KreuLetërsiShënime mbi libraElida Buçpapaj: Lea Ypi pret kot që ta duam. Sepse kjo është...

Elida Buçpapaj: Lea Ypi pret kot që ta duam. Sepse kjo është mënyra si duam!

Lea Ypi ishte në Tiranë. Në rrjetet sociale dhe mediat e metropolit katundar u përhap lajmi se Lea është kandidate për kryeministre.

Zot shyqyr, sikur, tak fak, të shpëtonim nga manjaku i pushtetit. Por ishte një thasheshem për të larguar vëmendjen!

Lea Ypi u intervistua nga Dritare.net, një platformë televizive online kliente e Edi Ramës, ku Lea Ypi e konsideroi jo legjitime kapjen e Maduros, si shkelje e ligjit të së drejtës ndërkombëtare. Për paralelizëm kopil, intervistuesi e provokoi duke e pyetur se, nëse të njëjtën metodë do të përdorte Amerika për Enver Hoxhën. Lea Ypi dha të njëjtën përgjigje. Dhe kaq mjaftoi që kundër saj të plasnin si ujërat e Lanës nga shtrëngata, sulmet, të cilat Lea Ypi i priti me zhgënjim.

Të zhgënjyer nga Lea Ypi mbeti edhe gjenerata e moshatarëve të saj që vinin nga familjet e mëdha shqiptare, lindur nëpër internime. E zhgënjyer mbeti edhe autorja e këtyre rradhëve, duke pritur që Lea Ypi të bënte atë që nuk e bën dot opozita, të ngrinte popullin për të përmbysur një regjim të tipit Madurian. Të presësh nga dikush të të plotësojë  atë që ta do zemra, dmth ta vlerësosh maksimalisht atë apo jo!

Lea Ypi mund ta ngrejë popullin, i ka kredencialet, megjithë etiketimet si “marksiste”.

Me Lea Ypin jam prezantuar përmes një statusi të saj në rrjetin social në vitin 2017, që e botuam menjëherë tek Voal.ch. Statusin ia kushtonte gjyshes, zonjës Leman Ypi. Statusi kishte disa rreshta, por shkruar me një stil dhe dashuri që të përpinte, sikur lexoje një roman të gjithë, ku çdo rresht ngjante me një kapitull.

Fillimisht Lea Ypin e ngatërrova me mbesën e Petro Zhejit, vajzën e Vera Zhejit, Lea Plumbin, por pastaj u sqarova.

Pas atij statusi Lea Ypi u harrua shpejt, deri kur bam, doli me librin Free, Të lirë. Librin na e solli dhuratë djali ynë i madh, që e vizitonte Shqipërinë për herë të parë me një shoqen e tij gjermane pas largimit tonë më 1996. Librin Të lirë e kishte blerë në Shkodër. E lexova me një frymë. Nuk gjeta atë që kërkova. Sepse prita diçka tjetër. Sapo kisha lexuar romanin e shkruar mbi të vërtetat reale tek Vaji i Gurit i Miranda Haxhiut, që më tronditi nga themelet, sepse shkruan për tmerret e Familjes Alizoti.

Tek të Të lirë Lea Ypi solli një vepër letrare mbi perceptimin e saj fëmijëror, se diktatori ishte i mirë, diktuar tek ajo nga familja, kësisoj familja e kishte shpëtuar fëmijën nga trauma, por edhe kishte ruajtur veten nga “spiunlliqet” e pafajshme të fëmijës.

Nuk kam qëllim të analizoj librin, por të nënvizoj suksesin e Të lirë në Perëndim, i shpallur libri i vitit nga gazetat më të famshme Perëndimore, i përkthyer deri tani në 35 gjuhë. Ky është një sukses i padiskutueshëm për një autore shqiptare, por sukses i padiskutueshëm edhe për kulturën shqiptare. Lea Ypi është një shkrimtare shqiptare, vepra e së cilës është vlerësuar superlativisht nga Perëndimi. Natyrisht e kemi fjalën jo për vlerësim politik. Partitë lindin e ngordhin si këpurdhat helmuese, kultura mbetet!

Të mos flasim pastaj për arritjet, që po i quaj personale të Lea Ypit, sot ajo është Profesore në LSE dhe anëtare e Akademisë Britanike. Arritje që natyrisht nuk i ka fituar si zvkryeministresha e Edi Ramës, por me plot e plot merita e sakrifica.

Librin e dytë të Lea Ypit kam prej verës që kërkoj ta ble online, por nuk kam mundur, gjithsesi titulli i librit “Të poshtëruar” është shterrues, i plotfuqishëm për të treguar shkatërrimin me themel jo vetëm të Familjeve të Mëdha, por edhe të individit nga regjimi totalitar.

Pakënaqësitë dhe sulmet në rrjet ndaj saj, një pjesë Lea edhe duhet t’i mirëkuptojë sepse vijnë nga pritja e Godo-së, e njeriut tek i cili beson se, më në fund, nuk do t’i mashtrojë e gënjejë më shqiptarët sikur ka ndodhur këta 35 vjet. Nuk kam si të mos i krahasoj me sulmet dhe etiketimet që ka përjetuar Ismail Kadare në gjallje, duke u ngatërruar mbijetesa e individit në diktaturë me veprën monumentale të shkrimtarit. Gjatë diktaturës çdo individ jetonte nën poshtrim.

Ismail Kadare bashkë me shkrimtarin si në Perëndim po ashtu edhe në vendin e tij ka bërë edhe aktivizëm politik, si një zë i fuqishëm, kandidat për Nobel dhe fitues i të gjitha çmimeve botërore më prestigjioze për letërsinë. Ai ka qenë denoncues i krimeve të diktaturës, mbrojtës i flaktë i Kosovës, duke mbështetur sulmin e NATOs, ka kërkuar hapjen e Dosjeve dhe pastrimin e politikës. Në vitet që i konsideroi vitet e pleqërisë, ai u tërhoq nga aktivizmi i drejtpërdrejtë, duke u larguar nga kjo botë me zhgënjim reciprok, ai nga shqiptarët dhe shqiptarët prej tij. Por tani që ai nuk është më, ka mbetur vepra, një monument i gjallë i gjuhës dhe kulturës shqiptare, pronarë të së cilës mbeten shqiptarët ata që e deshën dhe që nuk e deshën, si dhe brezat që do të vinë.

Edhe Lea Ypi bën aktivizëm politik, dhe fatmirësisht është e re fringo, jo me megafonë, jo si propagandiste partiake, por në mënyrën e saj, si një akademike me emër të respektuar, fituar këtë emër në Perëndim me meritokraci.  Lea Ypi ka mbajtur qendrim të hapur që binte ndesh direkt me Edi Ramën dhe Giorgia Melonin për kampet e refugjatëve në Gjadër, ku ishte e ftuar në komisionin e jashtëm të parlamentit italian. Po ashtu Lea Ypi ka shpallur filozofinë e saj se koncepti i të qënit i lirë starton tek liritë themelore të individit. “Nuk mund të jetë i lirë dikush që është i papunë”, thotë Lea Ypi. Por nuk besoj se Lea Ypi e di se në Shqipërine e Edi Ramës apo të tranzicionit 35 vjeçar, për një vend pune njeriu i humbet liritë e bëhet patronazhist apo skllav i partive politike. Pra poshtrimi është i ngritur në apoteozë.

Prandaj shqiptarët pritën e presin nga Lea Ypi dhe zemërimin e tyre si Lana e rrëmbyer nga shtrëngatat e shiut ia derdhën asaj. Gabimisht? Apo me të drejtë? Gabuan adresë apo u adresuan tek personi i duhur. Ne jemi si një komb i mbytur që presim dorën e dikujt të na shpëtojë nga mbytja,  presim dorën e vajzës tonë, me mënyrën tonë mesdhetare, të stazhonuar nën kudhrën e diktaturës dhe tranzicionit!

Lea Ypi pret kot që ta duam. Sepse kjo është mënyra si ne duam!

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË