More
    KreuLetërsiBibliotekëDy tregime nga A. P. Çehov

    Dy tregime nga A. P. Çehov

    DJALI I PRAPË

    Ivan Ivaniç Llapkini, një djalosh me pamje të lezetshme, dhe Ana Semionova Zamblickaja, një vajzë e re hundëçipe, zbritën tatëpjetë një bregu të pjerrët dhe u ulën në një stol. Stoli ishte mu buzë lumit, mes degësh të dendura shelgjesh të reja. Çfarë vendi i mrekullueshëm! Ulesh aty dhe bota nuk të sheh – vetëm peshqit dhe merimangat që kalojnë vringthi mbi ujë. Të rinjtë kishin me vete kallama, rrjeta, kuti me krimba e gjithfarë takëmesh peshkimi. Sapo u ulën nisën të peshkojnë.

    ― Gëzohem që më së fundi jemi vetëm, ― filloi të flasë Llapkini duke vështruar rreth e rrotull. ― Unë duhet tu them shumë gjëra Ana Semionova…. Aq shumë…. Kur ju pashë për herë të parë… Ah, peshku po kafshon grepin tuaj…. Atëherë e kuptova përse jetoj në këtë botë, kuptova ku është idhulli im të cilit duhet t’i kushtoja jetë time të ndershme e punëtore…. O, ky që po kafshon duhet të jetë i madh… Kur ju pashë ndjeva dashurinë e parë, ju dashurova tërë pasion! Prisni mos e tërhiqni… le ta kafshojë më mirë… Më thoni, e dashura ime, ju përbetohem, a mund të shpresoj — jo që edhe ju, jo! — këtë nuk e meritoj, as që mund ta mendoj këtë, — a mund të shpresoj që…. Tërhiqeni!

    Ana Semionova ngriti lart dorën me kallamin, e tërhoqi dhe klithi. Në ajër shkëlqente një peshk ngjyrë argjendi në të gjelbër.

    ― O zot, sharmak[1]! Obobo, Shpejt! Iku!

    Sharmaku e volli grepin, kërceu nëpër bar drejt mjedisit të vet natyror dhe …. pëlltuq në ujë.

    Duke ndjekur peshkun, Llapkini në vend të tij, disi padashur kapi dorën e Ana Semionovës dhe po padashur e ngjeshi te buzët e tij…. Ajo u zmbraps, por tashmë ishte vonë: buzët padashur u bashkuan në puthje. Kjo doli si papritur. Pas puthjes së parë vijoi një tjetër, pastaj përbetime, zotime… Minuta të lumtura! Mirëpo, në jetën e kësaj bote nuk ka asgjë absolutisht të lumtur. Lumturia zakonisht bart helmin brenda vetes, ose helmohet nga diçka së jashtmi. Kështu ndodhi edhe këtë herë. Kur dy të rinjtë po putheshin, papritmas u dëgjua një e qeshur. Ata panë nga lumi dhe shtangën: në ujë deri në brez qëndronte një djalë i zhveshur. Ky qe Kolja, një gjimnazist, vëllai i Ana Semionovës. Po rrinte në ujë duke vështruar dy të rinjtë dhe qeshte tinëzisht.

    ― Aha-ha…. po putheni – ë? ―tha. ― Epo fare mirë! Unë do t’i them mamasë.

    — Shpresoj se ju si njeri i ndershëm…. — mërmëriti Llapkini, duke u skuqur. —Të përgjosh është poshtërsi, kurse të kallëzosh është e ulët, maskarallëk…….. Ma ha mendja, se ju si njeri i ndershëm dhe fisnik…..

    — Më jepni një rubël dhe nuk do tregoj! — tha njeriu fisnik. — Përndryshe do tregoj.

    Llapkini nxori nga xhepi një rubël dhe ia dha Koljas. Ky e shtrëngoi rublën në grushtin e qullur, fërshëlleu dhe iku me not. Ndërsa dy të rinjtë nuk u puthën më.

    Ditën tjetër Llapkini i solli Koljas nga qyteti bojëra dhe një top, kurse motra i dhuroi atij gjithë kutitë e saj të hapjeve. Më pas, u desh t’i dhuronin edhe kopsa mëngësh këmishësh me turiçka qenushësh. Sigurisht që djalit të prapë të gjitha këto i pëlqenin shumë, dhe që të përfitonte edhe më shumë filloi t’i ndiqte nga pas. Ku shkonte Llapkini me Ana Semionovën, aty edhe ai. Nuk i linte asnjë minutë vetëm.

       — I poshtri! — shqiptonte mes dhëmbësh Llapkini. — Kaq i vogël, po sa maskara i madh! Kushedi çdo të bëhet kur të rritet.

    Tërë qershorin Kolja s’i la të jetonin qetësisht të dashuruarit e gjorë. I kërcënonte se do t’i kallëzonte, i përgjonte dhe kërkonte dhurata; dhe s’ngopej asnjëherë, sa që më në fund filloi të kërkonte orë xhepi. Ç›ti bënin? U detyruan t›i premtonin edhe orën. 

    — Një herë për drekë kur po shërbenin vafël, Kolja papritmas u shkreh së qeshuri, shkeli njërin sy dhe e pyeti Llapkinin:

    — A ta them? Hë?

    Llapkini u skuq nga frika dhe në vend të vaflit kafshoi pecetën. Ana Semionova kërceu përpjetë nga tryeza dhe ia dha vrapit për në dhomën tjetër.

    Dhe ja në çfarë gjendjeje ishin dy të rinjtë deri në fund të gushtit, pikërisht deri atë ditë kur më së fundmi Llapkini i bëri propozimin Ana Semionovës. Oh ç›ditë e lumtur që ishte! Pasi foli me prindërit e nuses dhe mori pëlqimin e tyre, Llapkini pikë së pari doli me vrap në oborr dhe nisi të kërkojë Koljan. Kur e gjeti, sa nuk u ngashërye nga kënaqësia dhe e zuri djalin e prapë për veshi. Erdhi me vrap Ana Semionova, që po ashtu kërkonte Koljan, dhe e zuri nga veshi tjetër. Veç t’i shihje se çfarë ngazëllimi shprehej në fytyrat e të dashuruarve kur Kolja qante dhe u lutej:

        — Të dashur, të shtrenjtët e mi, pëllumbtha, nuk bëj më! Oh, oh, më falni!

    Dhe më pas, që të dy ishin të ndërgjegjshëm se gjatë gjithë kohës që qenë të dashuruar, kurrë nuk kishin provuar të atillë lumturi, të atillë ngazëllim mallëngjyes, si në ato minuta kur shkulnin nga veshi djalin e prapë.       

    1883


    LIBRI I ANKESAVE

    Ky  libër gjendet në një zyrë të vogël të bërë posaçërisht për të në stacionin hekurudhor. Çelësi i zyrës “ruhet te xhandari i stacionit”, po në të vërtetë nuk nevojitet kurrfarë çelësi se zyra është gjithnjë e hapur. Shfletoni librin dhe lexoni:

    “Zotëri i hirësishëm! Prova e penës!?”

    Nën të është vizatuar një surrat hundëgjatë me brirë. Poshtë surratit është shkruar:

    “Unë portret e ti tabló, ti hajvan, por unë jó. Únë – jam turiri yt”.

    “Kur po udhëtoja për te ky stacion dhe po vështroja natyrën nga dritarja, era më mori kapelën. I. Jarmorkin”.

    “Kush e ka shkruar s’e dí, unë budallai duke lexuar rrí”.

    “La kujtimin e tij kryetari i byrosë së ankesave Kollovrojevi”.

    “I paraqes kryesisë ankesën time ndaj Konduktorit Kuçkin, për vrazhdësinë e tij kundrejt gruas sime. Ime shoqe nuk po bënte aspak zhurmë, përkundrazi po përpiqej që gjithçka të ishte e qetë. Po ashtu edhe për xhandarin Kljatvin i cili më zuri ligsht nga supi. Banimin e kam në pronën e Andrej Ivanoviç Ishçevit i cili e njeh sjelljen time. Nëpunësi Samolluçshev”.[2] 

    “Nikandrovi është socialist!”.

    “Kur ende ndodhesha nën përshtypjen e freskët të veprimit tronditës…… (shkarravitur). Kur po udhëtoja nëpër këtë stacioni, unë u trondita gjer në thellësi të shpirtit nga kjo… (shkarravitur). Para syve të mi ndodhi kjo ngjarje revoltuese që vizaton me ngjyra të gjalla rregullat tona hekurudhore…. (në vijim është shkarravitur gjithçka, përveç nënshkrimit). Nxënësi i klasës së 7-të të Gjimnazit të Kurskut Aleksej Zudjev”.

      “Duke pritur që të nisej treni, unë po vëzhgoja fizionominë e përgjegjësit të stacionit dhe mbeta krejtësisht i pakënaqur prej saj. Për këtë po njoftoj sipas linjës. Një pushues i gëzuar daçe.”

    “Unë e di kush e ka shkruar këtë. Këtë e ka shkruar M. D.”

    “Zotërinj! Telcovski është hileqar!”       

    “Xhandaresha dhe bufetieri Kostia mbrëmë udhëtuan matanë lumit. I urojmë gjithë të mirat. Mos u dëshpëro xhandar!”

    “Duke udhëtuar nëpër këtë stacion dhe pasi kisha uri, në arsyetimin se ç’të ha, unë nuk munda të gjej ushqim kreshmor. Dhjaku Duhov[3]!”

    “Llup ç’të japin”….

    “Kush gjen një mbajtëse lëkure për cigare le t’ia dorëzojë në kasë Andrej Jegoriç-it”.

    “Meqenëse mua po më heqin nga puna gjoja si pijanec, atëherë unë deklaroj se ju që të gjithë jeni batakçinj dhe hajdutë. Telegrafisti Kozmodemjanskij”.

    “Hijeshoni veten me virtyt”.

    “Katinka, ju dashuroj si i marrë!”

    “Lutem mos shkruani në librin e ankesave gjëra pa lidhje. Për shefin e stacionit Ivanovi i 7-të”.

    “Edhe pse i 7-ti, gjéne budallá”.    

    1884


    [1]  Lloj peshku lumi

    [2]  Lojë fjalësh: i vetëshpallur më i miri.

    [3]  Lojë fjalësh: shpirtëror.

    I përktheu nga origjinali Dhimitër Haxhimihali

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË