LIRIKA TË KALTRA
Pafundësia
E kaltër, lart shtrin rrezet e veta.
Deti
Ndan e bashkon si dashuria
Edhe si jeta.
***
Nga gjelbërimi i zhdukur
Lind tjetri, më i bukur.
***
Sot e kam zemrën tërë kthjelltësi
Butësi petalesh të njomë.
Nga kupa e kristaltë e qiellit
Dua të pi
Dritë dhe aromë.
SERGEI ESENINIT
Sa e ëmbël gjuha jote,
Kaçurrelsi biond, Sergei!
T’ishte e mundur që t’i kthej
Ato çaste magjiplote
Kur mamaja edhe unë
Shndërronim vargjet dritëshumë
Çdonjëra në gjuhën e vet!*
Tani muzgu se ç’po zbret
Argjend hëne rrëke derdh
Mbi kaçurrelat e mia!
Trëndafila dhe flori
Prap më derdh në agim përsëri
Mikja e vjetër, poezia.

