More
    KreuLetërsiBotime të rejaElvi Proko: Mbi ekocidin dhe shpërfilljen

    Elvi Proko: Mbi ekocidin dhe shpërfilljen

    Në datat 30 dhe 31 tetor të këtij viti, u mbajt në Romë Samiti i G20 me pjesëmarrës krerët e shteteve anëtare, të shteteve të ftuar, si dhe të presidentëve të Komisionit Europian dhe të Këshillit Europian për BE-në.

    Temat kryesore mbi të cilat u zhvilluan punimet ishin emergjenca sanitare e COVID-19, kriza klimatike dhe rikuperimi global pas-pandemisë. Viti që lamë pas, gjurmët e të cilit janë vulosur rrënjësisht në jetët tona, ka qenë një prej periudhave më të vështira e të dhimbshme të njerëzimit, e për të do të rezervohet një vend i veçantë në radhët e librave të historisë. Për më tepër, më shumë se kurrë janë shfaqur fenomene e katastrofa natyrore si tërmete, përmbytje e zjarre.

    Të jetë vallë një paralajmërim, se diku kemi gabuar?

    Një temë, të cilën ndoshta tani e kemi perceptuar më qartë, e që Andri Snaer Magnason, poet, dramaturg e aktivist politik mbi temat mjedisore, e kish konceptuar prej kohësh me largpamësi. Ai është një shkrimtar i përkthyer në shumë gjuhë të botës, si dhe fitues i mjaft çmimeve letrare, por aktualiteti i librit të tij të fundit, i cili tashmë është botuar edhe në shqip, ka pasur një jehonë të fortë së fundmi. Këtë libër ai ua ka kushtuar fëmijëve të tij, si dhe brezave që do të vijnë.

    “Dymbëdhjetë miliardë tonët e naftës, gazit e karbonit që djegim çdo vit arrijnë në më shumë se tridhjetegjashtë tonë CO2. Nën këto ritme, temperaturat do të rriten me 1.5 gradë, gjë që do të sjellë pasoja katastrofike për planetin tonë.” Një konstatim, i cili, i thënë shqip, “as të ngroh, as të ftoh”. Shkencëtarë të ndryshëm në të gjithë botën kryejnë në mënyrë sistematike studime dhe publikojnë raporte mbi ndotjen atmosferike, acidifikimin e oqeaneve, shkrirjen e akullnajave, shpyllëzimin, apo zhdukjen e specieve, madje organizohen edhe mbledhje të jashtëzakonshme prej Kombeve të Bashkuara në lidhje me këto çështje. Përpos faktit se, shifra të tilla shkojnë përtej botëkuptimit të një njeriu të zakontë, i cili nuk është ekspert i fushës, koto kalkulime shkencore shkojnë përtej perceptimit dhe kontekstit tonë kohor dhe hapësinor.

    Andri S. Magnason ka marrë përsipër një mision të veçantë. I vetëdijshëm për mungesën thuajse të plotë të impaktit të këtyre studimeve mbi masat e gjera, ai vendos t’i rrëfejë ato, por kësaj radhe ai nuk e bën këtë thjesht duke publikuar shifra, të cilat kushdo do t’i shpërfillte, por duke rrëfyer histori. Histori vetjake, histori të familjes, histori të miqve, vendit të vet e natyrës. Për më tepër, i shoqëron ato me fotografi personale, për të bindur akoma më shumë publikun se është duke rrëfyer me zemër të hapur. Magnasoni e di mirë se, rrëfimi është mënyra e vetme për të hapur një tunel në koracën prej betoni të injorancës, e për të krijuar një urë drejt mendjes inerte e të pandërgjegjësuar. Me shembuj konkretë ai bën të kuptojë lexuesin se, “Jemi sjellë sikur atmosfera të mund të përthithë në pafundësi derdhjet e lëndëve në të, sikur deti të mund të gëlltiste të gjithë mbetjet tona, sikur toka të prodhonte përgjithnjë falë sasive gjithmonë e në rritje të fertilizuesve, sikur kafshët të zhvendoseshin pak më tutje, sa herë që njerëzit zaptonin hapësira të reja.” Pena e shkrimtarit përshkruan me dhembje jo vetëm shndërrimin negativ, apo më mirë të themi shpërfytyrimin, që po pëson planeti ynë, i cili gjendet veç një hap larg katastrofës ekologjike, por gjithashtu shndërrimin negativ që ka pësuar shoqëria moderne, një makineri konsumiste, e cila shqetësohet më shumë për zhvillimin material, se sa për atë shpirtëror. Ndër të tjera, ai sjell fakte tronditëse mbi shpërdorimin, të cilat të bëjnë vërtet të reflektosh. Për të rreshtuar disa shembuj, “… në Kinë më 2018-ën gjendeshin 50 milionë apartamente bosh”, “… 30% e ushqimeve të prodhuara në botë flaken”, “Me anë të territoreve blegtorale që kultivohen aktualisht, mund të ushqejmë katër miliardë njerëz më shumë.”

    Sigurisht, ky libër nuk duhet konceptuar si një shkrim fatalist mbi fundin e botës, por si një thirrje plot shpresë për ndërgjegjësim, mbi ndryshimin që mund të sjellë në shkallë globale edhe një individ i vetëm me kontributin e tij vetjak, p.sh. duke parapëlqyer të lajë ndonjë pjatë më shumë, në vend që të përdorë pjata plastike, apo të shuajë një llambë të cilën nuk i nevojitet, në vend që ta lërë të ndezur së koti.

    Me anë të një rrëfimi të thjeshtë e të këndshëm, pa dorashka, Magnasoni na bën të kuptojmë se duhet ta duam e të përkujdesemi për planetin tonë, pasi shtëpia nuk gjendet vetëm brenda katër mureve, apo kufijve shtetërorë, por në të shkuarën, të tashmen e të ardhmen e planetit ku jetojmë, e ku do të jetojnë edhe fëmijët e nipërit tanë. Çdo vepër e jona do të jetë trashëgimia që do u lëmë brezave që do të vijnë.

    Ky libër, mund të konsiderohet si një manual civilizimi, ku me civilizim nuk nënkuptohet përparimi shkencor në kurriz të gjallesave të tjera të planetit ku jetojmë, por përparimi shkencor e shpirtëror në harmoni me to.

    Jam shpresëplotë se, në një shoqëri që ka tepër nevojë për leksione qytetarie e humanizmi, siç është shoqëria shqiptare, ky libër do të përcjellë një mesazh të vlefshëm.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË