Nga parathënia e antologjisë (Botime Fishta, 2024. Mbështetur nga Qendra Kombëtare e Librit)
Ushqimi është një sjellje njerëzore po aq ekskluzive, sa gjuha. Sipas Claude Lévi-Strauss[1] gatimi, ashtu si gjuha, është një formë universale e veprimtarisë njerëzore. Nëse nuk ka shoqëri pa gjuhë, nuk ka as shoqëri që nuk gatuan. Kështu ushqimi mund të konsiderohet si një ansambël tekstesh karakteristike për një shoqëri të caktuar. Çdo përbërës, çdo pjatë, mënyra e organizimit të vakteve, gjithë elementet e një kuzhine specifike tradicionale, janë të lidhura reciprokisht, ndikohen si nga mënyra e mëparshme e ushqimit ashtu dhe nga dukuri te reja, interpretime të reja të një pjate apo recete te caktuar[2].
Në Testamentin e vjetër, te “Gjeneza” gjithçka nisë rreth një molle, kurse te “Zanafilla” shkruhet “Çdo gjë që lëviz dhe ka jetë do t`ju shërbejë si ushqim.”[3] Gjenden shumë proverba te librat e shenjtë që përbëjnë këshilla të vlefshme për ushqimin dhe të ushqyerit, megjithëse të gjithë e dimë se te Zoti nuk shkohet nëpërmjet të ngrënit. Megjithatë është interesante se, për të formuluar shprehje sa më të sofistikuara estetikisht për dashurinë, janë përdorur gjithnjë struktura gjuhësore që kanë lidhje me marrëdhëniet tona me ushqimin dhe me shijet në përgjithësi. Kështu përshembull te “Kënga e këngëve”, thuhet: “Më mbani me pite rrushi, më përtërini me mollë, sepse unë vuaj nga dashuria”.
Vepra letrare më e moçme e botës përëndimore “Punët dhe ditët” e Hesiodit ka të bëjë kryesisht me marrëdhënien midis drejtësisë dhe rregullimit të jetës bujqësore. Në të, lufta për ushqim është ajo që përcakton jetën, dhe uria është një realitet i egër që i shtyn gjërat të ndodhin.
Te “Odisea” e Homerit ka vargje të tëra ku pérshkruhen ushqimet që gatuheshin e që konsumonin kandidatët, në shtëpinë e Uliksit.
Letërsia romake fokusohet kryesisht në zakonet e ngrënies së klasave të larta të shoqërisë. Përshkrimi më i famshëm i një vakti romak është ndoshta darka e Trimalkios në poemën “Satyricon” të Petronius Arbiter. Aty gjendet një ekstravagancë e tillë që pak mund t’i ngjasojë edhe realiteti gastronomik i më të pasurve të sotëm.
Martiali, por edhe Katuli në veprat e veta poetike përshkruajnë servirjen e darkave që nisin me sallata me marule, presh, nenexhik, rukola, skumbri, vezë të prera në feta dhe sisë dose të marinuar. Pjata kryesore kishte copa mishi keci, zarzavate, fasule, dhe një pulë me proshutë, e ndjekur nga një ëmbëlsirë me fruta të freskëta dhe verë të cilësisë së mirë.
Por për t’u njohur më në imtësi me këtë traditë, duhet konsultuar koleksioni i pasur i recetave romake që i atribuohet Apicius[4], i cili qe shndërruar në sinonim të gustatorit.
Në letërsinë mesjetare mbetet simbolike dreka pantagruelike. Kështu quhet ajo drekë që është e denjë për Pantagruelin, protagonistin e romanit “Gargantua e Pantagruel” të Francois Rabelais (1494-1553). Dreka pantagruelike është përfaqësuesja e këtij personazhi gjigant, me një oreks të frikshëm.
Kurse te “Titus Andronikus”, Shekspiri tregon për hakmarrjen më të nxehtë të servirur nga gjenerali Titus, që shfaqet si kuzhinier dhe që i fton mysafirët e tij të hanë një ushqim që “do t’ju mbushë stomakun”. Në fakt, byreku që ai i ofron është bërë nga kockat e bluara, gjaku dhe kokat e pjekura të dy djemve të Tamorës. Pasi Tamora ka ngrënë, Titus deklaron se ajo sapo ka ngrënë “mishin që ajo vetë ka rritur”.
Po kaq e tmerrshme është edhe receta që gatuajnë shtrigat në kazanët e tragjedisë “Makbeth”.
Por le të kthehemi te hedonistika e të ngrënit dhe të pirit në letërsi dhe veçanërisht te letërsia e gjuhëve neolatine, e cila mbetet e famshme për tonet e larta në të kënduarit që i bën ushqimeve, pijeve, aromave dhe erëzave të ndryshme.
Shfaqen kësisoj në letërsi, personazhe dhe situata të lidhura kryekreje me mënyrën e të ushqyerit. Kështu përshembull në veprën “Il giorno“ të Giuseppe Parinit[5], protagonisti i saj shkon për drekë në shtëpinë e një zonje, ku është rasti i duhur për t’i dhënë shpjegim ushqimeve nga më të rafinuarat. Nga ana tjetër, Jorge Luis Borges i kushton vargje të paharrueshme verës, pijes së gëzimit.
Kurse Pablo Neruda, nga ana e tij, në odet e veta i këndon ushqimeve të thjeshta, si bukës, qepës, mollës, limonit dhe domates, pra produkteve të tokës mëmë që pushtojnë kuzhinat, hyjnë nëpër dreka, ulen, pushojnë ndër dollapë, mes gotave, dhe kriporeve të kaltra. Këto janë vargjet me të cilat pena e Amerikës së Jugut arrin t’i bëjë poetike dhe të rafinuara edhe drekat fshatare.
…asht nji rropulli e kuqe
nji diell
i freskët,
i thellë,
i pashtershëm,
që mbush sallatat
e Kilit,
E martohet e gzueme
me qepën e bardhë,
dhe që të festojë,
len të rrjedhë
vojin,
djalin
e dishirit të pemës së ullinit,
mbi hemisferat e saj gjysmë të mbylluna…[6]
Guido Gozzano[7] është përgjegjës për një vepër të vërtetë arti kushtuar ëmbëlsirave të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ai i sheh ato si një tundim shumë i vështirë për t›u kontrolluar, veçanërisht nga zonjat e kohës. “Jam i dashuruar me të gjitha zonjat që hanë pasta në dyqanet e ëmbëlsirave. Zonja me gishtërinj pa doreza dhe që bëhen sërish vajza të vogla!” shkruan gjeniu post-dekadent, pasi kishte përshkruar, ulur në një kafene me një sy të mprehtë dhe ironik, vështirësinë për të mos u dorëzuar para mëkateve të grykësisë së të rinjve.
Trilussa gjithashtu, komedian dhe shkrimtar italian i shekullit të kaluar, ka shkruar një poezi të famshme me titull “La madre panza”[8], duke treguar sesi nuk qe në gjendje t’i rezistonte tundimit për të lavdëruar ushqimin.
Në dialektin napoletan janë shkruar vargjet e një tjetër gjeniu si Eduardo De Filippo, i cili i kushton një poezi ragusë.
Më në fund, nga homazhet për ushqimin nuk mund të mungonte edhe Gianni Rodari, pedagogu dhe shkrimtari i dashur për fëmijët e çdo epoke. Te poezia “Buka” ai shkruan se:
Po të isha furrtar,
do doja të piqja një bukë
aq të madhe sa të ushqeja
të gjithë njerëzit që
nuk kanë çfarë të hanë.
Duket pra se në kulturën europiano-perëndimore nuk ka roman pa ushqim ose pa historinë e përgatitjes së një gjelle në kuzhinën e protagonistit, ose pa një darkë në restorant, ose pa një kafe në bar.
Pjesa e dytë e një monumenti tjetër letrar, “Uliksi” i Joyce, hapet kështu: Zoti Leopold Blum hante gjithë dëshirë të brendshmet e kafshëve dhe shpezëve. Pëlqente supën e trashë me të brendshme pule, plëndësat pikantë, zemrat e mbushura të pjekura, copat e mëlçive të lyera me galetë dhe vezë merluci të skuqura. Më shumë nga të gjitha pëlqente veshkat e qengjit të pjekura në zgarë, që i linin në qiellzë një duhmë të mirë e të lehtë urine.[9].
Periudha e modernitetit nuk lë pa prekë edhe kuzhinën dhe diskursin për mbi të. Një fushatë e vërtetë për afirmimin e një kuzhine avangardiste, me teori dhe propozime konkrete, filloi më 28 dhjetor 1930, kur Filippo Tommaso Marinetti botoi Manifestin e kuzhinës futuriste. Ky manifest njihet gjithashtu edhe si manifesti “Kundër makaronave”, të cilat provokojnë lemonti te populli italian. Sipas Marinetit “ne mendojmë, ëndërrojmë dhe veprojmë sipas asaj që pimë dhe hamë”.
Gjithashtu, teatri dhe kinemaja rezultojnë të jenë të mbushur me situata mbingopje apo urie ekstreme.
Në kinema përshembull, mjafton të permendim filmin ikonik “Gostia e madhe”[10]. Ai është një film satirik i vitit 1973, me regji nga Marco Ferreri dhe në interpretimin e aktorëve të famshëm Marcello Mastroianni, Ugo Tognazzi, Michel Piccoli, Philippe Noiret dhe Andréa Ferréol. Filmi përqendrohet në një grup miqsh që planifikojnë të hanë deri në vdekje. Ai satirizon konsumizmin dhe dekadencën e borgjezisë, duke u kthyer në një film që diskretiton instinktet bazë.
Një stacion tjetër i rëndësishëm në letërsinë moderne është libri i shkrimtares amerikano-latine Izabel Aljende “Afërdita” me rrëfime, receta dhe afrodiziakë të tjerë, të cilin ajo ia kushton “të dashuruarve që luajnë dhe… burrave të trembur e grave të dëshpëruara”.
Ushqimi në kulturën e shkruar shqipe
Në kulturën orale apo të shkruar shqiptare ushqimi gjendet përgjithësisht në forma mjaft të himnizuara. Apoteozat kushtuar ushqimeve janë të lidhura me kushtet shumë të vështira nëpër të cilat është përshkuar mbijetesa e fisit tonë. Por, ama, nuk kanë ngelë pa lënë gjurmë edhe ditët e bukura dhe me diell që ky popull kaloi, veçanërisht para pushtimit turk.
Në folklorin shqiptar nuk gjendet një begati e tillë gastronomike, që ndeshet ndër popujt e tjerë mesdhetar. Shpesh, në letërsinë tonë popullore, vendin e shijes e zë uria. Si popull blegtor që jemi, në këngët folklorike, por edhe në përrallat, sundon mishi. Por i këndohet gjithashtu edhe ushqimeve të tjera bazike si buka, vaji, vera dhe më vonë rakia…
Po t’i referohemi burimeve të tjera të shkruara, si dhe po të shestojmë me vëmendje dokumentacionin e kohës, vihet re një situatë antropologjike shumë interesante, që ka të bëjë me raportin që vendoset midis ushqimit, alias mirëqënia materiale, dhe asaj mendore dhe shpirtërore. Mjafton të citojmë këtu Kreun e 134 të “Kanuni i Skenderbeut”, ku thuhet se: Garantët të betohen në Ungjill përpara të ngrënit. Garantët e thirrur në gjyq duhet të vijnë në të njëjtën çështje. Secili prej tyre duhet të ftohet të bëjë betimin mbi Ungjill përpara ngrënies dhe jo pas saj. Përndryshe, dëshmia e tij nuk konsiderohet e vlefshme.[11]
Çështjen e ushqimit e gjejmë të sanksionuar edhe në statutet e Shkodrës venedikase. Ja se çfarë shkruhet në kreun e 274 “Mbi peshkun që i takon Kontit e mbi dorëzimin e mallrave të tjera”: Viti 1393, dita e dhjetë marsit. Ne, të gjithë njerëzit e Komunës së Shkodrës, të mëdhenj e të vegjël, duke qenë me mendje të njejtë dhe të shëndoshë, të mbledhur në kapitullin e kanonikëve, dëshirojmë të konfirmojmë privilegjin me vulë të artë të varur që u lëshua dikur nga Perandori Stefan, lidhur me peshoret, ku thuhet se kontit duhet t’i dorëzohet një e dhjeta e ngjalave, një e nënta e krapit, ndërsa për peshqit e tjerë, t’i jepet një e gjashta, jo më shumë. Për qetë e arave t’i jepet një grosh, po ashtu edhe për lopët e qumështit, kur ato çohen në treg, për çdo kokë derri, të jepet jo më shumë se një gjysëm grosh, kurse për bagëtitë e imta, të paguajë një grosh për kokë, për kalin 6 groshë dhe për një shitje drithi, të paguajë një sold për vandak, për lesh të tjerrur në shtëpi, të dorëzojë jo më shumë se 34 groshë[12].
Mbas dy shekujsh e gjysmë, situata ka ndryshuar katërcipërisht për keq. Në relacionet e Frang Bardhit për Propoganda Fide të vitit 1637, gjenden të përshkruara situata rrënqethëse që kanë lidhje me të ushqyerit e fshatarëve dhe malësorëve shqiptarë: Dhe këtu në këtë katundin e Këçirës u krye vizita e jonë në Pukë, e cila zgjati 16 ditë: çdo ditë tue vizitue ndonjë katund dhe tue ecë ndonjë herë 16 milje çdo mbasdite, tue pushue natën dhe të nesërmen në mëngjes tue u marrë me punët e vizitës deri në drekë. Buka që hanim në këtë vizitë ishte prej sorgu përzie me mel, e zezë dhe e gatueme keq, që nuk kishte pamjen e bukës as ndonjë shujte dhe ndonjë herë as nga kjo nuk gjendej, sepse kishte zi të madhe buke në katundet e thanuna. Venë gjendej në disa vende e në disa jo, dhe disa vraponin ta blenin aty ku gjendej, e disa jo, dhe atëherë u donte me drekue, në mos pa gja, me ųj të ftohtë. Mish, djathë e hudra na jepnin me ngranë pa llogari. Duhej të flinim përjashta, e disa herë n’erë e në shi, për dhe mbi pak bar; qoftë për hatër të zotit perëndi prej të cilit pritet e korra.[13]
Gjithashtu në fazën paraletrare kemi edhe ndonjë poezi si puna e poemës “Trahanaja”[14] e bejtexhiut Hasan Zyko Kamberi, që duhet të ketë jetuar fundin e shekullit të XVIII dhe fillimin e shekullit të XIX, i cili i këndon jo vetëm produktit, por edhe mënyrës së të bërit.
Gjurmë të kuzhinës tradicionale shqiptare duhen kërkuar edhe te folklori arbëresh, te ky komunitet që ka ruajtur të gjallë kujtesën e Motit të Madh. Kështu përshembull, Kulaçi arbëresh është një nga elementët e përfshirë në kandidaturën e riteve dhe trashëgimisë arbëreshe për në UNESCO. Cugliaccio (në arbërisht Kulaç) është një ëmbëlsirë tipike e traditës gastronomike arbëreshe të San Costantino Albanese. Që nga shekulli i 16-të, përgatitja e kësaj buke ka qenë e lidhur me dasma dhe festën e Pashkëve. Rituali i përgatitjes së tij karakterizohet nga një simbolikë e fortë fetare, e cila në përgjithësi vepron në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e kulturës Arbëreshè.
Gjatë periudhës së fundit të pushtimit turk dhe kohës së ndërtimit të qyteteve shqiptare, mënyra orientale e gatimeve, ngrënies dhe përdorimit të takëmëve të tjera, sundon në të gjithë botën shqiptare. Ja përshembull një dëshmi që na vjen nga Simon Rrota: Duhet me dijtë se të gjithë kafexhitë kishin dugajën e vet dhe shegertin qi i ndihmonte me shpërnda kafet. Aty kishin mjetet e nevojshme për shtypjen (bluemjen) e kafes, shterën e madhe, (nji blok guri i latuem, rreth 60-70 cm i naltë, në mes kishte nji birë në formë cilindri e thellë rreth 40-50 cm.), ku u hidhte mbrendë kafja kokërr e kavërtisun (pjekun në dallap), qyzkinë (vegël hekuri e randë mbi 1 m e gjatë, në majë paksa e hollë) e me lëvizjet e krahut nalt poshtë u rrahte kafja qi ishte në të, për me e shtypë e me e bâ pluhun dhe sitat. Kto ishin dy llojesh: njana kishte rretën e telit me bira pak ma të gjana për me e sitë për të parën herë kafen, pjesa që mbeste në sitë, u hidhte përsëri në shterë për me u rishtypë, ndërsa lloji tjetër i sitës nuk ishte me rretë telit, por me nji pelhurë të fortë me thuerje të imtë. Kjo u thirrte sitë e mëndafshtë për me sitë kafen e dalun nga sita e parë, e kështu kafja e dalun ishte shumë e imtë, e përshtatshme për kafen allaturka. Anash dugajës ishin të shtrueme pak rrogosta (hasre) sa me ndejë, megjithëse nuk ishte zakon me ndejë te kafexhija. Kafet piheshin me miq në dugajën e tregtarit, gja kjo që vazhdonte gjithë ditën. Kafexhijtë shetitshin për të gjatë sokakut me kafe të gatëshme ose me marrë porosi për sasinë e kafeve qi dugajxhitë (dyqanxhitë) kërkojshin. Aso kohe, kafexhijtë i çojshin kafet me tabake vezake teneqeje e me dorcë (dorezë rreth 25-30 cm të naltë) për me e mbajtë pa vështirësi, Me vedi kishin hinin e zjermin si dhe xhezet me kafe të pjekun, të cilat i shprazte në sy të miqve të dugajxhisë, mbasi me vedi kishte edhe filxhanët simbas sasive të porosituna.[15]
Gjithashtu, etnografë të ndryshëm të huaj që kanë vizituar Shqipërinë, kanë treguar interes edhe në dokumentimin e mënyrës së të ngrënit. Kështu përshembull, në shënimet e etnografëve frëng Rene Benezec dhe Jaqueline Benezec, gjejmë: Në shtëpi, një surprizë e përgjithshme: Preng Cali kishte therur një pulë për ardhjen tonë. Gëzimi ynë i krijoi atij një kënaqësi të dukshme. Na kishte marrë uria tmerrësisht dhe René-a, megjithë disa litra raki që na kishin dhuruar xhandarët, nisi të presë pulën, para se ta pjekë. Preng Cali dukej tepër kureshtar nga ky ritual të coptuari, mënyra e pjekjes së pulës, etj. Gjithçka e shikonte me shumë kureshtje. Tashmë ishte ai që merrej me etnografi. Bonati na njoftoi se do të bënte një omletë në mënyrën e tij. Në realitet ishte një recetë turke. Së pari tregova sesi duhej bërë: omleta bëhet si në Francë, por pa i hedhur kripë e piper. Kur ajo piqet, e palosin pa e nxjerrë nga tigani dhe në këtë çast hedhin përsipër me shumicë shurup të përgatitur veçmas me qëllim që omleta të notojë në të. Duhet njomur nga të gjitha anët me shurupin që djeg dhe kështu omleta fryhet menjëherë. Bonati më dha një ide të largët të asaj që duhet të jetë, pasi duke mos ditur si bëhet një shurup sheqeri, ai mjaftohej ta lagte omletën me një gotë ujë të vakët e të sheqerosur.[16]
Po të kthehemi prapë te kujtimet e piktorit Simon Rrota, kur shërbente si përkthyes me ushtrinë austriake në vitin 1917 në Fier, do vëmë re se situata e ritualeve të ngrënies ishte e mjerueshme edhe në jug të vendit: Jetesa në familje ishte njisoj; me hangër e me fjetë për tokë, ishte baras gjithkund në Shqypni, prandej nuk asht për t’u çuditë. Austriakët si të huej qi ishin, u çuditshin për zakonet tona e mjaft u munduen me i ndrrue këto zakone; të hangunit e të fjetunit, por gjetën kundërshtime të mëdha. Veç, kur mbaroi lufta, ushtrija la shtretën e tavolina ndër shpijat e popullit e kështu me këtë rasë filluen me pëlqye me fjetë ndër shtretën e ma vonë me hangër në tavolinë, si njerzit.[17]
Në Shqipërinë e Mesme situata në lidhje me të ushqyerit nuk qe më e mirë. Një udhëtar italian i kohës së Luftës së Dytë shkruan: Dal nga dal erdhi koha e bukës. Njëri nga trimat na shtiu të lajmë duart në një legen bakëri me një ibrik të bukur. I fshimë me rizë të punuar nga gratë e shtëpisë. Pastaj suall sofrën e rrumbullaktë dhe u ulmë rrotull saj, pakëz të mënjanur nga e mëngjëra që t’u lemë vënd të gjithëvet.
Hëngrëm në misurin e vetëm që djemtë vendosnë në mez të sofrës duke marrë me lugë lëngun e shijëshmë të plëndësit me oriz e duke hequr buzëve të misurit lugën që të mos pikojmë. Buka ishte e pjekur në çerep, një çyrek i madh dhe i shijëshmë, bukë misri.
Pastaj na nxuar edhe mish qengji dhe mendova tek çuni i vogël, i cili më tha se në shtëpi nuk kishin tjetër veçse kecin e vogël për damàs. Po u qanja hallë, me mëndje t’ime, për shpenzimet që kishin bërë duke blerë edhe një qengj, këta njerëz që s’ishin më pasanikë. Zoti i shtëpisë posa u lëshua tepsia me mishin me oriz mbi sofër, merrte me dorë të tij felat e filloi të na i flakë, secilit përpara.[18]
Ndër këngët e dasmave, si te ato nga veriu e si te ato nga jugu, gjenden dëshmi të shumta poetike rreth ushqimeve dhe përgatitjes së tyre…
Ndërkaq, është shumë interesant fakti sesi një aristokrat shqiptar, ish ambasador i Shqipërisë në USA, shkrimtari dhe intelektuali Faik Konica kishte tërhequr vëmendjen e gazetës së famshme amerikane “The Washington Post”, e cila ka botuar, të enjten e 10 gushtit 1939, një shkrim rreth gjellës së preferuar të tij. Ishte Martha Ellyn, redaktorja e “The Post Food”, ajo që ia kishtë marrë shkrimtarit tonë recetën e tij të preferuar[19]: “Oriz i egër me mëlçi pule”. Ja si ia ka transmetuar Faiku ynë recetën e vet, gazetares: Lani mirë 6 mëlçitë e pulës. I përzieni me kripë, piper dhe paprika. Shtoni majdanoz të grirë imët dhe një copë gjalpë. Zieni një gjysëm filxhan oriz të egër për 10 minuta. Kullojeni tërësisht. Përzieni orizin me mëlçitë e ziera dhe shtoni 1 lugë sherry. Lidheni përzierjen në letër patapar të lagur. Zhyteni në ujë të vluar dhe lëreni të ziejë për 30 minuta.
Specifika e traditës sonë kulinarike, e pasqyruar në letërsi dhe art, është se paraqiten dy pamje ekstreme mbi ushqimin dhe të ushqyerit: një denigrues dhe një tjetër glorifikues. Ka vepra apo fragmente që shpesh t’a çojnë gojën lëng, por ka syresh që edhe të ngjallin krupën.
Në këtë kontekst janë shumë impresionuese letrat e ish të burgosurit politik, Pjetër Arbnorit, dërguar familjes, përgjatë 28 vjetëve të burgimit të tij, përmbedhur te libri “Shumë e dashuna nanë”[20]. Aty gjejmë shembullin sesi një i burgosur i “burgut të vogël” i jep kurajë të burgosurve të “burgut të madh”, siç qenë familjarët e tij në Shkodër.
Burrel 30. 2. 1986. Nji ditë nanë na u hap muhabet peshku e secili nisi me përmendë llojet që njihte dhe gatimin. U thashë nji herë që ta linin atë bisedë ngacmuese, po ata vazhduen. U futa edhe unë në bisedë si shirokas i lashtë, ia nisa nga peshqit e ujit t’ambël, mandej të lumit e në fund të detit. Mandej fola për tavën e krapit, për qefullin e pjekun në tjegull, për gjuhcat e pjekuna në mashë, për ngjalat me oriz, për zorrët e qefullit të fërguem, për putargat, për kublat e férgueme kurma – kurma, dhe biseda do të ishte zgjatë kushedi deri kur, sikur mos të kishte ardhë koha me marrë supën e drekës. Kur dolëm në oborr mbasdite, hunda më zuni menjiherë erë peshku. Shoh shokët që t’i lajmëroj, kur vë re se të gjithë nuhasin pa ditë se nga vjen ajo erë. Dikush aty afër, duket se piqte peshk në sobë. Kjo na e hapi edhe njiherë temën e peshkut, e shumëkush atë natë kapërdiu pështymën. Të nesërmen, kur u hap dyqani, shumica blemë nga nji kuti konserve gjuhca, dhe hoqëm mallin.
Ndërkaq ajo që ndodhte në këtë të ashtuquajturin “burg të madh”, përshkruhet më së miri në librin e Krymit “Dekalogu i një lagjeje tiranase”: Sa i takon gatimit, ndryshonte mjedisi sipas stinës; në dimër gatuhej me sobë me dru, një Bechi italine, për mirëmbajtjen e së cilës kujdesej vetë Rizai, ndërsa në verë meqenëse e shoqja refuzonte korrentin apo vajgurin, zjarrin e të cilëve nuk e ndërronte me atë të drurit, ai kish shpikur dy soba binjake me tallash. Këto praktikisht ishin dy cilindra gize që mbanin secila përmbi krye një pllakë rrethore po prej gize, të larta pak a shumë sa një kovë 4 litërshe. Sobat kishin secila një sportel të vogël që hapej me menteshë dhe lidheshin mes tyre horizontalisht me një qyngj në trajtë T-je, që lidhej me tubin vertikal dhe nxirrte tymin jashtë. Kjo pajisje përbënte pjesën qendrore të kuzhinës verore, e cila instalohej në fund të oborrit për të gjithë muajt e stinës së butë. Një nikje pranë portës qendrore pajisej dhe me sergjenët e nevojshëm për të mbajtur erëzat, vajin, lugët e mëdha të gatimit etj. Brenda secilit cilindër futej e ashtuquajtura kovë tallashi, në të cilën çelej një dritare 4 x 4cm. Nga kjo dritare futej brenda kovës një copë druri, e cila vihej pingul me një tjetër pak më e gjatë se lartësia e vetë kovës. Pas kësaj, kova mbushej me tallash të imët, e mandej ngjeshej nga sipër me një tokmak të drunjtë. Si ngjeshej mirë, hiqeshin me shumë kujdes dy copat e drunjta që kishin formuar këndin e drejtë. Me pak fjalë, në këtë menyrë krijohej korridori i ajrit që ndihmonte ndezjen e zjarrit. Nga dritarja e vogël, e cila përputhej me sportelin e sobës, përmes një lecke me vajgur, ndizej zjarri duke bërë që tallashi të konsumohej ngadalë. Një kovë e tillë e mbante zjarrin të ndezur për rreth dy orë. Kështu familja kishte zjarr druri pa dru, përmes përdorimit të lëndës së ricikluar; mënyra më ekologjile e mundshme.[21]
Gjithashtu letërsia gojore që ecte paralel me atë zyrtare, përcillte një realitet të ashpër edhe nëpërmjet barceletave, si kjo e mëposhtmja:
Shkon nji kontroll prej Ministrisë së Mbrojtjes të inspektojë një repart ushtarak. Komandanti i kishte përgatitë ushtarët sesi do t’i pwrgjigjeshin pyetjeve të mundshme. Vjen ekipi, kontrollojnë, shohin gjithandej dhe në fund i mbledhin ushtarët. Pyet njëri prej oficerëve të ekipit:
– Si ia kaloni?
– Mirë – përgjigjen ushtarët.
– A jeni mërzitë?
– Aspak – ishte përgjigja.
– Si sillen eprorët me ju ?
– Shumë mirë.
– A ju del ushqimi ?
– Poooooo, na del e na tepron.
– Po çfarë bëni me atë që ju tepron?
– E hamë.[22]
Në letërsinë e Realizmit Socialist, ushqimi thuajse nuk pwrmendet. Sa më aktuale të ishte ngjarja apo subjekti i veprës, aq më pak përmendej ai, sepse zgjidhja më e thjeshtë dhe më e sigurt ishte shmangia dhe anashkalimi i problemit. Kurse në artin e Realizmit Socialist, tabllotë me temë ushqimin zaptohen nga frutat, pra nga produktet e tokës. Kjo edhe si një farë reklame për punën e kooperativistëve.
Menytë e artit të Realizmit Socialist ishin ideologjike. Në letërsinë dhe artin e asaj kohe, partizanët duhej të hanin vetëm misernike me një gjysmë qepe, kurse ballistët pula të pjekura të marra me zor ndër fshatarë të varfër.
Po kështu, gjatë viteve ’70-’80 kishte skena filmash, ku tavolina shtrohej si për Vitin e Ri. Paraqiteshin dyqane plot me mish dhe me mollë, që shiteshin pa racion. Ndër kontekste të tjera, personazhet jo vetëm nuk hanin, po as nuk laheshin. Eshtë interesant, por në filmat e atëhershëm nuk i sheh një herë duke bërë dush.
Por në përgjithësi pozicioni i shkrimtarëve të Realizmit Socialist ndaj hedonistikës së të ushqyerit ishte krejtësisht indiferent.
Tamam në kohën e tollonëve, më 6 prill të vitit 1987, Shqipërisë do t’i akordohej një çmim ndërkombëtar për ushqimin. Shtypi i kohës sillte një artikull të gazetës zyrtare të komunistëve danezë, ku evidentohet ky çmim që iu akordua Shqipërisë, në një event për ushqimin, të mbajtur në Meksikë. Gazeta daneze “Arbejdern” e 22 prillit të vitit 1987, raportonte se çmimi iu dorëzua shokut Sofokli Lazri, si përfaqësues i Shqipërisë.
[1] Claude Lévi-Strauss (1908-2009) antropolog francez.
[2] Parasecoli, Fabio. Culinary cultures of Europe” Identity, diversity and dialogue. Council of Europe, 2005. F.11
[3] Zanafilla 9:3
[4] Apicius, i njohur gjithashtu si De Re culinaria ose De Re coquinaria është një koleksionist i recetave romake të gatimit, të cilat mund të jenë përpiluar në shekullin e pestë të erës sonë.
[5] Giuseppe Parini (1729-1799). Poet satirik italian.
[6] Fragment nga poema “Ode e domates” e Pablo Neruda, një përkthim të lirë të Stefan Çapalikut
[7] Poet simbolist Italian (1883-1916)
[8] Barku nënë.
[9] Joyce, James. “Uliksi”. Botimet Zenit. Tiranë, 2009. F. 57.
[10] La Grande Bouffe
[11] Ilia, Frano. Kanuni i Skënderbeut. Shkodër, 1993. fq.39.
[12] Statutet e Shkodrës. Botime Onufri. Tiranë, 2010. F. 376
[13] Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore e të mesme në shekullin XVII: teksti origjinal dhe përkthimi përgatitur nga Injac Zamputi. Tiranë 1965. F. 83
[14] Hasan Zyko Kamberi ; bot. tekstual kritik. Botimet Albanologjike. Tiranë, 2016.
[15] Rrota, Simon. Po shkruej për vedi e Shkodrën, Botimet Fishta, Lezhë, 2018, f.14
[16] Nga shënimet e etnografëve frëng Rene Benezec dhe Jaqueline Benezec, 1938.
[17] Rrota, Simon. “Po shkruej per vedi e Shkodrën”. Botimet Fishta. Tiranë, 2018. F.170
[18] V. D. A. “Drekë në Malësi”, Revista “Drini”, 11-12. Tiranë 1943
[19] Nga Aurenc Bebja, Francë. Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania, :https://www.darsiani.com/la-gazette/the-ëashington-post-1939-gjella-e-preferuar-e-faik-konices-dhe-receta-e-saj/.“The Washington Post”, 10. 8 1939, f. 12
[20] Arbnori, Pjetër. Shumë e dashuna nanë. Nacional. Tiranë, 2009
[21] Krymi. “Dekalogu i një lagjeje tiranase”. Berk botime. Tiranë 2022. F. 127 – 128.
[22] Çapaliku, Stefan. Barceletat e komunizmit. Botimet Fishta. Tiranë, 2022. F.32