More
    KreuOpinionEdison Çeraj: Petkat e realitetit

    Edison Çeraj: Petkat e realitetit

    “Mbylli sytë dhe shiko!” (Joyce)

    “Brenda realitetit ekziston një dëshirë absurde për jorealitetin.”

    (Musil, “Njeriu pa cilësi”, përkth.: Jonila Godole)

    1.

    Ma shumë se “dëshirë absurde për jorealitetin” është nji vullnet i paepur, i vazhdueshëm, ngulmues te njeriu për me tejkalu “realen” dhe realitetin, jo për me e braktisë, sepse thjesht nuk është e mundur dhe as nuk ka pse, por për me e kuptu dhe për me i dhanë vendin që meriton, sepse realiteti si i tillë nuk mjafton, nuk na përmbush, nuk na bind, sepse ai është veçse nji banesë e përkohshme, ndërkohë që thellë në ne pulson pandalshëm pafundësia, dhe hiçin/asgjësimin nuk na e njeh “gjeni”.

    Pa njohur “jorealitetin” nuk mund ta njohim “realitetin”. Çdo njohje nis me nji (vetë)mohim.

    Diku ma poshtë, po te Njeriu pa cilësi, Musil-i përsiat drejt nji shpjegimi:

    “Po ju çfarë do të bënit, – u përgjigj Diotima e irrituar – nëse do të drejtonit botën për një ditë?

    – Nuk do të më mbetej tjetër veçse të shfuqizoja realitetin!

    –  Do të doja vërtet të dija se si do ta bënit këtë!

    – As vetë nuk e di. Nuk e di saktësisht se çfarë dua të them me këtë. Ne e mbivlerësojmë pa masë të tashmen, ndjenjën e së tashmes, atë që ekziston…”

    Ky mbivlerësim për atë që ekziston, shpeshherë bahet mollë sherri në marrëdhanien tonë me veten, sepse kjo nënkupton me pritë ma shumë se sa duhet prej tij; me pritë atë çfarë realiteti nuk ta jep dot, dhe në këtë mënyrë kjo i hap shtegun zhgënjimit me vetë jetën, duke harru se jeta është ma shumë se realiteti. Realiteti është vetëm nji pjesë e jetës, dhe thelbi i saj qëndron jashtë tij.


    2.

    Mbase mesazhi ma kyç i filmit “La vita è bella” të Benigni-t është se janë fjalët ato që përcaktojnë mënyrën se si e përjetojmë dhe i qasemi realitetit, fjalët që dëgjojmë e lexojmë, pa harru fjalët që na kumton zani i brendshë. Siç e thotë edhe Heidegger-i, “gjuha është shtëpia e qenies”.

    Ne banojmë te fjalët që japim, te fjalët që marrim. Sa ma të qenësishme e të zgjedhura të jenë këto fjalë, po i tillë do të jetë ai që quajmë lehtësisht “realitet”, pavarësisht asaj çfarë ndodh “realisht”, sepse ne nuk mund ta dimë me siguri të plotë se çfarë ndodh “realisht”.

    Prandaj, ajo që po të ndodh ka ma shumë randësi se ajo që po ndodh.

    Në njifarë mënyre, realiteti është si uji, i cili merr trajtën dhe ngjyrën e enës në të cilën hidhet. Kjo enë është fjala.

    Ne mbjellim mikrorealitete në të cilat kyçemi dhe kyçim të tjerë me fjalët që përdorim apo me diskursin që përvijojmë. Ja pse kemi prirjen t’u shmangemi disa njerëzve dhe në të njëjtën kohë t’u afrohemi disa të tjerëve, sepse disa na bajnë me u ndie mirë me veten, na ndezin shpresë, ndërsa disa të tjerë na përcjellin të kundërtën.

    Marrëdhania jonë me Fjalën përcakton cilësinë e të jetuarit. Nga dashuria për fjalën varet thellësia e përjetimeve.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË