Perceptimi i dritës në letërsinë moderne shqipe është i lidhur ngushtë me ndërlidhjen e kohës dhe kujtesës, ku drita shfaqet si një rrugë drejt të së kaluarës së përjetuar në mënyrë të përjetshme.[1]Në këtë plan, drita shfaqet si një prani që sfidon kohën, përtej përfundimit dhe rrënimit, përtej dekadencës së njeriut dhe dhunës së historisë. “Veç drita s’ka mbarim” është një tezë ekzistenciale, pohim se në fund të çdo historie, përtej çdo pushteti, mbetet drita si shenjë e jetës, e artit dhe e shpirtit që nuk shterohet kurrë, me këtë varg, merr frymë profecia e lirikut Zef Zorba… Ky varg përbën testamentin letrar që poeti i la së bijës, Zorbneshës së re, Luçija Zorba Kalaj. Autorja në fjalë e ka marrë këtë sinjal profetik nga i ati dhe e ka shënjuar në pelegrinazhin e saj krijues përmes spiritusit titullor “Veç drita s’paska mbarim”. Që në titull, autorja indikon një bosht themelor kuptimor që përshkon të gjithë veprën: dritën si element të pashtershëm. “Drita” shfaqet këtu si një metaforë polisemike, e cila funksionon njëkohësisht si shenjë e shpresës, e vetëdijes, e besimit dhe e kujtesës. Në këtë mënyrë, vepra radhitet në atë prirje estetike që në studimet letrare është konceptuar “letërsia si kujtesë”.[2] Çdo lexim i letërsisë është një akt i kujtesës. Historia e letërsisë mund të konsiderohet si një sistem i gjerë i kujtesës kulturore, që ruan, përpunon dhe ritransmeton përvojat njerëzore të shprehura në formën estetike të fjalës. Historia e letërsisë funksionon si një sistem kompleks dhe sistematik i kujtesës, i cili përfshin dimensionin individual dhe atë kolektiv. Me këtë vepër, përmes një përshkrimi peizazhist që shkrin kujtesën vetjake me atë kolektive, vihet në qendër të vëmendjes Shkodra, e paraqitur me finesën dhe elegancën e saj, si dhe me rolin e saj si djep kulturor që ajo padronon mbi supe.
Kujtesa është e kaluara që vazhdon të jetojë në të tashmen – ky është raporti ekzistencial dhe historik ndërmjet kohës dhe subjektit[3]. Ajo që ndodh është vetëm ajo që mbahet mend; kjo na çon drejt natyrës dramatike të marrëdhënies mes Kujtesës dhe Harresës. Në këtë përballje simbolike, kujtesa kërkon të ruajë një vazhdimësi identitare, ndërsa harresa rrezikon ta ndërpresë atë. Nëse marrim me mend se “e tashmja” mund të përfytyrohet si kujtesa e “të ardhmes”, atëherë shtrohet një raport tjetër i ngjeshur, ai midis Kujtesës dhe Imagjinatës, bijës së saj ilegjitime, e cila shfaqet herë si mbështetje e procesit letrar[4], herë si djep i fantazisë letrare. Rrjedhimisht, Zorba e re rikujton pikërisht ato ngjarje që kanë lënë gjurmë përcaktuese në jetën e saj. Vlen të theksohet se e bija e Zorbës zotëron një kujtesë të hekurt, çka dëshmohet nga ruajtja e hollësishme e detajeve dhe nga inkorporimi i tyre në tekst, duke e ngritur veprën në një nivel të veçantë origjinaliteti. Kësisoj, autorja na ofron një vepër me theks të fortë autobiografik. Ajo nuk heziton të artikulojë disa të vërteta dopjo (pa rezerva), shpeshherë të dhimbshme, që lidhen me jetën e saj, familjen dhe rrethin shoqëror. Kujtesa paraqitet si një proces dinamik, ku episodet përjetojnë intensitete emocionale të ndryshme, të shoqëruara nga shpërthime narrative, por gjithnjë të menaxhuara përmes një ndjeshmërie të rafinuar stilistike. Përshkrimi i qytetit të Shkodrës dhe i hapësirave të tij urbane ndërtohet përmes ndërthurjes së përvojës individuale me memorien kolektive, duke pasur si pikënisje fëmijërinë dhe duke u zhvilluar në mënyrë asociative. Rrjedha narrative shfaq tipare të asaj që mund të quhet “kujtesë në varg”, ku një imazh evokon tjetrin në mënyrë spontane dhe jo-lineare. Personazhet e paraqitura janë referencialisht real; disa prej tyre identifikohen me emra konkretë, ndërsa të tjerë mbeten të paemërtuar, si rezultat i një zgjedhjeje autoriale. Vepra shquhet gjithashtu për praninë e një humori elegant dhe fin, i cili funksionon si mekanizëm stilistik qe e pranveron rrëfimin. Në rreshtat e kësaj vepre evidentohet qartë lidhja e ngushtë emocionale dhe shpirtërore e Zorbneshës së re me të atin, Zef Zorba, e cila shfaqet si një marrëdhënie themelore në ndërtimin e subjektivitetit autoral dhe të diskursit kujtimor. Zorba synon të rrëfejë historinë e jetës së tij, duke nënvizuar rolin e pazëvendësueshëm që dritat kanë pasur në këtë rrugëtim. Dritat, si prani të heshtura por të fuqishme, i janë qasur poetit në çaste të ndryshme të jetës, ndërsa ai, me një ndjeshmëri të rrallë, u është kthyer me vëmendje, përkushtim dhe emocion të pastër, e njëjta dritë që na lejon të shohim botën jashtë, është ajo që ndriçon rrugën e shpirtit drejt së vërtetës[5], nga konteksti i veprës duket se edhe e bija aspiron të ndjekë rrugën dhe të njëjtat gjurmë si i ati. Në diskursin narrativ përfshihen episode nga fëmijëria e autores, si lojërat me kuklla dhe lodra të ardhura nga jashtë vendit, përvojat shkollore, raporti me pikturën dhe figurën e piktorit, kujdesi për qenushin e saj, pema pranë oborrit familjar, si edhe pusi venecian, të cilat funksionojnë si topoi të kujtesës personale. Paralelisht, në tekst përmenden figura që kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën dhe veprimtarinë poetike të Zef Zorbës, duke krijuar një rrjet referencial kulturor dhe intelektual. Ndër to veçohen kompozitori Prenk Jakova, Ernest Përdoda, Kol Kurti, martiri Gjon Shllaku, Stefan Çapaliku, si dhe studiuesja Viola Isufaj, e cila angazhohet në përgatitjen e një monografie kushtuar Zef Zorbës. Këto përmendje e zgjerojnë horizontin e veprës nga autobiografia individuale drejt një kujtese kulturore më të gjerë.
Rrëfimi do të përmbyllet me një Post Scriptum, që Zorbnesha ia kushton bashkëshortit të saj të ndjerë, Paulinit. Në këtë pjesë, ajo rikthen kujtimet e saj nga SHBA-ja, shkrimet, përkthimet dhe vargjet – themeli i padukshem i historis. Për autoren, humbja e Paulinit përfaqëson një motiv të rëndësishëm që e ka shtyrë të mësojë tastierën përmendësh, duke tejkaluar kufizimet e pamundësisë së shikimit, dhe të realizojë veprën që aktualisht është në dispozicion të lexuesve. Jam i bindur se Paulini ka lexuar çdo rresht, varg, rrokje e shkronjë, para se ky botim të dilte në dritë. Artikullin dua ta mbyll me fjalinë e fundit që autorja ka shkruar: “… e bindur, Pal, se edhe pak vite na ndajnë prej kohës kur do të lexojmë së bashku!”
[1] Ilir Shyta, Drita në kontekstin poetik të letërsisë moderne shqipe. Tiranë: Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, 2008, f. 54.
[2] Emërtimi i Konferencës Shkencore Ndërkombëtare në përkujtim të Martin Camajt. Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Studime albanologjike: Letërsia si kujtesë, In memoriam Martin Camaj, 2017.
[3] Paul Ricoeur, Memory, History, Forgetting. Trans. Kathleen Blamey and David Pellauer. Chicago: University of Chicago Press. 2004.
[4] Jan Assmann, Cultural Memory and Early Civilization: Writing, Remembrance, and Political Imagination. Cambridge: Cambridge University Press, 2011.
[5] Platoni, Republika (Përkthyer nga A. Hoxha). Tiranë: Toena, 2010.


