre të paktëve që blejnë vëllimin kur botohet, nëse botohet, në më të lumturin e rasteve?

    A.D: Dhe në fund, vihet re një rënie e ndjeshme e ndikimit që gazetat kanë në shoqëri; shumica syresh e kanë hequr edhe suplementin letrar dhe kulturor. Si e shihni këtë fakt?

    E.D: E shoh si një funeral të dijes, kulturës. E shoh si një mëkat të madh, në dëm të krijimit të një shoqërie të ditur, të emancipuar. E shoh si një atentat kundër krijimit të një brezi të ri të shëndetshëm, i cili duhet pajisur me instrumentet e duhura për të ndërtuar një shoqëri e një Shqipëri të përparuar e të pasur shpirtërisht. Po u heqim të rinjve mundësinë e një busulle orientimi të vlerave; po u lëmë të kuptojnë si ai që ka miliona është modeli, por kush jep e krijon dije e kulturë, është një farë Donkishoti i panevojshëm.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË