More
    KreuLetërsiShënime mbi libraElona Agolli: “Këngët e buzëqeshjes” dhe buzëqeshja Dritëroiane

    Elona Agolli: “Këngët e buzëqeshjes” dhe buzëqeshja Dritëroiane

    “Dita më e humbur, është ajo që nuk ka qeshje”

    Nikola de Shamfort

    “Dritëro Agolli është shkrimtar shumë i çmuar prej studiuesve të letërsisë dhe shumë i lexuar dhe i dashur prej lexuesve për arsye se me krijimtarinë etij ka çuar, ka përhapur shumë gëzim në popull mehumorine tij. Humori është një kategori shumë e rëndësishme estetike, të cilën krijuesit me dhunti të veçantë e bëjnë shumë ndikuese, shumë të kuptimshme dhe shumë të dëshirueshme”.

    Rexhep qosja

    Një ngasje egoistike do të mund ta quaja 25 vite të shkuara, idenë e nisjes së rrugëtimit në botën e bukur të botimeve. Një dëshirë për ta patur timin tërësisht babain tim, për t’u kujdesur njëlloj me dashuri për krijesat fëmijë-libra tëtij.

    Por nuk ishte fort e lehtë. Përgjatë veprimtarisë botuesetë më shumë se një dekade, ishte Dritëroi me Sadijen ata që nuk do ta lëshonin lehtë stafetën e redaktimit dhe botimit. Madje në ribotimin e Bërnsit, mbaj mend që edhe ilustrime te përzgjedhura e të skanuara ishin ato të parapëlqyerat e tim eti. Parathëniet apo pasthëniet, shoqëruese të botimeve të reja apo të veprave të ribotuara, përgatiteshin nga Sadija, redaktorja e përhershme e veprave të Dritëroit, e cila përfshinte në to fakte jetësore të shkrimtarit bashkëshort, por edhe të ngjizjes dhe realizimit të veprave letrare. Dhe falë këtij përkushtimi e pasioni përgjatë  dy dhjetëvjeçarëve, iu dhurua lexuesve thuajse korpusi i plotë i veprës sëDritëroit.

    Në parathënien e saj, Catherine Camus, në librin “Letërkëmbim 1944 – 1959” – Albert Camus et Maria Casarès, duke vleresuar këtë letërkëmbim, i cili jo vetëm ndriçonte anë të personalitetit të babait të saj, por edhe fakte që lidhen me trashëgiminë e çmuar letrare të tij, shkruan: “Faleminderit të dyve. Letërkëmbimi i tyre bëri që toka të jetë më e pamatë, hapësira më e ndritshme, ajri më i lehtë, thjesht sepse ata kanë ekzistuar.”

    Të njëjtat fjalë mund të thuheshin për Dritëroin dhe Sadijen, punën e tyre të palodhur për të ndriçuar me artin e shkruar errësirën, kaosin, qametin e rrëmetin, e viteve pas shembjes së komunizmit.

    Të mbash mbi supe përgjegjësinë e botimit të dorëshkrimeve  të pabotuara të shkrimtarit të madh, ribotimit të  veprave  qoftë edhe duke përditësuar botimin me një parathënie, apo pasthënie, është një peshë e madhe. I tillë është për mua edhe ribotimi i librit “Këngët e buzëqeshjes”.

    Vetë Dritëroi, në një nga shkrimet e tij, shkruan për ripunimin e veprave në ribotim: “Shkrimtari i vërtetë i ripunon veprat në ribotim. Balzaku kur po vdiste, e pyetën ç’dëshironte të bënte. Ai u përgjigj: “Të jetoja dhe një ditë. Të pastroja librin nga pjesët që nuk më pëlqejnë”. Edhe unë kam ç’redaktoj në librat e mi. Fjala vjen romanin “Njeriu me top”, e kam ripunuar dhe riplotësuar që përpara dy vjetëve në botimin që do bëhet në Francë.”

    Dhe me ironi vijon: Kur të ketë letër për libra, do të mendoj për ribotimin e ndonjë vepre duke e pastruar nga gjërat e tepërta, siç thotë Balzaku”.

    Tanimë, pjesa kryesore e veprës së Dritëroit është botuar e “pastruar nga të tepërtat”, nga vetë ai, e megjithatë ato çfarë  ai i quan “Vargje  të harruara”,  me shumë kujdes do të mund  të bëhen pjesë e disa veprave të ribotuara siç është edhe libri “Këngët e buzëqeshjes”.

    “Njeriu në shoqëri, – shkruan Dritëroi, – sidoqoftë e ka të kufizuar lirinë. Madje edhe të dojë të jetë i gëzuar, ka forca shoqërore që e pengojnë duke ia kufizuar shakatë dhe anektodat. Ndaj edhe Ezopi, edhe Nastradini ishin në brendësi, tragjikë. Bërthama e tyre tragjike kishte një potencë aq të madhe radioaktive, sa nxirrte në sipërfaqe rreze verbuese humori dhesatire”.

    “Këngët e buzëqeshjes” është ndoshta i vetmi botim që përmban aq shumë koncentrat buzëqeshje, në të gjitha forma te saj: nënqeshje, buzagazje, qeshje të hareshme, qeshje hidhshëm. Ky ribotim, i pasuruar me dorëshkrime e poezi të pabotuara më parë, vjen në këtë vjeshtë të trazuar me mjaft freski, origjinalitet në përmbajtje e formë.

    I ndarë në krerët përkatës të Fabulave – “Gomerë, dhelpra dhe ujqër”, Poezive-Përrallëza “Çudira dhe marrëzi”, Epigrame fluturake “Çmenduri dhe Urtësi”, Vjershat e gjyshit për Annën, dhe Baladat e poemat, të gjithë këta krerë i bashkon karakteristika e efektit pasleximor, përjetimit emocional të buzëqeshjes apo nënqeshjes.

    “Këngët e buzëqeshjes”, i redaktuar nga Sadije Agolli dhe botuar në vitin 1998 , si pjesë e kolanës “Lotët e Qiririt” – Poezia Shqiptare, mori shtysë atë kohë, nga paplotësia ebotimit pararendës “Çudira dhe marrëzi”, si dhe nga dëshira e autorit,për të përfshirë jo vetëm fabula dhe epigrame aforistike të pabotuara, por edhe një zhanër baladash, poemash apo vjershash satirike të cilat sipas poetit “ngjallin një buzëqeshje të lehtë”, gjë që i shkon titullit të librit “Këngët e buzëqeshjes”.

    Ndërkohë që vepra e Dritëro Agollit, përgjatë dy dhjetëvjeçarëve, pasurohet me krijime poetike deri në vitin e fundmë të jetës së tij, nevoja e përfshirjes edhe të poezive e poemave të tjera, disa syresh të lëna në dorëshkrim, disa të grupuara në dosje me shënimin “Vargje të harruara” apo “Vargje përshtypjesh”,  të  quajtura  nga  ai vetë vargje të “një fryme impresioniste dhe tek-tuk parabolike”, u pa nga stafi botues si njëri si dhe perfeksion botues.

    Poema “Në udhëtim”, e shkruar në vitin 1995, kur Dritëro Agolli ishte student, botuar fillimisht më 1958, në librin “Në rrugë dola”, do të përfshihet në këtë botim si ajo poema e “harruar” dhe e “mënjanuar” nga vetë autori. Në shënime e dorëshkrime, diku ai e quan “Poema mendjelehtë”, diku “Në udhëtim”. Dëshira për ta botuar e ka ndjekur thuajse në çdo nismë botuese përmbledhjesh poetike; madje edhe në parathënien e dorëshkruar (versionin e parë, gusht 2003) të vëllimit “Prit edhe pak”, ai e përmend këtë fakt:

    “Në këtë pjesë të  fundit  të  librit  është  edhe poema “Në udhëtim” e shkruar më 1995, kur kam qenë student, dhe e botuar më 1958 në librin tim të parë “Në rrugë dola”. Edhe kjo ka qenë e harruar, por megjithatë nostalgjia për shumë gjëra të kohës së rinisë, e nxori para meje të kaltërt në horizont, paçka naivitetit poetik. Poema “Në udhëtim”, pas udhëtimit të parë, diçka u përpunua para se të përmblidhej në vjershat e zgjedhura të dala në dritë më 1979. Dora e tretë që i jepet kësaj poeme, është kjo e librit “Prit edhe pak”. Por kjo është një dorë e lehtë dhe e lëmuar, pa cënuar aspak naivitetin djaloshar dhe frymën e saj popullore”…

       Megjithëse autori joshej nga mendimi për ta botuar sërish këtë poemë, ai po me aq pavendosmëri e trajtoi krijimin e tij të viteve të djalërisë. Ai nuk e përfshin as në përmbledhjen e fundme me poezi “Prit edhepak”.

    Ndoshta pasi, ajo frymë e kaltërt e naivitetit poetik, nuk i shkonte për shtat vargjeve të pjekura, me  sarkazëm  drithëruese e tek-tuk  edhe  me  nota pesimiste, të vëllimit “Prit edhe pak”,   të shkruara kryesisht pas viteve 2000. Ndoshta pasi lejtmoviti i madhërishëm, imituar nga Gëte, “Natën  napë   e gjumit / Malet   i mbulon / Mjegulla pas  lumit / Lugjeve vrapon / S’pipëtin një  fletë / Rruga s’pluhuros / Prit dhe ti, i shkretë, Prit se do pushosh.”, mbrujtës i poezive të fundme, nuk ishte në të njëjtën sintoni me atë poemën fluturake.

    E mendova shumë të denjë për ta përfshirë në librin “Këngët e buzëqeshjes” pasi e lexova dhe rilexova,  sërish  e lexoja dhe aspak nuk më tëhuajej, aspak nuk më mërzitej; përkundrazi është ndër të rrallat poema, leximi i së cilës, shijohet duke buzëqeshur nga fillimi në fund.

    Edhe pjesa e tretë, “Vjershat e Gjyshit  për  Annën”,  do të duhej  të bëhej pjesë e përmbledhjes.  Anna,  në  vitet  e  krijimtarisë  më dinamike të Dritëroit (vitet 1991-2000) ka qenë jo vetëm paqëtuesja e shpirtit  të trazuar  të poetit,por edhe frymëzuesja e “përkthimit” të të zakonshmes jetësore në të “pazakonshmen” artistike.

    Fantazia fëmijërore e Annës, përkthehej për Dritëro Agollin, në metafora e figura të çuditshme poetike duke na sjellë vargje të mahnitshme si:

    “Vërtet njëherë shkrepëtima u drodh nga ethet Dhe qielli plot bubullima u nda më dysh, Mbesa u fsheh nën dritare ezbehtë,

    Mua të plotpushtetshmin mëthirri:

    “Rrihe qiellin, o gjysh!” [I plotpushtetshmi]

    Një dosje e veçantë me këtë shenjim “Vjershat e gjyshit për Anën”, renditej në mes të bibliotekës së dosjeve e dorëshkrimeve të Dritëroit, duke mbetur si një amanet për t’upërplotësuar.

    “E dashur Anna, Shumë gjëra unë duhej të t’i kisha thënë më herët, megjithatë t’i kam thënë duke i fryrë atij fyellit tek të shihja me mall duke kërcyer e vockël tre vjeçare dhe thosha me vete: Anna e vockël, do të kërcejë në këtë truall edhe shumë vjet, edhe me këmbë edhe me mendje”.

    Edhe në këtë fragment të një letre dërguar Annës,mbesës së çmuar, përcillet mesazhi i amaneteve, të thënave dhe të pathënave, të vërtetave të bukura dhe të atyre që të “bulëzojnë” buzëqeshjen.

    E së fundmi, fabulat në këtë përmbledhje janë veçmas të përfshira në kapitullin “Gomerë, dhelpra dhe ujqër”, pasi Dritëroi mbi të gjitha është “poeti i fabulës”. “Agolli i shtjellon fabulat si histori lakonike, plot fantazitë çuditshme, ku kafshët janë maska të njerëzve. A nuk ka thënë Shekspiri se kafshët janë veset dhe virtutet e njeriut?”, shkruan MoikomZeqo.

    Gëzimi dhe buzëqeshja, humori  dhe  strofat  “satanike” sa i takon të vërtetave të hidhura por të shkruara me finesë figurative, rrëfimet përrallore por me të vërteta të kamotshme dhe mbarënjerëzore, vargjet “naive” kushtuar fëmijëve por edhe një kambanë tingëlluese për të rriturit, epigrametaforistike që të çelin dritare meditimi, janë çka duhet vlerësuar në këtë ribotim të cilit, me plot gojën, do t’i uronim:

    Ardhsh i bardhë, si një amanet i bukur i Dritëroit të madh!

    13 tetor 2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË